Para pak javësh mora ftesën zyrtare për t’iu bashkangjitur Samitit të IV të Diasporës, i cili çelet këtë javë në Tiranë.
Do të gënjeja po të thosha se nuk u befasova.
Për ata që më njohin mua, rrugëtimin tim, dhe kontributet e mia për Shqipërinë, kjo ftesë mund të dukej një vlerësim krejt i natyrshëm, ndoshta dhe i vonuar, por sidoqoftë i pritshëm.
Por befasia ime lidhet me faktin se prej gati një dekade kam qenë dhe vazhdoj të jem shënjestër e sulmeve të shumta, direkte dhe indirekte, nga po të njëjtët përfaqësues të diasporës që sot mirëpresin të ulen në të njëjtën sallë me mua.
Jo sepse sot ata më në fund vlerësojnë vërtet mendimin tim apo kanë ndryshuar qëndrim ndaj bindjeve të mia, por sepse çdo përfshirje, qoftë edhe formale a simbolike, i shërben një agjende të mirëllogaritur proqeveritare.
Ata që deri dje nuk lanë epitet pa përdorur për të më diskredituar, sot shpresojnë që pjesëmarrja ime t’u shtojë një numër më shumë në listat e gojëmbyllurve të blerë, dhe një emër më shumë në shërbim të fasadës së një uniteti të rremë.
Samiti i Diasporës, prej një dekade tashmë, ka qenë dhe mbetet një instrument politik i Ramës për të pastruar imazhin e qeverisjes së tij.
Vet krijimi i Këshillit Koordinues të Diasporës ishte një hap për të katapultuar patronazhistët jashtë vendit në role të dukshme, për të shtrirë ndikimin e Ramës në diasporë, si edhe për të kontrolluar mesazhin dhe votën përtej kufijve.
Por kjo përpjekje thjesht ka krijuar një dallim të dukshëm mes patronazhistëve të blerë, që tregtojnë propagandën pro-Rama pas dyerve të mbyllura të ambasadave, dhe patriotëve zëlartë pro-Shqipërisë, që përballen vazhdueshëm me sulme të koordinuara nga ‘dora’ e Ramës në diasporë.
Përtej ftesave të personalizuara, videove me inteligjencë artificiale apo vargjeve të sforcuara për “bijtë e historisë”,
Samiti i Diasporës mbetet një lavatriçe propagandistike e premtimeve të zbrazëta dhe arritjeve të rreme ndër vite, si dhe një përpjekje patetike për të hedhur hi syve të shqiptarëve anembanë, të cilët përballen çdo ditë me realitetin e krimit, korrupsionit dhe keqqeverisjes së Ramës.
“Me thuaj me kë rri, të them se kush je”, thotë një shprehje popullore. Prandaj, ndonëse mirënjohëse për individët në veçanti që më ftuan në shenjë vlerësimi, vazhdoj të zgjedh të mos jem në një sallë me ata që e shohin Samitin e Diasporës si një trampolinë për në kolltukët e drejtorive KÇK, që vazhdojnë të varfërojnë e rrënojnë Shqipërinë.