Aeroplani që fluturon për Washington, D.C, sillet rrotull mbi kryeqytet në pritje të urdhnit për zbritje në aeroport. Koha asht shumë e keqe, me shi e erë të fortë, karakteristikë e stuhive jo të rralla në muejt e verës. Unë jam i tretun në kujtime, dhe nga dritorja shoh vetëm retë e zeza që mbulojnë qytetin, dhe që i përshtaten shumë mirë gjendjes sime shpirtërore. Arshiu ka vdekë, por akoma e gjej të vështirë me e besue.
Në Gadswell Funeral Home të Washingtonit, D.C, pjesëmarrësit presin në heshtje fillimin e ceremonisë së përkujtimit. Përshëndes motrat e Arshiut dhe i ngushëlloj për humbjen e madhe të vëllaut të vetëm. Mandej, qetësisht, ulem në nji bankë pranë nji miku shkodran, kushëri i Arshiut. Shkëmbejmë mendime e kujtime për Arshiun që, tashma, shtrihet pa jetë në arkivolin e stolisun.
Atmosfera âsht solemne! Lulet rrethojnë kufomën si kunorë. Para nesh âsht i ndjeri Arshi Pipa, edukator, poet, kritik, letrar, intelektual i shquem dhe shtyllë e demokracisë shqiptare për pesëdhetë vjet. Asht Arshiu, shoku i vuejtjeve të përbashkëta dhe i mërgimit të hidhun.
Trupi i tij i lodhun nga puna e randë shtatëdhetë-e-shtatë vjeçare ma në fund u dorëzue. Fëtyra e Arshiut ka marrë pamjen e shlodhjes së plotë që siguron vetëm gjumi i vdekjes. Muskujt e fytyrës nuk janë të tensionuem, goja e mbyllun ruen një farë buzëqeshje non-shalante e më kujton shumë çastet e lehta të jetës së tij. Mjekra gjysëm e bardhë i përshtatet mirë moshës dhe flokëve pak të rralluem e të zbardhuem shumë vjet ma parë.
Qepallat e mbylluna nën dy vetulla të trasha bojëhini mbështjellin sytë e tij dikur të ndritshëm e pak si të mekun, që nuk i shoh ma. Me duer të palueme mbi gjoksin e trupit të shkrimë nga sëmundja, Arshiu shtrihet para meje i ngrimë, pa jetë. Arshiu ka vdekë!
Arshiu ka lindë në Shkodër, ashtu si unë. Aty ka mbarue edhe studimet fillore e të mesme. Maturantët e ish-liceve të Shkodrës, private dhe shtetërore, para vjetit 1994, nuk kanë qenë të shumtë, por ata që janë dallue në studime dhe kanë premtue shumë kanë qenë edhe ma të pakët. Arshiu ka qenë njeni nga ata që ka lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shkollës që e edukoi – Kolegji Saverian – dhe në mendjet e kolegëve të tij. Ma vonë, në Universitetin e Firenze-s, ai shkëlqeu dhe na studentët ma të rinj mburreshim me atë, që në moshën 21 vjeçare filloi të jepte filozofi e letërsi në shkollat e mesme të Tiranës. Tri vjet ma vonë, murtaja komuniste e arrestoi, e torturoi, e dënoi dhe e dërmoi trupin e tij delikat në qelitë e errëtadhe kampet komuniste të punës së detyrueshme.
U takova me Arshiun në fund të vjeshtës së vjetit 1956, pak ditë mbas Revolucionit Hungarez, dhe masakrave të Budapestit. Ishte një takim i rastit. Ai kalonte rrugës vetëm e i vetmuem. Unë, si punëtor krahu i NSHN-s, ishe caktue me hapë puset e zeza të Teatrit Migjeni që ato ditë po ndërtohej në Shkodër. E pashë. E thirra. U ndal e më veshtroi. Pa i dhanë kohë të mendohet shumë, i thashë: “Jam Samiu!”
Ai e preu për nji çast, e nuk foli. Mandej me hap të ngadalshëm u afrue në bregun e gropës. Buzëqesha, e ai m’u përgjegj me nji gjest sikur donte të thoshte: “Ku paske përfundue!”
Dola nga gropa i mbushun plot pluhun në fytyrë e trup, me rrobat e grisuna e duer të mbulueme nga balta. I shtrëngova dorën që më ofroi. Frika e gjithanshme na detyroi të mos flasim gjatë. “Due të shoh”, më tha. “Sonte rreth orës 9:00!” Pranova! Mandej më spjegoi të mos trokitshe në derën e shtëpisë, por nën dritare, që të mos krijohej dyshimi tek fqinjët.
Ashtu veprova! Atë mbramje, në dritën e pakët të dhomës tij, u përqafueme për të parën herë. Folëm me za të ulët në nji atmosferë konspiracioni për ma shumë se dy orë. Aty u reflektue frika jonë e jetës me thikë në fyt dhe bindja se jeta në shoqëninë e re komuniste nuk kishte asnji kuptim, ashtu siç nuk kishte asnji kuptim edhe iluzioni se gjendja do të ndryshonte në nji të ardhme të afërt.
Aty përfundueme se edhe qendrimi jonë në Shkodër ishte shumë i rrezikshëm. I tregova se ekzistonte nji listë prej afër 400 vetësh, elementë “të padëshirueshëm” që do të ekzekutoheshin në mënyrë masive e pa gjyq nga Shteti komunist me rastin ma të parë të nji lëvizje antipushtet. I thashë gjithashtu se nji ish-shoku im, tashti oficer Sigurimi, më kishte tregue në konfidencë se emni i Arshiut dhe i imi, ishin në atë listë. Ishte e qartë se jetojshim me litar në grykë, në pritje të momentit fatal që mund të mos vinte (ç’ironi!) nga xhelatët tanë. Fati jonë personal dhe i popullit tonë ishte në duert e largëta të Moskës së kuqe… !
U ndamë sikur të ishim dy miq të vjetër. U takuem përsëri disa herë, por jo shpesh, dhe gjithherë natën. Deri në një natë gushti të vitit 1957. Ishte ditë e mërkurë. Arshiu trokiti në dritaren time. Nana u tremb. Unë dola jashtë, e përqafova, dhe hymë mbrenda. Arshiu ishte i tronditun. “Kam vendosë të largohem nga Shqipënia!” më tha, “të Shtunden mbrama. E kam rregullue mirë këtë punë.” Dhe tue më shikue drejt në sy, shtoi: “Eja me mue. Do të arrestojnë”
Nuk më erdhi i papritun lajmi, sepse ky ishte subjekti që trajtojshim vazhdimisht. I spjegova me gjysëm zani gjendjen e vështirë të familjes sime, që ishte e atillë sa të më gozhdonte në vend, e më detyronte të përballohem me rrezikun e nji arrestimi të dytë dhe dekada të gjata në burgjet dhe kampet komuniste. Arshiu nuk foli, uli kokën, dhe mandej si me pa dashje shtoi: “Do të marr motrën me vete … Nanën jo … asht shumë e plakun”. Më tregoi hollësitë e planit të arratisjes, dhe se si nji ish i burgosun e kishte vue në lidhje me burrin që do të rrezikonte jetën me e ndihmue. Të dy ishin shokë të mi të burgut, të heshtun për natyrë, por guximtarë, të vendosun dhe besnikë, siç kanë qenë katundarët e rretheve të Shkodrës, racë e vjetër burrënore e lindun për sakrificë!
Heshtëm të dy. Instinktivisht u hodhëm në krahët e njeni-tjetrit në nji gjest solidariteti që asht i mundshëm vetëm për ata që ballafaqojnë vdekjen ose e presin atë së shpejti. Sepse, Arshiu dhe unë, në ato ditë ishim dy krijesa të mjera “të dënueme” dhe në pritje të ekzekutimit që mund të vinte çdo çast, pa lajmërim, si kosa e vdekjes! Me sy të përlotun, u ndamë.
Natën e së shtundes nuk fjeta fare, duke i kaluar orët e errësirës pranë dritares së hapun tue u lutë që qetësia e natës të mos shkyhej nga krismat e mitrolozit që korrte shpesh të rinj e të reja në përpjekjet e tyne për arratisje. Atë natë Arshiu me motrën Fehime, kaluan kufinin pa asnji incident dhe filluan jetën e re të mërgimit të detyruem…
Dy vjet ma vonë u arratisa. Heroi i Arshiut ka qenë edhe heroi im, me të cilin kishe lidhë nji miqësi shumëvjeçare gjatë viteve të burgut. Me gjithë përpjekjet e mia me e bindë të arratisemi së bashku, ai refuzoi. Përsëri “familja” e pengonte. Dy vjet ma vonë, i friksuem nga arrestimi, mori malin dhe u vra pak metra larg telave me gjemba të kufinit që rrethojshin Shqipëninë e mjerë gjatë viteve të terrorit të kuq.
Në aeroportin Ildewild (sot J.F. Kenedy) të Nju Jorkut zbrita me 9 prill 1962. Në sallën e pritjes gjeta Arshiun. U përqafuem. Ai ngriti valixhen e vogël me të gjitha leckat e mia të mbledhuna gjatë dy vjetëve në kampet për refugjatët shqiptarë në Jugosllavi e Itali. Unë i mora krahun, dhe i lumtun pa kufi, u drejtova kah dalja. Po hyjshe në jetën e re e premtuese!
Pyetja e parë që bani Arshiu ka qenë:
– “E ke pa nanen?”
– “Po!” i thashë. “E kam pa dy javë para se të largohem … në nji dyqan frutash”.
I spjegova se si, e veshun me rroba të zeza, me nji pamje që të këpuste shpirtin, por trupin e drejtë e dinjitoze, me përshëndeti sa më pa. I shtrëngova doren e thatë nga mosha dhe vuejtja.
– “Si je me shëndet?” e pyeta. “A mbahesh, si e kalon?”
Ajo buzëqeshi. “Mirë!” më tha shkurtimisht. Mandej, sikur i erdhi zani përsëri e shtoi:
“Ky paska qenë fati im … Ditën sikur kaloi disi, por mbramjet janë të vështira … Jam krejt vetëm. Kur shkoi në krevat, mendoj me vete … Arshiu e Fehimja janë të sigurtë, nuk kanë frikë nga Sigurimi. Ata kanë shpëtue … e ky mendim më qetëson”. Heshti sikur donte të mblidhte ma shumë fuqi e me vazhdue.
“Por kur mendoj se nuk do t’i shoh përsëri, ndoshta kurr ma … atëherë nata më bahet shumë e randë, nuk më zen gjumi…” e filloj me qa.
Pa mbarue mirë fjalën, zani i saj u këput. Unë i hodha krahun rreth shpatullave të bame kockë. E afrova pranë meje. Ajo vuri kokën në parzmin tim, e trupi i saj i lodhun e i shkrimë u lëkund nga emocioni i mbrendshëm si trupi i nji zogu të trembun në duert e fëmijve. Lotët nuk pritshin njeni-tjetrin. E mbajta edhe ma fort pranë meje për ngushëllim atë krijesë të vetmueme që po kalonte ditët e vështira të pleqnisë vetëm e në skam, me frikën e përditshme të internimit …!
Ma në fund, plaka u tërhoq, fshiu lotët, rregulloi pak shaminë e zezë që i mbulonte kokën, më shikoi me nji buzëqeshje që mshehte kalvarin e saj e në heshtje u largue me hapa të ngadalshëm. E ndoqa me sy gjatë rrugës që e çonte kah shtëpia këtë hije të veshun në rrobe të zeza, simbole të jetës pa gëzim që jetonte kjo krijesë fisnike, e që fati e kishte dënue me vuejtë deri në fund!
Kur mbarova tregimin, Arshiu uli kokën e nuk tha asnji fjalë. Vetëm Zoti e din se sa i randë duhet të ketë qenë ky moment për atë, për zemrën e ndjeshme të këtij djali të denjë për nji nanë aq të madhe. Ashtu si ai, edhe unë kishe lanë nanën plakë në duart e diktaturës së pamëshirshme, dhe në atë çast vllaznimi ndajshe me Arshiun dhimbjen e pafund të shkëputjes për së gjalli nga prindët që na lindën, na rritën me aq kujdes e ngrohtësi … e që na i deshtëm me gjithë zemër!
Për tri javë me radhë, Arshiu e unë ndamë së bashku dhomën ku ai banonte. Gjatë ditës, ai jepte mësime në Columbia University, ndërsa unë kërkojshe punë në agjensi të e ndryshme. Në mbramje kalojshim orë të gjata me bisedime mbi gjendjen në Shqipëni, e natyrisht për familjet tona të braktisuna. Pa kalue shumë kohë, kuptova se pesë vjet në emigracion, e sidomos vitet në Shtetet e Bashkueme, kishin ba efektin e tyne mbi Arshiun. Horizonti i tij politik ishte zgjanue, dhe sidomos trajtimi i subjektit tonë ma të dhimbshëm, diktatura e kuqe, tek Arshiu randonte ma shumë kah racionalja dhe kontrastonte me emocionalen time, të nji të porsa-ardhuni. Ai përpiqej të spjegonte tragjedinë komuniste të Shqipënisë në nji përqindje të madhe me falimentimin e regjimeve të kalueme, për të cilët nuk kishte shumë tolerancë, sidomos me “orientalizmin” e thellë në mentalitetin e popullsisë. Por, mbrenda në zemër, Arshiu ishte i vramë!
Arshiu kishte zhvillue gjithashtu nji sensibilitet të dukshëm për padrejtësitë që vërente në shoqërinë amerikane. Si profesor në nji kolegj zezakësh në Little Rock, Arkansas, ai kishte jetue prima facie, realitetin e diskriminacionit racial, dhe ishte revoltue. Si plotësim i kuadrit, ai kishte dhanë mësim gjithashtu në rrethet “aristokratike” të Columbia-s, dhe Georgetown University Washington, D.C., aty ku elita e rinisë së popullsisë së bardhë përgatitet për drejtimin e fatit të kombit amerikan. Kontrasti e kishte vra Arshiun shpirtnisht, dhe natyra e tij e ndjeshme ishte përgjegjë pa shumë rezistencë… !
“Moralisht, unë i takoj së majtës”, më tha nji ditë Arshiu. Ajo që francezët quejnë “l’ethique du gauche” ishte zgjidhja e problemit të tij moral. Dhe besoj se kjo ka qenë arsyeja që Arshiu, i burgosun politik për dhetë vjetë nga diktatura e kuqe, përkrahu lëvizjen studenteske të Berkeley University, Kaliforni, që u zhvillue gjatë viteve 60 dhe 70, e njohun si “free speech movement”. Ky konglomeracion i paformë, por vokal dhe i artikuluem, do të bahej ma vonë lëvizja e gjanë rinore që “revolucionarizoi” shoqëninë amerikane me liri të pakufizueme në muzikë, seks e drogë: “Free your body, free your mind”.
Efektivisht, asht e para që fitoi …! Ky slogan ndigjohej kudo dhe mbrohej me kambëngulje nga të rinjt universitarë dhe ma vonë edhe nxanësit e shkollave të mesme. Arshiu ishte magjepsun nga ky shfrim revolucionar i rinisë në hedhjen poshtë të vlerave shoqënore “tradicionale”, dhe reklamim i lirisë pa kufi. Ma vonë kjo lëvizje mori karakter politik, sidomos me luftën agresive në Vietnam, dhe u përkrah mga masa të gjana popullore që kundërshtojshin këtë konflikt shumë antipopullor. Arshiu thithte i entuziazmuem ajrin plot barut të kësaj atmosfere revolucionare në kampet universitare amerikane, nji qendrim që e bani atë edhe nji kritik të fortë të politikës së jashtme amerikane dhe të shfaqjeve të diskriminacionit në mesin e shoqënisë amerikane.
Ky formim i ri i Arshiut reflektohej edhe në mënyrën e tij të jetesës: i thjeshtë, me nji pakujdesim të theksuem në veshje e mirëmbajtje. Arshiu jetonte në ato vite nji jetë autentike, besnik i bindjeve të tij të mbrendshme – “la bonne foi existentialiste”.
Në shtator 1966, Arshiu kaloi në Universitetin e Minnesota, në nji qytet të pastër të përbamë kryesisht nga emigrantë të Evropës Veriore. Ai u gjet në nji ambient krejt të ndryshëm nga ai i mish-mashit në Berkeley University, në nji shoqëni që ai përfundimisht admironte për çiltërsi të individëve dhe ndershmëni kolektive të vendasve. Sa herë që vizitonte New York-un, i cili ato ditë po transformohej nga influksi i madh i refugjatëve nga ishujt e Karaibeve dhe Amerikës latine, ai shihte kontrastin e madh në mes të dy vendeve. “E pabesueshme”, thonte, “sikur nuk jetojmë në të njajtin vend!”
Në Minnesota, Arshiu u qetësue. Në kondita optimale për punë, dhe i respektuem nga studentët e kolegët, ai gjeti kushtet që kërkonte për punë kërkimore. Pjesa e madhe e veprimtarisë intelektuale dhe e kërkimeve u ba në këtë vend dhe në këtë atmosferë. Gjatë pushimeve të gjata dimnore, ai pushonte në nji shtëpi pranë liqenit Lake Superior, rrethue nga bora e në nji qetësi absolute.
Gjatë pushimeve verore Arshiu vizitonte qendra studimesh e biblioteka evropiane, sidomos në Itali. Kërkimet e letërsisë dhe historisë arbëreshe e kanë tërheqë gjithherë. Atje njohu shumë shkollarë e kolegë universiteti me të cilët mbante korrespondencë të rregullt. Ndërkaq, biblioteka e tij personale po rritej çdo ditë, ndërsa mundësia e studimit pakësohej për arsye të moshës e të shëndetit. Me daljen në pension, ai zuni vend në Washington, D.C. pranë motrës Fehime, në nji apartament të mbushun me libra.
Gjatë nji vizite, Arshiu më tregoi me krenari disa koleksione të revistave të vjetra shqipe dhe nji seri raftesh me libra të radhuem me kujdes. Nji kënaqësi të veçantë tregonte për revistën Albania të F. Konicës dhe botimet e shqiptaro-amerikanëve.
Hera e fundit që e takova ka qenë në maj 1996. Atë ditë bashkësia shqiptaro-amerikane mbushi Sheshin Lafayette të kryeqytetit amerikan, para Shtëpisë së Bardhë, me pankarta dhe flamurë shqiptarë e amerikanë dhe me brohoritje për nji Republikë të Kosovës, të lirë dhe neutrale.
U shkëputa nga demonstrata dhe shkova në apartamentin e Arshiut. Më priti me gëzim e kuriozitet. Donte të dinte mbi atë që zhvillohej përjashta. Ai vetë ishte i lodhun për pjesëmarrje.
Por thelbi i bisedimeve tona ishte përsëri gjendja në Shqipëni dhe zhgenjimi jonë për zhvillimin e padëshirueshëm të lëvizjes demokratike në fatmjerin vendin tonë. Qendrimet autoritare që kufizoheshin me diktaturën personale të presidentit, e sidomos qëndrimit jo-miqësor që qeveria Meksi tregonte kundrejt forcave të “së djathtës” e shqetësojshin shumë. Arshiu në vitet e fundit kishte ba nji kthesë të plotë. Tani, ai mendonte se forcat politike të së kaluemes mund ta shpëtojshin Shqipëninë dhe për këtë shkroi edhe në gazetën Dielli.
Shkodra, gjendja e qytetit tonë të lindjes, dhe ardhmnia e saj, ishin nji subjekt që e biseduem gjatë, me zemër të thyeme e pesimizëm. Mbrapambetja e qellimshme pesëdhetë vjeçare kishte atrofizue jetën ekonomike e kulturore të qytetit dhe fondet e nevojshme për ringjallje nuk dukeshin askund. “A dying city!”
Ideja e nji qyteti “të dënuem me vdekje” na torturonte të dyve. Të ndërgjegjshëm për pamundësinë tonë me ndihmue, të dy e ndiejshim veten të mundun. Në dhomë u krijue nji atmosferë e randë që u përpoqem ta shpërndajmë me bisedime mbi subjekte, që në vetvete, për ne muk kishin ndonji interes të veçantë. Ishte nji pamje e dhimbshme: dy dashnorë të Shkodrës të zhgënjyem e të deshpruem!
U largova mbas nji përqafimi të ngrohtë dhe urimet e zakonshme për shëndet të mirë. Por shëndeti i Arshiut po keqësohej çdo ditë, dhe mbas disa ndërhyrjeve kirurgjikale që e munduen shumë, trupi i tij u lodh, derisa u dorëzue me 20 korrik 1997, në Washington, D.C.
10 korrik 1998
Baldwin, New York, USA
Prof. Sami Repishti
Shënim: Ndërmjetësi për gjetjen e “burrit”, që ndihmoi Arshiun me kalue kufinin, ka qenë i ndjeri Malo Kraja. Ndërmjetësi im ka qenë i ndjeri Muhamet Fejza, ish-student nga qyteti, nji i ri me zemër florini. “Burri” që rrezikoi jetën me ndihmue Arshiun dhe mue në arratisje ka qenë i ndjeri Muho Saiti, nga katundi Vithgar i Anës së Malit, të cilin Arshiu dhe unë e kemi quejtë gjithherë “hero”. Të tre kanë qenë ish të burgosun politikë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka biseduar me homologun e saj gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Në një postim në X, Osmani njoftoi se me presidentin gjerman folën për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Dje fola me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për të diskutuar anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Theksova rëndësinë kritike për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit.
Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”, shkruan Osmani.
Gjermania e Franca kanë qenë dy prej vendeve që kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me dërgimin në Kushtetuese të drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. sn
Administrata Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën, NOAA, thotë se dielli lëshoi të martën valën më të madhe të flakës së zjarrtë në afro një dekadë, vetëm pak ditë pasi stuhitë e forta diellore goditën Tokën duke krijuar fenomenin që njihet si “Aurora Borealis” ose dritat veriore, të pazakonta në shumë pjesë të botës.
Vala e flakës diellore shkaktohet nga një shpërthim intensiv rrezatimi që vjen nga çlirimi i energjisë magnetike që lidhet me ato që njihen si njolla në sipërfaqen diellore.
Ky është shpërthimi më i madh i këtij cikli 11-vjeçar të diellit, që po i afrohet kulmit, sipas NOAA-s. Lajmi i mirë është se kësaj here planeti ynë është jashtë trajektores së valës magnetike, sepse shpërthimi ndodhi në një pjesë të sipërfaqes së diellit në drejtim të kundërt të Tokës.
Observatori i Dinamikave Diellore, i NASA-s, e vlerësoi shpërthimin e ndritshëm të rrezeve X, si më të fuqishmin që nga viti 2005.
Bryan Brasher me Qendrën e Parashikimit të Motit Hapësinor në Boulder të Kolorados, pjesë e NOAA-s, tha se ka mundësi që kur shkencëtarët të mbledhin të dhënat edhe nga burime të tjera, të rezultojë që vala e zjarrtë magnetike të ketë qenë edhe më e fortë.
Kjo vjen pas gati një jave çlirimesh të valëve magnetike masive nga atmosfera e jashtme e diellit, që njihet si Korona. Korona çliron kryesisht dritë në formë rrezesh X dhe ultra vjollcë. Vala magnetike përbënte rrezik për rrjetin e komunikimit në tokë dhe orbitë si dhe për sistemin energjetik.
NASA tha se stuhia gjeomagnetike e fundjavës bëri që një nga satelitët e saj mjedisorë të rrotullohej papritur për shkak të uljes së lartësisë si rezultat i stuhisë hapësinore dhe të aktivizonte sistemin e vetëmbrojtjes për rrethana të tilla. Shtatë astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës u këshilluan të qëndronin brenda zonave që ofrojnë mbrojte të fortë nga rrezatimi. NASA tha se ekuipazhi nuk ishte në ndonjë rrezik.
Historiani Malcolm: Përgjegjësia bie mbi Beogradin, që mendoj se në vazhdimësi ka treguar qëllime të këqija
Një ditë më parë në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork u shfaq filmi dokumentar “Mirënjohje” kushtuar kontributit të historianit britanik Noel Malcolm për ndërgjegjësimin e botës mbi të vërtetën e historisë së Kosovës.
Autori i librit të botuar më 1998 “Kosova: Një histori e shkurtër” ishte i pranishëm në këtë tubim.
Në një intervistë me gazetarin Burim Goxhuli, historiani i njohur britanik komentoi procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kushtet e reja të disa vendeve perëndimore për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Historiani i njohur britanik, Sir Noel Malcolm kritikoi përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për trysninë ndaj Kosovës dhe, siç u shpreh ai, lëshimet e vazhdueshme ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Përgjegjësia kryesore bie mbi Beogradin, që mendoj se në vazhdimësi ka treguar qëllime të këqija. Përgjegjësi i dytë është Bashkimi Evropian, përfaqësuesit e tij dhe ndërmjetësit, të cilët vazhdimisht kanë bërë lëshime për palën serbe në një mënyrë të pashembullt, që nganjëherë mendoj se ngre pikëpyetje serioze mbi jo vetëm paanshmërinë e këtij procesi, por edhe vlefshmërinë e tij bazuar në ligjin ndërkombëtar”, thotë zoti Malcolm për Zërin e Amerikës.
Sipas zotit Malcolm, kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është një qasje e padrejtë që ndërlikon edhe më shumë pajtimin mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Mënyra se si përfaqësuesit e BE-së janë përpjekur të ndryshojnë kushtet e tyre, duke pranuar kushtet në rritje të Serbisë, nuk është një histori suksesi e diplomacisë ndërkombëtare, nga mënyra se si janë munduar ta keqpërdorin këtë çështje. Qeveria e Kosovës, nga fillimi, nga Plani i Ahtisarit, që është themeli i pavarësisë së Kosovës, është pajtuar që të ketë një asociacion të komunave me shumicë serbe. Por janë kushtet që janë shtuar përgjatë viteve ato që e kanë bërë këtë çështje gjithnjë e më problematike”, thotë zoti Malcolm.
Çështja e Asociacionit është një nga pikat më të nxehta në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesit e vendeve perëndimore e kanë kritikuar në mënyrë të vazhdueshme qeverinë e Kosovës për mospërmbushje të detyrimeve ligjore që dalin nga procesi i bisedimeve.
Një marrëveshje e arritur vitin e kaluar ndërmjet palëve parashihte mes tjerash që Prishtina të fillonte punën për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia të mos e kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Beogradi ka bërë fushatë aktive për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duke vënë theksin tek Asociacioni.
Disa vende evropiane si Franca dhe Gjermania i kërkuan qeverisë së Kosovës të ndërmerte hapa konkretë për themelimin e Asociacionit para anëtarësimit.
Por kryeministri i Kosovës Albin Kurti e cilësoi si të papranueshëm një kushtëzim të tillë.
Historiani Malcolm thotë se ky ngërç krijon mundësi për Moskën që të destabilizojë Ballkanin, në veçanti pas sulmit rus në Ukrainë.
“Lufta në Ukrainë e ka përkeqësuar aspektin gjeopolitik të Evropës dhe ka ndikuar negativisht edhe në Kosovë. Jam i sigurt se njerëzit janë më të shqetësuar se Serbia mund të jetë një lloj kali i Trojës në Ballkan, që punon për Moskën. Kjo është e kuptueshme. Por në aspektin afatgjatë, mendoj se lufta në Ukrainë do të ndikojë që Perëndimi të kuptojë se kush janë miqtë e vërtetë të tij. Dhe ne e dimë se Kosova dhe Shqipëria janë vendet më pro-perëndimore, pro-NATO, pro shoqërisë amerikane në të gjithë rajonin. Këta janë miqtë e vërtetë, ndërsa Serbia po tregon vazhdimisht se nuk është fare mike”, thotë për Zërin e Amerikës historiani britanik.
Serbia aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian por ruan lidhjet e forta me Rusinë dhe Kinën. Sipas historianit Malcolm veprimet e Beogradit janë një tregues se ky vend është më afër që t’i bashkohet grupit ‘BRICS’ të përbërë nga Rusia, Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut, sesa Bashkimit Evropian.
“Do të ishte e lehtë për të thënë se ( presidenti serb Aleksandar) Vuçiç po luan një lojë të mençur. Ai e di se çfarë e shqetëson Berlinin, Parisin, Uashingtonin dhe kështu ndaj tij do të bëhen lëshime të tjera. Por nuk është thjesht një taktikë. Shihni rezultatet e sondazheve në Serbi. Ekziston një ndjenjë e gjerë publike se ata duan më shumë Putinin sesa çdo politikan perëndimor. Mbështetja për Putinin në sondazhet serbe është trodnitëse”, thotë ai.
Këto komente, zoti Malcolm i bëri gjatë një aktiviteti në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork, ku u shfaq dokumentari “Mirënjohje” kushtuar kontributit të tij për Kosovën, një film me tre pjesë i realizuar nga ish ambasadori i Shqipërisë në Britani, Mal Berisha.
Sir Noel Malcolm është autor i librit “Kosova: Një histori e shkurtër”, i cili u botua në vitin 1998 dhe ishte një nga librat e paktë që tregoi historinë e Kosovës, në një kohë kur ajo nuk njihej nga vendet e tjera.
“Mendova ta bëj këtu edhe si një shenjë shumë e rëndësishme e asaj çfarë është Kosova. Një Kosovë, që para aq vitesh, para luftës, këtu ishte pothuajse e panjohur, ndërsa sot është një vend i cili ka përfaqësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të bësh një aktivitet me Sir Noelin këtu, i cili ka luajtur një rol shumë të madh në ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për ndërhyrjen në Kosovë, për t’i shpëtuar kosovarët nga thundra sebre, për mua është diçka shumë kuptimplotë“, thotë autori Berisha.
Konsulli i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka thotë se libri i historianit Malcolm ndihmoi në ndërgjegjësimin e diplomacisë botërore mbi çështjen e Kosovës edhe pas çlirimit dhe pavarësisë së vendit.
“Në vitin kur e publikoi, kishte filluar lufta çlirimtare e Kosovës dhe ky libër ndryshoi tërësisht historiografinë deri atëherë spekuluese dhe propaganduese të Serbisë, sepse me fakte zhveshi mitet false të Serbisë për Kosovën. Nga libri i tij, për këto 24-25 vite, çerek shekulli, jo vetëm historia botërore por edhe diplomacia botërore gjeti referenca, argumente të bollshme për të dëshmuar se pse ishte e domosdoshme lufta çlirimtare në vitin 1998”, thotë Ambasadori Reka.
Autori Berisha thotë se çështja e Kosovës nuk është një kapitull i mbyllur dhe se duhet angazhimi i të gjithë veprimtarëve shqiptarë kudo në botë.
“Të punojmë së bashku që ta mbajmë Kosovën të fortë ashtu siç e duam. Sepse ajo në fakt, rënia e Kosovës është rënie për çdo shqiptar. Nuk është rënie për qytetarët e Kosovës. Ajo është një dështim për të gjithë botën shqiptare”, thotë zoti Berisha.
Më 2016 Sir Noel Malcolm është nderuar nga shteti i Kosovës me dekoratën ”Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Serbia duhet të japë përgjegjësi për krimet e kryera në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan të Pejës, pasi sipas tij, para se të vriteshin 120 civilë në 1999-n, një ushtar kishte thirrur “në emër të Serbisë”.
Kurti ka thënë të martën se rruga drejt drejtësisë është e gjatë duke shtuar se për këto vrasje të akuzuarit janë dënuar me 56 vjet burgim.
“Sot kujtojmë mbi 120 civilë të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan. Para se të gjuante, një ushtar bërtiti: ‘në emër të Serbisë’…Kjo masakër është kryer në emër të Serbisë. Andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. Rruga drejt drejtësisë mbetet e gjatë”, ka deklaruar Kurti.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se Qyshku vazhdon të jetë i fortë dhe krenar pasi qëllimi i fshatit “ishte vetëm të shikohej përpara”.
Çeku, që një pjesë e familjes i ishte vrarë në këtë masakër, ka shtuar se familjarët e bëjnë këtë fshat pjesë të historisë.
“Lufta sjell plagë, plagë të mëdha…të kujdesemi që plagë të tilla mos i marrim kurrë. Duhet të shikojmë përpara që ta kemi një shtet i fortë, shtet stabil dhe të bëhemi pjesë e NATO-s, BE-së… Ai gjak kurrë nuk do të falet, kurrë nuk do të harrohet…”, ka theksuar ai.
Ndërsa, kreu i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, ka thënë se gjashtë masakra janë kryer në këtë zonë brenda 100 vjetëve, e “duhet të punojmë që kjo të mos ndodh më kurrë”.
E, deputeti Xhavit Haliti, ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Qyshkun dhe se kjo masakër duhet të dënohet e të dokumentohet.sn
Shqipëria po tkurret- Lindjet në nivelin më të ulët historik që nga viti 1990, më shumë vdekje në 2024
Popullsia e Shqipërisë po tkurret me shpejtësi nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë.
Të dhënat zyrtare të INSTAT referojnë se në 3-mujorin e parë të vitit 2024 numri i lindjeve ishte 5,056, duke shënuar një rënie me 6,8%, krahasuar me tremujorin e parë 2023. Lindjet në tremujorin e parë 2024 shënuan nivelin më të ulët historik me bazë tremujore së paku që nga viti 1990.
Ndërsa numri i vdekjeve është 5,537, duke shënuar një rënie prej 5,2%, krahasuar me tremujorin e parë 2023.
Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e parë 2024 regjistron 481 vdekje më shumë se sa lindje.
Në tremujorin e parë 2024, katër qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.
Në tremujorin e parë 2024, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 475 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 217 vdekje më shumë se sa lindje.
Lindjet, Korça me rritjen më të madhe, Kukësi më të ultën
Gjatë vitit 2023, tre qarqe të vendit shënuan rritje të numrit të lindjeve, ndërsa nëntë qarqe të tjera shënuan ulje, në krahasim me vitin 2022.
Qarku me numrin më të lartë të lindjeve ishte Tirana me 8.893 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët ishte Gjirokastra me 393 lindje. Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë vitit 2023 krahasuar me vitin 2022 e kishte qarku i Korçës me 2,3%, ndërsa rënien më të madhe e kishte qarku i Kukësit me 14,5%.
Në tremujorin e parë 2024, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2023. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.929 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 74 lindje. Rënien më të vogël në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Elbasanit me 2,0%, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Vlorës me 21,1%.
Vdekjet, më rënia në të gjitha qarqet
Gjatë vitit 2023, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2022. Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve ishte Tirana me 5.345 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të ulët ishte Kukësi me 521 vdekje. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022 e kishte qarku i Fierit me 15,4%, ndërsa rënien më të vogël e kishte qarku i Kukësit me 3,7%.
Në tremujorin e parë 2024, një qark i vendit shënoi rritje të numrit të vdekjeve, në një qark nuk kishte ndryshim, ndërsa dhjetë qarqe të tjera shënuan ulje, në krahasim me tremujorin e parë 2023. Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve është Tirana me 1.454 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Kukësi me 139 vdekje.
Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Gjirokastrës me 21,4%, ndërsa rënien më të vogël e ka qarku i Tiranës me 2,6%.
Në vitin 2023, shtesa natyrore e popullsisë rezulton pozitive me 2.331 lindje më shumë se sa vdekje, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2022, i cili regjistronte 690 lindje më shumë se sa vdekje. Gjatë vitit 2023 lindën 23.617 foshnja, duke shënuar një rënie me 4,3%, krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i vdekjeve ishte 21.286 persona, duke shënuar një rënie me 11,3%, krahasuar me një vit më parë.
Gjashtë qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në gjashtë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë ishte negative. Qarku me shtesën natyrore më të lartë ishte Tirana, me 3.548 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët ishte Korça, me 760 vdekje më shumë se sa lindje./ Monitor/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se paqartësitë rreth integrimit euroatlantik të Kosovës, po krijojnë terren të rrezikshëm për t’u shfrytëzuar nga armiqtë e demokracisë, ndërsa akuzoi Serbinë se po përpiqet të ndihmojë presidentin rus, Vladimir Putin, të çojë përpara synimet e tij në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Osmani e cila po merr pjesë në Takimin e Kopenhagës për Demokraci, tha se në kuadrin aktual gjeopolitik është thelbësore që organizatat ndërkombëtare të mbajnë dyert e hapura për vendet demokratike.
“Paqartësitë në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike krijojnë një boshllëk shumë të rrezikshëm, të gatshëm për t’u shfrytëzuar nga armiqtë e demokracisë. Kjo pasiguri krijon tokë pjellore për Rusinë dhe zgjatimet e saj për të dëmtuar të gjitha arritjet tona të përbashkëta. Është thelbësore për NATO-n dhe Bashkimin Evropian, tani më shumë se kurrë, që të zbatojnë një politikë të dyerve të hapura për demokracitë e konsoliduara si Kosova, për t’u siguruar se asnjë rajon nuk do të mbetet i cenueshëm ndaj forcave përçarëse të (Vladimir) Putinit”, tha ajo.
Kosova është e fundit në proceset integruese evropiane, ndërsa po përballet me trysni të shtuar nga perëndimi për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
“Tani po na thuhet se duhet të themeloni Asociacionin por ne pyesim a do ta zbatojë Serbia pjesën e saj njëkohësisht, që nënkupton të votojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe askush nuk po kërkon nga Serbia ta bëjë një gjë të tillë. Prandaj mendoj se kjo mungesë e plotë e baraspeshës po shkatërron vërtetë besueshmërinë e dialogut dhe po nxit shumë pikëpyetje në Kosovë meqë nëse vetëm njëra palë do të duhet ta zbatojë atëherë ku është qëllimi i një marrëveshjeje?”, tha ajo.
Muajin e kaluar Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, përfshirja e saj në rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave që mbahet të enjten, duket se u pamundësua meqë Kosova refuzoi të hedh hapa drejt themelimit të Asociacionit.
Themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër.
Presidentja Osmani tha se Kosova nuk u shmanget detyrimeve të saj, por kërkon që Serbia të përmbushë detyrimet në të njëjtën kohë.
“Ndërsa Serbia po bën pikërisht të kundërtën duke thënë se nuk do të njohim kurrë defacto as dejure Kosovën, ne nuk do ta lejojmë kurrë Kosovën të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare, shtrohet pyetja se cilat janë garancitë që ne do të kemi, posaçërisht në aspektin e sigurisë, për të mos e lejuar këtë Asociacion të na dalë tërësisht jashtë kontrollit. Le të shohim për shembull problemet me të cilat po përballet Bosnje e Hercegovina për shkak të Republikës Serbe”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se projekt statuti i hartuar nga diplomatët perëndimorë, i cili iu dorëzua palëve tetorin e vitit të kaluar nuk i ngjan mekanizmit të Republikës Serbe por duhet siguruar që ai të mos krijojë probleme në Kosovë.
Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve serbe për Kosovën.
Bashkimi Evropian ka theksuar në disa raste se zbatimi i marrëveshjes së vitit të kaluar është detyrim ligjor për të dyja palët dhe kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.
Bodinaku i thërret Veliajt: Ku e ke lulishten 1 Maji, bar Sahatin, kinematë?! Ku e ke Teatrin, o kriminel?!
Nga fjala e z. Ylli Bodinaku, një simbol i protestave të viteve ’90, në tubimin para bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit.
“Në vitin 1990, 5900 shqiptarë sakrifikuan dhe hynë nëpër ambasada. Dhe ishin ata heronj që e lëkundën diktaturën, nuk pyetën. Atë diktaturë dhe politikë që ishin të tmerrshme dhe ai pushtet ra, ra diktatura, ndaj i bëj thirrje si qytetar, si prind i Erionit – jep dorëheqjen më mirë, se nuk mbahet zyra me policë.
Unë jam tiranas i vjetër! Ku e ke Lulishten “1 Maji”?! Ku e ke Bar “Sahatin”?! Ku i ke fushat e futbollit?! Ku i ke kinematë?! Ku e ke Teatrin, o kriminel! Ti je më krimineli i Tiranës!”sn
Përfaqësuesja e Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit, Adriana Kalaja në fjalën e saj përpara protestuesve në Bashkinë e Tiranës është shprehur se Erion Veliaj është grabitësi i taksave të qytetarëve.
Kalaja u ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të tërhiqet nga rrethimi pas nuk do të ndalojnë derisa ta nxjerrin nga zyra kryebashkiakun Veliaj.
“Çdo ditë që po kalon, koha po na jep të drejtë, me abuzimet marramendëse me fondet e bashkisë, me taksat tona, me 100% të vjedhjes dhe grabitjes së tyre tregoi se nuk ishte luftë politike dhe akuza të pabazuara çdo gjë ishte e vërtetuar përveç faktit që nuk e mendonim dot se skapistët nuk do të reagim.
Ishte protestat juaj që e detyroi më në fund SPAK un ta merrte në pyetje Veliajn.
Ne i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të largohet nga rrethimi që i ka bërë Bashkisë së Tiranës dhe nuk do të tërhiqemi derisa ta nxjerrim Veliaj nga zyra e bashkisë,” tha Kalaja. sn
Sondazhi i IRI-t, Ballkani Perëndimor endet mes shtrenjtimit të jetesës, korrupsionit dhe pritshmërisë për integrimet euro-atlantike
Instituti Ndërkombëtar Republikan publikoi sot rezultatet e një sondazhi të zhvilluar gjatë shkurtit në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku shtrenjtimi i jetesës, papunësia dhe korrupsioni renditen në të gjithë rajonin si tre problemet kryesore më shqetësuese. Një pjesë e madhe e të anketuarve në Mal të Zi (38%), në Maqedoninë e Veriut (31%), në Bosnje e Hercegovinë (29%), në Serbi (28%), në Kosovë (28%) dhe në Shqipëri (22%) mendojnë se kostot e jetesës dhe çmimet e larta janë problemi më i rëndësishëm, me të cilin përballet vendi i tyre. Për Malin e Zi shqetësimi për kostot e jetesës është më shumë se dyfishuar nga viti 2022 (18%), ndërsa shqetësimi për papunësinë (15%) është ulur dy herë.
Papunësia, sipas anketës, është problemi tjetër kryesor me të cilën përballen vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosova (29%) e rendit si shqetësim të parë, ndonëse me një përmirësim të dukshëm nga viti 2022 (46%). Në Shqipëri, ku anketa është realizuar për herë të parë, Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi e renditin papunësinë si shqetësimin e dytë më të madh, ndërsa në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, papunësia renditet si shqetësimi i tretë më i madh.
Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, renditet si problemi i dytë më i madh, i përkeqësuar me tre herë në krahasim me vitin 2022. Edhe në Serbi korrupsioni është po ashtu shqetësimi i dytë më i madh. Ndërsa në Shqipëri, Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë korrupsioni renditet si problemi i tretë më shqetësues nga të anketuarit.
Pjesa dërrmuese, në të 6 vendet pohojnë se korrupsioni është një problem serioz për vendet e tyre: 97% në Shqipëri, 90% në Maqedoninë e Veriut, 89% në Malin e Zi, 88% në Kosovë, 86% në Bosnje e Hercegovinë dhe 83% në Serbi. Të anketuarit në Shqipëri perceptojnë si ndër më të korruptuarit, kryeministrin dhe qeverinë, shërbimet publike, drejtësinë, partitë politike dhe oligarkët, ndërsa në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi më shumë të korruptuar perceptohen partitë politike, shërbimet publike, drejtësia dhe oligarkët.
Qytetarët e anketuar, vlerësojnë se shqetësime kryesore si çmimet, papunësia dhe korrupsioni, duhet të trajtohen me përparësi të lartë nga qeveritë e vendeve të tyre.
Në Serbi vetëm 6 për qind e të anketuarve e cilësojnë temën e Kosovës si një problem të rëndësishëm, me të cilin po përballet vendi i tyre, ndërsa vetëm 4 për qind e tyre mendojnë se Kosova duhet të jetë një përparësi kryesore për t’u trajtuar nga qeveria. Ata kanë renditur para saj, shumë shqetësime të tjera si ekonomia, korrupsioni, varfëria, papunësia, shëndetësia dhe kriminaliteti.
Sipas këtij sondazhi rajonal, në Maqedoninë e Veriut janë shtuar skeptikët lidhur me drejtimin nga po shkon vendi. Dy vjet më parë 75% e të anketuarve mendonin se Shkupi po ecte në drejtimin e gabuar, ndërsa tani ata që kanë këtë mendim janë shtuar në 78 për qind.
Tre të katërtat e të anketuarve në Bosnjë dhe Hercegovinë, mendojnë se vendi i tyre po shkon në rrugën e gabuar. Në Shqipëri pak më shumë se gjysma e të anketuarve (52%) mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, ndërsa 42% pohuan se vendi është në rrugën e duhur.
Kosova shënon sivjet një përmirësim optimist të situatës. Dy vjet më parë 55 për qind mendonin se Prishtina po shkonte në drejtimin e gabuar, ndërsa sot 65 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova është në rrugën e duhur. Në Malin e Zi më shumë se gjysma e të anketuarve (52%) mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, përkundër pjesës tjetër (41%) e cila mendon të kundërtën.
Në Serbi më shumë se gjysma e të anketuarve (56%) janë të kënaqur me rrugën që po ndjek vendi i tyre, afërsisht i njëjti rezultat me dy vjet më parë. Në mënyrë të përsëritur, nga viti 2020, 2022, 2024, më shumë se gjysma e të anketuarve në Serbi (57%) mendojnë se ajo për të cilën Serbia ka më shumë nevojë aktualisht është qëndrueshmëria dhe vazhdimësia, kundrejt pjesës tjetër (40%) që thotë se duhet ndryshimi, i cili sipas tyre duhet të përfshijë politikanët kryesorë dhe partitë në pushtet, situatën ekonomike, standartet kulturore dhe administrative.
Sondazhi i IRI-t ka një kapitull për standartet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Në Maqedoninë e Veriut të anketuarit vlerësojnë se po ecën “keq” dhe “shumë keq” demokracia (58%), të drejtat e njeriut (62%), ekonomia (86%), ndërsa po ecin “mirë” dhe “shumë mirë” liria e medias (54%) dhe sundimi i ligjit (78%). Në Shqipëri të anketuarit pohuan se janë “keq” dhe “shumë keq” demokracia (54%), të drejtat e njeriut (53%), ekonomia (74%), ndërsa po ecën “mirë” dhe “shumë mirë” liria e medias (51%). Lidhur me sundimin e ligjit, të anketuarit, janë të ndarë përgjysmë në vlerësim të mirë dhe të keq.
Të anketuarit në Kosovë vlerësojnë se po ecin “mirë” dhe “shumë mirë” demokracia (80%), të drejtat e njeriut (75%), liria e medias (83%), sundimi i ligjit (63%), ndërsa për ekonominë 71 për qind e tyre thonë se është “keq” dhe “shumë keq“. Në Malin e Zi pohuan se janë “mirë” dhe “shumë mirë” demokracia (59%), të drejtat e njeriut (54%), liria e medias (62%), ndërsa “keq” dhe “shumë keq” vlerësojnë ekonominë (74%) dhe sundimi e ligjit (58%).
Të anketuarit në Serbi vlerësojnë “mirë” dhe “shumë mirë” demokracinë (58%), të drejtat e njeriut (60%), lirinë e medias (59%), mbizotërimin e ligjit (53%), ndonëse ekonominë e cilësojnë (69%) “keq” dhe “shumë keq”. Në Bosnje dhe Hercegovinë pas një vlerësimi të “mirë” për demokracinë (53%) dhe lirinë e medias (62%), të tjerat, për të anketuarit shkojnë “keq” dhe “shumë keq”, të drejtat e njeriut (53%), ekonomia (74%), sundimi i ligjit (60%).
Liria e medias vlerësohet si një temë më vete në anketimin e IRI-t. 82% e të anketuarve në Kosovë mendojnë se media atje është e lirë për të mbuluar çështje në mënyrë të pavarur. Këtë mendim kanë 64% e të anketuarve në Mal të Zi, 61% në Bosnje e Hercegovinë, 60% në Serbi, 53% në Maqedoni të Veriut dhe 51% në Shqipëri.
Besimi tek politikanët dhe institucionet është në nivele të ulëta në të gjithë gjithë vendet e rajonit. Në Shqipëri, sipas anketës, mosbesimi më i lartë është ndaj parlamentit (77%) dhe ndaj partive politike (76%). Afro 60 për qind e të anketuarve pohojnë se nuk kanë besim tek asnjë politikan. Mosbesimi shprehet ndaj KQZ-së (59%), ndaj gjykatave (58%), ndaj presidentit (52%), ndaj kryeministrit (51%). Ata janë të ndarë, në mënyrë të barabartë (49%-49%) në besimin ndaj medias, ndërsa institucionet që besojnë më shumë janë ushtria (51%), institucionet fetare (59%) dhe policia (63%).
Edhe në Kosovë mosbesimi më i lartë shprehet ndaj partive politike (66%) dhe ndaj gjykatave (51%). Të anketuarit atje janë të ndarë (50%/48%) në besimin ndaj parlamentit, ndërsa ata shprehin besim të lartë ndaj medias (54%/44%), ndaj KQZ-së (60%), ndaj kryeministrit (63%), ndaj presidentit (66%), ndaj institucioneve fetare (85%), ndaj policisë (89%) dhe ndaj ushtrisë (91%).
Në Maqedoninë e Veriut të anketuarit shprehin shumë mosbesim ndaj gjykatave (81%), ndaj parlamentit (77%), ndaj kryeministrit (74%), ndaj partive politike (70%), ndaj presidentit (68%), ndaj KQZ-së (65%), si dhe ndaj policisë (51%). Megjithatë ata kanë besim tek media (50%/49%), tek ushtria (60%) dhe tek institucionet fetare (67%).
Të anketuarit në Malin e Zi shprehin mosbesim ndaj partive (69%), ndaj parlamentit (54%), ndaj mediave (55%). Ata pohuan se kanë besim ndaj KQZ-së (50%), ndaj kryeministrit (50%), ndaj gjykatave (52%), ndaj presidentit (59%, ndaj policisë (66%), ndaj besimeve fetare (71%), dhe ndaj ushtrisë (80%).
Në Serbi mosbesimi është po ashtu i konsiderueshëm ndaj partive (66%), ndaj gjykatave (60%), ndaj medias (54%), ndaj parlamentit (51%). Megjithatë të anketuarit shprehin besim tek policia (51%), te kryeministri (58%), te presidenti (62%), te ushtria (63%) si dhe te institucionet fetare (66%).
Në Bosnje dhe Hercegovinë mosbesimi më i lartë shprehet ndaj partive politike (78%), ndaj parlamentit (68%), ndaj kryeministrit (63%), ndaj KQZ-së (59%), ndaj Presidencës (59%), ndaj gjykatave (55%), ndërsa të anketuarit shprehin besim të lartë ndaj mediave (54%), ndaj ushtrisë (64%), ndaj institucioneve fetare 72%, dhe ndaj policisë 75%.
Nga anketimi i Institutit Ndërkombëtar Republikan mbi politikën e jashtme del një përkrahje e gjerë pro-Perëndimore e Shqipërisë dhe Kosovës në krahasim me vendet e tjera, ku përkrahja pro-Perëndimore është zbehur edhe në vendet anëtare të NATO-s si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe ku Serbia mbetet në fund të listës. 87 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe 82 për qind të anketuarve në Shqipëri mendojnë se këto vende duhet të ndjekin vetëm politika pro perëndimore dhe pro Bashkimit Europian. Kosova dhe Shqipëria janë shtetet më pro-perëndimore në Ballkan. Studimi konstaton se ky mendim në Kosovë është rritur me 10 për qind, nga 77% dy vjet më parë.
Përkrahja për orientimin euro-atlantik në rajon po lëkundet përballë vonesave të integrimit apo ndjenjave pro-ruse, megjithatë për shqiptarët drejtimi perëndimor vazhdon të vlerësohet si drejtimi i vetëm. Ndërsa për të tjerët gjërat duket se kanë ndryshuar. Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie në mbështetjen e politikave perëndimore nga 41% në 31%, Mali i Zi ka mbetur në vetëm 36 për qind, Bosnje e Hercegovina ka një rënie nga 42 për qind në 39%, ndërsa Serbia është në nivelin 10%. Qytetarët në këto katër vende, mendojnë se krahas Perëndimit duhet të mbajnë marrëdhënie me Rusinë, madje në rastin e Serbisë 12% mendojnë se Beogradi duhet të ndjekë vetëm politika pro-Ruse, kundrejt 10% politikave pro-Perëndimore.
Sa i takon integrimit në NATO spikasin Kosova dhe Shqipëria. 88% e të anketuarve në Kosovë kërkojnë anëtarësim të plotë në NATO, një rritje me 13% nga viti 2022, ndërsa 91% e shohin pozitv rolin e saj në botë. Në Shqipëri, anëtare e Aleancës prej shumë vitesh, 85% e të anketuarve mbështesin Aleancën, 91% e vlerësojnë pozitiv për vendin anëtarësimin e saj, dhe 86% e tyre e shohin pozitiv rolin e saj në botë. Mbështetja për anëtarësimin në NATO në Maqedoninë e Veriut është 52%, rreth 70% e shohin si pozitiv për vendin, dhe 65% e shohin pozitv rolin e saj në botë.
Në Mal të Zi anëtarësimin në NATO e mbështesin 61%, e shohin si të dobishëm për vendit 39% e tyre, ndërsa 55% e shohin si pozitiv rolin e Aleancës në botë. Në Bosnje e Hercegovinë 50% e të anketuarve shprehen për anëtarësim të plotë në NATO dhe 57% e shohin pozitivisht rolin e saj në botë. Ndërsa në Serbi vetëm 3% cilësojnë anëtarësimin e plotë e shprehin si të dobishëm për të ardhmen e vendit dhe vetëm 2% e shohin pozitivisht rolin e saj në botë.
Integrimin në BE e duan të gjithë. Sipas anketës së IRI-t, nëse sot do të mbahej një referendum për anëtarësimin në BE, atëherë do të votonin pro 92% e Shqipërisë, 89% e Kosovës, 79 për qind e Malit të Zi, 68% e Bosnje e Hercegovinës, 68% e Maqedonisë së Veriut, si dhe 40 për qind e Serbisë, por 34 për qind e serbëve janë gati të votojnë kundër anëtarësimit në BE. Shumica (62%) në Kosovë mendojnë se oferta e BE-së për anëtarësim ndaj vendeve të Ballkanit perëndimor është serioze. Po ashtu edhe 59% në Mal të Zi, 54% në Shqipëri dhe 44% në Bosnje e Hercegovinë. Por nga ana tjetër 54% e të anketuarve në Serbi dhe 47% e tyre në Maqedoninë e Veriut mendojnë se BE-ja nuk është serioze me këto oferta.
Sondazhi i IRI-t ikushton vëmendje edhe vlerësimeve mbi marrëdhëniet e vendeve me jashtë dhe ndikimet nga jashtë. Të anketuarit në Shqipëri cilësojnë si aleatë më të rëndësishëm për vendin SHBA-të (56%), Italinë (10%), Turqinë (8%), Kosovën (5%) dhe Gjermaninë (4%). Ata në Kosovë mendojnë si aleatë më të rëndësishëm për vendin e tyre SHBA-të (80%), Shqipërinë (6%), Gjermaninë (5%) dhe Turqinë (3%). Por Maqedonia e Veriut sheh si aleatë më të rëndësishëm Serbinë (34%), SHBA-të (17%), Turqinë (12%), Rusinë (8%) dhe Shqipërinë (5%). Edhe të anketuarit në Malin e Zi shohin si aleatë Serbinë (32%), SHBA-të (20%), Rusinë (9%), Turqinë (6%), Bosnje e Hercegovinën (3%). Në Serbi shohin si aleatë më të rëndësishëm Rusinë (46%), Kinën (14%), Hungarinë (5%), Greqinë (3%), Gjermaninë (2%). Ndërsa të anketuarit në Bosnje e Hercegovinë shohin si aleatë të rëndësishëm për vendin e tyre Turqinë (22%), Serbinë (16%), Rusinë (13%), SHBA-të (12%) dhe Kroacinë (9%).
Si kërcënimin më të madh për vendin e tyre të anketuarit në Shqipëri shohin Serbinë (36%), Rusinë (32%) dhe Greqinë (9%). Në Kosovë si kërcënim shohin Serbinë (83%) dhe Rusinë (8%). Të anketuarit në Maqedoninë e Veriut cilësojnë si kërcënim Bullgarinë (23%), Rusinë (12%), Kosovën (10%), Shqipërinë (9%) madje edhe SHBA-të (8%). Në Malin e Zi të anketuarit shohin si kërcënim për vendin e tyre SHBA-të (19%), Rusinë (17%), Serbinë (10%) madje edhe Kosovën (7%). Ndërsa në Serbi të anketuarit shohin si kërcënim SHBA-të (36%), Shqipërinë (18%), Kosovën (10%), Kroacinë (5%), Britaninë e Madhe (5%). Bosnje e Hercegovina sheh si kërcënim Serbinë (27%), SHBA-të (20%), Rusinë (15%), madje edhe Shqipërinë (3%), dhe Turqinë (2%).
Për të anketuarit në Shqipëri vendet më të favorshme janë SHBA-të (92%), Gjermania (91%), Kosova (91%), Turqia (84%), Maqedonia e Veriut (65%), Mali i Zi (64%), Kroacia (62%), madje edhe Bosnje e Hercegovina (40%), ndërsa cilësojnë si vendet më të pafavorshme Rusinë (85%) dhe Serbinë (84%).
Në Kosovë vendet më të favorshme vlerësohen SHBA-të, Gjermania, Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, ndërsa më pak të favorshmet Serbia (91%), Rusia (89%) dhe Kina (79%).
Të anketuarit në Maqedoninë e Veriut cilësuan si vendet më të favorshme Turqinë (77%), Gjermaninë (73%), Malin e Zi (72%), Kroacinë (69%), Serbinë (70%), Bosnje e Hercegovinën (66%), Kinën (56%), SHBA-të (49% /43% jo), Rusia (40% /41% jo), ndërsa më pak të favorshmit përmendin Shqipërinë (50%) dhe Kosovën (58%).
Në Malin e Zi të anketuarit vlerësojnë si të favorshëm për vendin e tyre Bosnje e Hercegovinën (75%), Serbinë (71%), Maqedoninë e Veriut (70%), Gjermaninë (68%), Kinën (66%), Turqinë (65%), Kroacinë (58%), Rusinë (55%), SHBA-të (50%). Vendet më pak të favorshme për malazezët janë Shqipëria (59%) dhe Kosova (54%).
Sipas sondazhit, në Serbi shihen si më të favorshme Rusia, Kina, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Turqia, por më pak të favorshme Shqipëria (86%), SHBA-të (75%), Kroacia (73%), Kosova (67%) dhe Gjermania (49%/).
Në Bosnje e Hercegovinë vlerësojnë si vendet më të favorshme Gjermaninë (73%), Turqinë (69%), Malin e Zi (64%), Maqedoninë e Veriut (60%), Kroacinë (53%), SHBA-të (53%), Kinën (51%) dhe Kosovën (49%), ndërsa si vendet më të pafavorshme renditin Rusinë (57%), Serbinë (56%) dhe Shqipërinë (51%).
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ndara edhe sa i takon luftës në Ukrainë. 49 për qind e të anketuarve serbë mendojnë se sulmi i Rusisë në Ukrainë është i justifikueshëm, ndërsa 37% që mendojnë të kundërtën. Në Maqedoninë e Veriut 53% mendojnë se sulmi rus ndaj Ukrainës është i pajustifikueshëm, kundrejt 33% që e justifikojnë atë. Në Mal të Zi 61% e të anketuarve e cilësojnë si të pajustifikueshëm sulmin rus ndaj Ukrainës, kundrejt 31% që e justifikojnë. Në Bosnje e Hercegovinë 65% e të anketuarve e cilësojnë sulmin rus ndaj Ukrainës si të pajustifikueshëm kundrejt 27% që e quajnë të justifikueshëm atë. Në Kosovë 72% e të anketuarve e cilësojnë të pajustifikueshëm sulmin rus ndaj Ukrainës, kundrejt vetëm 15% pro, ndërsa në Shqipëri 82% e të anketuarve e cilësojnë atë sulm të pajustifikueshëm, kundrejt vetëm 9 për qind që e justifikojnë atë. Shqipëria dhe Kosova mbajnë gjerësisht anën e Ukrainës përkatësisht me 78% dhe 73%.
Në Maqedoninë e Veriut 54% e të anketuarve shprehen se nuk mbështesin asnjërën nga palët. 54% e serbëve mbështesin Rusinë në konfliktin ushtarak, në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi janë të ndarë midis mbështetjes për Rusinë, mbështetjes për Ukrainën dhe asnjërës nga palët. Ndërsa 73% në Kosovë, 57% në Shqipëri dhe 34% në Bosnje e Hercegovinë mendojnë se Rusia është përgjegjëse për konfliktin ushtarak. 43% në Serbi, 27% në Maqedoni të Veriut mendojnë se përgjegjës është Perëndimi. Në Malin e Zi 27% bëjnë përgjegjës Rusinë dhe 26% mbajnë përgjegjës Perëndimin për atë konflikt. 68% për qind në Serbi dhe 44% në Mal të Zi mendojnë se Rusia do ta fitojë luftën, ndërsa 50% në Shqipëri dhe 47 për qind në Kosovë mendojnë se Ukraina do të fitojë.
Sondazhi i IRI-t në Ballkanin Perëndimor sjell kështu një pamje mjaft komplekse në zhvillimet e brendshme të secilit vend sa i takon ekonomisë problematike, vlerësimeve ndaj politikës dhe qeverisjes, raporteve të tensionuara apo mosbesuese mes njëri tjetrit, dhe qëndrimeve të tyre ndaj integrimeve në NATO dhe BE, apo zhvillimeve si sulmi rus ndaj Ukrainës, që ka provokuar luhatje në politikat e jashtme të kryeqyteteve në këtë rajon.
Ditën e sotme Aleanca për Teatrin, e mbështetur edhe nga opozita ka thirrur protestën e 7 para bashkisë së Tiranës ku do të kërkohet dorëheqja e kryetarit të kësaj bashkie Erion Veliajt për aferat korruptive të drejtorëve të tij skandalin e korrupsionit të njohur edhe si dosja “5D”, ku disa prej tyre tashmë gjenden prapa hekurave për vjedhjen e taksave të qytetarëve me kompaninë fantazëm “5D”.
Protesta do të fillojë në orën 11.00.
E ndërsa pritet që në protestën e sotme të ketë pjesëmarrje masive të qytetarëve të Tiranës, gjatë ditës së djeshme Policia e Tiranës bëri me dije se do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin kryesor. sn
2- Studiot televizive filluan të presin përfaqësues Rilindas.
Për ta përforcuar rrënqethjen e Naim Frashërit mes shqiptarësh se kush është fqinji i mirë dhe se kush e do bashkëpunimin, përçarja që i ka ndodhur popullsisë shqiptare bashkë me largimin gjatë viteve të Rilindjes Socialiste, janë pikërisht realizimi së prapthi i vargut të Naimit “Është koha e mirëqenies, është koha e lirisë”, sepse shqiptarët që detyrohen të emigrojnë po e zhbëjnë Shqipërinë sepse mirëqenia dhe liria po humbasin duke ja lënë vendin një elite që nuk ndahet dot prej mashtrimit, prej vjedhjes dhe prej korrupsionit të pushtetit.
Shqiptarët i gjen kudo në botë si bashkëatdhetarë e bashkëkombas, punëtorë me dinitet dhe integritet dhe që më shumë se kurrë dashurinë për Atdheun askush më shumë se Vota e Lirë nuk do të mund t’ja realizonte. Vota e Diasporës sot ka mbetur e pamundur sepse kjo përfaqësi politike dhe ky pushtet po i mashtron shqiptarët. Është mesi i muajit Maj, një vit pas zgjedhjeve vendore ku regjimi shrytëzoi çdo mjet dhe mundësi për të rrëmbyer pushtetin dhe drejtimin në pjesën dërrmuese të bashkive.Turi trazues i Ramës në Evropë me diasporën të rikujton se ai po mat forcat e zgjedhjeve të ardhshme.
14 Maj, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një intervistë ekskluzive në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV nuk pranoi të komentojë veprimet e Edi Ramës, për shkak të pozicionit të saj, por nuk e la edhe pa e thënë një ‘thumb’ për kryeministrin e Shqipërisë.
Sipas Gërvallës, rruga nga Tirana në Beograd kalon gjithmonë nëpër Prishtinë. Kush se kupton, nuk ka kuptuar asgjë.
‘Kryeministri i Shqipërisë mund të bëjë shumë më tepër.
Dua të them një fjali që ua them të gjithë zyrtarëve nga Shqipëria; mos harroni asnjëherë që rruga nga Tirana në Beograd gjithmonë kalon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, por edhe politikisht.
Politikanët të cilët nuk e kuptojnë që rruga Tiranë-Beograd kalon nëpër Prishtinë, nuk kanë kuptuar asgjë nga gjeopolitika dhe interesat e të gjithë shqiptarëve të rajonit tonë’, tha Donika Gërvalla në SYRI TV.
Lajmet me interesante
-
Historinë e Vatrës e shkruejnë historianët dhe s’kanë me mujtë kurrë me shkrue interesaxhijtë e kohës!! Nga Agim Rexhaj
May 9, 2024
-
Artistja e madhe regjisore e Teatrit Poetik: Mall për Vendlindjen – Shfaqja 16 Maj
May 13, 2024
-
Mori pjesë në takimin e Ramës në Athinë, jep dorëheqje drejtori i Teatrit Bylis në Fier
May 14, 2024
-
Festa Shqiptare e Ditës së Lirisë në Westchester Nga Idriz Lamaj
May 9, 2024
-
Bodinaku i thërret Veliajt: Ku e ke lulishten 1 Maji, bar Sahatin, kinematë?! Ku e ke Teatrin, o kriminel?!
May 14, 2024
-
Ndahet nga jeta shkrimtarja nobeliste kanadeze Alice Munro
Lajmet e fundit
-
Populizmi, Propaganda, Përndjekja; 3 PPP-të e reja të qeverisjes socialiste – Nga ALBA KEPI
By voal.ch | May 15, 2024
-
Niko Balli, kryetar i shoqatës dardhare “Shpresa”: Jemi në pritje të vizitorëve dhe mysafirëve nga të gjitha trevat- Nga Vepror Hasani
By voal.ch |
-
Hapi zjarr drejt kryeministrit Fico, autori identifikohet si shkrimtari i njohur sllovak
By voal.ch |
-
Bylykbashi: I pranueshëm votimi i Diasporës me postë ndërkombëtare
By voal.ch |
-
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku paraqitet në SPAK, po merret në pyetje
By voal.ch |
-
Plagoset kryeministri i Sllovakisë Robert Fico
By voal.ch |
Komentet