– Emisioni i Sokol Ballës i ditës së djeshme, e ka merituar si rrallë herë emrin e tij “Top Story”! Sepse ishte me të vërtetë një Top Story të shikoje se si për më tepër se një orë, një deputet, ish-gazetar, prind me detyrime financiare në dy familje, baba i tre fëmijëve, përpiqej të vërtetonte me shifra, se kishte kursyer nga paga e tij dhe e bashkëshortes (punonjëse në administratën shtetërore) paratë për të blerë një paketë aksionesh në një bankë të madhe, me vlerë një milion dollarë.
Shumë vetëve iu ndodh që në jetë t’ u lindë befasisht një ëndërr, një objektiv, një aspiratë, për të cilën përpiqen më pas që ta realizojnë me çdo kusht. Kështu ndodhi edhe me Alfred Pezën. Ai, në vitet e fundit të regjimit komunist, kur ishte oficer artilerie, komandant i një baterie topash, kishte shumë kohë të cilën nuk dinte si ta shpenzonte. Bateritë e topave ishin në vende të izoluara dhe dita e oficerit kalonte nga menca (ngrënëtorja)e repartit te kafeneja e katundit pranë. Ndonjëherë ia donte puna që të hynte edhe në bibliotekën e repartit. Kështu ndodhi një herë kur ushtari që kujdesej për bibliotekën e repartit iu ankua se ushtarët grisnin faqe nga librat për të fshirë prapanicën. Për shkak të parrullës “Të kursejmë kudo dhe vazhdimisht” repartet ushtarake nuk furnizoheshin me letër higjenike.
Dy gazetat e vetme që vinin në repart, “Zëri i Popullit” dhe “Luftëtari” nuk mjaftonin për të gjithë ushtarët, aq më tepër që vetëm njëra ishte e përditshme dhe kishin vetëm katër faqe. Kriza bëhej edhe më e rëndë sepse Komandant Fredi kujdesej që të ruante faqen e parë të së cilës gazetë ku dilnin portretet e udhëheqësve. Larg qoftë që ndonjë ushtar të fshinte prapanicën me fotografinë e shokut Prokop, Ministrit të Mbrojtjes në faqen e parë të “Luftëtarit”. Kështu nisi edhe karriera e Fredit në gazetari.
Në këto rrethana, ushtarët nisën të shpërdorojnë bibliotekën e repartit. Fjala shkoi te komandant Fredi, i cili së pari deshi të dinte për llojin e librave të shpërdoruar. A ndodhte kështu edhe me librat me përmbajtje ideologjike zyrtare? Por ushtarët si të gjithë ata që jetonin në diktaturë kishin të zhvilluar instinktin e vetëmbrojtjes nga regjimi, kështu që shpërdoronin libra që u dukeshin të parrezikshëm nga kjo anë. Një nga librat e shpërdoruar që gjeti komandant Fredi ishte romani amerikan “Bankieri”, në dy vëllime i cili në atë kohë lexohej shumë në Shqipëri. Romani ishte përkthyer dhe botuar sepse tregonte sesi bankierët shfrytëzonin popullin amerikan.
Nga ato faqe që kishin shpëtuar, Alfredi pa se personazhi kryesor i librit, bankieri, kishte qenë oficer ushtrie, si ai. Psikologët na thonë se përshtypjet më të mëdha nga një ngjarje krijohen në nënvetëdijen tonë, më tepër se në vetëdije, dhe se ato drejtojnë sjelljen tonë të mëpasme. Kështu, para se Alfredi të vetëdijësohej, në nënvetëdijen e tij u krijua ideja se ai duhet të bëhej bankier. Ishte koha kur vendi po shkonte drejt ndryshimeve të mëdha politiko-shoqërore.
Ndryshime të mëdha do të ndodhnin edhe në jetën e njerëzve. Shumë oficerë dhe kapterë u bënë biznismenë, disa krijuan edhe skema piramidale financiare. Alfredi nuk ishte nga këta. Ai nuk donte të shpërdoronte paranë e të tjerëve, për të realizuar ëndrrën e tij për t’ u bërë bankier, por donte të kursente para vetë. Pra duhet të gjente një punë ku bëhet shumë para. Kështu që mendoi t’ i hynte gazetarisë. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, gazetaria në Shqipëri përbëhej vetëm nga shtypi (gazeta e revista), jo nga radio e televizione. Ato paguanin shumë pak por Alfredi kishte ardhur ta zhvillonte median në cdo pikëpamje. Dhe një ditë, andej nga fillimi i vitit 1995, Alfredi takoi Ilirian Zhupën, botuesin e gazetës “Populli Po”. Populli nuk e kishte idenë që dilte një gazetë e tillë në emër të tij (e shumta populli njihte “Zërin e Popullit”), por kjo gjë nuk kishte rëndësi për Alfredin. Ai donte një portë për të hyrë në botën e medias dhe e gjeti atë.
Sa për çudirat që paska bërë Alfredi me penën e tij në shtyp në kohën kur punonte dhe shkruante në gazeta dhe revista (1995-2007), për këtë më mirë flet fakti që ai nuk ka bërë një libër me përmbledhjen e artikujve të tij që i quan si më të mirët. I vetmi libër që ka bërë Alfredi është ai me ditarin e fushatës zgjedhore të vitit 2013, kur ishte kandidat për deputet. Në shtyp (gazeta dhe revista) rrogat janë disa herë më të ulëta se në televizione.
Kështu që Alfredi i cili donte të punonte dhe kursente si ajo milingona punëtore, kaloi nga shtypi në televizion. Periudha televizive e Alfredit iu përket viteve 2007-2012. Nga viti 2013 mund të llogaritet vetëm muaji janar, sepse në shkurt 2013 Alfredi u largua nga karriera mediale për të hyrë në politikë. Kështu që më tepër se gjysmën e karrierës në median televizive Alfredi e ka bërë te Tv Ora News (2007-2010), që me një shkresë zyrtare ka vërtetuar se Alfredi merrte atje një pagë shumë më modeste sesa pretendon sot ai në deklaratat e tij konfuze.
Prandaj, sado të përpiqet Alfredi të vërtetojë ekuacionin se fitoi një paketë aksionesh bankare me kursimet nga puna e tij si gazetar, kjo është një përpjekje absurde, ku ai sa më thellë hyn në fantazime, duke u përpjekur ta rakordojë llogarinë me bonuse e shpërblime e honorare shumëmilionëshe, aq më shumë e rëndon veten, pasi çdo pretendim i ri i tij i këtij lloji, lind pyetjen e thjeshtë: A ka deklarim për efekt taksash të këtyre bonuseve, shpërblimeve dhe honorareve të stërmëdhenj? Tufat me letra që kishte Fredi me vete në emision nuk vlejnë si provë as sa fletët e shqyera dhe të keqpërdorura të librave nga ana e ushtarëve në repartin e dikurshëm të Komandant Fredit.
Nejse, le të ndjekim logjikën e ëndrrës së Alfredit, sipas paranojës së tij. Pasi ai kurseu pjesën më të madhe të parave, ai ishte fare pranë ëndrrës së tij për t’ u bërë bankier. Por në Shqipëri kjo gjë nuk është kaq e thjeshtë. Sepse në Shqipëri edhe gjëra më pak të thjeshtë kalojnë nëpër kanalet e politikës. Kështu që Fredi duhet t’ i hynte politikës për t’ u bërë bankier. Dhe meqënëse politikanët nuk mund të bëhen drejtpërdrejt bankierë, Fredi u bë bankier by proxy, me anë të gruas së tij. Kuptohet se Fredi mendon që në të ardhmen, ai do t’ i shtojë aksionet në bankë, dhe pas dhjetë vjetësh, kur sipas vizionit që ka ai për të ardhmen, të mos jetë më politikan, të jetë një bankier i respektuar./Marrë nga “Citynews”/
Komentet