Ikona e belkantos Inva Mula në rrjetin social para një dite kishte vendosur disa foto dhe video koncerti nga Olympia Theater në zemër të Parisit.
Në video shfaqej skena e Olympia-s ku një artist i ri performonte dhe po ashtu salla e mbushur plot e përplot me spektatorë të entusiazmuar që duartrokisnin e duartrokisnin.
Në një foto tjetër shfaqej Inva me një djalë të ri përpara hyrjes të Teatrit ku me gërma të mëdha ishte shkruar TCHAKO.
Ishte artisti i ri që përfermonte në Olympia me të cilin fotografohej Inva.
Për ne që e njohim Artisten e famshme shqiptare ishte e lehtë të bënim lidhjen edhe në mungesë të tekstit dhe të një shpjegimi.
Djali i ri që performoi në Olympia është Anthony Tchako biri i dy artistëve Inva Mula e Pirro Çako dhe nipi i dy çifteve të famshme, kolosëve të muzikës klasike e kulturës shqiptare Avni e Nina Mula dhe Gaqo e Luiza Çako.
Anthony Tchako që dha shfaqje në një nga sallat më të famshme të Parisit, aty ku kanë përformuar yjet e Francës dhe të botës, është një bir arti dhe nip arti.
Aty shkëlqeu me sukses të plotë Anthony Tchako, një talent që konsakrohet në sallën ku ka dhënë koncerte krenaria e kulturës franceze si Georges Brassens, Gilbert Bécaud, Johnny Hallyday, Dalida, Charles Aznavour, Édith Piaf, Yves Montand, Jacques Brel e Sylvie Vartan e të tjerë dhe ikonat Beatles e Rolling Stones, të cilët për herë të parë më 1964 performuan në koncertin e tyre më të rëndësishëm jashtë Anglisë.
Është një ëndërr të performosh në Olympia. Megjithë sukseset e jashtëzakonshme të yjeve shqiptare këto tre dekada, Anthony Tchako është shqiptari i parë që dha shfaqje në Olympia, një evenimet që shihet si kulmi i çdo artisti në karierën e tij. Anthony Tchako e arriti këtë kulm. Por sa kulme të tjera e presin!
Anthony prezantoi pjesë nga albumi i tij, një kantautor, me një sensibilitet të jashtëzakonshëm, në frëngjisht dhe shqip, për herë të parë në Olympia si margaritarë shkëlqenin fjalët shqip, shkëlqente Tirana, qytet që Artisti e ka në zemër dhe e ndjen se i takon edhe atij.
Sepse mendoni që Anthony sapo e ka nisur karierën në mënyrën më të bukur të mundëshme, duke i bërë krenarë jo vetëm prindërit dhe gjyshërit të tij në Parajsë, por edhe kulturën shqiptare.
Anthony Tchako hyn i sigurt dhe me plot sukses në Universin e Artit të vërtetë, në një botë ku mund të hysh pas një beteje të pashpirt të konkurencës ku nuk pinë ujë rekomandimet por vetëm fuqia e talentit dhe puna gjigande që fshihet pas tij.
Olympia është salla muzikore më e vjetër e Parisit, e ngritur më 1888, por nga më e çmuarat që ka patur si ideatorë Oller and Zidler të njëjtët emra që kanë themeluar Moulin Rouge në Pigalle.
Por edhe Olympia kaloi një kohë të vështirë, kur disa të çmendurve, (si ai që shembi Teatrin Kombëtar), u shkrepi ideja për ta shembur, ide që u shemb në vitin 1993 kur u shpall Pasuri dhe Trashëgimi Kulturore gjithmonë me dyer të hapura për të pritur dhe mrekulluar spektatorët me artistët më të shquar të skenës.
Sikur mrekulloi me artin e tij duke kënduar edhe në shqip Anthony Tchako në një shfaqje alla grande në Olympia mes duartrokitjesh që nuk rreshtnin.
Faleminderit Anthoni Tchako, ti je e ardhmja e shqiptarëve dhe Shqipërisë!