Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se ekzaminuesit mjekësorë që e kanë kryer autopsinë mbi ambasadorin e ndjerë rus në OKB thonë se duhet kryer disa testime më shumë për të treguar se si është sëmurë dhe ka vdekur Vitaly Churkin në New York.
Ambasadori Churkin i cili e ka përfaqësuar Rusinë në OKB prej vitit 2006, ka vdekur më 20 shkurt në moshën 64 vjeçare. Ekzaminuesit mjekësor në qytetin e New Yorkut thonë se kanë nevojë të kryejnë më shumë teste të cilat mund të zgjasin për javë të tëra.
Derisa ekzaminuesit hetojnë vdekje që ndodhin si pasojë e dhunës, aksidenteve dhe vetëvrasjes, shumica e vdekjeve që hetojnë ata nuk konsiderohen të dyshimta.
Rasti i Churkinit iu është referuar atyre nga spitali.
Moska ndërkaq ende nuk ka dhënë një datë për funeralin e Churkinit.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka dërguar ngushllimet e tij më 21 shkurt, duke e quajtur Churkinin “një diplomat të suksesshëm”.
“Ndonëse zyrtarët amerikanë nganjëherë nuk janë pajtuar me homolgët e tyre rusë, ambasadori Churkin ka luajtur rol të rëndësishëm gjatë punës me Shtetet e Bashkuara për disa çështje për të avancuar sigurinë globale”, ka thënë ndër të tjera Trump.
Komentet