Më 31 korrik 1919 lindi Primo Levi, shkrimtar dhe dëshmitar i dëbimeve naziste, si dhe i mbijetuar i kampeve të Hitlerit
1. DALLGË BJESHKE JETA IME
Dallgë bjeshke ka nisë
breshër kokrriz madh lugjet e staneve e lëndinat zbardhi,
qielli i kaltër u fsheh,
brrakat u frynë e u turren n’ahishtë,
gurët e shpateve n’rrëknim degët e lisave i thyen.
Kaq e fortë dallga sa krejt bjeshka u dridhë,
për mue n’kalin e bardhë të shalës
me nusen n’prehër
dallga iki,
prej meje u frikësue
u degdis…
2. N’KOFSH UK, JAM ARUSHA
(…me motiv popullor )
U dridh bjeshka
u shkund krejt stani,
n’shtek të tellës
ka ardhë jarani.
O, ka ardhë jarani.
U çue çika si zanë mali,
sharovit të zi ja banë me sy,
ulu, ulu të pastë dada,
nuk asht ukë, po djalë i ri,
O, nuk asht ukë
po djalë i ri
U nis çika me i dal përpara,
si hyri kuq e bardhë tuj zdritë,
hanës i tha mos na del sonte,
unë jam hanë,
ai është diell.
O, unë jam hanë,
ai është diell.
N’shtek të tellës,
nën atë bli,
u bamë një unë e ti.
T’i nën mue,
e unë mbi ty
e unë nën ty
e ti mbi mue
na çeli dita tuj luajt
e tuj u ngacatue.
O, tuj luajt
e tuj u ngacatue.
Shejat n’qafë na kanë tradhtue,
gushën fort ma ke vrengue,
e unë me dhambë arushe gjyksin tand e kam varrue.
O me dhambë arushe, gjyksin tand e kam varrue.
Trimnisht erdhe
e nuk tu tuta,
Ti si ukë,
e unë arusha.
O, ti si ukë
e unë arusha.
3. POETËT
…nuk janë bojaxhi,
bojnat e muret vjetërohen, koha i rrëzon e i fshi.
…nuk janë as llustraxhi,
këpucët e tyre të pafshime, me pluhur e baltë rrugësh edhe në sallone me pesë yje vinë.
…nuk pudrosen kurr,
kremërat e parfumët nuk i njohin,
po të ishim të gjithë poet
do vdiste në botë kjo industri.
…nuk vejnë kollare,
sherr bejnë për zgjedhjen e rrobave në garderobë,
kostumet kurr mirë në shtat
nuk u rrinë.
4. BORXHI I ATDHEUT
Për ata që harrojnë
e presin se çfarë atdheu
nuk bëri për ty….
Atdheu,
të falë dy metra dhe
e harresën,
e si pjellë nuk të hedh,
prapë të mban në gji.
5. PSE U NGUTE ME VDEKË
Në gara makinash
tymë e flakë nxjerrin gomat,
vetëm një prej tyre garës i vë emrin
edhe shpejtësinë.
Në garat e kuajve
xixa nxjerrin patkonjtë,
vetëm një prej tyre
garës i vë emrin
e emrin e të zotit ngjitë.
Trenat bulshitin rendë,
në shina rrëshqasin vetëtimë, si kuajt nuk dallohen nga jelët
por mbi shina
sa e kanë shpejtësinë…
E njerëzit
edhe ata vrapojnë,
por, emri nuk u mbetet sa shpejt a sa ngadalë e mbërrijnë vdekësinë.
Emri ju mbetet
sa e si e mbërrijnë në jetë njeriun.
6. LULET E VYSHKURA
Të krrusura në vazon e kristaltë,
të vyshkura ranë në raft, kundërmojnë erë myku përzier me mjaltë.
Mizat e vogla
rrezë veshit më afrohen,
për ti trembur ato
vetën godita në qafë.
Dërmuar nga mizat
që lëpijnë nektarët e tyre të tharë,
mbi raft qëndrojnë të vetmuara,
më presin mua që ti hedh,
në koshin e plehrave t’i flakë.
Por nuk mundem,
dridhjet më shtohen në shtat, zemra më gufon,
lulet edhe vyshken,
mjalti,
jo, jo mjalti
kurr nuk ka me u kalbë.
7. Luje, Luje belin komshije !
Shumë shoqata
më shumë kryesi,
sherre për tubime e sheshe, për radhë fjale
hucla me musteqe pick
mbi tupana e në kingja t’pjekur n’tepsi.
Luje !
Luje belin kojshie !
Ani, ani pse stanet në bjeshkë e sobat në vrri
janë pa vegsha e pa magje,
pa lugje me tamël
e sofrat pa fëmijë.
Luje!
Luje belin kojshie !
Ah, dikur për zollumet
nënat kot nuk kanë nemë,
u mbytësh në Dri.
8. BISHTI I CIGARES
Pranë meje një zonjë
krye ultë duke kërkuar dicka në tokë.
Mendova se diçka i kishte humbur
e unë ula sytë të lyp si ajo…
Një bisht cigareje te hedhur, shtypur nga kalimtarët e mori
e vuri në buzë dhe qeshi.
A ke shkrepëse
më pyeti ta ndihmoj,
jam lypëse më tha dhe e ndezi.
Lumturia prej çmimeve
në duar të poetëve
perpara meje
më solli sytë e kësaj lypseje,
jo buzëqeshjen e tyre
por terrin.
9. DUKE UJITUR LULET
E ti u zbukurove çdo ditë
duke qesh me thinjat e mia,
në ëndrra më mbajte për dore si fëmijë,
gjumin tim e more,
mëngjeseve ju falë aromë, gonxhet e tua,
vargjepesëpetalëshe
si pesë germa në fjalën poezi.
Nuk ka nevojë për njëqind
a njëmijë,
vetëm nje lule me pesë gonxhe
mjafton të zbukuroj një shtëpi,
ashtu si vetëm pesë fjalë,
vargun mund ta hijeshojnë
e ta bëjnë nuse,
super poezi.
10. TRE VARGËSH
* E VËRTETA
Një hapësirë
e pa shkelur,
me dritë të pa mashtruar.
* NUK ËSHTË DASHURI
Ajo që shkëlqen në errësirë
e shkërmoqet prej drite
në mëngjes.
* SHKRUAJ POEZI
Fjalë të freskëta
shkruaj
në hapat e mi.
11. SOT JAM VETJA
Jam i lehtësuar sot,
e hoqa barrën e rendë te jo vetës time,
guxova,
hoqa gurët e rrugës,
këputa barnat e këqia që kishin plasaritur kalldrëmet
dhe hodha edhe zinzhirët e duarve,
qafën e kerrusur e ngrita.
Sot guxova,
vetëm njëherë mendova
për veten time.
Po kthehem
tek ai që isha,
e ika prej atij
që isha hije,
një grumbull eshtrash
nën një lëkurë hipokrizie.
Nuk e di rrugës
ndoshta do të kem
edhe të tjera surpriza,
patjetër të këndshme.
E kush e di,
e panjohura
Prandaj është gjithmonë e tillë edhe surprizë.
Guxova drejt saj,
hapi im që hodha
do të jetë shoku im më i mirë.
12. FLAMINGOT
Ah, populli im i mirë
shyqyr që u ngrite një ditë
pa gdhirë,
e qiellin e shikove lart,
flamingot qiellin më nuk e nxijnë.
Hëna e kishte zbrazur qiellin,
sikur është ndal dielli,
pa flamingot,
toka jonë nuk është më e mirë.
E bulevardet u derdhën,
si lumë me dallgë oshtinë, kafenet u zbrazën,
filxhanat e gotat mbeten gjysmë.
Ah, o mëngjes i mirë
e zgjove nje popull
herët pa u gdhirë.
Flamingo që mungojnë në laguna,
në bregdet e në qiell
ikë edhe ato të trembura,
pse muret e shtëpive
në jug e veri me djepet bosh të fëmijëve,
varë në gozhdë të ndryshkura rrinë.
13. MOS MA MERRNI POEZINË
I thonë çobanit
na e sjellë një qingj
për kurban,
më të mirin
e ma të majmin.
Shkon hallexhiu
e hyn në torishtë,
të gjithë gjingjat i afrohen,
gishtat ja lëpijnë,
po cili është më i majmi,
cili është më i mirë,
ah për çobanin e shkretë, pyetja ma e vështirë.
Kthehet bosh nga tufa,
asnjë nuk e zgjidh…
në sobë të burrave jua përplas,
asnjë kurban nuk është më i majmë,
asnjë qingj nuk është më i mirë…
E du edhe unë
me e thanë një fjalë çobani: kurr mos e thashtë zoti,
me zgjedh ai kurbanin
se torishtë me qingja të butë e të mirë kurr nuk do kishte, as kingja,
e as torishtë vatani.
14. AMANETI I NANËS
Një nanë e vetme
ngujue n’praqe t’fatit e të pleqënisë,
aty n’oborr t’kullës bri thyeme, mbi do ashkla t’nxime ngjitë
ja merr kangës si vajoticë
fjalë e lotë derdhen rigë.
Kur erdha nuse n’kto troje,
ja lash burrit amanet,
n’deksha unë para teje,
mi drejto sytë prej vorrit t’babës tem.
Kur m’vdiq vëllau i ri,
ja lash djalit amanet,
drejtoja nanës arkivolin
me e pa motra vllaun e vet.
E tani, o mure t’thata,
e ti oj gurrë e shkretë,
a m’kallxoni kah asht Anglia,
se do ju la amanet.
Koft e gzueme ajo ditë,
nana e shkretë kur i mbyll sytë,
lemni sytë çelë nga Anglia,
ta shoh atje djalin tem,
ndoshta atij kur t’i rriten fmija,
i kujtohet loti jem.
15. NATA NUK ËSHTË E IMJA
Nata shikon idhshëm
si shofer i keq në kthesë,
nën çarçafë të mban në shpellë,
herë të dridhë,
herë të nxehë
luan me yjet si me topa pingpongu,
herë i gjuan
herë i fsheh,
orën në murë
e bën jetime,
lotët e tharë
nuk i sheh.
16. NUK KAM GABUAR
Larg rrënojave qëndrova,
u mbajta me të vërtetën si një gurë,
Ti bëre një murë aty,
mendove se ike prej meje,
e bashkë nuk do të kolovitemi më kurr.
E harrove se dyert që perplasen natën
matan murit tënd,
vetëm ty të lenë pa gjumë.
Duke veshur përbuzjen tënde si një kostum të shtrenjtë,
në kembënguljen tënde të ftohtë akull
vetëm për të fajësuar,
të mirat e mia
padashur i nxore në dritë,
e vetën e ngujove në furrë.
Njëlloj si në lojën me kolovajzë të fëmijëve,
sa më fort mundohesh ta ulësh traun
aq më shumë
e ngre traun në krahun tjetër
e jo në krahun tend kurr.
17. LUMI DHE KOHA
Me gjunjët përulur
në breg të lumit
mbush grushtat me ujë,
e çdo herë,
tjetër ujë pi
e tjetër ujë më freskon sytë dhe ballin.
Lumi rrjedh…
E prek ujin e ai ikën…,
Kurrsesi nuk mund ta prek më,
ka ecur…
nuk e ndal kurr vrapin.
Edhe sekondat,
minutat, orët e vitet ikin,
e nuk kthehen më,
nuk e përsërisin kurr çastin.
Po nuk u shijuan në çdo moment,
është sikur të presësh
në breg të lumit
një jetë
pa i mbushur grushtat me ujë,
pa u freskuar e duke qarë fatin.
Rugova është njëra ndër krahinat më të njohura të gjeografisë shqiptare ku ruhen më së miri traditat dhe kultura jonë kombëtare. Rugovasit në radhë të parë i karakterizon bujaria, fisnikëria, trimëria dhe ndershmëria. Rugovasit i kanë dhënë burra e trima këtij vendi në mbrojtje të lirisë, atdhetarë të spikatur ndër shekuj. Veshja kombëtare paraqet kulmin e traditës dhe kulturës sonë së bashku me këngët, vallet. lojërat etj, tejet artistike.
Ndonëse të shkapërderdhur neper vende të ndryshme nga kushtet e vështira të kohëve, duke marrë boten në sy për një jetë më të mirë, megjithatë, kohëve të fundit janë rikthyer disa sish dhe kanë filluar jetën në trojet e tyre së bashku me traditat dhe mirësitë që i karakterizojnë këta banorë të vyer.
Fshati Stankaj i Rugovës jep shembullin më të mirë për të rikthyerit dhe të jetës së rehatshme në vendlindjen e tyre, ku ruhen me xhelozi traditat tona, të kësaj krahine famëmadhe.
Vëllezërit Naser e Halil Ukë Kurtaj, këto ditë dëshmuan dashurinë për vendlindje dhe për traditat tona të çmuara. Këta dy vëllezër, me 4.korrik, organizuan ceremoninë e të qethave të deleve si një nga traditat e këtij vendi prej kohësh. Tufa e deleve të tyre prej 250 krerësh, hijeshon shpatet e bjeshkëve në kullosa. Blegërima e qingjave të rikujton “Bagëti e Bujqësi” të Naimit romantik. Nuk mungon as kënga e fyelli shpateve të fshatit Stankaj.
Ferma e blegtorisë së Naser e Halil Kurtaj, është bërë e njohur edhe për produktet e qumështit dhe mishin cilësore të qingjave të tyre. Nga këto produkte edhe fitimet janë të lakmuara.
Për këtë festë të qethurave, vëllezërit Kurti kishin ftuar hiç më pa se 100-150 veta, shokë e miq, e mes tyre edhe zyrtarë të pushtetit Qendror e lokal, nga Ministria e Bujqësisë dhe pylltarisë, si bashkë organizatorë të kësaj tradite në Rugovë të Pejës. Mori pjesë këshilltari i resorit të Bujqësisë e pylltarisë, nga Peja, z. Mehdi Mulaj, i cili, me fjalët e tij kurajuese, falënderoi fermerin Kurtaj për organizimin tradicional të Rugovës, ruajtjen e traditave dhe zgjerimit të kësaj veprimtarie dobiprurëse. Premtoi bashkëpunim dhe ndihmë në këtë lami me qëllim të zgjerimit të tufave të deleve në bjeshkët e Rugovës. Ndërkaq, banorët dhanë disa mendime e vërejtje me qëllim të plotësimit të nevojave të tyre për kultivimin e fermave të blegtorisë në këto bjeshkë të bukura. Njëri nga biseduesit iu drejtuar z. Mehdi me fjalët: ” në fshatin Stankaj mbaj mend 3000 dele qe kullosnin këto shpate, ndërsa tani, vetëm 250 krerë ka fshati. Mos të përmend edhe fshatrat tjera që kishte mbi 5000 krerë dele. Andaj, na si banorë të këtij vendi kërkojmë ndihmën e pushtetit lokal e Qendrorë për ndihmë sa më të arsyeshme. Biseduesi tjetër përmendi si problem Parkun Nacional i cili ka kufizuar hapësirën për kullosa delesh…”

Në vazhdim të këtij manifestimi, n’atë lartësi bjeshkore, mes Bogës e Stankajve, jehonte kënga e çiftelia nga grupi folklorik ardhur enkas nga Shqipëria, të cilët kënaqen të pranishmit me mësonin e bukur të rapsodisë sonë. Kënaqësia kishte arritur kulmin edhe me pjesëmarrjen e disa qytetarëve nga diaspora jonë, të cilët, të përmalluar dhe të etur për vendlindjen e tyre, dalldiseshin nga kënaqësia, u qeshte fytyra dhe incizonin programin e pasur e të organizuar për mrekulli nga mikpritja e vëllezërve Kurtaj të fshatit Stankaj.

Një sharm të veçantë e të paharruar këtij manifestimi ia shtoi rapsodi tani i mirënjohur anekënd trojeve shqiptare, lahutari Hysen Kurti, i cili me veshje kombëtare, ”zbarkoi” nga hoteli “Kulla e Rugovasit” si një shqiponjë, veshur në kostume kombëtare të Rugovës, duke ia thënë bukur këngës majëkrahut, i cili u prit me duartrokitje të gjata.
Pastaj, në ecje e sipër, si një aktor i vërtetë, ofrohej masës së tubuar duke recituar vargje nga Fishta, vargje për Vraninen. Nga ajo atmosferë madhështore, dukej se edhe pishat e gjata po këndonin me këtë malësorë të Rugovës, i cili kudo që qëllon ndezë atmosferë gëzimi e hareje. Nuk mungoj as vallja e njohur e burrave të Rugovës, një valle e njohur anekënd botes për traditën dhe koreografinë fine të shqiptarisë.
Pas kësaj ceremonie, këshilltari i sektorit të Bujqësisë nga pushteti lokal në Pejë, ndau disa mirënjohje për organizatorin ( mikpritësin) dhe disa të tjerë , si motivim e nxitje për vazhdimin e traditave tona dhe zgjerimin e fermës së blegtorisë në këtë fshat dhe tjerat për rreth.
Bujaria rugoviane është e njohur anekënd trojeve tona. Pos që të hapin zemrën e bujarisë, ata shtrojnë tryezën me gjitha të mirat që ka shtëpisë.

Për fillim, mysafirëve të ftuar iu shërbyen me përshesh me tamel të deleve, i cili ka shije të këndshme. Në radhe, pas një pauze, shtruan tryezën e gjatë për të pranishmit me të gjitha llojet e ushqimeve vendore, duke filluar me pjatat me djathë cilësor, mish qengji të pjekur, leqenik, flija, ëmbëlsira, ku secila ishte më e shijshme se tjera. Të pranishmit shërbeheshin sipas dëshirës së tyre me ato të mira të shtruara në tryezën e gjatë. Në një ambient të këndshëm bjeshkor, nën përkundjen e flladit të pishave, me pije të llojllojshme e ujë bjeshke, secili ngopjen në dy aspekte: me ajrin e pastër, pamjet dhe ushqimet e mrekulluara vendore të Rugovës.

Flija, specialitet i Rugovës
Të gjitha ushqimet e ofruara për mysafirë, ishin përgatitur nga familjaret e mikpritësit. Për kureshtje të këtyre specialistëve, tregova interesim të di për gatimet. Zymer Kurti nuk hezitoi, dhe me dërgoi në kuzhinën ku bëhej gatimi. Me njohu me nënën Cubë, Cube Kurtin, e moshës 86 vjeç, e njohur në tërë Rugovën për çdo lloj gatimi. Ajo ishte ulur në një karrige dhe përziente mazën e zier, njëri nga specialitet më të kërkuara në menynë rugoviane. Të rejat e shtëpisë e dëgjonin dhe përfillnin me vëmendje porositë e saja. Një trashëgimi ndër breza, sa mrekulli!
Ora kishte kaluar katër pasdite. Flladi i mbrëmjes kishte ndërruar melodinë, ishte më i ashpër. Pishat luhateshin dhe lëshonin armë të këndshme. Sikur donin të na tregonin për ikjen e një dite të këndshme në fshatin Stankaj, mysafir në të qethurat e deleve të mikpritësve, Naser e Halil Kurti nga ky fshat.
U ndamë duke u përshëndetur ngrohtësisht me falënderimet për ftesën, duke iu dëshiruar shëndet e suksese në zhvillimin e fermës së deleve dhe ruajtjen e traditave aq të pasura vendore.
Sa gjatë ngelet në mendje të njeriut një ditë e kalendarit të jetës kur përjetohet me aq ngrohtësi!….
Stamkaj – Rugovë, 5 korrik 2026
– Të rinjtë duhet të dinë –

“Kemi nevojë për tjetrin, të duam dhe të na duan, ndryshe s’është më ngrohtë… acar…”
Visar Zhiti
Në mesnatën e Tiranës fishekzjarret jashtë përkojnë me mbarimin e leximit të romanit “Në kohën e britmës” të shkrimtarit Visar Zhiti. Më duket sikur ajo shkrepëtimë drite doli nga fletët e librit që t’më tregojë rrugën për një kërkim të një ideje, të një qendrimi, të një emocioni të madh dhe më nxit të bërtas dhe unë, të kërkoj atë që mungon, mbase… quhet Gjergji në roman…
Dikush po e pret, Gjergji nuk ka ardhur… unë e shoh si metafor;e… Një tryezë e shtruar, një familje e shqetësuar… Një pritje me ankth.
Romani ka në qendër shoqërinë shqiptare të fillimviteve 1990, kur Wind of change po frynte edhe në Shqipëri dhe revolucioni politik, ekonomik, social e kulturor si tufan po shkundte jo vetëm regjimin, por edhe një sistem dhune, propagande, poshtërimi e shkatërrimi njerëzor të ngritur për dekada.
Në këtë kohë kur dikush shpejton të zhdukë gjurmët e së keqes, të pastrojë imazhin e vet të turbullt apo të minimizojë ligësinë monstruoze, janë dhe ata, njerëzit e bukur, që kanë vuajtur, që dashurojnë e dashurohen, por edhe që humbasin e kërkohen.
Në roman Gjergji dashuron Rezanën duarartë që qep këmishat e “Odisesë” së saj të zhdukur deteve, apo diku tjetër. Evgjeni, piktori me mamanë ruse, dashuron Afërditën, artisten moderne… roman i dashurve tronditëse.
Këta dy çifte i ndajnë koha dhe rrethanat, i bashkojnë më fort se kujtimet, misioni. Mes ndarjesh e bashkimesh padrejtësia bëhet shkak, por edhe pasojë e një diktature që cënoi jetë njerëzish. Ata nuk janë vetëm, janë gjithmonë të mbështjellë nga meraku ynë, nga kujdesi vëllazëror. Dy vëllezër, Petriti dhe Martini që kërkojnë, që duan të gjejnë dhe të ndihmojnë, që duan të bashkojnë. Të mbrojnë njeriun, të mbrojnë familjen. Figura e vëllait, kjo shtyllë e fortë mbështetëse vjen në këtë roman me Martinin fjalëpak, vëllain e Rezanës dhe me Petritin përkujdesës, vëllain e Gjergjit.
Romani trajton familjen shqiptare përballë dramës së madhe të emigrimit, që mund të ndodhë brenda vendit, kur ikën nga vetja kolektive apo largon një pjesë të rëndishme, më të vuajturën dhe më idealen, – këtë Visari na e rrëfen mrekullisht. Mos vallë emigrimi largoi dhe shpirtin nga morali? Apo gjakun e bëri ujë? Përshtatja me jetën e re, edhe andej nga ana tjetër e detit, nga largimi, loti, ndarja, malli janë sfida të rënda nga ato që shënjojnë ndërgjegjen e një shoqërie.
Ndjeshmëria e autorit për të risjellë në vëmendje tragjedinë e ikjes, për të trajtuar jetë njerëzish të mbytura në det… jo si statistika, por si shpirtëra që ëndërruan dhe tani ulërijnë, i jep romanit një tis aq sa keqardhjeje e dhimbjeje, por edhe rebelimi dhe nevoje për t.u ngritur, për të kërkuar…
E teksa faqet e librit kalojnë në kërkime, udhëtime, shkrime, që vijnë nga ai që quhet Gjergj në mënyrë misterioze, por që mund të jetë cilido nga ne, kalojnë dhe vitet, koha si nocion filozofik.
Është tranzicioni që solli largim, vetmi, lotë, por dhe përpjekje për politikëbërje, nxitim dhe rrëmbim për plotësim material dhe dëshire, por edhe mpakje e varfëri, dhimbje, nevojën për gjetjen e vetes. Gjithashtu solli edhe marrëdhënie të bukura e miqësi, si ajo e Martinit me Amedeon, gazetarin italian, si e shumë shqiptarëve me familje italiane dhe Italinë e ëndërruar.
Çdo izolim bërtet një nevojë për largim dhe kështu shqiptarët kapërcyen male e dete si Kostandini mitik, iu larguan vendlindjes, për t’iu afruar vetvetes. Në një udhëtim për t’u ndjerë i lirë, për të kuptuar, larg fantazmave të së shkuarës, që ndollën shkatërrimin.
Sidoqoftë identiteti është i lidhur me vendlindjen dhe formohet prej saj, nga gjuha që flet, nga përrallat e gjyshes, nga historitë, nga poezia… nga ato ngjarje që i kemi perjetuar bashkë, qër na shpalosen dhe në roman, dhimbja e eksodit me anije, ikjet drejt ambasadave, vrasjet në kufi, të treguara kaq furishën dhe me emocion si në “Në kohën e britmës”.
Mbi të gjitha ky roman jo vetëm bërtet, po aq sa për të burgosurit, të internuarit, të vrarët nga diktatura e egër, për dhe na prin në përpjekjet për të gjetur vendin në jetë edhe të nxit fort: “Vazhdo! Nxirre dhe ti britmën! Bërtit për veten, për ne!”
Britmën e kujt? Të Rezanës, që vuan dashurinë e humbur? Të Afërditës, që është viktimë e shpirtit të saj artistik? Të të mbyturve në Kanalin e Otrantos? Oh-trantos! – është pasthirma e autorit. Të të malluarve larg Shqipërisë? Të familjarëve që presin? Të të humburve në det? Të të zhdukurve apo të atyre që nuk u gjenden eshtrat?
Në roman gjejmë dhe personazhe me emra të vërtetë si poeti malazias, mik i shqiptarëve, Jevrem B:erkoviq, apo Maestro Ibrahim Kodra, apo shembëlltyrën e At Zef Pllumit, gjëmimet e luftës në Kosovë dhe… kthimet. Atë për të cilën po b:ertasim dhe sdot.
Dua ta gjej Gje(j)rgjin. Si mund të ndihmoj të vijë mes nesh metafora e tij sërish? Ai është guximtari, moderni, antikonformisti që s’ka frikë, që i duhet ndryshimeve, revolucioneve që bëjnë shoqëritë. Ai duhet dëgjuar. Është i mençuri mendjebukur, që edhe të tremb. Është përballuesi i veçanti në një diktaturë që imponon standartizimin, kuadratin, barazinë dhe në postdiktaturë bën të skërmisin dhëmbët kriminelët, gjakpirësit, sepse dëshmon moralin e munguar.
A e kemi prodhuar ne diktaturën, apo ajo ka prodhuar njeriun që bën keq? Çështja nëse njeriu është i mirë apo i keq nga natyra ka qenë objekt diskutimi për shumë filozofë. Sipas Rusoit njeriu lind i mirë dhe është shoqëria ajo që e korrupton. Në të kundërt, Hobs mendonte se njeriu është i prirur drejt egoizmit dhe konfliktit, prandaj ka nevojë për rregulla dhe autoritet. Ndërsa Aristoteli argumentonte se njeriu nuk është as plotësisht i mirë dhe as plotësisht i keq, por karakteri i tij formohet nga veprimet, zakonet dhe zgjedhjet që bën gjatë jetës.
Një realitet i jetuar dhe i treguar përmes historish njerëzore, siç bën Visar Zhitit me këtë roman, sjell mes nesh dëshmi të dhimbjes dhe padrejtësisë historike. Pse kemi bërë kaq keq? Pse qenia njerëzore shtyp e dhunon? Çfarë e detyron të bëjë mënxyra? Në emër të pushtetit? Të frikës? Të padijes? Cila pikë gjaku e justifikon një autoritet të dhunshëm? Cila britmë është aq e fortë sa të shkundë përbaltjen e shpirtërave njerëzorë?
U baltos dinjiteti njerëzor. Po bërtas sot për intelektualët, shkencëtarët, studiuesit, shkrimtarët, artistët, arkitektët, mësuesit, profetët e dijes, bërtas bashkë me ta, për shoqërinë tonë si jejonë e «Kohës së britmës». që vuan pasojat traumatike të vetes.
Themele të fundosura në baltra të rrëshkitshme ligësish. Pasuri të çmuara të mbuluara në varrin e frikshëm të harresës. Arkeologji vlerash të përhershme. – ky është romani…
Nëse nuk i vlerësojmë, nuk ndërtojmë dot më lart. Nëse nuk e njohim dhe nuk kuptojmë të kaluarën, nuk do të gjejmë qartë rrugën drejt së ardhmes. Nëse nuk nderojmë vuajtjen, dhimbjen tonë, historinë, atëherë cënojmë vetë dinjitetin tonë të të qenurit shqiptarë. Pa kujtesë nuk ka të vërtetë, dhe pa të vërtetë nuk ka liri. Ndaj liria e vërtetë për një shoqëri shpirtgjymtuar vjen kur ajo punon dhe kujton, çmon dhe pranon dhe ecën përpara..
Këto ndjeja gjatë leximit të këtij romani.
Britma ime sot është për Atdheun me dhimbje, Atdheun me vuajtje. Atdheun e bukur, me njerëz të bukur… si Rezana, Afërdita, Gjergji, Evgjeni, Martini, që na sjell Visar Zhiti, si të rinjtë sot.
Kohët ndryshojnë, diktaturat bien, por të rinjtë gjithmonë do të dashurojnë, do të qeshin, do të gjejnë të bukurën edhe në baltën që ligësia hedh. Asnjë det i zi dhune, dhimbjeje e ikjeje nuk mund të kafshojë qeshjen e dashurisë.
Fisnikët nuk do të bërtasin për hakmarrje, por me qenien dhe veprën e tyre bërtasin bukurinë e shpirtit njerëzor. Të atij shpirti që jeton.
Atdheu jemi ne.
Atdheu jane të dashurit tanë, afër dhe larg.
Atdheu janë përqafimet në aeroporte, që bërtasin mallin, lotët që bërtasin mungesën.
Atdheu janë prindërit krenarë.
Atdheu janë të rinjtë që të shohin në sy dhe frymëzohen nga dija, nga fjala.
Atdheu është dashuria.
Atdheu është kënga. Atdheu janë letrat tona, është romani i Vasar Zhitit.
Arti dhe kultura e zhvillojnë një shoqëri, sepse pasurojnë shpirtin e saj dhe sjellin emancipimin, ndaj dhe letërsia sjell dijen. Ajo hap mendjen e si zanë magjike, fal flatra dhe kështu të gjithë mund të fluturojnë në kohë e hapësira të tjera.
Përmes romanit “Në kohën e britmës” të rinjtë plotësojnë njohjen, estetikisht dhe me emocion, i qasen realiteve shqiptare, diktaturë dhe tranzicion dhe hapje ndja botës, universalizojnë ëndrrën,
Autori me këtë roman sikur na kap për dore dhe na dërgon në gjithkohë për të na treguar. Le të jetë një qytet i vogël dhe ca njerëz të zakonshëm, një rrugë nga shtëpia në një hotel, një galeri e dyer ambasadash, e bregu i detit e anije të rrëmbyera, më pas qytete të huaja, ku dhe humbet, por ajo që ndodh, është e gjithë, Europa është pas kthesës së parë dhe në një pikë loti është kthimi.
Duke lexuar aq sa trembesh, edhe shqetësohesh, intrigohesh, frymëzohesh, rebelohesh, zemërohesh, dashuron e zgjerohesh e arrin… te britma jote dhe protesta jote.
Nuk je vetëm me imagjinatën, me shpresën, por je konkretisht me librin në dorë si me një dorë, je me një autor që bën të mundur të gjesh forcën te vetja, por edhe te të tjerët, je i lirë. Misionin e tij si shkrimtar e bën kaq paqësisht, kaq artistikisht dhe do të thosha me një figuracion të pasur duke frymëzuar, ndërgjegjësuar dhe ndriçuar, me trëndafilin, tankun, me baltën, dallgën e detin, me këmishën, çelësin dhe britmën, sa të përfshin në beteja të brendshme, në përjetime e ndodhi, me artin që na duhet.
Mes dualitetetsh si jeta dhe vdekja, dashuria dhe dhuna, frika dhe guximi, drejtësia dhe padrejtësia jeton dhe realitetet , deri te i sotmi e ato që do të vijnë…
Misteri që shoqëron romanin kthehet në sfidë, në mision. Këmbëngulja për të gjetur bëhet edhe lajtmotiv. Të gjithë kërkojmë e gjejmë, secili sipas mënyrës së vet, Gjergjin e tij, që i jep kuptim ekzistencës që secili prej nesh ia jep edhe qenies së vet sot dhe vendit në shoqëri. Të gjithë kemi një arsye për të kërkuar.
Një yll polar drejtues është dhe romani “Në kohën e britmës”, i cili orienton një brez të ri të kuptojë dhe të njohë. Ai nxit besimin te optimizmi si psikologjie e përmirësit, duke ndikuar në formimin e qytetarit aktiv, që di nga vjen dhe njeh sakrificën.
“Në kohën e britmës” modelon, jo vetëm te të rinjtë, një qasje mirënjohjeje ndaj atyre që me guxim kundërshtuan, nderim ndaj atyre që kanë dhenë ndihmesën në demokratizimin e shoqërisë, për të kuptuar që asgjë që sot është e mirëqenë, s’ka qenë e lehtë për t’u arritur.
Sistemi i vlerave është përmbysur, shpesh anormalja kthehet në normë, apo privimi nga mundësitë e barabarta bëhet më tepër se sfidues, modelet orientuese jo gjithmonë janë zhvilluese e ndonjëherë demotivuese dhe sidomos gjenden përballë një pakënaqësie të akumuluar ndër vite dhe izolimi të nformacionit politik që qarkullon.
Jemi në një kohë e një brez që e njeh vështirësinë, atë emigrim të një rifillimi të jetës nga e para, një brez që ka të drejtë, ndaj kërkon ato që i takojnë.
Të rinjtë sot kanë aspirata të tjera. Ata kanë informacion dhe kulturën e dialogut dhe me dinjitet kërkojnë jo më vetëm revolucionin politik, siç ishte rënia e komunizimit në vitet 1990, por një revolucion në mënyrën si një qytetar i shekullit XXI duhet të trajtohet në Shqipëri. Dëgjojeni… duke sjellë mendimin e ri, idenë zhvilluese e përparimtare, të cilat frymëzohen nga dija dhe leximi.
Ky roman është nga ata libra që pasuron dhe na thërret me simbolikë, sidomos për të gjetur një motivim me grintën për të bërë vendin më të mirë, për të gjetur veten, se çdo kohë ka britmën e vet njerëzore.
Tiranë, qershor 2026

Në foto :ulur Idriz Zeqiraj, Emil Kastrioti, Neki Lulaj në këmbë! Xhafer Leci ,Fahredin Tafallari dhe disa aktivistë të tjerë
Ai lindi
rrëzë Shkëlzenit,
në një tokë ku bora ruan fjalën
dhe guri mban betimin.
E quajtën Tahir Sinani.
Dhe emri i tij
nuk mbeti në një vend,
por u bë rrugë.
Shkëlzeni e pa si lindje drite,
si hap i parë mbi dheun e lirë.
Kullat e malësisë
e njohën në heshtje,
si burrat që flasin pak
por mbajnë shumë në zemër.
Pashtriku ia hapi horizontin,
si flamur që s’bie kurrë në tokë.
Shari e kurorëzoi me Plis mbi mjegull,
prandaj mjegulla nuk e fshehu dot
hapin e tij të rëndë si vendim.
Karadaku i dha jehonë,
si këngë që nis larg
dhe kthehet më e fortë.
E Korabi…
Korabi e priti në shpatet e tij,
aty ku era flet më fort se fjala,
dhe qielli bie mbi gurë
si dëshmi e heshtur.
Nëpër këtë rrugë
rridhnin lumenjtë poshtë maleve,
Drini si damar i tokës,
dhe fushat hapeshin
si libra të hapur historie.
Bagëtitë e bjeshkëve
e shikonin në kalim
si të kuptonin
se disa njerëz
nuk janë thjesht kalimtarë.
Ata janë gjurmë.
Ai kaloi
si stuhi që nuk shkatërron,
por zgjon.
Si zjarr që nuk djeg tokën,
por ndez kujtesën.
Dhe retë erdhën…
si gjithmonë
kur dielli është i fortë.
U munduan ta mbulojnë
Shkëlzenin, Pashtrikun, Sharrit, Karadakun, Korabin…
por malet nuk u zhdukën.
Vetëm u bënë më të heshtura,
duke pritur dritën.
Sepse emri i tij
nuk ishte vetëm emër.
Ishte vijë drite
që lidh kreshta me kreshta,
kullë me kullë,
zemër me zemër.
Tahir Sinani
nuk ecën më mbi tokë.
Ai ecën mbi kujtesë.
Dhe aty ku kaloi,
nuk mbeti vetëm gjurmë.
Mbeti betim.
Prandaj:
Dielli nuk mbulohet nga retë.
Sepse retë kalojnë
mbi Shkëlzen, Pashtrik, Sharr, Karadak e Korab…
por dielli që u ngrit mbi to
nuk zbret më.
Ai bëhet dritë
në çdo agim
që lind mbi këto male.
Vendi i Lekës,26.06.2026
Dyer të mbyllura me murana- Nga ARIF EJUPI
Protestuesi i arrestuar Niko Qarkaj hynë në grevë urie – Avokati: Niko Qarkaj është dhunuar në Bllokun e Sigurisë! Më tregoi rrobat e gjakosura!
HOROSKOPI E SHTUNË 4 KORRIK 2026
NE PËRBALLË VETES SONË Visar Zhiti me romanin “Në kohën e Britmës”- Nga Orilda Kalami, Sociologe – “Tomorrow’s Education System”
E pyes Erion Braçen më mirë arkivoli politik i Edi Ramës apo arkivoli real për një komb dhe Shqipërinë?! Nga Elida Buçpapaj
Urime 4 Korriku – Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Nga Saim Tahiraj
Qeveria i dha 4 mln euro Kanye West, Adriatik Lapaj çon në “Kushtetuese” Aktin Normativ: Të shfuqizohet dhe të pezullohet çdo veprim për të bërë pagesat
“Shpërthen zemërimi edhe për Albanian Files” – Media holandeze: Edi Rama ka tërhequr mbi vete revoltën e popullit, arkitektët e huaj po reflektojnë
Pas takimit me Kurtin, Hamza thotë se PDK mbetet në opozitë
Mes ftesave të Kurtit për takim, shtohen thirrjet për marrëveshje
AACL BOARD OF DIRECTORS’ PUBLIC DECLARATION ON THE SITUATION IN ALBANIA
DEKLARATË PUBLIKE E BORDIT DREJTUES TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE MBI SITUATËN NË SHQIPËRI
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet