Eshtë lajm i ditës, por edhe i hapjes së debatit, hyrja e Policisë së Shtetit dhe më vonë ushtrisë në ambientet e Grupit Mediatik News 24 dhe Panorama Group, që u shoqërua me fikjen e sinjalit televiziv dhe pushimin e të paktën 230 gazetarëve dhe punonjësve, të cilët e lidhin jetesën e tyre e të familjeve me pagën mujore.
Nuk ishte çudi se të parët që iu dolën në mbrojtje kolegëve gazetarë të News24 ishin ata që e kanë provuar shijen e pushimit nga puna për mosbindje të vijave editoriale të caktuara nga politika. Vija editoriale është e pacënueshme për oligarkët të cilët ua imponojnë stafit të gazetarëve.
Ashtu sikur pritej, ata që mbajnë anën e qeverisë kanë ngritur menjëherë alibinë e skadimit të kontratave të ndërtesave ku është vendosur grupi mediatik, por që u rrëzua nga gazetarë të News 24, të cilët paraqitën faktet dhe dokumentat.
Kur bie alibia e kontratës, atëhere mbetet bezdisja e kryepolitikës nga News 24.
Duket se ndonjë dele e zezë që punon tek News24, e ka shkelur vijën e kuqe editoriale vendosur nga pronari i medias.
Ne jemi dëshmitarë se marrëdhëniet midis Edi Ramës dhe Irfan Musabelliut kanë parë furtunë.
Irfan Musabelliu është përpjekur t’i kthjellojë.
Për shembull, Eni Vasili, e zgjedhur tash së fundi në krye të RTSH, ishte prurje e Irfan Musabelliut, si moderatore e talkshow “Open” tek News 24, emisioni qendror i këtij kanali televiziv, ku zinte në pesë mbrëmje të javës hapësirën kryesore dhe më të rëndësishme.
Kur policia dhe ushtria ia mbyllën gojën News24, nuk ishte çudi që Eni Vasili e cila drejton institucionin më të rëndësishëm publik si RTSH, heshti.
Përpjekje tjetër e Irfan Musabelliut për të rregulluar marrëdhëniet me Ramën e për t’i kthyer në kohën e dikurshme, ishte edhe emërimi në fund të 2023 i gazetarit Aleksandër Çipa, një emër me përvojë i së majtës, si Drejtor i Përgjithshëm i Grupit Mediatik News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare dhe Radio News24. Çipa drejton edhe sindikatën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Kur policia dhe ushtria ia ndalën sinjalin dhe nuk i lejuan gazetarët të futeshin në vendet e punës, Drejtor i Përgjithshëm i Grupit Mediatik News24 Aleksandër Çipa heshti.
Heshti edhe Sindikata e Unionit e Gazetarëve Shqiptarë.1)
Heshti edhe vetë Irfan Musabelliu për t’i treguar bindje Edi Ramës.
Dhe mbetet versioni nga bezdisja e ndonjë deleje të zezë. Që nuk i është bindur as Irfanit dhe as shefave të tjerë. Si për shembull Fatos Lubonja, i cili posa ka dhënë një intervistë me shije të hidhur tek “Il Fatto Quotidiano”, sa ka bërë që News 24 ta ketë mbushur kupën. Fatos Lubonja është bërë shumë i padëshirueshëm, megjithëse i vinin përballë Dritan Hilën me kompani. Por as 1000 Dritan Hila nuk e ndalin dot Lubonjën të shqiptojë të vërtetat. Që kryeministri i Shqipërisë nuk pranon t’i shqiptojë asnjë gojë, përndryshe kush i shqipton, i prihet gjuha.
Ndërkohë ka gazetarë të mediave të tjera që janë pushuar më parë nga puna, të cilët ndihen të frustuar, pasi në rastet e tyre News24 ka heshtur. News 24 ka heshtur edhe kur u mbyll Televizioni Agon, edhe OraNews.
E megjithatë mbyllja e një tjetri grupi medial është një lajm i zi për shtypin e lirë.
Solidarizimi me kolegët e News 24 bëhet për etikë dhe në mbrojtje të lirisë së fjalës, por shoqërohet edhe me pyetjen retorike – këta kolegë që sot dolën në rrugë të madhe a i kanë shërbyer si duhet misionit të gazetarit apo kanë shërbyer sipas shijeve të kryepolitikës.
Përpara disa ditësh u pushuan dy Artistë dhe dy gazetarë. Pushohen çdo ditë artistë, gazetarë, nëpunës që nuk e kanë gjakun mavi. Sot vendi i punës blihet me besueshmëri të verbër ndaj liderit.
A e ka përmbushur misionin që i takon News24 – kur militantizmi partiak në Tiranë është kusht sine qua non për të fituar bukën e gojës.
Në një status të tij gazetari i terrenit i News 24 Osman Stafa e shpjegon situatën: “News24 më dha besim. Më dha mundësinë të jem gazetar. Unë nuk punoj për një rrogë, punoj sepse këtë profesion e cilësoj mision…Unë kam bërë kompromisin tim, sepse në 95% të televizioneve nuk të lejojnë të shprehësh mendimin tënd, as në rrjete sociale. Në News24 mund ta bëja… Dhe sot, ju i kërkoni llogari News24 pse në kohë të caktuara ka pasur një politikë editoriale të caktuar? Po t’i pyesësh ata që punojnë në media, ta thonë hapur: asnjë televizion në Shqipëri nuk mbijeton një ditë pa financa. Reklamat i shpërndan qeveria. Bizneset i influencon qeveria në reklamat që shpërndajnë. Kujt biznesi ia mban të çojë një reklamë në një televizon, të cilin qeveria e cilëson “armik”? Kështu funksionon tregu, dhe kush thotë të kundërtën, nuk po tregon të vërtetën.”, shkruan Osman Stafa në statusin e tij në rrjetin social
Me pak fjalë gazetari Osman Stafa tregon tragjedinë e shtypit të lirë në Shqipëri dhe dramën për cilindo gazetar që si idealist respekton të vërtetën. Gazetaria, fjala, shtypi i lirë dhe e vërteta janë më të rrezikuara se kurrë.
Kjo që ndodhi me News24 dhe sidomos me 230 gazetarët, kameramanët, montazhierët e gjithë stafin të cilët humbën vendin e punës, të shërbejë si sirenë alarmi, se profesioni i gazetarit nëse varet nga politika apo oligarkët nuk mund t’i shërbejë as së vërtetës, as lirisë së shprehjes, as opinionit publik dhe vjen momenti as gazetarit dhe as familjes.
Me një fjalë të vetme. Zgjohuni. Jo për të shembur, as për të rrënuar, por për të mbajtur gjallë fjalën e lirë dhe garantuar vendin tuaj të punës.
——
1)Sqarim – Deri sa unë e kam botuar opinionin e mësipërm – nuk kishte asnjë lajm nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Më vonë në faqen e tyre në rrjetin social ishte vendosur reagimi i tyre mbi një lajm të botuar nga BalkanWeb. Voal.ch ka botuar gjatë gjithë ditës lajme që janë lidhur me mbylljen e grupit mediatik News 24 – dhe nuk e ka gjetur këtë lajm. Unë po e sjell tani duke i bërë një foto. Duket shumë qartë reagimi i UGSH është bërë mbi një lajm të Balkanweb, por shiheni se data sipër është 8 Gusht, megjithëse shkruan 9 gusht. Lajmin e ka botuar edhe Dosja.al, ka perdorur edhe nje foto, që daton e premte, dmth 8 gusht. Pra kur ka ndodhur ngjarja më 8 apo më 9 gusht?
——-

Sipër faqja në rrjetin social e UGSH – reagimi i UGSH është bërë mbi lajmin e BalkanWeb, mban datën 9 Gusht – por sipër shihet data 8 gusht.
E njëjta gjë poshtë në botimin që ka bërë Dosja.al – ku botohet foto nga faqja në Facebook – ku shihet se lajmi brënda ka datën 9 gusht – por sipër duhet am Freitag – dmth të premten, më 8 gusht. Kur ka ndodhur sulmi mbi New24 – më 8 apo në 9 gusht. Natyrisht më 9 gusht.
