Poemë KJO DITË E GJITHË PËR TË KUJTUAR Nga Visar ZHITI
Vetëtimat ndezin vëndin,pritet shi të bjerë me gjyma
Shoh me sy “azërmënin” dhe nxitoj sa më del fryma
Sado shkrepin vetëtimat,unë jam nisur për në shtçpi
Shoh një zonjë që po friket.dridhet si një zog në stuhi.
Sot, ndërsa Kosova proteston dhe kërkon drejtësi për një grua të vrarë, duhet të pyesim veten jo vetëm kush është fajtor, por edhe çfarë shoqërie kemi ndërtuar për gratë tona. Dhuna nuk fillon gjithmonë me goditjen e parë; ajo ushqehet edhe nga heshtja, paragjykimet dhe bindja se gruaja duhet të durojë për të ruajtur familjen.
——
Pikërisht sot dua të ndaj këtë shkrim, si një kujtesë se asnjë grua nuk duhet të mbetet pa mbështetje, pa dinjitet dhe pa një derë të hapur.
Baba, dashuria e parë e vajzës
Kur një baba i jep vajzës së tij çelësin e shtëpisë
Sot më doli në Facebook një video nga një ceremoni martesore.
Një çast i bukur, por mbi të gjitha një çast që të dridhte shpirtin.
Babai iu drejtua dhëndrit me këto fjalë:
“Mos harro, Brajan: unë e kam dashur para teje. Ndaj ajo do të jetë gjithmonë e mirëpritur, nëse një ditë do të dojë të kthehet.”
Një fjali rrënqethëse.
E fortë sa shkëmbi dhe e lartë sa qielli.
Një betim i vjetër sa vetë dashuria.
Kjo është një nga ato dashuri dinjitoze që vetëm një baba di t’ia shprehë vajzës së tij:
pa zhurmë, pa dramë, por me një madhështi që i jep gruas siguri për gjithë jetën.
Një burrë një ditë mund të ndalojë së dashuruari.
Jeta mund të ndryshojë.
Rrethanat mund të thyhen.
Por të dish se gjithmonë ekziston një derë ku mund të trokasësh, një adresë ku nuk je e huaj, një strehë ku nuk të gjykojnë është një nga bekimet më të mëdha që mund të marrë një vajzë nga prindërit e saj.
Ah…
Sa shumë vajza ecin sot kokë ulur në jetë, me një frikë të padukshme në kraharor, me një heshtje që u thotë:
“Duro… sepse nuk ke ku të shkosh.”
Mungesa e kësaj fjale nuk është vetëm mungesë dashurie.
Është liri e prangosur mbi kokën e saj.
Një vajzë që nuk ka një derë ku të kthehet, mëson të jetojë me frikën si normë, të durojë e të heshtë edhe atëherë kur duhet të bërtasë.
Dhe kështu, pa e kuptuar, ajo nuk humb vetëm sigurinë humb vetveten.
Nuk është vetëm dhuna që e mban një grua peng.
Është mungesa e një vendi ku ajo ndihet e pranuar pa kushte.
Sa shumë vajza kanë nevojë ta dëgjojnë këtë fjali.
Sepse ajo nuk ishte thjesht një fjali.
Ishte shpirti i një babai që po i thoshte dhëndrit:
kjo është dora që nuk lëshohet kurrë, dhe asnjë derë e mbyllur në botë nuk do të jetë fundi i saj.
Ky është çelësi i një lirie të dhënë që në fillim të jetës.
Sa shumë siguri i jep shpirtit një ndjenjë e tillë.
Sa e bukur duket një vajzë kur ecën në rrugën e jetës me guxim, me vetëdije dhe me dinjitet.
Ndonjëherë edhe një fjali e vetme bën më shumë se një jetë e tërë këshillash.
Ajo thyen prangat në shpirtin e një vajze.
Rrëzon mitet që mbahen me shekuj e paragjykime.
Ndalon grushtet e dhunës para se të bëhen plagë.
I jep të drejtën të largohet, të mos nënshtrohet, të mos trembet, të zgjedhë veten para së gjithash.
Të shpëtohet.
Nga një baba që i thotë vajzës së vet, pa frikë nga bota:
“Ti gjithmonë ke një vend ku të kthehesh.”
Dhe dashuria e vërtetë nuk të mban peng.
Ajo të jep rrugë.
Dhe gjithmonë… një kthim.
Një vajzë nuk ka nevojë për shumë gjëra për të qenë e lumtur.
I mjafton ta dijë se nuk është kurrë vetëm.
Se diku në këtë botë ekziston një shtëpi që e pret gjithmonë derë hapur.
Faleminderit, Baba im.
Çelësin nuk ma dhe vetëm për të hapur një derë.
Ma dhe që të mos humbja kurrë rrugën për në shtëpi.
—-
Nga libri: Aty ku rri Shqipja
Në këtë kohë hipokrite,
ku skllevërit e interesit
kanë zënë shtigjet e mirësisë,
Kupton,
se sa e lartë është kostoja
e të qënit i lirë.
.
Vargonjtë u kthyen në varse floriri,
lëshohet goja
dhe askush s’ta varë,
Më shumë nga një i ditur
bën lajm:
ai që pëllet si i marrë.
.
Qarkullojnë njerëzit:
pavarësisht racës dhe kombësive,
mallrat kontrabandë ecin më shpejt,
Ndërsa idetë konservohen
dhe ngecin si delfinët në breg.
.
Skllevërit e interesit tallen me Spartakun
që herë-herë u përngjan
me një trafikant seksi,
Madje dhe klerikët
në shtëpinë e zotit
e përdorin shenjtërinë si të fshehin vesin.
.
Ia morën shpirtin shpirtit,
askush s’të thotë
mirëmëngjes pa interes,
Madje poetë pa botë lëvdohen,
se po krijojnë një univers…
,
Fatbardh Amursi
Përse u desh që të lindnim ? Dhe kush jemi ne ? Dhe cila është toka jonë, terra nostra ? Do të kuptosh pakogjë, në qoftë se kënaqesh të hulumtosh enigmën e identitetit me ndihmën e një kujtese vetëm e vetëm brendashikuese (introspektive) ; për të kuptuar, duhet të krahasosh thoshte Broch-u, duhet që identiteti t’i nënshtrohet provës së ballafaqimeve.
Milan Kundera, Le Rideau
Historianët e letërsisë shqiptare, studiuesit, kritikët letrarë, madje edhe shkrimtarët që kanë hedhur dritë mbi veprën e Naim Frashërit dhe e kanë vlerësuar atë si personalitetin qendror të letërsisë e të kulturës sonë në shekullin XIX kanë qenë të shumtë. Midis botimeve të tyre, spikat vepra monumentale « Porosia e madhe » e historianit të letërsisë, e kritikut letrar, e estetit dhe e shkrimtarit Rexhep Qosja. Ndryshe nga studiuesit e mëparshëm, në esenë time, unë do t’i qasem poezisë së romantikut tonë të madh në mënyrë oblike, duke e krahasuar atë me poezinë e Walt Whitman-it, të cilin nobelisti Octavio Paz-i, në veprën e tij « L’arc et la lyre », e ka quajtur « Poeti i Amerikës ». ( referenca XXI, faqe 392)
Naim Frashëri (1846-1900) dhe Walt Whitman-i (1819-1892) rrojtën dhe krijuan në të njëjtin shekull, në kohën e ngritjes dhe të afirmimit të kombeve të tyre. Naim Frashëri qe përfaqësuesi më i shquar i letërsisë së Rilindjes Kombëtare
shqiptare. Në veprën e tij që titullohet « Amercan Renaissance : Art and Expression in the age of Emerson and Whitman », të botuar më 1941, profesori i historisë dhe i letërsisë në Havard F. O. Matthiesen-i e vlerëson Walt Whitman-in si një nga pesë autorët madhorë të kësaj periudhe të artë. (XXII, 57)
Të dy këta poetë i përkasin lëvizjes kulturore dhe artistike të romantizmit.
Sigurisht arsyet e sapopërmendura do të ishin të pamjaftueshme për ta përqasur poezinë e Naim Frashërit me atë të Walt Whitman-it, po të mos ekzistonin ngjashmëri të shumta midis veprave të tyre, të cilat më kanë rënë në sy gjatë leximeve të mia. Për t’u bërë parapritë kritizerëve, të cilëve kjo përqasje mund t’u duket e pavend, e sforcuar apo pretencioze, jam i detyruar të përsërit aksiomën e njohur: « Ekzistojnë familje shkrimtarësh; megjithatë këto familje nuk i bashkojnë as gjaku as gjeografia, por shijet, parapëlqimet, obsesionet=mendimet e ngulëta (apo= të pashqitshme ). » (XXIII, 20)
Siç e kam vënë në dukje në ndonjë shkrim të mëparshëm të kësaj natyre, analogjitë letrare ndahen në dy kategori të mëdha : në analogji gjenetike, ku përfshihen ato ngjashmëri, të cilat, sipas Gérard Genette-it, janë përftuar nga ndikimi i një vepre A mbi një vepër B (XXIV, 13) dhe në analogji tipologjike, të cilat përjashtojnë çdo ndikim të drejtpërdrejtë të një vepre mbi një tjetër. Ato kanë lidhje vetëm me stadin e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, të kulturës dhe të letërsisë si pjesë e saj, me natyrën e veprave letrare, me temperamentin, me kulturën dhe me talentin e autorëve të përqasur.
Jam plotësisht i bindur se në rastin e ngjashmërive që vihen re midis poezisë së Naim Frashërit dhe të asaj të Walt Whitman-it, të cilat do të shqyrtohen në vijim të kësaj eseje, bëhet fjalë vetëm për analogji tipologjike. Nuk ka asnjë gjasë që autori ynë, ndonëse ka qenë disa vjet më i ri në moshë, ta ketë lexuar veprën e poetit amerikan apo të ketë pasur dijeni për ekzistencën e saj. Dihet se edhe në Europën Perëndimore ajo është bërë e njohur me vonesë.
Edhe analogjitë tipologjike do të ndahen në dy grupe të veçanta : në ngjashmëri konceptuale dhe tematike që kanë të bëjnë me brendinë, dhe në ngjashmëri stilistike, të cilat vihen re në rrafshin e formës.
Në përvjetorin e njëzetepestë të vdekjes së Naim Frashërit, Safet Butka do të shkruante : « …ky burim lumtësije qiellore s’e ka mëmën vetëm në ndjenjat poetike e patriotike, por edhe në disa thesarë të tjerë q’i japin Naimit titujtë : Atë, Mjeshtrë, filosof, Pedagog, Profét, reformator etj » (XXV, 5) Poetin tonë kombëtar e ka cilësuar si profet edhe historiani i letërsisë shqipe, Dhimitër S. Shuteriqi : « Fjalët e qiririt », frymëziminin, frymëzimin për Shqipërinë dhe përgjithësisht për njeriun, e paraqisnin prej burimi hyjnor, duke ngritur kështu Naimin në rangun e një profeti të lëvizjes kombëtare… » (XXVI 324)
Meqenëse Naim Frashëri u bë zëdhënës i dëshirave më të fshehta dhe i synimeve më largpamëse të kombit të vet, shpeshherë poezia e tij ka tone profetike. Duke iu drejtuar manushaqes së stërkequr nga dimri i rëndë, të kapluar nga ferrat dhe barishtet e këqija (Shqipërisë që lëngonte në robërinë turke), ai thotë :
Po mos u tremb, bëhu trime Edhe ki durim e shpresë, E pa silli Zotit besë Dhe kësaj fjalësë sime. (XXVII, 16)
Në poemën « Shpreh », ligjërimi simbolik i lirikës „Shkëndij‘ e diellit ndaj manushaqes“ i lë vendin ligjërimit të drejtpërdrejtë :
Për Shqipërinë ditët e mira paskëtaj vinë, Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë ! XXVII, 8)
Megjithëse Shqipëria dhe populli shqiptar ishin katandisur në një gjendje të vajtueshme, poeti ynë kombëtar ishte i bindur se përpjekjet e rilindësve dhe të të gjithë atyre që punonin për ta ndryshuar fatin e atdheut të vet nuk do të shkonin kot:
Nukë më ngjan, e s’e besonj, kam te Zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej tutje kshu po nukë do të mbesë. (B B)
Në poemën „Gjuha jonë“, ai thotë se këto ndryshime që do të arriheshin si në rrafshin e kulturës ashtu edhe atë të politikës, ishin të pashmangshme:
Si lum kush zë të mbjellë, lum kush vë këtë pemë, se kjo ka për të pjellë, s’mbulohetë me rremë! (XXVII, f 3)
Synimi madhor i asaj kohe ishte çlirimi i Shqipërisë nga robëria turke, mëvetësia e saj dhe krijimi i shtetit shqipatar. Për t’ia arritur këtij synimi, do të përdoreshin të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe luftën e armatosur, ashtu siç kishin vepruar edhe popujt e tjerë ballkanikë :
Se prap’atdheu, ky vendi yt, Shqipëria jot‘ e lirë,
Do të çlirohet një dit’, me hir, me të pahirë. (Dëshirë :Ku?)
Ëndrra është e pranishme në poezinë naimiane është edhe ëndrra, siç e dëshmon titulli i përmbledhjes me lirika « Tehajylat » (Ëndërrime). Në krijimtarinë e romantikut tonë, profecia dhe ëndrra janë të pashkëputura nga ardhmëria, me të cilën krijojnë një trini poetike: « Përmes veprës së Naimit ekzaltohet e kaluara ose ëndërrohet për të ardhmen… » (XXXIV, 352) I këtij mendimi është edhe Rexhep Qosja : « … kurse në vjershën Shpreh, të shkruar në pesërrokësh, ai fut një motiv të ri në poezinë e tij atdhetare : fut motivin e besimit në ardhmërinë e pavarur të vendit të vet, në ardhmërinë e dritës e të lirisë që, thotë, nuk është larg. » (X, 193-194)
Në përmbledhjen “Ëndërrime”, ai i uron atdheut një ardhmëri të begatë e të ndritur:
I begatë- i lulëzuar qoftë ai Një të ardhme pastë plot me lumturi!” (XXXVIII, 132)
Në poezinë e Walt Whitman-it hasen më se një herë fjalët: « profet, profetizoj, profeci », siç ndodh në poemën « Lutja e Kristof Kolombit » :
A mos vallë brenda meje tashti flet një profet, a mos vallë po flas përçart ? » ( XXVII, 513)
Në poemën « Këngë për veten time » bardi amerikan thotë :
« Ç‘është e ndyrë largohet prej klithmës sime profetike…” (XXIX, 246)
Në një poemë tjetër, vihen krah për krah profetët dhe poetët :
Profetët dhe poetët më kanë parathënë me anë të poemave profeci ekstatike… (XXVIII, 543)
Ashtu si sivëllezëritë e tij romantikë, autori i kryeveprës “Fije bari” beson se me profecinë e tij, poeti i nxit popujt e robëruar që të luftojnë për të fituar lirinë ose për ta mbrojtur atë nga armiqtë që e rrezikojnë: « I mbrujtur me një idealizëm të ndikuar nga trashendentalizmi i Emerson-it, ai (Walt Whitman-i, A. P.) beson te pushteti që ka poeti për t’u prirë popujve drejt lirisë. » ( XXII, 62)
« …Botë, je te nomme (=unë të thërras në emër, botë, unë të profetizoj, çfarë mund të bëj tjetër… » (XXVIII, 561)
Qëndrimi që shpreh Whitman-i në vargun e sapocituar, i shkon për shtat edhe Naim Frashërit, i cili, për shkak të mjedisit ku rronte, por edhe të shëndetit të brishtë nuk mund të rrëmbente armët për ta çliruar Shqipërinë nga robëria disashekullore, por vetëm mund të nxiste, të frymëzonte të tjerët për ta bërë një gjë të tillë, duke profetizuar për atdheun dhe për kombin e tij një ardhmëri më të dinjitoze. Kjo gjë të kujton përcaktimin e poetit gjerman Friedrich von Hardenberg-Novalis-it, i cili thoshte : « Poeti nuk e bën dot diçka, por ai ndikon që ajo gjë të bëhet .» (XXI, 773)
Ehe në krijimtarinë e Walt Whitman-it, profecia lidhet ngushtë me ëndrrën, me përfytyrimin që ata kishte për ardhmërinë e kombit të vet. Në esenë « Whitman-i, poet i Amerikës”, bëhet ky përcaktim : « Në kundërshtim me disa interpretime të kohëve të fundit, mund të thuhet se, në veprat e tij (të Whitman-it, A. P.), ëndrra poetike dhe ëndrra historike janë një. » (XXI, 892)
Situatat historike që ekzistonin në Shqipërinë dhe në Amerikën e shekullit XIX, kanë qenë të ngjashme në disa drejtime : të dyja këto kombe ishin në ngjizje e sipër, në udhën e emancipimit, të vetëdijësimit dhe të afirmimit të tyre. Ardhmëria e tyre ishte ende një ëndërr, siç e pohon autori i esesë së mësipërme : « Poezia e Whitman-it është një ëndërr profetike, por ajo është një ëndërr në një ëndërr tjetër, një profeci në një tjetër, shumë më të gjerë, që e ushqen atë. Amerika e ëndërron vetveten në poezinë e Whitman-it, sepse ajo është një ëndërr. » (XXI, 892)
Më tej, autori i esesë thekson se poezia e bardit amerikan ishte realiste, sepse ëndrra e tij ishte ëndërr e vetë realitetit, substanca e vetme e të cilit ishte ta shpikte vetveten, ta ëndërronte vetveten pareshtur. Për të mbështetur një interpretim të tillë, autori i esesë i referohet përsëri romantikut të madh gjerman, Novalis-it, i cili kishte thënë : « Kur ne shohim në ëndërr se po ëndërrojmë, kjo do të thotë se zgjimi është afër. » (XXI, 895)
Whitman-I deklaron :
«Në një ëndërr ëndërrova një qytet të papushtueshëm nga pjesa tjetër e botës » (XXVIII, 177)
Për të vënë në dukje karakterin profetik të poezisë së Whitman-it, studuiesi Michel Barrucand-i thotë: « Përmbledhje e vetme në jetën e krijuesit të saj, Leaves of Grass është një libër vizionar. » (XXX, 41) Jam i bindur se ky përcaktim I shkon për shtat edhe poezisë e Naim Frashërit, i cili ëndërronte Shqipërinë e së ardhmes. Vegimet, shestimet, parashikimet e tij ishin një program historik që duhej të vihej në jetë. Një bindje të tillë, ma përforcon edhe interpretimi që I bëhet poezisë së bardit amerikan : « Asnjëherë, Whitman-i nuk ka qenë i vetëdijshëm se po ëndërronte, ai ka besuar gjithmonë se ishte një poet realist. Dhe ai ishte vetëm deri në atë shkallë, kur realiteti që ai celebronte nuk ishte më një e dhënë, por ishte një e përshkuar tejetej nga koha e ardhshme.. “Amerika e ëndërron veten në poezinë e Whitman-it, sepse ajo është një ëndërr : një krijim i kulluar. » (XXI, 895)
Sipas studiuesit Pierre Lagayette, Whitman-i i nxiste bashkëkombasit e tij ta shndërronin Amerikën ideale në një realitet historik, duke e ndërtuar atë në vitet që vijnë: « …dhe Whitman-i (nous entraîne= na shpie A. P.) drejt një Amerike ideale, encore à construire= që duhet të ndërtohet. » (XXXI, 33)
Whitman-i pohon se ëndrrat e tij nuk i përkasin vetëm atij, por në to mishërohen vizionet dhe aspirtatat e shumë njerëzve të tjerë, pra, ato kanë karakter kolektiv :
Dhe në ëndrrat e mia unë ëndërroj ëndrrat e ëndërrimtarëve të tjerë,
Sepse unë bëhem të tjerët që ëndërrojnë. (XXVIII, 518)
Trinia profeci-ëndërr-ardhmëri ndeshet shpesh në poezinë e Whitman-it :
Duke qenë unë vetë veç lidhje, këngëtari i një të ardhmeje premtuese (359)
Te poema: « Ti, nëna jonë para barazisë së fëmijëve të tu », të botuar më 1872, Whitman-i I drejtohet Amerikës me këto fjalë :
Do të doja të këndoja një këngë të saktë para se të iki, të posaçme që ketë lidhje
Një këngë të veçantë që ka të bëjë me ty, me ardhmërinë tënde [… ]
Do të doja të tregoja qysh më parë Bashkimin tënd të vërtetë, të tregoja rrugët për ta kryer atë. […]
Dhe unë kam besim tek ju, ditë të ardhmërisë. » (XXVIII, 414)
« Unë i dërgoj ngjyrat e të tashmes në qiell, parathem një ardhmëri sublime dhe të hareshme të Shteteve tona… » (XXVIII, 44)
« Po, unë do ta bëj këtë kontinent të pavdirë,
Do ta bëj racën me të shkëlqyer, mbi të cilën ka ndritur dielli… » (XXVIII, 161)
Poemat e Naim Frashërit dhe të Walt Whitman-it që flasin për ardhmërinë, të kujtojnë deklaratën që do të bënte Guillaume Apollinaire-i pak vjet pas vdekjes së protagonistëve të kësaj eseje : « Poetët duan ta zbutin profecinë, këtë pelë të zjarrtë që askush nuk e ka bërë zap ndonjëherë. » (XXXII, 108)
Ngjashmëritë midis krijimtarisë së Naim Frashërit dhe asaj të Walt Whitman-it kanë të bëjnë me mënyrën sesi ata e kuptojnë botën dhe jetën njerëzore. Shpalosja e botëkuptimeve të tyre është e domosdoshme për arsye se këta të dy autorë janë poetë filozofë. Dihet se qysh në fillimet e kulturës njerëzore, poezia dhe filozofia kanë qenë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kështu ka ndodhur me filozofët parasokratikë, të cilët kanë përdorur një ligjim poetik dhe veprat e tyre i kanë shkruar në vargje. Libri « Tao-te-king » : Rruga dhe virtyti i saj, i cili ka për autor filozofin kinez dhe themeluesin e taoizmit Lao-tseu, (570-490 para Krishtit) është shkruar në vargje. Kjo dukuri haset edhe në nënkontinentin indian: « Po shtoj se në Indi, pothuaj të gjithë filozofët e rëndësishëm kanë qenë poetë. » (XXI, 593) Në Persi, një filozof i famshëm si Omar Khayami pikëpamjet e tij filozofike i ka shprehur në vargjet e përmbledhjes së tij «Rubayat » .
Kjo traditë e lashtë, e përhapur në hapësira gjeografike dhe kulturore të ndryshme, në kohën e re ka vazhduar me lëvrimin e lirikës filozofike, e cila është quajtur edhe lirikë refleksive apo përsiatëse. Në analizën që i bën simbiozës midis poezisë dhe filozofisë, O. Paz-i i krahason ato me enët komunikuese : « A është nevoja t’ua kujtoj se për mua poezia dhe mendimi formojnë një sistem të padukshëm – por sa real – enësh komunikuese .» (XXI, 275) Nga ana e tij, filozofi bashkëkohor Emile Cioran është i mendimit se poezia ka përparësi mbi filozofinë, ngaqë ajo mund të ndikojë më fuqishëm te njeriu : « Në raport me filozofinë, poezia ka më shumë intensitet, dhimbje dhe vetmi. » (XXXIII, 132)
Sipas studiuesve, poezia filozofike paraqitet në dy forma :
a) në qoftë se sistemi nuk është i organizuar, bëhet fjalë për poezi gnomike ; poeti kufizohet me maksima, me krijime të shkurtra didaktike. Ky zhanër ka qenë shumë i zhvilluar në lashtësi, sidomos në kohën e filozofëve të parë jonianë dhe te disa poetë si Soloni, Teognidi, Fosilidi. (XXXII, 100) Këtë lloj poezie e ka lëvruar edhe Naim Frashëri në krijimet e përfshira në ndonjë përmbledhje si : « Fjalëtë e të urtët ».
Edhe vetëm filli të jesh, mos del udhës së njerëzisë.
Je bashkë me shpirtin t’ënt, je përpara Perëndisë! (XXV, f 20)
b)Në qoftë se sistemi është i organizuar, bëhet fjalë për poezinë e madhe filozofike sintetike, siç është ajo e poetit latin Lukreci (De natura rerum, shek. I para Krishtit. (XXXII, 101)
Naim Frashëri është poeti shqiptar, në krijimtarinë e të cilit zë një vend më të madh mendimi, dija, elementi njohës (gnoseologjik). Përveç prirjes së tij të veçantë, kjo gjë mund të shpjegohet edhe me ndikimin që kanë pasur tek ai poetët sufi të Persisë. Pasi e ka quajtur « poet filozof » (IX, 325) historiani i letërsisë Dhimitër S. Shuteriqi ka saktësuar : « Pa dyshim, pikëpamjet filosofike të Naimit janë nga më të përparuarat e Rilindjes sonë dhe e tregojnë poetin si një nga mendimtarët më të shquar në historinë e popullit shqiptar. » XXXIV, 301)
Me një vlerësim të tillë bashkohet edhe akademiku Rexhep Qosja: « Kështu, Naim Frashëri mbetet poeti i parë shqiptar, që i kushton kujdes të veçantë poezisë filozofike, për ç’shkak mund të çmohet themelues i saj në letërsinë shqipe. » (X, 218-219) Ky studiues shton se Naim Frashëri mund të quhet « poeti filozof më i rëndësishëm në letërsinë shqipe deri sot. » (X, 220)
Në poemën « Perëndija », Naimi thotë :
Qeshë diell, ishnja hënë, U bësh‘ uj‘ e baltë e erë, yll e zok e dash kam qenë, Pa dhe njeri shumë herë.( VIII, 423,
Është krejtësisht e qartë se në vargjet e mësirërme reflektohet ideja e filozofit parasokratik Empedoklit : «117. Sepse gjatë kësaj kohe, kam qenë djalë dhe vajzë, pemë dhe zog, dhe peshk memec në det. » ( XXXV, 134)
Duke folur për poezinë e Jean de Meung-it, studiuesit francezë thonë se ajo ka karakter filozofik kur paraqet forcën e plleshmërisë së natyrës“: (XXXII, 106) Një dukuri e tillë ndeshet edhe në poemën ikonike Bagëti e bujqësia të Naim Frashërit:
Mundohetë punëtori, po në zemërzë të qetë
Sa gaz të madh ndjen, kur njëra, që hodh, i pjell dymbëdhjetë !
Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra,
dhe parajsën e vërtetë të shfaqurë nëpër ara… (IV, 77)
Poezia filozofike ka lidhje të ngushtë me zbulimet shkencore të cilat ndikojnë në botëkuptimin e qenies njerëzore: “ Poezia është një lloj vet<dij<simi për shkencën dhe filozofinë; ajo nuk është paraqitje e zbulimeve shkencore dhe filozofike të një kohe, por kumbimi i këtyre zbulimeve në ndërgjegjet e njerëzve.“ (XXXII, 105)
Në lirikën filozofike „E vërteta“ Naimi thotë:
Këto që na i sheh syri, A na i tregon tejqyri, Yj e hënëra e diej, që lëçijn nëpër qiej, ndaj gjithësisë një çikë janë, si në det një pikë! Gjithësisë krye e fund Nuk’ i gjendet kurrë gjëkund! Gjë s’humbet, as pakësohet, Edhe sërish nukë shtohet… (IV, 61-62)
Studiuesit e krijimtarisë së Whitman-it, kanë vënë në dukje karakterin filozofik të poezisë së tij : « Kështu vepra e Whitman-it, tejet romantike, në revoltën e saj dhe në fuqinë e ligjërimit të saj filozofik, ndërton tekste të reja të shenjta, një « bibël » të re letrare, simbolike, për ta përdorur shkrimtarët e ardhshëm që të gjithë do të ndikohen nga kjo buenë (déluge) bukurie jete dhe fatbardhësie që përmbajnë këto fije bari, një botë e përvujtë , të cilën poeti na zbulon për të na bërë të zhytemi te forcat kozmike të gjithësisë së pafundme ». (XXX, 43)
Në poemat e Whitman-it, flitet në mënyrë të shkoqitur për lidhjen midis poezisë dhe mendimit :
Ndërkaq si një rreth procesioni rrotullohen mendimet, ah, mendimet e mia të dhembshura e të mrekullueshme,
Mendime për të vdekurit, për të gjallët, për njerëzit e dashur të kohës së shkuar,
të shtëpisë sime, për miqtë fare larg… (XXVIII, 31)
Jam i bindur se bukuria madhështore e gjithësisë fshihet në atomin më të imët të gjithësisë… (XXVIII, 547)
Tërbim e verbim sysh…
Nuk vritet nëna,
gruaja, motra e as vajza,
shtyllat e familjes dhe të shtëpisë.
Ato janë si rrezet e diellit,
që sjellin jetë e i japin dashni e kuptim njerëzimit.
Ta kapërcejmë zemërimin e dëshpërimin
e të mos ia nxijmë vetes fytyrën,
duke u treguar të ligj e të pabesë,
duke shuar jetë e rrënuar themele të shtëpisë.
T’i lutemi Perëndisë
të na japë durimin,
të na ruajë qetësinë
e të na zgjojë ndërgjegjen,
se dhuna është gjëja më e ndyrë:
aty ku çohet dorë,
plaga mbetet e përjetshme.
Nuk i merret askujt jeta
vetëm pse na kaplon
xhelozia, mosbesimi e urrejtja.
Ta frenojmë dorën,
t’i kontrollojmë ndjenjat
e të mos ia nxijmë vetes jetën,
e as fëmijëve të mos ua ngrimë buzëqeshjen,
e të mos ua vrasim ardhmërinë.
Një ndarje me urti e marrëveshje
është shumëfish më e mirë
sesa një jetë nëpër burgje,
me ndërgjegje të vrarë
e fytyrë të nxirë.
Arif Ejupi
Gjenevë, 28 tetor 2026
AJO VJEN NGA THELLËSIA E SHEKUJVE
.
Ajo vjen nga thellësia e shekujve,
erotizmi ka qenë epiqendra e botës.
Lumturia femërore në sytë e meshkujve,
plagon me shkëlqim gjatë gjithë kohës.
.
Prania e saj i skllavëron romantikët,
ua kurdis zemrat; ata ja marin këngës.
Le të zhduken kodet e digjen kodikët,
kodin e saj, (e unë), e di përmëndësh.
.
Sa duam të jemi gjithnjë pranë saj,
ç’ë se vret ngadalë e me delikatesë.
S’ na përfill ndjenjat, por dukjen, prandaj,
mospërfillja shekullore na bën të pashpresë.
.
SI VJESHTË TË KAM NDËRMEND
.
Ja, gjethet filluan të bien të trishta,
ngjyhen sytë e mi me ngjyra të flakta.
Era shtyn velat e ditëve të hirta,
ndërsa të nesërmet bëhen më të pakta.
.
Sa s’dua t’i kujtoj vjeshtat e zymta,
gjithësinë veshur me zhgun të mjegullt.
Skeletet e gjetheve, livadhet e brymta,
shirrat e egra e veten time të heshtur.
.
Jo. S’ish e tillë dita kur të pashë ty,
lodronte era me fustanin tënd.
Ngjyrat e vjeshtës ishin derdhur aty,
domethënë, kështu të kam ndërmend.
.
BUKURIA JOTE RI BRENDA TEJE
.
Bukuria jote ri fshehur brenda teje,
ajo lulëzon kur ti ndjen sinqerisht;
hijeshia e jashme fillon të zbehet,
kur bie në grackën e marrëzisë.
.
Le të mbetet karakteri yt i sinqertë,
zemra e butë e mban të pastër;
në je ajo, që shfaqesh vërtet,
ti s’ke nevojë të të mbajnë me hatër.
.
E ndjej mirësinë dhe hijeshinë tënde,
e falur qofsh për çdo keqkuptim,
tjetër femër nuk kam në mendje,
simpatia shembet me një mashtrim.
.
EDHE SE MËSOVA TËRË KËTO
.
Gjersa mësova të dhuroj mirësi,
të fal e të jem më i duruar, provova
hidhësinë ç’ të bën një ligësi,
kur ta plagos shpresën për të jetuar.
.
Të jem i ashpër e i butë, mësova,
të deshifroj heshtjen e dikujt tjetër,
të çmoj dhuntitë e gjërat e vogla,
të qesh, me lot, me një barsoletë.
.
E di pse pabesia e tkur zemrën,
pse dyshoj sa herë e kqyr hënën,
pse kur përmend ndonjë emër të shpifur,
mëmëris gërmat e pista: i q… t…m…n..
.
2026
Poemë për atdheun, besën, zgjimin kombëtar dhe kthimin te rrënjët
Dedikimi
Rinisë shqiptare, që meriton një të ardhme me dinjitet, Maleve që na lidhin, pavarësisht kufijve që na ndajnë, Brezave që e ruajtën besën dhe kujtesën ndër shekuj, Dhe vendlindjes, ku guri i rëndë peshon në vendin e vet.
I. HËNA MBI SHARR
Sonte dola në fshat, në heshtjen e natës,
Dhe sytë i drejtova kah kreshtat e larta,
Mbi majën e Sharrit, si kurorë argjendi,
Hëna ndriçonte e heshtur në thellësi të vendit.
Por retë e errëta një pjesë ia mbuluan,
Si duar të padukshme që dritën ia penguan,
E unë e vështroja me mall e trishtim,
Sikur shihja një komb të mbështjellë në mendim.
Mbi kreshtat e Sharrit drita ngadalë udhëtonte,
Si një ëndërr e lashtë që kohën kapërcente,
Dhe heshtja e natës më fliste pa zë,
Për plagët e kombit që ende dhembin në ne.
Përtej Sharrit, Shkëlzeni ngrihej krenar,
Gjallica e Korabi qëndronin në prag të një vargu malor,
Mbi kreshta e lugina mendimi fluturonte,
Drejt trojeve shqiptare, ku historia na bashkonte.
II. DRITA PAS HËNËS
Retë ma pengonin Hënën ta shihja të plotë,
Si tym që mbulon një ëndërr në mes të natës,
M’u dukën si mjegulla mbi rininë shqiptare,
Që kërkon një agim në udhëkryqet e jetës.
Por prapa Hënës, përtej reve të zeza,
Një dritë e vogël ma pushtoi zemrën,
E vështrova gjatë, me syrin e shqiponjës,
Dhe ndjeva një rreze në thellësi të ndërgjegjes.
M’u duk se një Diell po zgjohej ngadalë,
Pas Hënës së heshtur, përtej reve pa fund,
Sikur po çante terrin e shekujve të rëndë,
Për t’i dhënë kombit një agim të ri.
O Diell, a je shenja që zemra ka pritur,
A je shpresa që nata s’e ka mposhtur,
A vjen të na ngrohësh në këtë tokë të lashtë,
Që vëllai me vëllanë të mos mbetet i ndarë?
Kur të lindësh, o Diell, mbi malet shqiptare,
Mos pyet për kufijtë e vijat tokësore,
Ndriçoji të gjithë, në çdo anë të atdheut,
Dhe ktheja rinisë besimin te e ardhmja.
III. MALET QË NA LIDHIN
Mbi Sharr Hëna rrinte e qetë dhe krenare,
Dhe mendja më fluturoi mbi trojet shqiptare,
Te Shkëlzeni, Gjallica, Korabi në largësi,
Te kreshtat që ruajnë kujtesën e një historie.
Sa male qëndrojnë si shtylla të motit,
Sa lugina fshehin jehonat e lotit,
Sa kufij janë vizatuar mbi hartat e dheut,
Ndërsa i njëjti qiell u përket bijve të tij.
O male të larta, dëshmitarë të lashtë,
A nuk ju dhemb kur shihni vëllezër të ndarë?
Ju që qëndroni pranë, sup më sup në stuhi,
Na mësoni si ruhet një komb në bashkim.
Ju s’keni nevojë për fjalë të mëdha,
As për premtime që treten si shkuma në det,
Ju flisni me heshtjen e shkëmbit të fortë,
Se rrënjët e thella i mbijetojnë çdo moti.
IV. DODONA, ZËRI I LASHTËSISË
Prej kreshtave të Sharrit mendimi u nis,
Drejt Dodonës së lashtë, drejt zërit të lisit,
Atje ku degët pëshpërisin me erën,
Dhe shekujt lënë gjurmë në kujtesën e vjetër.
O Dodonë e lashtë, me hijen e lisave,
Sa ëndrra kanë kaluar nëpër rrugët e kohërave,
Sa lutje janë ngritur drejt qiellit pa kufi,
Sa zëra i ruan toka në heshtje e histori.
M’u duk se lisat më flisnin për rrënjët,
Për emrat e humbur, për bijtë dhe nënat,
Dhe mora me vete atë zë të lashtësisë,
Si një amanet që s’i dorëzohet harresës.
Por udha më thërriste përtej maleve përsëri,
Drejt kaltërsisë së Jonit, drejt valëve në gji,
Ku deti i pafund me brigjet kuvendon,
Dhe çdo dallgë një histori të lashtë dëshmon.
V. NË BRIGJET E JONIT, ME ODISEUN
Buzë Jonit të kaltër, ku dallga këndon,
Në mendjen time Odiseu përsëri udhëton,
E pashë si hije mbi valët e largëta,
Me mallin e kthimit nëpër netët e gjata.
O det, sa udhëtarë ke përcjellë nëpër mote,
Sa ëndrra ke fshehur në thellësitë e botës,
Sa zemra kanë ikur përtej horizontit,
Me mallin e shtëpisë në thellësi të shpirtit.
Odiseu kërkonte brigjet e Itakës së vet,
Një prag, një vatër, një kthim në jetë,
Dhe unë kërkoja në kaltërsinë e pafund,
Një atdhe ku vëllai vëllanë e gjen kudo.
Nuk kërkoja lavdi, as kurora mbretërore,
Por zemra të bashkuara në trojet arbërore,
Një vend ku mendimi të mos bëhet mur,
Ku dashuria për kombin të mbetet e pastër.
VI. LEZHA, KU FJALA U BË BESË
Nga brigjet e Jonit mendimi u kthye,
Në Lezhën krenare, ku historia më priti,
Atje ku princat shqiptarë u mblodhën me besë,
Për ta mbrojtur atdheun në ditë të vështira.
Në krye qëndronte Gjergj Kastrioti,
Me hijen e Arbërit mbi supet e motit,
Dhe pranë tij princat, me nder e qëndresë,
Kërkonin forcën e kombit në besën e dhënë.
M’u shfaq Pali i Dukagjinëve në kuvend,
Me peshën e historisë që rëndonte në mend,
Dhe m’u duk se koha u kthye pas shekujsh,
Kur fjala e bashkimit u ngrit mbi zërat e luftës.
O Lezhë, dëshmitare e një kohe krenare,
Sa shumë na mëson historia shqiptare,
Se kur qëllimi është mbrojtja e vendit,
Bashkimi bëhet themeli i qëndresës.
Por besa nuk është vetëm një fjalë në histori,
As kujtim i largët që tretet në përjetësi,
Ajo jeton kur njeriu mban fjalën e dhënë,
Dhe nuk e shet vëllanë për një fitore të rreme.
VII. SHKODRA DHE KULLA E LEKËS
Nga Lezha u nisa drejt Shkodrës së lashtë,
Ku Buna rrjedh qetë dhe kujtesa rri zgjuar,
Mbi qytetin krenar, mes gurëve të vjetër,
M’u duk se po hyja në një shekull tjetër.
Atje, te Kulla e Lekë Dukagjinit,
M’u zgjua një mall në thellësi të shpirtit,
Nuk ndihesha i huaj në atë prag të vjetër,
Se gjaku më lidhte me një kujtim të shenjtë.
M’u duk se dera e odës po hapej ngadalë,
Dhe zëri i të parëve më thërriste në prag,
Sikur të isha kthyer në shtëpinë e Babës,
Ku fjala ka peshë sa gurët e kullës.
O Shkodër, moj vatër e kujtesës shqiptare,
Sa histori ruajnë kalatë e tua krenare,
Në ty ndjeva një urë mes së djeshmes e sotit,
Një lidhje gjaku që s’i dorëzohet motit.
VIII. GURI I BETIMIT
Në mëngjes dola nga Kulla e Lekës,
Me fjalët e mbrëmjes që më rrinin në zemër,
Leka më përcolli nëpër udhën e lashtë,
Drejt një guri që heshtte, i rëndë e i bardhë.
Ecëm ngadalë, nën qiellin e kaltër,
Me hijet e maleve që na rrinin pranë,
Deri te Guri i Betimit, ku u ndalëm të pushonim,
Dhe heshtjen e vendit me mendime ta dëgjonim.
Leka ma drejtoi shikimin nga guri përballë,
Dhe foli me zë të qetë, por me peshë të rrallë:
«A po e sheh këtë gur që qëndron në këtë vend?
Këtu e kemi Betimin, bir, mbaje mirë në mend.
Shqiptarët duhet të bashkohen e të mbajnë njëri-tjetrin,
Të mos e kthejnë kurrë vëllanë kundër vëllait,
Se më të fortë bëhemi kur qëndrojmë pranë,
Dhe jo kur ia derdhim gjakun njëri-tjetrit në vatër.
Pushka e burrit nuk është lodër krenarie,
As mjet për të larë inate e për të mbjellë armiqësi,
Ajo fle kur vëllezërit jetojnë në paqe,
Dhe ngrihet për mbrojtjen e atdheut në rrezik.
Për lirinë që me mund e sakrifica mbrohet,
Për nderin që nuk shitet dhe kurrë nuk harrohet,
Jo për grindje që vë vëllanë kundër vëllait,
Se gjaku i shqiptarit s’duhet të bëhet çmimi i inatit».
Unë heshtja dhe dëgjoja, me sytë mbi gurin e vjetër,
Sikur çdo fjalë e Lekës më zbulonte një të vërtetë,
Se gurët mund të plaken, të mbulohen me bar,
Por fjala e mbajtur me nder mbetet përherë e gjallë.
Dhe kur u ngrita, me shpirtin e trazuar,
M’u duk se një zë nga shekujt ishte zgjuar:
«Bashkohuni në besë, në nder e në dashuri,
Se atdheu është më i madh se çdo krenari!»
IX. DREJT BJESHKËVE TË NEMUNA
Drejt Bjeshkëve të Nemuna i ktheva hapat,
Me fjalët e Lekës që më ndiqnin si jehona,
Dhe mendova: nëse gurët mund të ruajnë një besë,
Pse zemrat shqiptare të mos bëhen një shpresë?
Kur arrita te kreshtat, u fola me mall,
«Vij nga Kulla e Lekës, ku dëgjova një fjalë,
Te Guri i Betimit, ku besa na kujton,
Se kombi bëhet i fortë kur vëllai vëllanë mbështet».
Malet qëndronin krenare, të larta në qiell,
Me borën mbi supe, të bardha si çelik,
Dhe unë i pyeta: «A do të rrini gjithmonë të nemura,
Apo do të zgjoheni me dritën e një dite të re?»
Era kaloi mbi kreshta, si lajmëtare e agimit,
Dhe bora vezulloi nën rrezet e Diellit,
M’u duk sikur malet po e dëgjonin fjalën time,
Sikur po çliroheshin nga hija e një emri.
Atëherë u thashë: «Bëhuni Alpe të Bardha,
Si plisi i bardhë që nderon ballin e shqiptarit,
Qëndroni pranë njëra-tjetrës, si vargje në një këngë,
Dhe mësojuni njerëzve se bashkimi është qëndresë.
Bëhuni një gjerdan mbi qafën e atdheut,
Një kurorë e bardhë nën dritën e qiellit,
Që kushdo që ju sheh ta kuptojë një të vërtetë:
Malet rrinë më të forta kur qëndrojnë pranë njëra-tjetrës».
X. DIELLI I ZGJIMIT KOMBËTAR
Atë dritë që pas Hënës në qiell e pashë,
E mora me vete nëpër male e në çdo prag,
Ajo më ndiqte si një betim i pashuar,
Si agimi i një kohe që ende s’ka ardhur.
O rini shqiptare, kjo dritë është për ty,
Për ëndrrat që mbart dhe për ditët që vijnë,
Mos prit që
Dielli të zbresë nga qielli,
Ndize me dije, me vepra dhe me shpirtin tënd.
Le të lindë një kohë ku fjala ka peshë,
Ku puna nderohet dhe drejtësia gjen vend,
Ku askush s’e sheh tjetrin si kundërshtar,
Por si bashkudhëtar në një atdhe të lirë.
Le të ndryshojnë mendimet, si dallgët në det,
Le të ketë debat, por jo urrejtje në jetë,
Se kombi bëhet i fortë kur di të dëgjojë,
Dhe të ardhmen e vet me mençuri e ndërtojë.
O Diell, përshkoji malet dhe fushat tona,
Ndriçoji shtëpitë, qytetet dhe zemrat,
Le të mos mbetet asnjë i ri pa shpresë,
Asnjë ëndërr pa krahë, asnjë zemër pa besë.
XI. KTHIMI NË VENDLINDJE
Pas gjithë atij udhëtimi nëpër histori e mote,
Pas maleve të larta e brigjeve të Jonit,
U ktheva aty ku më thërriste kujtesa,
Në vendlindjen time, ku më presin rrënjët e jetës.
Kisha parë Dodonën, Jonin e kaltër,
Kisha ndjekur gjurmët e historisë së lashtë,
Kisha dëgjuar fjalën e Betimit mbi gur,
Dhe kisha parë malet të zbardhnin si flamur.
Por zemra më thoshte: «Mos shko më larg,
Se rrënjët e shpirtit të presin në prag,
Atje ku fjala e Babës të rri si amanet,
Atje ku e kupton kush je në këtë jetë».
Dhe ja, u ktheva te Oda e Babës,
Te era e kullës, te heshtja e pragut,
Ku guri i vjetër më njihte prej moti,
Ku çdo tra i shtëpisë ruante zërin e të parëve.
M’u duk se Babën e pashë pranë oxhakut,
Me atë vështrim të urtë, me fjalën pa bujë,
Sikur më pyeste: «Bir, çfarë pe nëpër botë?
A gjete një dritë që na bashkon sot?»
I thashë: «O Babë, pashë male të larta,
Pashë Hënën që ndriçonte mbi troje të ndara,
Pashë retë që mbulonin një pjesë të qiellit,
Por prapa tyre pashë shpresën e Diellit.
Pashë Bjeshkët e Nemuna të kërkonin një emër të ri,
Të bëheshin Alpe të Bardha, kurorë krenarie,
Pashë rininë që pret një agim të vërtetë,
Dhe një komb që meriton ta ndërtojë vetë të ardhmen e vet».
Atëherë heshtja e odës u bë fjalë e gjallë,
Si zëri i të parëve që s’vdesin kurrë në mall,
Dhe oxhaku m’u duk sikur flakëroi përsëri,
Me zjarrin e besës, të nderit e të lirisë.
XII. GURI I RËNDË PESHON NË VENDIN E VET
Te gurët e bardhë, në Vendin e Lekës,
Ku kujtesa e brezave nuk i dorëzohet harresës,
U ndala për një çast, me shpirtin plot mall,
Dhe ndjeva se rrënjët më thërrisnin në prag.
Kisha shkuar larg, përtej detit e malit,
Kisha ndjekur jehonën e historisë dhe mallit,
Por këtu, mes gurëve, ku heshtja kishte jetë,
E ndjeva se udhëtimi po gjente të vërtetën e vet.
Se guri i rëndë peshon në vendin e vet,
Aty ku fjala e Babës nuk humbet në jetë,
Te gurët e bardhë, ku kujtesa rri zgjuar,
Në Vendin e Lekës, ku jam rritur e formuar.
Dhe Hëna e Sharrit m’u shfaq përsëri,
Me dritën që shpresën ma ndezi në gji,
E Dielli që ëndërroja për trojet shqiptare,
M’u duk se po lindte mbi vendlindjen amtare.
Atëherë e kuptova, me zemrën e qetë,
Se rrënjët janë forca që na mbajnë në jetë,
Se mund të kërkosh nëpër botë një thesar të rrallë,
Por vlerën e rrënjëve e kupton kur kthehesh në prag.
Dhe këtu po e mbyll udhëtimin tim,
Me rrënjët në tokë e sytë nga agimi,
Se atdheu nuk është veç një emër në histori,
Është vendi ku kthehesh dhe gjen përsëri veten tënde.
XIII. DIELLI QË MBETI NË SHPIRT
Atë dritë që pas Hënës atë natë e pashë,
E ruaj në shpirt si amanet të rrallë,
Nga Hëna e Sharrit nisa udhëtimin tim,
Te gurët e bardhë gjeta rrënjët dhe kuptimin.
Le të ketë re mbi male, le të ketë stuhi,
Le të ketë mendime të ndryshme mes nesh përsëri,
Për sa kohë që në zemra ruajmë besë e dashuri,
Asnjë natë s’mund ta shuajë shpresën për liri.
Se Dielli që kërkojmë nuk lind vetëm në qiell,
Ai lind kur njeriu bëhet për tjetrin një diell,
Kur rinia e zgjedh dijen, drejtësinë dhe nderin,
Dhe kur shqiptari ia zgjat dorën shqiptarit.
E nëse një natë Hëna mbulohet nga retë,
Mos mendoni se drita u shua për jetë,
Se prapa çdo reje, në heshtjen pa fund,
Mund të lindë një Diell që na bashkon gjithkund.
Vendi i Lekës,22.10.2026
JETA NUK MERRET NË EMËR TË MOSBESIMIT DHE URREJTJES- Nga ARIF EJUPI
Idealist e guximtar- Nga ARIF EJUPI
Një prej themeluesve të Akademisë së Shkencave, Luan Omari, i biri i Bahri Omarit, ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare
Peter Lang boton studimin e ri të historianit Romeo Gurakuqi mbi mbijetesën dhe rindërtimin e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore
HOROSKOPI I MUAJIT NËNTOR 2026
IKU AI QË PROJEKTOI KUSHTETUTËN E VITIT 1976- Nga BESIM NDREGJONI
“Rama në burg!” – Kryeministri përballet me protestat e shqiptarëve edhe gjatë vizitës në Bruksel
Pas 15 vjetësh, aktakuzë për vrasjen e Diana Kastratit
Pedagogu thirrje studentëve dhe mediave: Rezistoni! Mediat të braktisin pushtetin e korruptuar, ktheni kamerat nga…
Dokumenti: Veliaj i drejtohet gjykatës: Transferimi në Fier me urdhër personal të Ramës. Hetojeni çfarë ka…
“I shkoi në orën 22:30” Takimi mes Veliajt dhe ministrit Gogu në burg, Ndreca jep detaje: Biseduan 1 orë e gjysmë në zyrën e drejtorit!
Mali i Zi mund ta nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit në BE në qershor 2027
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022






Komentet