VOAL

VOAL

Me rastin e Ditës të Mësuesit Nderohet figura dhe vepra e pedagogut, albanologut Prof Dr Basil Schader

March 20, 2017

Komentet

NË NDERIM DHE KUJTIM TË PROF. BASIL SCHADER-IT (19 tetor 1951 – 10 maj 2026)

“Një poezi e mbetur si përshëndetje: “Kapellbrücke” e Ndue Sinishtajt

Ka krijime poetike që lindin nga një çast i caktuar, por që, me kalimin e kohës, fitojnë një domethënie të re. Rrethanat ndryshojnë, njerëzit largohen, ndërsa fjala e shkruar mbetet dhe, në dritën e ngjarjeve të mëvonshme, fillon të na flasë ndryshe. E tillë është sot poezia “Kapellbrücke (1367)” e poetit Ndue Sinishtaj, shkruar si një përshëndetje për prof. Basil Schader-in me rastin e daljes së tij në pension dhe e rikthyer tash, pas ndarjes së tij nga jeta më 10 maj 2026, si një homazh poetik për kujtimin dhe veprën e tij.

Në mars të vitit 2017, në Cyrih, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” në Zvicër, organizoi një mbrëmje festive në të cilën një vend të posaçëm zuri nderimi i prof. Basil Schader-it me rastin e pensionimit të tij. Ishte një shenjë mirënjohjeje për kontributin shumëvjeçar të një studiuesi zviceran që një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së vet shkencore, pedagogjike dhe njerëzore ia kushtoi gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare.

Me atë rast, nga Lucerna poeti Ndue Sinishtaj dërgoi poezinë “Kapellbrücke”. Ajo ishte atëherë një përshëndetje për një mik që po përmbyllte një etapë të jetës së tij profesionale. Sot, pas nëntë vjetësh, kur prof. Schader nuk është më fizikisht mes nesh, të njëjtat vargje marrin një tjetër peshë semantike dhe emocionale. Poezia që dikur uronte përfundimin e një etape profesionale, sot lexohet si dëshmi e kujtesës dhe e mirënjohjes ndaj një jete dhe vepre të përfunduar.

Në shenjë kujtimi dhe mirënjohjeje për prof. Basil Schader-in, i cili u nda nga jeta më 10 maj 2026 po e sjellim përsëri poezinë e Ndue Sinishtajt, ashtu siç na u dërgua për mbrëmjen e LAPSH-it mbajtur në Cyrih në vitin 2017.

KAPELLBRÜCKE

(1367)

Die Ellbogen gestüzt auf die Alten Balken, bewundere ich den kühlen Balsam des Sees.

Die Morgendämmerung erwacht.

Fern ein stummen Möve scheint ein Reiskorn auf riesigem Silberpapier. Meine Nacht wird hell.

Der Klang zerfällt in Splitter, Die Laterne wird ausgelöscht. Ein Schwan bittet mich um ein Frühstück.

Erbarme dich meiner Leere, Herr‘!

Das Tam-Tam der Brust verein seinem Rhythmus mit dem metallenem Ton der Schuhabsätze.

Ich bin ein glühender Span.

Im Spinngewebe zittern die Tautropfen. Die Leere überkommt uns. Und die Bilder sagen:

Die Zeit stürzt dahin. Und ich grüsse DICH v. Luzern, BASIL…

Auguri pensionimi! GËZUAR, Albanophil!

Ndue Sinishtaj

Në shqip

KAPELLBRÜCKE

(1367)

Me bërrylat mbështetur mbi trarët e vjetër, admiroj balsamin e freskët të liqenit.

Agimi zgjohet.

Larg, një pulëbardhë e heshtur

duket si një kokërr orizi mbi një fletë të stërmadhe argjendi. Nata ime zbardhet.

Tingulli copëtohet në thërrime, feneri shuhet. Një mjellmë më lutet për pak mëngjes.

Ki mëshirë për zbrazëtinë time, o Zot!

Rrahjet e kraharorit ndërthurin ritmin e tyre me tingullin metalik të takave të këpucëve.

Jam një ashkël e përflakur.

Në rrjetën e merimangës dridhen pikat e vesës. Zbrazëtia na pushton. Dhe pamjet thonë:

Koha vërshon tutje. Dhe unë të përshëndes TY nga Lucerna, BASIL…

Urime pensionimin! GËZUAR, Albanofil!

Ndue Sinishtaj

Duke lexuar poezinë

Poezia “Kapellbrücke (1367)” është e shkurtër në shtrirje, por e ngjeshur me përfytyrime, simbole dhe mendim poetik. Duke marrë si pikënisje urën historike Kapellbrücke të Lucernit, Ndue Sinishtaj ndërton një meditim mbi kohën, kalueshmërinë e jetës, zbrazëtinë, dritën dhe lidhjen njerëzore.

Që në titull krijohet përballja ndërmjet dy përmasave të kohës: kohës së gjatë historike, që përfaqëson ura shekullore, dhe kohës së shkurtër të jetës njerëzore. Poeti mbështet bërrylat mbi “trarët e vjetër” dhe sodit liqenin. Prekja e drurit të vjetër krijon pothuajse një kontakt fizik me të kaluarën.

Përballë tij ndodhet uji dhe mbi të lind agimi. Kështu shfaqen tri elemente themelore: druri i vjetër, uji dhe drita. Druri mbart kujtesën, uji sugjeron rrjedhjen, ndërsa drita përtëritjen.

Liqeni përjetohet si një “balsam i freskët”. Natyra nuk është vetëm diçka që soditet; ajo qetëson dhe hyn në marrëdhënie me gjendjen shpirtërore të poetit.

Një nga figurat më të bukura të poezisë është pulëbardha e largët, e cila duket si “një kokërr orizi mbi një fletë gjigante argjendi”. Sipërfaqja e liqenit shndërrohet në argjend, ndërsa shpendi në një pikë të vogël të bardhë. Përballë hapësirës së madhe të natyrës, qenia e gjallë duket fare e vogël.

Më pas vjen vargu:

“Meine Nacht wird hell.” – “Nata ime bëhet dritë.”

Fjala ime është domethënëse. Nuk është vetëm nata mbi Luzern që po merr fund. Ndryshimi i peizazhit të jashtëm bëhet edhe ndryshim i brendshëm. Agimi i natyrës shndërrohet në një lloj agimi shpirtëror.

Por në mes të bukurisë shfaqet papritur një thirrje:

“Erbarme dich meiner Leere, Herr!” – “Ki mëshirë për zbrazëtinë time, o Zot!”

Këtu poezia fiton një përmasë të thellë ekzistenciale. Pas qetësisë së liqenit dhe bukurisë së agimit qëndron një njeri i vetëdijshëm për zbrazëtinë, vetminë dhe përkohshmërinë e qenies.

Më tej, rrahjet e zemrës – ndërthurin ritmin e tyre – bashkohen me tingullin metalik të hapave mbi urë. Për një çast, ritmi i njeriut dhe ritmi i botës së jashtme bëhen një.

Pastaj poeti thotë:

“Ich bin ein glühender Span.” – “Jam një ashkël e përflakur.”

Është një figurë e fuqishme e njeriut. Ashkla është e vogël dhe zjarri i saj nuk zgjat përgjithmonë. Megjithatë, për aq kohë sa digjet, ajo jep dritë dhe nxehtësi. Përballë urës që ka përshkuar shekuj, jeta e individit është vetëm një çast – por një çast që ndien, krijon dhe lë gjurmë.

Afër fundit shfaqen pikat e vesës që dridhen në rrjetën e merimangës. Edhe ato janë të bukura pikërisht sepse janë të përkohshme: shkëlqejnë në mëngjes dhe më pas zhduken.

Në këtë pikë, zbrazëtia nuk është më vetëm e poetit:

“Die Leere überkommt uns.” – “Zbrazëtia na pushton.”

Nga “zbrazëtia ime” kalohet te “ne”. Përvoja individuale shndërrohet në një përvojë njerëzore.

Pastaj:

“Und die Bilder sagen…” – “Dhe tablotë thonë…”

Në Kapellbrücke ky varg merr një kuptim të veçantë, sepse tablotë janë pjesë e vetë kujtesës historike të urës. Ato bëhen sikur dëshmitare të brezave që kanë kaluar. Dhe ato thonë:

“Die Zeit stürzt dahin.”

Shprehja është më e fuqishme se një “koha kalon” e zakonshme. Koha rend me vrull, ikën dhe nuk kthehet.

Në rrethanën për të cilën u dërgua poezia në vitin 2017 – pensionimi i prof. Basil Schader-it – ky varg merr një domethënie të veçantë. Pensionimi shënonte fundin e një etape dhe fillimin e një tjetre.

Sot, pas ndarjes së prof. Schader-it nga jeta, vargu tingëllon edhe më prekshëm. Pa e ndryshuar kuptimin që kishte poezia kur u shkrua, koha i ka shtuar asaj një shtresë të re kuptimore.

Megjithatë, poezia nuk përfundon me zbrazëtinë dhe as me ikjen e kohës. Ajo përfundon me përshëndetjen:

“Und ich grüsse DICH v. Luzern, BASIL…”

Dhe me urimin:

“GËZUAR, Albanophil!”

Fjala “Albanophil” – “albanofil” merr një peshë të veçantë. Ajo është një përshëndetje për afërsinë dhe angazhimin e Basil Schader-it me gjuhën, arsimin dhe kulturën shqiptare.

Në këtë pikë mund të shihet edhe një simbolikë tjetër e bukur. Kapellbrücke është një urë reale, por në poezinë e Sinishtajt ajo mund të lexohet edhe si urë ndërmjet njerëzve dhe kulturave: ndërmjet Luzernit dhe botës shqiptare, ndërmjet gjermanishtes dhe shqipes, ndërmjet poetit dhe njeriut të cilit ai i drejton përshëndetjen.

Një peshë të veçantë përkujtimore këtij botimi ia jep edhe fakti se sot nuk është më mes nesh as autori i poezisë, Ndue Sinishtaj; kështu, “Kapellbrücke” mbetet jo vetëm si përshëndetja e dikurshme e poetit për prof. Basil Schader-in, por edhe si një dëshmi e qëndrueshme e miqësisë, mirënjohjes dhe kujtesës që fjala e shkruar arrin të ruajë përtej jetës së autorit dhe të njeriut të cilit i drejtohet.

Nexhmije Mehmetaj 28.09. 2026

Përkeqësohet situata e Granit Xhakës, akuzohet se mashtroi edhe në SHBA dhe rrezikon përjashtimin nga FIFA

Përkeqësohet situata e Granit Xhakës, pas skandalit që ka shpërthyer për falsifikimin e certifikatës së vaksinimit për COVID19. Mesfushori, i cili është lënë jashtë grumbullimit të Zvicrës pasi u bë publik hetimi që po zhvillohet për të në Lucernë, tashmë rrezikon edhe një përjashtim nga të gjitha aktivitete me klub dhe përfaqësuese nga FIFA.

Gjatë hetimeve ka dalë në pah se Granit Xhaka ka falsifikuar certifikatat për vaksinimin dhe i ka përdorur në një rast edhe për të udhëtuar drejt SHBA me Arsenalin, duke mashtruar kësisoj autoritetet doganore amerikane.

Një situatë e cila padyshim përbën një shkelje shumë të rëndë, që përballet me pasoja penale e ndoshta edhe sportive.

FIFA po ndjek çështjen me vëmendje dhe nëse vërtetohet penalisht kjo shkelje e Xhakës, atëherë nuk është çudi që të ndërhyjë për të dënuar mesfushorin.

Vendimet e FIFA-s janë globale e kjo do të thotë se nëse ajo vendos të pezullojë Xhakën për një periudhë të caktuar, ai nuk mund të zbresë në fushë as me Zvicrën e as me Sandërlendin derisa të shlyejë atë dënim.

PANORAMASPORT.AL

Alma Hani, mësuesja që mbjell dashurinë për gjuhën shqipe te fëmijët e diasporës në Gjermani Nga Nexhmije Mehmetaj

Alma Hani, mësuesja që mbjell dashurinë për gjuhën shqipe te fëmijët e diasporës në Gjermani

Gjuha shqipe është ura që lidh brezat e diasporës me rrënjët dhe atdheun. Këtij misioni fisnik i është përkushtuar me dashuri dhe përkushtim edhe mësuesja Alma Hani, e cila, pas një rrugëtimi të gjatë në arsim dhe një përvoje të çmuar me fëmijët shqiptarë në diasporë, tashmë ka hapur një kapitull të ri të veprimtarisë së saj në Gjermani.

Këtë shtator në Seligenstadt, ajo ka nisur mësimdhënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë, me synimin që ata jo vetëm ta mësojnë gjuhën e të parëve, por edhe ta duan, ta ruajnë dhe ta përcjellin atë brez pas brezi. Përmes mësimit të shqipes, fëmijët afrohen njëkohësisht me kulturën, historinë dhe identitetin e tyre kombëtar.

Me këtë rast, zhvilluam një bisedë me mësuesen Alma Hani për të njohur më nga afër rrugëtimin e saj nga Berati në Greqi e më pas në Gjermani, përvojën e saj si mësuese, si dhe përkushtimin ndaj ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës shqipe te brezat e rinj të diasporës.

NM : Zonja Hani, si lindi dëshira juaj për t’ua mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë në Gjermani?

Alma Hani : Dëshira për t’ua mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë në Gjermani lindi natyrshëm nga dashuria dhe përkushtimi im ndaj gjuhës shqipe dhe profesionit të mësueses. Për mua, mësimdhënia nuk është thjesht një profesion, por një mision dhe një përgjegjësi ndaj brezave të rinj.

Rrugëtimin tim si mësuese e kam nisur në Berat, për ta vazhduar më pas në Greqi, ku pata mundësinë të punoja për disa vite me fëmijët e diasporës shqiptare. Kjo përvojë më bëri të kuptoj edhe më shumë se sa e rëndësishme është që fëmijët që rriten larg atdheut të kenë mundësi ta dëgjojnë, ta flasin, ta lexojnë dhe ta shkruajnë gjuhën e prindërve dhe të gjyshërve të tyre.

Prandaj, kur erdha në Gjermani, dëshira ime ishte që këtë rrugëtim ta vazhdoja edhe këtu. Dua që fëmijët shqiptarë të ndihen krenarë për gjuhën e tyre, të njohin kulturën dhe historinë shqiptare dhe, mbi të gjitha, të ruajnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Besoj se gjuha ruhet dhe jeton atje ku flitet, shkruhet dhe u përcillet brezave të rinj. Prandaj, çdo fëmijë që ulet në bankën e klasës së gjuhës shqipe është për mua një arsye më shumë për ta vazhduar këtë mision me dashuri dhe përkushtim.

 

NM: Çfarë emocionesh përjetuat ditën kur klasa e gjuhës shqipe në Seligenstadt hapi dyert për nxënësit e parë?

Alma Hani : Ishte një ditë shumë e veçantë dhe plot emocione për mua. Të shihja fëmijët të hynin në klasë për herë të parë, me kureshtjen dhe entuziazmin e tyre, më dha një ndjenjë të madhe gëzimi dhe krenarie.

Në atë moment ndjeva edhe përgjegjësinë që kisha përpara, por mbi të gjitha një kënaqësi të madhe që po hapej një tjetër derë për fëmijët shqiptarë që të mësojnë gjuhën e tyre.

Më emocionoi veçanërisht fakti që kjo klasë po niste nga e para dhe se ishim bashkë në atë ditë të parë. Për mua, nuk ishte thjesht fillimi i një viti shkollor, por fillimi i një rrugëtimi të ri me fëmijët drejt gjuhës, kulturës dhe rrënjëve të tyre shqiptare.

 

NM : Sa interes kanë treguar prindërit dhe fëmijët shqiptarë për mësimin e gjuhës amtare?

Alma Hani : Interesi ka qenë shumë i mirë dhe kjo më ka gëzuar shumë. Prindërit e kuptojnë se fëmijët, duke u rritur në një mjedis gjermanishtfolës, kanë nevojë për mbështetje që ta ruajnë shqipen. Edhe fëmijët, kur e gjejnë mënyrën e duhur të mësimit, fillojnë ta duan gjuhën dhe të ndihen krenarë për të.

 

NM : Sa nxënës e kanë nisur mësimin dhe cilat grupmosha përfshin klasa?

Alma Hani : Mësimin e kanë nisur 22 nxënës të grupmoshave të ndryshme, nga fëmijët më të vegjël deri te ata më të rritur. Kjo e bën klasën pak më të veçantë, sepse kemi nivele të ndryshme të njohjes së shqipes. Por pikërisht kjo është edhe një sfidë që më motivon të gjej mënyra të ndryshme që secili fëmijë të përfshihet dhe të përparojë.

 

NM : Cilat janë vështirësitë më të mëdha që hasin fëmijët e lindur ose të rritur në Gjermani gjatë mësimit të shqipes?

Alma Hani :Vështirësia kryesore është se shumica e fëmijëve kanë lindur dhe janë rritur në Gjermani, ndaj gjermanishtja është gjuha që përdorin çdo ditë. Edhe prindërit, në shumë raste, janë brezi i dytë i diasporës dhe shqipja nuk është përdorur gjithmonë në mënyrë të vazhdueshme në familje.

Një tjetër veçori është se fëmijët vijnë nga familje me prejardhje nga treva të ndryshme shqiptare. Ata sjellin me vete mënyra të ndryshme të të folurit, dialekte dhe shprehje që i kanë dëgjuar në familje. Kjo është shumë e bukur nga ana kulturore, por ndonjëherë krijon edhe vështirësi kur duhet të mësojnë gjuhën standarde shqipe, sidomos në lexim dhe në shkrim.

Prandaj, puna me ta kërkon shumë durim dhe një qasje të përshtatur për secilin fëmijë. Për mua është e rëndësishme që, përveç gjuhës standarde, ata të kuptojnë se pasuria e shqipes vjen edhe nga të gjitha trevat ku ajo flitet. Në

fund të fundit, pavarësisht nga vendi apo treva nga vijnë familjet e tyre, gjuha shqipe është ajo që na bashkon.

 

NM : Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi me prindërit për ta ruajtur gjuhën shqipe brenda familjes?

Alma Hani :Bashkëpunimi me prindërit është shumë i rëndësishëm. Mësuesi mund të bëjë shumë gjatë orës së mësimit, por fëmija e mëson dhe e ruan gjuhën mbi të gjitha në familje. Prandaj, prindërit janë pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Edhe gjërat e vogla kanë shumë vlerë: të flasin shqip me fëmijët, t’i nxisin të lexojnë, të bisedojnë me gjyshërit dhe të mos kenë frikë nga gabimet. Kur shkolla dhe familja punojnë së bashku, fëmija e ndien se shqipja është e rëndësishme dhe bëhet pjesë e natyrshme e jetës së tij.

 

NM : Çfarë mbështetjeje keni marrë nga LAPSH-i i Hessenit dhe nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt?

Alma Hani: Kam ndier mbështetje dhe frymë bashkëpunimi në këtë nismë. LAPSH-i i Hessenit luan një rol të rëndësishëm në organizimin dhe zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Landin e Hessenit dhe për ne mësuesit është me vlerë të ndihemi pjesë e këtij kontributi.

Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja e institucioneve tona diplomatike, përfshirë Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt. Ajo tregon se ruajtja e gjuhës dhe e kulturës shqiptare në diasporë kërkon bashkëpunimin e mësuesve, prindërve, shoqatave dhe institucioneve.

 

NM : Nga përvoja juaj, a ekziston rreziku që brezat e rinj të diasporës ta humbasin gradualisht gjuhën shqipe?

Alma Hani: Po, mendoj se ky rrezik ekziston, sidomos për fëmijët që lindin dhe rriten jashtë trojeve shqiptare. Kur një fëmijë jeton çdo ditë në një mjedis ku përdoret një gjuhë tjetër, është e natyrshme që ajo gjuhë të bëhet më e fortë në komunikimin e përditshëm. Por unë nuk do ta shihja këtë si diçka të pashmangshme. Nëse familja flet shqip, nëse fëmija ka mundësi të mësojë në shkollën shqipe dhe nëse ai e ndien gjuhën si pjesë të identitetit të tij, atëherë shqipja mund të ruhet.

Pikërisht për këtë arsye besoj se puna jonë si mësues është kaq e rëndësishme. Ne nuk u mësojmë fëmijëve vetëm shkronjat dhe rregullat e gjuhës, por përpiqemi t’u japim edhe dashurinë për të. Sepse një gjuhë që e do, dëshiron edhe ta ruash.

NM : Çfarë do t’u thoshit prindërve shqiptarë në Gjermani që ende nuk i kanë regjistruar fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe?

Alma Hani :Do t’u thosha të mos e shohin mësimin e shqipes thjesht si një orë shtesë në javë. Është një mundësi që fëmijët të njohin gjuhën e prindërve dhe gjyshërve të tyre, të komunikojnë më lehtë me familjarët dhe të ruajnë një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. Fëmijët rriten shumë shpejt dhe ajo që nuk mësohet sot, nesër mund të jetë më e vështirë. Prandaj, do t’i ftoja prindërit t’ua japin fëmijëve këtë mundësi.

 

NM : Kur një fëmijë në diasporë arrin të lexojë e të shkruajë shqip, çfarë do të thotë kjo për ju personalisht si mësuese?

Alma Hani: Për mua është një nga kënaqësitë më të mëdha të kësaj pune. Ndoshta për dikë tjetër mund të duket si një gjë e vogël, por për një fëmijë që rritet në Gjermani, të arrijë të lexojë dhe të shkruajë shqip është një arritje shumë e rëndësishme. Në ato momente ndiej se puna dhe përkushtimi im kanë dhënë një rezultat. Është një emocion që më jep forcë për të vazhduar.

 

NM :Nëse do ta përmblidhnit me një fjali misionin tuaj, çfarë dëshironi t’u lini brezave të rinj shqiptarë që po rriten larg atdheut?

Alma Hani: Do të doja t’u lija dashurinë për gjuhën shqipe, sepse përmes saj ata ruajnë rrënjët, njohin origjinën e tyre dhe mbajnë gjallë lidhjen me vendin dhe kulturën prej nga vijnë.

 

NM: Çfarë ndjeni kur dëgjoni një fëmijë të lindur në Gjermani të lexojë, të shkruajë dhe të flasë bukur shqip?

Alma Hani : Është një emocion që nuk përshkruhet lehtë me fjalë. Ndihem e lumtur, krenare dhe, mbi të gjitha, e prekur. Sepse pas atij leximi, pas atyre fjalëve shqip, shoh shumë më tepër se një fëmijë që ka mësuar të lexojë apo të flasë. Shoh një lidhje që po ruhet me familjen, me gjyshërit, me rrënjët dhe me kulturën e tij.

Në ato momente them me vete se ia vlen çdo përpjekje. Nëse një fëmijë i lindur larg trojeve shqiptare arrin ta dojë dhe ta flasë bukur shqipen, atëherë gjuha jonë vazhdon të jetojë edhe larg atdheut.

Në fund, dua t’ju them nga zemra: shumë faleminderit për këtë intervistë, por mbi të gjitha për gjithçka që keni qenë dhe vazhdoni të jeni në rrugëtimin tim si mësuese e gjuhës shqipe.

Jeni një nga njerëzit më të çmuar që kam takuar në këtë rrugëtim dhe një këshilluese e jashtëzakonshme, nga e cila kam mësuar dhe kam marrë gjithmonë mbështetje, kurajë dhe besim.

Gjuha shqipe na bashkoi që në vitin 2013, në Seminarin Mbarëkombëtar në Ulqin, dhe që nga ajo kohë kjo gjuhë e bukur na ka mbajtur të lidhura në një mision të përbashkët: ta duam, ta mësojmë dhe ta përcjellim shqipen te brezi i ri.

Për mua, kjo njohje nuk mbeti thjesht një takim në një seminar. Me kalimin e viteve u kthye në një marrëdhënie të çmuar profesionale dhe njerëzore, në një udhërrëfim që e vlerësoj shumë.

Ju falënderoj për çdo këshillë, për çdo fjalë inkurajuese dhe për besimin që më keni dhënë. Jam mirënjohëse që rrugët tona u bashkuan pikërisht përmes gjuhës shqipe.

 

NM: E dashur Alma, ju falënderoj për këto fjalë të ngrohta dhe për këtë bisedë të sinqertë. Jam mirënjohëse që gjuha shqipe na bashkoi dhe që, pas kaq vitesh, vazhdojmë të ndajmë të njëjtën dashuri për të. Ju uroj shëndet, mbarësi dhe shumë suksese në këtë mision fisnik.

Le të vazhdojë shqipja të tingëllojë në zërat e fëmijëve tanë kudo që ata jetojnë, sepse në çdo fjalë shqip që mëson një fëmijë larg atdheut vazhdon të jetojë një pjesë e trashëgimisë sonë.

Nexhmije Mehmetaj

Xhaka pranon falsifikimin e certifikatës së COVID-it, Zvicra e ‘përjashton’: Ishte një gabim, marr përgjegjësinë

Granit Xhaka ka pranuar publikisht se gjatë pandemisë COVID-19 kishte siguruar një certifikatë vaksinimi, e cila nuk pasqyronte vaksinimin real. Kapiteni i kombëtares së Zvicrës e bëri këtë të ditur të hënën përmes një deklarate në Instagram, duke e cilësuar veprimin e tij si “një gabim”.

“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dua të shprehem personalisht”, shkroi Xhaka.

Mesfushori shpjegoi se në atë periudhë kishte pasur dyshime dhe shqetësime të mëdha në lidhje me vaksinën kundër COVID-19.

“Në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19, në atë kohë isha personalisht shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i pushtuar nga frika dhe pasiguria”, vijon deklarata.

Xhaka pranoi se, në vend që të kërkonte përgjigje përmes rrugëve zyrtare, kishte zgjedhur të siguronte një certifikatë vaksinimi.

“Sot e shoh qartë se kjo rrugë nuk ishte e duhura. Ishte një gabim. Më vjen keq. Marr përgjegjësinë për këtë vendim, do të përballem me sqarimin e plotë të çështjes dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente”, deklaroi kapiteni zviceran.

Ndërkohë, Prokuroria e Lucernës po heton çështjen dhe Xhaka pritet të merret në pyetje në fillim të tetorit.

Pasojat kanë prekur edhe kombëtaren zvicerane. Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se Xhaka nuk do të bashkohet me grumbullimin dhe do të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme të Nations League në shtator dhe tetor. sn

Image

Xhaka mohon akuzat se kishte përdorur certifikatë false COVID

 

VOAL- Siç raportohet nga Blick, zyra e prokurorit të Lucernës ka hapur procedurë penale kundër kapitenit të Zvicrës Granit Xhaka për posedim të mundshëm të një certifikate COVID të lëshuar në mënyrë të parregullt nga një mjek nën hetim në vitin 2023. Autoritetet aktualisht po hetojnë nëse mesfushori mund të ketë qenë i përfshirë në falsifikim dokumentesh, dhe ai tashmë i ka mohuar akuzat përmes zëdhënësit të tij. Nuk është vërtetuar zyrtarisht fajësia, por lojtari do t’i nënshtrohet një seance dëgjimore në fillim të tetorit. rsi

Mes Kosovës dhe Zvicrës – Rrëfimi dhe angazhimi i Arta Kryeziut Intervistoi Nexhmije Mehmetaj

Ka takime që ndodhin rastësisht, por që të shtyjnë të ndalesh e të dëgjosh një histori. Një i tillë ishte edhe takimi im me Arta Kryeziun, në Gjenevë, gjatë veprimtarisë përkujtimore kushtuar viktimave dhe personave të pagjetur të luftës në Kosovë.

Shqiptare e ardhur nga Kosova në Zvicër, ndërmjetëse ndërkulturore dhe aktiviste e palodhur e komunitetit shqiptaro-zviceran, Arta Kryeziu prej më shumë se dy dekadash e ka lidhur jetën e saj në mërgim me angazhimin qytetar, integrimin dhe ruajtjen e kujtesës. Që nga themelimi i shoqatës Jardin des disparus në vitin 2000, ajo ka qenë pjesë e kësaj nisme dhe një zë i pranishëm në veprimtaritë që mbajnë gjallë kujtimin për viktimat dhe personat ende të pagjetur.

Por pas aktivistes dhe ndërmjetëses ndërkulturore qëndron edhe historia e një gruaje kosovare që dikur erdhi si fëmijë në Zvicër, ndërtoi jetën e saj në një vend të ri dhe, njëkohësisht, nuk i shkëputi lidhjet me vendlindjen dhe komunitetin e saj.

Në këtë intervistë me Arta Kryeziun flasim për rrugëtimin e saj nga Kosova në Zvicër, sfidat e emigrimit dhe integrimit, angazhimin në komunitetin shqiptar të Gjenevës, rolin e diasporës dhe, mbi të gjitha, për një plagë që vazhdon të mbetet e hapur: fatin e personave të pagjetur të Kosovës dhe përgjegjësinë tonë për të mos i lënë në harresë.

 

NM: Kush është Arta Kryeziu dhe si nisi rrugëtimi juaj nga Kosova drejt Zvicrës?

Arta Kryeziu: Jam Arta Kryeziu, nënë e tri vajzave. Me profesion jam punëtore sociale dhe ndërmjetësuese ndërkulturore.

Rrugëtimi im drejt Zvicrës nisi në vitet ’90, kur u detyrova të largohesha nga Prishtina, në një periudhë shumë të vështirë për familjen time dhe për Kosovën. Ishte koha kur prindërit e mi u larguan nga puna, si shumë shqiptarë të tjerë të Kosovës.

Jam rritur në një familje ku atdhedashuria është kultivuar brez pas brezi, ku vlerat, përgjegjësia dhe angazhimi i pakursyer për çështjen kombëtare kanë qenë gjithmonë të pranishme.

Edhe angazhimi im buron pikërisht nga ky edukim dhe nga shembulli që kam pasur në familje. Nga stërgjyshi e deri te babai im i ndjerë, kjo frymë është përcjellë ndër breza dhe ka ndikuar thellësisht në formimin tim.

Besoj se kjo trashëgimi më ka bërë gruan dhe aktivisten që jam sot. Përpiqem që edhe unë ta përcjell këtë frymë te brezat e rinj dhe, në mënyrë të veçantë, te tri vajzat e mia. Dua që ato të shohin tek unë shembullin e një gruaje që, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të jetës, nuk është ndalur, por ka vazhduar me përkushtim rrugën dhe vlerat e trashëguara nga të parët e saj.

 

NM: Si i kujtoni vitet e para në Zvicër dhe cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat u përballët si emigrante kosovare?

Arta Kryeziu : Dy vitet e para në Gjenevë kanë qenë shumë sfiduese për mua. E kisha të vështirë ta pranoja faktin se kishim lënë Prishtinën dhe, mbi të gjitha, gjyshen me të cilën isha jashtëzakonisht e lidhur. Jetoja me shpresën se shumë shpejt do të ktheheshim.

Në fillim madje refuzoja ta mësoja frëngjishten, si një formë mospranimi të realitetit të ri. Por, me përkeqësimin e situatës në Kosovë, kuptova se jeta jonë do të ndërtohej në Gjenevë dhe se gjuha ishte çelësi i integrimit.

Rrugëtimi nuk ishte i lehtë, sepse shpesh jam ndier e konsideruar si e huaj. Megjithatë, duke ruajtur vlerat familjare dhe kombëtare dhe duke përqafuar njëkohësisht vlerat e shoqërisë zvicerane, arrita të ndërtoj identitetin tim mes dy kulturave. Sot, pikërisht ky identitet më bën të ndihem krenare dhe e vlerësuar.

 

NM: Sot jeni ndërmjetëse ndërkulturore në Gjenevë. Çfarë do të thotë për ju kjo punë dhe sa ju ka ndihmuar përvoja juaj personale si emigrante për t’i kuptuar njerëzit që mbështesni?

Arta Kryeziu: Përvoja ime si emigrante më ka ndihmuar shumë në punën si ndërmjetëse ndërkulturore. Duke qenë se edhe vetë kam kaluar nëpër sfida të ngjashme, e kam më të lehtë t’i kuptoj përjetimet e njerëzve, të krijoj empati dhe të kuptoj kodet e ndryshme kulturore.

Roli im nuk është t’u jap palëve zgjidhjen, por t’i dëgjoj, t’i orientoj dhe t’i shoqëroj drejt një zgjidhjeje që ata vetë e ndërtojnë. Për mua, ndërmjetësimi ndërkulturor kërkon njohjen dhe respektimin e kulturave të ndryshme, por para së gjithash njohjen e thellë të kulturës dhe identitetit tënd

 

NM: Si e shihni sot integrimin e komunitetit shqiptar në Gjenevë dhe në shoqërinë zvicerane? Çfarë kemi arritur dhe ku mbeten ende sfida?

Arta Kryeziu: Ne shqiptarët po i tejkalojmë gjithnjë e më shumë paragjykimet dhe po integrohemi mirë në shoqërinë zvicerane. Por besoj se integrimi duhet të bëhet me hapa të sigurt, sepse të integrohesh nuk do të thotë të harrosh prejardhjen, kulturën dhe identitetin tënd. Sa më të forta t’i kemi rrënjët, aq më të sigurt ecim përpara.

Një nga sfidat tona kryesore mbetet përcjellja e gjuhës, kulturës dhe vlerave tona te brezat e rinj, pa i penguar ata të ndërtojnë të pavarur jetën e tyre në shoqërinë zvicerane. Duke krijuar mirëkuptim dhe respekt ndërmjet brezave, mund të kemi një integrim të shëndetshëm, pa humbur atë që jemi.

 

NM: Ju jeni pjesë e shoqatës Jardin des disparus që nga themelimi i saj në vitin 2000. Si nisi ky angazhim dhe çfarë ju ka bërë t’i qëndroni besnike kësaj kauze për më shumë se 25 vjet?

Arta Kryeziu: Angazhimi im në Jardin des disparus – Kopshti i të Zhdukurve nisi përmes babait tim, i cili, së bashku me veprimtarë të tjerë, ishte i përfshirë që nga themelimi i shoqatës. Duke e shoqëruar vazhdimisht në aktivitete, edhe unë u bëra pjesë e saj, fillimisht si anëtare e komitetit dhe më pas edhe si bashkëkryetare.

Ajo që më ka mbajtur të lidhur me këtë kauzë për më shumë se 25 vjet është fakti se fati i shumë personave të zhdukur ende nuk është zbardhur. Familjet kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre dhe ne kemi përgjegjësi që zëri i tyre të vazhdojë të dëgjohet.

Sot përpiqemi që përmes shoqatës të jemi një urë lidhëse mes Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare. Po punojmë gjithashtu në mbledhjen dhe plotësimin e dokumentacionit për personat e zhdukur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës. Për mua, ky angazhim do të vazhdojë për aq kohë sa familjet presin përgjigje.

 

NM: Çfarë përfaqëson për ju Jardin des disparus dhe çfarë mesazhi përcjell ekzistenca e tij këtu në Gjenevë?

Arta Kryeziu: Jardin des disparus – Kopshti i të Zhdukurve është për mua një vend kujtese, solidariteti dhe shprese. Ai u krijua më 7 tetor 2000 nga familje të personave të zhdukur nga vende të ndryshme të botës. Në inaugurimin e tij u mbollën pesë pemë, nga një për secilin kontinent, me dhe të sjellë nga vende të ndryshme. Mes tyre ishte edhe dheu i sjellë nga Kosova.

Nuk është rastësi që ky vend ndodhet në Meyrin, një komunë ku bashkëjetojnë mbi 140 kombësi dhe ku shumë njerëz kanë gjetur strehim pasi janë detyruar të largohen nga vendet e tyre.

Ky kopsht na kujton se zhdukja me forcë nuk njeh kufij apo kombësi. Ai mban gjallë kujtesën për të zhdukurit dhe përcjell një mesazh të fuqishëm: familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe ne nuk duhet të reshtim së kërkuari zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.

 

NM: U njohëm pikërisht në një veprimtari kushtuar viktimave dhe personave të pagjetur. Çfarë ndjeni ju personalisht sa herë merrni pjesë në një tubim të tillë?

Arta Kryeziu: Sa herë marr pjesë në një tubim të tillë, ndiej dhimbje, përgjegjësi, por edhe nevojën për të mos heshtur. Çështja e personave tanë të zhdukur duhet të jetë mbi bindjet politike, dallimet dhe egot personale.

Kjo është një kauzë që duhet të na bashkojë. Vetëm duke i bashkuar forcat dhe duke e mbajtur këtë çështje si prioritet të përbashkët, mund ta bëjmë zërin e familjeve më të fuqishëm dhe të kontribuojmë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.

 

NM: Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa familje të shumta ende presin të mësojnë fatin e të afërmve të tyre. Çfarë mendoni se u detyrohemi këtyre familjeve?

Arta Kryeziu: Ne që sot gëzojmë lirinë, u detyrohemi dëshmorëve, të zhdukurve dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për vendin tonë.

Familjeve të personave të pagjetur u detyrohemi respekt, solidaritet dhe, mbi të gjitha, përpjekje të pandërprera për të vërtetën dhe drejtësinë. Dhimbja e tyre nuk duhet të harrohet dhe pritja e tyre nuk mund të mbetet pa përgjigje

 

NM: Si mund ta ruajmë kujtesën për viktimat dhe të pagjeturit pa kultivuar urrejtje, por njëkohësisht pa lejuar që e kaluara të harrohet?

Arta Kryeziu: Besoj se urrejtja ushqehet pikërisht aty ku e vërteta mohohet dhe e kaluara harrohet.

Prandaj, sa më mirë ta njohim dhe ta kujtojmë historinë tonë, edhe kur ajo na rikthen dhimbjen dhe traumat, aq më shumë krijojmë hapësirë për të vërtetën dhe drejtësinë, e jo për urrejtjen.

Të ruash kujtesën nuk do të thotë të kultivosh hakmarrjen. Do të thotë të nderosh viktimat, të kërkosh drejtësi dhe të mos lejosh që ajo që ka ndodhur të mohohet apo të harrohet.

 

NM: Ju keni qenë vazhdimisht e pranishme në jetën e komunitetit shqiptaro-zviceran. Si ka ndryshuar diaspora shqiptare në Gjenevë gjatë këtyre viteve dhe çfarë roli duhet të ketë ajo sot?

Arta Kryeziu: Kam qenë pjesë e jetës së komunitetit shqiptar në Gjenevë që në moshë të re, fillimisht përkrah prindërve të mi Hevzi dhe Besime Kryeziu dhe më pas përmes shoqatave e organizimeve të ndryshme shqiptare. Përmes tyre, diaspora jonë ka bërë shumë për ruajtjen e kujtesës, promovimin e kulturës, gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Sot mendoj se ky aktivitet është zbehur disi. Ndoshta sepse lufta ka përfunduar dhe komuniteti ynë është integruar më shumë në shoqërinë zvicerane. Por nuk duhet të harrojmë se integrimi i mirëfilltë është më i lehtë kur je i rrënjosur dhe në paqe me identitetin tënd.

Sfida jonë më e madhe sot janë brezat e rinj. Duhet t’u përcjellim gjuhën, historinë dhe kulturën tonë, duke i ndihmuar njëkohësisht të jenë pjesë aktive e shoqërisë zvicerane. Për këtë duhet të bashkohemi përtej dallimeve politike apo fetare dhe, mbi të gjitha, ta fuqizojmë shkollën shqipe.

Sepse gjuha është një nga urat më të forta që i lidh fëmijët tanë me rrënjët e tyre.

 

NM: Çfarë do t’u thoshit të rinjve shqiptarë të lindur apo të rritur në Zvicër, të cilët Kosovën dhe historinë e saj e njohin kryesisht përmes rrëfimeve të prindërve dhe gjyshërve?

Arta Kryeziu: Të rinjve shqiptarë do t’u thosha: “Rrënjësohuni, nëse doni të integroheni mirë.”

Njiheni gjuhën, historinë dhe kulturën tuaj, kultivoni vlerat shqiptare dhe ndërthurini ato me vlerat e shoqërisë zvicerane. Kështu do të ndërtoni një identitet të plotë dhe do të vlerësoheni edhe më shumë në vendin ku jetoni.

Një mesazh kam edhe për gjyshërit: kaloni sa më shumë kohë me nipërit dhe mbesat tuaja. Ju jeni kujtesa, rrëfimi dhe dëshmia e së kaluarës. Përmes dashurisë dhe historive tuaja, ua transmetoni brezave të rinj atë që asnjë libër nuk mund t’ua përcjellë në të njëjtën mënyrë.

Sepse rrënjët ruhen jo vetëm duke treguar se nga vijmë, por duke ua bërë të rinjve ta ndiejnë se asaj historie i përkasin edhe ata.

 

NM: Pas gjithë këtij rrugëtimi, çfarë është Kosova për Arta Kryeziun sot, çfarë është Zvicra dhe cili është mesazhi që dëshironi t’ua përcillni shqiptarëve të diasporës?

Arta Kryeziu: Pas gjithë këtij rrugëtimi, për mua Kosova janë rrënjët, familja është trungu, ndërsa Zvicra janë degët ku kemi ndërtuar jetën tonë. Shoqatat, komuniteti dhe angazhimi ynë janë gjethet që e mbajnë këtë pemë të gjallë.

Mesazhi im për shqiptarët e diasporës është që të mos i harrojmë kurrë rrënjët tona, por njëkohësisht të japim më të mirën nga vetja në vendin ku jetojmë. Të jemi të bashkuar, sepse vetëm një pemë me rrënjë të forta, trung të qëndrueshëm dhe degë të shëndosha mund të japë fryte.

Le të jemi ne dhe brezat që vijnë frytet e kësaj peme të përbashkët.

 

Nexhmije Mehmetaj: Faleminderit që ndatë me ne jo vetëm rrugëtimin tuaj personal nga Kosova në Zvicër, por edhe përvojën, angazhimin dhe përkushtimin tuaj shumëvjeçar ndaj komunitetit, ruajtjes së identitetit dhe kujtesës për personat e pagjetur

Në Gjenevë u shënua Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë Nga Nexhmije Mehmetaj

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Jardin des Disparus”, organizoi një program të veçantë përkujtimor me ekspozitë, diskutime dhe shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija”. Në qendër të veprimtarisë ishte thirrja për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe e drejta e familjeve për të ditur të vërtetën.

Gjenevë, 30 gusht 2026 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Jardin des Disparus” (Kopshti i të Zhdukurve), organizoi një sërë aktivitetesh përkujtimore kushtuar viktimave të zhdukjeve me forcë dhe familjeve që prej vitesh vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.

Përmes artit, dëshmive dhe diskutimeve, veprimtaria solli në vëmendje jo vetëm plagën ende të hapur të personave të zhdukur në Kosovë, por edhe dimensionin ndërkombëtar të zhdukjeve me forcë dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve për të vërtetën dhe drejtësinë.

Ekspozita “Ende duke pritur?” hap programin përkujtimor

Programi nisi në orën 11:00, në Ferme de la Golette në Meyrin, me ekspozitën e artistit Artan Korenica, të titulluar “Ende duke pritur?”. Vetë titulli i ekspozitës përcolli një nga mesazhet qendrore të ditës: pritjen e gjatë dhe të dhimbshme të familjeve që ende nuk kanë marrë përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

Në hapje të aktivitetit, fjalën kryesore e mbajti Konsullja e Përgjithshme Floreta Kabashi, e cila rikujtoi se, edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, çështja e personave të zhdukur vazhdon të mbetet një plagë e hapur.

Njëzet e shtatë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999, dhe tërheqjes së forcave serbe, fati i më shumë se 1,500 personave në Kosovë vazhdon të mbetet i pazbardhur, theksoi Kabashi.

Ajo rikujtoi se Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me Rezolutën 65/209 të vitit 2010 dhe shënohet që nga viti 2011.

Ambasadori Mentor Latifi: Për familjet, pritja vazhdon

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, vuri në pah dhimbjen dhe pritjen e familjeve, të cilat edhe pas afro tri dekadash vazhdojnë të kërkojnë përgjigje.

Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës kjo çështje vazhdon të jetë një kapitull i hapur, u shpreh Latifi.

Ai theksoi se ky kapitull nuk mund të konsiderohet i mbyllur derisa të gjendet edhe personi i fundit, duke nënvizuar përgjegjësinë institucionale dhe njerëzore për vazhdimin e kërkimeve dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

“Jardin des Disparus”, një vend kujtese për familjet nga e gjithë bota

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua edhe historisë dhe misionit të shoqatës zvicerane “Jardin des Disparus”.

Jenny Bettancourt paraqiti një historik të kësaj nisme, e cila u përurua më 7 tetor 2000 në Parc de la Golette, me mbështetjen e Komunës së Meyrin-it.

“Kopshti i të Zhdukurve” është konceptuar si një hapësirë kujtese kushtuar viktimave të zhdukjeve me forcë në mbarë botën, pavarësisht prejardhjes apo kombësisë së tyre. Ai u ofron familjeve dhe të afërmve një vend simbolik ku mund të kujtojnë të dashurit e tyre, veçanërisht atyre që nuk kanë një varr ku të vendosin një lule apo të bëjnë homazhe.

Në një komunë si Meyrin-i, ku bashkëjetojnë rreth 140 kombësi, kjo hapësirë ka marrë një domethënie të veçantë. Shumë banorë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën dhe Ballkanin, bartin histori familjare të lidhura me zhdukjet me forcë. Nder ta edhe shqiptarë nga Kosova.

Në vitin 2000 aty u vendos një stelë përkujtimore e projektuar nga Jenny Bettancourt, ndërsa më vonë hapësira u plotësua me skulpturën “Pikëpyetje” të artistes Anne Blanchet – një simbolikë që përkon me pyetjen që mijëra familje në mbarë botën vazhdojnë ta bëjnë: Ku janë të dashurit tanë?

Me një fjalë rasti të pranishmeve iu drejtua edhe Linda Rexhaj Maliqi, në emër të Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, duke përcjellë gjithashtu në gjuhën shqipe mesazhin e znj. Bettancourt,

Vlerësohet kontributi i shqiptarëve në Gjenevë

Gjatë aktivitetit u veçua edhe kontributi i Arta Kryeziut, anëtare e “Jardin des Disparus” që nga themelimi i shoqatës. E shkolluar dhe e integruar në Gjenevë, Kryeziu ndër vite ka kontribuar në veprimtarinë e shoqatës, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen e saj të fortë me Kosovën.

U vlerësua gjithashtu angazhimi i Xhevrie Osmanit, kryetare e Komunës së Meyrin-it, për kontributin e saj në shoqërinë zvicerane dhe për afërsinë e bashkëpunimin me komunitetin shqiptar.

Tryezë diskutimi për fatin e personave të zhdukur

Programi vazhdoi në orën 18:00 me një tryezë diskutimi, në të cilën morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile. U drejtua nga z. Valon Kurteshi.

Përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Agron Limani dhe Kushtrim Gara, paraqitën një pasqyrë të punës së zhvilluar dhe të përpjekjeve që vazhdojnë për kërkimin, identifikimin dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta në Kosovë.

Ndërkaq, Catherine Haus, drejtuese e shoqatës “Jardin des Disparus”, foli për misionin dhe veprimtarinë e organizatës, si dhe për përpjekjet e saj që çështjen e personave të zhdukur ta adresojë edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Haus foli gjithashtu për kontributin e shqiptarëve në këtë shoqatë dhe për bashkëpunimin e krijuar me Kosovën. Ajo rikujtoi se një delegacion i organizatës ka vizituar Kosovën, ndërsa në kuadër të angazhimit të saj janë shpërndarë edhe formularë për dokumentimin e rasteve të personave të zhdukur, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale.

Dokumentari “Ferdonija” përmbylli aktivitetin

Në orën 20:00, programi u përmbyll me shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija”, duke e mbyllur simbolikisht një ditë të mbushur me kujtesë, dëshmi dhe thirrje për drejtësi.

Aktiviteti u mbështet fuqishëm edhe nga Komuniteti Shqiptar i Gjenevës (KSHGJ), i drejtuar nga kryetari Nasuf Nuhiu, duke dëshmuar angazhimin e diasporës shqiptare në ruajtjen e kujtesës dhe në mbështetjen e kauzës së personave të zhdukur.

Veprimtaria e 30 gushtit në Gjenevë përcolli një mesazh të qartë: koha nuk e shuan të drejtën e familjeve për të ditur të vërtetën. Përderisa fati i personave të zhdukur mbetet i pazbardhur, pritja e familjeve vazhdon dhe bashkë me të edhe detyrimi për të kërkuar përgjigje, drejtësi dhe përgjegjësi.

Sepse pas çdo numri qëndron një emër, një familje dhe një histori që ende pret një përgjigje.

Nexhmije Mehmetaj

                                                                   

Joseph DioGuardi President i Kosovës- Nga GANI QARRI, Zyrih

 
Edhe njëherë për z. Joseph DioGuardi-President!
 
Lajmi i mirëpritur se ish-kongresisti i mirënjohur dhe kryetari shumëvjeçar i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, z. Joseph DioGuardi bashkë me zonjën e tij Cloyes DioGuardi do të vizitojnë vendin tonë me ç`rast nga kryeministri Kurti ata do të marrin edhe pasaportën e Republikës së Kosovës, pas shkrimit të publikuar më 11 dhe 22 prill të këtij viti, më frymëzoi edhe më tepër, të përsërisë dhe njëherë publikisht kërkesën time të sinqertë që ky atdhetar i madh dhe kontributdhënës i jashtëzakonshëm i çështjes kombëtare shqiptare, në shenj nderimi ndaj gjithë veprimtarisë së tij shumëvjeçare dhe nevojës imediate që ka aktualisht vendi ynë i brishtë, për emërimin e një personaliteti konsensual për të parin e shtetit, sapo ta marr në dorë pasaportën e Dardanisë, pa humbur asnjë minutë kohë më shumë, veterani i devotshëm i çështjes kombëtare shqiptare z.Josepch DioGuardi të zgjidhet me aklamacion në Kuvend dhe të dekorohet me ceremoni zyrtare në postin e merituar të presidentit të Republikës së Kosovës!
 
Shqiptaro arbëreshi i shquar Joseph DioGuardi u lind më 20 shtator të vitit 1940 në Bronks të Nju Jorkut dhe erdhi në jetë si fëmijë i një babai shqiptar, familja e të cilit kishte emigruar herët nga Shqipëria në fshatin Greçi afër Napolit që njihet si fshati më i vjetër shqipfolës në Itali, prej nga i ati Joni në vitin 1929 u vendos në Amerikë ku u lind, shkollua dhe më 1962 edhe diplomoi me rezultate të shkëlqyera z.Josepch DioGuardi.
 
Joseph DioGuardi ishte anëtari i parë shqiptaro-amerikan me të drejtë vote në Kongresin e SHBA-ve, i cili në vitin 1989 themeloi edhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civil League), organizatën e parë të këtij lloji në SHBA dhe pa asnjë dyshim, ai vijon të mbetet edhe aktualisht avokati më i mirë i popullit shqiptare të Kosovës në SHBA,
 
Ndërsa Shirley Cloyes DioGuardi, bashkëshortja e Joseph DioGuardi-t, përveçse dallohet si “Këshilltare për Çështjet e Ballkanit”, ajo e ka ndihmuar dhe vijon ta ndihmojë z.DioGuardi edhe në udhëheqjen e suksesshme të kësaj organizate famëmadhe shqiptare.
 
Z. DioGuardi me punë të palodhur e angazhim të pareshtur, mbledhjen e vazhdueshme të dëshmive autentike mbi represionin kriminal serb, që asokohe kishte arritur përmasa të tmerrshme dhe ushtrohej në përditshmëri ndaj shqiptarëve të pambrojtur, si dhe organizimin e seancave të veçanta dëgjimore në Kongresin amerikan, arriti përfundimisht ta shfaqte me sukses, të vërtetën reale dhe të krijonte perceptimin e qartë politik, shoqëror e mediatik te opinioni i gjerë amerikan mbi padrejtësitë që kryheshin sistematikisht ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, FYROM, Mal të Zi dhe Kosovën Lindore.
 
DioGuardi,që atëherë me shumë punë e përkushtim arriti ta bënte me sukses edhe sensibilizimin e institucioneve më të larta shtetërore amerikane mbi shkeljet drastike të të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve kudo në Ballkan.
 
Ishte viti 1987 kur Joseph DioGuardi si i pari shqiptaro-amerikan i zgjedhur në Kongresin Amerikan, përmes një Rezolute të sponsorizuar prej tij personalisht në Kongres, arriti të fuste në rendin e ditës, dhe ndikonte në organizimin e seancës së parë të Kongresit të SHBA-ve për Kosovën, ku po ashtu, për herë të parë, u shpalosën edhe në Kongresin amerikan, të gjitha barbaritë serbe të kasapit Millosheviq, që ushtroheshin dhe kryheshin sistematikisht kundër shqiptarëve të pambrojtur, në Kosovën e okupuar prej Serbisë fashiste.
 
Siç dihet edhe nga historia jonë e afërt,në fundin e shekullit XX e veçanërisht në vitet 1987-1998-1989, çështja shqiptare në Ballkan u përball me sfidat më të mëdha politike, që kishte njohur vendi asokohe, duke quar Kosovën dhe popullin e saj deri buzë greminës ekzistenciale, vënë në pikëpyetje mbijetesën kombëtare dhe rrezikuar humbjen e territoreve edhe të pothuajse gjysmës tjetër të popullit shqiptar, që mbahej ende me forcë nën thundrën e egër të pushtimit serbosllav.
 
Andaj veçanërisht në ato momente të rënda që kalonte Kosova, ishte fat i madh për shqiptarët, që kishin zërin e tyre në Kongres, një zë i fort dhe kumbues e thellësisht autokton, i burrit më besnik arbëresh që në momentet më të vështira do ti vinte në ndihmë pa kursim Dardanisë së shumëvuajtur për çlirimin, pavarësinë, krijimin e shtetit të lirë të Kosovës, si dhe garantimin e fatit të kombit shqiptar-në shekullin e ri, siç do shprehej edhe vet z. DioGuardi!
 
Në kohën kur Joseph DioGuardi filloi aktivitetin e tij politik, nga 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, siç dëshmonte ai vet, vetëm 12 përfaqësues dinin fare pak për gjendjen e rëndë që asokohe mbretëronte në Kosovën e pushtuar nga Serbia fashiste.
 
Dhe siç do ta shpjegonte z.DioGuardi edhe në një intervistë të dhënë në vitin 2000, përveç kongresmenit Tom Lantos, dhe 12-të përfaqësuesit amerikan që dinin pak për Kosovën, asokohe nuk ishin në dijeni se Kosova popullohej nga shumica dërrmuese shqiptare.
 
Madje as ata 12-të dhe asnjë nga kongresistët tjerë amerikan, ato vite të vështira që kalonin shqiptarët nën okupimin serb, nuk ishin të informuar në detaje për keqtrajtimin e rëndë dhe shtypjen e pashembullt, që ndaj shqiptarëve autokton të Kosovës, ushtroheshin çdo ditë nga Serbia okupatore.
 
Ishte z.Joesph DioGuardi, ai i cili pikërisht në gjendjen më të trishtueshme të okupimit klasik nëpër të cilën po kalonte Kosova nën robërinë e Serbisë fashiste, i vuri në dijeni Kongresin dhe institucionet tjera shtetërore të SHBA-ve mbi të gjitha sa ndodhnin mbi kurrizin e shqiptarëve të pambrojtur në Kosovën e pushtuar.
 
Kështu që lajmi në kohët më të vështira të okupimit klasik nga Serbia fashiste, se shqiptarët kishin zërin e tyre autokton në Kongresin amerikan, ishte një rilindje e dytë, veçanërisht për shqiptarët e shumëvuajtur të Kosovës.
 
Aktiviteti dhe kontributi i pareshtur, i z. DioGuardi, bëri bujë të madhe atëherë e vazhdon të jehojë edhe sot me shumë përkushtim e dinjitet të lart, ndaj të vetmin opsion të padiskutueshëm për tejkalimin e problemit aktual të presidentit në vendin tonë, unë përsëri e shoh zgjedhjen e z.Josepch DioGuardit si personalitetin më të merituar për të parin e shtetit të Kosovës.
 
DioGuardi është njëri prej politikbërësve më aktiv mbarëshqiptar, që në vazhdimësi ka bërë shumë për çështjen kombëtare, dhe ai edhe sot vijon të mbetet avokati më i mirë i popullit shqiptare të Kosovës në SHBA. 
 
J. Dioguardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi mbeten liderët më të fuqishëm dhe udhëheqësit e lobit më të suksesshëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbrojtës të flaktë dhe zëdhënës fascinues e të paepur të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, FYROM, Mal të Zi dhe Çamëri.
 
Josepch dhe Shirley Cloyes DioGuardi kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe për realizimin e pavarësisë së Kosovës të ardhmen e sigurt të shtetit të lirë- Dardan, si dhe garantimin e fatit të mbarë kombit shqiptar-në shekullin e ri, siç do shprehej edhe vet z. DioGuardi!
 
Ai duke shërbyer në institucionet politike dhe shtetërore amerikane ka kontribuuar aq shumë për çështjen shqiptare dhe jetësimin e pavarësisë së Kosovës, sa nuk ka edhe një shembull tjetër as të përafërt, në trojet shqiptare dhe jashtë tyre, kudo në botë.
 
Një personalitet i shquar e me përvojë të bujshme politike dhe një biografi të pastër kombëtare që ishte edhe senator i shtetit të Nju Jorkut, i cili falë mbështetjes së Presidentëve Ronald Reagan, Gerald Ford, Gjorgj Bushit të vjetër etj, arriti të zhvillonte një karrierë të shquar diplomatiko-politike, të cilën e shfrytëzoi me mjeshtri të pashembullt për ti dal zot, në ditët më të vështira, popullit shqiptar dhe çështjes kombëtare.
 
DioGuardi kontaktoi presidentët amerikanë, sekretarët e tyre të shtetit, anëtarët kryesorë të Kongresit të SHBA-ve, republikanë e demokratë, dhe përfaqësues e udhëheqës të lartë ndërkombëtar kudo në botë, për të mbështetur  sa më gjithanshëm shqiptarët nën okupimin serbosllav dhe avancuar fuqimisht çështjen e Kosovës dhe pavarësisë së saj. 
 
Në bashkëpunim të ngushtë me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA-së, Josepch DioGuardi paraqiti dhjetëra rezoluta mbi çështjen kombëtare shqiptare.
 
Kurse në maj të vitit 1990 bashkë me Tom Lantos-in vizitoi edhe Kosovën duke u bërë dy zyrtarët e parë të lartë amerikanë që në vendin e ngjarjes mësuan situatën tmerruese politike, duke e parë me sytë e vet, nga afër.
 
Në gusht të vitit 1990, z.DioGuardi ishte bashkë me z. Bob Doll në Kosovë, ndërsa më 1998 bashkë me DANA ROCHBACHER vizituan Kosovën për tu informuar nga dora e parë, mbi krizën e trishtueshme humanitare të shkaktuar nga Serbia në Kosovë, etj,.
 
Josepch DioGuardi u bë njëri ndër zërat më të fuqishëm pro-shqiptar në Kongresin Amerikan dhe ngriti nivelin e informimit deri në ato përmasa, sa që arriti të garantojë mbështetje gjithnjë e më të madhe edhe në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA-ve, të cilët u ngritën në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe mbështetjen me fakte të pavarësisë së Kosovës. 
 
Me prezantimin permanent të rezolutave për Kosovën në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve dhe Kongresin Amerikan, Joseph DioGuardi hapi një etapë të re, të panjohur deri atëherë në historinë e shqiptarëve, për avancimin e çështjes kombëtare dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi serb, akte të cilat e bëjnë z. DioGuardi avokatin më të suksesshëm në mbrojtjen publike të çështjes mbarëkombëtare të shqiptarëve dhe shembullin më madhështor pozitiv i cili do të mbahet mend nga historia jonë kombëtare në të gjitha trojeve tona etnike, për të arriturat e shqiptarëve në dy shekujt e fundit.
 
Kontributi i tij i vazhdueshëm për mese 4 dekada në politikën e SHBA-ve dhe angazhimet e pareshtura në arenën ndërkombëtare, e bëjnë z. DioGuardi personalitet të veçantë dhe kandidat të pakonkurencë për president të Kosovës.
 
Ai përveç kontributit të jashtëzakonshëm në të gjitha kohët për Kosovën dhe shqiptarët edhe pas emërimit të tij për president të vendit tonë dhe përfaqësimit zyrtar të Republikës së Kosovës, në diplomacinë ndërkombëtare, Joseph DioGuardi do ta gëzojë edhe mbështetjen e plotë amerikane dhe përkrahjen e pakursyer të miqve të shumtë e më të fuqishëm ndërkombëtar të SHBA-ve dhe shteteve më të mëdha të demokracisë botërore.
 
Kështu që Qeveria dhe institucionet tona shtetërore, në shenj nderimi e respekti dhe meritave të pakontestueshme që ky burrë ka për kontributin madhor  të dhënë ndër dekada për Kosovën, përveç pajisjes së z. DioGuardi me pasaportë e të gjitha dokumentet e nevojshme personale duhet ta shpallin zyrtarisht shtetas rezident dhe President të Republikës së Kosovës.
 
Dhe deputetët e të gjitha partive shqiptare pa dallim, që në seancën e parë konstituive të Kuvendit menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit e zëvendëskryetarëve të Kuvendit, para se të votohet Qeveria, ta votojnë me aklamacion z. Josepch DioGuardi për president të Kosovës, si njeriun më meritor, në mënyrë që nga aktiviteti i tij, shumëvjeçar patriotik, tani ta dëshmojë veten edhe në aktivitet të suksesshëm politik e diplomatik për shqiptarët dhe Kosovën, në SHBA, Evropë e më gjerë, pa kontributin e të cilit, Kosova, me siguri nuk do të ishte kjo që është sot, e ndoshta as vend i lirë dhe shtet i pavarur.
 
Derisa jemi dëshmitar që zgjedhja e presidentit nga kasta aktuale politike në Kosovë, është kthyer në luftë të hapur ndërpartiake dhe garë intrigash e prapaskenash më obstruktive për futjen e përçarjeve ndërmjet shqiptarëve dhe rrezikimin ekzistencial të shtetit të krijuar me aq shumë gjak e mund, votimi i z.DioGuardi për president, do të rivendoste edhe qëndrueshmërinë e munguar politike, shuan potencialet për destabilizim të vendit dhe shkaktimin e kaosit e përtëritjen e konflikteve të brendshme, si dhe menjanon rikthimin e ndikimit të Serbisë në vendin tonë.
 
Ndryshe në Kosovë nuk mund të krijohet unitet as të ecet përpara me ata që për më tepër se një vit, luajtën me shtetin, krijuan ngërçe të pareshtura politike dhe shkaktuan bllokada të vazhdueshme institucionale.  
 
Prandaj, u bëj thirrje publike edhe njëherë të gjitha partive shqiptare që ti lënë anash mërit e zënkat politike dhe të mos humbin më shumë kohë me njerëz të konsumuar partiak, të cilët nuk i njeh askush jashtë vendit, kur dihet mirëfilli se shtetit tonë të vogël, e të pa pranuar nga të gjitha vendet e BE-së si shtet i pavarur dhe ende të pa anëtarësuar në OKB e shumë organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare, me mungesë të theksuar të miqve të sinqertë në politikën e jashtme, u duhet një figurë e shquar dhe me përvojë të gjatë e mbështetje të fuqishme të SHBA-ve, si z, DioGuardi, i cili, aktualisht është i pazëvendësueshëm dhe zgjidhja më e mirë për përfaqësimin e shtetit të Kosovës, që do të pranohej brenda e jashtë vendit, ka në krah edhe mbështetjen e SHBA-ve dhe mirëpritet me respekt të madh veçanërisht në arenën ndërkombëtare!
 
Kështu që zgjedhja e një personaliteti prestigjioz si z.Joseph DioGuardi për president të Kosovës, është pothuajse e domosdoshme, është nevojë e kohës dhe zgjidhja më e mirë e mundshme për vendin tonë të vogël, të cilin besoj se do ta votonin të gjitha partitë politike shqiptare pa përjashtim, përveç dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës “listë serbe” dhe surrogateve të saj, që mjerisht përveçse shfrytëzojnë mospajtimet e partive shqiptare, defilojnë lirshëm dhe manovrojnë me mjeshtri perfide e madje edhe ndikojnë në vendimmarrjet politike të vendit tonë të brishtë.
 
Vetëm zgjedhja e z. Joseph DioGuardi për president të Kosovës, përfundimisht do ta mënjanonte përsëritjen e ngërçeve të mëtejme politike dhe shkuarjen e serishme në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat u pa për të satën herë, se nuk sjellin zgjidhje , emërim që do ta zgjidhte edhe problemin aktual, do ti shuante  tensionet e brendshme politike dhe zbuste insinuatat e stërzgjatura ndërpartiake, pasi që tanimë dihet publikisht se zgjedhjet e reja, mund të prodhojnë rezultat të ngjashëm apo të përafërt të votimeve me ato paraprake dhe vetëm sa do të vijonte riciklimi i krizave, edhe pas përfundimit të cirkut të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
 
Gani Qarri
 

Pa udhëheqje dhe program, protestat nuk e tronditin pushtetin e Edi Ramës- Nga Arif Ejupi

 

Po hyjmë në muajin e tretë të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës. Këto protesta nuk lindën rastësisht dhe as brenda natës. Ato janë produkt i një pakënaqësie të akumuluar prej vitesh, e cila buron nga vështirësitë ekonomike, emigrimi masiv, perceptimi i përhapur për korrupsionin, rritja e kostos së jetesës dhe debatet e vazhdueshme rreth mënyrës së administrimit të pasurive publike.

Çështje si Aeroporti i Vlorës, zhvillimet në Zvërnec dhe projekte të tjera të mëdha kanë ushqyer më tej mosbesimin e një pjese të qytetarëve ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Protestat janë shtrirë në disa qytete të Shqipërisë dhe janë mbështetur edhe nga pjesëtarë të diasporës në Perëndim. Ato tregojnë se pakënaqësia ekziston dhe se një numër qytetarësh kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe ndryshim në mënyrën e qeverisjes.

Megjithatë, deri tani, këto protesta nuk kanë arritur të krijojnë presionin e nevojshëm politik për të ndryshuar balancat e pushtetit.

Arsyeja kryesore është mungesa e organizimit dhe e një drejtimi të qartë. Historia politike ka dëshmuar se protestat spontane mund të tërheqin vëmendjen, por rrallëherë arrijnë rezultate të qëndrueshme pa një program politik, pa objektiva të përcaktuara dhe pa përfaqësues që marrin përgjegjësi për drejtimin e tyre.

As opozita nuk ka arritur të shndërrohet në një qendër gravitacioni për këtë pakënaqësi.

Ajo duket më shumë si vëzhguese sesa si organizatore, duke krijuar përshtypjen se pret të përfitojë nga dobësimi i qeverisë pa marrë përsipër barrën e udhëheqjes së protestave.

Kjo ka krijuar një boshllëk që protestuesit nuk kanë mundur ta plotësojnë.

Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik, por stabiliteti nuk mund të mbështetet vetëm mbi forcën e pushtetit. Ai ndërtohet mbi besimin e qytetarëve tek institucionet, mbi drejtësinë e barabartë për të gjithë, mbi luftën kundër korrupsionit dhe mbi një ekonomi që u jep njerëzve shpresë për të ardhmen. Kur këto elemente dobësohen, pakënaqësia shndërrohet në protestë.

Po aq e rëndësishme është që çdo protestë të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe demokratike. Çdo përshkallëzim i situatës do të dëmtonte, para së gjithash, vetë qytetarët dhe interesat e Shqipërisë. Në një rajon ku sfidat gjeopolitike mbeten të ndjeshme, stabiliteti institucional është një vlerë që duhet ruajtur.

Nëse protestat synojnë të sjellin ndryshim të vërtetë, ato duhet të ofrojnë jo vetëm kundërshtim ndaj qeverisë, por edhe një vizion për të ardhmen. Qytetarët nuk kërkojnë vetëm të dëgjojnë se çfarë nuk shkon; ata duan të dinë edhe se si mund të përmirësohet gjendja.

Për sa kohë që protestat mbeten të fragmentuara, pa drejtim dhe pa një alternativë politike të besueshme, ato do të shërbejnë si shprehje e pakënaqësisë qytetare, por jo si një forcë e aftë për të ndryshuar realisht rrjedhën e zhvillimeve politike në vend.

 

Gjenevë — Tempull i Paqes dhe Humanizmit- Nga ARIF EJUPI

 

 

Gjenevë, vend i humanizmit,
mbrojtëse e të drejtave të njeriut,
strehë e të pastrehëve,
sofër e të uriturve,
shëruese e plagëve të atyre
që lindën të pafat
dhe të cilëve lirinë e tokën
ua rrëmbyen agresorët lakmitarë —
në ndihmë u dole
në orën më të ligë.

Me ta ndave gjithçka që pate.

Gjenevë,
në shtratin tënd
lindi drejtësia
dhe bamirësia.

Zoti t’i fali
bukuritë përrallore:
Lemanin
dhe fushat pjellore.

Me orët e ustave të tu,
planeti mat kohën.

Në pallatet e tua
mbahen kuvendet,
u bëhet thirrje të pashpirtëve
dhe gjakësorëve
të ndalin dhunën
e masakrat
ndaj të pafuqishmëve,
që nuk kërkojnë gjë tjetër,
veçse të jetojnë të lirë
në tokën e tyre.

Me ujin e kristaltë
të lumenjve Ron e Arv,
çdo ditë
shuan etjen e gjallesave
dhe, qetësisht, ujit livadhe e kopshte
që mahnitin
me bukurinë e tyre.

Gjenevë,
me ujëvarën që, pa pushuar, nga agimi në mbrëmje
fërfëllon ujin lart në qiell,
dhe parqet magjike që kundërmojnë erë
të këndshme trëndafilash dhe tulipanësh,
ishe dhe do të mbetesh
simbol i paqes
dhe solidaritetit.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 20 gusht 1998

NË KUJTIM TË SHPIRTIT TËND TË BARDHË- Nga ARIF EJUPI

 

Në nadje, nga ura e Lemanit, hodha mbi ujë tri-katër bozhure e tulipanë, në kujtim të shpirtit tënd të bardhë e të pamëkate.

E nga ballkoni i shtëpisë mbi katërqindvjeçare, nëpërmjet pëllumbave, nisa një letër me kërkimfalje që s’munda të jem në përvjetorin tënd të gjashtë të kalimit në amshim.

Hijet tinëzare e grabitqare të një nate, mbështjellë në pëlhurë të zezë, që ta ndërprenë hapin pa e përfunduar mirë pranverën e njëzeteshtatë, i mallkova me tërë fuqinë e shpirtit.

Të ndoqi fat i njëjtë me nënën, që edhe ajo iku në të njëjtën moshë e në të njëjtën stinë.

Prehu i qetë në gjirin e saj, mallin për të cilën e mbaje në heshtje, sikur ta dije se së shpejti do të jesh tek ajo.

Arif Ejupi
Gjenevë, 12 gusht 2026

Arkivi i Voal.ch- 2011: SHAQIRI, SPORTISTI MË I MIRË I VITIT NË ZVICËR

E Mërkurë, 08.10.2011, 11:15am (GMT+1)

Mesfushori kosovar, Xherdan Shaqiri, ka arritur edhe një sukses të madh në karrierë. Shaqiri 19-vjeçar është zgjedhur lojtari më i mirë i vitit në Zvicër. Ceremonia e shpalljes së më të mirëve të vitit, e njohur ndryshe si nata e 14-të e futbollit zviceran, është mbajtur të hënën mbrëma në stadiumin “Stade de Suisse” në Bernë. Anëtari i Baselit, Shaqiri, vitin e kaluar u shpall lojtari më i mirë i ri i Zvicrës, ndërsa nga ajo kohë ka përparuar edhe më shumë. Ai fitoi në konkurrencë me Gokhan Inlerin dhe Diego Benaglion. Shaqiri është futbollisti i parë shqiptar që shpallet më i miri i vitit në një vend evropian.

“Jam shumë i gëzuar që u shpalla më i miri. Jam ende i ri, 19 vjeç, dhe ky çmim do të thotë shumë për karrierën time. Por, ky nuk do të jetë çmimi i fundit për mua. Unë po punoj shumë që të përparoj edhe më shumë si futbollist. Dua të fitoj shumë tituj e shumë trofe”, ka thënë Shaqiri të martën për gazetën. Futbollisti i lindur në Gjilan thotë se e ka merituar të shpallet më i miri.

“E kam ditur që jam njëri prej tre të nominuarve për çmimin e lojtarit më të mirë. Por që do të fitoja nuk e kam ditur, ani pse gjasat që të shpallesha më i miri i kam pasur reale. Mendoj se jam shpallur më i miri me meritë. Kam pasur një stinor shumë të mirë”, ka shtuar Shaqiri.

Zgjedhja e më të mirëve është bërë përmes votave në sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Zvicrës. Nominimin e më të mirëve e ka bërë një komision prej 80 anëtarëve, që përbëhej nga 40 gazetarë, 20 trajnerë dhe 20 ish-futbollistë të përfaqësueses së Zvicrës.


Send this to a friend