Forcat e rendit në aeroportin “Orly” të Parisit, kanë vrarë një person, i cili ka tentuar që t’ia marrë armën një ushtareje, duke bërë që autoritetet të mbyllin aeroportin.
Askush nuk është lënduar nga ky incident, i cili vjen në kohën kur Franca është në gatishmëri të lartë, pas një serie të sulmeve të grupeve xhihadiste, që kanë marrë jetën e më shumë se 230 personave, që prej janarit të vitit 2015.
Prokurorët francezë kanë thënë se lidhur me incidentin e së shtunës, kanë nisur një hetim anti-terrorist.
Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Le Roux, ka thënë se personi që është vrarë të shtunën, ka qenë i lidhur me një sulm të mëhershëm mbi policinë në veri të Parisit, ku një zyrtar policor ishte lënduar, duke shtuar se ky person “ishte i njohur për policinë dhe shërbimet e inteligjencës”.
Incidenti ndodhi rreth orës 8:30 në terminalin e aeroportit “Orly”, i cili është aeroporti i dytë më i madh në Paris.
“Personi ia mori armën ushtarit dhe u fsheh në një dyqan të aeroportit para se të qëllohej për vdekje nga forcat e sigurisë”, ka thënë për AFP-në, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
Duke folur për mediet, pasi vizitoi aeroportin, ministri Le Roux tha se burri kishte tentuar, “por s’ia ka arritur” që t’ia marrë pushkën një ushtareje, e cila ishte në patrullim me dy kolegë të tjerë.
Ai shtoi se i vrari ishte i dyshuar për një sulm ndaj policëve në metronë e Garges-les-Gonesse.

Ekipet e emergjencës dhe forcat e rendit jashtë aeroportit “Orly” në Paris
Dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar tre apo katër të shtëna.
Trafiku ajror në aeroportin “Orly” është pezulluar dhe të gjithë aeroplanët që janë nisur drejt “Orly”-t janë dërguar për në aeroportin tjetër në Paris, “Charles de Gaulle”.
Ekipet e policisë elite të Francës kanë intervenuar menjëherë në aeroport duke kërkuar për eksplozivë të mundshëm, por nuk kanë gjetur asgjë.
Mediet ndërkombëtare raportojnë se vëllai dhe babai i personit të vrarë të shtunën në Paris, janë marrë në pyetje nga Policia.
Autoritetet franceze ende nuk e dinë se cili është motivi i këtij sulmi.
Franca është ende në gjendje emergjente pas një serie sulmesh terroriste që ndodhën që prej janarit të 2015. (REL)
Komentet