Shpesh, kur ulem të shkruaj vjersha, më kalojnë para syve fytyrat e poetëve martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, të pushkatuar nga regjimi diktatorial shqiptar me 1977. Mundohem t’i imagjinoj momentet dhe ndjenjat e tyre të fundit ndërsa kositen nga plumbat e ekzekutorëve në dalje të Librazhdit në bregun e Përroit të Firarit. Prej poetëve të rinjë shqiptarë, mandej, mendimet më shkojnë te Federico Garcia Lorca ndërkaq që tentoj ta shoh poetin spanjoll tek bie si një kalli gruri kur, në një oborr të shkretuar diku në kodrinat e Granadës, e prejnë plumbat e falangistëve të diktatorit fashist Francisco Franco. A ka sakrificë më të madhe se të japësh jetën për vjersha?!
Krimi kundër poetëve Blloshmi dhe Leka është një plagë e ndërgjegjes shqiptare, e cila nuk do të përthahet dhe mbyllet duke u munduar ta harrojmë mëkatin dhe fajtorët. Përkundrazi.
Vrasja e dy poetëve ndoshta është ndër më mizoret në historinë e përbotshme të vjershëtarisë nga fakti që në planifikimin e saj kanë marrë pjesë kolegë të të dyve. Nuk besoj që ka njeri që ka çfarëdo raporti me letërsinë shqiptare që nuk e di këtë dhe që nuk ka njohuri se emri i njërës nga kolegët është Diana Çuli.
Dokumentacioni inkriminues për vrasjet me paramendim është i kthjellët. Bindës dhe i akullt. Kam dëgjuar shumë shpjegime për pjesëmarrjen e zonjës Çuli në komplotin kundër jetës së dy vjershëtorëve djalosharë. Disa pretendojnë si arsye çiftëzimin e indoktrinimit të mendjes së vajzës së re me naivitetin e saj, disa besimin e autores fillestare se denoncimi letrar dhe ideologjik i vjershave të Vilsonit dhe Gencit do të hapte shtigje karriere të lavdishme për vashën ambicioze (!!), e disa thonë që babai i Dianës, Jorgo Çuli, si oficer i Sigurimit, nuk kishte si të dëshmonte më mirë lojalitetin kundrejt regjimit sa sa duke vënë në shërbim, për ekspertizë hetimore të poezive shkatërruese (!!) të Blloshmit dhe Lekës, bijën dhe gjakun e tij (!!).
Sido që të jetë dhe pavarësisht arsyeve faktike dhe të sajuara, e kaluara nuk mund të ndryshohet dhe dy poetët nuk do të shkruajnë kurrë më vjersha. Por çfarë janë fyese, të turpshme dhe shkaktojnë shumë dhimbje, janë të mosrrëfyerit e pse-së së përfshierjes së Çulit në keqbërjen vrastare dhe mosshprehja e keqardhjes nga ana e saj për fundin e padrejtë të poetëve shqiptarë. Pranimi i përgjegjësisë dhe pendimi për një faj janë shansi i fundit i shpëtimit të shpirtit njerëzor.
Mirëpo jo! Habitshëm, ditëve të fundit, saktësisht që prej 3 marsit 2017, kur shkrimtari Agron Tufa, orën dhe vendin ku qe paralajmëruar një mbrëmje letrare e Diana Çulit, në Tiranë, aranzhoj një lexim publik të poezive të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, me qëllimin e pastër që të rifreskojë pakëz memorjen dhe zbojë një grimë ndërgjegjen tonë të plogësht, shtypi dhe klanet e letrave shqipe gumëzhojnë e zukasin duke provuar të paraqesin zonjën Çuli si gjoja pre!
Akti demonstrativ i zotit Tufa dhe të tjerëve që ju bashkangjitën ishte, në realitet, i nevojshëm dhe fisnik. Sipas mendimit tim, poeti Tufa ka lëshuar një britmë thirrje dhe kushdo që e do artin dhe letërsinë, që i do Bodler-in dhe Rimbaud-in si i donin dhe bënin të flisnin shqip Vilsoni dhe Genci, dhe që e do të vërtetën dhe një të ardhme më të mirë për letrat shqiptare, kudo qofshim, në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin, Preshevë apo edhe në shtetet tjera në Europë, Azi, Amerikë dhe Australi, nuk ka si të mos përkrahë protestën kreative dhe artistike të shkrimtarit Agron Tufa. Unë për vete e mbështes veprimin 100%.
Të gjithë shqiptarët duhet të pastrohemi dhe pastrimi nuk mund të bëhet pa u zdeshur. Zonja Çuli duhet të flasë– haptas dhe pa dykuptimshmëri. Si dhe pse! Sepse siç shkruan William Faulkner: “The past is never dead. It’s not even past.”
Komentet