VOAL

VOAL

EVA BRAUN – GJYSMA TJETËR E QIELLIT TË ZI

August 1, 2015

Komentet

Detajet e verdiktit për ish-krerët e UÇK-së: Çka konstatoi trupi gjykues?

Trupi gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë, më 16 shtator 2026.

Doruntina Baftiu

Mbi 41 muaj pas nisjes së procesit gjyqësor, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, më 16 shtator i shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Pas dëshmimit të 273 dëshmitarëve, dhe vlerësimit të gati 5.500 provave materiale, ata u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.

Në anën tjetër, të katërt u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.

Të pafajshëm u shpallën edhe për një numër incidentesh specifike që ishin listuar në aktakuzë, brenda akuzave për krime lufte.

Çfarë u konstatua për akuzat për krime lufte?

Sipas trupit gjykues, midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, anëtarë të UÇK-së privuan arbitrarisht nga liria së paku 385 persona që i akuzonin se ishin “kolaboracionistë”, “spiunë” apo “tradhtarë”.

Në shumicën e rasteve, tha trupi gjykues të mërkurën, nuk kishte prova se këta persona ishin përfshirë në veprimtari kriminale, luftime apo veprimtari që do të përbënin shqetësim legjitim sigurie.

Të ndaluarit nuk u informuan zyrtarisht për arsyet e ndalimit, nuk dolën pa vonesë para një gjyqtari ose autoriteti tjetër kompetent, dhe nuk iu dha mundësia të kundërshtonin ligjshmërinë e ndalimit.

Në lidhje me trajtimin e të ndaluarve, trupi gjykues konstatoi se të ndaluarit mbaheshin në kushte të rënda, në dhoma të mbipopulluara, pa ushqim dhe ujë të mjaftueshëm, pa kujdes shëndetësor dhe, në disa raste, të lidhur me zinxhirë ose pranga.

Gjykata konstatoi, gjithashtu, se shumë prej tyre ishin rrahur me shkelma, qyta të pushkëve, shkopinj, shufra metalike dhe mjete të tjera. Disa thuhet se u detyruan të shikonin keqtrajtimin e të ndaluarve të tjerë, ndërsa disa iu nënshtruan ekzekutimeve të simuluara dhe kërcënimeve për vrasje.

Në 49 raste, Gjykata konstatoi trajtim mizor, ndërsa 303 persona tha se ishin torturuar.

Në rastin e vrasjeve, trupi gjykues konstatoi se së paku 96 persona ishin vrarë nga anëtarë të UÇK-së në 12 komuna të Kosovës dhe në një lokacion në Shqipërinë veriore. Viktimat, sipas Gjykatës, ishin vrarë me armë zjarri ose kishin vdekur si pasojë e rrahjeve brutale.

Shfajësimi për krime kundër njerëzimit

Ndryshe nga krimet e luftës, për të cilat trupi gjykues gjeti përgjegjësi penale të të akuzuarve, për krimet kundër njerëzimit ai konstatoi se nuk ishin përmbushur të gjitha kushtet që kërkon ligji.

Gjykata konstatoi se anëtarë të UÇK-së kishin kryer akte dhune dhe keqtrajtimi ndaj civilëve në Kosovë dhe në disa zona të Shqipërisë veriore. Sipas saj, këto akte ishin pjesë e një sulmi të përhapur ose sistematik.

Por, për t’u cilësuar juridikisht si krime kundër njerëzimit, nuk mjafton që aktet të jenë të shumta ose të organizuara. Duhet të provohet edhe se sulmi ishte i drejtuar kundër një popullate civile. Pra, se civilët ishin shënjestër, si pjesë e një grupi të caktuar dhe jo vetëm individë të veçantë.

Pikërisht këtë element, sipas trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk arriti ta provonte përtej dyshimit të arsyeshëm. Gjykata vlerësoi se viktimat ishin përzgjedhur kryesisht për arsye individuale – për shembull, për shkak të identitetit, veprimeve ose lidhjeve të tyre të pretenduara – dhe jo sepse i përkisnin një popullate civile që ishte shënjestruar në tërësi.

Prandaj, edhe pse Gjykata konstatoi një sulm të përhapur ose sistematik ndaj civilëve, ajo nuk gjeti të provuar elementin e nevojshëm që ai sulm të përbënte krime kundër njerëzimit. Si rrjedhojë, të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për gjashtë pikat e tilla.

Gjykata konstatoi “qëllim të përbashkët kriminal”

Trupi gjykues konstatoi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, së bashku me persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, kishin si qëllim pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi një Kosovë të pavarur.

Sipas gjykatës, për realizimin e këtyre objektivave, ata kishin një qëndrim të përbashkët se disa persona që konsideroheshin pengesë për qëllimet e tyre duhej të “shënjestroheshin”, “eliminoheshin” ose “neutralizoheshin”.

Këta persona thuhet se përfshinin, ndër të tjera, anëtarë ose përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), persona që konsideroheshin të lidhur me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe.

Gjykata konstatoi se ky qëllim i përbashkët ishte zbatuar përmes vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, si dhe keqtrajtimit fizik e psikologjik, frikësimit dhe përdorimit të asaj që në aktgjykim quhet “luftë speciale”.

Trupi gjykues tha se krimet nuk ishin rezultat vetëm i hakmarrjeve personale, bandave apo veprimeve të izoluara, por ishin pjesë e një plani që, sipas tij, ishte hartuar nga të akuzuarit dhe persona të tjerë dhe ishte zbatuar gjatë konfliktit.

Gjykata gjithashtu listoi një numër figurave të tjera të njohura të UÇK-së – Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci – për të cilat tha se ishin në dijeni për këtë qëllim të përbashkët kriminal dhe se kishin rënë dakord me të, si dhe kishin marrë pjesë në realizimin e tij.

Megjithatë, aktgjykimi thekson se ndaj këtyre shtatë personave nuk është bërë konstatim fajësie në këtë çështje, dhe se ata vazhdojnë të kenë të drejtën të prezumohen të pafajshëm.

Si e përcaktoi Gjykata përgjegjësinë e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit?

Gjykata konstatoi se katër të akuzuarit kishin dhënë kontribut të qenësishëm në zbatimin e këtij qëllimi të përbashkët dhe, mbi këtë bazë, i gjeti penalisht përgjegjës për katër krimet e luftës.

Në rastin e Thaçit, gjykata tha se ai kishte luajtur rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët, ndërsa konstatoi se kishte marrë pjesë edhe personalisht në disa prej krimeve, përfshirë rastin e Behajdin Allaqit.

Sipas trupit gjykues, më 11 qershor 1998, Behajdin Allaqi u mor në pranga në shtabin e UÇK-së në Drenoc, pak pasi aty mbërritën Thaçi dhe Veseli. Ai nuk u pa më, dhe trupi gjykues konstatoi se ishte vrarë.

Para zhdukjes, Allaqi kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Gjykata konstatoi gjithashtu se pas vrasjes, për të fshehur përgjegjësinë, u publikua Komunikata 61 e UÇK-së, e cila pretendonte se Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë.

Pas luftës, sipas aktgjykimit, Thaçi, Veseli dhe Azem Syla u përpoqën ta bindnin familjen e tij të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe së vërtetës, përmes ofertave për ryshfet dhe premtimeve.

Për Veselin, gjykata veçoi pozitën e tij si shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së, organ që, sipas konstatimeve, kishte përgjegjësi për identifikimin, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave të dyshuar si “kolaboracionistë”. Gjykata tha se ai nuk ndërmori hapa për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e krimeve, megjithëse kishte dijeni për to.

Për Selimin, trupi gjykues konstatoi se ai kishte kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Gjykata vuri në dukje se pozita e tij si inspektor i përgjithshëm i UÇK-së i jepte më pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të organizatës, krahasuar me disa prej të akuzuarve të tjerë.

Ndërsa për Krasniqin, gjykata konstatoi se ai kishte përdorur pozitën, rolin si udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale të qëllimit të përbashkët.

Çfarë tani?

Aktgjykimi mund të apelohet dhe avokatët e katër të dënuarve kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë atë në shkallën e apelit.

Avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e cilësoi aktgjykimin si “tallje me drejtësinë” dhe tha se mbrojtja do të kërkojë rrëzimin e tij në apel.

Ai paralajmëroi se procesi i apelit mund të zgjasë me vite.

 

 

“Thaçi dhe Veseli e morën me pranga” Gjykata e Hagës për zhdukjen e Behajdin Allaqit 28 vite më parë: Jemi të bindur se ai u vra, në komunikatë thanë se ra dëshmor

Një prej rasteve më të përfolura dhe të pazbardhura të luftës në Kosovë, zhdukja dhe vrasja e veprimtarit Behajdin Allaqi, mori më 16 shtator 2026 një përgjigje gjyqësore nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Trupi Gjykues bëri një konstatim të drejtpërdrejtë për rolin e Thaçit në rastin Allaqi.

“Trupi Gjykues konstatoi se Hashim Thaçi mori pjesë personalisht në krime, duke përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve, si dhe arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e Behajdin Allaqit”, thuhet në përmbledhjen e aktgjykimit.

Ky formulim ka rëndësi për një arsye konkrete. Gjykata nuk e lidh Thaçin me rastin Allaqi vetëm përmes përgjegjësisë për veprimet e personave të tjerë, por konstaton pjesëmarrjen e tij personale në krimet ndaj tij. Trupi Gjykues e dha këtë konstatim në aktgjykimin e shkallës së parë. Gjykata e dënoi Thaçin me 25 vjet burgim, ndërsa mbrojtja ka të drejtën ta kundërshtojë vendimin në apel.

Kush ishte Behajdin Allaqi?

Behajdin Allaqi, i lindur më 7 prill 1963 në Prizren, ishte veprimtar politik dhe pjesë e organizimeve politike shqiptare që prej viteve ’80.

Ai mori pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe më pas në veprimtarinë ilegale që synonte avancimin e statusit politik të Kosovës. Gjatë viteve ’90 vazhdoi aktivitetin në strukturat e lëvizjes kombëtare dhe më vonë iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Allaqi u zhduk më 11 qershor 1998. Trupi i tij nuk është gjetur. Për më shumë se 28 vjet, familjarët, bashkëveprimtarët dhe figura të ndryshme publike kërkuan sqarimin e rrethanave të arrestimit, zhdukjes dhe vrasjes së tij. Përgjatë kësaj kohe qarkulluan akuza dhe dëshmi të ndryshme, por mungonte një konstatim gjyqësor që përcaktonte përgjegjësi individuale.

Aktgjykimi i 16 shtatorit ndryshon pikërisht këtë pjesë të historisë së çështjes.

Çfarë konstatoi Gjykata për Thaçin?

Sipas përmbledhjes së aktgjykimit, Gjykata konstatoi se Thaçi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe drejtues i Drejtorisë Politike të UÇK-së, kishte rol në formulimin dhe zbatimin e një qëllimi të përbashkët kundër personave të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Sipas konstatimeve të Trupit Gjykues, ky qëllim përfshinte identifikimin e personave të perceptuar si kundërshtarë, arrestimin dhe ndalimin e tyre, krijimin dhe funksionimin e objekteve të ndalimit, keqtrajtimin dhe në raste të caktuara vrasjen e të ndaluarve, si dhe përdorimin e deklaratave publike kundër personave të cilësuar si “bashkëpunëtorë” ose kundërshtarë.

Por në rastin e Behajdin Allaqit, Gjykata shkoi më tej. Trupi Gjykues konstatoi se Thaçi mori pjesë personalisht në katër faza të krimit ndaj Allaqit: arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen.

Ky është edhe elementi që e veçon çështjen Allaqi nga përgjegjësia më e gjerë që Gjykata shqyrtoi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Po Veseli, Selimi dhe Krasniqi?

Trupi Gjykues shpalli përgjegjës edhe Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për kontributin e tyre në qëllimin e përbashkët kriminal kundër personave të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Në përmbledhjen publike të aktgjykimit nuk thuhet se Veseli, Selimi dhe Krasniqi morën pjesë personalisht në arrestimin apo vrasjen e Behajdin Allaqit.

Për këtë arsye, vendimi i Gjykatës nuk i identifikon të katër ish-drejtuesit e UÇK-së si ekzekutorë apo bashkautorë të drejtpërdrejtë të vrasjes së Allaqit.

Konstatimi individual i bërë publik për arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e tij lidhet shprehimisht me Hashim Thaçin.

Nga akuzat e 28 viteve te një konstatim gjyqësor

Emri i Behajdin Allaqit është përmendur për vite me radhë në dëshmi, deklarata publike dhe përplasje politike për ngjarjet e vitit 1998. Në këtë histori janë ngritur edhe pretendime për përplasjet e tij me drejtues të atëhershëm politikë të UÇK-së.

Por pretendimet publike dhe akuzat politike nuk janë aktgjykime.

Për këtë arsye, aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 shënon një pikë konkrete në çështjen Allaqi: një trup gjykues ka konstatuar përgjegjësi individuale të Hashim Thaçit për arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e tij.

Vendimi nuk është ende i formës së prerë. Ai është aktgjykim i shkallës së parë dhe mbrojtja mund ta ankimojë.

Por pas 28 vitesh, çështja e Behajdin Allaqit nuk mbetet më vetëm te akuzat, dëshmitë dhe përplasjet politike. Që prej 16 shtatorit 2026, ajo përmban edhe një konstatim gjyqësor konkret për rolin personal të Hashim Thaçit. gsh

Pas Ballukut, protestuesit kapin “mat” në rrugë edhe Olta Xhaçkën: O hajdute, ju erdhi fundi!

Pasi kanë kapur mat në rrugët e Tiranës Belinda Ballukun dhe Taulant Ballën, protestuesit këtë herë janë përballur me Olta Xhaçkën. Sapo e kanë parë Xhaçkën, protestuesit kanë thirrur në kor “Hajdutë”, “Ju erdhi fundi”.

Xhaçka shihet teksa largohet me vrap, kur sheh se po e ndjekin protestuesit.

Madje, në një moment protestuesit i thërrasin edhe në emër socialistes:“O Olta o hajdute”.

Olta Xhaçka ka qenë një emër i lakuar për akuza për korrupsion. bw

Aforizmi i ditës- 16 shtator 2026

Aim for the moon. If you miss, you may hit a star.

W. Clement Stone

Syno hënën. Edhe nëse gabon, mund të godasësh një yll.

W. Clement Stone

Hoti me një gur vret dy zogj: ta çajë LDK-në dhe ta çojë shtetin në zgjedhje pa fund!

Inati më i madh se Dardania

Hotit sërish i erdhi “vera kah dera”.

Ai, me trojkën e tij primare, respektivisht me gjashtëshen e turpit, me një gur mund të vrasë dy zogj:

ta çajë LDK-në dhe ta çojë shtetin në zgjedhje pa fund.

Misionin e trojkës e admirojnë opozitarët dhe e presin me ankth e padurim,

duke refuzuar pafundësisht funksionimin e shtetit dhe duke shpresuar se ky është i vetmi opsion që u ka mbetur në këto kohë të turbullta,

kur votuesi i ka braktisur masovikisht.

Pyetja është e thjeshtë dhe vendimtare:

A do ta zgjedhin presidentin gjashtë votat e dëshiruara dhe kritike të inatmëdhenjve?

A do ta shpëtojnë LDK-në nga falimentimi politik dhe shtetin nga agonia,

apo, nga inati, do të hidhen si kamikazë dhe do ta përmbysin veten, partinë dhe vendin?

Kur inati bëhet më i madh se Dardania,

nuk rrëzohet vetëm një parti por edhe më keq, rrezikon të plagoset edhe shteti.

Tezat themelore të rishikimit të strategjisë shqiptare në transformimin e marrëdhënieve transatlantike- Nga Dr. Sadri RAMABAJA

 


Hyrje: Drejt një doktrine të re strategjike shqiptare në epokën e transformimit të marrëdhënieve transatlantike

Transformimet e thella që po përjeton sistemi ndërkombëtar po sinjalizojnë fundin gradual të modelit strategjik që ka dominuar marrëdhëniet transatlantike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Lufta në Ukrainë, rivaliteti sistemik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, rikthimi i Rusisë si fuqi revizioniste, krizat energjetike, sfidat teknologjike dhe presioni mbi financat publike të demokracive perëndimore po e shtyjnë Uashingtonin drejt një rishqyrtimi të rolit të tij global dhe, në veçanti, të marrëdhënieve me Evropën.

Në këtë kontekst, analiza e Dr. Jakub Grygiel nuk duhet lexuar thjesht si një debat mbi politikën e jashtme amerikane. Ajo përfaqëson një reflektim më të gjerë mbi mënyrën se si mund të rikonfigurohet arkitektura euroatlantike e sigurisë në dekadat e ardhshme.

Pesë pyetjet strategjike që ai shtron – mbi integrimin evropian, pozicionimin ushtarak amerikan, zgjedhjen e partnerëve kryesorë, shkallën e ndërhyrjes në politikën evropiane dhe autonominë ushtarake të Evropës – nuk kanë rëndësi vetëm për Uashingtonin. Ato krijojnë një kornizë të re analitike brenda së cilës edhe shtetet e vogla dhe të mesme duhet të rishikojnë supozimet mbi të cilat kanë ndërtuar strategjitë e tyre kombëtare.

Për hapësirën shqiptare, kjo përbën një moment me rëndësi të veçantë historike. Për më shumë se tri dekada, strategjia shqiptare është mbështetur mbi premisën se integrimi euroatlantik dhe garancitë e sigurisë të ofruara nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara përbënin boshtin pothuajse të pandryshueshëm të politikës kombëtare. Ky orientim ishte jo vetëm i drejtë, por edhe vendimtar për mbijetesën politike të Kosovës, për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për stabilitetin e rajonit.

Megjithatë, ndryshimi i mjedisit ndërkombëtar kërkon kalimin nga një kulturë strategjike e mbështetur kryesisht mbi pritjen e garancive të jashtme drejt një kulture të re, të bazuar në prodhimin e kapaciteteve kombëtare dhe në kontributin aktiv në sigurinë kolektive.

Aleancat nuk po humbasin rëndësinë e tyre; përkundrazi, ato po bëhen më selektive dhe më kërkuese ndaj anëtarëve të tyre. Në rendin e ri që po merr formë, pesha politike e një shteti do të matet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të prodhuar siguri, për të ndërtuar reziliencë ekonomike e teknologjike dhe për të ofruar vlerë strategjike për aleancën.

Kjo nënkupton se edhe faktori shqiptar duhet ta rishikojë paradigmën mbi të cilën ka ndërtuar mendimin e tij strategjik. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të konceptohen më vetëm si përfitues të arkitekturës euroatlantike të sigurisë, por duhet të synojnë të shndërrohen në aktorë që kontribuojnë në mënyrë të matshme në stabilitetin e Krahut Juglindor të NATO-s dhe të Evropës.

Dhjetë tezat që parashtrohen në vijim nuk përbëjnë një program qeveritar dhe as një platformë partiake. Ato janë një përpjekje për të formuluar elementet themelore të një doktrine të re strategjike shqiptare, të aftë për t’iu përgjigjur transformimeve të rendit ndërkombëtar dhe për të orientuar mendimin politik, akademik dhe institucional drejt një vizioni afatgjatë. Në thelb, ato synojnë të nxisin debat mbi mënyrën se si kombi shqiptar mund të kalojë nga pozita e një subjekti që kërkon mbrojtje, në një faktor që prodhon siguri, stabilitet dhe peshë strategjike në hapësirën euroatlantike.

Nëse shekulli XX ishte epoka e mbijetesës dhe e afirmimit të çështjes shqiptare, atëherë sfida e shekullit XXI është ndërtimi i kapaciteteve që e bëjnë faktorin shqiptar një komponent të pazëvendësueshëm të arkitekturës së re të sigurisë evropiane. Pikërisht mbi këtë premisë ndërtohen dhjetë tezat e mëposhtme.

Nga transformimi i marrëdhënieve transatlantike drejt një doktrine të re strategjike shqiptare

Duke u mbështetur në analizën e Dr. Jakub Grygiel,[1] por duke e lexuar atë nga perspektiva e interesit kombëtar shqiptar (Shqipëri–Kosovë, koha është të formulohet një platformë strategjike e re shqiptare. Thelbi i saj nuk duhet të jetë përshtatja pasive ndaj ndryshimeve transatlantike, por pozicionimi aktiv i faktorit shqiptar si pjesë e arkitekturës së re të sigurisë në Evropën Juglindore.

Në këtë kuadër, doktrina e re strategjike shqiptare duhet të përfshijë si objektiv afatgjatë transformimin gradual të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës drejt një bashkësie të integruar politike, ekonomike, të sigurisë dhe të politikës së jashtme, që në perspektivë mund të marrë formën e një Federate Shqiptare, të ndërtuar mbi vullnetin demokratik të qytetarëve të të dy shteteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Në këtë kuptim, Federata Shqiptare nuk paraqitet si një projekt revizionist territorial, por si faza më e avancuar e integrimit funksional të hapësirës shqiptare në kuadrin e rendit të ri evropian.

Më poshtë janë tezat themelore që, sipas meje, mund të përbëjnë bazën e një doktrine të re strategjike shqiptare.

Teza I

Nga “objekt sigurie” në “prodhues sigurie”

Për tri dekada politika shqiptare është ndërtuar mbi supozimin se siguria garantohet kryesisht nga SHBA-ja dhe NATO.

Transformimet aktuale sugjerojnë se aleatët do të gjykohen gjithnjë e më shumë sipas aftësisë së tyre për të prodhuar siguri dhe jo vetëm për ta konsumuar atë.

Prandaj objektivi strategjik shqiptar duhet të jetë:

  • ndërtimi i kapaciteteve ushtarake moderne;
  • rritja e industrisë së mbrojtjes;
  • zhvillimi i aftësive në fushën kibernetike;
  • inteligjenca strategjike;
  • mbrojtja civile.

Në këtë mënyrë faktori shqiptar shndërrohet në eksportues stabiliteti.

Teza II

Rishikimi i partneriteteve strategjike në përputhje me evolucionin e Krahut Lindor të NATO-s

Analiza e Dr. Jakub Grygiel argumenton se qendra e gravitetit të strategjisë amerikane në Evropë po zhvendoset gradualisht nga boshti tradicional franko-gjerman drejt Krahut Lindor të NATO-s dhe shteteve të Evropës Qendrore e Veriore. Ky zhvillim nuk nënkupton zëvendësimin e aleancave tradicionale transatlantike, por përshtatjen e tyre me realitetet e reja të sigurisë evropiane.

Për interesin strategjik shqiptar kjo nuk përkthehet në një zhvendosje të boshtit të politikës së jashtme, por në një zgjerim dhe diversifikim të rrjetit të partneriteteve strategjike.

Në këtë kuptim, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara mbetet themeli i sigurisë kombëtare shqiptare, ndërsa bashkëpunimi i ngushtë me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Kroacinë dhe Turqinë vazhdon të ketë rëndësi të dorës së parë për mbrojtjen, diplomacinë, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

Megjithatë, transformimi i prioriteteve strategjike amerikane kërkon që edhe politika shqiptare të zhvillojë një dimension të ri të bashkëpunimit me shtetet e Krahut Lindor të NATO-s, të cilat po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arkitekturën e re të sigurisë evropiane.

Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë partneritete më intensive me:

  • Poloninë;
  • Shtetet baltike;
  • Finlandën;
  • Suedinë;
  • Çekinë;

si edhe të zhvillojnë një dialog strategjik më të strukturuar me Rumaninë dhe Sllovakinë, pavarësisht faktit se këto dy vende ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Interesi për një bashkëpunim më të ngushtë buron nga fakti se ato ndajnë një perceptim të ngjashëm lidhur me kërcënimet që vijnë nga politika revizioniste ruse dhe mbi nevojën për forcimin e Krahut Lindor të NATO-s.

Prandaj, rishikimi i strategjisë shqiptare nuk konsiston në zëvendësimin e aleancave ekzistuese, por në harmonizimin e diplomacisë dhe të politikës së sigurisë me evolucionin e prioriteteve të aleancës transatlantike. Sa më shumë që vëmendja strategjike e Shteteve të Bashkuara përqendrohet te Krahut Lindor i NATO-s, aq më shumë edhe faktori shqiptar duhet të jetë i pranishëm në këtë hapësirë, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi pa cenuar marrëdhëniet e konsoliduara me aleatët e tij tradicionalë.

Teza III

Shqipëria dhe Kosova si porta jugore e arkitekturës së re euroatlantike të sigurisë

Nëse Polonia po konsolidohet si porta veriore e strategjisë së frenimit ndaj Rusisë në Evropë, atëherë Shqipëria dhe Kosova kanë potencialin të shndërrohen në portën jugore të kësaj arkitekture të re të sigurisë në Evropën Juglindore.

Ky rol nuk buron vetëm nga pozita e tyre gjeografike, por edhe nga fakti se hapësira shqiptare përfaqëson pikën kryesore të lidhjes ndërmjet Adriatikut, Ballkanit Perëndimor dhe Krahut Juglindor të NATO-s. Në një mjedis të karakterizuar nga konkurrenca gjeopolitike, rritja e ndikimit rus nëpërmjet Serbisë dhe paqëndrueshmëria e vazhdueshme në rajon, Shqipëria dhe Kosova mund të shndërrohen në një faktor kyç të stabilitetit dhe të projeksionit të sigurisë euroatlantike.

Në këtë kuptim, si dy shtete sovrane dhe aleate të natyrshme, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë gradualisht një hapësirë të integruar strategjike. Në perspektivë, përmes procesit të integrimit institucional dhe funksional, e më pas edhe të institucionalizimit të një Federate Shqiptare, ky potencial do të mund të konsolidohej në një subjekt strategjik më të fuqishëm, i aftë të kontribuojë në mbrojtjen e Evropës Juglindore dhe në forcimin e Krahut Jugor të NATO-s.

Ky objektiv nënkupton:

  • modernizimin e bazave ushtarake në Shqipëri;
  • zhvillimin e korridoreve strategjike logistike Adriatik–Kosovë;
  • integrimin progresiv të planifikimit të mbrojtjes ndërmjet dy shteteve;
  • përshpejtimin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s;
  • ndërtimin e infrastrukturës së përbashkët strategjike në transport, energji, komunikim dhe mbrojtje;
  • koordinimin e politikave të sigurisë dhe të menaxhimit të krizave.

Në këtë mënyrë, hapësira shqiptare nuk do të perceptohej më vetëm si një konsumatore e sigurisë euroatlantike, por si një nyjë strategjike që kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e krahut jugor të Evropës nga kërcënimet konvencionale dhe hibride.

Teza IV

Integrimi shqiptar duhet të jetë funksional dhe jo burokratik

Nëse SHBA fillon të favorizojë shtetet funksionale mbi strukturat burokratike supranacionale,

atëherë edhe bashkëpunimi Shqipëri–Kosovë duhet të orientohet drejt integrimit praktik.

Prioritetet:

  • treg i përbashkët;
  • energji;
  • mbrojtje;
  • arsim;
  • teknologji;
  • infrastrukturë.

Më pak deklarata politike. Më shumë institucione të përbashkëta funksionale.
Ky proces integrimi nuk duhet të shihet si një qëllim në vetvete, por si faza përgatitore e një bashkimi gjithnjë e më të thellë institucional ndërmjet dy shteteve shqiptare. Në këtë kuptim, krijimi de facto i institucioneve të përbashkëta në ekonomi, mbrojtje, energji, diplomaci, infrastrukturë dhe arsim duhet të paraprijë krijimin, në kohën e duhur dhe mbi baza demokratike, të një Federate Shqiptare si forma më e lartë e organizimit politik të kombit shqiptar në shekullin XXI. Kalimi nga integrimi funksional në institucionalizimin de jure të këtij bashkimi duhet të përbëjë një nga objektivat afatgjata të doktrinës së re strategjike shqiptare.

Teza V

Siguria kombëtare duhet të konceptohet në hapësirën shqiptare

Kërcënimet nuk ndalen në kufijtë administrativë.
Prandaj strategjia shqiptare duhet ta trajtojë hapësirën shqiptare si një sistem të vetëm sigurie.

Në këtë kuptim:

  • Shqipëria;
  • Kosova;
  • Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut;
  • Lugina e Preshevës;
  • Ulqini /Tuzi [viset shqiptare në Malin e Zi];
  • Sanxhaku [Novi Pazari]

duhet të analizohen si elemente të së njëjtës arkitekturë strategjike.

Teza VI

Serbia si faktor strategjik dhe balanca e fuqisë në Ballkanin Perëndimor

Në doktrinën e re strategjike shqiptare, Serbia nuk mund të trajtohet vetëm si një shtet fqinj me të cilin ekzistojnë mosmarrëveshje historike apo politike. Ajo duhet të analizohet si aktori kryesor strategjik që ndikon drejtpërdrejt në mjedisin e sigurisë së Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë hapësirës shqiptare.

Kjo nuk buron nga një qasje ideologjike apo emocionale, por nga një vlerësim realist i zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan. Politika e jashtme dhe e sigurisë e Serbisë vazhdon të karakterizohet nga përpjekja për të ruajtur një pozitë dominuese në rajon, duke kultivuar njëkohësisht partneritete strategjike me fuqi që sfidojnë rendin euroatlantik. Në këtë kuptim, Serbia mbetet kanali kryesor përmes të cilit ndikimi rus, e në disa fusha edhe ai kinez, projektohet në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, zhvillimi i një dialogu strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë duhet të interpretohet si pjesë e përpjekjeve amerikane për të ndikuar mbi orientimin strategjik të Beogradit dhe jo si një zëvendësim i partneritetit të privilegjuar me Shqipërinë dhe Kosovën. Pikërisht për këtë arsye, politika shqiptare duhet të shmangë reagimet emocionale dhe të mbështetet në një analizë të ftohtë të interesave dhe të ekuilibrave të fuqisë.

Kjo kërkon braktisjen e iluzionit se marrëdhëniet ndërkombëtare ndërtohen mbi simpati politike apo afërsi retorike. Në politikën ndërkombëtare, shtetet udhëhiqen nga interesa afatgjata dhe nga balanca e fuqisë. Për rrjedhojë, edhe strategjia shqiptare duhet të ndërtohet mbi këtë logjikë.

Në këtë kuadër, doktrina e re strategjike shqiptare duhet të mbështetet mbi katër shtylla themelore:

  • balancimin strategjik të fuqisë, përmes forcimit të kapaciteteve kombëtare dhe të aleancave euroatlantike;
  • parandalimin, duke rritur aftësitë ushtarake, diplomatike dhe ekonomike për të penguar çdo destabilizim të hapësirës shqiptare;
  • reziliencën kombëtare, përballë kërcënimeve hibride, ndikimit politik, ekonomik, informativ dhe kibernetik;
  • inteligjencën strategjike, si instrument për parashikimin e zhvillimeve, identifikimin e rreziqeve dhe mbështetjen e vendimmarrjes shtetërore.

Në këtë mënyrë, Serbia nuk konceptohet si një kundërshtar i përhershëm, por si një faktor strukturor i mjedisit strategjik të Ballkanit, ndaj të cilit politika shqiptare duhet të zhvillojë një qasje të qëndrueshme, realiste dhe të bazuar në interesin kombëtar. Objektivi nuk është konfrontimi, por ruajtja e ekuilibrit strategjik, mbrojtja e interesave shqiptare dhe forcimi i rolit të hapësirës shqiptare si një faktor stabiliteti në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

Teza VII

Nga diplomacia tradicionale te diplomacia strategjike dhe gjeopolitike

Transformimet e rendit ndërkombëtar po e bëjnë gjithnjë e më të pamjaftueshme diplomacinë tradicionale, e cila përqendrohet kryesisht në administrimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në përfaqësimin formal të shtetit. Në një mjedis të karakterizuar nga konkurrenca ndërmjet fuqive të mëdha, diplomacia duhet të shndërrohet në një instrument të projektimit të interesit kombëtar dhe të fuqisë shtetërore.

Për Shqipërinë dhe Kosovën, kjo nënkupton ndërtimin e një diplomacie strategjike, e aftë të integrojë politikën e jashtme me mbrojtjen, ekonominë, teknologjinë, energjinë dhe sigurinë kombëtare. Objektivi nuk është vetëm ruajtja e marrëdhënieve të mira me aleatët, por rritja e peshës së faktorit shqiptar në proceset vendimmarrëse euroatlantike.

Në këtë kuadër, diplomacia shqiptare duhet të zhvillojë pesë dimensione të reja:

  • Diplomacinë e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke e bërë Shqipërinë dhe Kosovën pjesë aktive të iniciativave të NATO-s, të planifikimit të mbrojtjes rajonale dhe të bashkëpunimit ushtarak me aleatët.
  • Diplomacinë ekonomike dhe industriale, me synimin për të tërhequr investime strategjike në sektorët që lidhen me sigurinë kombëtare, infrastrukturën kritike, industrinë e mbrojtjes, inteligjencën artificiale dhe ekonominë digjitale.
  • Diplomacinë energjetike, duke e pozicionuar hapësirën shqiptare si një nyjë e rëndësishme e korridoreve energjetike të Adriatikut dhe Mesdheut, me rol në diversifikimin e furnizimit evropian dhe në rritjen e sigurisë energjetike rajonale.
  • Diplomacinë teknologjike, për të ndërtuar partneritete në fushën e inovacionit, inteligjencës artificiale, mbrojtjes kibernetike, teknologjive me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak) dhe transformimit digjital të administratës shtetërore.
  • Diplomacinë e ndikimit strategjik, përmes instituteve kërkimore, universiteteve, diasporës, mediave ndërkombëtare dhe diplomacisë publike, me synim fuqizimin e pozitës së faktorit shqiptar në debatet strategjike evropiane dhe transatlantike.

Ky transformim kërkon edhe një ndryshim në kulturën institucionale të politikës së jashtme. Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të funksionojnë më vetëm si administrata diplomatike, por si qendra të planifikimit strategjik, të koordinuara ngushtë me institucionet e mbrojtjes, inteligjencës, ekonomisë dhe zhvillimit teknologjik.

Në këtë mënyrë, diplomacia shqiptare nuk do të kufizohej në administrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por do të shndërrohej në një instrument të drejtpërdrejtë të fuqizimit të shtetit dhe të realizimit të interesave strategjike të kombit shqiptar në rendin e ri shumëpolar.

Teza VIII

Mërgata shqiptare si komponent strategjik i fuqisë kombëtare

Në shekullin XXI, fuqia e një shteti nuk matet më vetëm nga territori, popullsia apo kapacitetet ushtarake. Po aq vendimtare janë kapitali njerëzor, rrjetet globale të ndikimit dhe aftësia për të mobilizuar burimet intelektuale, ekonomike dhe teknologjike që shtrihen përtej kufijve shtetërorë.

Në këtë kuptim, mërgata shqiptare duhet të konsiderohet një komponent organik i fuqisë kombëtare dhe jo thjesht një komunitet emigrantësh apo burim remitancash. E shpërndarë në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermani, Zvicër, Itali, vendet nordike dhe në qendra të tjera të rëndësishme ekonomike e shkencore, ajo përfaqëson një potencial unik për të rritur peshën ndërkombëtare të faktorit shqiptar.

Doktrina e re strategjike shqiptare duhet të synojë institucionalizimin e këtij potenciali përmes një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet shtetit dhe diasporës.

Në këtë kuadër, mërgat duhet të integrohet në mënyrë sistematike në:

  • diplomacinë publike dhe strategjike, duke fuqizuar ndikimin shqiptar në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes;
  • rrjetet e dijes dhe inovacionit, përmes transferimit të teknologjisë, ekspertizës dhe kërkimit shkencor;
  • zhvillimin ekonomik dhe industrial, veçanërisht në sektorët me vlerë të shtuar, industrinë e mbrojtjes dhe ekonominë digjitale;
  • sigurinë kombëtare, përmes angazhimit të ekspertëve shqiptarë në fushat e inteligjencës strategjike, mbrojtjes kibernetike, analizës së rrezikut dhe planifikimit të sigurisë;
  • investimet strategjike, duke orientuar kapitalin financiar dhe sipërmarrës drejt projekteve që forcojnë konkurrueshmërinë dhe reziliencën ekonomike të hapësirës shqiptare.

Ky proces kërkon krijimin e mekanizmave të përhershëm institucionalë që lidhin diasporën me qendrat e vendimmarrjes në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk mjafton më një politikë që e sheh diasporën vetëm si elektorat apo si burim kapitali financiar; ajo duhet të trajtohet si pjesë e arkitekturës strategjike të shtetit.

Në perspektivën e ndërtimit gradual të një Federate Shqiptare, mërgata fiton një rol edhe më të rëndësishëm. Ajo mund të shërbejë si ura kryesore ndërmjet hapësirës shqiptare dhe qendrave globale të politikës, ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, duke shumëfishuar kapacitetin e subjektit të ri politik për të ushtruar ndikim në sistemin ndërkombëtar.

Prandaj, një nga objektivat afatgjata të doktrinës së re strategjike shqiptare duhet të jetë kalimi nga një politikë ndaj diasporës në një strategji të integrimit të diasporës në fuqinë kombëtare, duke e bërë atë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, sigurisë dhe projeksionit ndërkombëtar të kombit shqiptar.

Teza IX

Inteligjenca strategjike duhet të bëhet kapacitet kombëtar

Në një rend ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguria, konkurrenca gjeopolitike dhe krizat e njëpasnjëshme, shtetet nuk mund të qeverisen vetëm përmes reagimit ndaj ngjarjeve të ditës.

Ato kanë nevojë për kapacitete të qëndrueshme të inteligjencës strategjike – aftësi për të mbledhur, analizuar dhe interpretuar informacionin, për të identifikuar rreziqet, për të parashikuar skenarët e mundshëm dhe për të orientuar vendimmarrjen kombëtare.

Kjo kërkon ndërtimin e një ekosistemi të ri të dijes strategjike përmes:

  • qendrave kombëtare të analizës dhe parashikimit strategjik;
  • instituteve të pavarura të gjeopolitikës dhe studimeve të sigurisë;
  • laboratorëve të skenarëve për zhvillimet afatgjata;
  • mekanizmave profesionalë të vlerësimit të rreziqeve kombëtare.

Inteligjenca strategjike nuk duhet të shihet vetëm si funksion i strukturave të sigurisë, por si një kapacitet i shtetit për të menduar përtej ciklit politik, për të mbrojtur interesin kombëtar dhe për të vepruar me parashikim.

Teza X

Nga politikat e fragmentuara drejt një doktrine strategjike shqiptare për shekullin XXI

Në një epokë të konkurrencës së fuqive të mëdha dhe të rikthimit të gjeopolitikës, hapësira shqiptare ka nevojë për një vizion strategjik që tejkalon politikat e fragmentuara dhe ciklet e shkurtra politike.

Një doktrinë e re strategjike shqiptare duhet të përcaktojë interesat afatgjata kombëtare, burimet e fuqisë dhe mënyrën e koordinimit të tyre në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.

Ajo duhet të krijojë një qasje të integruar ndërmjet:

  • politikës së jashtme dhe diplomacisë gjeopolitike;
  • sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare;
  • zhvillimit ekonomik dhe kapaciteteve industriale;
  • teknologjisë, inovacionit dhe ekonomisë së dijes;
  • sigurisë energjetike dhe burimeve strategjike;
  • arsimit, kapitalit njerëzor dhe diasporës;
  • dinamikave demografike dhe qëndrueshmërisë shoqërore.

Kjo doktrinë nuk do të ishte thjesht një dokument politik, por një kornizë kombëtare orientimi, që synon të ndërtojë kapacitetet e shqiptarëve për të vepruar si faktor i qëndrueshëm në rendin shumëpolar të shekullit XXI.

Në këtë perspektivë, ideja e Federatës Shqiptare duhet të trajtohet si një horizont strategjik i organizimit dhe bashkërendimit të potencialeve shqiptare, në përputhje me realitetet evropiane, euroatlantike dhe me parimet e zhvillimit demokratik.

Qëllimi i saj do të ishte përgatitja e kombit shqiptar për rendin shumëpolar të shekullit XXI.

Përfundim

Analiza e Dr. Grygiel nënkupton se SHBA-ja po kalon nga një strategji e administrimit të Evropës në një strategji të zgjedhjes së aleatëve më të aftë dhe më të gatshëm për të ndarë barrën e sigurisë. Për hapësirën shqiptare, kjo krijon një mundësi historike: të mos mbetet në periferi të arkitekturës euroatlantike, por të pozicionohet si nyjë strategjike e Krahut Juglindor të NATO-s.

Në këtë kontekst, teza qendrore e një strategjie të re shqiptare mund të formulohet kështu:

Objektivi strategjik i kombit shqiptar nuk duhet të jetë më vetëm integrimi në strukturat euroatlantike, por shndërrimi në një faktor të domosdoshëm të sigurisë, stabilitetit dhe projeksionit strategjik të NATO-s në Adriatik dhe Ballkanin Perëndimor.

Kjo nënkupton që Shqipëria dhe Kosova duhet të imponohen si subjekt strategjik ndaj faktorit ndërkombëtar dhe, para së gjithash, ndaj fqinjëve të tyre, me theks të veçantë Serbisë, e cila vazhdon të ndjekë politika me potencial destabilizues. Qëllimi është që hapësira shqiptare të mos trajtohet më si “plaçkë tregu” apo si “monedhë këmbimi” në kalkulimet e fuqive të mëdha, por të konsolidohet si një faktor dhe aktor kombëtar e ndërkombëtar, pesha e të cilit nuk mund të anashkalohet në asnjë arkitekturë të re të sigurisë dhe të rendit politik në Evropën Juglindore.

Një tezë e tillë do të përfaqësonte kalimin nga një kulturë strategjike e mbështetjes te aleatët në një kulturë të bashkëprodhimit të sigurisë, në përputhje me transformimin që pritet të pësojnë marrëdhëniet transatlantike gjatë dekadës së ardhshme.
Nga kjo perspektivë, transformimi gradual i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës drejt krijimit de facto dhe, në një fazë të mëvonshme, de jure të Federatës Shqiptare nuk duhet të trajtohet si një projekt politik i momentit, por si një proces strategjik afatgjatë i ndërtimit të një subjekti më funksional, më konkurrues dhe më të aftë për të kontribuar në sigurinë e NATO-s dhe në stabilitetin e Evropës Juglindore. Në rendin e ri gjeopolitik që po merr formë, bashkimi funksional i kapaciteteve shqiptare nuk është vetëm një aspiratë kombëtare, por edhe një domosdoshmëri strategjike.
____________________________

1. Varianti origjinal: https://www.thefreedomfrequency.org/p/five-choices-for-american-strategy,
Në shqip: https://ishgj.org/analize/pese-zgjedhje-per-strategjine-amerikane-ndaj-evropes/

Më 15 shtator 1912 lindi Sabiha Kasimati, një ndër gratë pioniere të shkencës shqiptare

Sabiha Kasimati (Edrene, 15 shtator 1912 – Mënik, 26 shkurt 1951) ka qenë biologe, punonjëse shkencore shqiptare dhe qe ndër 22 të pushkatuarit me pretekstin e bombës në ambasadën sovjetike.

U lind më 15 shtator 1912 dhe ishte bija e dytë e doktor Abdurrahman Kasimati (1865-1943) nga Libohova dhe të shoqes Zehra Mbreshtani, të vendosur në rrethin e Edirnesë që pas shpalljes së kushtetutës më 1908. Pas një viti familja u zhvendos në Shkodër ku i ati, doktor i njohur, shërbeu në vitet 1914 – 1915. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verie, pranë Selanikut. Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta.

Në 1927-n, së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë ku familja u rehatua dhe fëmijët vijuan shkollimin, Sabihaja me motrat frekuentuan liceun francez të cilin e përfundoi në 1931-shin, duke qenë vajza e parë që kreu atë lice. Sabihaja do të renditej e dyta në klasë për rezultatet e saj. Në provimet e vitit të fundit ajo vlerësohej me 269.4 pikë nga 352 pikët maksimale dhe vlerësohet me “As Bien”. Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge. Në 1932-shin u emërua në shkollën amerikane të Kavajës (1932-1933) ku jepte biologji. Sabihaja u rikthye sërish në lice, në 3 tetor 1933, por tashmë si mësuese në klasat e ulëta të tij. Pas dy muajsh qëndrimi në Korçë, Sabihaja dha dorëheqjen për shkaqe shëndetësore. Ajo u transferua nga Ministria e Arsimit pranë Institutit “Nana Mbretneshë”. Aty Sabihaja punoi si mësuese e gjuhës frënge.

Në verën e 1936-s iu akordua një bursë shtetërore për studime në Itali, ku ajo u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Sabihaja u diplomua në vitin 1940 me rezultat maksimal, me notat 30’/30 (trenta su trenta con lode). Kasimati zgjodhi si fushë specializimi iktiologjinë dhe u doktorua me temën Fauna ittica di acqua dolce d’Albania (“Fauna iktike në ujërat e ëmbla në Shqipëri”). Udhëheqja e universitetit i ofroi asaj pozicionin e asistentit në degën e iktiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në Shqipëri.

Me kthimin në Shqipëri më 13 nëntor 1940, Sabihaja nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”, pasi fitoi konkursin e zhviluar. Ajo u emërua ndihmëssekretare në grupin A (grada XI) të personelit të administratës arsimore dhe më 24 korrik 1941 filloi punë. Në 1 dhjetor 1942 u bë pjesë e trupit mësimor të institutit “Nana e Skënderbeut” si mësuese e shkencave dhe e kimisë. Në maj të 1943-shit, Sabihaja u largua nga mësimdhënia për shkaqe shëndetësore, pasi vuante nga tuberkulozi. Ajo vajti të kurohej në sanatoriumin antituberkular në Bolzano në Itali, prej ku u kthye më 1945-n.

Gjatë kohës që punonte si mësuese në institut, ajo pati një bashkëbisedim me Koliqin, kryetar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare. Pas bashkëbisedimit i dërgoi një letër/raport këtij të fundit, ku i paraqiste një projekt të mirëfilltë shkencor me disa pika. Marrëdhëniet e Kasimatit me institucionet shkencore në Shqipëri nisin në janar të vitit 1943. Ajo kërkoi të ngrihej pranë Institutit të Studimeve Mbretërore: një koleksion zoologjik duke filluar me Iktiologjinë, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës; një “erbario pasi flora shqiptare ka ngjallur interesim të botanistëve të shquar europianë, sidomos atyre gjermanë”; të vendosej një bashkëpunim i ngushtë me drejtorinë e minierave, për të bërë një grumbullim të mineraleve dhe fosileve që gjendeshin në shtresat e tokës në Shqipëri. Për realizimin e projektit nevojitej krijimi i një biblioteke të posaçme me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës ajo e kishte përgatitur tashmë. Krahas bibliotekës, Kasimati propozonte edhe ngritjen e një laboratori studimesh mikroskopike që do të mundësonte kërkime shkencore relative.

Në mbledhjen e 18 shkurtit 1943 Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare vendosi të krijojë pranë institutit një muze të shkencave për përgatitjen e të cilit ngarkoi pikërisht atë. Sabihaja lidhi kontratë si punonjëse pranë institutit në 22 shkurt, duke marrë shpërblimin prej 200 frangash.

Nisi bashkëpunimin me Selahydin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në iktiologji.

Sabihaja e vijoi kërkimin shkencor edhe gjatë viteve të para të regjimit komunist. Në mbledhjen e Institutit të Studimeve gjatë 13 prillit 1946, Sabihaja mori pjesë së bashku me figura të tjera të shquara akademike sikurse ishin: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahydin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako. Mbledhja u drejtua nga Sejfulla Malëshova, ministri i Arsimit. Mbledhja kishte për qëllim analizimin e veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantimin e planit të ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve.

Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati punoi së bashku me Gjergj Komninon, në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës. Më 28 janar të vitit 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”. Instituti do të funksiononte me një rregullore të përkohshme. Përgjatë vitit 1947 anëtarë të Institutit ishin vetëm 23 pjesëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të tij, pjesë e së cilës nuk ishte Kasimati. Në qershor të 1948-s, mbledhja e radhës e asamblesë së institutit të studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Kasimati.

Gjatë vitit 1950 në listën e “anëtarëve të rregullt” të institutit nuk figuronte emri i Sabihasë.

Profesor Sotir Angjeli, shef i seksionit të Shkencave të Natyrës, në referatin e mbajtur në inaugurimin e Institutit të Shkencave, krahas problemit të ujit, të pyjeve, e konsideroi të rëndësishëm edhe studimin e peshkut dhe të peshkimit në Shqipëri. Kështu, Sabiha Kasimati si një ndër studiueset e para dhe të vetme të asaj kohe në fushën e iktiologjisë, do të ishte gruaja e parë studiuese që do të merrej me studimin e peshkut dhe peshkimit. Studimi ishte bazuar në kërkime shkencore të realizuara përmes ekspeditave dhe kërkimeve periodike. Ajo botoi në Buletinin e Shkencave, nr. 1-2, 1948 një artikull shkencor mbi peshqit dhe problemet e peshkimit në Shqipëri, që çuditshëm nuk u pasqyrua në përmbajtjen e lëndës së revistës.

Artikulli vinte në dukje pasuritë kombëtare ujore të Shqipërisë duke theksuar faunën iktiologjike shumë të pasur në sasi dhe në cilësi. Rëndësi i kushtohej faktorëve të larmishëm natyrorë, duke analizuar ndikimin që ata kishin pasur në shumëllojshmërinë e peshqve në ujërat shqiptare. Këtë larmishmëri studiuesja Kasimati e përshkruante në terma shkencorë, duke e vënë theksin në kualitetin dhe cilësinë e peshkut në ujërat e ëmbla të bregdetit shqiptar. Nuk mjaftohej vetëm me konstatimin, por studiuesja shfaqej kritike ndaj situatës në të cilën gjendej peshkimi në Shqipëri. Disa prej zgjidhjeve që ajo ofronte ishin: pishikultura (degë e iktiologjisë) dhe organizimi i peshkimit në baza racionale dhe moderne duke ruajtur sigurisht pasurinë iktiologjike të vendit; organizimi më i mirë i peshkimit, duke përdorur mjetet moderne e ligjet ndërkombëtare. Sipas dokumentacionit, studimi “Peshqit e Shqipërisë” me autorësi të Sabiha Kasimatit është botuar në prill të vitit 1950, por nuk gjendet asnjë skedë që të vërtetojë ekzistencën, madje as gjurmë në inventarin e regjistrimit të librave të kohës.

Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Vendosja e “bombës” në legatën sovjetike do të konsiderohej si sulm terrorist ndaj regjimit dhe do të përdorej si pretekst për fillimin e një spastrimi ndaj “armiqve të popullit”. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë konsideruan një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë këtu edhe Sabiha Kasimatin (e vetmja grua).

Pavarësisht nga mungesa e çdo prove, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951. Në dosjen hetimore të Sabihasë i numëroheshin disa “mëkate”: “Gjatë okupacionit ka pasur marrëdhënie me element fashistë; mban qërndrim armiqësor ndaj pushtetit, flet kundër reformave dhe mban kontkate me elementë armiq… Ka pasur kontakt me deputetin anglez, Lester Hutchiston. Ka mbajtur kontakte me njerëz të misionit anglez… dhe me J.S.Payne me të cilin ka pasur lidhje të ngushta. Armike e betuar e pushtetit të sotëm. Ka urrejtje karshi tij e sidomos karshi komunistëve, kritikon moralin komunist, etj.” Të dhëna të drejtpërdrejta për kohën dhe nivelin e survejimit nuk ka, përderisa nuk ekziston një dosje hetimore. Sipas ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kastriot Dervishit, dosjet e sigurimit për të gjitha ata që u ekzekutuan më 22 shkurt 1951, nën akuzën e bombës në Legatën Sovjetike janë eliminuar. Disa informacione në lidhje me survejimin e Sabihasë janë gjetur nëpërmjet dosjes formula të Çabejt. Në raportin e bashkëpunëtorit “Prurësja”, datë 20 prill 1950 bëhet me dije se S. Kasimati kishte thënë: “është interesante të kesh gjith numurat e gazetave që përmbajnë diskutimet se sa raportin e Komandantit. Kush i humb kohën kot, kurse në diskutimet mund të gjesh gjëra interesante”.

Më 25 shkurt 1951 gjykata i dënoi që të gjithë me vdekje. Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Trupat u varrosën në një varr të cekët në fushën prapa.

40 vite pas vdekjes, ndërsa regjimi që e dënoi po shkërmoqej, një vendim i Gjykatës së Lartë e shpalli të fajashme.

  • Fauna ittica di acqua dolce d’Albania. Dissertation, Turin 1940 (Fauna iktike e ujërave të ëmbla të Shqipërisë. Dizertacion, Torino 1940).

Në 60-vjetorin e vdekjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi me medaljen Nderi i Kombit. (Wikipedia)

Aforizmi i ditës- 15 shtator 2026

God is all-full. He is self-contained. He is eternal satisfaction.

Swami Sivananda

Zoti është plot e përplot. Ai është i vetëmjaftueshëm. Ai është kënaqësi e përjetshme.

Swami Sivananda

Intervista- Hasani flet për kaos institucional në Kosovë

Bekim Bislimi

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë në shkelje të Kushtetutës dhe një vendim që do ta konstatonte këtë, do të mund ta vinte në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4, thotë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit.

Në një skenar të tillë, sipas tij, Kuvendi nuk do të mund të mblidhej, ndërsa fati i Qeverisë së sapozgjedhur do të mbetej pezull.

Komentet vijnë në ditën kur Partia Demokratike e Kosovës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese e vendit të vendosë masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit më 13 shtator.

Ish-kreu i Kushtetueses paralajmëron se kriza mund të prekë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit, të cilin, në rrethanat aktuale, e konsideron “komprometues” për vendin.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hasani, Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar të dielën, pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Si e vlerësoni këtë proces nga pikëpamja kushtetuese?

Enver Hasani: Konstituimi i Kuvendit të dielën nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti me nenin 67 të saj, me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që i kanë interpretuar këto dispozita në të kaluarën.

Radio Evropa e Lirë: Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik” dhe u thirr në një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses. Cili është komenti i juaj?

Enver Hasani: Konstatimi i zonjës Haxhiu është fund e krye arbitrar, për shkak se ajo nuk mund të provojë se nga partia e dytë më e madhe politike ka pasur sabotim dhe heqje dorë nga ushtrimi i një të drejte kushtetuese.

Se kur mund të konsiderohet se ka ndodhur një sabotim dhe, për pasojë, mosushtrim i së drejtës kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar, është përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Arsyetimi për tërheqjen e kandidatit të partisë së dytë më të madhe për nënkryetar të Kuvendit duhet të vlerësohet në kontekstin e gjendjes së stërzgjatur jokushtetuese, të krijuar nga zonja Haxhiu dhe, para saj, nga zoti [kryesuesi i seancës konstituive Avni] Dehari, gjatë tërë procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Masa e përkohshme dhe pasojat për Kuvendin

Radio Evropa e Lirë: PDK-ja e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe ka kërkuar edhe masë të përkohshme. Çfarë mund të vendosë Gjykata në këtë fazë?

Enver Hasani: Marrë parasysh faktin se në aktgjykimin e saj lidhur me kandidatin serb për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar çështjet relevante, përfshirë edhe situatën kur një forcë politike nuk e ushtron të drejtën e saj kushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është e pritshme që Gjykata të vendosë masë të përkohshme dhe, më pas, të vendosë për meritat e rastit.

Nuk do të ishte profesionale që Gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetutës.

Gjykata e ka bërë këtë edhe herën e kaluar, kur Kuvendi i Kosovës, në mënyrë jokushtetuese, e konsideroi veten të konstituuar dhe vendi më pas shkoi në zgjedhje.

Tani që situata është sqaruar përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit nuk do të duhej të lejonte që gjendja jokushtetuese të vazhdonte më tej.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme edhe për faktin se, sipas të gjithë parametrave kushtetues, situata aktuale ka dalë jashtë binarëve normalë kushtetues dhe mund të ndikojë edhe në një votim eventual për presidentin e Republikës.

Është e sigurt se gjendja jokushtetuese e krijuar në Kuvend prodhon pasoja nga dita e dhënies së betimit të deputetëve e deri te vendimi për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Gjykata e shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit, çfarë pasojash do të kishin vendimet e marra ndërkohë, përfshirë zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës?

Enver Hasani: Sipas rregullit, nëse Gjykata Kushtetuese shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit të Kosovës – diçka që vështirë se mund të mos ndodhë, marrë parasysh atë që thashë më sipër dhe standardet kushtetuese që vetë Gjykata i ka përcaktuar – atëherë ajo duhet të konstatojë edhe jokushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4 dhe ta rikthejë gjendjen në afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo është kështu për dy arsye. E para, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh nuk prodhon si pasojë juridike automatike shkuarjen e vendit në zgjedhje. E dyta, Qeveria Kurti 4 është zgjedhur në votimin e parë, kështu që jokushtetutshmëria eventuale e këtij votimi nuk prek rundin e dytë të procedurës për zgjedhjen e Qeverisë, pas dështimit të të cilit vendi shkon në zgjedhje në përputhje me procedurën kushtetuese të nenit 95 dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar Qeverinë Hoti.

Zgjedhja e presidentit “do të ishte komprometuese”

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit. Sa e mundshme është zgjedhja e presidentit në rrethanat aktuale?

Enver Hasani: Në aspektin politik, mësa duket, nuk ekzistojnë numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Kurti në vazhdimësi po ushtron presion mbi opozitën, me tone të qarta shantazhi, se vendi mund të shkojë në zgjedhje.

As kjo, mësa duket, nuk po pi ujë, meqë vendi lehtësisht mund të shkojë në zgjedhje, pavarësisht pozitës jo të favorshme të opozitës. Kjo gjendje është, siç thotë populli: ‘I laguri për shi nuk ka dert’.

Në aspektin juridik-kushtetues, nuk besoj se as vetë Lidhja Demokratike e Kosovës ndihet komode me kandidatin e vet, por as vetë kandidati i propozuar, marrë parasysh shkallën e lartë të gjendjes jashtëkushtetuese në të cilën është futur vendi.

Për mendimin tim, çdo zgjedhje e presidentit të Republikës në këto rrethana do të ishte mjaft komprometuese për vendin dhe për ata që kontribuojnë në një proces të tillë.

Gjërat, me procesin jashtëkushtetues në të cilin është zhytur vendi, kanë shkuar shumë larg.

Zgjedhjet eventuale, më 27 dhjetor

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin dhe a mund të çojë kjo në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja?

Enver Hasani: Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos masë të përkohshme, atëherë vendi shkon në zgjedhje pas 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, të dielën, më 13 shtator.

Këtë afat e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe, siç duket, këtë afat po e respekton edhe zoti Kurti, sepse dështimi i zgjedhjes do ta çonte vendin në zgjedhje më 27 dhjetor 2026.

Në një rast të tillë, Gjykata do t’i çonte duart nga mundësia për ta rikthyer gjendjen jashtëkushtetuese në binarët kushtetues dhe, për mendimin tim, do të bënte gabim.

Sipas çdo standardi profesional që vetë Gjykata e ka krijuar përmes aktgjykimeve të vitit të fundit, ajo duhet të pezullojë çdo veprimtari të Kuvendit dhe të organeve të dala prej tij deri në vendosjen meritore për këtë rast.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, çfarë pasojash do të ketë kjo për procesin e konstituimit të Kuvendit, por edhe për proceset tjera eventuale?

Enver Hasani: Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, atëherë Kuvendi nuk mund të mblidhet, ndërsa Qeveria dhe fati i saj mbeten pezull.

Më pas, me vendimin përfundimtar, Gjykata menaxhon pasojat juridike të çdo vendimi eventual të marrë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Ngërç i ri që “lehtësisht mund të shndërrohet në konflikt shoqëror”

Radio Evropa e Lirë: Me zhvillimet aktuale, a jemi para një ngërçi të ri institucional dhe sa reale janë zgjedhjet e parakohshme?

Enver Hasani: Pa asnjë dyshim, jemi para një ngërçi të ri institucional, i cili, për dallim nga ngërçet e mëparshme, mund të shndërrohet lehtësisht në një konflikt shoqëror me përmasa të paparashikueshme.

Kjo për faktin se pushteti i zotit Kurti nuk po tregon asnjë fleksibilitet për respektimin dhe kanalizimin, përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore, të vullnetit politik të më shumë se gjysmës së popullit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Nëse vendi shkon në zgjedhje, a ka pengesa kushtetuese ose juridike për mbajtjen e tyre?

Enver Hasani: Pra, nuk bëhet më fjalë vetëm për jokushtetutshmëri apo kundërkushtetutshmëri, por për një gjendje jashtëkushtetuese, për një kaos të organizuar institucional, në të cilin lideri dhe vullneti i tij janë supremë, e jo normat kushtetuese dhe ligjore.

Shkeljet e Kushtetutës, pa ndëshkim

Radio Evropa e Lirë: A mund të sjellë Gjykata Kushtetuese qartësi për krizën aktuale, apo vendimet e saj mund të hapin edhe dilema të reja kushtetuese?

Enver Hasani: Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka sjellë qartësi kushtetuese për ata që nuk kanë pasur qëllime malicioze. Ata që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë qëllime të tilla, gjithmonë do të gjejnë arsye për të abuzuar me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Aktualisht, ta zëmë, zonja Haxhiu citon, në mbështetje të konstituimit arbitrar të Kuvendit, një paragraf të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. I njëjti aktgjykim, më lart, në paragrafin 162, përcakton qartë se së pari zgjidhet presidenti dhe pastaj Qeveria.

Njësoj është edhe me afatin prej 60 ditësh, i cili zotit Kurti po i pëlqen për shkak të datës 27 dhjetor 2026, kur vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

E njëjta qasje vërehet edhe ndaj afatit 30-ditor, të cilin Kurti po e trajton si një afat që mund të shkelet, me arsyetimin se Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton një pasojë juridike të drejtpërdrejtë për shkeljen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë në aktgjykimin e fundit se Kuvendi duhet të konstituohet brenda këtij afati.

Radio Evropa e Lirë: Pse ndodh kjo?

Enver Hasani: Sepse nuk ekziston një vepër e posaçme penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sikur të ekzistonte një vepër e tillë, jam i sigurt se Kurti do të sillej ndryshe.

Shkurt, deri këtu nuk shoh asnjë bazë për ta fajësuar Gjykatën Kushtetuese.

Kërcënohet me vdekje gazetari Osman Stafa- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Policia e Shtetit të hetojë rastin me urgjencë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me shqetësim të thellë dhe ka dënuar kërcënimin e drejtpërdrejtë ndaj gazetarit të “News24”, Osman Stafa. Sipas kallëzimit të depozituar në Drejtorinë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, gazetari ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në rrjetin social Facebook, ku i shkruhej “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.

Kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të publikuar nga Stafa gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit, ku dokumentoheshin veprimet e disa personave me rroba civile gjatë ndalimit të një protestuesi.

AGSH vlerëson se kërcënimet e tilla përbëjnë një sulm të rëndë ndaj sigurisë individuale të gazetarit, lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Reagimi i plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon me forcë kërcënimin serioz ndaj jetës së gazetarit të News24, Osman Stafa.
Sipas kallëzimit të depozituar pranë Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, gazetari ka marrë në llogarinë e tij në Facebook një mesazh me përmbajtje të drejtpërdrejtë kërcënuese, ku ndër të tjera shkruhet: “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.

Sipas dëshmisë së gazetarit, kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të realizuar dhe publikuar prej tij gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit, ku kishte dokumentuar veprimet e disa personave civilë gjatë ndalimit dhe arrestimit të një protestuesi.
AGSH vlerëson se kërcënimet me vdekje ndaj një gazetari, veçanërisht kur lidhen me ushtrimin e detyrës dhe publikimin e materialeve me interes publik, janë të papranueshme dhe përbëjnë një sulm të rëndë jo vetëm ndaj sigurisë individuale të gazetarit, por edhe ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Ne i kërkojmë Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të veprojnë me urgjencë, të identifikojnë personin ose personat që qëndrojnë pas llogarisë nga e cila është dërguar kërcënimi, të hetojnë motivin dhe çdo lidhje të mundshme të tij me punën gazetareske të Osman Stafës dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së gazetarit.
AGSH do ta ndjekë nga afër këtë rast dhe pret që autoritetet të informojnë publikisht për ecurinë e hetimeve. Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhet të normalizohen dhe as të mbeten pa autor. Çdo gazetar duhet të jetë në gjendje të dokumentojë dhe raportojë ngjarjet me interes publik pa frikën se për këtë do të kërcënohet me jetë.

Corriere della Sera: Protestat në Shqipëri po kthehen në revoltë të madhe kundër qeverisë, kërkohet dorëheqja e Ramës

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës në Tiranë po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Ajo që nisi si kundërshtim ndaj projektit të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner dhe Donald Trump, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë anti-qeveritare.

Kështu shkruan media e njohur italiane Corriere della Sera, që nënvizon se shqiptarët kanë dalë sërish në rrugët e kryeqytetit shqiptar, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestat kanë vijuar prej 105 ditësh dhe janë mbështetur edhe nga aktivistë mjedisorë, organizata të shoqërisë civile dhe kundërshtarë politikë të qeverisë.

Sipas artikullit, presioni kundër qeverisë po rritet ndjeshëm dhe kërkohet dorëheqja e kryeministrit.

Artikulli

Të shtunën, protestuesit dolën në rrugët e Tiranës në kuadër të protestave që nisën në fund të majit, për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Protestat, që kanë hyrë në ditën e tyre të 105-të, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë antiqeveritare, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Qeveria shqiptare argumenton se investimi i planifikuar përgjatë bregdetit do të përfaqësonte një projekt transformues për vendin, duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë dhe se mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Megjithatë, projekti, i cili përfshin një ishull të braktisur dhe një zonë bregdetare ngjitur me të, ka shkaktuar kritika të forta nga aktivistët mjedisorë, grupet e shoqërisë civile dhe kundërshtarët e qeverisë socialiste të Ramës.

Protestuesit kanë vijuar të mblidhen në rrugët e Tiranës, ndërsa kundërshtimi ndaj projektit është ndërthurur me pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë. bw

Sot në 20:45, pjesë e re audio-përgjimi në “Çim Peka live”- Çdo javë do keni pjesë të reja

Gazetari Çim Peka ka reaguar në rrjetet sociale, duke paralajmëruar publikimin e një tjetër pjese të audio-përgjimeve që lidhen me Edi Ramën, Ron Yeffet, ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nuhu.

Peka shkruan se, debati për çështjen e vilës së Belinda Ballukut po përdoret për të zhvendosur vëmendjen nga audio-përgjimet.

‘Për Ramën-SPAK-Yeffet: Telenovelë doni. Atë do t’ju japim. Të hënën në 20:45, pjesë e re audio-përgjimi’, shkruan Peka.

Peka paralajmëron se pjesa e radhës do të fokusohet te marrëdhëniet mes Ron Yefet dhe ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, se si Yefet kishte ndikim në vendimmarrjen e Ministrisë së Energjisë.

Reagimi i gazetarit Çim Peka:

Për Ramën-SPAK-Yeffet: Telenovele doni.

Atë do tu japim. Të Hënë në 20:45 pjesë e re audio-përgjimi.

Nuk e spostoni dot vëmendjen nga superskandali me një vilë më shumë apo një vilë më pak të Belindës!

Rama në bashkëqeverisje me SPAK, paska vendosur të mundohet të spostojë të gjithë debatin dhe vëmendjen nga audio-përgjimet e Ron Yefet, Ermal Nuhut dhe në fakt vetë Ramës.

Pasi i plotësoi dëshirën duke dhënë Ministrin e Brendshëm drejtuesit të ri të SPAK, duket se Rama ka marrë zemër dhe me porositë e tij të gjitha mediat po mundohen të spostojnë debatin rreth një vide më shumë apo një vide më pak të Belinda Ballukut.

Por meqënëse SPAK është vendosur në shërbim të Ramës dhe po mundohet të krijojë një Big Brother për të spostuar vëmendjen, pa merak, sepse kësaj radhe jemi shumë hapa para. Nëse duan Big Brother për të tërhequr vëmendjen, atë po ua japim ne.

Nga nesër, sërish vazhdim përgjimesh. Janë tre orë, realisht nuk e dimë se çfarë ka sepse Ameta me këtë punë po merret. I papunë është, ka kohë sa të duash, janë në disa gjuhë dhe duhet të përkthehen, duhet prerë.

Por nesër një tjetër pjesë audio-përgjim, ku do e shikoni se si një monstër si Ron Yefet drejton Ministrinë e Energjitikës të Belinda Ballukut kur ajo ishte zëvendëskryeministre dhe ministre. Ai vendos për gjithçka dhe do e kuptoni vetë se e gjithë loja me një vidë më shumë apo një vidë më pak e Ramës, SPAK dhe Ballukut, është për të spostuar vëmendjen nga super skandali i kontrollit të gjithçkaje nga Ron Yefet dhe Edi Rama.

Mos keni merak, Big Brother doni, Big Brother do e bëjmë. Çdo javë do keni pjesë të reja. Nesër, pjesa e re.


Send this to a friend