VOAL

VOAL

Intervista – Romeo Karaj: ‘Sali Berisha është tmerruar nga dëshmia dhe provat e mia, dhe do të më heqe qafe. Ja mesazhi që kam për të’

January 18, 2017

Komentet

Intervista- Hasani flet për kaos institucional në Kosovë

Bekim Bislimi

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë në shkelje të Kushtetutës dhe një vendim që do ta konstatonte këtë, do të mund ta vinte në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4, thotë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit.

Në një skenar të tillë, sipas tij, Kuvendi nuk do të mund të mblidhej, ndërsa fati i Qeverisë së sapozgjedhur do të mbetej pezull.

Komentet vijnë në ditën kur Partia Demokratike e Kosovës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese e vendit të vendosë masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit më 13 shtator.

Ish-kreu i Kushtetueses paralajmëron se kriza mund të prekë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit, të cilin, në rrethanat aktuale, e konsideron “komprometues” për vendin.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hasani, Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar të dielën, pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Si e vlerësoni këtë proces nga pikëpamja kushtetuese?

Enver Hasani: Konstituimi i Kuvendit të dielën nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti me nenin 67 të saj, me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që i kanë interpretuar këto dispozita në të kaluarën.

Radio Evropa e Lirë: Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik” dhe u thirr në një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses. Cili është komenti i juaj?

Enver Hasani: Konstatimi i zonjës Haxhiu është fund e krye arbitrar, për shkak se ajo nuk mund të provojë se nga partia e dytë më e madhe politike ka pasur sabotim dhe heqje dorë nga ushtrimi i një të drejte kushtetuese.

Se kur mund të konsiderohet se ka ndodhur një sabotim dhe, për pasojë, mosushtrim i së drejtës kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar, është përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Arsyetimi për tërheqjen e kandidatit të partisë së dytë më të madhe për nënkryetar të Kuvendit duhet të vlerësohet në kontekstin e gjendjes së stërzgjatur jokushtetuese, të krijuar nga zonja Haxhiu dhe, para saj, nga zoti [kryesuesi i seancës konstituive Avni] Dehari, gjatë tërë procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Masa e përkohshme dhe pasojat për Kuvendin

Radio Evropa e Lirë: PDK-ja e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe ka kërkuar edhe masë të përkohshme. Çfarë mund të vendosë Gjykata në këtë fazë?

Enver Hasani: Marrë parasysh faktin se në aktgjykimin e saj lidhur me kandidatin serb për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar çështjet relevante, përfshirë edhe situatën kur një forcë politike nuk e ushtron të drejtën e saj kushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është e pritshme që Gjykata të vendosë masë të përkohshme dhe, më pas, të vendosë për meritat e rastit.

Nuk do të ishte profesionale që Gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetutës.

Gjykata e ka bërë këtë edhe herën e kaluar, kur Kuvendi i Kosovës, në mënyrë jokushtetuese, e konsideroi veten të konstituuar dhe vendi më pas shkoi në zgjedhje.

Tani që situata është sqaruar përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit nuk do të duhej të lejonte që gjendja jokushtetuese të vazhdonte më tej.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme edhe për faktin se, sipas të gjithë parametrave kushtetues, situata aktuale ka dalë jashtë binarëve normalë kushtetues dhe mund të ndikojë edhe në një votim eventual për presidentin e Republikës.

Është e sigurt se gjendja jokushtetuese e krijuar në Kuvend prodhon pasoja nga dita e dhënies së betimit të deputetëve e deri te vendimi për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Gjykata e shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit, çfarë pasojash do të kishin vendimet e marra ndërkohë, përfshirë zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës?

Enver Hasani: Sipas rregullit, nëse Gjykata Kushtetuese shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit të Kosovës – diçka që vështirë se mund të mos ndodhë, marrë parasysh atë që thashë më sipër dhe standardet kushtetuese që vetë Gjykata i ka përcaktuar – atëherë ajo duhet të konstatojë edhe jokushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4 dhe ta rikthejë gjendjen në afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo është kështu për dy arsye. E para, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh nuk prodhon si pasojë juridike automatike shkuarjen e vendit në zgjedhje. E dyta, Qeveria Kurti 4 është zgjedhur në votimin e parë, kështu që jokushtetutshmëria eventuale e këtij votimi nuk prek rundin e dytë të procedurës për zgjedhjen e Qeverisë, pas dështimit të të cilit vendi shkon në zgjedhje në përputhje me procedurën kushtetuese të nenit 95 dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar Qeverinë Hoti.

Zgjedhja e presidentit “do të ishte komprometuese”

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit. Sa e mundshme është zgjedhja e presidentit në rrethanat aktuale?

Enver Hasani: Në aspektin politik, mësa duket, nuk ekzistojnë numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Kurti në vazhdimësi po ushtron presion mbi opozitën, me tone të qarta shantazhi, se vendi mund të shkojë në zgjedhje.

As kjo, mësa duket, nuk po pi ujë, meqë vendi lehtësisht mund të shkojë në zgjedhje, pavarësisht pozitës jo të favorshme të opozitës. Kjo gjendje është, siç thotë populli: ‘I laguri për shi nuk ka dert’.

Në aspektin juridik-kushtetues, nuk besoj se as vetë Lidhja Demokratike e Kosovës ndihet komode me kandidatin e vet, por as vetë kandidati i propozuar, marrë parasysh shkallën e lartë të gjendjes jashtëkushtetuese në të cilën është futur vendi.

Për mendimin tim, çdo zgjedhje e presidentit të Republikës në këto rrethana do të ishte mjaft komprometuese për vendin dhe për ata që kontribuojnë në një proces të tillë.

Gjërat, me procesin jashtëkushtetues në të cilin është zhytur vendi, kanë shkuar shumë larg.

Zgjedhjet eventuale, më 27 dhjetor

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin dhe a mund të çojë kjo në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja?

Enver Hasani: Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos masë të përkohshme, atëherë vendi shkon në zgjedhje pas 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, të dielën, më 13 shtator.

Këtë afat e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe, siç duket, këtë afat po e respekton edhe zoti Kurti, sepse dështimi i zgjedhjes do ta çonte vendin në zgjedhje më 27 dhjetor 2026.

Në një rast të tillë, Gjykata do t’i çonte duart nga mundësia për ta rikthyer gjendjen jashtëkushtetuese në binarët kushtetues dhe, për mendimin tim, do të bënte gabim.

Sipas çdo standardi profesional që vetë Gjykata e ka krijuar përmes aktgjykimeve të vitit të fundit, ajo duhet të pezullojë çdo veprimtari të Kuvendit dhe të organeve të dala prej tij deri në vendosjen meritore për këtë rast.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, çfarë pasojash do të ketë kjo për procesin e konstituimit të Kuvendit, por edhe për proceset tjera eventuale?

Enver Hasani: Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, atëherë Kuvendi nuk mund të mblidhet, ndërsa Qeveria dhe fati i saj mbeten pezull.

Më pas, me vendimin përfundimtar, Gjykata menaxhon pasojat juridike të çdo vendimi eventual të marrë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Ngërç i ri që “lehtësisht mund të shndërrohet në konflikt shoqëror”

Radio Evropa e Lirë: Me zhvillimet aktuale, a jemi para një ngërçi të ri institucional dhe sa reale janë zgjedhjet e parakohshme?

Enver Hasani: Pa asnjë dyshim, jemi para një ngërçi të ri institucional, i cili, për dallim nga ngërçet e mëparshme, mund të shndërrohet lehtësisht në një konflikt shoqëror me përmasa të paparashikueshme.

Kjo për faktin se pushteti i zotit Kurti nuk po tregon asnjë fleksibilitet për respektimin dhe kanalizimin, përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore, të vullnetit politik të më shumë se gjysmës së popullit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Nëse vendi shkon në zgjedhje, a ka pengesa kushtetuese ose juridike për mbajtjen e tyre?

Enver Hasani: Pra, nuk bëhet më fjalë vetëm për jokushtetutshmëri apo kundërkushtetutshmëri, por për një gjendje jashtëkushtetuese, për një kaos të organizuar institucional, në të cilin lideri dhe vullneti i tij janë supremë, e jo normat kushtetuese dhe ligjore.

Shkeljet e Kushtetutës, pa ndëshkim

Radio Evropa e Lirë: A mund të sjellë Gjykata Kushtetuese qartësi për krizën aktuale, apo vendimet e saj mund të hapin edhe dilema të reja kushtetuese?

Enver Hasani: Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka sjellë qartësi kushtetuese për ata që nuk kanë pasur qëllime malicioze. Ata që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë qëllime të tilla, gjithmonë do të gjejnë arsye për të abuzuar me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Aktualisht, ta zëmë, zonja Haxhiu citon, në mbështetje të konstituimit arbitrar të Kuvendit, një paragraf të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. I njëjti aktgjykim, më lart, në paragrafin 162, përcakton qartë se së pari zgjidhet presidenti dhe pastaj Qeveria.

Njësoj është edhe me afatin prej 60 ditësh, i cili zotit Kurti po i pëlqen për shkak të datës 27 dhjetor 2026, kur vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

E njëjta qasje vërehet edhe ndaj afatit 30-ditor, të cilin Kurti po e trajton si një afat që mund të shkelet, me arsyetimin se Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton një pasojë juridike të drejtpërdrejtë për shkeljen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë në aktgjykimin e fundit se Kuvendi duhet të konstituohet brenda këtij afati.

Radio Evropa e Lirë: Pse ndodh kjo?

Enver Hasani: Sepse nuk ekziston një vepër e posaçme penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sikur të ekzistonte një vepër e tillë, jam i sigurt se Kurti do të sillej ndryshe.

Shkurt, deri këtu nuk shoh asnjë bazë për ta fajësuar Gjykatën Kushtetuese.

Intervista- Waters: Teoria që lidh Thaçin dhe të tjerët me krime mund të shtrihet shumë gjerë

Prishtinë. Shtator 2026.

 

Valona Tela

Teoria që Prokuroria Speciale përdor për t’i lidhur Hashim Thaçin dhe tre të bashkakuzuarit me krimet e pretenduara mund të shkojë shumë përtej katër personave në bankën e të akuzuarve.

Kështu vlerëson Timothy Waters, profesor i së Drejtës në Universitetin e Indianës dhe ekspert i drejtësisë penale ndërkombëtare, i cili ka punuar edhe në rastin e Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin për ish-Jugosllavinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Waters thotë se “ndërmarrja e përbashkët kriminale” është një teori që mundëson lidhjen e të akuzuarve me krime që nuk pretendohet se i kanë kryer vetë.

“Pikërisht për këtë arsye kjo teori edhe kritikohet”, thotë ai, duke shtuar se pjesa më e vështirë është të dëshmohet lidhja mes krimeve dhe personave në gjykim.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Aktakuza përmban dhjetë pika: gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.

Ajo përfshin, mes tjerash, akuza për përndjekje, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.

Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara janë kryer së paku nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit mbi gjithë Kosovën përmes, mes tjerash, frikësimit, keqtrajtimit, dhunës dhe largimit të atyre që konsideroheshin kundërshtarë.

Viktimat e pretenduara përfshijnë serbë, romë dhe shqiptarë që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së.

Waters thotë se teknikisht gjykohen katër individë, por se implikimet e teorisë mbi të cilën mbështetet rasti, mund të shtrihen shumë më gjerë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Waters, fillimisht doja t’ju pyesja: çfarë është në të vërtetë në gjykim në këtë rast – individët, apo edhe versioni i Prokurorisë për mënyrën se si ka vepruar UÇK-ja?

Timothy Waters

Timothy Waters

Timothy Waters: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Natyrisht, ka një përgjigje teknike dhe një më të gjerë.

Teknikisht, vetëm këta individë janë në gjykim. E gjithë kjo fushë e së drejtës mbështetet në idenë se gjykohen individët, jo grupet apo shtetet. Pra, ky është edhe thelbi i këtij projekti: pretendimi se përgjegjësia është individuale.

Por, unë jam mjaft skeptik se gjërat mund të ndahen kaq lehtë. Në praktikë, proceset e tilla shpesh shihen si diçka shumë më e gjerë – si një lloj aktakuze ndaj një lëvizjeje politike apo një lëvizjeje të luftës.

Kjo nuk është diçka e re. Ka ndodhur në shumë procese të tilla, që nga Nurembergu, madje mund të kthehemi edhe deri te Lufta e Parë Botërore.

Gjithmonë ka ekzistuar ideja se këto gjykime kanë të bëjnë jo vetëm me individët, por edhe me konfliktin më të gjerë dhe shoqëritë që qëndrojnë pas tij.

Kjo është, gjithashtu, një lloj mbështetjeje e tërthortë për këtë projekt… sepse ka atë që sot e quajmë ‘lawfare’ [përdorim i ligjit si mjet në një konflikt më të gjerë].

Pra, kjo është diçka e pashmangshme në procese të tilla: ato gjithmonë përfundojnë duke pasur kuptim më të gjerë sesa vetëm përgjegjësia e individëve që janë në bankën e të akuzuarve.

Kur përgjegjësia individuale shkon përtej individit

Radio Evropa e Lirë: Sa i rëndësishëm është për vendimin përfundimtar debati nëse UÇK-ja ishte e koordinuar apo e fragmentuar?

Timothy Waters: Ne ende nuk e dimë vendimin përfundimtar, prandaj mund vetëm të hamendësojmë se sa vendimtare do të jetë kjo çështje.

Por, duke parë se si kjo teori është përdorur në raste të tjera, është një pjesë shumë e rëndësishme.

Njerëz si Thaçi nuk akuzohen se i kanë kryer drejtpërdrejt veprat.

Në raste të tilla, një gjë është të dëshmosh se dikush ka vrarë apo torturuar një person; pyetja më e vështirë është të përcaktosh marrëdhënien mes atyre që i kanë kryer veprat dhe njerëzve në strukturën ushtarake ose politike.

Këtu kemi persona që nuk pretendohet se i kanë kryer vetë apo urdhëruar drejtpërdrejt krimet, por që, sipas Prokurorisë, kanë pasur një lloj marrëdhënieje komanduese ose vendimmarrëse me to.

Teoria mbi të cilën Prokuroria e ka ndërtuar rastin, quhet ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.

Është një koncept juridik shumë i ndërlikuar. Ai lejon që shumë njerëz të lidhen me një grup veprash penale, duke bërë që një person të mbajë përgjegjësi juridike për krime të kryera nga të tjerët – madje edhe për krime për të cilat mund të mos ketë ditur.

Shembulli më i njohur nga pala tjetër e konfliktit është rasti i Sllobodan Millosheviqit.

Ai u gjykua mbi bazën e teorisë së ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’, e cila përfshinte luftërat në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Kjo krijoi një teori të gjerë që mundësonte lidhjen e shumë njerëzve dhe veprave brenda së njëjtës ndërmarrje.

E njëjta teori po përdoret edhe këtu. Nuk po e them këtë domosdoshmërisht si kritikë, por për të shpjeguar se ajo i jep Prokurorisë mundësi të shkojë shumë larg, pa qenë e nevojshme të dëshmojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes secilit të akuzuar dhe secilit krim.

Pikërisht për këtë arsye kjo teori edhe kritikohet. Është aq e gjerë sa mund të krijojë një narrativ që i lidh të akuzuarit me një gamë shumë të madhe të veprimeve të UÇK-së.

Dhe kjo na kthen te pyetja juaj e parë: a po gjykohen katër individë, apo po gjykohet një ndërmarrje shumë më e gjerë, me një qëllim të përbashkët, gjatë së cilës janë kryer krime?

Kjo është edhe arsyeja pse procese të tilla mund të perceptohen si sulm ndaj një lëvizjeje më të gjerë. Në Kosovë, shumë njerëz e shohin këtë si një sulm ndaj luftës çlirimtare dhe lëvizjes që qëndronte pas saj. A e kanë gabim ata që e shohin kështu? Nuk më takon mua ta them.

Pse lidhja me krimet është pjesa më e vështirë?

Radio Evropa e Lirë: A mund të konstatojnë gjyqtarët se janë kryer krime, por se Prokuroria ka dështuar t’i lidhë ato me katër të akuzuarit?

Timothy Waters: Po, kjo është sigurisht e mundur. Sepse, kjo është pikërisht një teori që synon të krijojë lidhjen mes krimeve dhe të të akuzuarve.

Ajo që ka ndodhur është jashtëzakonisht e rëndësishme: dikush është vrarë, një familje është shkatërruar dhe, natyrisht, kjo duhet të dëshmohet.

Por shpesh është më e lehtë të vërtetohet vetë krimi. Mund të kesh trupa të gjetur në një pus, njerëz të vrarë me duart e lidhura pas shpine… Dikush i ka vrarë dhe shpesh mund të përcaktohet se kush e ka bërë. Ndonjëherë ka edhe video.

Ajo që nuk kemi është një video që mund të tregojë lidhjen mes atij krimi dhe dikujt si Thaçi. Nëse ai, për shembull, është duke negociuar në Francë, cila është marrëdhënia e tij me diçka që po ndodh në terren në atë kohë apo më vonë?

Unë kam punuar shumë në rastin e Millosheviqit. Ai nuk ishte fizikisht pranë vendeve ku zhvilloheshin këto luftëra. Lidhja me të ndërtohej – edhe pse ai proces nuk përfundoi – përmes bisedave, urdhrave dhe marrëdhënieve me të tjerët.

Pra, pikërisht këto lidhje duhet të dëshmohen. Sepse, në shumë prej këtyre rasteve, ekzistenca e krimeve nuk është çështja më e kontestuar. Pjesa e vështirë është të dëshmohet marrëdhënia mes atyre krimeve dhe personave që janë në gjykim.

Dhe për ta dëshmuar këtë, përdoret një teori që mund të shtrihet te një numër shumë i madh njerëzish.

Formalisht, askush nuk po thotë se UÇK-ja është në gjykim. Në gjykim janë këta katër persona. Por, teoria që përdoret nuk përfundon domosdoshmërisht me ta; logjikisht, implikimet e saj mund të shtrihen edhe te shumë njerëz të tjerë.

Kjo nuk do të thotë se ata njerëz do të gjykohen. Por, është e kuptueshme që implikimet e një teorie të tillë mund të krijojnë shqetësim, sepse prekin mënyrën se si njerëzit e shohin atë për të cilën kanë luftuar.

Katër të akuzuarit: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Hashim Thaçi.

Katër të akuzuarit: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Hashim Thaçi.

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se do të ishte shumë e vështirë të dëshmohej një ndërmarrje e tillë e përbashkët kriminale?

Timothy Waters: Të dëshmosh lidhjen e një personi me një varg ngjarjesh është e ndërlikuar. Kjo teori mundëson që barra e provës të jetë më e lehtë. Nuk po e them këtë si kritikë, por thjesht po e përshkruaj se si funksionon.

Për ta ilustruar, mund të mendojmë për mënyrën se si gjykatat kanë ndryshuar qasjen ndaj rasteve të dhunës seksuale, ose ndaj dëshmive të fëmijëve.

Në disa raste janë ndryshuar mënyrat e dëshmimit apo standardet që duhet të përmbushen, sepse është pranuar se historikisht gjykatat, për shembull, nuk u kanë besuar sa duhet dëshmive të grave që kanë raportuar dhunë seksuale.

Standardet ndryshohen me synimin për të arritur tek e vërteta.

Edhe kjo teori përpiqet të bëjë diçka të ngjashme. Ajo thotë se duhet të ketë një barrë më të lehtë, më të ulët, për të arritur tek e vërteta që qëndron pas këtyre ngjarjeve.

Nëse kjo duhet bërë apo jo, është një pyetje e vështirë. Unë vetëm po them se ky është qëllimi dhe efekti i saj: e bën më të lehtë provimin e lidhjes.

Ka edhe një shaka të vjetër për ‘ndërmarrjen e përbashkët kriminale’: “Çfarë do të thotë në të vërtetë ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’? Përgjigjja: Thjesht, dënoji të gjithë”. Sepse, kjo teori mund të shtrihet shumë gjerë.

Kjo tregon edhe pse prokurorët e pëlqejnë, ndërsa avokatët mbrojtës jo.

Nëse je kritik ndaj një gjykate, mund ta shohësh këtë si një instrument që ia bën punën tepër të lehtë Prokurorisë.

“45 vjet burgim”: Çfarë tregon kërkesa e Prokurorisë?

Radio Evropa e Lirë: Prokuroria po kërkon nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Çfarë na tregon kjo për mënyrën se si Prokuroria e vlerëson peshën e këtij rasti?

Timothy Waters: Kërkesa për 45 vjet, besoj, sinjalizon se Prokuroria e konsideron këtë një rast jashtëzakonisht serioz.

Por, mënyra se si përcaktohen dënimet në këto gjykata, është shumë e vështirë për t’u kuptuar, sepse nuk ekziston një teori e qartë pas tyre.

Dhe ky nuk është problem vetëm i gjykatave ndërkombëtare. Edhe në sistemet kombëtare, përcaktimi i dënimit është shumë i ndërlikuar.

Ose vendos rregulla të ngurta dhe përfundon duke dhënë dënime të ngjashme për raste shumë të ndryshme, ose lë shumë hapësirë për vlerësim dhe atëherë lind pyetja: sa vjet meriton dikush për gjenocid – 40 apo 20? Po për krime kundër njerëzimit apo krime lufte – 40, 20 apo 10 vjet? Kush mund ta përcaktojë këtë?

Nuk është një çështje që mund të përkthehet lehtësisht në terma moralë.

Fajësi apo pafajësi: Çfarë ndryshon pas verdiktit?

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të shpalleshin të pafajshëm, çfarë do të tregonte kjo për rastin e Prokurorisë?

Timothy Waters: Nëse shpallen të pafajshëm, kjo mund të nënkuptojë se drejtësia është vënë në vend dhe ne duhet të jemi të kënaqur me këtë, sepse qëllimi nuk është që njerëzit të dënohen me çdo kusht.

Por, mund të shihet edhe krejt ndryshe.

Një nga problemet që kam me këto gjykata, që nga vitet ‘90, është se… ato supozohet të jenë gjykata që zbatojnë ligjin dhe zhvillojnë procese të drejta – dhe unë besoj se, në përgjithësi, janë të tilla. Por, pas tyre ekziston edhe një projekt më i gjerë: ideja se ato duhet të sjellin drejtësi. Dhe kjo drejtësi shpesh perceptohet sikur mund të arrihet vetëm përmes dënimeve.

Prandaj, një vendim pafajësie nuk shihet domosdoshmërisht si dëshmi se sistemi funksionoi siç duhet; mund të shihet edhe si dështim.

Natyrisht, kjo ndodh edhe në sistemet kombëtare. Nuk kam dëgjuar ndonjë prokuror që humb një rast dhe thotë: ‘Jam i kënaqur që sistemi i drejtësisë po funksionon’. Prokurorët duan ta fitojnë rastin, ashtu si edhe mbrojtja.

Por, çështja është më e gjerë se kaq. Brenda gjithë ekosistemit të mbështetjes diplomatike dhe të shoqërisë civile rreth këtyre gjykatave, si dhe mes vetë personelit të tyre, ekziston ideja se roli i gjykatës është të arrijë dënime që kontribuojnë në përcaktimin e së vërtetës për këto konflikte.

Pra, këto gjykata kanë edhe një funksion narrativ, dhe një vendim pafajësie nuk i shërben atij funksioni në të njëjtën mënyrë.

Prandaj, mendoj se pafajësia do të perceptohej si një dështim i madh, edhe pse sigurisht do të kishte njerëz, në Kosovë dhe gjetkë, që do ta mirëprisnin.

Radio Evropa e Lirë: Po nëse shpallen fajtorë? Çfarë do të thoshte një vendim i tillë për UÇK-në dhe për luftën e Kosovës?

Timothy Waters: Një vendim fajësie, në radhë të parë, do të ishte vendim ndaj katër individëve, të cilët më pas do të kishin të drejtën e apelit dhe, nëse vendimi mbetet në fuqi, do të vuanin dënimet e shqiptuara. Ky është fakt më vete.

Por mendoj se disa aktorë, për shembull në Serbi, do ta interpretonin një vendim të tillë si dëshmi të paligjshmërisë së UÇK-së në përgjithësi.

Ndërsa, siç e kuptoj unë – dhe ju e dini këtë shumë më mirë se unë – në Kosovë, shumica e aktorëve ka të ngjarë ta refuzonin vendimin si jolegjitim.

Nëse ndodh kështu, kjo do të ishte plotësisht në përputhje me atë që kemi parë në gjykimet e tjera për luftërat në ish-Jugosllavi.

Këto vendime pothuajse gjithmonë interpretohen përmes përkatësisë etnike. Mund ta kuptosh se cilës palë i përket dikush nga mënyra se si reagon ndaj proceseve gjyqësore në Kroaci, Serbi apo Bosnje.

Kjo më çon te një përfundim tjetër: një nga gjërat që dikur mendonim se këto gjykata do të arrinin – krijimin e narrativëve të rinj që do të ndihmonin pajtimin – ka dështuar plotësisht.

Ato nuk e kryejnë këtë funksion.

Dhe pse do të prisnim që kjo gjykatë ta bënte këtë, veçanërisht në këtë rast? Kjo është një gjykatë tërësisht ndërkombëtare dhe, sipas meje, e imponuar nga jashtë. E di se formalisht është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por financohet, kontrollohet dhe përbëhet nga të huajt.

Po të ndodhte kjo 150 vjet më parë, do ta quanim një lloj kapitullimi: një gjykatë e jashtme e imponuar ndaj një shteti. Si mund të pritet që ajo të perceptohet si legjitime nga njerëzit ndaj të cilëve është imponuar? Mua më duket shumë e pamundur.

“Gjykatat nuk e kanë sjellë pajtimin”

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në punën tuaj në rastin e Millosheviqit, ku përfundon përgjegjësia penale individuale dhe ku fillon gjykimi historik?

Timothy Waters: Besoj se kufiri mes tyre është i paqartë. Në teori, këto gjykata merren vetëm me përgjegjësinë penale individuale. Por, nëse shohim se si e kanë perceptuar vetë rolin e tyre, veçanërisht që nga vitet ‘90, ato shpesh e kanë parë veten edhe si institucione që tregojnë një narrativ më të gjerë historik dhe me rëndësi politike.

Disa prej këtyre gjykatave, madje, e kanë pasur të përcaktuar në statut se duhet të kontribuojnë në pajtim.

Edhe Tribunali për ish-Jugosllavinë [ICTY] e shihte hapur veten, sidomos në fillim, si një gjykatë që do të ndihmonte në pajtim.

Kjo nënkupton një rol shumë më të madh sesa thjesht të përcaktosh përgjegjësinë juridike të një individi.

Me kalimin e kohës, këto ambicie u zvogëluan, pjesërisht sepse u bë e qartë se gjykatat nuk po arrinin atë që ishte pritur prej tyre.

Kur ICTY-ja përfundoi punën, vetë përfaqësuesit e saj pranuan se nuk ishte arritur pajtimi mes palëve të dikurshme ndërluftuese në Bosnje, Kroaci, Serbi dhe Kosovë.

Për mua, kjo ishte madje një nënvlerësim. Është arritur shumë pak – ndoshta, në disa raste, situata është bërë edhe më e keqe.

Pra, ambiciet e këtyre gjykatave nuk përputhen domosdoshmërisht me atë që ato realisht mund të arrijnë.

Nuk dua të sugjeroj se pikërisht kjo po ndodh edhe këtu. Mendoj se këto gjykata kanë mësuar të kenë synime më modeste.

Dhomat e Specializuara janë një ndërmarrje shumë më e kufizuar – si në fushëveprim, ashtu edhe në ambicie.

Njerëzit kalojnë pranë ekranit me numërimin mbrapsht në Prishtinë, i cili tregon kohën e mbetur deri në shpalljen e vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Fotografia është bërë më 11 shtator.

Njerëzit kalojnë pranë ekranit me numërimin mbrapsht në Prishtinë, i cili tregon kohën e mbetur deri në shpalljen e vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Fotografia është bërë më 11 shtator.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë, sipas jush, do të ketë më shumë rëndësi te ky vendim: rezultati, arsyetimi juridik apo ajo që do të lërë pas si dëshmi historike?

Timothy Waters: Mendoj se rekordi historik do të jetë më pak i rëndësishmi. Nuk besoj se njerëzit do t’i drejtohen kësaj gjykate për ta kuptuar historinë e tyre. Ata do t’u drejtohen rrëfimeve të veta, familjeve, arsimit dhe shoqërisë së tyre për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

E kam të vështirë të imagjinoj se kjo gjykatë do t’ua ndryshojë mendimin njerëzve në Kosovë apo Serbi për atë që ka ndodhur.

Rezultati pritet të ketë rëndësi politike. Një vendim fajësie apo pafajësie do të ndikojë në politikën në Kosovë, në rajon dhe potencialisht edhe në Shtetet e Bashkuara – në masën që SHBA-ja do t’i kushtojë vëmendje.

Arsyetimi juridik do të ketë rëndësi kryesisht brenda vetë fushës së drejtësisë penale ndërkombëtare. Ky rast mbështetet në teorinë e ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’ dhe juristët do të duan të shohin se si e ka trajtuar gjykata këtë teori: cilat pjesë i ka pranuar, cilat i ka refuzuar dhe nëse ka ndryshuar apo zhvilluar ndonjë doktrinë juridike.

Në këtë fushë, vëmendja shpesh përqendrohet pikërisht te këto çështje: teoritë e reja juridike, zgjerimi i fushëveprimit të krimeve apo ndryshimet procedurale.

Çdo vendim analizohet hollësisht për të parë se çfarë nënkupton për të drejtën penale ndërkombëtare dhe për rastet e ardhshme.

Por jam skeptik se kjo ka po aq rëndësi jashtë botës juridike.

Pasojat më të rëndësishme do t’i ketë rezultati dhe mënyra se si aktorët e ndryshëm do ta përdorin politikisht një vendim fajësie apo pafajësie.

Radio Evropa e Lirë: Këto ditë pamë se si një kriminel i dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq, u varros me nderime shtetërore në Serbi. Cili është komenti juaj?

Timothy Waters: Në rastin e Mlladiqit, lidhja me strukturën komanduese ishte shumë më e drejtpërdrejtë. Kemi pasur pamje filmike; ai ishte aty, ishte gjeneral, jepte urdhra.

E, megjithatë, shikoni reagimin. I gjithë gjykimi, procedurat dhe argumentet juridike nuk kanë pasur rëndësi për njerëzit që nuk e konsiderojnë gjykatën legjitime.

Dhe, shikoni edhe palën tjetër: as boshnjakët nuk janë të kënaqur, sepse për ta verdikti ishte i pamjaftueshëm – gjenocidi u njoh vetëm për Srebrenicën dhe jo për vende të tjera.

Pra, kush në atë pjesë të botës e konsideron këtë një rezultat të mirë? Për cilën palë ky proces ka kontribuar në pajtim apo në krijimin e një realiteti të ri?

Në vend të kësaj, kemi funeral shtetëror dhe Mlladiqin që trajtohet si hero. Për mua, kjo na tregon shumë më tepër sesa ajo që ndodh brenda sallës së gjyqit.

Ndoshta duhet t’i kemi këto gjykime sepse janë procedurialisht të drejta ose sepse mund të prodhojnë një rezultat të drejtë. Por, ato janë jashtëzakonisht të kushtueshme nëse ky është i vetmi qëllim. Dhe unë mendoj se është më mirë kur vetë shoqëritë i zhvillojnë këto procese. Një gjykim në Serbi, edhe dekada më vonë, do të kishte pasur më shumë vlerë sesa gjithë kjo.

Edhe nëse besojmë se këto gjykime ia vlejnë, pyetja mbetet e njëjtë edhe për njerëzit që po gjykohen tani: a i kanë kryer këto vepra dhe, nëse po, a meritojnë të dënohen? Sigurisht, nëse akuzat dëshmohen.

Por, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kjo është mënyra më e mirë apo më e dobishme për ta bërë këtë. Për këtë jam shumë skeptik.

Radio Evropa e Lirë: Cila është alternativa atëherë?

Timothy Waters: Po, kjo është një pikë shumë e mirë. Madje jam duke punuar në një libër, një nga titujt e mundshëm të të cilit është ‘Just Doing Something’ (‘Thjesht të bësh diçka’).

Sepse, pavarësisht të gjitha problemeve dhe dëshmive se këto gjykata nuk funksionojnë siç pritet, në fund gjithmonë thuhet: ‘Po, por duhet të bëjmë diçka’.

Por ‘diçka’ mund të nënkuptojë edhe të mos e bësh këtë. Mund të nënkuptojë të bësh diçka tjetër, madje edhe të presësh.

Mbaj mend një bisedë me disa kroatë, të cilët më thanë: ‘Nëse nuk e kemi Tribunalin për ish-Jugosllavinë, ne në Kroaci nuk do t’i zhvillojmë vetë këto procese’. Dhe përgjigjja ime ishte: ‘Ndoshta kjo është e vërtetë. Por, pse të mos presim derisa të jeni gati?’

Ndoshta kjo nuk do të ndodhë për disa dekada. Por, imponimi i një procesi nga jashtë nuk do ta përshpejtojë domosdoshmërisht këtë.

Natyrisht, ka kundërargumente. Dikush tjetër mund t’ju thotë se këto gjykata e nxisin ndryshimin – dhe në disa raste mund ta bëjnë këtë.

Por, në Ballkan ka arsye të forta për të dyshuar nëse kjo mund të funksionojë ndonjëherë.

Prandaj, një alternativë është që bashkësia ndërkombëtare të mos ndërhyjë fare përmes gjykatave të tilla, nisur nga ideja se ardhja e një grupi gjyqtarësh të huaj për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur, nuk do të sjellë shumë dobi, nëse vetë shoqëria nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj.

Nëse një ditë bëhet gati, atëherë një proces i tillë mund të ketë vlerë.

Unë do të isha në rregull edhe sikur këto gjykata të mos ekzistonin.

Kjo është fusha ime, por nuk mendoj se ato po arrijnë shumë. Në vend të tyre, mund të nxiten proceset vendore dhe të mendohet edhe për forma që nuk lidhen me gjykimet.

Pse jo shkrimi i historisë? Projekte arsimore? Ka shumë mënyra përmes të cilave shoqëritë përballen me të kaluarën e tyre dhe që nuk kanë të bëjnë me gjykatat.

Gjykimet janë procese formale juridike, por ato zhvillohen brenda një konteksti politik dhe shoqëror. Ato kanë nevojë për atë mjedis që të funksionojnë. Nëse një shoqëri nuk është e gatshme të angazhohet me një proces të tillë juridik, ai nuk do të zërë rrënjë.

Dhe, mendoj se pikërisht ky është problemi këtu. Është problem në Kosovë, në Serbi dhe, në mënyrë veçanërisht të theksuar, në Bosnje.

Mund të kthehemi edhe te Gjermania dhe Nurembergu. Edhe ai ishte një proces i imponuar nga jashtë dhe ka hulumtime që tregojnë se ka shumë pak dëshmi se gjermanët u bindën prej tij.

Ndryshimet në qëndrimet e shoqërisë gjermane nuk i shohim deri në vitet ‘60.

Dhe pyetja është: a ndodhi kjo për shkak të Nurembergut, apo për shkak të kalimit të kohës dhe shumë ndryshimeve të tjera?

Gjermanët filluan t’i zhvillonin edhe vetë gjykimet e tyre, dhe kjo ndoshta ishte më e dobishme.

Por as gjykimet nuk ishin faktori kryesor. Ishte një proces shumë më i gjerë ndryshimesh shoqërore.

Pra, ndryshimi është i mundur. Për shumë dekada, Gjermania është bërë një nga shoqëritë më të përkushtuara ndaj përballjes me këtë të kaluar. Por kjo mund të mos ketë ndodhur sepse iu imponua një gjykim. Mund të ketë ndodhur për shkak të një transformimi shumë më të gjerë shoqëror.

Intervista- Ellis: Aktgjykimi i Speciales mund të bëhet precedent për drejtësinë ndërkombëtare

Valona Tela

Aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mund të ketë peshë përtej fatit juridik të katër të akuzuarve.

Mark Ellis, njohës i çështjeve ligjore, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai mund të ndihmojë në përcaktimin e kufijve të ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe përgjegjësisë komanduese kur bëhet fjalë për udhëheqës të lartë.

Në qendër do të jetë çështja nëse ka ekzistuar një qëllim i përbashkët kriminal dhe nëse secili prej të akuzuarve kishte kontroll efektiv dhe dijeni për krimet e kryera nga vartësit.

Për Ellisin, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, rëndësia e vendimit nuk qëndron vetëm te përfundimi i tij, por edhe te mënyra se si do të arsyetohet, si dhe te gjurmët që mund t’i lërë në të drejtën penale ndërkombëtare dhe në të kuptuarit e luftës në Kosovë.

Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – të gjithë figura të larta të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.

Ajo përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe katër pika për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Në atë dosje, katërshja përshkruhet si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.

Viktimat e tyre, sipas aktakuzës, përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.

Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Të katër të akuzuait janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Aktgjykimi do të shpallet më 16 shtator 2026.

Në qendër, ndërmarrja e përbashkët kriminale

Radio Evropa e Lirë: Pas më shumë se tre vjetësh gjykim, cilat i shihni si çështjet kryesore ligjore që gjyqtarët duhet t’i zgjidhin në rastin kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit?

Mark Ellis: Në përgjithësi, mendoj se ky është një rast jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe çështjet ligjore janë vërtet interesante.

Mendoj se, para së gjithash, njerëzit do të përqendrohen te pyetja nëse ka ekzistuar fare një ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe, nëse po, cili ka qenë fushëveprimi i saj.

Ky është fokusi kryesor.

Siç e dimë, aktakuza thotë se të katër të akuzuarit e kanë ndarë këtë qëllim të përbashkët. Kështu që, detyra e parë, mendoj unë, do të jetë të vendoset nëse ky qëllim i përbashkët është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe, pastaj, natyrisht, të kalohet te vlerësimi i pjesëmarrjes së secilit të pandehur në këtë plan të përbashkët.

Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve.

Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve.

Sepse, siç e dimë, katër të pandehurit kanë pasur funksione të ndryshme dhe, prandaj, mendoj se do të duhet të vlerësohet kontributi i secilit prej tyre.

Pra, duhet t’i ndash deri diku këto çështje, edhe pse të katër individët i shqyrton brenda konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Çështja tjetër që gjithmonë më ka interesuar dhe që mendoj se do të jetë interesante këtu, është përgjegjësia komanduese.

Ajo, siç e dimë, është ngritur paralelisht me akuzat për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Këtu flasim për një koncept që ekziston prej një kohe mjaft të gjatë. Ai ishte pjesë e Statutit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, por trupi gjykues do të duhet ta vlerësojë veçmas secilin të pandehur, nëse ka ekzistuar kjo marrëdhënie epror-vartës dhe nëse i pandehuri ka pasur kontroll efektiv.

Kjo është vërtet thelbësore këtu.

Pastaj, duhet të përcaktohet nëse të pandehurit e dinin ose kishin arsye ta dinin se krimet po kryheshin dhe nuk bënë asgjë për t’i ndaluar ato. Ky është një test ligjor i veçantë nga akuzat për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Pra, këto janë çështjet që më intrigojnë në këtë rast dhe që mendoj se janë thelbësore për të.

Në fokus edhe kontrolli dhe hierarkia në UÇK

Radio Evropa e Lirë: Sa vendimtare është për aktgjykimin përplasja mes pretendimit të Prokurorisë se krimet ishin pjesë e një fushate të koordinuar dhe argumentit të mbrojtjes se UÇK-ja ishte e fragmentuar dhe se katër të akuzuarit nuk kishin kontroll efektiv në terren?

Mark Ellis: Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mendoj se kjo është njëra prej një apo dy çështjeve faktike më vendimtare që do të trajtohen në aktgjykim, sepse prek si akuzën për përgjegjësi komanduese, ashtu edhe teorinë e Prokurorisë për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Prokuroria ka argumentuar se të katërtit ushtronin një lloj autoriteti të përgjithshëm mbi këtë lëvizje dhe mbi veprimet që ndodhën, përfshirë – nëse më kujtohet saktë – edhe mbi rrjetin e qendrave të ndalimit ku, natyrisht, pretendohet se janë kryer krime.

Prokuroria do të thotë: “Ne mund ta provojmë këtë përmes komunikimeve të UÇK-së, komunikimeve të brendshme”.

Por, siç e thatë edhe ju, mbrojtja argumenton se, në fakt, e gjithë kjo strukturë ishte e organizuar shumë lirshëm. Nuk kishte hierarki. Autoriteti operacional për të cilin është diskutuar në këtë rast, sipas këtij argumenti, u takonte komandantëve ushtarakë dhe jo udhëheqjes politike dhe të inteligjencës që tani është në gjykim.

Prandaj, vendimi do të duhej ta trajtonte këtë çështje. Këto janë pika vërtet kritike.

Radio Evropa e Lirë: Por, sa e vështirë është, sipas së drejtës penale ndërkombëtare, të kalohet nga vërtetimi se krimet kanë ndodhur te vërtetimi se udhëheqës të lartë politikë ose ushtarakë janë individualisht përgjegjës për to? Cilat prova zakonisht e krijojnë këtë lidhje?

Mark Ellis: Lidhja ka të bëjë me aftësinë për të treguar se të pandehurit, në fakt, ishin në pozitë autoriteti. Se kishin kontroll efektiv. Se kishin kontroll mbi atë që po ndodhte. Se e dinin se çfarë po bënin vartësit dhe nuk bënë asgjë për t’i ndaluar. Të gjitha këto shërbejnë për ta ndërtuar rastin.

Prokuroria ka qenë në gjendje t’i përdorë komunikimet e brendshme që ka arritur t’i fusë në dosjen gjyqësore dhe kjo është ajo që bëhet: ndërtohet një strukturë provash.

Ju pyetët më herët nëse kjo është një pjesë kritike e rastit. Dhe është. Sepse, si mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria kanë shpenzuar shumë kohë duke u përqendruar në përpjekjet për t’i hedhur poshtë argumentet e njëra-tjetrës.

Pra, në thelb, bëhet fjalë për ndërtimin e rastit përmes provave.

Radio Evropa e Lirë: Por, nëse gjyqtarët arrijnë në përfundimin se krimet janë kryer, por nuk binden se Prokuroria e ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm lidhjen e të pandehurve me to, çfarë do të nënkuptonte kjo për teorinë më të gjerë të Prokurorisë për rastin?

Mark Ellis: Siç e thashë në fillim, këtu kemi dy linja paralele: njëra lidhet me përgjegjësinë komanduese, ndërsa tjetra me ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Pra, teoria e ndërmarrjes së përbashkët kriminale mund të qëndrojë edhe pa u provuar se secili prej të pandehurve ka urdhëruar ose kryer personalisht një veprim të caktuar të paligjshëm apo keqtrajtim.

Ajo shërben si teori që i lidh të katër të pandehurit me krimet e pretenduara, ndërsa përgjegjësia individuale komanduese shqyrtohet veçmas.

Mendoj se ndërmarrja e përbashkët kriminale është ndoshta pjesa më kritike e rastit.

Ju pyetët më herët se sa qendrore është kjo teori e Prokurorisë dhe çfarë do të ndodhte nëse gjyqtarët do ta hidhnin poshtë. Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse nëse gjyqtarët e hedhin poshtë ose e kufizojnë ndjeshëm ndërmarrjen e përbashkët kriminale, atëherë duhet të mbështeten te përgjegjësia individuale, përfshirë përgjegjësinë komanduese, e cila duhet të lidhet konkretisht me secilin të pandehur dhe jo me një qëllim më të gjerë të përbashkët.

Kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet. Por, atëherë lind pyetja tjetër: çfarë ndodh nëse nuk mund të provohet se një i pandehur kishte kontroll efektiv? Nëse nuk provohet as kjo, atëherë rasti fillon të dobësohet.

Pra, gjyqtarët mund ta hedhin poshtë ose ta kufizojnë ndjeshëm teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe, megjithatë, të konstatojnë përgjegjësi individuale, veçanërisht mbi bazën e përgjegjësisë komanduese.

Kjo është arsyeja pse kjo çështje është kaq e rëndësishme për aktgjykimin.

Në anën tjetër, nëse gjyqtarët e pranojnë teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale kryesisht ashtu siç është paraqitur në aktakuzë, përfshirë format e saj të zgjeruara, kjo do të kishte rëndësi të madhe. Do të përforconte zbatueshmërinë e kësaj doktrine në tribunalet ndërkombëtare, sepse ndërmarrja e përbashkët kriminale ka qenë një koncept i debatueshëm, veçanërisht forma e tretë e saj [që ka të bëjë me pasojat e parashikueshme].

Kjo formë është përballur me shqyrtim dhe kritika gjithnjë e më të mëdha në qarqet e së drejtës penale ndërkombëtare. Prandaj, nëse gjyqtarët e mbështesin atë, kjo do t’i jepte peshë më të madhe këtij koncepti.

Për këtë arsye, rëndësia e aktgjykimit shkon përtej Kosovës. Qoftë nëse gjyqtarët e hedhin poshtë ndërmarrjen e përbashkët kriminale, e kufizojnë zbatimin e saj apo e pranojnë atë, vendimi do të ketë rëndësi edhe për rastet e ardhshme dhe për gjykatat që mund ta përdorin këtë koncept.

Një aktgjykim me peshë përtej Kosovës

Radio Evropa e Lirë: Ky është rasti më i rëndësishëm që Dhomat e Specializuara të Kosovës do të vendosin ndonjëherë. A do të jetë – më 16 shtator – në lojë edhe vetë besueshmëria e Gjykatës?

Mark Ellis: Unë asnjëherë nuk kam qenë prej atyre që e lidhin besueshmërinë e një gjykate me vendimin që ajo merr. Gjithmonë kam qenë i rezervuar ndaj një qasjeje të tillë.

Ajo që shikoj unë, është se sa mirë është arsyetuar aktgjykimi, sa kontrovers ka qenë vendimi dhe cilat kanë qenë argumentet mbi të cilat është mbështetur.

Deri më tani, vetë rasti ka qenë i shoqëruar me kundërthënie. Por, për shembull, nëse akuzat nuk do të vërtetoheshin, unë nuk do të thosha menjëherë se po vihet në dyshim e gjithë besueshmëria e procesit apo e Gjykatës. Unë nuk e shoh kështu.

Duhet parë me shumë kujdes se cili ka qenë vendimi dhe si është arsyetuar ai.

Sepse, çfarëdo që të ndodhë, mendoj se ky aktgjykim do të ketë ndikim të thellë në rastet e ardhshme dhe në zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: A mund të bëhet ky aktgjykim precedent për mënyrën se si gjykatat ndërkombëtare e vlerësojnë përgjegjësinë?

Mark Ellis: Mendoj se do të bëhet precedent. Mendoj se do t’i shtohet jurisprudencës ekzistuese, pavarësisht se cili do të jetë vendimi.

Kështu funksionon e drejta ndërkombëtare. Ajo vazhdon të ndërtohet mbi vetveten dhe rastet; vendimet në këto raste përcaktojnë dhe ripërcaktojnë elemente të teorisë juridike.

Radio Evropa e Lirë: Cilido qoftë aktgjykimi, ai do të bëhet pjesë e debatit për mënyrën se si kujtohet lufta e Kosovës. Si duhet një gjykatë ta bëjë dallimin mes gjykimit të përgjegjësisë penale të katër individëve dhe dhënies së një gjykimi për UÇK-në apo për legjitimitetin e vetë luftës së Kosovës?

Mark Ellis: Gjithmonë kam menduar se gjykatat duhet të shihen si institucione me përgjegjësi të rëndësishme, por të kufizuara. Ato merren me akuza dhe raste konkrete. Roli i tyre është të përpiqen të sjellin drejtësi për viktimat që nuk kanë më zë, por kjo nuk do të thotë se gjykatat arrijnë ta bëjnë këtë gjithmonë.

Pasojat e vendimeve të tyre mund të jenë të mëdha dhe të shtrihen shumë më gjerë. Shpesh, njerëzit jashtë sistemit gjyqësor i marrin këto vendime dhe përpiqen t’i përdorin për interesat e tyre, për të mbështetur qëndrimet që kanë. Gjykatat nuk mund ta kontrollojnë këtë.

Por, mendoj se është shumë e rëndësishme që vendimi të jetë i arsyetuar mirë, pavarësisht rezultatit përfundimtar, dhe të përfshijë edhe kontekstin historik – nëse mund ta quajmë kështu – të asaj që ka ndodhur në Kosovë, siç e përmendët edhe ju.

Në këtë kuptim, vendimet gjyqësore mund të kenë ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si historia do ta shohë konfliktin.

Por, përsëri, gjykata është e kufizuar nga rasti që ka përpara dhe nga akuzat për të cilat duhet të vendosë. Ajo duhet të qëndrojë brenda këtyre kufijve.

Besoj se vendime të tilla ndihmojnë në krijimin e një baze faktike, me rëndësi historike dhe sa më afër së vërtetës që një gjykatë mund të arrijë.

Kjo, mendoj, e ndihmon publikun të kuptojë se çfarë ka ndodhur dhe, shpresoj, ndihmon edhe që në historinë e asaj që ka ndodhur të mbetet një bazë e së vërtetës, që disa fakte të jenë nxjerrë në pah përmes procesit gjyqësor.

Mendoj se ky është një kontribut i rëndësishëm që japin gjykatat.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të shikoni ju, personalisht, në aktgjykim?

Mark Ellis: Mendoj se do të shikoj pikërisht atë që sapo thashë: nëse është një vendim i qartë dhe i mirëpërcaktuar, që na jep një pasqyrë më të thellë për krimet e kryera, në raport me akuzat konkrete.

Do të shikoj, gjithashtu, se si ky vendim mund të ndihmojë në rikonfirmimin e parimeve juridike që njohim sot apo në ripërcaktimin e tyre – nëse do t’i forcojë apo do t’i dobësojë ato. Për mua, këto do të jenë ndër aspektet më të rëndësishme të vendimit.

Dhe, në fund, do ta pyes veten: a na ndihmon ky vendim të kemi një pasqyrë objektive dhe historike, sado të kufizuar, për atë që ka ndodhur? Mendoj se edhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme.

Nëse njerëzit në njërën apo tjetrën anë të konfliktit do ta pranojnë vendimin, kjo është çështje tjetër.

Nëse vendimi është i arsyetuar mirë, unë do të jem plotësisht i kënaqur me këtë.

Intervista- Walker paralajmëron thellim të përçarjes nëse partitë nuk bashkohen për presidentin

Valbona Bytyqi

Ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, u bën thirrje partive politike në Kosovë që të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin presidentin.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se zgjedhjet e reja eventuale, si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, do të ndikonin në përparimin që ka bërë Kosova ndër vite.

“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri”, thotë Walker.

“Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Walker, përmes një letre, ju propozuat këtë javë emrin e Faton Bislimit për president të Kosovës. Cilat janë arsyet që ju shtynë drejt këtij propozimi?

William Walker: Epo, me pak fjalë, jam lodhur nga konfuzioni dhe ngecja e procesit zgjedhor që po vazhdon tash e tri apo katër palë zgjedhje. Tani po thuhet se, nëse nuk e zgjidhin këtë çështje, do të duhet të shkojnë në zgjedhje të tjera.

Unë, vërtet, nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Ato, me shumë gjasë, do të prodhonin rezultate të ngjashme me zgjedhjet e kaluara.

Mendoj se Kosova, thjesht, duhet të rikthehet në rrugën e progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë që nga viti 2000, por veçanërisht që nga pavarësia në vitin 2008.

Mendoj se është koha të ecet përsëri përpara.

Radio Evropa e Lirë: Pse propozuat pikërisht zotin Bislimi?

William Walker: Sepse, e dini, i kam parë problemet që kanë pasur presidentët, veçanërisht ajo që sapo u largua [Vjosa Osmani], jo ushtruesja e detyrës.

E kuptoj se Presidenca është vërtet mjaft ndryshe nga ajo që kërkohet nga një kryeministër, apo nga disa poste të tjera. Presidenti përfaqëson Kosovën në tërësi. Nuk mund të bazohet në një parti politike apo në një lider të caktuar politik.

Për Presidencën nevojitet një grup i tërë aftësish dhe mendoj se Vjosa e kishte shumicën e tyre, por, fatkeqësisht, kishte disa probleme.

Toni Bislimin e njoh prej kohësh dhe mendoj se ai i ka pothuajse të gjitha, në mos të gjitha, aftësitë që unë konsideroj se i nevojiten një kandidati presidencial.

Nuk mund të mendoj për dikë tjetër që njoh në Kosovë, dhe njoh shumë njerëz në Kosovë.

Thjesht, mendoj se Toni ka një kombinim të talenteve dhe personalitetit që i përshtatet asaj që i nevojitet një presidenti. Ka një këndvështrim për botën, arsimim të mirë. Të njohurit e gjuhës angleze është me rëndësi, por gjithashtu edhe njohja e Evropës dhe mënyrës se si funksionon ajo.

Ai ka një personalitet që nuk kërkon konflikt, përpiqet t’i bashkojë njerëzit dhe kjo është ajo për të cilën Kosova ka shumë nevojë, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara dhe pothuajse çdo vend tjetër në botë.

Kush është Faton Bislimi?

Faton Bislimi ka qenë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në legjislaturën e shtatë, nga dhjetori i vitit 2019 deri në janar të vitit 2021.

Në maj të vitit 2023, ai dha dorëheqje nga Kryesia e LDK-së, duke akuzuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, për “sforcim të pozitës personale e jo të partisë”.

Disa muaj më vonë synoi ta sfidonte Abdixhikun për postin e kryetarit, por Kuvendi Zgjedhor nuk ia pranoi kandidaturën, me arsyetimin se nuk ishte në përputhje me rregulloren e punës.

Bislimi tani vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aktivist i kauzës kombëtare.

Në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, ai tha se e mirëpret propozimin e ish-ambasadorit William Walker dhe se e konsideron nder të veçantë besimin e shprehur ndaj tij nga një njeri që, siç tha, ka luajtur rol të rëndësishëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se vlerësimin e Walkerit e sheh edhe si njohje të angazhimit të tij prej më shumë se dy dekadash për Kosovën dhe shqiptarët në Uashington, ndonëse nuk ka mbajtur ndonjë pozitë zyrtare atje.

“I jam mirënjohës ambasadorit Walker për fjalët e tij dhe, mbi të gjitha, për gjithçka që ka bërë për Kosovën”, tha Bislimi për Radion Evropa e Lirë, por pa specifikuar nëse është kontaktuar prej partive që po negociojnë.

Bisedimet për presidentin e Kosovës po zhvillohen mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit të fundit, më 26 gusht, ata thanë se kanë diskutuar edhe për emra konkretë, por nuk i bënë publikë.

Radio Evropa e Lirë: A e keni diskutuar propozimin me zotin Bislimi?

William Walker: Jo, por disa njerëz ma sugjeruan emrin e tij dhe atëherë kuptova më mirë se çfarë përfaqësonte dhe çfarë aftësish kishte, pasi e njoh prej disa vitesh.

Radio Evropa e Lirë: Para se ta propozonit zotin Bislimi, a keni komunikuar me liderët e partive politike në Kosovë? A i keni informuar ata për hapin që do të ndërmerrnit?

William Walker: Jo, jo. Pikërisht ketë synonte letra. Ua dërgova letrën, besoj, verbërisht. Kështu do ta përshkruaja.

Thjesht, mendova se katër partitë kryesore, në vend që të grinden për përqindjet në zgjedhje, për ulëset në parlament dhe për postet që mund të mbanin nëse do të mund të bashkoheshin… thjesht, nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë. Pra, letra ishte përpjekja ime e parë për t’u thënë partive se mendoj që Toni do të ishte një kandidat i mirë nëse ato do të mund të bashkoheshin.

Mendoj se ai ka mbështetje… ose, e dini, njerëzit në të katër partitë e njohin. Ai është gjithashtu shumë i njohur këtu në diasporë – gjë që mendoj se është e rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: A keni marrë ndonjë përgjigje nga liderët, të cilëve u keni shkruar lidhur me propozimin tuaj? Dhe a keni ndonjë konfirmim se emri i tij do të merret në konsideratë?

William Walker: Jo, nuk kam marrë asnjë reagim nga asnjë prej katër partive, nga katër liderët. Sigurisht që kam ndjekur lajmet në Kosovë dhe kam parë se është raportuar gjerësisht në media se e kam bërë këtë propozim.

Nga sa dëgjoj, ai është pritur mirë, ka shumë mbështetje.

 

Radio Evropa e Lirë: Përveç jush, zotin Bislimi e ka propozuar edhe ish-kongresisti Joe Dioguardi. A jeni në dijeni për propozimin e tij?

William Walker: Po, e kam parë edhe atë në media, po.

Radio Evropa e Lirë: A jeni koordinuar me të lidhur me propozimin. A keni diskutuar me të?

William Walker: Jo, jo. Nuk kam folur me Joe Dioguardin prej vitesh. E njoh, sigurisht, sepse është nga Nju Jorku dhe e kam takuar disa herë në Nju Jork, si dhe në Kosovë, por jo, nuk kam folur me të prej shumë kohësh.

“Kosova është një perlë demokratike”

Radio Evropa e Lirë: Kosova është thellësisht e ndarë politikisht. A mendoni se propozimi juaj mund të sigurojë vërtet mbështetje përtej vijave partiake, apo synon kryesisht të nxisë një debat më të gjerë për alternativat?

William Walker: Supozoj se do ta bëjë këtë. Nëse dikush e merr seriozisht propozimin tim, ai do të nxisë një debat, një argument apo një diskutim lidhur me atë nëse ai është kandidati i duhur.

Vazhdimisht them se Kosova është një vend ku deri në vitin 2000 – dhe më e rëndësishmja deri në vitin 2008 – shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të fitonin përvojë në qeverisje.

Ata nuk kanë mundur të punësohen në institucionet shtetërore, nuk kanë mundur të sigurojnë shumë vende pune që do t’u jepnin përvojë për sa i përket zhvillimit të vendit.

Dhe, sipas mendimit tim, ajo që ka ndodhur që nga viti 2008 tregon se Kosova – kur shumicës shqiptare i është dhënë mundësia të tregonte se çfarë mund të bënte – ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.

Për mua, Kosova nuk është një demokraci perfekte, por është po aq e përsosur sa çdo vend tjetër në Evropë. Të gjitha gjërat që unë gjithmonë i kam konsideruar si gurët themeltarë të demokracisë – liria e fjalës, liria e fesë, liria e tubimit – janë të pranishme në Kosovën e sotme, vetëm 18 vjet pas pavarësisë.

Shumicës së vendeve iu duhen dekada për të arritur aty ku janë. Për mua, Kosova tani, deri në këtë konfuzionin lidhur me zgjedhjen e presidentit, është një perlë, një perlë demokratike në zemër të Ballkanit, të cilin historikisht të gjithë e kanë parë si një qendër problemesh.

Dhe, ja ku jemi në vitin 2026. Kosova është një demokraci funksionale. E dini, të drejtat e minoriteteve, për të cilat të gjithë kanë bërtitur… nuk di ndonjë vend në Evropë ku minoritetet trajtohen aq drejt dhe me aq bujari sa në Kosovë.

Prandaj, sipas mendimit tim, bota duhet të dëgjojë më shumë nga kosovarët, nga ajo që bën Qeveria në Kosovë.

Mendoj që Kosova duhet të bëjë shumë më tepër për të treguar historinë e saj dhe atë që përfaqëson.

Një gjë që ajo nuk përfaqëson, është kërcënimi për ndonjërin nga fqinjët e saj.

Përkundrazi, ajo përfaqëson një shembull të një kombi paqësor dhe demokratik që thjesht po përpiqet të ndërtojë veten, si shtet i ri në zemër të Evropës.

“Një gjeneratë e re duhet të dalë përpara”

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni i shqetësuar për krizën aktuale politike në Kosovë?

William Walker: Padyshim që kjo është një çështje shumë serioze dhe kjo është arsyeja kryesore për propozimin tim. Pjesa më e madhe e problemit, ose shumë aspekte të problemit të procesit zgjedhor bazohen në Kushtetutën, e cila u hartua po nga kosovarët, por edhe nga BE-ja, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga këshilltarë të tjerë që erdhën pas luftës për të thënë: ja çfarë duhet të bëni, duhet t’i mbroni minoritetet, duhet ta bëni këtë, duhet ta bëni atë, e kështu me radhë.

Tani keni këtë proces… ku udhëheqja që doli nga lufta, ka qenë udhëheqja e partive që nga viti 2000. Një gjeneratë e re e lidershipit duhet të dalë përpara. Ka kaq shumë njerëz të rinj, të arsimuar dhe të talentuar që janë rritur në Kosovë pas luftës dhe është koha që disa prej tyre të kenë më shumë rol.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë besoni se është në rrezik nëse liderët politikë nuk arrijnë të gjejnë një kompromis?

William Walker: Mungesa aktuale e ecjes përpara do të vazhdojë. Ka çështje të rëndësishme. Natyrisht, marrëdhënia me Serbinë, nevoja për dialog që prodhon diçka… Siç e thashë, Kosova nuk është kërcënim për askënd, ndërsa Serbia vazhdon të jetë kërcënim në Ballkan.

Unë vetëm shpresoj që katër partitë të jenë në gjendje të bien dakord për diçka që është e mirë për Kosovën si shtet dhe që komunitetet të bashkohen shpejt.

Mendoj se duhet të marrin një vendim se deri kur duhet të zgjedhin një president të ri ose të shkojnë në zgjedhje të reja. Vendi nuk ka nevojë për edhe disa muaj të tjerë të këtij konfuzioni.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet me sfida të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Sa dëm mund t’u shkaktojë paqëndrueshmëria e zgjatur politike këtyre marrëdhënieve dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës?

William Walker: Po, kam dëgjuar shumë për tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Dhe, padyshim, ka tensione, ka probleme. Përsëri, mendoj se Toni është një person që mund t’i kapërcejë këto barriera. Ai i njeh Shtetet e Bashkuara, e njeh Uashingtonin. Nuk mendoj se do t’i bënte disa nga gabimet që mendoj se janë bërë dhe nuk dua të hyj në to.

E di se ku qëndron kritika dhe mendoj se një pjesë e problemit nuk qëndron te liderët politikë në Kosovë, por te liderët politikë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se Kosova i kushton shumë rëndësi marrëdhënies së saj, kosovarët i kushtojnë jashtëzakonisht shumë rëndësi marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara.

Por, ajo që harrojmë është se njerëzit që kanë qenë në pushtet këtu në Uashington gjatë 20, 25, 26 vjetëve të fundit, veçanërisht gjatë dekadës së fundit apo më shumë, nuk kanë njohuri për atë se si ishte lufta në Kosovë, kush i bënte çfarë kujt…

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë i lidhur ngushtë me Kosovën për dekada. Duke e parë vendin sot, çfarë ju shqetëson më shumë dhe çfarë mesazhi do t’iu dërgonit liderëve politikë të Kosovës?

William Walker: Më lejoni të përgjigjem në pjesën e dytë të pyetjes së pari. Çfarë do t’u thosha liderëve politikë? Do t’u thosha atë që kam thënë në letër: bashkohuni rreth çështjes së Presidencës, sepse kjo është diçka që mund t’i bashkojë të gjithë njerëzit.

Nëse nuk e bëni këtë, do t’i përçajë njerëzit edhe më shumë – gjë që është shumë e gabuar.

Kosova, në kohën e tanishme, mendoj se është në prag të të qenët një perlë absolute në qendër në Ballkanit, në qendër të Evropës.

Mendoj se kundërshtimet e disa vendeve të BE-së, Spanjës dhe të tjerëve, se Kosova nuk i ka përmbushur disa nga kërkesat e demokracisë, janë krejtësisht të gabuara. Ato nuk po e shikojnë mënyrën se si vetë i trajtojnë minoritetet, demokracinë e tyre.

Kosova është një perlë, me të vërtetë është, dhe e gjithë kjo është rezultat i punës së palodhur dhe aftësive të njerëzve të Kosovës.

Unë dua që ajo të rikthehet në rrugën e duhur. Një tjetër palë zgjedhje vetëm se do ta vonojnë këtë.

Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri.

Intervista është shkurtuar për arsye qartësie dhe gjatësie.

Ish-prokurori i Hagës, Nice: Mlladiq vdiq, por pyetja kryesore për Srebrenicën mbeti pa përgjigje (Intervista)

Predrag Zvijerac

Ish-prokurori i Hagës, Geoffrey Nice, thotë se nuk pati ndonjë mendim apo emocion veçanërisht të fortë pasi lexoi lajmin se ka vdekur Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte.

“Mlladiqi sot i përket kryesisht historisë. Madje edhe në pjesë të ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë, mund të gjeni të rinj në moshë studentore që nuk e dinë se kush është ai. Pra, bëhet fjalë për një figurë historike”, tha Nice në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).

Nice thotë se gjykimi ndaj Mlladiqit, që në kohën e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ishte komandant i ushtrisë së Republikës Sërpska, nuk ndryshonte në thelb nga gjykimet e tjera.

“Kjo nuk do të thotë se të gjitha ishin të drejta, por vetëm se nuk ishin ndryshe. Gjykimi paraqet historinë e ngjarjeve nga viti 1992 e tutje dhe më pas, sikurse shumë procese të tjera për përcaktimin e përgjegjësisë për ngjarjet në ish-Jugosllavi, përqendrohet te Srebrenica”, thotë Nice.

Ish-prokurori në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, i cili udhëhoqi çështjen kundër Sllobodan Millosheviqit, thotë se “bazuar në faktet e vërtetuara, është e mundur të shihet se sa lehtë armiqësia mes grupeve, në këtë rast mes republikave ose pjesëve të tyre që përpiqeshin të ndryshonin kufijtë, mund të shndërrohet në qëllim të keq, qëllim kriminal, madje edhe në qëllim gjenocidal të njerëzve, nga maja deri në fund të zinxhirit komandues ushtarak dhe politik”.

“Megjithatë, kjo nuk sjell në thelb asgjë të re në të drejtën ndërkombëtare humanitare, e cila veçse ishte mirë e konsoliduar”, vlerëson Nice.

Radio Evropa e Lirë: Si fillim, çfarë mendimesh ju kalojnë nëpër kokë tani pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, teksa ai po vuante dënimin me burgim?

Geoffrey Nice: Mendimi im i parë ishte se ai ka vdekur dhe se historia, në njëfarë mënyre, ka përfunduar, megjithëse në fakt ajo kishte përfunduar shumë kohë më parë.

Ligji është ashtu siç është, dhe ky është një fakt.

Megjithatë, ekziston një aspekt i rëndësishëm që rrjedh nga vdekja e Mlladiqit dhe për të cilin disa shtete duhet të mendojnë: Si e dinte Mlladiqi më 10 dhe 11 korrik 1995 se mund të hynte në Srebrenicë dhe të bënte atë që bëri?

Nuk jam i sigurt nëse kjo ka qenë ndonjëherë objekt i një përfundimi të qartë, megjithëse ekzistojnë shumë prova që të paktën tregojnë një pjesë të prapavijës së ngjarjeve që mund të jetë e rëndësishme.

Video: Krimet e “Kasapit të Bosnjës”

Këto prova janë publikisht të qasshme në vende të ndryshme, por me kalimin e kohës ato nuk janë lidhur në mënyrë sistematike dhe nuk janë vendosur në qendër të vëmendjes.

Në fund të majit 1995, presidenti francez, Jacques Chirac, dhe kryeministri britanik, John Major, i kërkuan presidentit amerikan, Bill Clinton, të pajtohej që forcat ajrore të mos përdoreshin për shpëtimin e Srebrenicës.

Ekipi më i ngushtë i Clintonit e pranoi këtë propozim të dielën, më 28 maj. Bëhet fjalë për atë që u quajt “marrëveshje e heshtur”, përkatësisht marrëveshje sekrete.

Kjo qasje ndaj mbrojtjes së Srebrenicës nuk iu përcoll ushtarëve holandezë që ishin dislokuar atje, e as myslimanëve boshnjakë.

Pyetja të cilës Mlladiqi ndoshta mund t’i kishte dhënë përgjigje, ose ndoshta ia ka dhënë tashmë dikujt tjetër, nuk e di, është: Si e dinte se mund të bënte atë që bëri?

Mund të ketë disa shpjegime: informacione të inteligjencës, vlerësim të situatës nga ana e tij, apo edhe informacion që ia kishte përcjellë dikush nga Perëndimi.

Tani gjasat që kjo pyetje të sqarohet plotësisht janë disi më të vogla, sepse nuk është më e mundur të pyetet ai [Mlladiqi].

Mund të shpresojmë se e vërteta, megjithatë në fund nuk do të humbasë.

“Nxitje e publikut për reagim emocional dhe përçarës”

Radio Evropa e Lirë: Tridhjetë vjet pas luftës, Bosnje dhe Hercegovina vazhdon të jetë thellësisht e ndarë dhe është e qartë se vdekja e Mlladiqit do të pritet në mënyra krejtësisht të ndryshme nga komunitete të ndryshme. Kreu i partisë më të madhe në Republikën Sërpska, Millorad Dodik, deklaroi menjëherë se “Mlladiqi është vrarë”. A tregon kjo dështimin e drejtësisë ndërkombëtare, ashtu siç u administrua nga Tribunali i Hagës?

Geoffrey Nice: Para së gjithash, kjo tregon qëndrueshmërinë e qëndrimeve të rrënjosura thellë, të cilat mund të jenë edhe të njëanshme. Nuk duhet t’u kushtojmë shumë vëmendje pretendimeve të tilla, madje asnjë vëmendje, përveç nëse mbështeten me prova.

Pra, çfarë provash ka Millorad Dodiku për pretendimin se Mlladiqi është vrarë?

Ne e dimë se ka pasur kërkesa për lirimin e tij për shkak të gjendjes shëndetësore. Duke pasur parasysh peshën e krimeve për të cilat është dënuar, dhe me të drejtë është dënuar, mendoj se nuk ka shumë hapësirë për kundërshtime ndaj faktit që ai u transferua për trajtim, me sa duket, në një spital të OKB-së.

Prandaj, pretendimi se ai është vrarë është thjesht një përpjekje për të nxitur publikun drejt një reagimi emocional dhe përçarës, gjë që ndoshta është relativisht e lehtë të arrihet nëse i drejtohesh një audience që tashmë ka paragjykime të rrënjosura thellë.

Duhet të kujtojmë se më shumë se 25 vjet më parë, shumë serbë dhe banorë të Republikës Sërpska besonin se Srebrenica ishte tërësisht e trilluar.

Më pas, gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviqit, u shfaq një pjesë e një videoje dhe më vonë e gjithë videoja që tregon vrasjen e gjashtë të rinjve, shumë prej tyre në moshë të re, në Tërnovo, të kryer nga pjesëtarë të “Skorpionëve”, një njësi që i përgjigjej zinxhirit serb të komandës.

Pas kësaj, mendimi ndryshoi. Njerëzit filluan të pranonin se Srebrenica ishte vërtet një masakër për të cilën përgjegjëse ishte Serbia.

Një nga politikanët kryesorë serbë mori pjesë edhe në përkujtimin në Srebrenicë në vitin 2015, mendoj se bëhej fjalë për presidentin ose kryeministrin e atëhershëm të Serbisë.

Prandaj, nuk mendoj se qëndrime të tilla nga Serbia duhet të na befasojnë, shqetësojnë apo brengosin, përveç nëse ekzistojnë prova që i mbështesin ato. Dhe, aq sa di unë, aktualisht nuk ka prova të tilla.

Radio Evropa e Lirë: Sa e rrezikshme është kur politikanët përpiqen të riinterpretojnë ngjarje që tashmë kanë qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë?

Geoffrey Nice: Mendoj se kjo është para së gjithash një çështje për njerëzit e vetë rajonit.

Unë jam i huaj, anglez. Do të doja të isha diçka më shumë se kaq, por kështu është.

Të kuptuarit e cenueshmërisë së zonave të caktuara të ish-Jugosllavisë dhe vlerësimi i pasojave të mundshme të dukurive të tilla janë çështje për të cilat është më mirë të bisedohet me njerëz nga vendet që preken drejtpërdrejt ose nga shtetet fqinje.

Nuk dua të dal përtej kufijve të ekspertizës sime.

Tribunali i Hagës, “burim i paçmueshëm për historianët”

Radio Evropa e Lirë: Nëse pas 50 vjetësh Tribunali i Hagës do të mbahej mend vetëm për një gjë, a do të dëshironit që të mbahej mend për ndëshkimin e autorëve apo për lënien e një trashëgimie të së vërtetës që politika nuk mund ta fshijë më?

Geoffrey Nice: Nëse do të më duhej të zgjidhja mes këtyre dy mundësive, do të ishte shumë më e rëndësishme për mua që të mbetej një dokumentim i besueshëm.

Ne që udhëhoqëm proceset gjyqësore, pavarësisht vështirësive të mëdha dhe nganjëherë presioneve politike nga jashtë, gjithmonë u përpoqëm të lëmë pas prova të pastra dhe të besueshme, pavarësisht presioneve.

Edhe pse gjyqtarët gjithmonë thoshin se nuk ishin aty për të shkruar historinë, ata e dinin se, në njëfarë kuptimi, po e bënin pikërisht këtë.

Në këtë aspekt, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) është një burim i paçmueshëm për historianët, për shkak të sasisë së madhe të dokumentacionit të detajuar që ka mbledhur.

Këto të dhëna janë tashmë të qasshme për kërkim përmes mjeteve standarde kompjuterike, ndërsa me zhvillimin e inteligjencës artificiale do të bëhen edhe më të qasshme për studiuesit, të cilët shpresoj se do ta konsiderojnë këtë dokumentim të besueshëm.

Ndëshkimi i autorëve është një element krejtësisht i veçantë i çdo mekanizmi gjyqësor. Vlera e tij është e pasigurt dhe nuk ka shumë gjasa që ai të mund ta pengojë një kriminel të ardhshëm të luftës.

Hetimet, e ndoshta edhe vetë proceset gjyqësore që zbulojnë të vërtetën, megjithatë mund t’i parandalojnë disa njerëz të kryejnë krime lufte.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta ndryshojë vetë një aktgjykim gjykate kujtesën kolektive apo roli i tij kufizohet në vërtetimin e fakteve?

Geoffrey Nice: Po, aktgjykimet mund të bëhen pjesë e kujtesës kolektive.

Për një qytetar të zakonshëm, i cili ndoshta nuk ka interes të madh për politikën, përveç pjesëmarrjes herë pas here në zgjedhje, është më e thjeshtë të dijë, sado e thjeshtë që mund të jetë kjo njohuri, se Mlladiqi është dënuar për gjenocid, për shembull.

Njerëzit mund ta pranojnë këtë informacion, të jetojnë me të dhe ta konsiderojnë të besueshëm.

Megjithatë, për qëllime më të gjera shoqërore sesa thjesht ndihma ndaj votuesve për të kuptuar këtë të kaluar të vështirë, shumë më i vlefshëm është dokumentimi i detajuar i ngjarjeve.

Një dokumentim i tillë i detajuar është jashtëzakonisht i rëndësishëm, edhe pse do ta ketë shumë më të vështirë të bëhet pjesë e një kujtese kolektive të thjeshtë ose të thjeshtuar.

Një gjykatë si ajo e Hagës nuk do të themelohej në ditët e sotme

Radio Evropa e Lirë: A është drejtësia ndërkombëtare sot më e fuqishme sesa në vitet ’90 apo presionet politike ndaj institucioneve ndërkombëtare janë më të mëdha se kurrë më parë?

Geoffrey Nice: Mendoj se nuk ka asnjë dyshim se rendi ndërkombëtar është dobësuar dhe se është minuar qëllimisht nga disa njerëz, ndër ta (presidenti rus Vladimir) Putin, (presidenti i SHBA-së Donald) Trump dhe, deri në një masë, edhe (udhëheqësi i Kinës) Xi Jinping.

Sipas mendimit tim, perspektivat që e drejta ndërkombëtare humanitare të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e botës janë zvogëluar ndjeshëm.

Nuk duhet të jemi as të rezervuar, as naivë kur flasim për arsyet pse ka ndodhur kjo.

Kjo ka ndodhur sepse shtetet e mëdha nuk duan që të hetohen, të gjykohen apo të dënohen nga shtetet e vogla. Më saktësisht, udhëheqësit e tyre individualë nuk duan t’i nënshtrohen një procesi të tillë.

Nuk mund të pretendohet se Perandoria Britanike në shekullin XIX nuk do të kishte vepruar njësoj si Trumpi, sikur atëherë të ekzistonin institucione si Gjykata Ndërkombëtare Penale ose Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi, të cilat do të hetonin krimet e kryera gjatë zgjerimit kolonial.

Realiteti është se ata vepruan nga ajo që ishte e qartë për këdo që e vëzhgonte më thellë situatën: një vendosmëri për ta ruajtur sovranitetin e tyre me çdo kusht dhe për të parandaluar çdo ndërhyrje në të.

Me këtë, ata e dobësuan seriozisht fuqinë e drejtpërdrejtë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Radio Evropa e Lirë: Nëse sot do të themelohej një gjykatë e re ndërkombëtare sipas modelit të Tribunalit të Hagës, çfarë do të ndryshonit në strukturën e saj?

Geoffrey Nice: Nuk mendoj se një gjykatë e tillë do të themelohej sot.

Aktualisht, pyetja kryesore është nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale do të dobësohet gradualisht apo edhe do të shkatërrohet, siç dëshirojnë disa udhëheqës politikë.

Megjithatë, meqë e parashtruat këtë pyetje, do t’i përgjigjem.

Mendoj se çdo mekanizëm i ri për përcaktimin e përgjegjësisë për konfliktet e armatosura, me supozimin se fuqitë e mëdha do ta lejonin, nuk do të duhej domosdoshmërish të ndiqte modelin amerikan, anglez apo australian të gjykimit, i cili është i ngadaltë.

Po ashtu, nuk do të duhej të ndiqte as modelin klasik evropian inkuizitor, i cili gjithashtu ka shumë mangësi, siç e dinë shumë njerëz.

Mendoj se një zgjidhje interesante dhe e mirëpritur do të ishte një sistem inkuizitor i modernizuar, i përshtatur me kohën e sotme, që karakterizohet nga qasja e jashtëzakonshme në informacion përmes internetit, inteligjencës artificiale dhe teknologjive të tjera.

Në një sistem të tillë, gjyqtarët do të kishin një rol dhe kompetenca shumë më të mëdha për zhvillimin efikas dhe të shpejtë të procedurave.

“Një grusht njerëzish kanë privatizuar hapësirat publike”, Ditmir Bushati për “TheNewsAgents”: Protestat në Shqipëri, më shumë se thjesht mbrojtja e natyrës

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka komentuar protestat që vijojnë prej 84 ditësh me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si një nga lëvizjet më masive shoqërore në Shqipëri që prej rënies së regjimit komunist.

Në një intervistë për “TheNewsAgents”, Bushati argumentoi se pas kësaj valë protestash qëndron një pakënaqësi e thellë dhe e gjerë sociale, e grumbulluar gjatë dekadave të fundit.

“Sepse kjo ka të bëjë edhe me kapitalizmin grabitqar që kemi përjetuar gjatë 30–35 viteve të fundit, ku të mirat publike dhe hapësira publike janë tkurrur gjithnjë e më shumë dhe të mirat publike dhe hapësira publike janë, në njëfarë mënyre, “privatizuar” nga një grusht njerëzish. Ka një frustrim në rritje për sa u përket pabarazive, mungesës së mundësive. Njerëzit po kuptonin se i ashtuquajturi zhvillim që kemi parë gjatë viteve të fundit po ndodhte në kurriz të lirive të tyre politike dhe ekonomike. Pra, është shumë më tepër sesa mbrojtja e natyrës. Ka të bëjë me mënyrën se si zhvillohet jeta publike në këtë vend; ka të bëjë me mënyrën se si mundësitë ekonomike shpërndahen në mënyrë të pabarabartë në shoqëri. Por mënyra se si unë i shoh protestat është si një thirrje për pajtim mes mbrojtjes së mjedisit ose natyrës dhe zhvillimit”, tha Bushati.

Bushati tha se protestat kanë qenë në qendër të debatit publik, ndërsa vuri në dukje edhe mobilizimin e diasporës shqiptare në qytetet perëndimore, ku janë zhvilluar tubime në mbështetje të kauzave të protestuesve në Tiranë.

Ditmir Bushati: Mendoj se ato [protestat] kanë qenë në epiqendër të debatit publik dhe vëmendjes publike, sepse është hera e parë që nga rënia e komunizmit që kemi protesta kaq masive dhe intensive në rrugët e Tiranës. Por, në të njëjtën kohë, kemi parë edhe mobilizimin e diasporës sonë. Një e treta e shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë, kryesisht në kryeqytetet perëndimore. Ata kanë organizuar gjithashtu tubime në mbështetje të kauzave që janë mbrojtur dhe promovuar nga protestuesit këtu në Tiranë.

TheNewsAgents: Në pamje të parë, duke e parë këtë çështje, mund të mendosh se kjo është një çështje relativisht e vogël që lidhet me një rezervat natyror në një ishull të caktuar. Pse e ka ndezur kaq shumë situatën?

Ditmir Bushati: Sepse kjo ka të bëjë edhe me kapitalizmin grabitqar që kemi përjetuar gjatë 30–35 viteve të fundit, ku të mirat publike dhe hapësira publike janë tkurrur gjithnjë e më shumë dhe të mirat publike dhe hapësira publike janë, në njëfarë mënyre, “privatizuar” nga një grusht njerëzish. Ka një frustrim në rritje për sa u përket pabarazive, mungesës së mundësive. Njerëzit po kuptonin se i ashtuquajturi zhvillim që kemi parë gjatë viteve të fundit po ndodhte në kurriz të lirive të tyre politike dhe ekonomike. Pra, është shumë më tepër sesa mbrojtja e natyrës. Ka të bëjë me mënyrën se si zhvillohet jeta publike në këtë vend; ka të bëjë me mënyrën se si mundësitë ekonomike shpërndahen në mënyrë të pabarabartë në shoqëri. Por mënyra se si unë i shoh protestat është si një thirrje për pajtim mes mbrojtjes së mjedisit ose natyrës dhe zhvillimit. Pra, për një pajtim mes të mirave publike dhe të mirave private, dhe shpresoj që ky të jetë një moment përcaktues për Shqipërinë, që gradualisht të kalojë drejt një lloji tjetër kapitalizmi, nga ai grabitqar që kemi përjetuar gjatë 30–35 viteve të fundit, drejt një kapitalizmi më social.

Intervista- Samira Krehiq: Çfarë ndodh me mbetjet mortore që u gjetën në veri?

Doruntina Baliu

Gjetja e mbetjeve mortore është vetëm fillimi i një procesi kompleks identifikimi, thotë Samira Krehiq, udhëheqëse e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Krehiq flet për rolin që do të ketë ICMP-ja pas zbulimit të mbetjeve mortore të së paku 23 personave në Zubin Potok të Kosovës, zhvarrimi i të cilëve përfundoi më 21 gusht.

Ky institucion pritet të kryejë analizat e ADN-së dhe krahasimin e mostrave biologjike për të arritur identifikimin e mbetjeve mortore.

Krehic thotë se gjendja e mbetjeve, degradimi i ADN-së dhe mungesa e mostrave të mjaftueshme nga familjarët mund ta vështirësojnë identifikimin. Në rastet më komplekse, sipas saj, mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë.

Ajo thotë se identiteti i viktimave dhe ngjarja nuk duhet të paragjykohen para përfundimit të analizave të ADN-së.

“Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave që janë gjetur, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas”, thotë Krehiq.

ICMP-ja është përfshirë në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë që nga viti 1999. Sipas një raporti të institucionit të vitit 2017, mbi 2.500 nga rreth 4.500 personat e zhdukur nga lufta dhe pasojave të saj ishin identifikuar me ndihmën e teknologjisë së ADN-së.

Rreth 2.000 raste të tjera ishin identifikuar përmes metodave tradicionale, kryesisht para vitit 2002.

Në intervistën për REL-in, Krehic shpjegon si mund të trajtohen identifikimet e gabuara në të kaluarën dhe çfarë duhet të bëjë Kosova për ta zvogëluar varësinë nga ndihma ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Mbetjet mortore të së paku 23 personave u zbuluan së fundi në varreza masive në Zubin Potok, në Kosovë. A mund të na tregoni çfarë nënkupton kjo dhe çfarë ndodh nga momenti kur gjenden mbetjet mortore deri në konfirmimin e identitetit?

Samira Krehiq: Ky ishte një lajm i mirë jo vetëm për familjet e personave të zhdukur, por për të gjithë ne që jemi të përfshirë në këtë proces. Pas një kohe shumë të gjatë, institucionet e Kosovës arritën të lokalizojnë dhe të fillojnë nxjerrjen e mbetjeve mortore të viktimave të konfliktit në Kosovë. Gërmimi i fundit, besoj, ishte në Rashkë, në Rudnicë, shumë kohë më parë. Prandaj, kjo paraqet përparim. Presim të marrim pjesë në procesin e identifikimit të të gjitha viktimave dhe, si gjithmonë, të punojmë me familjet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Procesi nga nxjerrja e mbetjeve njerëzore deri në identifikimin e tyre është shumë kompleks dhe multidisiplinar. Ai përfshin fusha të ndryshme ekspertize: arkeologjinë mjekoligjore, antropologjinë, patologjinë mjekoligjore në terren, analizën e ADN-së, menaxhimin e një sasie shumë të madhe informacioni dhe, në fund, konfirmimin zyrtar ligjor të identitetit.

I thjeshtuar, procesi mund të përshkruhet në disa faza. Fillimisht zbulohen mbetjet njerëzore, të cilat më pas nxirren me kujdes, dokumentohen dhe transferohen në një objekt mortor për ekzaminim. Atje, specialistët mjekoligjorë i ekzaminojnë mbetjet dhe dokumentojnë të gjitha të dhënat që mund të ndihmojnë në përcaktimin e identitetit të viktimave, përfshirë gjendjen e mbetjeve, profilin biologjik të viktimave dhe çdo provë tjetër relevante të gjetur në vendngjarje. Specialistët e mjekësisë ligjore marrin mostrat përkatëse post-mortem (pas vdekjes), për analizën e ADN-së.

Pasi në laboratorët e ICMP-së përcaktohet përputhja e ADN-së me profilet referuese të familjarëve, familjet njoftohen dhe ftohen për identifikimin zyrtar, i cili kryhet në përputhje me legjislacionin vendor të secilit shtet.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore dhe administrative, mbetjet mund t’i kthehen familjes.

Në raste më komplekse, për shembull kur mbetjet janë të pjesshme ose të fragmentuara, kur nuk ka mostra të mjaftueshme referuese nga familjarët ose kur ADN-ja është degraduar, procesi mund të bëhet shumë më sfidues dhe të marrë më shumë kohë. Në raste të tilla mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë për të arritur rezultatin e dëshiruar.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli do të ketë ICMP-ja në identifikimin e mbetjeve mortore të zbuluara në Zubin Potok?

Samira Krehiq: Si edhe më parë, jemi të gatshëm të ofrojmë çdo lloj ndihme profesionale, nga gërmimi dhe ekzaminimi i mbetjeve mortore dhe deri te analiza e mostrave biologjike që dalin nga ky gërmim. Do të përfshihemi definitivisht në atë fazë të procesit. Gjithashtu, vazhdimisht mbledhim mostra referuese nga familjarët e mbijetuar, në mënyrë që kolegët tanë në laboratorin e ADN-së në Hagë t’i krahasojnë profilet referuese me profilet post-mortem.

Ne u ofrojmë mbështetje të vazhdueshme edhe shoqatave të familjeve të personave të zhdukur, për t’i ndihmuar që të përfshihen aktivisht ose të mbeten të përfshira në këtë proces shumë të rëndësishëm. Bashkëpunojmë ngushtë me institucionet e Kosovës, njësoj si në çdo shtet tjetër.

Mbetemi në dispozicion për çdo lloj ndihme, veçanërisht për Komisionin Qeveritar të Kosovës, për ngritjen e kapaciteteve të tij dhe për ta ndihmuar në menaxhimin, konsolidimin dhe ruajtjen, në një program të krijuar posaçërisht që ia kemi dhuruar, të sasisë së madhe të të dhënave që krijohen gjatë procesit. Ka edhe fusha të tjera në të cilat ICMP-ja punon me institucionet e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Pse Kosova vazhdon të mbështetet në ICMP-në për identifikime? A i ka aktualisht kapacitetet për ta kryer këtë proces në mënyrë të pavarur dhe kur mund të ndodhë kjo?

Samira Krehiq: Siç thashë, identifikimet e udhëhequra nga ADN-ja, sidomos në territorin e ish-Jugosllavisë ku konflikti kishte karakter rajonal, duhet të shihen në këtë kontekst. Viktimat ose familjet e personave të zhdukur lëviznin nga një shtet në tjetrin. Edhe trupat e viktimave nganjëherë kalonin kufijtë pa qëllim, për shembull përmes lumenjve, ose zhvendoseshin qëllimisht. Në rastin e viktimave të Kosovës, ato u transportuan ilegalisht dhe fshehurazi përtej kufirit, në territorin e Serbisë, dhe u varrosën në varreza masive të fshehta. Karakteri i konfliktit përcaktoi edhe natyrën dhe strukturën e procesit të identifikimit të krijuar në fillim.

Përjashtimi i një shteti nga ky sistem dhe ngritja e një sistemi të pavarur nuk do të prodhonte rezultatet që kemi arritur deri tani dhe nuk do ta ndihmonte identifikimin e viktimave, nëse nuk planifikohet me kujdes dhe nuk dakordohet me autoritetet vendore, të gjitha palët e interesuara dhe shtetet fqinje, sidomos në rastet e bashkëpunimit ndërkufitar ose në rastet që u interesojnë disa shteteve. Procesi duhet të zhvillohet hap pas hapi, për të siguruar transparencën, rigorozitetin shkencor, zbatimin e standardeve më të larta mjekoligjore dhe shkëmbimin e informacionit.

Aktualisht po përqendrohemi në këtë çështje dhe kemi zhvilluar bashkëpunim shumë intensiv, para së gjithash me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, krahas Komisionit të Kosovës (për Persona të Zhdukur) dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. Po diskutojmë se si të përparojmë në këtë fushë. Tashmë kemi ndërmarrë disa hapa shumë të rëndësishëm për kapacitetet teknike të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe trajnimin e shkencëtarëve të ADN-së. Por, kjo nuk duhet marrë lehtë. Procesi duhet të zhvillohet me shumë kujdes, për të siguruar vazhdimësinë, të njëjtën cilësi dhe qasjen e familjeve të personave të zhdukur në këtë shërbim.

Radio Evropa e Lirë: A lidhet kjo me faktin se mostrat e gjakut të mbledhura më herët ndodhen në Hagë?

Samira Krehiq: Jetojmë në një botë ku i gjithë informacioni shkëmbehet në mënyrë elektronike. Vendndodhja fizike e serverëve ose e vetë mostrave nuk ndikon në proces pasi ato përpunohen dhe shndërrohen në versione elektronike, në seri numerike. Vendndodhja nuk ndikon në suksesin e krahasimit të ADN-së apo në ndonjë pjesë tjetër të procesit. Njerëzit e përdorin internetin çdo ditë dhe i ruajnë të dhënat në cloud, pa pyetur se ku ndodhet fizikisht hapësira ku ruhen, sepse në këtë pikë kjo nuk ka rëndësi. Prandaj, kjo nuk është pengesë. Ekzistojnë konsiderata të tjera ligjore, etike dhe politike që duhet t’i marrim parasysh.

Radio Evropa e Lirë: Kur u publikua lajmi se në Zubin Potok mund të ishin gjetur mbetje njerëzore, autoritetet deklaruan se ato mund t’i përkisnin një grupi të caktuar nga Kosova, pjesëtarët e të cilit u zhdukën gjatë luftës. Çfarë mendoni për deklarata të tilla dhe çfarë provash nevojiten për ta konfirmuar këtë lidhje?

Samira Krehiq: Përgjegjësia për procesin dhe sidomos për hetimin u takon shtetit dhe organeve hetimore shtetërore. Nuk mund ta komentoj deklaratën, pavarësisht se kush e ka bërë. Por, nga pikëpamja shkencore dhe nga përvoja jonë e madhe në identifikimin e mijëra viktimave në mbarë botën, siguria ekziston vetëm pasi të lëshohet raporti i përputhjes së ADN-së. Niveli i sigurisë në përputhjen e mbetjeve të gjetura me mostrat referuese të familjeve është mbi 99.95 për qind.

Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave të gjetura, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas. Kjo është përvoja jonë. Procesi i identifikimit është çështje serioze. Përpjekjet e shtetit për t’i rindërtuar ngjarjet, për t’u dhënë përgjigje familjeve dhe për t’i përmbushur detyrimet ndaj tyre janë për t’u vlerësuar. Por përfundimet, rindërtimi i ngjarjeve dhe përcaktimi i fakteve duhet ta presin përfundimin e procesit të identifikimit.

Në shumë pjesë të botës kemi punuar në raste ku, bazuar në deklarata, ngjarje ose informacione të ndryshme, supozohej se një grup ose individ i caktuar ishte gjetur në një vend të caktuar, por kjo nuk doli domosdoshmërisht e vërtetë. Në fund, ADN-ja dhe e gjithë puna që e shoqëron procesin e identifikimit, përfshirë punën mjekoligjore në objektin mortor dhe në vendin e gërmimit, do ta tregojnë historinë e ngjarjeve që çuan në zbulimin e varrezës në Zubin Potok.

Radio Evropa e Lirë: Kanë kaluar gati tri dekada nga lufta dhe nga zhdukja e shumë prej personave që ende nuk janë gjetur. Si ndikon kalimi i kohës në gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve njerëzore?

Samira Krehiq: Është proces shkencor dhe kompleks, ndërsa koha është armik i procesit në të gjitha aspektet. Nga pikëpamja shkencore, përcaktimi i identitetit personal mund të jetë veçanërisht sfidues kur mbetjet janë të fragmentuara, të përziera ose të degraduara; kur identifikimet e mëparshme janë bërë pa analizë të ADN-së, kur ka pak të dhëna për personin ose personat e zhdukur ose kur nuk ka mostra të mjaftueshme referuese nga familja. Në raste të tilla, procesi mund të zgjasë dhe të jetë i ndërlikuar, por nuk është i pamundur. Mund të kërkojë kohë të konsiderueshme, ekspertizë shtesë dhe bashkimin e burimeve të ndryshme të provave.

Megjithatë, vetë kalimi i kohës nuk është armiku më i madh i identifikimit. Ne kemi një program në Vietnam për të ndihmuar në gjetjen dhe identifikimin e viktimave të Luftës së Vietnamit. Edhe pas gjithë atyre dekadave dhe në mjedise shumë të pafavorshme ku gjenden mbetjet, kemi arritur të identifikojmë persona duke përdorur madje mostra referuese nga nipërit dhe mbesat e tyre. Nga pikëpamja shkencore, përveç kohës, ka edhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në proces. Çdo rast trajtohet veçmas, në varësi të mjedisit, gjendjes së mbetjeve dhe faktit nëse varreza është parësore apo dytësore. Nuk ka një recetë universale, qasja është gjithmonë individuale.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët varrezat parësore dhe dytësore. Kur mbetjet gjenden në disa lokacione të afërta, çfarë mund t’i tregojë kjo analizës mjekoligjore për mënyrën se si kanë vdekur viktimat ose nëse trupat e tyre janë zhvendosur më vonë? A është kjo pjesë e rëndësishme e identifikimit të viktimave dhe e përcaktimit të asaj që u ka ndodhur?

Samira Krehiq: Po hyjmë në aspektin mjekoligjor të punës së antropologëve mjekoligjorë dhe specialistëve të tjerë. Duke u mbështetur në përvojën tonë të gjerë dhe në numrin e madh të operacioneve të gjetjes së mbetjeve ku ka ndihmuar ICMP-ja, procesi i identifikimit dhe sidomos ADN-ja mund të ndihmojnë në rindërtimin e ngjarjeve dhe në të kuptuarit e asaj që ka ndodhur.

Shembulli i Srebrenicës është një enigmë e njohur mjekoligjore në mbarë botën, sepse mbetjet zakonisht zhvendoseshin nga vendi fillestar në një vend tjetër, ndonjëherë edhe në një të tretë. Falë ADN-së, arritëm t’i ribashkojmë pjesët e individëve, që u gjetën në varreza të ndryshme, në një person dhe një identitet. Por jo vetëm kaq: arritëm t’i ndihmonim autoritetet ta rindërtonin ngjarjen dhe ta kuptonin se si ishte krijuar varreza, si ishte zhvendosur nga një lokacion në tjetrin dhe më pas në një të tretë, si dhe çfarë kishte ndodhur, duke rindërtuar tërë rrjedhën e ngjarjeve.

Jemi të gatshëm ta ofrojmë këtë lloj ndihme edhe në rastin e Kosovës. Kjo punë do të ndihmojë edhe në zbulimin e rrethanave që lidhen me vrasjen e viktimave të gjetura tani në Zubin Potok.

Radio Evropa e Lirë: A keni qenë deri tani në kontakt me autoritetet e Kosovës? A keni zhvilluar takime për rolin që do të keni në këtë proces?

Samira Krehiq: Kemi një proces shumë mirë të përcaktuar. Bashkëpunimi ynë zgjat prej shumë vjetësh dhe të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë. Presim të na vijë numri i mostrave.

Në të njëjtën mënyrë, e ndjekim punën për rishikimin e mbetjeve mortore të paidentifikuara në objektin mortor në Prishtinë, sepse kemi parë shtim të mostrave. Ka pasur dhe vazhdon të ketë shkëmbim intensiv informacioni me specialistët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Komisionin e Kosovës dhe të gjithë të përfshirët. Secili ka një rol të rëndësishëm për ta përfunduar këtë proces dhe për t’u dhënë përgjigje familjeve të personave të zhdukur.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët mbetjet mortore të paidentifikuara. Në të kaluarën, disa mbetje janë identifikuar gabimisht për shkak të përdorimit të metodave tradicionale të identifikimit. Sa të përhapura ishin këto gabime në Kosovë dhe a mund të zbulohen e të korrigjohen tani përmes ADN-së?

Samira Krehiq: Do të ishte e papërgjegjshme që dikush të jepte një numër të identifikimeve të mundshme të gabuara. Kjo as nuk është e nevojshme, sepse do të shkaktonte shqetësim të panevojshëm te familjet e personave të zhdukur që i identifikuan të afërmit e tyre përmes metodave tradicionale, para se ADN-ja të bëhej standardi i artë i identifikimit.

Nëse shteti vendos ta trajtojë këtë çështje, dhe e di se tashmë janë zhvilluar disa aktivitete, qasja duhet të jetë shumë e kujdesshme, e synuar dhe e paraprirë nga shumë analiza para kontaktimit të familjeve. Ajo duhet të kombinohet me punën në objektin mortor në Prishtinë. Kemi punuar në një skenar të ngjashëm në Bosnjë e Hercegovinë, ku morëm pjesë në rishikimin e 12 objekteve mortore dhe të mbi 3.500 grupeve të mbetjeve njerëzore. Pas atij rishikimi, ndër përfundimet dhe rekomandimet që ua dhamë autoriteteve ishte që t’u afroheshin grupeve të caktuara të familjeve dhe të mblidhnin mostra shtesë referuese për verifikimin e identitetit të të afërmve të tyre.

Ky veprim nuk u ndërmor vetëm nga ICMP-ja. Ne punuam me Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës për të miratuar një strategji të plotë, të koordinuar edhe me Institutin për Personat e Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës. Strategjia jepte udhëzime se cilët hapa duhej të ndërmerreshin në secilin skenar. Qasja duhet të jetë shumë e kujdesshme, individuale dhe e paraprirë nga analiza të shumta para kontaktimit të familjeve.

Familjet duhet të informohen për këtë përpjekje dhe ta kuptojnë arsyen pse bëhet, sepse një shtet mund ta trajtojë çështjen e identifikimeve të gabuara vetëm me pjesëmarrjen vullnetare të familjeve që më parë i kanë identifikuar të afërmit e tyre. Nëse ato nuk duan të marrin pjesë dhe t’i ndihmojnë fqinjët, të afërmit ose bashkëqytetarët që ta zgjidhin problemin e tyre, procesi nuk do të funksionojë. Prandaj, duhet të ketë një qasje të koordinuar dhe të harmonizuar, të dakorduar ose miratuar nga autoritetet shtetërore. Pastaj mund të ndihmojnë edhe të tjerët, përfshirë ICMP-në me përvojën e saj në këtë fushë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse kthehemi te rasti konkret i Zubin Potokut, e dimë se është e vështirë të caktohet një afat, por nëse mostrat do t’i pranonit, le të themi, gjatë muajve të ardhshëm, sa mund të zgjasë procesi deri kur familjet të fillojnë të marrin identifikimet?

Samira Krehiq: Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, është e rëndësishme të kuptohet si funksionon identifikimi dhe analiza e ADN-së, sepse është proces shumë kompleks. Ne i krahasojmë profilet e ADN-së të nxjerra nga mbetjet e gjetura me profilet e ADN-së nga mostrat referuese të dhëna nga familjarët. Që procesi të fillojë dhe të ketë sukses, këto dy përbërës janë thelbësorë. Kjo mundëson që mbetjet e gjetura të krahasohen sistematikisht me gjithë bazën e të dhënave referuese për të gjithë personat e zhdukur, në vend se të mbështetemi në supozime se kush mund të jetë personi.

Ky është një dallim kryesor ndërmjet qasjes së ICMP-së për identifikimin përmes ADN-së dhe punës që zakonisht kryhet në laboratorët kriminalistikë ose civilë në mbarë botën, ku analiza e ADN-së përgjithësisht përdoret për të përcaktuar lidhjen ndërmjet një individi të caktuar dhe provës që ai ka lënë në një vendngjarje. Këtu kemi një proces shumë të madh krahasimi ndërmjet të gjitha mostrave (të mbetjeve mortore) dhe të gjitha mostrave referuese.

Nëse profili i ADN-së mund të nxirret me sukses nga mostra e kockës që pranojmë dhe ka lidhje gjenetike të rëndësishme e shumë të fuqishme me mostrën referuese të familjes, në nivelin 99.95 për qind, ICMP-ja lëshon raportin e përputhjes së ADN-së. Por, nuk mund të garantohet se procesi do të jetë i drejtpërdrejtë. Ky është vetëm një përshkrim shumë i thjeshtuar, pa përmendur kontrollet e ndryshme, nivelet e miratimit, verifikimit dhe mbikëqyrjes që zbatohen në laborator.

Suksesi dhe shpejtësia e analizës së ADN-së varen nga cilësia dhe numri i mostrave të pranuara. Nganjëherë dërgohet një numër i madh i panevojshëm mostrash, ndërsa herë të tjera numri është i pamjaftueshëm. Kjo varet edhe nga aftësia e patologut mjekoligjor që i merr mostrat. Po ashtu, varet nëse familjet e personave të zhdukur i kanë dhënë ICMP-së mostra referuese. Edhe nëse teorikisht i kemi të dyja, rëndësi ka gjendja e mostrës së ADN-së nga mbetjet, nëse është degraduar me kalimin e kohës dhe mjedisi ku kanë qëndruar mbetjet mortore. Ka shumë faktorë që ndikojnë në shpejtësinë e procesit. Nganjëherë duhet të përsërisim analiza të caktuara. Kolegët në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës i njohin shumë mirë këto çështje. Ndonjëherë kërkojmë një mostër rezervë të kockës, por ajo mund të mos jetë në dispozicion.

Nëse duam ta trajtojmë seriozisht këtë punë dhe të mos mendojmë vetëm për shpejtësinë, por për saktësinë, thjesht nuk e dimë afatin. Mund të zgjasë relativisht pak, por edhe shumë më gjatë. Varet nga të dyja pjesët e procesit.

Radio Evropa e Lirë: Mund të bëhet fjalë për muaj ose për vite?

Samira Krehiq: Nganjëherë njerëzit pyesin pse mbetjet janë gjetur, për shembull, pesë vjet më parë dhe raporti i përputhjes së ADN-së vjen vetëm tani. Kur i shikojmë të dhënat, mund të shohim se familja nuk kishte dhënë mostra të mjaftueshme, se kishte vetëm një familjar ose asnjë, dhe mostrat u dhanë më vonë, ose se nevojitej një mostër shtesë rezervë e kockës, por ajo nuk ishte dërguar.

Ky nuk është proces automatik. Çdo rast është specifik dhe shkencëtarët e shqyrtojnë me shumë kujdes. ICMP-ja nuk do ta ngadalësojë ose përshpejtojë procesin vetëm për hir të shpejtësisë. Do të zbatohet e njëjta metodologji si për mostrat që vijnë nga çdo vend tjetër i botës. Laboratori i ADN-së i ICMP-së është i akredituar dhe punojmë sipas standardeve të caktuara shkencore. Do të bëjmë çmos që t’i përpunojmë mostrat sapo t’i pranojmë.

Radio Evropa e Lirë: Cilin do ta veçonit si suksesin më të madh ose sfidën më të madhe me të cilën përballet Kosova në të ardhmen lidhur me identifikimin e personave të zhdukur? Pothuajse 30 vjet pas luftës u krye një zhvarrim, prandaj ende ka shpresë për të ardhmen, apo jo?

Samira Krehiq: Kosova, krahas shteteve të tjera të ish-Jugosllavisë, është shembull i mirë për vendet e tjera të botës se si çështja e personave të zhdukur mund të trajtohet në mënyrë sistematike dhe institucionale. Kosova ka institucion të specializuar dhe korniza institucionale ekziston. Ekziston Komisioni i Kosovës dhe Ligji për Personat e Zhdukur, i miratuar vite më parë, si dhe zbatimi i tij. Ka një shoqëri civile shumë aktive dhe familje të personave të zhdukur që vazhdojnë të jenë shumë të interesuara dhe aktive në proces. Ka kapacitete të mira mjekoligjore, të cilat tani po i zhvillojmë edhe më tej. Pra, ekzistojnë parakushtet për ta çuar procesin përpara.

ICMP-ja do të vazhdojë të punojë. Një nga fushat ku përqendrohemi tani është zvogëlimi i varësisë së Kosovës nga ndihma ndërkombëtare. Shteti duhet ta marrë plotësisht këtë përgjegjësi. Është detyrim ligjor i shtetit dhe institucioneve të tij t’i mbrojnë qytetarët dhe, kur kjo mbrojtje dështon, t’i mbrojnë të mbijetuarit, t’u sigurojnë qasje në të gjitha këto të drejta dhe në informacion, si dhe t’u tregojnë çfarë ka ndodhur. Ne po ndihmojmë dhe do të vazhdojmë të ndihmojmë në këtë proces.

Gjithashtu punojmë për të siguruar që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe që shteti, ndoshta edhe dekada nga sot, të ketë kapacitet për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’i mbrojtur familjet për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Parakushtet bazë ekzistojnë. Kemi punuar shumë gjatë viteve për t’i krijuar këto kapacitete. Tani duhet të shkojmë një hap më tej: t’i forcojmë, t’i aftësojmë për ta zvogëluar varësinë nga ndihma ndërkombëtare dhe për ta marrë përgjegjësinë e plotë për procesin. Ne do të jemi këtu për të ndihmuar.

Intervista- Emini: Bllokada i krijon Vetëvendosjes pozitë të favorshme, opozita e dobët dhe e përçarë

As zgjedhjet e reja dhe as një vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese nuk do t’i jepnin zgjidhje të qëndrueshme krizës institucionale në Kosovë, nëse partitë nuk tregojnë vullnet për kompromis dhe bashkëjetesë politike, thotë analistja politike, Donika Emini.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Emini thotë se partitë janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk janë afër një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, pa ndryshuar raportet mes tyre, çdo rrugëdalje nga bllokada do të ishte vetëm e përkohshme dhe vendi rrezikon të kthehet sërish në të njëjtën pikë.

Emini vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje është në pozitën më të favorshme nga vazhdimi i bllokadës, pasi sipas saj, përmes Qeverisë në detyrë, vazhdon ta ushtrojë pushtetin pa mbikëqyrjen e një Kuvendi funksional.

“Sa më shumë të zgjasë kaosi dhe sa më pak të funksionojë mbikëqyrja institucionale, aq më shumë konsolidohet kontrolli i Vetëvendosjes”, paralajmëron ajo, duke shtuar se vazhdimi i kësaj gjendjeje mund të çojë gradualisht drejt kapjes së shtetit.

Megjithatë, ajo ia atribuon një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë edhe partive që deri më tani kanë qenë në opozitë, të cilat i përshkruan si të dobëta, të përçara dhe pa strategji të përbashkët. Sipas Eminit, vazhdimi i krizës mund t’iu konvenojë edhe atyre, nëse e shohin atë si instrument për ta sfiduar dhe dobësuar Vetëvendosjen.

Ajo nuk pret as ndonjë ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, duke theksuar se përgjegjësia për daljen nga kriza u takon para së gjithash partive politike të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Për momentin nuk po shihet ndonjë përpjekje konkrete për marrëveshje politike, ndërsa partitë [PDK, LDK e Aleanca] e kanë refuzuar edhe ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentit për takim. Çfarë tregon kjo për thellësinë e krizës politike?

Donika Emini: Për momentin, ajo që po shohim është se partitë politike janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk po shfaqin ndonjë vullnet serioz për kompromis apo negociata. Refuzimi i ftesës për takim nga partitë opozitare është një tregues i qartë se kriza është shumë më e thellë sesa një mosmarrëveshje për formimin e Qeverisë.

Në fakt, çështja nuk është vetëm Qeveria, të cilën Vetëvendosje mund ta formojë relativisht lehtë. Problemi kryesor është zgjedhja e presidentit, dhe pikërisht aty po vazhdojnë të njëjtat divergjenca politike që i kemi parë që nga shkurti i vitit 2025. Pra, nuk kemi parë ndonjë zbutje të qëndrimeve gjatë ditëve të fundit.

Përkundrazi, kemi një situatë ku kufijtë mes institucioneve dhe roleve politike janë bërë jashtëzakonisht të paqartë. Personat e njëjtë janë njëkohësisht deputetë, ministra, kryeministër, kryetar Kuvendi, president apo ushtrues të funksioneve të tjera institucionale. Kjo është një situatë e pazakontë dhe, në vend se ta ndihmojë zgjidhjen e krizës, e ka bërë edhe më të ndërlikuar.

Por, mendoj se duhet parë edhe kalkulimi politik. Vetëvendosje, edhe pse nuk mori rezultatet që do të dëshironte në zgjedhjet e fundit, është ende në një pozitë relativisht më komode se partitë opozitare. Prandaj, ekziston një dyshim i arsyeshëm se mund të jetë duke i shtyrë gjërat deri në kufijtë e afateve kushtetuese, me synimin potencial për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja.

Dhe këtu hyn edhe dobësia e opozitës. Partia Demokratike e Kosovës [PDK] vazhdon të ketë përçarje të brendshme, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] po përballet gjithashtu me një krizë të sajën, e cila tashmë është bërë më e dukshme publikisht. Në këtë konfigurim, një palë zgjedhje të reja mund të mos jenë domosdoshmërisht një skenar i keq për Vetëvendosjen.

Në fund të fundit, edhe në këtë situatë të bllokimit, Vetëvendosje vazhdon të ketë kontroll mbi institucionet, administratën dhe buxhetin përmes Qeverisë në detyrë. Pra, edhe pse politikisht kemi një krizë institucionale, në praktikë Vetëvendosje ende po e qeverisë vendin. Kjo e bën kalkulimin për zgjedhje të reja shumë më të favorshëm për të sesa mund të duket në shikim të parë.

Radio Evropa e Lirë: A shihni ende mundësi reale që partitë të arrijnë marrëveshje për një president konsensual para përfundimit të afateve kushtetuese?

Donika Emini: Jo, për momentin nuk shoh ndonjë mundësi reale që partitë të arrijnë një marrëveshje për një president konsensual brenda afateve kushtetuese. Kjo sepse ende nuk është definuar se si ky president konsensual do të dukej. Takimet, deklaratat dhe lëvizjet që kemi parë deri tani duken më shumë si veprime performative sesa si përpjekje reale për ta zgjidhur krizën.

Partitë e dinin shumë mirë se çfarë situate i priste pas rezultatit të zgjedhjeve. Megjithatë, që nga viti 2025 nuk ka pasur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në qëndrimet e tyre dhe nuk shoh ndonjë arsye të besoj se kjo do të ndryshojë në dy muajt e ardhshëm.

Në fakt, pjesa më e madhe e diskutimit është përqendruar te Qeveria dhe te mënyra se si do të ndahej pushteti, ndërkohë që elefanti në dhomë është zgjedhja e presidentit. Dhe pikërisht këtu partitë nuk duket se janë fare pranë një pozicioni të përbashkët.

Deri tani, asnjë emër që është përmendur apo diskutuar nuk ka dhënë ndonjë sinjal se mund të marrë mbështetjen e shumicës së aktorëve politikë që do të duhej të ishin pjesë e zgjidhjes.

Prandaj, mendoj se çështja nuk është vetëm cili do të jetë emri i presidentit. Çështja kryesore është nëse partitë janë të gatshme të bashkëjetojnë politikisht dhe të bëjnë kompromis. Dhe, këtu kam më shumë dyshime.

Për opozitën, për momentin, duket se përballja dhe sfidimi i Vetëvendosjes për çështjen e presidentit mbetet një nga instrumentet kryesore politike. Nëse vazhdimi i krizës shihet si një mënyrë për ta dobësuar Vetëvendosjen, atëherë ekziston shumë pak incentivë për të bërë kompromisin që do të ishte i nevojshëm për ta zgjidhur krizën.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të duhej të ndryshonte që kjo të ndodhte?

Donika Emini: Mendoj se ajo që duhet të ndryshojë është, para së gjithash, mënyra se si partitë politike e shohin njëra-tjetrën dhe mënyra se si e kuptojnë përgjegjësinë e tyre institucionale. Skena politike në Kosovë nuk mund të vazhdojë të jetë kaq e polarizuar. Duhet të ketë një kulturë kompromisi dhe bashkëjetese politike, sepse nëse sot problemi është presidenti, nesër do të jetë diçka tjetër.

Kjo krizë e ka treguar se bllokimi dhe shantazhimi institucional si instrumente politike e mbajnë shtetin në krizë të vazhdueshme. Prandaj, zgjidhja nuk është ndonjë formulë magjike apo ndonjë mekanizëm i ri që duhet ta shpikim. Zgjidhja ka qenë gjithmonë aty: partitë politike duhet të marrin përgjegjësi politike, të mësojnë të bëjnë kompromis dhe të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën, duke u udhëhequr nga interesat strategjike të vendit dhe jo nga interesat e ngushta partiake apo personale.

Në njëfarë mënyre, kjo krizë ka ndihmuar edhe në demistifikimin e Vetëvendosjes. Ajo ka ndërtuar për një kohë të gjatë narrativin se është ndryshe nga partitë e tjera. Por, mënyra se si është zhvilluar kjo krizë ka treguar se edhe Vetëvendosje është pjesë e të njëjtës kulturë politike. Përkundrazi, mënyra e saj e të bërit politikë ka kontribuar në krijimin e kësaj atmosfere të polarizuar dhe të bllokimit institucional.

Dhe kjo është veçanërisht problematike për një sistem demokratik ende të brishtë si Kosova. Institucionet duhet të funksionojnë, ndërsa mosmarrëveshjet politike duhet të zhvillohen përmes debatit demokratik dhe përplasjeve rreth politikave, jo përmes bllokimit të institucioneve.

Pra, rruga përpara është relativisht e thjeshtë: partitë duhet të jenë në gjendje të dakordohen për çështjet themelore të interesit shtetëror dhe t’i mundësojnë institucioneve të funksionojnë. Pastaj, dallimet politike le të zhvillohen në mënyrë demokratike, përmes politikave dhe debatit publik. Kjo do të ishte mënyra më e thjeshtë dhe më e qëndrueshme për të dalë nga kjo krizë.

Radio Evropa e Lirë: Si i vlerësoni veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje deri tani? A shihni një strategji politike pas mënyrës se si po menaxhohet kjo situatë?

Donika Emini: Po, unë shoh një strategji politike shumë të qartë në mënyrën se si Vetëvendosje po e menaxhon këtë situatë. Për mua, kjo nuk është thjesht një situatë kaotike apo një krizë që ka dalë jashtë kontrollit. Që nga viti 2025, por edhe më herët, Vetëvendosje ka pasur një strategji shumë të qartë operative dhe ka qenë në një pozitë të privilegjuar.

Edhe pse formalisht kemi një Qeveri në detyrë dhe një Kuvend që nuk po funksionon, në praktikë Vetëvendosje vazhdon të ketë Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën. Dhe, kjo është shumë e rëndësishme sepse në këtë moment nuk kemi një Kuvend funksional që ushtron kontroll dhe mbikëqyrje mbi institucionet.

Pra, Kosova nuk është plotësisht e paralizuar. Përkundrazi, gjatë kësaj kohe kanë vazhduar emërime dhe procese të rëndësishme institucionale. Pikërisht ky është vakuumi që i krijon Vetëvendosjes një pozitë shumë të favorshme: mund të vazhdojë të bëjë gjëra që ndoshta do ta kishte më të vështirë t’i bënte në një situatë normale, kur institucionet funksionojnë dhe kur ekziston mbikëqyrje më e madhe.

Kjo është edhe arsyeja pse mendoj se Vetëvendosje nuk ka ndonjë incentivë të madhe për ta zgjidhur krizën institucionale. Përkundrazi, sa më gjatë të zvarritet kjo situatë, aq më pak mbikëqyrje ka, aq më shumë kontroll ka dhe aq më shumë kohë i krijohet për ta konsoliduar agjendën e vet politike.

Edhe kalkulimi elektoral është i rëndësishëm. Nëse zgjedhjet shtyhen për dimër, kur diaspora është në Kosovë, kjo mund të jetë edhe më e favorshme për Vetëvendosjen. Diaspora nuk i përjeton në të njëjtën mënyrë pasojat e drejtpërdrejta të krizës institucionale dhe të jetës së përditshme në Kosovë. Ndërkohë, me një opozitë të dobët dhe të përçarë, Vetëvendosje e di se ka shumë pak gjasa të sfidohet seriozisht në zgjedhje të reja.

Pra, në këtë konfigurim, situate është në favor të Vetëvendosjes. Ka zhvillime dhe vendime të ndryshme që mund ta forcojnë narrativin e Kurtit kundër partive të tjera, ndërsa vetë Vetëvendosje mbetet në pozitën më të mirë.

Sa më shumë të zgjasë kaosi dhe sa më pak të funksionojë mbikëqyrja institucionale, aq më shumë konsolidohet kontrolli i Vetëvendosjes. Dhe, pikërisht këtu qëndron shqetësimi im: nëse kjo vazhdon, mund të mos kemi më vetëm një krizë politike, por një proces që gradualisht mund të çojë drejt kapjes së shtetit.

Radio Evropa e Lirë: Sa përgjegjësi mbajnë partitë e tjera për bllokadën dhe a po veprojnë ato si një bllok me strategji të përbashkët, apo secila sipas interesave të veta politike?

Donika Emini: Partitë opozitare mbajnë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë për këtë krizë. Pikë së pari, ato absolutisht nuk janë një bllok dhe kjo është dëshmuar gjatë viteve të fundit. Ato kanë pasur mundësi të paktën të ecin përpara me procese të caktuara dhe ta sfidojnë më seriozisht pozitën e Vetëvendosjes, por nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë, pikërisht sepse nuk janë një pol i unifikuar.

Madje, ato duket se duan të qëndrojnë sa më larg perceptimit se janë një front i përbashkët kundër [udhëheqësit të LVV-së, Albin] Kurtit, sepse kjo do ta ushqente narrativin që ai ka ndërtuar për ta: “ata kundër Vetëvendosjes”. Kjo është dëshmuar edhe nga fakti që [kreu i LDK-së] Lumir Abdixhiku është takuar me Kurtin dhe ka pasur edhe sinjale se mund të ketë pasur mundësi për ndonjë marrëveshje për bashkëpunim apo ndarje të pushtetit.

Prandaj, nuk do të thosha se duhet të jenë një bllok politik kundër Vetëvendosjes. Por, nëse të gjitha këto parti pretendojnë se kanë të njëjtin shqetësim, pra se Vetëvendosje po e kap shtetin, atëherë pyetja është pse nuk kanë arritur të paktën të koordinohen dhe të kenë një strategji të përbashkët për t’iu përgjigjur kësaj.

Në vend të kësaj, ato shpesh po e ndjekin Vetëvendosjen edhe në mënyrën e reagimit. Për shembull, mënyra se si po kërkohet mbajtja e seancave dhe njëkohësisht po bëhen veprime performative dhe bllokime fizike të institucioneve ngjan shumë me mënyrën e të bërit politikë që Vetëvendosje e ka përdorur në të kaluarën. Pra, pas pothuajse gjashtë vjetësh në opozitë, partitë e tjera ende nuk kanë zhvilluar një mënyrë të tyren për të bërë opozitë.

Dhe problemi nuk është vetëm mungesa e koordinimit mes tyre. Këto parti kanë vështirësi edhe brenda vetvetes. Si PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja po përballen me probleme dhe përçarje të brendshme. Pra, ato janë pjesë e kësaj krize, duan apo nuk duan.

Nëse duan ta paraqesin krizën vetëm si problem të Kurtit, është e drejta e tyre politike. Por, ato janë gjithashtu pjesë e mungesës së zgjidhjes. Kjo nuk do të thotë se duhet të votojnë çfarëdo që propozon Vetëvendosje, por së paku duhet të jenë në gjendje të kenë një qëndrim politik më të qartë, të koordinohen dhe të mos jenë kaq të humbura politikisht sa janë sot.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se zgjedhjet e reja janë diçka që partitë po përpiqen ta shmangin, apo për disa prej tyre mund të jenë tashmë një rezultat i dëshirueshëm?

Donika Emini: Mendoj se Vetëvendosje është partia që aktualisht është në pozitën më komode sa i përket zgjedhjeve të reja. Edhe nëse zgjedhjet organizohen deri në fund të vitit apo në një moment tjetër, nëse partitë vazhdojnë të qëndrojnë në këtë konfigurim, pozita e Vetëvendosjes është larg së qenit e sfiduar seriozisht.

Për partitë e tjera, situata është më e ndërlikuar. PDK-ja duket se po e lidh një pjesë të shpresave të saj me kthimin e [ish-kreu i PDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim] Thaçit, që potencialisht mund ta bashkojë dhe ta forcojë partinë nga brenda dhe ta ndihmojë të tejkalojë sfidat dhe krizën e brendshme me të cilën po përballet.

Për LDK-në, ndërkaq, nuk është aq e qartë se cili do të ishte qëllimi i zgjedhjeve të reja. Është e vërtetë që në zgjedhjet e qershorit pati një rritje të lehtë të rezultatit krahasuar me dhjetorin, por nuk jam e sigurt se LDK-ja mund ta përballojë edhe një proces tjetër zgjedhor në gjendjen në të cilën ndodhet sot.

Dhe kjo situatë tregon se nuk mund të flasim për një qëndrim të unifikuar të partive ndaj zgjedhjeve të reja. Për Vetëvendosjen, ato mund të jenë një opsion shumë më i favorshëm sesa për partitë e tjera. Për PDK-në, shumëçka duket se lidhet me atë se çfarë do të ndodhë me Thaçin dhe nëse kthimi i tij do të ndikonte në forcimin e partisë. Ndërsa për LDK-në, një tjetër proces zgjedhor mund të jetë më shumë rrezik sesa mundësi.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po i afrohet edhe një paqartësie tjetër juridike lidhur me ushtrimin e detyrës së presidentit, pasi Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës, në këtë post mund të qëndrojë deri më 4 tetor. Çfarë pasojash institucionale dhe politike mund të prodhojë skadimi i këtij mandati nëse kriza nuk zgjidhet?

Donika Emini: Mendoj se boshllëqet ligjore apo kushtetuese nuk janë diçka e re për sistemin politik të Kosovës. Nëse edhe këtë herë përballemi me një situatë të paqartë juridike, për shkak të përfundimit të mandatit të ushtrueses së detyrës së presidentit, atëherë ka shumë gjasa që çështja të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese.

Por kjo, në njëfarë mënyre, mund të shndërrohet në një strategji për të fituar kohë. Pritet vendimi i Gjykatës, i cili potencialisht do të vendosë një precedent, dhe pastaj ne vazhdojmë të përballemi me sfida të reja.

Problemi, megjithatë, nuk ka qenë asnjëherë vetëm Kushtetuta. Problemi janë partitë politike. Nuk ekziston një kushtetutë në botë që mund t’i parashikojë dhe t’i mbushë të gjitha boshllëqet që krijohen nga dinamika e përditshme politike. Kushtetuta vendos bazën dhe përcakton se si është dizajnuar sistemi, ndërsa pjesa tjetër duhet të funksionojë përmes proceseve politike dhe institucionale që e mbështesin këtë strukturë.

Në rastin e Kosovës, problemi është se nuk ka pasur një përpjekje të mjaftueshme për ta bërë këtë. Përkundrazi, shpesh përpjekja ka qenë që të sfidohet Kushtetuta, të gjenden boshllëqet dhe pastaj të shihet se si këto boshllëqe mund të përdoren në interes të partive politike.

Prandaj, nuk do të ishte e papritur që edhe një herë të kthehemi te Gjykata Kushtetuese, apo edhe të kemi shkelje të Kushtetutës para se çështja të shkojë atje, dhe pastaj vendimet e Gjykatës të përdoren përsëri si mënyrë për të fituar kohë.

Gjykata Kushtetuese, sigurisht, mund të japë një qartësi juridike. Por, pyetja është: çfarë egjidh kjo në aspektin politik? Kemi pasur shumë vendime dhe opinione të Gjykatës Kushtetuese gjatë viteve të fundit dhe ato nuk e kanë zgjidhur krizën politike.

Radio Evropa e Lirë: Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje vetë, a ka nevojë për një ndërhyrje apo sqarim të ri juridik? Dhe, a ka ardhur momenti për një rol më aktiv të partnerëve ndërkombëtarë?

Donika Emini: Po, mund të ketë përsëri një ndërhyrje juridike përmes Gjykatës Kushtetuese, sidomos nëse krijohen situata të reja që kërkojnë sqarim. Por, problemi është se kjo mund të kthehet në një proces pa fund. Partitë mund ta sfidojnë një vendim, mund të krijojnë një situatë të re dhe pastaj të kërkohet përsëri një sqarim tjetër juridik. Këtë e kemi parë edhe më herët.

Dhe kjo, në njëfarë mënyre, është e përshtatshme për partitë, sepse çdo vendim apo procedurë e re juridike u jep atyre edhe më shumë kohë. Por, duhet ta kemi shumë të qartë se një sqarim juridik nuk e zgjidh krizën politike. Gjykata mund të japë qartësi se çfarë lejohet apo nuk lejohet në aspektin kushtetues, por nuk mund t’i detyrojë partitë të bëjnë kompromis.

Sa i përket ndërhyrjes së partnerëve ndërkombëtarë, nuk mendoj se jemi më në fillim të viteve 2000. Komuniteti ndërkombëtar sot nuk është ai që ishte atëherë dhe Kosova nuk është më në të njëjtin pozicion në agjendën ndërkombëtare. Jemi pjesë e një periferie ku Kosova nuk është prioritet, as për Bashkimin Evropian dhe as për Shtetet e Bashkuara.

Fakti që Shtetet e Bashkuara nuk kanë aktualisht ambasador në Kosovë dhe funksionojnë me një të ngarkuar me punë tregon shumë për nivelin e prioritetit që i jepet rajonit në përgjithësi, por edhe Kosovës në veçanti. Edhe vendet evropiane nuk kanë shumë interes të angazhohen në një krizë të tillë, sidomos përderisa nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë të sigurisë, qoftë në veri apo në përgjithësi.

Në këtë kuptim, mungesa e institucioneve funksionale në Kosovë madje mund të jetë një arsye e mirë që partnerët ndërkombëtarë të mos merren shumë me këtë çështje, përderisa nuk ka ndonjë urgjencë të sigurisë.

Ndërkohë, Kosova po humb kohë në procesin e integrimit evropian, në zbatimin e Planit të Rritjes dhe në përfitimin nga fondet që lidhen me të. Nëse afatet vazhdojnë të mos respektohen, ekziston edhe rreziku që këto fonde të ridestinohen te vendet e tjera.

Por, në përgjithësi, nuk shoh ndonjë urgjencë të madhe nga komuniteti ndërkombëtar për të ndërhyrë. Bota është shumë më e fragmentuar, partnerët ndërkombëtarë nuk kanë më të njëjtat interesa, as në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Ukraina dhe shumë pika të tjera të krizave ndërkombëtare janë më lart në agjendë. Askush nuk ka sot të njëjtin kapital diplomatik dhe politik për ta investuar në Kosovë.

Gjithashtu, nuk mendoj se duhet të presim që komuniteti ndërkombëtar ta zgjidhë këtë krizë. Kosova është shtet i pavarur dhe përgjegjësia për funksionimin e institucioneve të saj bie, para së gjithash, mbi partitë dhe aktorët politikë të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë pikë, cili do të ishte skenari më realist për daljen nga kriza dhe cilët janë hapat që duhet të ndodhin të parët?

Donika Emini: Skenari më realist është që partitë politike më në fund të kuptojnë se kjo krizë nuk mund të zgjidhet përmes bllokimit, përmes gjetjes së boshllëqeve kushtetuese apo duke e shtyrë problemin te Gjykata Kushtetuese. Këto mund të blejnë kohë, por nuk e zgjidhin krizën.

Hapi i parë duhet të jetë një vullnet real politik për kompromis. Partitë duhet të ulen dhe të diskutojnë seriozisht për çështjet që janë në tryezë, mbi të gjitha për presidentin dhe funksionalizimin e institucioneve. Nuk mendoj se zgjidhja është që partitë opozitare të bëhen një bllok kundër Vetëvendosjes, por duhet të ketë së paku koordinim dhe një minimum të përbashkët të interesave që ato i konsiderojnë të rëndësishme për funksionimin e shtetit.

Në të njëjtën kohë, Vetëvendosje duhet ta kuptojë se pozita e saj e favorshme nuk mund të përdoret pafundësisht për ta zvarritur krizën. Për momentin, ajo është në pozitën më komode, sepse edhe në kushtet e krizës vazhdon të ketë shumë kontroll institucional dhe opozita është e dobët dhe e përçarë. Por, kjo nuk do të thotë se vazhdimi i krizës është në interesin e shtetit.

Pra, hapi i parë është që partitë të marrin përgjegjësi politike dhe të pranojnë bashkëjetesën politike. Pastaj duhet të funksionalizohen institucionet dhe të zgjidhen çështjet konkrete që kanë mbetur pezull.

Nëse partitë vazhdojnë ta shohin njëra-tjetrën vetëm si kundërshtarë që duhet të bllokohen, atëherë nuk besoj se ka ndonjë skenar magjik që mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo krizë. Mund të kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, mund të kemi edhe zgjedhje të reja, por nëse kultura politike dhe raporti mes partive nuk ndryshojnë, atëherë rrezikojmë të kthehemi përsëri në të njëjtën pikë.

Zgjidhja është relativisht e thjeshtë: institucionet duhet të funksionojnë, partitë duhet të komprometojnë dhe dallimet politike duhet të zhvendosen nga bllokimi institucional drejt debatit demokratik dhe politikave konkrete. Pa këtë ndryshim, çdo zgjidhje tjetër do të jetë vetëm e përkohshme.

Kryetari i Komisionit parlamentar ukrainas shpjegon pse Ukraina nuk e njeh Kosovën: Krimea, Serbia dhe municioni (Intervista)

Oleksandr Merezhko, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas.

 

Doruntina Baftiu

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, thotë se në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për njohjen e Kosovës, por se vendimi përfundimtar i takon presidentit Volodymyr Zelensky.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Shërbimit të Kosovës të Radios Evropa e Lirë, Merezhko deklaron se argumentet kundër njohjes lidhen kryesisht me frikën se Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent për pushtimin e territoreve ukrainase, me mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe, deri diku, me municionin serb që përfundon në Ukrainë.

Megjithatë, ai thotë se personalisht është skeptik ndaj këtyre argumenteve, dhe se njohja e Kosovës nuk do ta shkelte të drejtën ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo çështje mund të rikthehet në agjendën politike të Kievit, pas përfundimit të luftës.

Merezhko është deputet i partisë Shërbëtori i Popullit, forca politike e lidhur me presidentin ukrainas, Zelensky.

Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës, dhe deklaroi se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Kjo deklaratë nxiti reagime, si në Kosovë, ashtu edhe në Ukrainë.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca, shprehu keqardhje për deklaratën e Zelenskyt dhe kundërshtoi paraqitjen e Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.

“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë në mënyrë të vendosur çdo paraqitje të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”, tha Konjufca në reagimin e tij në X.

Konjufca po ashtu tha se Kosova do të mirëpriste njohjen nga Ukraina, duke argumentuar se një vendim i tillë do të forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar që “Ukraina po i mbron sot”.

Konjufca tha se shteti i Kosovës lindi nga lufta e popullit për liri dhe çlirimi i tyre më 1999 erdhi pas “vite të shtypjes sistematike dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit”.

“Ajo që pasoi nuk ishte një akt ankesimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës”, tha Konjufca.

Gjatë 9 gushtit, Komuna e Prishtinës ndërmori një veprim për të kundështuar atë që udhëheqësi ukrainas tha.

Komuna e largoi një flamur të vendosur në qendër të qytetit, me mbishkrimin “Free Ukraine” (Liri për Ukrainën).

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një postim në rrjetet sociale.

Në Kosovë janë përqendruar te fakti se Prishtina e ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus: e ka dënuar agresionin, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ka ofruar ndihmë financiare, ka strehuar gazetarë ukrainas dhe ka ofruar trajnime ushtarake.

Oleksiy Goncharenko, deputet i Parlamentit ukrainas nga partia opozitare Solidariteti Evropian dhe përfaqësues i Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cilësoi qëndrimin e Zelenskyt si “gabim diplomatik” dhe tha se Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ukrainasit e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin”, shkroi Goncharenko në X, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet për njohjen e Kosovës dhe se beson se Kievi përfundimisht do ta marrë një vendim të tillë.

Ndaj deklaratës së Zelenskyt reagoi edhe Yurii Hudymenko, veteran ukrainas i luftës dhe kryetar i Këshillit Publik Kundër Korrupsionit pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.

Në një postim në Facebook, ai tha se ndihet “i neveritur dhe i turpëruar” nga qëndrimi i presidentit ukrainas, duke kujtuar mbështetjen që Kosova u ka dhënë ukrainasve, ushtarëve dhe refugjatëve që nga nisja e pushtimit rus. “Shpresoj që miqtë e mi nga Kosova ta kuptojnë se fjalët e presidentit nuk janë gjithmonë mendimi i të gjithë vendit”, shkroi Hudymenko.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar ekipit për media të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për sqarime shtesë lidhur me deklaratat e tij për Kosovën dhe është në pritje të përgjigjes.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë, konkretisht, mendon Ukraina se do të humbiste nëse do ta njihte Kosovën sot?

Oleksandr Merezhko: Në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për këtë çështje, veçanërisht mes deputetëve të Radës. Megjithatë, vendimi për njohjen ose mosnjohjen e Kosovës i takon presidentit. Është prerogativë e tij.

Ekzistojnë disa argumente kundër njohjes. I pari është se një vendim i tillë mund t’i jepte, në njëfarë mënyre, një argument Rusisë, e cila mban të pushtuar në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe pjesë të rajoneve të tjera të Ukrainës.

Argumenti i dytë është se, meqë Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, edhe Ukraina duhet të mbështesë integritetin territorial të Serbisë.

Argumenti i tretë lidhet me faktin se Serbia u shet municion vendeve të tjera, i cili më pas përfundon në Ukrainë dhe i nevojitet asaj.

Personalisht, jam skeptik ndaj secilit prej këtyre argumenteve, por ky është qëndrimi im personal. Ka gjithashtu argumente në favor të njohjes. Në veçanti, njohja e Kosovës nuk do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, pasi për këtë çështje ekziston edhe opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: A lidhet qëndrimi i Ukrainës ende kryesisht me Krimenë dhe integritetin territorial, apo ruajtja e marrëdhënieve me Serbinë është bërë po aq e rëndësishme?

Oleksandr Merezhko: Kryesisht lidhet me Krimenë dhe integritetin territorial dhe, ndoshta, edhe me çështjen e municionit.

Megjithatë, sipas mendimit tim, Serbia do të vazhdojë t’u shesë municion vendeve të tjera gjithsesi, sepse përfiton financiarisht nga kjo, dhe për shkak të qëndrimit të Bashkimit Evropian.

Sa u përket marrëdhënieve me Serbinë, fatkeqësisht një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së saj vazhdon të jetë nën ndikimin e propagandës ruse, e cila ende nuk është ndaluar në Serbi.

Serbia gjithashtu vazhdon t’i shmanget bashkimit me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Problemi është se [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq nuk synon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por në të njëjtën kohë ka nevojë të krijojë para BE-së përshtypjen se nuk është vetëm aleat i [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit, por se ka edhe “marrëdhënie të mira” me Kievin.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të duhej të ndryshonte që Kievi ta rishqyrtonte çështjen e njohjes së Kosovës?

Oleksandr Merezhko: Kjo çështje mund të rikthehet në agjendë pas përfundimit të luftës. Shumëçka do të varet nga qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të tij anëtare.

Në përgjithësi, jeta politike në Ukrainë është shumë dinamike.

Ish-ministri Sandër Lleshaj mbështet protestat, mesazh Ramës për dorëheqje: Koha është pjekur! Balluku? Drejtësia s’ka përse të jetë e varur nga vullneti i dikujt

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe e konsideron valën e protestave si një zhvillim të rëndësishëm demokratik për vendin. Lleshaj kritikon ashpër klasën politike dhe mënyrën se si është ndërtuar përfaqësimi në Shqipëri. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, ish-ministri socialist i dërgon një mesazh të drejtëpërdrejtë Edi Ramës duke theksuar se dorëheqja nuk është dramë, por një vendim që merret kur “koha është pjekur”.

Lleshaj ngre pikëpyetje të forta mbi funksionimin e institucioneve, rolin e partive politike dhe marrëdhënien mes qytetarëve dhe pushtetit. Ai apelon për një ndryshim rrënjësor të sistemit, duke kërkuar një ligj të ri për partitë politike. Lleshaj shprehet kritik ndaj modelit aktual të qeverisjes dhe bën thirrje për rishikim të mënyrës se si funksionon demokracia shqiptare. Sa i përket çështjes “Balluku”, Sandër Lleshaj përcjell mesazhin e fortë për SPAK se Drejtësia nuk ka përse të jetë e varur nga vullneti i dikujt…

Z.Lleshaj! Si e vlerësoni valën e protestave qytetare me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama? Çfarë i zgjoi shqiptarët këtë herë?

Protestat kanë sjellë një dinamikë të re dhe të nevojshme në jetën e vendit, pas një periudhe relativisht të gjatë letargjie politike dhe shoqërore. Jehona e gjerë ndërkombëtare është shprehje e magnitudës së tyre. Ndryshe nga bota demokratike, Shqipëria e këtyre viteve paradoksalisht ka parë protesta të partive parlamentare në rrugë dhe rol krejt periferik të tyre në Kuvend. Në fakt parlamenti është forumi i partive politike dhe rruga u takon qytetarëve që nuk ndihen të përfaqësuar në Kuvend. Kësaj radhe po përjetojmë një zhvillim normal. Qytetarët janë në rrugë, ku tashmë duket se nuk ka vend për politikanët që paguhen nga taksat e qytetarëve. Ndërsa këta të fundit, politikanët, nuk dihet më se ku janë.

A mund të përshkallëzojë situatën, mosadresimi i kërkesave të protestuesve?

Politikanët duhet të mbajnë shënim mirë edhe nga protesta e një qytetari të vetëm. Politika duhet që të demonstrojë respekt përballë qytetarëve që e paguajnë. Dhe respekt do të thotë dëgjim pa komente. Përpjekja për të delegjitimuar ata që protestojnë, duke i kërkuar arsyet apo motive e protestës përtej qytetarëve është anakronike. Në fund të fundit qeveria mbetet përgjegjëse edhe për mbrojtjen e vetë protestës së qytetarëve të saj. Ajo është përgjegjëse edhe për mbrojtjen e protestës nga ndikimet apo infiltrimet e huaja, për të cilat ka pasur shumë aludime të paprovuara. Edhe për protestat dhe ngjarjet tragjike të vitit 1997 qeveria e kohës lante duart me një lehtësi të papërgjegjshme duke drejtuar gishtin e akuzës tek shërbimet e huaja, a thua se nuk ishte ajo përgjegjëse për të mbrojtur vendin prej tyre. Në rastin aktual mbetet vetëm një rrugë: protestat duhen dëgjuar, kuptuar dhe mirëkuptuar.

A mendoni se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje politike?

Sikur të kisha komunikim me Kryeministrin dhe vullnetin e tij për një këshillë, mbase do t’ia kisha dhënë, por koha e ka sjellë edhe shuarjen e këtij komunikimi. Ndaj, në këto kushte, mendoj se mua më takon vetëm heshtja etike dhe profesionale që lidhet me marrëdhënien e dikurshme politike me Kryeministrin. Personalisht mendoj se dorëheqja nuk është ndonjë dramë, por një lloj bekimi që njeriu përjeton në momentin kur koha është pjekur për të. Unë vetë e kam përjetuar këtë bekim në vitin 2020, kur hoqa dorë nga posti i ministrit të Brendshëm për arsye se njëri ndër mijëra punonjësit e policisë bëri një krim në mesnatë gjatë shërbimit të tij në patrullë. Dhe çdo ditë që ka kaluar që atëherë vetëm sa më ka shtuar bindjen se ai vendim ishte edhe një bekim.

Si ish-ministër i Brendshëm, si e shihni sot mënyrën se si shteti menaxhon protestat e gjera qytetare , ku nuk ka munguar as dhuna mbi protestuesit?

Dikur, gjatë një interviste u pyeta së çfarë do të bëjë policia nëse populli do të sulmojë qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve. Përgjigja ime ishte se policia nuk do të bëjë asgjë në një situatë të tillë, për arsye se ajo nuk ka për mision të pengojë popullin për të plotësuar vullnetin e tij, cilido qoftë ai. Kjo është përgjigja ime edhe sot. Detyra e policisë është garantimi i mbarëvajtes së protestave. Në të njëjtën kohë, ajo ka për detyrë që të përballet përherë më krimin dhe shkeljen e ligjit, gjithmonë bazuar në parimin e proporcialitetit dhe të vetëpërmbajtjes.

Unë e kam formuluar këtë parim si parimi 110. Kjo do të thotë që policia reagon 1 hap në kohë më vonë ndaj veprimeve të dhunshme, 1 nivel në forcë më poshtë nga ajo me të cilën përballet dhe se bilanci i angazhimit policor duhet të ketë 0 viktima. Kaq e thjeshtë është kjo strategji: 110. Policia është e qytetarëve përpara se të jetë e shtetit. Më vjen keq që nuk pata kohë të konkretizoja një iniciativë që kisha dikur edhe për ndryshimin e emrit të saj nga “Policia e Shtetit” në “Policia Shqiptare”. Një polici, historikisht vetëm e shtetit, duhet të marrë përditë e më tepër trajtën e një policie të qytetarëve.

Protestuesit kërkojnë ndryshimin e sistemit, largimin e klasës së vjetër politike dhe një Shqipëri të re e cila duhet të drejtohet nga të rinjtë…

Protestat kanë evidentuar një problem themelor të Shqipërisë që është ezaurimi total i klasës politike të trashëguar nga Partia e Punës së Shqipërisë në trajtën e partive bija që ajo krijoi në muzgun e jetës së saj. Në të vërtetë sot ky është problem i parë dhe i fundit me të cilin duhet të merret Shqipëria. Por në vend që të përqëndrohej në këtë çështje, protesta është zgjeruar në tematikë dhe në propozime që arrijnë deri në nivelin e kakofonisë. Përpara ligjit për investimet strategjike, për zonat e mbrojtura, për zgjedhjet e shumë të tjera si këto, Shqipëria ka nevojë të ndryshojë sistemin politik që i ka sjellë gjithë anomalitë e këtyre dekadave.

Protesta duket se po ndjek paralelisht shumë qëllime dhe dihet se çfarë arrin ai që qëllon me një gur kundër dy zogjëve. Sipas legjislaciont të krijuar përgjatë tri dekadave, Shqipëria është de jure dhe de facto peng i partive politike, apo edhe më keq: peng i kryetarëve që kanë të drejtë me ligj të përcaktojnë personalisht listat e kandidatëve për të cilët duhet të votojë më kot populli shqiptar. Kjo gjë ka sjellë realitetin e trishtë që Kuvendi i Shqipërisë të mbushet me persona të emëruar nga kryetarët e partive parlamentare. Kjo gjendje është më shumë se alarmante. Pa u mbrojtur parlamenti si tempull i demokracisë nuk mund të mbrohet asgjë, as lagunat si “tempull” i flamingove, as pasuritë natyrore, as pronat publike.

Nëse protesta do të mund të sillte ndonjë dobi të vërtetë publike, ky do të ishte kontributi për të imponuar një ligj të ri për partitë politike, me qëllim që atyre t’u hiqet ekskluziviteti i përfaqësimit si dhe t’u përcaktohen standardet ligjore për zgjedhjen demokratike të kryetarëve të tyre, të forumeve, si dhe mbi të gjitha, të të gjithë kandidatëve që këto parti paraqesin në zgjedhje, ashtu si në Europën që synojmë. Për sa kohë që qytetarët shqiptarë nuk ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, pa qënë të varur për këtë nga vullneti i kryetarëve të partive politike, demokracia në Shqipëri do të vijojë të jetë thjesht një term propagande. Ndërsa sa i përket “pushtetit të të rinjëve” do të thoja se kjo është një klishe që, aq sa e bukur tingëllon, aq e rrezikshme është. Është njësoj si ajo klisheja për gratë e pakorruptueshme.

Është e padiskutueshme që të rinjtë kanë të drejtë dhe detyrë të marrin pjesë dhe të ushtrojnë përgjegjësi për ndërtimin e të ardhmes së vendit që është e ardhmja e tyre. Por në këtë çështje nuk mund të legjitimohet asnjë lloj diskriminimi moshor. Këtu nuk shtrohet çështja e largimit të të vjetërve për të ardhur të rinjtë. Në punët e shtetit dhe ato private njerëzit angazhohen në përputhje me kapacitetet dhe aftësitë e tyre. Dituria dhe eksperienca e “të vjetërve” nuk mund të përjashtohen për t’i hapur rrugë thjesht e vetëm energjisë së “të rinjve”. Këto cilësi duhet të kombinohen për të synuar më të mirën. Prapa sloganeve për promovimin e të “rinjvë” dhe të “grave”, përgjon përherë kurthi i keqpërdorimit të tyre, në ato raste kur pikërisht mungesa e kualifikimit dhe e përvojës kthehet në pikën e dobët prej nga fillon dështimi dhe korrupsioni.

A thua ende nuk po e kuptojmë se eksperimentet tona në këtë fushë na kanë bërë me turp në tryezat ndërkombëtare, kur jo në pak raste, zyrtarë të rinj, maksimalisht të kuruar në dukje, por pa kurrëfarë dije dhe eksperiencë kanë lënë nam të paskaj përballë zyrtarëve ndërkombëtarë të regjur me punët e shtetit? A thua ende nuk e kemi kuptuar se në dështimet e shumta të këtyre dekadave është edhe vula e shumë të rinjëve që u promovuan vetëm si të tillë dhe dështuan pikërisht prej kësaj. A vërtet nuk e dijmë se Shqipëria ka në parlament dhe në të gjitha zyrat e shtetit jashtzakonisht shumë të rinj, krahasuar me vendet e tjera, por as kjo gjë nuk e ka ndihmuar. Të rinjve u duhet krijuar çdo hapësirë dhe mundësi që të shpalosin talentin dhe energjinë e tyre. Por katapultimi i tyre në poste që normalisht u përkasin atyre që kanë eksperiencë është i dëmshëm për të gjithë. Mbase do të ishte mirë të kuptonim domethënien e termit “senior” në anglisht, term i cili përdoret për të definuar shumë poste të larta në ekonomi, në administratë dhe në politikë.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie teknike me mandat njëvjeçar. Si e vlerësoni këtë propozim?

Kjo është një ndër ato gjërat që thellojnë edhe më shumë kakofoninë e protestës që përmenda pak më sipër. Qeveria teknike do të ishte vetëm një kohë e humbur dhe mënyra më e mirë për të finalizuar pa kuptim vetë protestën. Vendi ka nevojë për ndryshimin rrënjësor politik, të cilin fola më lart: një ligj të ri për partitë politike. Pa u bërë kjo, një qeveri teknike vetëm sa do të na krijonte kushtet që kryetarët e partive të katapultonin në parlamentin e ri kamikazët e radhës, për të krijuar një kopje të re të këtij që kemi. Shqipëria nuk ka nevojë për një cikël tjetër politik me aktorë të tjerë, por për ndryshimin thelbësor të sistemit që krijon parlamentin e saj.

Një tjetër kërkesë e protestuesve lidhet me heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe arrestimin e saj. Pse sipas jush nuk po vepron Drejtësia ndaj ishzv.kryeministres dhe a është bindës qëndrimi se nuk po e dorëzon PS?

Drejtësia nuk ka përse të jetë e varur nga vullneti i dikujt për të dorëzuar apo t’u dorëzuar. Për sa kohë që dorëzimi apo vetëdorëzimi janë parakushte që drejtësia të funksionojë, duket se ajo do të mungojë.

A mendoni se SPAK-u po vepron me të njëjtin standard ndaj të gjithë zyrtarëve të lartë? Çfarë mesazhi do të jepte hetimi i çdo zyrtari për të cilin ka prova ose indicie të mjaftueshme?

Unë mendoj se pritshmëria publike ndaj SPAK ka marrë trajtën e një naiviteti dhe iluzioni gjigand. SPAK ka detyrë që të vërë përpara drejtësisë persona që shkelin ligjin, por ne kurrë nuk mund të pretendojmë apo të presim që kjo strukturë të zgjidhë problemet themelore që kanë të bëjnë me mungesën e legjitimietit demokratik të organeve më të larta se sa vetë SPAK-u. SPAK nuk do të mundet kurrë që t’i japë as legjitimet dhe as kredibilitet një parlamenti të diskredituar, prej të cilit burojnë në rastin më të mira anekdota dhe historitë më qesharake të vendit dhe në rastin më të keq ligje që shkatërrojnë interesin publik. Pa një parlament dinjtoz që zgjidhet nga shqiptarët dhe jo nga kryetarët, jo një SPAK, por edhe njëmijë të tjerë të krijohen gjërat do të vazhdojnë të ndjekin këtë ecuri./ Intervista vijon nesër në Panorama

VIDEO- Intervistë e William Walkerit dhënë Artur Vrekajt për ARB-TV, Uster Masaçusets. Dëshmi e mbijetesës së Kosovës

VIDEO- Intervistë e William Walkerit dhënë Artur Vrekajt për ARB-TV, Uster Masaçusets. Dëshmi e mbijetesës së Kosovës

Intervista- Grajewski: Konfliktet në Ukrainë dhe në Gjirin Persik po ndërthuren gjithnjë e më shumë

Alex Raufoglu

Partneriteti i Rusisë me Iranin është bërë një nga partneritetet strategjike më me ndikim në peizazhin e sotëm gjeopolitik.

Megjithëse Moska dhe Teherani nuk kanë krijuar një aleancë ushtarake formale, bashkëpunimi i tyre në fushat e dronëve, inteligjencës, shmangies së sanksioneve dhe sigurisë së brendshme është thelluar që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nicole Grajewski, eksperte për marrëdhëniet Rusi-Iran në Universitetin Sciences Po në Paris dhe në Institutin Carnegie, shpjegon se si konfliktet në Ukrainë dhe në Gjirin Persik po ndërthuren gjithnjë e më shumë, si dhe deri në ç’masë Rusia është e gatshme të shkojë për ta mbështetur Iranin.

Radio Evropa e Lirë: Si po ndikon partneriteti gjithnjë e më i ngushtë mes Rusisë dhe Iranit në luftën në Ukrainë dhe në konfliktin e ri në Lindjen e Mesme?

Nicole Grajewski: Ajo që është mjaft e qartë nga lufta aktuale [në Lindjen e Mesme] dhe lufta në Ukrainë, është se sa e ndërthurur është bërë marrëdhënia mes Rusisë dhe Iranit dhe sa shumë është transformuar ajo.

Për shembull, Irani e furnizoi Rusinë me dronët Shahed, të cilët u përdorën gjerësisht në Ukrainë. Në këmbim, Rusia i ofroi Iranit mbështetje të rëndësishme në fushën e imazheve satelitore, e ndoshta edhe ndihmë për identifikimin e objektivave, si dhe trajnim, mbështetje operacionale dhe shkëmbim të të dhënave.

Pra, është krijuar një lloj sinergjie që lindi nga lufta në Ukrainë dhe që tani po reflektohet edhe në konfliktin aktual. Për më tepër, shumë nga kërcënimet me të cilat përballen ukrainasit çdo ditë, janë të njëjtat me të cilat po përballen aktualisht edhe aleatët e Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik.

Gjatë luftës, Ukraina iu drejtua partnerëve të Gjirit për bashkëpunim në mbrojtjen kundër mjeteve ajrore pa pilot dhe dronëve.

Ka shumë lidhje mes këtyre dy luftërave dhe mendoj se është gabim të analizohen veçmas, sepse ato janë të lidhura ngushtë, jo vetëm për shkak të dy aktorëve kryesorë të përfshirë, por edhe përmes teknologjive të njëjta dhe shkëmbimit të burimeve.

Nicole Grajewski

Nicole Grajewski

Radio Evropa e Lirë: Teknologjia iraniane e dronëve dhe raketave ka qenë thelbësore për fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Por, tani kur Irani po përballet me kërcënime në rritje në Gjirin Persik, a po ia kthen Moska këtë mbështetje, apo po i ruan burimet e veta ushtarake për luftën në Ukrainë?

Nicole Grajewski: Nuk është e qartë se çfarë teknologjie ruse është transferuar dhe cilët komponentë kanë përfunduar në dronët iranianë.

Është e qartë se strategjia, taktikat dhe madje edhe mënyrat e operimit të Iranit janë përmirësuar dhe se ato kanë ngjashmëri me mënyrat se si Rusia i ka përdorur këto sisteme në Ukrainë.

Megjithatë, nuk shohim që Rusia t’i ketë transferuar Iranit ndonjë sistem të madh armësh. Rasti i fundit i raportuar ishte ai i gazetës Financial Times për një marrëveshje mbi sistemet portative ruse të mbrojtjes ajrore Verba MANPADS – (një marrëveshje e raportuar në dhjetor të vitit 2025, sipas së cilës Irani do të blinte raketa ruse tokë-ajër).

Që nga fillimi i luftës, nuk ka pasur ndonjë transferim të drejtpërdrejtë të një sistemi të plotë armësh.

Por, duke qenë se Irani ka – ose të paktën ka pasur para luftës – një industri të zhvilluar të mbrojtjes dhe një kompleks të fuqishëm ushtarako-industrial, Rusia mund ta furnizojë me komponentë dhe nënkomponentë që i mundësojnë Iranit t’i përmirësojë gradualisht dronët e tij.

Mësa dimë deri tani, ka disa tregues se kjo po ndodh, megjithëse ende nuk ka prova përfundimtare që identifikojnë saktësisht se cilët komponentë janë transferuar.

Radio Evropa e Lirë: Irani, prej kohësh, është mbështetur te Rusia për sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe luftës elektronike. Duke pasur parasysh kërkesat e luftës në Ukrainë, a ka ende Rusia kapacitet ose vullnet politik për ta forcuar mbrojtjen e Iranit?

Nicole Grajewski: Varet se për çfarë po flasim, sepse Rusia është më e aftë në prodhimin e disa sistemeve sesa të tjerave.

Për shembull, një pjesë e madhe e kapaciteteve mbrojtëse të Iranit në fushën e luftës elektronike, vjen nga Rusia. Ndërkohë, nuk dihet nëse Moska i ka transferuar edhe kapacitete sulmuese të luftës elektronike, të cilat, thjesht, nuk janë bërë publike.

Po ashtu, nuk është e qartë nëse Rusia e ka ndihmuar Iranin që t’i rindërtojë sistemet e radarëve që janë shkatërruar. Edhe kjo është një fushë ku ajo mund të ofrojë mbështetje.

Çështja më e rëndësishme – dhe këtu lidhemi sërish me luftën në Ukrainë – janë sistemet e mbrojtjes ajrore. Rusia gjendet në një pozitë të vështirë për t’ia ofruar Iranit, sepse i duhen edhe për nevojat e veta në Ukrainë. Nga ana tjetër, edhe Iranit i mungojnë burimet financiare për t’i blerë ato.

Megjithatë, Rusia mund ta ndihmojë Iranin në mënyra të tjera, duke ia përmirësuar gradualisht kapacitetet ushtarake. Kjo mund të përfshijë armë të lehta ose komponentë për dronë.

Prandaj, nuk është e saktë të thuhet se Rusia është aq e angazhuar në luftën në Ukrainë sa nuk mund t’i ofrojë Iranit asnjë lloj mbështetjeje. Përkundrazi, ajo ende është në gjendje ta ndihmojë Teheranin në fushat ku ka më shumë nevojë.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni argumentuar se, pas zhvillimeve në Siri dhe në Venezuelë, Rusia rrezikon të krijojë përshtypjen se është një aleate që qëndron pranë partnerëve vetëm kur i leverdis. Nëse Irani do të përballej me një krizë ushtarake që do ta rrezikonte vetë ekzistencën e regjimit, a do të ndërhynte Moska, apo do ta linte Teheranin të përballej i vetëm?

Nicole Grajewski: Kjo është një pyetje shumë interesante. Deri tani nuk e kemi parë një situatë të tillë në konfliktin aktual, edhe pse në disa momente dukej se Republika Islamike e Iranit po përballej me një kërcënim ekzistencial.

Irani është shumë ndryshe nga Siria për Rusinë. Ai është kryesisht i pavarur, ka kapacitetet e veta dhe është në gjendje ta sfidojë drejtpërdrejt fuqinë amerikane në mënyra që Siria apo Venezuela nuk mundeshin.

Gjithashtu, Irani ka një organizim ushtarak shumë më të zhvilluar dhe të institucionalizuar, të shtrirë në të gjithë vendin.

Prandaj, deri më tani, nuk kemi parë që Rusia të ketë qenë e domosdoshme në këtë kuptim.

Megjithatë, nëse situata do të arrinte në prag të një lufte civile ose të një kaosi të përhapur, me shembjen e regjimit dhe krijimin e një vakumi të ngjashëm me atë që pamë në Siri, atëherë besoj se Rusia do të përfshihej.

Kjo mund të nënkuptojë dërgimin e forcave speciale ose, ndoshta, të kontraktorëve privatë ushtarakë.

Nuk besoj se do të shihnim një dislokim të madh të ushtrisë ruse apo një fushatë ajrore si ajo në Siri. Ndërhyrja do të ishte shumë më e kufizuar dhe do të përqendrohej në ofrimin e mbështetjes operacionale për ato struktura të Qeverisë iraniane që Rusia do të zgjidhte t’i mbështeste.

Radio Evropa e Lirë: Paqëndrueshmëria në Gjirin Persik i rrit çmimet globale të naftës – gjë që i shkon për shtat ekonomisë ruse të luftës. Në të njëjtën kohë, nafta ruse e shitur me zbritje konkurron drejtpërdrejt me eksportet iraniane në tregjet aziatike. A e pengon kjo konkurrencë energjetike Rusinë dhe Iranin të bëhen aleatë të vërtetë ekonomikë?

Nicole Grajewski: Problemi është se marrëdhëniet ekonomike mes Rusisë dhe Iranit nuk kanë qenë kurrë veçanërisht të forta. Vëllimi i tregtisë mes dy vendeve është, në fakt, relativisht i vogël, megjithëse është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Një nga arsyet është se të dyja vendet importojnë dhe eksportojnë pothuajse të njëjtat produkte. Edhe Rusia, edhe Irani janë eksportues të energjisë, prandaj ekonomitë e tyre nuk janë plotësuese në aspektin tregtar.

Konkurrenca në tregun e energjisë është bërë një pikë tensioni për Iranin që nga lufta në Ukrainë. Rusia ka hyrë në tregjet e zeza ku Irani tradicionalisht ka shitur naftën e tij. Ajo është zgjeruar edhe në tregun e të ashtuquajturave ‘rafineri çajnikësh’ në Kinë – rafineri të vogla dhe të pavarura që, prej kohësh, kanë qenë një kanal i rëndësishëm për eksportet iraniane.

Përveç kësaj, Rusia ka marrë edhe një pjesë të kapaciteteve të transportit detar që Irani përdorte më parë, duke zgjeruar flotën e saj të ashtuquajtur ‘në hije’, e cila përdoret për të shmangur sanksionet.

Kjo ka krijuar, padyshim, tensione mes dy vendeve, ndaj mendoj se dimensioni ekonomik ka qenë gjithmonë pjesa më e dobët e marrëdhënies së tyre.

Në të njëjtën kohë, përpjekjet për t’iu shmangur sanksioneve kanë krijuar forma krejtësisht të reja bashkëpunimi. Ky është një nga paradokset që karakterizon marrëdhënien mes Rusisë dhe Iranit.

Radio Evropa e Lirë: Kina blen sasi të mëdha nafte si nga Rusia, ashtu edhe nga Irani. Si ndikon përshkallëzimi i tensioneve në Gjirin Persik në marrëdhëniet e Pekinit me Moskën dhe Teheranin?

Nicole Grajewski: Marrëdhëniet e Kinës me të dyja vendet janë jetike për mbijetesën e tyre. Pekini ka siguruar komponentë të rëndësishëm dhe mbështetje financiare, të cilat e kanë ndihmuar si Rusinë, ashtu edhe Iranin t’i përballojnë konfliktet me të cilat janë përballur.

Por, Kina nuk përfiton nga paqëndrueshmëria në Ngushticën e Hormuzit në të njëjtën mënyrë si mund të përfitojë Rusia.

Pekini ka marrëdhënie të gjera tregtare me monarkitë e Gjirit dhe varet në masë të madhe nga furnizimet me energji që vijnë nga ky rajon.

Prandaj, në disa raste, Kina është treguar më e përmbajtur dhe është përpjekur të gjejë mënyra për t’i ulur tensionet.

Rusia, nga ana tjetër, nuk ka qenë në gjendje ta luajë këtë rol, pjesërisht sepse nuk gëzon më të njëjtin besim në vendet e Gjirit si para fillimit të luftës në Ukrainë.

Mendoj se në vendet e Gjirit, Rusia tashmë perceptohet si shumë më e afërt me Iranin, megjithëse ato ende duan të ruajnë marrëdhënie praktike me Moskën. Pra, situata është mjaft komplekse.

Ndërkohë, Kina krijon edhe një element konkurrence, sepse si Rusia, ashtu edhe Irani duan të ruajnë qasje sa më të favorshme në tregun kinez. Pra, në përgjithësi, Pekini ka mbajtur një qëndrim shumë më të moderuar sa i përket përshkallëzimit të tensioneve.

Radio Evropa e Lirë: Në hulumtimet tuaja të fundit keni argumentuar se Rusia e ndihmon Iranin ta ruajë stabilitetin e sistemit të tij politik gjatë periudhave të trazirave të brendshme. Sa e rëndësishme është ekspertiza ruse në kontrollin e informacionit dhe shtypjen e protestave për mbijetesën e Republikës Islamike?

Nicole Grajewski: Irani ka mësuar shumë nga Rusia, që nga koha e të ashtuquajturave ‘revolucione me ngjyra’ dhe e protestave të brendshme në Rusi, veçanërisht sa u përket metodave të kontrollit autoritar. Po ashtu, ka mësuar shumë edhe nga Kina, sidomos për mënyrën e bllokimit të internetit.

Gjatë valës së fundit të protestave, Irani shkoi shumë më larg se në të kaluarën. Ai zbatoi bllokime shumë më të përzgjedhura të internetit, ndërsa, njëkohësisht, arriti t’i mbante funksionale shërbimet kryesore brenda vendit – diçka që më parë e kishte të vështirë ta bënte.

Kjo bart disa nga karakteristikat e ndihmës ruse ose kineze. Rusia dhe Irani kanë, gjithashtu, marrëveshje bashkëpunimi mes shërbimeve të tyre të sigurisë së brendshme që datojnë rreth vitit 2014, dhe me kalimin e viteve e kanë zgjeruar këtë bashkëpunim.

Marrëveshja për Sigurinë e Informacionit, e nënshkruar në vitin 2021, përfshin dispozita për mbështetje të ndërsjellë dhe shkëmbim të të dhënave në fushën e sigurisë kibernetike. Prandaj, Rusia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar as aparati represiv i vetë Iranit. Ai ka kapacitete të konsiderueshme për të vepruar edhe i vetëm, por është e qartë se ka përfituar nga mbështetja e shteteve të tjera autoritare me mendësi të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë: Raportet sugjerojnë se Rusia i ka ndarë Iranit të dhëna satelitore për identifikimin e objektivave ushtarake. Deri ku është e gatshme të shkojë Moska në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit, pa rrezikuar një përballje të drejtpërdrejtë me Perëndimin?

Nicole Grajewski: Pjesa më e madhe e mbështetjes që Rusia i ka ofruar Iranit, është bërë nën një mbulesë mohimi të besueshëm. Moska i ka mohuar pretendimet për ndihmë satelitore ose i ka minimizuar ato, duke thënë me ironi se kjo nuk është ndryshe nga mbështetja që Shtetet e Bashkuara i japin Ukrainës.

Rusia nuk ka qenë e gatshme të deklarojë hapur se është e përfshirë në këtë konflikt – gjë që është e kuptueshme duke pasur parasysh marrëdhëniet e saj me shtetet e Gjirit.

Në të njëjtën kohë, retorika e Moskës ndaj monarkive të Gjirit është bërë dukshëm më kritike, veçanërisht për shkak të pranisë së bazave ushtarake amerikane në këto vende – madje më kritike sesa ishte gjatë Luftës 12-ditore.

Nuk do ta përshkruaja Rusinë si pasive. Përkundrazi, ajo po i ofron mbështetje Iranit në mënyra që i lejojnë asaj ta mohojë përfshirjen e drejtpërdrejtë.

Shkëmbimi i imazheve satelitore dhe i të dhënave nuk është i njëjtë me transferimin e armëve. Po ashtu, nuk shohim trupa ruse të dislokuara në terren.

Në vend të kësaj, Rusia po i përmirëson gradualisht kapacitetet ushtarake të Iranit, veçanërisht në fusha si inteligjenca e bazuar në satelitë, ku Teherani ka mangësi të konsiderueshme.

Megjithatë, Moska nuk po përgatitet t’i bashkohet konfliktit si pjesë e një koalicioni ushtarak.

Radio Evropa e Lirë: A po arrijnë sanksionet perëndimore dhe përpjekjet për të izoluar Rusinë dhe Iranin që t’i dobësojnë këto dy vende, apo po e forcojnë partneritetin e tyre strategjik në plan afatgjatë?

Nicole Grajewski: Një gjë është shumë e qartë: pasi vendosen, sanksionet janë shumë të vështira të hiqen, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Ka pasur disa përjashtime për Rusinë – për shembull, në sektorin e naftës – të lidhura me zhvillimet që përfshijnë Iranin, por, në përgjithësi, sanksionet mbeten në fuqi.

Irani ka qenë nën një regjim shumë më të gjerë sanksionesh sesa Rusia, por sot të dyja vendet gjenden në një pozitë të ngjashme në arenën ndërkombëtare.

Në një masë, po, dy vendet janë bërë më të izoluara. Por, në të njëjtën kohë, kanë gjetur mënyra të reja për të bashkëpunuar. Bashkëpunimi i tyre për t’iu shmangur sanksioneve është zgjeruar ndjeshëm dhe është bërë një element i rëndësishëm i marrëdhënies mes tyre.

Është e vështirë të thuhet nëse sanksionet i kanë afruar drejtpërdrejt Rusinë dhe Iranin, por është e padiskutueshme se ato kanë krijuar fusha të reja bashkëpunimi.

Në veçanti, Rusia ka mësuar shumë nga përvoja e gjatë e Iranit në gjetjen e mënyrave për t’i anashkaluar dhe shmangur sanksionet.

Përgatiti: Valona Tela

Send this to a friend