VOAL

VOAL

13 Prill 1945 – Gjyqi i parë special i Tiranës

August 9, 2015

Komentet

Raporti “Parllaku” dhe mbledhja ku ushtarakët folën hapur për krizën, por u goditën si puçistë! Lufta për kontrollin e ushtrisë

HALIL RAMA / SAKIP CAMI- Fillimi i viteve ’70-të të shekullit të kaluar njohu zhvillime dramatike në gjirin kupolës udhëheqëse të asaj periudhe, kur diktatori shpikte njëri pas tjetrit të ashtuquajturit “grupe armiqësore”. Në këtë kuadër, nisi dhe u realizua edhe fshesa e hekurt në ushtri.

Njëri nga drejtuesit e lartë ushtarakë, gjenerallejtënant Rrahman Parllaku – Nderi i Kombit (ish zvëvendës ministër i Mbrojtjes dhe zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë), që u dënua dhe vuajti 17 vite në burgun famëkeq të Burrelit, (ndërkohë që Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako u pushkatuan) pas ’90-tës, u bë iniciues i zbardhjes të së vërtetës në Gjykatën më të lartë të kohës. Ai lë si tesmanet falsitetin e gjyqit politik dhe mungesën e provave të fajësisë së këtyre gjeneralëve, të vërtetuar me Vendimin e Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Shqipërisë Nr.119 datë 20.07.1994 që shpall pafajësi dhe hedh poshtë akuzat edhe të Kodit të atëhershëm Penal. Parllaku ka lënë të shkruara kujtimet e tij, për të dëshmuar makabritetin e udhëheqjes komuniste, disa prej të cilave iu përkasin të famshmeve “teza dhe antiteza të Mbrojtjes” që i hëngrën kokën “grupit puçist”.

DYSHIMET E HOXHËS TEK MEHMETI

Koha vërtetoi se kjo shoqëri mes këtyre dy figurave kryesore të partisë dhe shtetit , pra e dyshes Shehu – Balluku, e trembte E.Hoxhën që rrezikun e karrikes së tij e ka kërkuar gjithmonë te njerëzit më të afërt. Dyshimet kryesore i kishte tek M.Shehu, pasi e njihte ndikimin e tij në ushtri.

Lidhja e ngushtë e M. Shehut me B. Ballukun, Ministër i Mbrojtjes, ia përforconin dyshimet, prandaj krijoi e nxiti përçarjen mes tyre, deri sa gjeti edhe “shkaqet” për t’i groposur njëri pas tjetrit, por më e keqja ishte se bashkë me ta groposi edhe gjithë lidershipin e Ushtrisë Shqiptare.

Tensionimi i marrëdhënieve mes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes e rëndonte gjendjen e ushtrisë, pasi Kryeministri ishte zëri kryesor në Këshillin e Mbrojtjes ku zgjidheshin problemet kryesore të Forcave të Armatosura.

Ministri i Mbrojtjes e përjetoi me dhimbje gjendjen e krijuar dhe këtë e pohoi edhe E.Hoxha, kur, gjatë dënimit të Ballukut deklaroi se ai i kishte kërkuar të largohej nga detyra për arsye shëndetsore, por ai nuk ia kishte aprovuar. Me sa kuptohet, që atëherë e kishte vendosur ta lironte e më vonë ta eliminonte fizikisht.

Ushtria përfundimisht po shkonte drejt shkatërrimit. Po shpërndaheshin pika hapje në të gjitha fshatrat e vendit, po I ngarkoheshin detyra që nuk kishin asnjë lidhje me objektivat e saj. Ndërtoheshin kazerma për strehim, kudo ku ajo shkonte, pa u lëvruar fondet e duhura për to, pasi duhej zbatuar parrulla: “Çdo gjë ta bëjmë me forcat tona”.

EKLIPSIMI I KOMANDANTËVE

Parllaku tregon: Ne mendonim se duke i ngritur këto probleme që kishin të bënin me forcimin e mbrojtjes së vendit, Ministria dhe Këshilli i Mbrojtjes do të na mirëkuptonin e do të na lehtësonin nga punimet e shërbimet që dëmtonin përgatitjen e gatishmërinë luftarake, por në fakt po ndodhte e kundërta. Kërkesat tona po shikoheshin me dyshim, po përgjoheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe mendimet tona po vlerësoheshin si kundërvënie ndaj vendimeve të partisë dhe ideve të Enver Hoxhës, prandaj Hoxha vendosi që, në kuadër të të ashtuquajturave reforma që shpalli Byroja Politike e Partisë në 24 dhjetor 1965 dhe në Letrën e Hapur të Komitetit Qendror të Partisë në 24 mars 1966, drejtimin e ushtrisë ta marrë në dorë Partia. Këto vendime të quajtura reforma goditën direkt principet mbi të cilat organizohej e vepronte ushtria. Komandantëve iu hoq e drejta për të komanduar e drejtuar sipas zbatimit të rregulloreve ushtarake të mbështetura në norma ligjore që e veçojnë ushtrinë, në dallim me strukturat e tjera shtetërore e shoqërore, si një organizëm të rregullt dhe me disiplinë, ku urdhëri i komandantit ishte ligj për vartësit. Urdhëri I sanksionuar me ligj i jepte komandantit të drejtën të çonte në luftë mijëra e miliona njerëz të gatshëm për sakrificën sublime në mbrojtje të atdheut. Vendimet e partisë ua hoqën komandantëve, të të gjitha rangjeve, të drejtën për të komanduar të vetëm. Për t’i zhveshur komandantët nga këto të drejta, u hoqën edhe gradat ushtarake që përcaktonin pozitën e hierarkinë ushtarake, që bënin vartësin në gradë t’i bindej superiorit pa e ditur funksionin e tij, pasi grada jepej bazuar në kulturën, përgatitjen profesionale dhe aftësitë e treguara në kryerjen e detyrave. Shkallët e karrierës ushtarake ngjiteshin jo vetëm nga shkolla e kryer, por edhe nga nivelet e komandimit. Nuk mund të komandosh regjiment, pa komanduar batalion apo të komandosh divizion pa komanduar regjiment, e kështu me radhë drejt njësive më të larta. Këto rregulla dhe kjo eksperiencë tepër e nevojshme për të drejtuar jetë njerëzish u shkelën në ushtrinë tonë, pasi urdhëri i komandantit nuk kishte më vlerë pa firmën e komisarit, i cili vinte nga jeta civile me një shkollë ose kurs partie. Në bazë të vendimeve të partisë duhej kudo firma e komisarit.

Në këto kushte po ktheheshim prapa, te ushtria e dikurshme partizane. Ushtrinë po e çonim në fshat dhe duhej t’i përshtateshim gjendjes së fshatit. Fillimisht, në detyrat e komisarëve të njësive të mëdha u emëruan disa nga ish-komandantët e këtyre njësive, kuadro me përgatitje e përvojë drejtimi. Për mendimin tim, kjo u bë nga udhëheqja e partisë për t’i dhënë funksionit të komisarit vlerë dhe autoritet në masë dhe për të na mikluar me idenë se, edhe tani që do të drejtojë partia, përsëri në krye do të jenë ushtarakët e mirëfi lltë. Nga ana tjetër, ushtarakët e vjetër komandues ishin më të pranueshëm në zbatimin e “reformave” nga komandat dhe efektivat vartëse. Gjithashtu, ata ishin krijuesit e ushtrisë dhe po e drejtonin atë prej njëzetë vitesh, dhe këto fakte nuk i anashkaloi udhëheqja e partisë kur i zgjodhi si komisarë, megjithëse ata nuk mund të shkëputeshin nga komandimi unik dhe drejtimi i ushtrisë sipas rregulloreve. Me organizimin e ri, Parllaku u emërua Komisar i Forcave Ushtarako – Detare, dhe më pas po me këtë detyrë në Komandën e Korpusit të Tiranës, me komandant shokun e tij të ngushtë Vaskë Gjinon. Shkatërrimi i gjithçkaje erdhi me formimin e komiteteve të partisë në të gjitha komandat, regjiment e lart dhe në byrotë e organizatave të partisë në batalion, grup e poshtë.

HARTIMI I TEZAVE TË MBROJTJES NGA SHEHU

Në mbështetje të “reformave në ushtri”, Mehmet Shehu formuloi projekt-tezat e Këshillit të Mbrojtjes.

Projekt-tezat u përgatitën nga Kryeministri, që kishte qenë komandant i njësive më të mëdha të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në luftë dhe kishte kulturë e eksperiencë ushtarake. Puna e tij u vlerësua shumë nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, që në të njëjtën kohë kritikoi Ministrin e Mbrojtjes kur tha: “Keni vite që nuk mundët të përgatisni një material të tillë, kurse shoku Mehmet Shehu brenda tre muajve na dha një vepër shkencore, projekt-tezat që do t’i vlejnë përgatitjes së forcave të armatosura”

Megjithë kritikat e Enver Hoxhës drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, projekt-tezat u pritën me entusiazëm e u vlerësuan lart nga Shtabi i Përgjithshëm, sikur kritikat të mos i adresoheshin Shtabit të Përgjithshëm, që ishte përgjegjës direkt për përpunimin e zhvillimin e Artit Ushtarak në Forcat e Armatosura. U la të kuptohej se sfida ishte personale dhe se Shehu po i kthente Ballukut sfidën që ai i kishte bërë, për hapjen e tokave të reja.

Edhe kuadrot e larta të ushtrisë i pritën fillimisht mirë projekt-tezat, me mendimin se tani do të kishin një material bazë mbi të cilin do të zhvillohej ushtria dhe mendimi ushtarak. Shpresën për zhvillimin e mendimit ushtarak e shkencor ua ngjalli letra përcjellëse e projekt-tezave, që u dërgohej komandave të njësive dhe që ishte e firmosur nga Enver Hoxha me cilësinë e Sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në shkresën përcjellëse thuhej: “Po ju dërgojmë këto projekt-teza të Këshillit të Mbrojtjes, t’i studioni, të thelloheni në to, të bëni vërejtje dhe propozime për korrigjime, që sipas ndryshimeve e plotësimeve tuaja, projekt-tezat të bëhen teza.”

Në letrën përcjellëse të projekt-tezave, nga Enveri lihej hapur vazhdimësia e mërive mes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, pasi kërkohej nga Ministria e Mbrojtjes dhe kuadrot kryesore të ushtrisë, të bëheshin vërejtje dhe propozime për ndryshime e plotësime të projekt-tezave të përgatitura nga Kryeministri. Pra, përsëri po vihej Ministri i Mbrojtjes kundër Kryeministrit. Në të vërtetë, gjatë studimit të projekt-tezave, në përmbajtjen e tyre, ushtarakët nuk gjetën atë që prisnin. Në to vazhdonte mbështetja e idesë aventureske të Hoxhës: “Luftë kundër të gjithëve edhe kundër dy superfuqive ushtarake NATO-s e Traktatit të Varshavës të marra së bashku.”. Projekttezat nuk kishin një bosht të qartë. Në to shkruhej për luftën pozicionale aktive siç e kishin planizuar për të vepruar po të kërkohej mbrojtja e vendit.

RAPORTI QË NUK I PËLQEU UDHËHEQJES

Pas një viti pune në drejtim të përgatitjes luftarake, bënë inspektimin dhe vlerësimin e rezultateve të arritura në procesin stërvitor për të gjitha njësitë dhe rezultatet nuk ishin të kënaqshme. Binte në sy fakti që rezervistët që kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak kur ushtria ishte në kazerma, kishin rezultate më të mira në të gjitha lëndët e përgatitjes luftarake, pasi gjatë shërbimit 2-3-vjeçar stërvitja e tyre kishte qenë intensive dhe shprehitë e fituara i kishin rezistuar kohës. Në raportin e përgatitur pas inspektimit, u vu në dukje rënia e cilësisë së përgatitjes luftarake dhe dobësimi i rregullit e disiplinës që cënonte gatishmërinë luftarake. Si shkak kryesor u theksua shpërndarja e efektivit në shumë pika hapjeje dhe ngarkimi i tyre me shumë punime e shërbime që nuk iu linin kohë për stërvitje.

Raporti u diskutua në udhëheqje dhe në Kolegjiumin e Ministrisë dhe për të nuk pati ndonjë vërejtje të veçantë.

Parllaku i propozoi Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefi t të Shtabit të Përgjithshëm, para analizës vjetore me kuadrot e ushtrisë, që një kopje të këtij raporti t’ia dërgonin Këshillit të Mbrojtjes me shpresë që gjatë analizës, të ishte i pranishëm Kryeministri për të dëgjuar mendimet e tyre dhe të komandantëve të njësive, mbi dëmet që po i sillte ushtrisë shpërndarja, punimet në bujqësi, në ndërtim e në shërbime të tjera, me qëllim që të binin dakord me ta e të ndihmonin në frenimin e këtij fenomeni. Pas dy-tre ditësh, Parllakun e telefonoi Kryeministri, i cili nuk kishte gjetur në zyrë B. Ballukun e P. Dumen dhe pasi u informua nga Parllaku se çfarë kërkonte konkretisht, e pyeti për inspektimin. Parllaku e vuri në dijeni për rezultatet jo të mira, për analizën vjetore, për raportin që kishin përgatitur dhe se mund t’i dërgonte një kopje. Të nesërmen, me anë të një telefonate, M. Shehu i tha se e kishte lexuar raportin, ishte njohur me gjendjen jo të mire që kishin gjetur komisionet në njësi e reparte dhe se kopjen e raportit nuk do t’ia kthente, por do t’ia kalonte për dijeni Enver Hoxhës. Informoi Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefi n e Shtabit të Përgjithshëm që raportin ia kishte dërguar Kryeministrit, por atyre nuk iu erdhi mirë që ishte vënë në dijeni më pare Kryeministri dhe sidomos Komandanti i Përgjithshëm. Nga ana tjetër, Parllaku ndihej i qetë, pasi kërkonte ta lehtësonte ushtrinë nga punimet e shumta që po ia zinin frymën dhe nuk kishte përse ta fshihte gjendjen e krijuar. Ndërkohë, Drejtori Politik, Hito Çako, kishte dërguar në Komitetin Qendror të Partisë një raport mbi gjendjen moralo– politike të efektivit të ushtrisë dhe mbi disa probleme të stilit dhe të metodës të drejtimit nga udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes, për të cilat kishin lindur diskutime.

E ASHTUQUAJTURA KONSULTË PËR USHTRINË

Këto raporte u bënë objekt i një konsulte të organizuar nga Komiteti Qendror i Partisë, që u drejtua nga Hysni Kapo, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Në konsultë ishin thirrur komandantët e drejtorët kryesorë të llojeve të armëve e shërbimeve në ministri, si edhe komandantët e komisarët e njësive kryesore të ushtrisë. Diskutimet e konsultës u përqëndruan në gjendjen e përgatitjes luftarake të efektivave e të kuadrit ofi cer, si edhe të problemeve të tjera të jetës dhe veprimtarisë së trupave. Në konsultë mungonte Ministri i Mbrojtjes, por shumica e kuadrove të ushtrisë radhitën arsyet e uljes së cilësisë në përgatitjen ushtarake, duke theksuar se ofi cerët në vend që të merren me stërvitje, u zihet koha me drejtimin e punimeve operative ekonomike, se jetojnë larg familjeve dhe u mungojnë kushtet për jetesë normale, studim e përgatitje. Hysni Kapos nuk i pëlqyen diskutimet që e vinin theksin te arsyet objektive të rënies së nivelit të përgatitjes luftarake. Në fjalën e tij, ai tha se vështirësitë me të cilat përballet ushtria pas “reformave revolucionarizuese” dihen, por duhet të kapërcehen deri në stabilizimin e reparteve në vendet e reja të dislokimit.

Gjithashtu, ai tha se kishte edhe shumë mungesa subjektive që nuk mund të justifikoheshin me ato objektive, siç ishin ngritur nga Parllaku në raportin “Mbi gjendjen e përgatitjes luftarake”, pas inspektimit vjetor. Për çudinë e të gjithëve, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, aprovoi në një farë mënyre mendimet e H. Kapos, duke theksuar të metat e metodës së drejtimit në Ministrinë e Mbrojtjes, në një kohë që ushtarakët kërkonin të frenohej shpërndatja e mëtejshme e ushtrisë në pika hapjeje dhe lehtësimi nga detyrat e shumta jashtë destinacionit ushtarak që po e shkatërronin atë. Parllaku, mendimet e tij, i kishte shprehur hapur në raport dhe ato u mbështetën nga shumica e pjesëmarrësve në konsultë. Ai diskutoi për mendimet që kërkonin shkurtimin e kohës së përgatitjes të studentëve për oficerë në shkollat ushtarake dhe që mbështeteshin nga Hysni Kapo, në një kohë kur Parllaku kërkonte të zgjateshin edhe një vit studimet e tyre dhe kishte rënë dakord me Ministrinë e Arsimit për të shtuar në programet mësimore edhe disa lëndë universitare, në mënyrë që diploma e shkollave ushtarake të bëhej e barazvlefshme me atë të disa instituteve apo fakulteteve. Qëllimi i Parllakut ishte të ndihmoheshin oficerët, që në rast paaftësie ose të daljes në lirim të parakohshëm, të kishin mundësi, sipas diplomës të përftuar, të punonin në institucionet e tjera. Zëvendësi i Parllakut, gjeneral i kulturuar e oficer karriere me akademi të lartë ushtarake, ishte për shkurtimin e kohës së studimit.

U dëgjuan edhe absurditete si në rastin kur një komisar dha shembullin se si një ushtar që kishte mbaruar shkollën e nënoficerit e komandonte togën më mirë se oficeri. Parllaku u detyrua të sqarojë se studentët ushtarakë janë si të gjithë studentët e tjerë që mbarojnë shkollat e mesme. Në universitete zgjerohen njohuritë kulturore dhe bëhen profilizimet në drejtime të caktuara shkencore, e njëjta gjë vlente edhe për studentët ushtarakë, që profilizoheshin sipas armëve, vazhdonin akademitë ushtarake dhe zhvillonin njohuritë e artit ushtarak, si shkencë e të gjitha shkencave. Oficeri përgatitet të drejtojë jo vetëm togën, por duke bërë karrierë do të përgatitet për të komanduar edhe batalion, brigadë, divizion dhe në bazë të aftësive edhe njësi më të mëdha. Nëse arti ushtarak do të vlerësohej si të gjitha shkencat e tjera, atëherë duhet t’i jepej koha e duhur për studim, si mjekut, inxhinierit, etj. Në sallë pati tension dhe krahasimi i Parllakut nuk i pëlqeu Hysni Kapos, por ai vazhdoi. Diskutimet e oficerëve përqëndroheshin kryesisht te përgatitja e gatishmëria luftarake, jo te mbjellja e patateve apo te tufat e bagëtive, pasi përgatitja për mbrojtjen e vendit ishte shqetësimi kryesor.

ANALIZA NË BYRONË POLITIKE

Pas kësaj konsulte, u bë mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, ku u analizua gjendja në ushtri sipas përfundimeve të konsultës dhe raporteve të dërguara nga MM. Në mbledhje ishte i ftuar dhe Rrahman Parllaku.

Diskutuan të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të KQ të PPSH, të cilët u përqëndruan te raporti i Drejtorisë Politike, që ngrinte probleme të stilit e të metodës të drejtimit në ushtri, gjithmonë duke u spostuar nga problemi kryesor që ishte përgatitja e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe kritikuan B. Ballukun e P. Dumen, si drejtuesit kryesorë të ministrisë. Parllaku kritikohej, pasi në raportin mbi gjendjen e përgatitjes e të gatishmërisë luftarake, të metat e dobësitë e konstatuara i kishte justifikuar me shkaqe objektive dhe jo me të meta të drejtimit, që kishin dalë si të meta kryesore gjatë analizës së zhvilluar. Gjithashtu kritikohej për pikëpamje jo të drejta në lidhje me politikën për përgatitjen e oficerëve. Kritikat iu adresuan direkt nga Enver Hoxha, gjatë konkluzioneve të tij. Parllaku bëri një ndërhyrje gjatë fjalës së tij, që u cilësua pa takt nga të pranishmit, pasi nuk kishte ndodhur ndonjëherë që të ndërpritej fjala e E. Hoxhës, por në atë moment ndërhyri Mehmet Shehu, i cili i dha të drejtë, pasi stërvitja donte shumë dije dhe energji. M. Shehu tregoi se në fund të një stërvitjeje të zhvilluar në një repart të Vlorës, komandantët e togave e të kompanive i kishin patur rrobat sikur sapo kishin dalë nga uji. Ndërhyrja e tij e lehtësoi disi Parllakun.

Nga kjo analizë, shumë ushtarakë dolën me vërejtje. Shpërndarja e mëtejshme e ushtrisë vazhdoi. Detyrat në punime bujqësore, në ndërtime e në fortifikime u shtuan. Kjo lloj taktike tashmë po shtonte edhe efektva për shërbimin roje. Koha për stërvitje u reduktua në maksimum. Gatishmëria luftarake e fuqia mbrojtëse e vendit u dëmtuan rëndë. Vendi ishte i ekspozuar para rrezikut për dështimin që mund të sillte katastrofë, pasi tani nuk kishte mbetur më asnjë repart gatishmërie që të priste goditjet e para të armikut, derisa të vihej në gatishmëri ushtria e të bëhej mobilizimi i rezervistëve dhe kompletimi i ushtrisë. Mehmet Shehu, gjatë analizës, të metat e ushtrisë ia ngarkoi kryesisht Beqir Ballukut dhe u përpoq ta largonte atë nga detyra e drejtuesit kryesor të ushtrisë, pasi diheshin marrëdhëniet e tyre të acaruara. Por kjo nuk u arrit dhe në fund të mbledhjes së byrosë, ai propozoi të rishikohej struktura organizative e Ministrisë së Mbrojtjes, për t’iu përshtatur më mirë kushteve të zhvillimit të ushtrisë pas zbatimit të reformave. Propozimi u pranua nga byroja dhe u vu si detyrë të bëhej një studim, që do t’i paraqitej për aprovim Këshillit të Mbrojtjes.

ZHVESHJA NGA KOMPETENCAT

Në bazë të këtij vendimi, në fillim të vitit 1971, Këshilli I Mbrojtjes aprovoi projektin për riorganizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, paraqitur nga grupi i punës. Në strukturën e aprovuar u hoqën nga vartësia e Ministrit të Mbrojtjes të gjitha drejtoritë e shërbimeve e llojeve të armëve. Në vartësi direkte të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm kaluan Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, Komanda e Flotës Luftarake–Detare, Komanda e Artilerisë, e Tankeve dhe drejtoritë, e xhenios, e përgatitjes luftarake, e teknikës dhe e autotraktorëve. Në vartësi direkte të ministrit mbeti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, që tashmë ishte drejtori kryesor i ushtrisë dhe Drejtoria e Prapavijave të Ushtrisë. Për të ndihmuar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm në organikë u emëruan dy zv. ministra. Njëri ishte Rrahman Parllaku, që do të kishte në vartësi Drejtorinë Operative, të zbulimit, të organizim–mobilizimit, të ndërlidhjes, të kimisë, si edhe degën e topografisë e të shërbimeve, kurse zëvendësi i dytë do të ishte Mendu Backa, i cili do të kishte në vartësi Drejtorinë e Xhenios, të fortifikimit xhenier, atë teknike, industrinë ushtarake, si dhe të autotraktorëve.

Motivimi i largimit të Ministrit të Mbrojtjes nga drejtimi direkt i komandave dhe drejtorive të armëve u bë gjoja me arsyen se ai ishte shumë i ngarkuar me detyra të larta partie dhe për arsye shëndetësore, por kjo nuk ishte e besueshme për ushtarakët, që e dinin se marrëdhëniet e Shehut me Ballukun nuk ishin të mira. Kështu, duke mos e larguar dot përfundimisht nga detyra, drejtimi efektiv i ushtrisë po i besohej P. Dumes, si një person më i përshtatshëm për të. Edhe në kushte pune shumë të vështira për ushtrinë, kuadri ofi cer po përpiqej me mish e me shpirt për të inkuadruar efektivin që kryente shërbimin aktiv me atë rezervist dhe po bëheshin përpjekje maksimale për të shfrytëzuar kohën në kryerjen e stërvitjeve të gatishmërisë luftarake. Njëkohësisht, punohej ditë e natë për sistemimin e efektivit në vend–dislokimet e reja, nëpër pikat e hapjes. Puna këmbëngulëse e efektivit oficer çoi në arritjen e disa rezultateve në përgatitjen luftarake të vitit 1970–1971, të cilat u paraqitën si suksese të riorganizimit të udhëheqjes së Ministrisë së Mbrojtjes.“Në mbledhje ishte i ftuar dhe Rrahman Parllaku.

/Gazeta Panorama 

Dossier: Komisioni Hetimor për Shkatërrimet në Shqipëri (dhjetor 1990- shkurt 1992)

Si u grabit dhe u asgjësua pasuria publike në vitet 1991-1992 dhe çfarë zbuloi Komisioni Parlamentar i vitit 1994 mbi një dëm ekonomik prej rreth 5 miliardë lekësh dhe dhjetra viktimash

Nisi me shkatërrime masive historia e tranzicionit shqiptar pas rënies së diktaturës në dhjetor 1990. Pasuria publike e ndërtuar në 50 vite diktaturë me punë të papaguar u shëmb sit ë mos kish qënë brenda pak muajsh. Në dhjetor ’90 dhe muajt e vitet që e pasuan, Shqipëria jetonte ditët më të rëndësishme të historisë së saj moderne. Komunizmi po shembej dhe shqiptarët besonin se pas dekadash izolimi po hynin në epokën e lirisë. Por, ndërsa sytë ishin kthyer nga politika, një tjetër dramë po zhvillohej larg tribunave dhe mitingjeve. Nëpër magazina, ferma, kooperativa, stalla, punishte dhe ndërmarrje shtetërore nisi një valë grabitjesh dhe shkatërrimesh që brenda pak muajsh do t’i kushtonte vendit miliarda lekë pasuri publike.

Kush e shkatërroi ekonominë shqiptare? Është një pyetje e diskutuar shpesh. Ishte thjesht shpërthimi i një zemërimi të akumuluar për dekada apo pas kaosit fshihej një skenar i organizuar?

 

Këto janë pyetjet që u përpoq t’u përgjigjej një nga komisionet më pak të kujtuara të Parlamentit shqiptar: Komisioni Hetimor për Shkatërrimet, ngritur në vitin 1994 për të hetuar ngjarjet dramatike të viteve 1991-1992.

Raporti i tij, i mbështetur në dëshmi, dokumente zyrtare dhe analiza të komiteteve pluraliste në rrethe, nuk mjaftohet të numërojë dëmet. Ai ngre dyshime të forta se shumë prej shkatërrimeve nuk ishin spontane, por u zhvilluan në një klimë ku institucionet ose nuk vepruan, ose në raste të caktuara dyshohet se toleruan dhe madje favorizuan kaosin.

Shqipëria e vitit 1991: mes shpresës dhe rrënimit

Komisioni e vendos hetimin në kontekstin e një prej viteve më të trazuara të historisë shqiptare. Brenda pak muajsh ndodhën rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit, tragjedia e 2 Prillit në Shkodër ku u vranë katër aktivistë, krijimi i Qeverisë së Stabilitetit, grevat, eksodet masive dhe përplasjet politike që ndanë vendin në dy kampe. Shqipëria përjetonte një krizë ekonomike, sociale dhe morale, gjithashtu një krizë besimi ndaj shtetit.

Në raport evidentohet edhe retorika politike e kohës. Ramiz Alia, pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, deklaronte se “forcat antidemokratike” synonin “shkatërrimin e Shqipërisë”. Autorët e komisionit argumentojnë se ky diskurs shërbeu për të identifikuar kundërshtarët politikë si armiq të shtetit, ndërsa paralelisht vendi po hynte në një fazë të shkatërrimit real të pasurisë publike. Materialet e mbledhura nga komisioni japin një panoramë dramatike.

Shifra që tronditën Parlamentin

Vetëm nga të dhënat operative rezultonte se ishin grabitur rreth 2 700 krerë gjedhë, mbi 1 100 lopë, 1 470 derra dhe mbi 22 mijë shpendë. U vodhën mijëra kuintalë silazh, bar dhe koncentrate ushqimore, ndërsa panxhari dhe lakra në fusha u shkatërruan pothuajse plotësisht.

Objektet ekonomike u kthyen në rrënoja. U dogjën stalla, magazina, ofiçina, zyra dhe linja të përpunimit ushqimor.

Vetëm në Lushnjë dëmi llogaritej afro 59 milionë lekë të kohës, ndërsa në Pogradec vlerësohej rreth 200 milionë lekë. Duke përmbledhur të dhënat nga disa qarqe, komisioni arriti në përfundimin se dëmi real mund të ketë qenë rreth 500 milionë lekë të asaj kohe, ose afro 5 miliardë lekë të indeksuar.

Një nga episodet më të debatueshme të raportit lidhet me ngjarjet e Mamurrasit.

Komisioni pyet: kush urdhëroi që dy kamionë të ngarkuar me sheqer të niseshin nga Porti i Durrësit drejt Mamurrasit, jashtë skemës normale të shpërndarjes së ndihmave të operacionit “Pelikan”? Pse u zgjodh pikërisht ajo zonë?

Dëshmitë e mbledhura nga komisioni japin një version shqetësues. Ish-drejtues vendorë deklarojnë se banorët u nxitën të grumbulloheshin pranë magazinave dhe të merrnin mallrat. Të tjerë dëshmitarë pretendojnë se rajoni ishte zgjedhur qëllimisht, sepse konsiderohej më i lehtë për t’u destabilizuar dhe se persona nga zona të tjera ishin sjellë për të nxitur trazirat. Një tjetër dëshmi flet për një plan që synonte përshkallëzimin e situatës drejt Tiranës.

Në pothuajse çdo rreth të analizuar, komisioni ndesh të njëjtën akuzë: Policia nuk ndërhyri.

Në Laç, drejtues vendorë deklarojnë se efektivët u tërhoqën. Në Pukë flitet për vonesa të pajustifikuara të policisë dhe hetuesisë, ndërsa persona të ndaluar u lanë të lirë. Në Lushnjë drejtuesit lokalë akuzojnë policinë se ishte “më shumë vëzhguese sesa parandaluese”, megjithëse kishte marrë sinjalizime për shkatërrimet. Në Pogradec dëshmitarët flasin për mosveprim, dekonspirim operacionesh dhe tërheqje të forcave të rendit.

Madje, në disa dëshmi të administruara nga komisioni hidhen akuza edhe më të rënda: se efektivë policie kishin marrë pjesë vetë në grabitje ose kishin bashkëpunuar me autorët. Raporti i pasqyron këto si pretendime të dëshmitarëve dhe drejtuesve vendorë të kohës.

Dosja që nuk u mbyll kurrë

Në fund të raportit, Komisioni i Shkatërrimeve arrin në disa përfundime, ndër të cilat: policia nuk veproi në kohë; në disa raste u evidentuan korrupsion dhe mungesë profesionalizmi; mosndëshkimi krijoi bindjen se pasuria publike mund të grabitej pa pasoja; ndërsa veprimtaria e Ministrisë së Rendit në disa raste cilësohej e dyshimtë.

Autorët e grabitjeve nuk u identifikuan kurrë, përgjegjësitë politike mbetën pa u sqaruar. Ndërsa dosja parlamentare e vitit 1994 mbetet një nga dokumentet më domethënëse të tranzicionit shqiptar, njëherësh më pak të diskutuar. Tema sjell pjesë nga raporti i paraqitur në Parlament në vitin 1994, nga kreu i komisionit, Sadedin Balla, i cili sqaron se komisioni kishte punuar për rreth 22 muaj për verifikimin e shkatërrimeve që kanë ndodhur në fund të vitit 1991 dhe fillimin e vitit 1992 në rrethet Pukë, Laç, Peqin, Lushnjë dhe Pogradec.

Komisioni mori në shqyrtim materialet që iu vunë në dispozicion nga rrethet përkatëse, dikastere, institucione qendrore që kanë pasur lidhje me këto ngjarje. Gjithashtu, komisioni zhvilloi takime në rrethet përkatëse, me organet e pushtetit lokal, prokuroritë, SHIK-un, Ministrinë e Rendit, ish-pushtetarë të kohës kur kanë ndodhur ngjarjet, ish-drejtues të ndërmarrjeve, me përfaqësues të sindikatave, partive politike, si dhe takime me persona të veçantë apo edhe me grupe, si në Fushë-Arrëz.

Më poshtë, pjesë nga raporti, pjesa e parë.

Raporti

Kronologjia e zhvillimit të ngjarjeve fillon në Laç më 03.12.1991. Në qytetin e Mamurrasit, rreth orës 12:00, erdhën 4 mjete të ushtrisë të ngarkuara me sheqer që do të shkarkoheshin në magazinën e tregtisë të këtij qyteti.

Magazinieri, me pretekstin se ishte në kohën e pushimit, nuk e mori në dorëzim mallin. Pas dy orësh që shoferi priste para magazinave, një makinë sulmohet nga disa persona që morën disa thasë sheqer.

Në këtë kohë atje shkon patrulla e policisë dhe merr masa për parandalimin mëtejshëm të kësaj vjedhjeje, largon menjëherë mjetet, duke i shoqëruar për në magazinat e tregtisë së Fushë-Krujës.

Të gjitha këto të dhëna përmenden në materialin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv pluralist të atëhershëm të rrethit të Krujës, më 21.12.1991. Po në atë material, më poshtë janë shkruar: “Për ardhjen e këtyre makinave nuk ishte bërë asnjë njoftim si në Komitetin Ekzekutiv pluralist të Rrethit dhe as në organet e rendit. Pas kësaj ngjarjeje filluan grumbullime njerëzish të irrituar. Forcat e rendit u vendosën përpara magazinave për të prapsur njerëzit që sa vinin e shtoheshin. Turmat i intensifikuan veprimet kundër forcave të Rendit dhe arritën të thyejnë dyert e magazinave. U kërkua ndihma e forcave të ndërhyrjes së shpejtë që u paraqitën, po ndërhyrja e tyre qe pa efektivitet. Në krye të turmës ishin gra e fëmijë.

Pas magazinave turma sulmoi dyqanet e rrëmbeu mallin, duke përjashtuar dyqanin e kinkalerisë, të cilin shitësi e mbrojti vetë. Gjatë kësaj kohe u fikën dritat dhe persona të ndryshëm, duke përdorur për ndriçim letra të ndezura, shkaktuan vatra zjarri dhe rrezikuan djegien e magazinave.

Rreth orës 10:00 të datës 04.12.1991 filluan përsëri grumbullime. U sulmua pularia, stallat e lopëve në Fushë-Mamurras. Në orën 20:00 magazina, dyqane e pularia në Thumanë.

Më 05.12.1991, rreth orës 17:00, pati grumbullime njerëzish në Zhejë, që u orvatën të vidhnin stallat e derrave në Gjorm. Në orën 19:00, në afërsi të magazinave në Laç e Milot, kishte grumbullime dhe rreth orës 20:15 minuta sulmohen magazinat.

Rreth orës 7:00 të datës 06.12.1991 turma të mëdha njerëzish u grumbulluan në Laç, në afërsi të bankës, arkës së kursimit, magazinave, fabrikës së miellit, të bukës, të hekurudhës, kombinatit, ASHLD-së, rajonit hekurudhor, centralit elektrik etj.

Turma sulmon fabrikën e miellit dhe të bukës e zmbrapset, por, prej andej, drejtohet në qendër të qytetit ku shkatërron pallatin e kulturës e djeg një pjesë të tij. Rreth orës 15:00, të datës 06.12.1991, pati përsëri grumbullime e sulme mbi magazinat e tregtisë, të komunales, depot e NB-Gjormit, fabrikën e vajit, ushqimoren.

Më 07.12.1991, turmat, në orët e paradites, sulmuan fabrikën e letrës, kombinatin e drurit, kuptohet, magazinat dhe i plaçkitën.  Kështu më 05.12.1991, rreth orës 16:45, siç u theksua, pati grumbullime në Milot. Turmat shpërthyen e vodhën magazinat dhe konfeksioneve, të fruta-perimeve dhe ato ushqimore. U vodhën e u shkatërruan dyqani ushqimor, ai i bulmetit, libraria e këpucaria private. Më 06.12.1991 u sulmuan vagonët e trenave të ngarkuar me gurë në stacionin hekurudhor, por me ndërhyrjen e policisë turmat u shpërndanë. Po kështu, më 06.12.1991 pati sulme në stallat dhe magazinat e NB-Thumanës, ku u rrëmbyen lopët. Më 07.12.1991, në mëngjes, u vodhën magazinat e NB-Thumanës. Më 07.12.1991 doli dekreti i Presidentit Alia për matjen e objekteve ekonomike dhe bashkëveprimin e forcave të rendit me ato të ushtrisë.  Në zbatim të këtij dekreti Komitetit Ekzekutiv të Rrethit i vjen një telegram, më 08.12.1991, nga ish-Kryeministri, Ylli Bufi. Krijohen nëpër rrethe shtabet e mbrojtjes ku kryetari i këshillit të rrethit është kryetari i shtabit e në përbërje janë kryetari i Rendit Publik, komandanti i njësisë ushtarake, kryetari i SHIK-ut, i hetuesisë etj., që caktohen nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit.

Shkatërrimi në Pukë   

Në Pukë, sipas informacionit të degës së Rendit Publik, në datën 07.12.1991, rreth orës 15:30 pati njoftime për grumbullime njerëzish rreth magazinave të repartit 101, të cilët kishin tendencë thyerjen e tyre.

Rreth orës 18:30 u thye njëra nga magazinat e këtij reparti ku ishin ndihmat humanitare, kryesisht veshmbathje dhe ilaçe. Të nesërmen, në datë 08.12.1991 u hap magazina e iu shpërndanë mallrat njerëzve. Pas 4-5 orësh pati përsëri grumbullime njerëzish rreth magazinës tjetër. E thyen dhe morën veshmbathje, medikamente mjekësore. Rreth orës 23:30 njerëzit thyen magazinat ku ishin ndihmat ushqimore të Kryqit të Kuq. Më 09.12.1991 në Fushë-Arrëz pati grumbullime njerëzish rreth magazinave të NFP-së, NTAN-it dhe NSHP-së. Fillimisht sulmohet magazina ushqimore e NFP-së dhe ajo e frutave dhe zarzavateve të NTA-it. Pas disa orësh u sulmua magazina e konfeksioneve. Pasi aty mungonte ndriçimi njerëzit që ishin futur brenda ndezën letra, pishë etj., duke shkaktuar djegien e magazinës ku gjetën vdekjen 38 vetë, 4 prej të cilëve ende të paidentifikuar. Vjedhje pati edhe në fshatrat Apri, Fierzë, Gjegjan, Gojan, Luf etj.

Shkatërrimi në Lushnje

Në Lushnjë, sipas informacioneve të degës së Rendit Publik, më 23.02.1992 në orën 18:00, pasi u fikën dritat, në qytetin e Lushnjës, turmat e shtetasve të irrituar sulmuan dyqanet e shtetasve Lili Deliu e Liza Draga, bashkëpronarë me shtetas grekë. Forcat e rendit nuk e shmangën dot vjedhjen në këto dyqane, por shmangën vjedhjen në dyqane të tjera. Pas dy orë vjedhjesh e dëmtimesh situata u qetësua.

Më 24.02.1992, ora 14:00, pati grumbullime njerëzish që u orvatën të sulmonin dyqanin e një bashkëpronari grek. Pasi nuk ia dolën ta plaçkitnin e ta shkatërronin, turmat u grumbulluan e sulmuan magazinat e ndërmarrjes tregtare të Lushnjës. U vodhën dy magazina të NTAN-it me artikuj ushqimorë e industrialë. Magazina ushqimore u dogj. Në orën 16:30 të datës 25.02.1992, pati përsëri grumbullime masive te magazinat 1 dhe 2 të ndërmarrjes tregtare të Lushnjës, por me ndërhyrjen e forcave të rendit u penguan. Përleshja me njerëzit vazhdoi deri në orët e mesnatës, ku mbeti i vrarë një djalë i ri.  Të nesërmen, më 26.02.1992, gjatë procesionit të varrimit, rreth orës 15:00, u sulmuan zyrat e degës së Rendit, të Prokurorisë, të Gjykatës si dhe të Komitetit Ekzekutiv. Turma të tjera, më vonë, sulmuan magazinat e ndërmarrjes ushqimore, ku vodhën sheqer e vaj dhe dogjën magazinat. Pastaj sulmuan magazinën e NTAN-it, që e hapën, e vodhën dhe më vonë e dogjën.

Në paraditen e datës 27.02.1993 vazhduan grumbullimet e sulmet te magazinat nr. 1, 2, ushqimore, plastmasi, magazina e letrës, magazinat e furrat e bukës, në të cilat vodhën e shkatërruan. Pasdreke gjendja u normalizua.

Më 28.02.1993, gjatë gjithë ditës, u ndaluan njerëz që kishin vjedhur mallra të ndryshme që u kapën në flagrancë.      U dogjën magazinat e nevojave vetjake, magazina e shpimit, u dogj shkolla e Fier-Sheganit, zyra e pyjores, u vodhën zyrat e stacionit të trenit, zyrat e bonifikimit, u vodh magazina e artikujve të përzier në Savër, u vodh shtëpia e Kongresit të Lushnjës, u vodh një sasi e konsiderueshme bagëtish në NB-Çermë. Në mëngjesin e datës 22.02.1992 vazhdoi vjedhja dhe shkatërrimi në NB- frutore, Dushk, në Semenas kanë prerë pyllin, në Bishtqem shkatërrohet magazina e ndërmarrjes tregtare, në Savër hapen e vidhen magazinat e drurit. Më 01.03.1992 vidhen grupi i përforcuesve të televizorit, vidhen 1500 viça majmërie.  Në NB-Thanasaj shkatërrohen magazinat dhe vidhen lopë e bagëti të imëta. Vidhet gruri në depot e NB-Grabianit. Hapen e vidhen depot e duhanit në ndërmarrjen e grumbullimit, vidhen 300-400 kv duhan në Hysgjokaj. Vjedhjet sporadike vazhduan dhe më 2 dhe 03.03.1992.

Shkatërrimi në Peqin

Në Peqin, sipas informacionit nga këshilli i rrethit Peqin, rreth orës 10:00 në qendër të qytetit pati grumbullime njerëzish, më shumë nga fshatrat rreth e rrotull. Në orën 12:00 shkuan drejt stacionit të trenit, ku gjoja do të vinte një tren pune për në Durrës nga Elbasani. Pra, ishin përgatitur për eksod. Treni nuk erdhi, ndërsa një dorë djallëzore i drejtoi papritur nga magazinat e ushqimores. Sulmuan dhe filluan të vjedhin mallrat në magazinën e parë, pas pak u drejtuan në magazinën e dytë dhe e plaçkitën. Pastaj turma iu drejtua magazinës industriale ku, vodhi dhe pas orës 14:00, turma shpërtheu edhe magazinën e katërt.

Mbas një incidenti ku gjetën vdekjen tri vetë, turmat u irrituan më keq dhe vodhën e plaçkitën çfarë mundën, deri në orët e vona të mbrëmjes. Në Pogradec, në rrethin e tij, nga 25 deri më 29.02.1992 turma të mëdha personash kanë vjedhur, shkatërruar, grabitur e djegur pasuri në NT, në industrialen e trikotazh-konfeksioneve, në degën e farërave, degën e furnizimit të bujqësisë, në ndërmarrjen e grumbullimit, në atë komunale, në ndërmarrjen e ndërtimit, në ndërmarrjen pyjore, në ndërmarrjen gjeologjike, në minierat e Gurit të Kuq në Alarup etj. Vjedhje e shkatërrime u bënë gjatë këtyre ditëve edhe në sektorët e këtyre ndërmarrjeve si në Qafë-Thanë, Çërravë, Alarup, Trebinjë, Propisht, Hudenisht etj. Ngjarjet filluan më 25.02.1992 në orët e para të pasdites, në magazinat e ndërmarrjes së furnizimit të punëtorëve, në dalje të Pogradecit, në afërsi të fshatit Vërdovë. Në krye të turmës ka pasur edhe gra e fëmijë. Siç e dëgjuat, ngjarjet e atyre muajve i shëmbëllejnë një lufte të vërtetë. Edhe një sulm ushtarak armik nuk mund të paralizonte e sulmonte me kaq efikasitet pikat kyçe të qyteteve apo zonat ku u zhvilluan ngjarjet.

Pasojat e ngjarjeve

– Në rrethin e Pukës, nga zjarri i shkaktuar në magazinat e Fushë-Arrëzit, sipas informacioneve nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Rendit, del se humbën jetën 38, vetë nga të cilët 4 janë të paidentifikuar.

Nga një informacion i Prokurorisë së Përgjithshme, 01.07.1993, thuhet se numri i të vdekurve është 39, ndërsa nga burime të tjera thuhet se është 40.

Në rrethin e Laçit, sipas informacionit të Ministrisë së Rendit, mbetet i vrarë një ushtar dhe një fëmijë 13-vjeçar, si dhe i plagosur djaloshi Arjan Hoxha, që pastaj vdes në spital. Pra, 3 të vdekur.

Në Rrethin e Peqinit, si rezultat i forcave të ndërhyrjes së shpejtë, vriten 3 persona. Në Rrethin e Lushnjës, më 25.02.1992 vritet me armë zjarri 25-vjeçari Arben Vogli dhe plagosen 15 punonjës policie, 3 nga të cilët shtrohen në spitalin ushtarak të Tiranës.

Në rrethin e Pogradecit, gjatë ngjarjeve të zhvilluara më 25.02.1992 janë asfiksuar nga turmat 2 persona, të cilët kanë vdekur. Pra, numri i të vdekurve, gjatë atyre ngjarjeve, është rreth 50. Nuk ka të dhëna të sakta për të plagosurit.

Dua t’ju kujtoj këtu se natën e 22 dhjetorit në Bukuresht, kur banorët e kryeqytetit kundërshtuan Çausheskun, janë vrarë 50 dhe janë plagosur vetëm 59. Krahasimet bëjini vetë.

Gjatë atyre ngjarjeve, në të shumtën e ndërmarrjeve të dëmtuara janë djegur dokumentacionet. Pas ngjarjeve janë bërë disa llogari për vlerat e dëmtimeve, që për mendimin tonë nuk janë shumë të sakta.

Mendojmë se përgjithësisht, në realitet, shifrat janë më të ulëta sesa ato që janë dhënë nga informata. Sipas rretheve përkatëse nga dokumentacioni rezulton si më poshtë:

Puka, informatat e Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se vlera e dëmit të shkatërrimeve arrin 8 milionë e 591707 lekë. Vetëm në magazinat e Fushë-Arrëzit është vlerësuar një dëm prej 6 milionë e 482581 lekë.

– Në Laç dëmi kap shifrën rreth 80 milionë lekë. Në sektorin e tregtisë dëmi kap shifrën rreth 30 milionë lekë.

– Peqini, dëmi i llogaritur kap shumën 373901 lekë.

– Në Lushnjë dëmi llogaritet në shumën 31 milionë 457990 lekë.

– Pogradeci, dëmi kap shifrën rreth 180 milionë lekë.

Bilanci i përgjithshëm i dëmit të shkaktuar në këto rrethe del 300 milionë e 42598 lekë ose i indeksuar me 3 miliardë e ca lekë.

Vlen të theksohet se kjo shifër, me sa duket, i korrespondon vetëm dëmeve të shkaktuara në ndërmarrjet shtetërore, pa përfshirë vlerat e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë.

E themi këtë pasi, fjala vjen, nga dokumentacioni i Rrethit të Krujës, nënkupto Laç, rezulton se dëmi 80 milionë lekë është vetëm ai i ndërmarrjeve që kanë ushtruar veprimtari në zonat e rajonit të Laçit.

Në po atë material, më tutje, njoftohet se vlera e dëmit në sektorin e bujqësisë, në shkatërrimet e NB-ve, llogaritet në rreth 75 deri 80 milionë lekë.

TemA

Në 65 Vjetorin e ndërtimit: Heronj dhe Mesazhe nga Muri i Berlinit! Nga dr. JORGJI KOTE Mjeshtër i Madh në Diplomaci, Ish Zv.Ambasador në Berlin

 

 

65 vite më parë, në orën 01:54 të datës 13 Gusht 1961 filloi ndërtimi i Murit famëkeq të Berlinit. Pavarësisht nga ngjarjet e shumta, tronditëse dhe zhgënjyese  gjatë këtyre dekadave dhe pas shembjes së tij më 9 nëntor 1989, ajo ditë e ruan rëndësinë e saj epokale. Edhe pse po bëhet sërish ” modë” ngritja e mureve të shumtë  me emra të frikshëm kudo; siç e përshkruan aq bukur edhe te poezia ”Muret ” poeti ynë i madh Xhevahir Spahiu, ato janë mure fizike, xhami, hekuri, ideologjike, racore, gjinorë, krahinorë, migratorë, etj.

Muri i Berlinit ishte shumë më tepër se sa e tregon emri. Në fakt, ai ishte  impiant gjigand ndarës dhe vdekjeprurës 156 km; përbëhej nga katër breza;  i parë 4 m i lartë ishte me beton dhe tela me gjemba; brezi i dytë që njihej dhe si « zona  e vdekjes » shkonte 80 – 100 m thellësi dhe kushdo do të shkelte aty do të kapej gjallë  ose do ta zinte korenti elektrik; brezi  i tretë ishte plot transhe ndërsa brezi i katërt ishte një trase e pakalueshme. Muri vrojtohej në  gjithë gjatësinë e tij nëpërmjet  302 kullave të vrojtimit, nga të cilat 32 ishin në qytetin e Berlinit.

Ai Mur vërtet që kufizoi ndjeshëm arratisjen e gjermanolindorëve drejt perëndimit, por ndërkohë ai mega absurd ishte katastrofë e vërtetë për imazhin e lindjes komuniste. Ai demaskoi në sytë e gjithë botës dështimin e ” vitrinës së socializmit lindor” përballë suksesit të RFGJ-së me mrekullinë ekonomike dhe shtetin social.

Eshtë folur dhe shkruar shumë për këtë Mur famëkeq; autori i këtyre radhëve, krahas shkrimeve të tjera ka botuar edhe Librin ”Berlini pa Mure” ( 2009) Në këtë shkrim,  po ndalemi në efektet e  ngritjes së Murit, në reagimin dhe kundërshtimin e menjëhershëm të popullatës, nga brenda dhe nga jashtë, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet, rrugët dhe mënyrat për kapërcimin e tij.

 

Gjatë 28 viteve të tij, Murin e kapërcyen me mijra vetë, ndërsa 134 u vranë në përpjekjet e tyre  në kërkim të lirisë. Dëshmori i parë i Murit, Peter Fechter ra më 17 Gusht 1962 në rrugën “Bernauer Strasse”; pikëriësht aty ku ndodhet  Memoriali i Murit, ku çdo vit zhvillohen homazhe në ditën e ngritjes dhe rënies së tij. Ndërsa dëshmori i fundit, 20 vjeçari Christian Gueffroy ra më 5 shkurt 1989.

Ngritja e Murit  u shoqërua me shumë incidente, aksidente por dhe momente emocionuese, për të cilat janë shkruar me qindra libra, këngë, poezi dhe filma. Këtu po ndalem në tri raste të njohura të cilat përmenden më shpesh në këtë 65 Vjetor.

 

Policioti Hans Conrad Schumann

Kapërcyesi i parë i bujshëm i  Murit të Berlinit ishte roja kufitare në pjesën lindore të Berlinit, 19 vjeçari Hans Conrad Schumman. Më 15 Gusht 1961, vetëm dy ditë pas ngritjes së Murit midis rrugës « Ruppiner dhe Bernauer Strasse » diku në qendër të Berlinit, Schumman i kapërceu me guxim telat me gjëmba i inkurajuar nga thirjet e vazhdueshme që vinin nga pjesa perendimore e Berlinit « hajde këtu, hajde këtu! » i ndihmuar edhe nga një makinë policie patrullimi e RFGJ-së.  Fotoja e fotografit të ri  Peter Leibing e shkrepur me  një aparat « Exact »  u botua te ”BILD” dhe  bëri «  xhiron e botës» Si shkak i indinjatës së Schumman-it u bë  kur  një vajzë të vogël që kishte shkuar te gjyshërit e saj në pjesën lindore nuk e lejuan të të kthehej sërish  te familja e saj. Më vonë ai u vendos në Bavari. Por jeta e tij u kthye në një kalvar vuajtjesh psikologjike, për shkak të presionit të vazhdueshëm nga pjestarët e familjes që e qortonin për veprimin e tij. Sepse dihen pasojat e hakmarrjes së rregjimit lindor ndaj tyre. Ra në depresion deri sa vdiq në vitin 1998 kur ishte vetëm  58 vjeç.  Pavarësisht nga këto peripeci,  ai i qëndroi deri në fund  pohimit të tij se « vetëm kur kapërceva Murin jeta ime u bë plotësisht e lirë”.

 

 

 

Hapësi i tuneleve të nëndheshme

 

Gjatë gjithë asaj periudhe pati shumë qytetarë berlinoperendimorë, të cilët ndihmuan me të gjitha mjetet ata që donin të iknin në Perëndim.

Një ndër më të shquarit e tyre ishte  Hasso Herschel, i cili u nda nga jeta këtë qershor në moshën 91 vjeçare. Bashkë me shokë të tjerë ai hapi tre tunele poshtë Murit të Berlinit. Kështu, vetëm përmes “Tuneli 29“ në vitin  1962 kaluan në perëndim  29 vetë,  midis tyre edhe vetë motra e Herschel.

Ky tunel ishte vepër e vërtetë arti. Ai u bë edhe film me titullin “Tuneli“, ku dokumentohet ikja dramatike nëpërmjet tij Ai ishte nga Dresdeni dhe ishte dënuar me burgim disa vite, por kaloi me një pasaportë fallco në perëndim dhe prej andej ndihmoi edhe të tjerë për t’i shpëtuar tiranisë së kuqe.

 

Herschel vlerësohet si njeriu që  më shumë se kushdo tjetër mendohet se ka ndihmuar  rreth 1000 vetë në kapërcimin e Murit.

 

Dy zonjushat e Murit

 

Rasti i tretë por me fund të lumtur ndodhi më 13 Gusht 1961; kur dy vajza 15 vjeçare gjermane, shoqe shkolle në gjimnaz u afruan te njera tjetra dhe shtrënguan duart në formën e një lamtumire mbi murin që po ngrihej dhe po i ndante si shumë e shumë të tjera. E para nga e djathta e fotos më poshtë është Kriemhild Meyer, kurse tjetra nga e majta, Rosemarie Badaczevski. Kjo e fundit e kishte apartamentin në një godinë shumëkatëshe me ballkon nga pjesa perendimore; sipas planit të babait të saj që ishte në perëndim, ajo rrëshqiti poshtë ballkonit me litar më 19 Gusht 1961. Kriemhild mbeti në lindje por u largua më vonë në perëndim.  Ai takim ato ditë bëri bujë të madhe. Fotoja e tyre kishte dekada që qëndronte në Muzeun ‘Treptow‘ në pjesën lindore të Berlinit. Vitet e fundit, Muzeu kishte bërë shumë demarshe  për t’i  gjetur e bashkuar simbolikisht ato dy vajza. Më në fund, të dyja “ zonjushat e Murit” siç njihen në publik u gjetën një e nga një në distance kohore, sepse Kriemhild banonte prej vitesh në Zvicër ku kishte punuar si dekoratore. Ndërsa Rosemaria jetonte  pranë Hamburgut, ku kishte punuar si sekretare në një universitet.

 

Më 15 Qershor 2019,  këto dy shoqe  u ritakuan pas 58 vitesh në katin e tretë të Muzeut në Treptoë, aty ku janë ekspozuar dhe fotot e tyre. E pamundur të përshkruhej gëzimi dhe emocioni i tyre, i stafit të Muzeut dhe publikut gjerman. Ai takim dhe fotoja pranë fragmentit  të Murit në po atë vend ku u ndanë 58 vite më parë, në Harzer Strasse, në kufirin midis lagjes Treptower dhe Neukëln, “ pushtoi” faqet e para dhe kronikat televizive të atyre ditëve dhe në vazhdim.

Si shumë e shumë shembuj të tjerë të ngjashëm, edhe  rasti i “ dy zonjushave të Murit” dëshmon qartë dhe bindshëm se megjithë suksesin fare të përkohshëm, nuk ka mur, gardh dhe pengesë, sado të gjatë e të sofistikuar qoftë që të ndajë njerëzit.

Këtë mesazh e dha Kancelarja Merkel në fjalimin e saj të zjarrtë më 19 Maj 2019 përpara 20.000 studentëve dhe profesorëve të Universitetit elitar të Harvardit. Ajo bëri thirje që “në vend të nacionalizmit të zgjedhim globalizmin, në vend të unilaterizmit multilaterizmin, në vend të mbylljes hapje, në vend të proteksionizmit tregtar, të hapim tregjet dhe në vend të mëndjengushtësisë mëndje të hapura.“

 

Presidenti që sfidoi Murin e Berlinit

 

Ngritja e Murit të Berlinit  zhgënjeu dhe tronditi thellë jo vetëm berlinezët në të dy anët  e tij por dhe gjithë Perëndimin; sepse u duk sikur  ëndra e madhe e ribashkimit gjerman po shuhej. Por jo, se përtej Atlantikut ndriçonte një dritë e madhe shprese. Presidenti mitik Kenedi fluturoi drejt Berlinit më 26 Qershor 1963 me premtimin monumental për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, të solidaritetit dhe të ribashkimit. I shprehu këto mesazhe me shumë emocione por dhe bindshëm, me oratorinë e tij të pashoqe, pikërisht aty, pranë Murit. Berlini oshëtiu atë ditë nga brohoritjet entusiazte “ Kenedi” “Kenedi”!

Me fjalimin e tij historik, mes egzaltimit të gjysëm milionë berlinezë perendimorë të pranishëm, që nisi dhe u mbyll me deklarimin lapidar në gjermanisht “ Ich bin ein Berliner” – “Jam Berlinez”  Kenedi dhe SHBA-të i thurën një himn madhështor Berlinit të ardhshëm të Europës së Ribashkuar, të etur për liri dhe paqe.

Vërtet që ky fjalim i konsideruar si më emblematiku i Luftës së Ftohtë kishte vetëm 685 fjalë; por me karizmën e tij të rrallë, Presidenti i 35 i SHBA-ve i dha zjarr aspiratës gjermane të ribashkimit; duke tronditur Berlinin dhe muret ndarës.

Atyre që kishin iluzione për komunizmin, ai iu drejtua ironikisht, qartë dhe thjeshtë: “ Le të vijnë ta shohin në Berlin!”

Vërtet që disa muaj më vonë e vranë Kenedin, por jo vizionin, ëndrën dhe premtimin e atij “ Berlinezi” të madh. Atë e mbajtën dhe përcollën më tej  pasardhësit e tij, sidomos Presidenti Reagan, kur më 12 Qershor 1987, nga Portat e mbyllura të Brandenburgut i lëshoi thirjen kushtrim Gorbaçovit për ta shembur atë Mur dhe për t’i hapur ato porta; në vijim, me hapat dhe vendimet e tyre epokale ishin “të mëdhenjtë” e botës –  Bush, Thatcher, Kohl, Mitteran dhe Gorbaçhov që më 9 Nëntor 1989 udhëhoqën shembjen e Murit famëkeq me të gjitha rrjedhojat e tij të njohura historike.

Tani, vërtet që po ngrihen gjithandej mure ndarës dhe pengues. Madje, edhe ndonjë urë bashkuese  po kthehet në mur pengues dhe ndarës, për fat të keq edhe në Ballkanin Perendimor. Kjo ka ndodhur në Mitrovicë me urën e famshme mbi Lumin Ibër, një vepër e vërtetë arti me financime edhe nga BE-ja. Mirëpo, për vite të tëra deri tani vonë ajo është kthyer në një mur të madh pengues vetëm e vetëm që të mos i prishet mideja dhe humori politik Beogradit.

 

Konventa e Alpeve ndërton ura bashkuese!

 

Duke ardhur në terrenin tonë, një ndihmesë të madhe në shembjen e mureve, gardheve dhe pengesave të tjera  vazhdon të japë Konventa Ballkanike dhe Gazeta e Alpeve. Kjo falë një seri projektesh, prgramesh dhe nismash të tjera; me synim shembjen dhe shmangien e mureve dhe gardheve ndarës dhe pengues ekzistues në çdo aspekt; midis veriut dhe jugut,  Shqipërisë dhe Kosovës, të moshuarve dhe rinisë,  shtetit dhe shoqërisë, midis atyre që e duan dhe e mbrojnë si sytë e ballit mjedisin, gjelbërimin dhe shkatërruesve/betonuesve të tij. Në këtë betejë madhështore janë shquar mijra qytetarë të Alpeve, njerëz të thjeshtë patriotë. Kjo ndihmesë e çmuar është prezantuar dhe promovuar me cilësi elitare  dhe në shumë veprimtari me jehonë të gjerë sociale, mjedisore, publike dhe mediatike. Në krye të këtyre proceseve kanë qenë me pasion dhe përkushtim pjestarë dhe drejtues të Konventës, me  vlera, virtyte, pasione dhe profesione nga më të ndryshmet.

Në Alpet tona kreshnike kanë lindur, kanë zhvilluar veprimtarinë dhe rrezatojnë imazhin dhe veprën e tyre politikanë të shquar, shkrimtarë dhe poetë të talentuar të formatit ndërkombëtar, afaristë të zotë dhe bujarë, diplomatë dhe  ambasadorë brilantë në metropolet dhe organizatat  më të rëndësishme ndërkombëtare,  mendimtarë, gjuhëtarë dhe filozofë të shquar, arkitektë, ndërtues dhe luftëtarë sypatrembur. Bashkë me këngëtarë, valltarë  dhe instrumentistë të famshëm që vazhdojnë të shkëlqejnë  në skenat më të mëdha  muzikore dhe operistike të vendit dhe të botës, sportistë me emër në të gjitha llojet, etj.

Lista e këtyre personaliteteve anti-mur është tejet e gjatë, por publiku ynë i njeh ata edhe falë promovimit në faqet dhe rubrikat  cilësore të Gazetës së Alpeve, të cilën e drejton me pasion të pashuar publicisti, eseisti dhe veprimtari  i palodhur patriot, zoti Ramiz Lushaj. Në vijim të eventeve të mëparshme, Takimi Ballkanik i kësaj Konvente i zhvilluar në muajin Maj në Valbonën e magjishme dhe evente të tjera gjatë vjeshtës, me praninë edhe të personaliteteve të spikatura nga Brukseli janë dëshmitë më të freskëta të angazhimit dhe rezultateve mbresëlënëse të Konventës Ballkanike të Alpeve në shembjen e mureve dhe gardheve;  mbi të gjitha zëvendësimin e  tyre me ura dhe nyje bashkuese, kudo, por mbi të gjitha në kokat dhe mendjet e njerëzve dhe shoqërive tona.

E pra, pikërisht për të tillë mure bashkues, lidhës dhe  integrues e jo për blloqe ndarës dhe pengues  njerëzit kanë sot  nevojë  më shumë se kurrë.  Ky  është mesazhi më i rëndësishëm  që jep ky  65 Vjetor i ndërtimit të Murit famëkeq të Berlinit.

IN MEMORIAM- Arkivi i Voal.ch- 2012- SKËNDER HALUCI: E VËRTETA E ATENTATIT NDAJ RAMIZ ALISË- Nga FATOS VELIU (INTERVISTA)

– Sot u nda nga jeta të SKËNDER HALUCI, jurist, avokat dhe ish-Kryetar i Gjykatës së Vlorës, ish Komisioner i Avokatit te Popullit, ish i burgosur politik, një personalitet i respektuar i drejtësisë dhe jetës publike.
VOAL, duke marrë pjesë në dhimbjen e madhe për këtë humbje pikëlluese, po ju sjell lexuesve një intervistë të gjerë të botuar më 2012, ku Skënder Haluci shpalos shumë nga sfidat e pashembullta të jetës së tij.

 

E Mërkurë, 02.15.2012, 09:55am (GMT+1)

Ata ishin disa djem nga Bujani i Tropojës që bënin një bisedë mes shokësh. Vetë mosha adoleshente e tyre ish te shkak për një debat më se të sinqertë. Gjithsesi në atë moment as që u shkonte në mendje se pikërisht ajo bisedë e bërë aty në thellësi të maleve të Tropojës, do të bëhej shkaku i një kalvari të stërmundimshëm vuajtjesh dhe peripecish. Nuk do të vononte që gjithçka ishte thënë aty të mësohej saktësisht nga sigurimi i shtetit të asaj kohe. As më pak dhe as më shumë por tema e tyre kishte në epiqendër vetë udhëheqësin komunist Ramiz Alinë. Ishte viti 1983 kur ai kishte pak kohë që kishte përfunduar vizitën e bujshme në rrethin e tyre të Tropojës. Çuditërisht, atyre djemve edhe pse të vegjël, e ndjenin se u ishte mërzitur jeta nga sistemi komunist. Megjithëse të rinj dhe duke jetuar shumë larg Tiranës, në kushtet e transportit të atëhershëm, ata e parashikonin dhe e kuptonin se Enver Hoxha numëronte ditët e fundit të jetës. Tashmë sipas tyre, pengesë për rrëzimin e komunizmit ishte vetëm Ramiz Alia të cilin do të kishin bërë mirë që gjatë kohës që kishte kaluar në rrethin e tyre të mund ta asgjësonin. Kaq ide ishte dashur që fantazia e tyre djaloshare të kalonte nga një variant atentati në një tjetër, se si mund të ishte eliminuar Ramiz Alia. As që mund ta mendonin se vetëm me atë bisedë të atyre çasteve ata do të bëheshin të njohur në të gjithë Shqipërinë, madje rreth portretit të tyre në të gjitha krahinat e vendit do të thureshin subjekte me frymëzim legjendash. Ishte momenti kur me shpejtësinë skëterre, u përhap lajmi se “Shoku Ramiz i paska shpëtuar në fije të perit atentateve të mirëorganizuar në Veri të Shqipërisë për t’i marrë atij me çdo kusht jetën”.

E çuditshme dhe e pabesueshme ngjarja e ndodhur si në filmat hollivudianë ku në qendër të tyre qëndrojnë heronjtë tragjikë, por në Shqipërinë e vogël që bie shumë larg Hollivudit, subjekti s’ka qenë artistik por një ngjarje e vërtetë.
20-30 djem në prangat e policisë ndërkohë që disa prej tyre morën dënimin kapital “Vdekje me Pushkatim”. Dy prej tyre u falën nga dënimi kapital.
Ky ishte pak a shumë bilanci i ngjarjes që pasoi vizitën e bujshme të Alisë në veri-lindje të Shqipërisë, Kukës, Has, Tropojë etj.
Lajmi se në veri kishin funksionuar dy grupe armiqësore shumë të rrezikshme që donin të bënin atentat ndaj udhëheqësit, u bë jo vetëm i besueshëm, por filloi të zgjerohet dhe të lustrohet me episode legjendash. Njëri grup u kap në takimin e Hasit pikërisht kur Alia po hipte në tribunën e mitingut ndërsa tjetri në Tropojë. Të paktën ky është lajmi i përhapur me bujë dhe ai që besuan njerëzit. Por, askush nuk mësoi asnjëherë se ai i Tropojës paskishte qenë vetëm një bisedë të rinjsh të përmendur në fillim të këtij epilogu ndërsa tjetri në Has nga sa mësohet sot paska qenë një konflikt mes dy rivalëve që s’kishin as një lidhje me atentatin për të cilin u akuzuan.
Gjithsesi, dy prej të rinjve të Tropojës të dënuar nga Gjykata e Lartë me “vdekje me pushkatim” u është falur jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte vetë Ramiz Alia. Ata janë dy kushërinj të parë Isuf dhe Skënder Haluci.
Isufi fatkeqësisht nuk jeton më ndërkohë që kontaktojmë me Skënder Halucin i cili tashmë është dekretuar gjyqtar në Vlorë.
Një ndër shkaqet që Skënder Haluci pranon të flas për opinionin publik është fakti se ndjehet i shqetësuar që sërish vijohet të deformohet dhe të mos dihet mirë e vërteta. Ai merr shkas edhe nga një intervistë të dhënë për atë ngjarje nga vetë sekretari personal i Ramiz Alisë zoti Guro Zeneli i cili sipas Halucit nuk është fare i qartë mbi atë çka ndodhur në të vërtetë në ato ditë terrori mbi popullin e Hasit dhe të Tropojës gjatë dhe pas turit politik të Ramiz Alisë në ato krahina.
Për më tepër le të ndjekim vetë intervistën e zotit Haluci.

Zoti Haluci, është folur shumë për atentatin që do t’i bëhej Ramiz Alisë në Has gjatë turit të vizitave që ai bëri në vitin 1983 në veri të vendit. Jo vetëm atëherë por edhe shumë vite më vonë e kam dëgjuar shumë herë faktin se një person është kapur në mitingun e Hasit me granat në xhep dhe është dënuar me vdekje por që më mbrapa është falur nga Ramiz Alia. Është thënë gjithashtu se ai person është quajtur Skënder Haluci, pra jeni ju. Çuditërisht në këtë mënyrë e konfirmo edhe para disa ditësh vetë ish- sekretari i Ramiz Alisë gjatë një cikli intervistash që dha për “Gazeta Shqiptare”.
U zgjata disi në hyrje të pyetjes sime për të të bërë të qartë pak a shumë atë që duam të sqarojmë nëpërmjet intervistës suaj. Thjesht, vetëm ju mund të na shpjegoni të vërtetën.
Ju kuptova qartë zoti Veliu. E vërteta e atentatit dhe e gjithë asaj historie është krejt ndryshe nga sa e dëshmoi ish-sekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli. Unë e ndoqa intervistën e tij dhe pashë që ai kishte marrë përsipër të bënte lustrimin e figurës kriminale të Ramiz Alisë, duke ua paraqitur atë shqiptarëve si një udhëheqës dhe politikan shumë njerëzor. Guro Zeneli, të cilin fatmirësisht nuk e kam njohur, po vazhdon t’i shërbejë me besnikëri edhe pas vdekjes padronit të tij diktatorit të fundit komunist në Shqipëri Ramiz Alisë. Sipas këndvështrimit të tij është normale pasi me sa mësova e paska marrë nga Saranda dhe e çoi në paradhomën e tij me kompetenca të jashtëzakonshme. Por Zoti Guro nuk duhet të gënjejë opinionin publik se kjo nuk i shërben askujt. Nuk e kuptoj se përse masmediat shqiptare i kushtojnë kaq shumë rëndësi këtyre figurave të regjimit Sllavo-Komunist shqiptar si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Ramiz Alia etj monstra të tipit të tyre, që masakruan pa mëshire për mëse 45 vjet mijëra shqiptar të pafajshëm vetëm për fjalën e lirë, për prirjet perëndimore të tyre, për besimin e tyre tek Zoti. Sapo na u hoq nga ekranet televizive “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut, sapo u mbushën ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave me akuzat e Nexhmie Hoxhës për humbjen e ditarit personal të Enver Hoxhës, gazeta juaj fillon një Dossier me bamirësitë që sipas Guro Zenelit na paska bërë Ramiz Alia. Nuk është normale dhe e moralshme që të fyhet në këtë mënyrë inteligjenca e shqiptarëve sepse shqiptarët e dinë mirë se kush kanë qenë këta monstra politik.
Që ju jeni akuzuar si atentator i Ramiz Alisë i mbetur në tentativë, ndërkohë që jeni njohur në gjithë Shqipërinë me emër, këtë nuk besoj se ka gënjyer, ashtu siç nuk ka gënjyer që jeni dënuar me “Vdekje me Pushkatim” dhe që ju ka shpëtuar nga plumbi Ramiz Alia apo e kam gabim?
Besoj se nuk ka gënjyer edhe për faktin se në periudhën pas viteve ’90 kur u arrestua Ramiz Alia dhe ish-udhëheqja më e lartë e shtetit komunist pikërisht ju jeni caktuar për të kryesuar trupin gjykues ndaj tyre por që keni dhënë dorëheqjen. Nuk e di nëse kam qenë i gabuar në këto fakte që ju citova?
Është e vërtetë se faktet që thatë juve, qëndrojnë saktësisht ashtu si i thatë, pavarësisht se nuk i shpjeguat mirë.
Çfarë shpjegimi?
Në radhë të parë nuk jeni i qartë për sa ka disiformuar ish-sekretari i Ramizit. Sepse e vërteta është krejt ndryshe. Krejt ndryshe qëndron e vërteta mbi ato që ish-sekretari e quan “atentat” dhe krejt ndryshe është fakti i arrestimit tim ashtu siç është krejt ndryshe fakti pse Ramiz Alia më ka shpëtuar nga ekzekutimi, ndërkohë që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë më kishte dënuar me “Vdekje me Pushkatim”.
Por unë do të thoja madje mjaft i revoltuar që sekretari i Ramiz Alisë nuk thotë të vërtetën për rastin se përse u fala unë që sipas tij, unë qenkam falur nga Ramiz Alia se ai nuk donte ta përuronte atë vizitë të tij në veri duke i faturuar një vdekje madje ka ngulur këmbë për mua që të mos pushkatohesha.
Të lutem mund të më thuash saktësisht se si ka qenë e vërteta se mendoj se do të ishte me shumë interes edhe për opinionin për të hequr çdo aludim apo hamendësim? Ju thash që sekretari i tij ishte shumë larg vorbullave kryesore ku juve ju plasi sigurimi kështu që të vërtetën absolute mund ta deklaroni vetëm ju.
Unë e kam bërë të qartë edhe herë tjetër në masmedia se Ramiz Alia e përgjaku veriun dhe jo nuk donte ta përgjakte si pretendon Guro Zeneli. Gjatë dhe pas asaj vizite të paharruar për Hasjanët dhe Tropojanët, në Has dhe në Tropojë janë arrestuar, torturuar dhe dënuar me afate të gjata burgimi mbi 30 veta. Nga pranvera e vitit 1983 kohë kur ka ndodhur turi politik për promovimin e Ramiz Alisë si pasardhësin e Enver Hoxhës, pasi në atë kohë thuhej së Enver Hoxha ishte në gjendje të keqe shëndetësore fizike dhe mendore, deri në pranverën e vitit 1985 janë pushkatuar disa persona nga kjo zonë të cilët do mundohem t’i kujtoj me emra, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli pushkatuar pas revoltës që kishte ndodhur në Burgun e Qafë-Barit në maj të vitit 1984, Shkëlzen Doçi pushkatuar më duket me 9 prill 1985 në kohën kur po jepte shpirt krimineli Enver Hoxha, pa harruar këtu edhe Hasjanët që u ekzekutuan pas vizitës së Ramiz Alisë në Has. Më e tmerrshmja që ta dijë dhe ish sekretari i Ramizit është se ata Hasjanë dhe Tropojanë shumica prej tyre të rinj që u arrestuan, torturuan dhe u dënuan me afate të gjata burgimi nuk kishin të bënin fare me atentatin imagjinar për të cilit flet Guro Zeneli. Atentate të tilla ishin vetëm në mendjen e Ramizit dhe të sigurimit të shtetit. Këtu qëndron për mendimin tim edhe një nga arsyet që ka ndikuar tek Ramiz Alia dhe Presidiumimi Kuvendit Popullor që unë të mos ekzekutohesha duke e kthyer dënimin nga “Vdekje me Pushkatim” në dënim me “25 vjet heqje lirie”.
Nuk e kuptova arsyen e faljes suaj?
Siç e theksova edhe më lart, gjatë viteve 1983, 1984, 1985 nga krahina ime ishin pushkatuar 6-7 veta. Pas lirimit nga burgu kam mësuar se Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit tonë, në një takim që ka pasur më Ramiz Alinë i ka thënë atij se pushkatimet që janë bërë në Veri, nuk janë pritur mirë në popull, veçanërisht pushkatimi me dt, 9 Prill i Shkëlzen Doçit, i cili ishte nga një familje e njohur dhe e lidhur shumë me regjimin. Një xhaxha i Shkëlzenit në atë kohë ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të PPSH. Po e pyes Guron pse nuk ia fali jetën Ramiz Alia Shkëlzen Doçit, pas takimit që pati me xhaxhain e tij, një ish-bashkëluftëtar i Ramizit gjatë luftës? Për mendimin tim kjo është një nga arsyet që ne nuk u ekzekutuam në tetor të vitit 1985, pas dënimit me “Vdekje me Pushkatim” nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Ju kuptoj madje shikoj se jeni goxha i irrituar me pasaktësitë që mund të ketë pasur dhe që jam i bindur që këto pasaktësi i ka pasur sekretari i Ramiz Alisë përderisa ju që jeni aktori kryesor i subjektit thoni se është krejt ndryshe. Meqenëse jemi në kontakt me mijëra lexues të “Gazeta Shqiptare”, mund të na i sqaroni të vërtetat absolute? Së pari, doja të thoja si ka nisur historia dhe a ka pasur një rast atentati në mitingun e Hasit?
E vërteta është se në Has është kapur një person me granatë por që ai s’kishte të bënte fare me Ramiz Alinë e aq më shumë të mund të kishte përgatitur një atentat. Ai faktikisht ka pasur një sherr banal me dy bashkëqytetarë të Hasit.
Më interesantja ishte se këtë fakt e kanë ditur shumë mirë edhe njerëzit e sigurimit që i arrestuan ata djem me akuzën e bujshme se kishin qëllimin për atentat ndaj Ramiz Alisë. E thashë edhe më lart se atentati ishte vetëm në mendjen e Ramiz Alisë dhe sigurimit famëkeq të shtetit shqiptar të asaj kohe.
Zoti Haluci, thatë se ka pasur dijeni sigurimi se djali me granatë në Has nuk kishte qëllim për Ramiz Alinë megjithatë e arrestoi me atë akuzë të tmerrshme. Si ta kuptoj përse e bënë këtë veprim?
Pikërisht për këtë jam i irrituar unë me atë sekretarin që quhet Guro Zeneli që thotë se “nuk u përgjak veriu”. Ta kesh të qartë ti dhe i gjithë publiku sot e përgjithnjë se ata persona që u arrestuan në Has gjatë dhe pas vizitës së Ramiz Alisë nuk kanë bërë asnjë veprim për të vrarë Ramiz Alinë. Këtë armë-mbajtje pa leje sigurimi i shtetit e përdori për të ngritur alibinë e një atentati të dështuar si pasojë e vigjilencës së lartë të sigurimit të shtetit për ruajtjen dhe sigurimin e jetës së udhëheqësve të partisë dhe të shtetit. Faktet sa për dijeni të shokut Guro dhe të opinionit janë krejt ndryshe. Kukësi, Hasi dhe Tropoja u përgjakën dhe u masakruan barbarisht pas turit politik të Ramiz Alisë në këto krahina në pranverën e vitit 1983. Vrasjet dhe arrestimet në këto zona jo vetëm nuk u ndaluan por u shtuan sidomos pas ardhjes në pushtet të Ramiz Alisë, mos harroni këtu ekzekutimin barbar që iu bë poetit Avzi Nela i cili u var në mes të Kukësit. Ku ishte në atë kohë shefi yt o shoku Guro? Jeni në një moshë të thyer dhe është mirë që nëse vendosni të flisni thoni të vërtetën mbi ata çka mund të keni parë dhe dëgjuar se kështu i shërbeni më mirë shpirtit tuaj dhe ish-shefit tuaj. Shqiptarët kanë nevojë të dinë të vërtetat që kanë ndodhur gjatë 45 viteve sado të hidhura që të jenë.
Nuk e di zoti Haluci nëse ju jeni në dijeni se çfarë u bë me personin e kapur në Has me granatë në xhep i cili siç deklaroni ju është etiketuar për të ngritur alibinë mbi ekzistencën e grupit armiqësor të Hasit.
Me sa di unë nga të thënat e të burgosurve nga Hasi me të cilët kam jetuar në Burgun e Burrelit ai dhe një tjetër janë pushkatuar, më vjen shumë keq që aktualisht nuk jua kujtoj dot emrat se ka kaluar një kohë e gjatë. Di vetëm se shumë të tjerë u dënuan me afate të gjata burgimi dhe ata të cilët i mbijetuan burgut u liruan në fillim të viteve ’90 pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri.
Ju keni njohur njeri nga ai grup i Hasit?
Kam qenë në burg me një burrë shumë të mirë që quhet Xhem Sefolli i cili jeton akoma në Has, dhe deri tani nëse nuk abrogohet ligji për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik nga regjimi komunist, as ai dhe as ata që u pushkatuan dhe as ata që u dënuan dhe vuajtën afate të gjata burgimi nuk përfitojnë asnjë lek si dëmshpërblim sepse janë dënuar si terrorist. Megjithatë qeveria ka paraqitur në parlament një projekt-ligj për disa ndryshime në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik nga regjimi komunist” ku mund të zgjerohet rrethi i përfituesve përfshi këtu edhe grupin “armiqësor” të Hasit.
Sa vjeç ishte ky atëherë?
Mund të ketë qenë rreth 50 vjeç.
Me sa kam informacion një pjesë a atyre që u arrestuan për atentatin imagjinar ndaj Ramiz Alisë, kanë pranuar se kanë dashur që të vrasin Ramiz Alinë gjatë vizitës në Has.
Ndërkohë, juve thoni se nuk kanë pasur fare të bëjnë. Si ta kuptoj?
Ore, po si mund të vepronin ndryshe nën ato tortura çnjerëzore që ata provuan mbi kurrizin e tyre?! E keni idenë se çfarë mund ndodhte në qelitë e burgjeve shqiptare kur sigurimi të arrestonte dhe të akuzonte se kishe menduar të vrisje udhëheqësin e partisë e të shtetit. Nuk ju reziston dot barbarizmave që të bëjnë. Kështu që edhe për të shpëtuar nga torturat mund të pranosh edhe vdekjen.
Le të ndalimi te ngjarja juaj personale zoti Haluci. Mësuam deri tani se nuk jeni ju personi që u arrestuat në mitingun e Hasit por që gjithsesi jeni arrestuar dhe dënuar me vdekje me të njëjtën akuzë. Si ka rrjedhur ngjarja?
Unë me disa shokë të gjithë të moshës nën 26 vjeç, njëri prej tyre ishte kushëriri im Isuf Haluci, i njohur si njeri shumë i zgjuar dhe i shkathët. Ishim duke bërë një bisedë interesante por që ajo do të bëhej shkak që të vërshonin mbi ne plot 13 akuza të cilat ishin të mjaftueshme që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë i atyre viteve të na çonte menjëherë drejt skuadrës së pushkatimit, pra të na dënonte me vdekje.
Por cilat ishin ato biseda që bënit juve në mes të Tropojës që e paskan irrituar aq shumë shtetin e atëhershëm?
Sa për dijeni ne ishim nga familje të persekutuara barbarisht nga regjimi komunist. Që nga viti 1948 deri sa u shemb regjimi komunist shqiptar burgu politik shqiptar nuk ka ngelur pa pasur në qelitë e tij anëtarë të familjes time. Mua me ka vdekur babai në moshën 46 vjeç në dhjetor të vitit 1975 ndërkohë që vuante dënimin e dytë në Burgun e Burrelit pasi ishte ridënuan në revoltën e të burgosurve të Spaçit të vitit 1973. Pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë në pranverën e vitit 1983, sigurimi i shtetit ishte i interesuar për të sajuar edhe në Tropojë një atentat imagjinar ndaj Ramiz Alisë. Për këtë alibi kush më të përshtatshëm se ne që rridhnim nga familje të persekutuarish do të ishte më i besueshëm për alibinë e tyre. Pas vizitës së Ramizit në Tropojë unë dhe shokët e mi kemi diskutuar vazhdimisht rreth kësaj vizite, duke shfaqur mendimin se sikur të vritej ky, regjimi merrte fund sepse për Enver Hoxhën thuhej se ishte i mbaruar. Madje fantazia jonë filloi të prodhonte mënyra dhe ide se ku dhe si mund të asgjësohej më mirë dhe me thjesht. Ki parasysh se ne ishim disa rinj plot fantazi dhe të pakënaqur nga jeta sepse nuk kishim asnjë hapësirë për të jetuar të paktën si të tjerët. Nuk e di nëse e përfytyroni atë lloj bisede që mund të bëjnë disa rinj por që kishim një të veçantë nga bashkëmoshatarët tanë në të gjithë Shqipërinë. Mendonim se si do t’ja bënim për të shpëtuar nga regjimi.
Ngjarja që ju përshkruani zoti Haluci dhe vizitat e Alisë në rrethet e veriut të cilat ju sa i përmendët, kanë qenë në vitin 1983. Si mund të përmbysnit sistemin komunist sipas jush duke vrarë Ramiz Alinë ndërkohë që atëherë jetonte Enver Hoxha?
Më vjen keq por unë nuk kam pretenduar kurrë se mund të përmbysja regjimin komunist të asaj kohe, por që në atë kohë kam qenë i bindur se regjimi komunist në Shqipëri nuk është i përjetshëm dhe se çdo ditë po i afrohej fundit. Ne kishim shokë e miq edhe në Tiranë dhe kur vinim ndonjëherë në Tiranë flitej hapur se Enver Hoxha në atë kohë ishte në gjendje të rëndë shëndetësore fizike dhe mendore. Në Tiranë flitej hapur mes të rinjsh. Këtë mëndim na e përforcoi edhe më shumë turi i Ramiz Alisë nëpër Shqipëri gjatë vitit 1983. Ky tur politik nuk linte mëdyshje tek askush se Ramiz Alia do të ishte pasardhësi i Enver Hoxhës.
Dhe ju mendonit të shpëtonit Shqipërinë duke vrarë Ramizin?
Ne mendonim të shpëtonim veten. Ne ishim të rinj por nuk e di, e ndjenim dhe e kuptonim se duhej të bënim diçka. Nuk mund të pajtoheshim me atë sistem gjakatar. As me atë fukarallëk të paimagjinuar. Persekutimi dhe hallet na kishin ndërgjegjësuar së tepërmi aq sa të mendonim edhe gjëra të tilla. Ne në atë kohë na punonte mendja vetëm si të shpëtonim nga regjimi. T’i drejtoheshim kufirit nuk mendonim se shpëtojmë sepse të kaloje në Jugosllavi ishe automatikisht i kthyer dhe i kalbur në burg. Unë personalisht e kisha provuar njëherë. Kështu sipas mendimit tonë vdekja e Ramiz Alisë ndërkohë që Enver Hoxha ishte në ditët e fundit të jetës do të përshpejtonte përmbysjen e regjimit.
Sigurisht, ju vetëm aludonit tashmë që Ramizi kishte përfunduar vizitat?
Patjetër, por që neve diskutonim vetëm për hallet tona. Dhe kjo gjë na çonte mendjen deri te Ramizi. Pra ishte një bisedë dhe kaq.

 

Zoti Haluci, u ndalët goxha nga numri i kaluar në lidhje me përpjekjet tuaja për të mos jetuar në Shqipërinë komuniste. Madje të shkoi edhe mendja se përse nuk i bëtë atentat Alisë gjatë vizitës së tij në Tropojë. Pse kishit aq mllef për sistemin, kishit arsye? E them këtë, se të jesh kaq i betuar, do të thotë se duhet të kesh një shkak më shumë se të tjerët, që të bëhesh kaq i shqetësuar që jeton në atë sistem.
Si thua ti, nuk kisha arsye për ta urryer atë regjim?! Kur unë isha vetëm 5 vjeç, babai im për të shpëtuar nga arrestimi është detyruar të arratiset nga Tropoja, së bashku me mua dhe vëllain tim më të madh që atëherë ishte 9 vjeç dhe ka shkuar në ish-Jugosllavi, në Vuthaj të Malit të Zi tek vëllai i tij, i cili ishte arratisur që në vitin 1952. Kam provuar burgjet komuniste duke filluar në moshën 5 vjeç, disa ditë në Titograd, sot Podgoricë, pastaj pasi na kthyen pas 9 muajsh, kam kaluar disa ditë në burgun e Shkodrës dhe disa ditë në qelitë e tmerrshme të burgut të Bajram Currit. Mua dhe vëllain na lanë të lirë për arsye moshe, kurse babain e dënuan me 15 vjet burgim. Si thua ti, Z. Veliu?!
Sa vjeç keni qenë kur jeni arratisur?
Kam qenë vetëm 5 vjeç. Më mori babai me vete, të shpëtonim nga ai regjim i padurueshëm.
Po si ka mundësi, kur ju u ndodhët sërish në Shqipëri?
Na kthyen komunistët jugosllavë. Sigurimi i shtetit shqiptar kishte marrëdhënie të shkëlqyera me UDB-në Jugosllave dhe pas 9 muajsh na kthyen në Shkodër.
Sa vjet burg bëri babai?
Babai im nuk arriti të dilte më nga burgu. Ai pas kthimit nga Jugosllavia u dënua 15 vjet burg. U ridënua përsëri në vitin 1974, pasi mori pjesë aktive në revoltën e të burgosurve politikë të Spaçit. Ishte vetëm 46 vjeç kur ndërroi jetë në dhjetor të vitit 1975, ndërkohë që vuante dënimin në Burgun e Burrelit. Pas kësaj, unë si u rrita, madje kur isha rreth moshës 20 vjeç, duke mos pasur asnjë të ardhme për jetën, mendoja çdo ditë që të arratisesha nga Shqipëria për të shpëtuar njëherë e mirë nga regjimi.
Nuk kishit prapë frikë nga UDB-ja?
Nuk tentova kurrë më të arratisesha nga kufiri me ish-Jugosllavinë, sepse e dija se përsëri do më kthenin. Në vitet 1982-1983 kam shkuar disa herë në Gjirokastër për t’u arratisur në Greqi, sepse grekët nuk të kthenin. Kështu që ndërsa rrinim në Tropojën e përvuajtur nga komunizmi, edhe pse ishim të njomë mendonim si të mund të shpëtonim prej atij regjimi gjakatar. Dhe këtu dolëm te historia të cilën jua përshkrova pak më lart, kur gjashtë muaj si kishte ikur Ramizi ne diskutonim se kishim bërë gabim që s’kishim ndërmarrë ndonjë lloj atentati ndaj tij dhe kështu që pas vdekjes së Enverit, sipas nesh, do të mund të përmbysej komunizmi.
Dhe thatë se pas asaj bisede ju u arrestuat. Si u mësua?
Ne e dinim se ishim gjithmonë të survejuar nga sigurimi i shtetit. Por, siç e dini, sigurimi i shtetit ka qenë i tmerrshëm atëherë. Ku s’i ka pasur spiunët dhe bashkëpunëtorët. Bisedat dhe veprimet tona ishin të njohura për sigurimin e shtetit dhe përfundimi dihet, një arrestim spektakolar. Një demonstrim force përpara popullit të Tropojës, kur na nisën për në Tiranë, duke na nxjerrë në sheshin kryesor të qytetit të lidhur me pranga dhe me litarë, nga Dega e Punëve të Brendshme deri në mes të sheshit ku ishte autokolona e makinave që do na sillte në Burgun e Tiranës.
Kur u arrestuat?
Ka qenë mesnata e 24 nëntorit 1983-it, pra plot gjashtë muaj pasi Ramiz Alia ishte larguar shëndoshë e mirë nga Tropoja. Arrestimi është një histori më vete. Sepse nuk erdhën sikur do të arrestonin dy të rinj, por sikur po arrestonin super kriminelin e botës. E ngjashme me atë aksionin që dimë për kapjen e Bin La Denit. Ishin forca të tëra speciale të 326-ës së famshme, të mbështetura nga mjete të blinduara dhe lloje të ndryshme armësh duke e rrethuar shtëpinë nga të gjitha anët. Atë natë në shtëpinë time u arrestuam unë dhe djali i xhajës tim, Isuf Haluci, i cili siç mund të keni dëgjuar, është vrarë me 29 shkurt të vitit 1992 në urën e Tragetit të Tropojës, ndërkohë që po përcillte drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike, të cilët ishin në Tropojë për të hapur fushatën elektorale të kësaj partie për zgjedhjet politike të 22 marsit të vitit 1992.
Po si mendoni ju, përse bënë një “spektakël” të tillë?
Demonstrim force, për të terrorizuar tropojanët, për të thënë se kapëm dhe asgjësuam një grup armiqësor shumë të rrezikshëm. Ti duhet ta kesh dëgjuar që është përmendur shumë “Grupi i Tropojës”, që gjoja do të vriste Ramiz Alinë.
Sa muaj hetuesi bëtë?
Plot 26 muaj hetuesi, në hetuesinë speciale në Tiranë, nën tortura çnjerëzore nga një grup hetuesish të zgjedhur në të gjithë Shqipërinë dhe të njohur si hetuesit më gjakatarë që kishte Shqipëria në atë kohë. Disa prej tyre janë edhe sot në organet e drejtësisë, të cilët siç e kam thënë edhe herë të tjera, kanë marrë pjesë aktive në gjurmimin, arrestimin, hetimin, torturimin, dënimin dhe ekzekutimin e shumë shqiptarëve për motive krejtësisht politike. Në përfundim të hetuesisë, një mal me akuza, komplet Kodin Penal të asaj kohe, pjesën “krimet kundër shtetit”.
Mundeni t’i kujtoni?
Po përpiqem, “tradhtia ndaj atdheut në formën e kryerjes së porosive të agjenturave të huaja, (CIA-s dhe UDB-së); “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”; “sabotimi i ekonomisë socialiste”; “tentativa e arratisjes jashtë vendit”; “armëmbajtje pa leje”, si dhe “shkelja e dispozitave mbi arin e valutën” etj.
Hetuesia thatë përfundoi pas 26 muajsh?
Pas 26 muajsh, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me juridiksion fillestar na dënoi me “Vdekje me Pushkatim”. Pastaj gjithë trungu i familjeve tona, plot 18 frymë, do të përfundonin në internim në Kotë të Vlorës, ndërkohë që unë dhe Isufi do të rrinim nën pushtetin rraskapitës të superprangosjes nga duar e këmbë, si dhe me kokën të mbështjellë nga helmeta metalike. Pra në kushtet e njeriut që pret të ekzekutohet.
Por si arritët t’i “shmangeshit” plumbit të skuadrës së pushkatimit?
Historia e thesarit ishte edhe një përpjekje e fundit për të kthyer situatën në favorin tonë. Nga ana tjetër, Isufi, duket gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit e vuante shumë faktin se bashkë më të po shkoja edhe unë drejt dënimit me vdekje. Ishte katër vjet më i madh në moshë se unë. Duket, ndihej përgjegjës. Ndërkohë, unë e kisha vënë re se ai gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, ishte përpjekur që të devijonte akuzat që më përfshinin edhe mua. Saktësisht mohoi të gjitha akuzat, duke i quajtur të montuara, por edhe pohoi gjithashtu, sido që të vinte puna, se Skënderi, pra unë, nuk ishte i përzier me asnjë prej tyre. Mori gjithçka përsipër vetë.
Ju do të thoni se alibia e arit që Isufi hodhi mbi tavolinën e sigurimit në atë kohë nuk ka qenë një ide e momentit, por një veprim i menduar dhe ideuar prej kohësh?
Unë jam i bindur se më shumë se për veten, Isufi e kishte menduar planin e vet deri në imtësi, duke përllogaritur provokim-vëzhgim rezultati edhe kundër-reagimet e kundërshtarëve. Ai kishte menduar t’u jepte një provë të fortë njerëzve, që kishin në duar fatin e jetës së tij dhe jetës sime, me qëllim që ata të nisnin të besonin seriozisht në historinë e legjendës së thesarit.
Fillimisht, që të besonin se e kishte seriozisht për thesarin, Isufi u tha atyre të Sigurimit të Shtetit se ku gjendej një pjesë fare e vogël e tij.
Në të vërtetë, ishte marrë Isufi me flori, që i shkoi mendja te një alibi e tillë, duke ditur se do të besohej?
Me Isufin në atë kohë bënim tregti me anë të florinjve, që i mblidhnim në zonën e Tropojës dhe i dërgonim jashtë vendit me anë të shoferëve të kamionëve të tregtisë së jashtme, të cilët, kur ktheheshin, na sillnin mall, orë e sende të tjera, çikërrima të ngjashme, por shumë të kërkuara në tregun e kohës.
Pra Isufi, në një farë mënyre e njihte floririn dhe se duhet të ketë pasur, ndryshe nuk mund të përdorte një alibi të tillë, apo jo?
Para se të na arrestonin, kujtoj se kishim gjendje 23 monedha floriri, që Isufi i mbante të fshehura në murin e shtëpisë së tij, në Bujan, pas një tulle që duhej hequr. Pas arrestimit tonë, duke e ditur se kishim nëpër duar florinj, policia dhe Sigurimi kontrolluan të gjitha vrimat e mundshme, me mjete të sofistikuara të kohës, përfshi edhe mina apo metalkërkues, madje e mbajtën shtëpinë të rrethuar për një javë, por pa mundur të gjenin ndonjë gjë të vlefshme. Kështu Isufi, në zbatim të planit të tij, u rrëfeu krerëve të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe se ku gjendej “një pjesë fare e vogël e thesarit”. Ata shkuan në shtëpinë e tij në Bujan dhe i gjetën 23 monedhat pikërisht pasi hoqën tullën që u kishte thënë Isufi. Duket, saktësia e informacionit dhe e vërteta e vërtetuar, bindi krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të besonin tek pjesa tjetër, te thesari i Bujanit, i fshehur në një zgavër të lumit Valbonë.
Kështu, më 22 shtator, Krerët e Sigurimit të Shtetit së bashku me Isufin u nisën për në Tropojë.
U rakorduat juve me Alibinë e Isufit? Pra a ju morën në pyetje para se të shkonin për të verifikuar atë çka u sajonte Isufi?
Para se të niseshin për në Tropojë, ata të Sigurimit më morën në pyetje. Ndërsa unë bëra lojën e Isufit, djalit të xhaxhait, që e adhuroja. Më pyetën për thesarin dhe u thashë se nuk dija asgjë. Kështu më kishte mësuar Isufi. Ne, por edhe të gjithë të burgosurit e tjerë, komunikonim ditë e natë me anë të një kodi që ishte shpikur në burg, i ngjashëm me atë MORS, ku një germë e caktuar e alfabetit kishte një numër goditjesh përkatëse në murin ndarës të qelive. Ndërsa ditën e dytë të marrjes në pyetje, duke bërë sikur u theva nga presioni, u rrëfeva xhelatëve se e dija se Isufi kishte një sasi floriri, por u thashë se nuk e dija se ku e mbante të fshehur. Duket ky pohim i bindi përfundimisht ata të Sigurimit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, se Isuf Haluci nuk i mashtronte për “thesarin”.
Pas kësaj, kishin arsye të shkonin?
Shpura e policisë dhe disa krerë të Sigurimit të Shtetit kishin udhëtuar për gjatë gjithë natës për në Tropojë. Isufin e kishin lidhur këmbë e duar me hekura, ndërsa në dy krahët i rrinin dy policët më viganë të Repartit Special nr. 326, një nga të cilët ishte kampion në sportin e mundjes, të cilët i njoh edhe sot dhe më kanë folur për këtë udhëtim.
Siç më tregoi Isufi më pas, dy policët që e kishin marrë përsipër sigurimin e tij, njërën dorë e kishin të lidhur me pranga me dorën e tij. Kështu kishin udhëtuar gjatë gjithë natës me makinë, kështu kishin ecur përgjatë shtratit të Valbonës, kështu kishin parë shfaqjen për gjetjen e thesarit në vendin ku përroi i Shydenicës bashkohet me lumin e Valbonës duke krijuar një zgavër gjigante.
Me të mbërritur te vendi i thesarit, te gropa në lumë, ku Isufi kishte treguar me gisht vendndodhjen e thesarit, një polic, që bënte zanatin e palombarit, ishte zhveshur për t’u veshur me kostumin e zhytjes të stilit të vjetër, të përbërë edhe nga një skafandër që vendosej në kokë. Pasi ishte bërë gati, edhe pse uji ishte i ftohtë brisk, polici ishte zhytur.
Si u kishte thënë Isufi se e kishte fshehur floririn?
Kujtoj se Isufi u kishte thënë se florinjtë, rreth 13 kilogramë, i kishte futur në një arkë metalike dhe se këtë, gjatë kohës së verës, kur niveli i ujit kishte rënë, e kishte lidhur me kavo çeliku pas një shkëmbi në fund të shtratit të lumit, në një tip zgavre.
Pse mendon se u tha se kishte 13 kilogramë dhe nuk u tha për shembull 15 apo 20. Mund të ketë ndonjë domethënie apo kot?
Më pas, këtë shifrën 13 kilogramë e kam peshuar shpesh në mendje dhe gjithmonë rezultati më ka dalë, se duhet të ketë pasur lidhje me 13 akuzat që Sigurimi i Shtetit kishte montuar në adresën tonë. Një profeci e zgjuar e Isufit. Por, le të kthehemi te kërkimi i thesarit. Polici që u fut në ujë ishte nga më të zgjedhurit e më të fuqishmit e Repartit Special Nr. 326. E njihnin të gjithë me emër, Xhiku. Por, u lodh shpejt duke u zhytur. Sepse lumi kishte pasur prurje të mëdha për shkak të shirave dhe për më tepër uji kishte qenë shumë i ftohtë. Për rrjedhojë, polici nuk kishte mundur të kërkonte me kujdes, të eksploronte që të gjitha zgavrat.
Mendon se edhe zgjedhja e një vendi të tillë të paeksplorueshëm për të ndërtuar alibinë nuk mund të ketë qenë rastësisht?
Ashtu është. Unë mendoj se zgjedhja e atij vendi për kërkimin e thesarit, ishte sërish pjesë e mendjes gjeniale të Isufit, pasi në atë zonë të Valbonës edhe në verë, kur ka pak ujë, është e vështirë të shkosh në taban të lumit dhe të eksplorosh të gjitha shpellat e nënujshme.
Pas disa orësh përpjekjeje, polici palombar ishte dorëzuar. Por, ishte dorëzuar, pa u bindur se kishte eksploruar gjithë zonën që Isuf Haluci qarkonte me gisht diku nën sipërfaqen e ujit të Valbonës. Pra, ishte dorëzuar, duke e lënë sërish enigmë të vërtetën e “thesarit”.

Zoti Haluci, e ndërpremë intervistën e numrit të kaluar pikërisht në momentin që specialët të mbështetur nga njerëz të përgatitur fizikisht dhe që bënin edhe polumbarin, po kërkonin dhe nuk mund të gjenin floririn e pretenduar nga yt kushëri Isufi dhe i mbështetur sipas legjendës nga ty. Jemi pikërisht në momentin që polumbari pasi rrëmoi në vorbullën e ftohtë dhe me prurje të shumta të ujërave dimëror pas më shumë se katër orësh doli dhe tha se nuk mundi të gjente gjë por edhe nuk mundi të rrëmonte dot guvat e shtratit të lumit. Ajo që doja të dija unë për ta rinisur këtë bisedë është se a ka reaguar Isufi i cili mbahej i superprangosur në breg të lumit, në këtë moment që është dorëzuar polumbari?
Në këtë kohë Isufi u ishte lutur ta linin atë që të zhytej me qëllim që të nxirrte thesarin. Madje u ishte lutur disa herë. Por, drejtuesit e këtij operacioni nuk e kishin lejuar. Duke pasur parasysh gjendjen e tij pasi Isufi, i katandisur kockë e lëkurë nga torturat, në pothuaj gjysmën e peshës së vet trupore, nuk do të kishte dalë i gjallë që andej. Ma kishte thënë që në momentin e parë që më tregoi për rrengun. Më kishte thënë se, sido që të vinte puna, së paku do të arrinte të shihte Tropojën për herë të fundit. Kështu që fjala e palombarit se nuk kishte mundur të kontrollonte gjithë shpellat në shtratin e lumit, sërish nuk i kishte lëvizur drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, vetë ministrin Hekuran Isai, por edhe Drejtorin e Sigurimit, Zylyftar Ramizi, nga bindja se Isuf Haluci nuk i kishte mashtruar.
Si vepruan pasi nuk e lanë Isufin në idenë e vetë që të kërkonte ai?
Në përfundim të kërkimit pa rezultat, ata kishin urdhëruar që e gjithë zona që qarkonte pikë-takimin e Valbonës me përroin e Shydenicës të rrethohej me tela me gjemba e të ruhej me roje të armatosur. Të njëjtët ishin kujdesur gjithashtu të shmangnin të gjithë kuriozët, duke varur në disa pozicione të gardhit rrethues tabela që shkruanin se sipërfaqja e rrethuar ishte ekonomi ndihmëse e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës.
Pas kësaj thoni ju, u komunikuan anulimin e ekzekutimit tuaj?
Pas katër ditësh nga kërkimi në Valbonë, mua më nxorën nga qelia dhe më çuan në zyrën e hetuesisë. Aty pashë se kishin çuar edhe Isufin, djalin e xhaxhait dhe kuptova se diçka e madhe ishte duke ndodhur. Pasi ishte kthyer nga Tropoja, Isufi me anë të kodit tonë më kishte shkruar një fjali të vetme: “Më duket se ua futa”! Prandaj kur e pashë aty, në dhomën e hetuesisë, të them të drejtën u frikësova. Mendova se Sigurimi i Shtetit mund të kishte zbuluar dredhinë. Por, isha gabuar. Pak çaste më pas në dhomë u dha Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Ministri nxori paketën e cigareve dhe na zgjati nga një, mua dhe Isufit. Unë nuk e kam pirë kurrë dhe refuzova. Ai më tha se unë kisha mbetur armik në një mënyrë ku duhet të ketë pasur edhe djallëzi, apo, për atë vetë, edhe humor. Por, kur je i dënuar me vdekje, kur jeta është në fill të perit, nuk e kupton, nuk e nuhat dot humorin e të tjerëve, për më tepër të xhelatit tënd. Ishte edhe koha kur sapo kishim mësuar se familjet tona, 18 frymë, i kishin internuar në Kotë të Vlorës. Ministri nisi të na sillte rrotull me ca histori pa rëndësi dhe në fund na tha se Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte Ramiz Alia, megjithëse ia kishim bërë shumë borxh Partisë e shtetit, na kishte falur jetën dhe se masa e dënimit do të ishte 25 vjet burg. Para se ne të merrnim veten, ministri lëshoi edhe një “megjithëse nuk e meritoni” duke u larguar.
Pra ju thoni se alibia e Isufit i kishte vënë në mendime autoritetet e atëhershme për t’ju falur jetën pasi kuptohet sipas tyre me ekzekutimin tuaj do të kumbisnin edhe shanset për të gjetur floririn. Nuk e di nëse u shpreha qartë zoti Haluci?
Karremi i thesarit kishte bërë punën e vet. Ne të dy të dënuarit me vdekje nga Bujani i Tropojës tashmë kishin shanse të vazhdonin të jetonin, madje falë moshës së re, kishin shanse edhe të jetonin si gjithë të tjerët, të lirë. Më 15 dhjetor 1985, mua më dërguan në burgun famëkeq të Spaçit, ndërsa Isufin, pak më larg, në burgun e Qafës së Barit. Por, ditët pa tortura për mua ishin fare pak. Pas dy muajsh, më 18 shkurt 1986, unë u transferova për në burgun e frikshëm të Burrelit. Burgu i Burrelit ishte më i tmerrshmi. Por, unë isha i ri dhe i fortë dhe me ndihmën e familjarëve të mi rezistova. Më vonë e kam menduar se mbyllja ime në burgun e Burrelit duhet të ishte vendosur dhe materializuar edhe si njëfarë presioni ndaj Isufit, që të mos ua dridhte.
Po Isufin, ku e dërguan të vuante dënimin?
Isufin nuk e lëvizën nga burgu i Qafës së Barit. Aty ai arriti ta merrte veten shpejt fizikisht. Madje nga 50 kilogramë peshë trupore që kishte ardhur, kishte rifituar me shpejtësi peshën e zakonshme, por edhe i kishte ardhur në vend zemra dhe guximi.
E kishin lënë të rinisnin kërkimet në verë si të uleshin prurjet e Valbonës?
Në fillim të verës së vitit tjetër, 1986, shpura e policëve ishte bërë sërish gati për të nisur kërkimet e thesarit në zgavrën që krijohet nga bashkimi i Valbonës me përroin e Shydenicës. Sepse ëndrra, ajo ëndrra e florinjtë e ministrit Hekuran Isai dhe të tjerëve vazhdonte.
Biseda e fundit për thesarin e Valbonës mes ideatorit të tij, Isuf Haluci, dhe krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është zhvilluar në verën e vitit 1986 në ambientet e burgut të Qafës së Barit.
Besoj se Isufi tashmë që kishte rifituar jetën nuk i interesonte të vijonte albinë. Pra si ka vijuar biseda me të pasi erdhi vera?
Dikush nga Ministria e Brendshme ishte paraqitur për të biseduar me Isufin në burgun e Qafë-Barit. I kishin thënë Isufit se koha ishte ngrohur, se niveli i ujit të Valbonës kishte rënë dhe se ishte kishin planifikuar që të shkonin sërish, një nga ato ditë, të kërkonin për thesarin atje, te vendi. Por, Isufi që e kishte marrë plotësisht veten fizikisht, kishte bërë sikur nuk kuptonte. Tjetri ishte detyruar t’i kujtonte se ai, Isuf Haluci, kishte lënë një bisedë përgjysmë me shokun Hekuran Isai… për atë punën e thesarit. Por, përgjigja e fundit e Isufit, batuta e tij “ik ore, se nuk e kam floririn për Hekuran Isain” kujtohej pothuaj me eufori nga të gjithë të dënuarit e burgut të Qafës së Barit. Më tej Isufin e kishin rrahur keqas për gati dy javë. Kujtoj se e sollën në Burrel të masakruar. Por, sërish e mori veten shpejt.
Pra dolëm te pyetja ime e ripërsëritur disa herë gjatë vijimit të këtij subjekti kaq interesant se jeta juaj paska shpëtuar nga rrengu apo gracka në të cilën Isufi arriti të fuste sigurimin e shtetit të atëhershëm dhe vetë ministrin Hekuran Isai?
Është e vërtetë që ne të dy përfituam nga rrengu që Isufi thuri për ministrin Hekuran Isai dhe krerët e tjerë të Ministrisë dhe Sigurimit të Shtetit. Por, pas lirimit në qershor 1991, në vigjilje të vizitës në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, unë kam mësuar edhe për një tjetër rrethanë që mendoj se ka ndikuar shumë te Ramiz Alia në firmosjen e dekretit që e ndryshoi dënimin tonë, nga me “vdekje me pushkatim”, në “25 vjet heqje lirie”. Prandaj unë mendoj se veç rrengut të thesarit, në faljen e jetëve tona ka ndikuar edhe fakti i pushkatimit në të njëjtën periudhë i katër fatkeqëve nga kjo zonë.
Është thënë shumë zoti Haluci se pas viteve ’90 kur do të gjykohej udhë-heqja më e lartë e shtetit komunist dhe vetë Ramiz Alia, Nexhmije Ho-xha, Hekuran Isai e të tjerë, pikërisht juve jeni ngarkuar me drejtimin e trupit gjykues që do të gjykonte Ramiz Alinë. Detyrë që ju e keni refuzuar dhe keni dhënë dorë-heqjen. Është e vërtetë? Së pari, si mundët të profesionalizoheni në fushën e drejtësisë?
Është e vërtetë. Pas lirimit nga burgu në vitin 1991, në vigjiljen e vizitës së Sekretarit Amerikan të shtetit Xhejms Beiker në Tiranë, mitingun të të cilit me popullin e Tiranës e kam parë në televizion në shtëpinë e një mikut tonë që ishte liruar disa ditë para nesh në qytetin e Laçit. Menjëherë, kam filluar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, me shkëputje nga puna. Kam përfunduar ciklin katërvjeçar me rezultate shumë të mira dhe jam diplomuar jurist në vitin 1995. Në vitin 1996 jam emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Doja të dija në çfarë pozicioni juridik ndodheshit në momentin e arrestimit të Ramiz Alisë me të cilin tashmë me sa shikoj e solli jeta që ju të ndërronit rolet ku ai ishte në pozicionin e të arrestuarit dhe ju të përfaqësonit ligjin dhe drejtësinë e shtetit. Pra çfarë detyre keni pasur kur ai u arrestua dhe a është e vërtetë zhurma që po bëhet ngado se ju nuk keni pranuar të bëni gjykimin e tij?
Pas arrestimit të Ramiz Alisë diku nga fundi i vitit 1996 fillimi i vitit 1997 jam caktuar për të gjykuar çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Ramiz Alia, Simon Stefani dhe Hekuran Isai. Kam dhënë dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështjeje bazuar në parimet themelore të drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor duke pasur parasysh edhe faktin se ishte Ramiz Alia, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor i cili kishte firmosur dekretin për ndryshimin e dënimit të dhënë nga Gjykata e Lartë ndaj meje dhe djalit të xhaxhait tim, nga me “Vdekje me Pushkatim” në dënimin me “25 vjet heqje lirie”.
Kishit interpretim ligjor në shkaqet që parashtruat kur refuzuat gjykimin e Alisë?
Dorëheqja ime ka qenë edhe në respektim të plotë të neneve 15, 16, 17 e vijues të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë ku bëhet fjalë për “Rastet e Papajtueshmërisë me Funksionin e Gjyqtarit në Gjykim”. Në të tilla kushte pavarësisht nga shkaqet që e shtynë Ramiz Alinë që të vendosë për ndryshimin e dënimit tim dhe të kushëririt tim nga me “vdekje me pushkatim” në dënim me “25 vjet heqje lirie”, unë kurrsesi nuk mund të isha gjyqtari i tij. Po ju rrëfej se çfarë i ka thënë në fjalën e fundit pra se ta dënonin me vdekje prifti Dom Mark Hasi një gjykatësi shqiptar. “Me vendimin që po merrni ju nuk po më dënoni me vdekje, por ju po më shkurtoni jetën sepse kush ka lindur edhe duhet vdesë”. Kështu që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nuk po më dënonte me vdekje por po më shkurtonte jetën, gjë të cilën e ndaloi Ramiz Alia me dekretin e tij.
Si e komentoni shprehjen kur ju thonë se Ramiz Alia ju ka shpëtuar jetën?
Më vjen shumë keq kur më thonë se “Ramiz Alia të ka falur jetën”. Jetën ma ka falur Zoti, ndërsa Ramiz Alia nuk e lejoi Gjykatën e Lartë të ma shkurtonte.
E takuat Ramizin kur ishte i arrestuar?
Nuk e kam takuar asnjëherë dhe as nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje për ta takuar. Pavarësisht nga marrëdhënia ime me të, ai mbetet një diktator tipik sllavo-komunist shqiptar dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës.

(bw)

82 vjet më parë nazistët pushkatuan Av. Dr. Skënder Muçon, nacionalist i shquar, themelues dhe drejtues i Ballit Kombëtar- Nga BUJAR LESKAJ

12 gusht 1944- 12 gusht 2026- 82 vjet nga pushkatimi prej nazistëve i Av. Dr. Skënder Muço dhe bashkëluftëtarëve të tij nacionalistë dr. Yzeir Ismaili (Alimerko) e Zako Mezini.

 

Skënder Muço (1904-1944) ishte avokat, drejtues i lartë i Ballit Kombëtar, themelues i së parës parti Social-Demokrate dhe së bashku me Musine Kokolarin themelues i gazetës “Zëri i Lirisë, organ i kësaj partie, si një alternativë e krahut të Ballit Kombëtar, që kishte një program socialdemokrat, siç konfirmohet dhe me “Dekalogun” e Mit’hat Frashërit.

Skënder Muço, lindi në fshatin Tragjas të Vlorës në vitin 1904. I ati, Dauti, ishte luftëtar i Pavarësisë . Mbas vdekjes së të jatit u ndihmua për shkollimin nga dajoja i tij Alem Memet Tragjasi, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920.

Shkollën fillore e kreu te Arbreshët e Italisë, në Shëmitër Korone të Kalabrisë, ndërsa fakultetin e Drejtësisë në Universitetin prestigjioz të Bolonjës.

U kthye në Atdhe dhe ushtroi me sukses profesionin avokat. U arrestua në vitin 1932, si pjesëtar i organizatës politike anti Zogiste, “Lëvizja e Vlorës”, bashkë me Hasan Dostin, Hysni Lepenicën dhe miq të tjerë dhe ishte aq aktiv, sa u dënua me vdekje. Falet prej një amnistie të nënshkruar nga Mbreti Zog.

Më 7 prill 1939, me prof.Isuf Luzajn dhe atdhetarë të tjerë, mori pjesë në demonstratat antifashiste organizuar në Vlorë, kundër pushtues të Atdheut.

Në fund të nëntorit 1942, Hysni Lepenica dhe Skënder Muço, formuan çetën e parë nacionaliste të Vlorës me emrin “Shqiponja”. Në krye të saj, ata morën pjesë në shumë luftëra kundër pushtuesve fashistë e nazistë, siç mund të përmendim betejën e parë masive antifashiste të Gjormit, luftën e Dukatit, të Qafën e Dushkut, në Vajzë, në Selenicë, në Gorisht, në Drashovicë, etj, ku bashkë me forcat nacionalçlirimtare, kombinuan disa herë aksione të përbashkëta e të suksesshme.

Skënder Muço ishte misionar dhe iniciator i bashkimit të forcave politike ndërluftuese. Ai, ka marrë pjesë në disa takime gjurmëlënëse dhe efektive në rrethin e Vlorës me të tjera forca nacionaliste si dhe me përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares. Skënderi, për shumë kohë, ishte kreu i Ballit Kombëtar për Vlorën dhe pjesëtar i këshillit organizativ kombëtar. Në këtë pozicion u thërrit në Konferencën e Pezës dhe mori pjesë aktive në Konferencën e Mukjes dhe në takime të tjera historike.

Merita më e madhe e Skënder Muços qëndron te fakti se ai ishte koordinator i Ballit Kombëtar me Aleatët e Mëdhenj Antifashistë, sidomos direkt me misionin anglez të Anton Ruejlit dhe me misionin e Togerit amerikan Tomas.

Në Konferencën e Mukjes Skënder Muço , si përfaqësues i Vlorës dhe Ballit Kombëtar ishte një zë i fuqishëm, që dha një ndihmesë të çmuar për arritjen e marrëveshjes dhe të krijimit të Komitetit për Shpëtimin Kombëtar, në të cilin u zgjodh anëtar. Dr.Skënder Muço frymëzoi e drejtoi disa beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste dhe nacional çlirimtare kundër pushtuesve italianë e gjermanë.

Avokat Skënder Muço, së bashku me dy bashkëluftëtarët që e shoqëronin kudo që shkonte, dr.Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini, kapet me pabesi dhe arrestohet nga gjermanët, më 10 gusht 1944, në Urën e Izvorit, Orikum.

Ai u ekzekutua dy ditë më vonë , më 12 gusht 1944,pranë fshatit Bubullimë të Lushnjës.

Ndërkohë edhe vëllai i tij me nënë, Xhevit Mëhilli nga Dukati, i diplomuar gjithashtu në Itali ishte një nga drejtuesit dhe themeluesit e Ballit Kombëtar në Vlorë. Për aktivitetin e tij partiotik pas vitit 1944 u dënua me burg të gjatë nga komunistët.

Skënder Muço ishte i njohur si një nga njerëzit e besuar të anglo-amerikanëve dhe njeriu i ngarkuar për të organizuar mbështetjen e shqiptarëve, sidomos në zonën e Tragjasit- Dukatit e Vlorës për zbarkimin e aleatëve. Ai në atë kohë gëzonte një popullaritet të madh në zonë dhe ishte i pranueshëm nga të gjitha palët, komunistë e nacionalistë. Ishte koha kur misionet po përgatisnin kryengritjen e përgjithshme kundër gjermanëve dhe në Jug të vendit, avokat Skënder Muço ishte i përzgjedhuri i tyre për faktin se ishte i aftë politikisht, zotëronte disa gjuhë të huaja, kishte mbështetje në popull, ishte për bashkim kombëtar e luftë të përbashkët kundër gjermanëve.

Në shkurt të vitit 1944, Skënder Muço, u jep një projekt marrëveshje të shkruar, oficerëve britanikë në Shqipëri. Ai takon majorin Antoni Kuell në Dukat, ku ai kishte shtabin, dhe i kërkoi që këtë marrëveshje ta dorëzonte në komandën ushtarake të Aleatëve në Kajro. Skënder Muço kërkoi gjithashtu që të udhëtojë drejt Kajros për të finalizuar marrëveshjen. Kjo marrëveshje përmban disa pika mjaft interesante. Balli Kombëtar kërkonte nga britanikët që ata të siguronin pavarësinë e Shqipërisë pas lufte dhe në këmbim, ata ofronin gjithë mbështetjen e tyre ushtarake për të luftuar gjermanët, madje nën komandën e oficerëve britanikë.

Propozimi i Skënder Muços kishte këtë përmbajtje:

1-Pavarësinë e Shqipërisë pas luftës.

2-Marrjen e ishullit të Sazanit.

3-Pagesat e dëmeve të luftës nga italianët.

4-Përjashtimin e trupave italiane dhe greke nga operacionet në Shqipëri.

5-Ndihmë për Shqipërinë pas luftës.

Skënder Muços iu tha gojarisht nga anglezët se politika jonë është të ndihmojë këdo që do t’u rezistojë gjermanëve.

Marrëveshja u shqyrtua nga zyra politike e aleatëve në Kajro dhe iu nis për miratim edhe Ministrisë së Jashtme Britanike.

Lufta e Dytë Botërore, e përfshiu të gjithë popullin shqiptar. Ajo shërbeu si një filtër i madh social, ku klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare u diferencuan qartë përballë luftës kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Qysh në orët e në ditët e para të pushtimit, në krah të pushtuesit italian u evidentua qartë grupimi i kuislingëve dhe i kolaboracionistëve, por duhet theksuar se pjesa më e madhe e forcave balliste, që drejtoheshin nga Hysni Lepenica, Abaz Ermeni, Safet Butka, Muharem Bajraktari, Skënder Muçoetj, vazhduan luftën edhe kundër pushtuesve gjermanë.

Avokat Skënder Muço, ishte njëkohësisht antikomunist, po dhe antifashist e antinazist (deri sa ata e vranë). Ai e donte Shqipërinë e Lirë me Kosovë e Çamëri dhe me drejtim perëndimor, sipas vendimeve të proklamuara prej tij në Konferencën e Mukjes.

Janë këto arsyet që Skënder Muçon e nderojnë dhe e respektojnë në mbarë vendin dhe akoma më shumë Vlorë ,në fshatin e tij Tragjas , fshatin e dëshmorëve dhe në gjithë Labërinë. Ai, i pushkatuar nga pushtuesit Gjermanë, me të drejtë legjitime është shpallur dhe vendosur në listën e dëshmorëve të luftës për Atdhe, mbas fitores së demokracisë 1992.

Në 1994 qeveria Meksi i shpalli Dëshmorë të Atdheut të tre nacionalistët e pushkatuar nga nazistët dhe presidenti Sali Berisha e nderoi av.dr.Skënder Daut Muço , në gusht 1994 ,me titullin më të lartë “Urdhri i Flamurit kombëtar i klasit I”, me motivacionin: “Për merita të shquara në luftën për bashkimin dhe lartësimin e kombit, për unitetin kombëtar, lirinë dhe përparimin e atdheut!”

Në vitin 2024, në përkujtim të 80 vjetorit të ndarjes nga jeta dhe 80 vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë,studiuesi i njohur e i apasionuar pas figurave e ngjarjeve të shquara historike e nacionaliste ,luftëtari i dritës në demokraci ,z.Enver Memishaj –Lepenica autor i disa librave për heroin Hysni Lepenica , Luftën e Vlorës 1920 dhe organizatat e ngjarjet në Luftën antifashiste 1939-1944, ka botuar librin studimor mbi aktivitetin patriotik të Av. Dr. Skënder Muço, për të cilën Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemali” ka organizuar në Vlorë ( ambientet e Muzeut “Kosova”) promovimin e kësaj vepre.

Vlora, ky qytet me histori të madhe kombëtare i ka borxh të madh Heroit antifashist , nacionalistit demokrat, intelektualit properëndimor avokat dr.Skënder Muço.

Të paharruar përjetë luftëtarët e lirisë dhe demokracisë!

Nga aksionet tek Delphos- Kronologjia e intrigave financiare me Aeroportin e Vlorës

Deri në qershor të vitit të kaluar, dy aksionerët e Aeroportit të Vlorës notonin në ujra të ngrohta me njëri tjetrin. Punimet për ndërtimin e Aeroportit vazhdonin me ritme të larta, ndërkohë që larg syve të publikut Behgjet Pacolli me Valon Ademin kishin bërë dhe planet se si do të ndanin fitimet nga investimi i tyre.

Nga viti 2002 deri në prill të vitit 2025, Pacolli dhe Ademi kishin nënshkruar tre dokumenta për shitjen e aksioneve të aeroportit.

E para, është kjo parakontratë e 20 qershorit të vitit 2022, sipas të cilës palët bien dakord që Mabco të shesë 40 për qind të aksioneve tek Aeroportit, të cilat sapo ja u kishte blerë turqve të YDA, tek shoqëria 2A Group e Valon Ademit.

Kjo parakontratë është nënshkruar nga Valon Lluka në cilësinë e administratorit të Mabcos dhe Valon Ademi si administrator i 2A Group. Por zoti Lluka ishte autorizuar që të firmoste shitjen nga një vendim i asamblesë së Mabcos.

Kjo parakontratë ka disa dispozita interesante. Së pari, 2A Group do ta paguante kontributin e saj për 42 për qind të aksioneve përmes punimeve ndërtimore. Së dyti, nëse projekti dilte me humbje Mabco do të përballonte 58 për qind të humbjeve, ndërsa 2A group 42 për qind të tyre dhe po kështu do të ndaheshin edhe fitimet.

Screenshot

Ndonëse kjo parakontratë nuk u noterizua asnjëhere, dy aksionerët kanë punuar sipas këtyre raporteve, madje edhe nënkontraktimet e kredisë janë ndarë në këto përqindje.

Një vit më vonë, tema e shitjes së aksioneve rikthehet sërish. Në korrik 2023, administratori i Mabcos, Valon LLuka i dërgon një sms Behgjet Pacollit ku e pyet nëse duhet të vazhdojë me proçedurën e shitjes së aksioneve, por këtë herë me një tjetër raport kuotash.

“Përshëndetje z Behgjet. Valon Ademi më thotë që jeni dakortësuar bashkë të bëjmë kontratën e shitblerjes së aksioneve në Aeroport ashtu siç ka qene marrëveshja në fillim (51 me 49). Po më thotë dy herë ndaj të shkrova për ta konfirmu,” i shkruan Valon Lluka Pacollit. Ky i fundit konfirmon duke u përgjigjur; OK.

Pa u mbushur tre javë nga kjo bisedë, asambleja e Mabcos mblidhet sërish për të miratuar shitjen e aksioneve. Në mbledhjen e datës 20 korrik 2023, asambleja e Mabcos miraton shitjen e 47 për qind të kuotave tek 2A Group dhe autorizon sërish Valon Llukën të nënshkruajë transaksionin. Vendimi i asamblesë këtë herë, është firmosur personalisht nga Behgjet Pacolli.

Mbi bazën e këtij vendimi të asamblesë së Mabcos në qershor të vitit 2024, firmoset marrëveshja e shitblerjes nga Valon Lluka dhe Valon Ademi. Por edhe kjo marrëveshje nuk u noterizua.

Dokumenti i tretë, ai që u zyrtarizua është kontrata e shitjes së aksioneve. Kjo kontratë u noterizua në datën 3 prill 2025 nga notere Valbona Selimi dhe u firmos sërish nga Valon LLuka si administrator i Mabco-s dhe Valon Ademi si administrator i 2A Group. Për firmën e Llukës u përdor sërish autorizimi i dhënë nga asambleja e Mabco-s në korrik të vitit 2023 me firmën e Behgjet Pacollit.

Paratë e blerjes së aksioneve, shumën 4700 euro Valon Ademi ja kishte kaluar Mabcos që në korrik të vitit 2024. Edhe pas kësaj firmosje, sërish dy aksionerët vazhdonin në marrëdhënie normale me njëri tjetrin.

Madje një muaj pas noterizimit të shitjes së aksioneve, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi ishin bashkë në fluturimin inaugurues së aeroportit në 8 maj të vitit 2025, kur në Aeroport shkoi kryeministri Edi Rama dhe ministrja e atëhershme Belinda Balluku.

Por me sa duket, kjo ishte qetësia para furtunës.

Shpërthimi

Në 26 gusht të vitit 2025, Edi Rama thirri në zyrën e tij Behgjet Pacollin. Në atë kohë Rama sapo kishte fituar mandatin e katërt dhe po merrej me formimin e qeverisë së re.

Fillimisht lajmi i Pacollit në zyrën e Ramës u shpërnda në media si një takim negociatash për qeverinë e re, madje duke aluduar se Rama i kishte propozuar Pacollit postin e ministrit të jashtëm.

Por dy ditë më vonë, Kapitali shpërtheu luftën e aksioneve. Behgjet Pacolli e përgënjeshtroi zyrtarisht shkrimin e Kapitalit, por ky përgënjeshtrim rezultoi gënjeshtra publike më jetëshkurtër në Shqipëri, kur vetëm pak orë pas publikimit të shkrimit Valon Ademi akuzoi publikisht Pacollin për mashtrim dhe influenca ruse.

Kjo ishte pika e shpërthimit. Menjëherë pas kësaj Behgjet Pacolli mohoi të gjitha kontratat e shitjes së aksioneve, duke deklaruar se firmën ja kishin marrë me mashtrim. Por sërish kjo ishte ajo që dukej në publik. Ndërkohë nën rrogoz, kishte zhvillime të tjera.

Delphos

Në 10 dhjetor të vitit 2024, në Luksemburg themelohet një fond investimesh i quajtur Delphos Securization Sarl. Tre muaj pas themelimit të tij, Delphos nënshkruan një marrëveshje të fshehtë kredie me Mabco-n e Pacollit.

Sipas marrëveshjes, fondi nga luksemburgu do të jepte një kredi prej 100 milionë eurosh për Mabcon, e cila do të përdorej për shlyerjen e kredisë 57 milionë euro që Vlora International Airport kishte marrë tek BKT dhe pjesa tjetër për përfundimin e ndërtimit të Aeroportit.

Por kredia ishte e strukturuar përmes një compartmenti brenda Delphosit i quajtur Delphos Compartment Bernina. Këto janë nënfonde brenda fondeve të investimeve, të cilat funksionojnë si ishuj të pavarur dhe ku huadhënësit janë sekretë. Dokumenti u publikua për herë të parë nga gazeta Tema.

Menjëherë pas publikimit Behgjet Pacolli mohoi akuzat për lidhje ruse, por mbi të gjitha mohoi kategorikisht që VIA të ishte pjesë e kredisë apo që Aeroporti i Vlorës të rrezikonte tjetërsimin, duke theksuar thuajse përditë në publik se kredia ishte marrë nga Mabco dhe ishte garantuar nga Mabco, ndaj VIA-a nuk kishte asnjë rrezik.

“Eshtë një marrëveshje e cila garantohet 100 për qind prej aseteve të Mabco-s,” deklaroi Pacolli në 6 nëntor të vitit të kaluar në emisionin Opinion. Kur Blendi Fevziu e pyeti se çfarë ndodh nëse Mabco nuk e shlyen kredinë e Delphos, Pacolli ishte edhe më i drejtëpërdrejtë.

Pacolli -Ajo është puna ime. A e kam garantuar këtë më mjetet e mia?
Fevziu– Jo me marrëveshjen e koncesionit?
Pacolli– Dëgjoni, absolutisht jo. Për arsye se do të ishte një idiot ai që të jep ty 100 milionë dhe shkon e merr peng një aeroport që nuk është i yti. Kjo është çmenduria e njerëzve të paditur.

Por, pjesë e marrëveshjes së kredisë mes Delphos dhe Mabco-s, ishte dhe një nen, saktësisht 23.1, i cili detyronte Mabcon që të fuste VIA-n, pra shoqërinë koncesionare të aeroportit, si huamarrës shtesë përmes firmosjes së një letre aksesimi.

Pasi shpërtheu konflikti mes aksionerëve, marrëveshja e kredisë mes Delphos dhe Mabco u amendua sërish në gusht të vitit të kaluar, ku Fondi nga Luksmeburgu kërkonte me insistim futjen e VIA-s si huamarrës shtesë, dhe ku Mabco merrte përsipër që ta bënte këtë, pavarësisht kundërshtimit nga aksioneri i pakicës, pra Valon Ademi.

A ishte kredia me Delphos, arsyeja se pse Pacolli kundërshtoi fuqishëm shitjen e aksioneve tek 2A Group? Ky mbetet një mister i madh.

Lufta për një firmë

Që VIA të bëhej pjesë e marrëveshjes së kredisë, administratori i saj duhet të firmoste të ashtuquajturën Letrën e Hyrjes (Açession Letter). Por administratori i VIA-së, Valon Lluka, ai që kishte qenë krahu i djathtë i Behgjet Pacollit për më shumë se 20 vjet, e refuzoi firmosjen për ta futur VIA-n si huamarrës shtesë.

Kapitali publikoi edhe emailin ku Lluka paralajmëronte Pacollët se kjo ishte një kredi e rrezikshme dhe binte ndesh me ligjin për konçesionet.

Emaili i Valon Llukes per Emin Pacollin
Pas kësaj përplasje Pacolli e shkarkoi Llukën duke e akuzuar atë për tradhëti dhe komplot me Valon Ademin. Ai emëroi si administrator të VIA-s, Mentor Hajdarin. Por edhe ky nuk e firmosi letrën e hyrjes dhe u largua dy muaj pas marrjes së detyrës.

Më vonë përplasja mes dy aksionerëve hyri në proçeset ligjore dhe gjykata ngrin votat e Mabcos në shoqërinë koncessionare duke ja dhënë administrimin e aeroportit, aksionerit të pakicës Valon Ademi për më shumë se 6 muaj, deri në vendimin e gjykatës së lartë, që zhbllokoi votën e Mabco-s.

Çfarë rrezikonte Aeroporti?

Kontrata e kredisë mes Delphos dhe Mabcos është dakortësuar të qeveriset sipas ligjit anglez. Por çfarë parashikon legjislacioni britanik për huamarrësin shtesë. Menjëherë pas nënshkrimit të Letrës së Hyrjes, humarrësi shtesë bëhet përgjegjës solidar për 100 për qind të kredisë.

Më pas legjislacioni britanik aplikon parimin e përgjegjësisë së përbashkët. Kjo do të thotë se nëse huamarrësi origjinal nuk e shlyen detyrimin, atëherë ai që ka dhënë borxhin ka të drejtë ta ekzekutojë atë nga huamarrësi shtesë.

Parimi i pergjegjesise se perbashket, ligji anglez
Madje, ky i fundit bëhet përgjegjës për ripagimin e plotë të shumës, pavarësisht nëse paratë janë përdorur nga huamarrësi origjinal apo nga ai shtesë.

Me pak fjalë, në një skenar hipotetik ku Mabco merr paratë nga Delphos dhe i shpenzon ato jashtë projektit të Aeroportit, nëse nuk e shlyen kredinë atëherë Delphos do të merrte paratë nga Aeroporti.

Përtej përgjegjësisë solidare, rreziku tjetër është ai i transferimit të së drejtës në duar të tjera. Compartment-et nuk janë banka.

Ato janë struktura financiare, të cilat mund të shiten dhe ndërrojnë duar sa herë të duan. Në këtë rast nëse Compartment Bernina do ta shiste kredinë e Aeroportit tek të tjerë, qeveria shqiptare nuk do të kishte asnjë mundësi të ndalonte një gjë të tillë.

Këto rreziqe kanë qenë arsyeja e shumë debateve mes Mabco-s, ministrisë së Energjisë dhe Avokaturës së Shtetit. Autoritetet shqiptare dyshojnë se Mabco mund të ketë të tjera marrëveshje sekrete me Delphos, sic dëshmohet nga kjo letër e ministrit të Infrastrukturës drejtuar kompanisë së Pacollit. Por kompania i mohon ato.

Dyshimet e MIE-s

Por rreziku që Aeroporti i Vlorës së bëhet pjesë e kredisë së Delphos, tashmë është shmangur përfundimisht. Dy administratorët e Pacollit nuk e firmosën Letrën e Hyrjes. Më vonë, në lojë hynë gjykatat, të cilat ngrinë votën e Mabcos dhe së fundmi qeveria, e cila njoftoi prishjen e kontratës së konçesionit.

Nuk dihet se çfarë ndodh aktualisht mes Mabco-s dhe Delphos. Një pjesë e fondeve të kredisë u disbursuan në llogarinë e Mabcos në Zvicër dhe gusht të vitit të kaluar u transferuan në degën e Mabcos në Prishtinë. Tashmë që VIA nuk hyri në marrëveshjen e kredisë, Mabco gjendet përpara dy rrugëve. Ose të kthejë lekët mbrapsht ose të zgjidhë me marrëveshje të re marrëdhëniet me Delphos.

Por ky është problemi i Mabcos. Në Shqipëri, problemi është një tjetër. Kompania në qendër të këtyre intrigave financiare tashmë është duke kërcënuar Shqipërinë me arbitrazh. Sipas Mabcos, qeveria shqiptare u bë palë me Valon Ademin në konflikt dhe i hoqi të drejtën të përfundonte projektin duke e shpronësuar.

Arbitrazhi

Nga tetori i vitit të kaluar Behgjet Pacolli, ësjhtë ankuar publikisht në mënyrë sistematike se ndaj tij po bëhet një padrejtësi e madhe. Fillimisht në qendër të akuzave ishin gjykatat, të cilat bllokuan votën e Mabcos dhe e nxorrën atë jashtë administrimit të VIA-s.

Më pas, Pacolli filloi të sulmonte qeverinë, e cila sipas tij, po bëhej palë me aksionerin e pakicës. Ky është argumenti që Mabco me sa duket do të përdorë në arbitrazhin e mundshëm me Shqipërinë. Por qeveria ka një version tjetër. Sipas saj, institucionet kanë ruajtur një rol neutral në sherrin mes dy aksionerëve duke respektuar vendimet e gjykatave.

Ndërsa, sipas shkresës zyrtare të MIE, vendimi për të prishur konçesionin erdhi pas shkeljes së afateve, në përputhje me nenin 15.4d të kontratës së konçesionit.

Argumenti i MIE-s per prishjen e koncesionit
Edhe pse ky është një arbitrazh ku shteti shqiptar është qartazi në pozicion të avantazhuar, duhet që institucionet të bëjnë kujdes për të zbatuar të gjitha proçedurat që parashikon ligji për prishjen e kontratës.

Nuk ishte as shteti shqiptar as qeveria, ajo që bëri bashkë në ortakëri Pacollin me Ademin. Dy aksionerët hynë në marrëveshje me vullnetin e tyre të lirë.

Paralelisht qeveria nuk ka autorizuar asnjë kredi jashtë kredisë zyrtare me BKT-në, që është pjesë e marrëveshjes së konçesionit. Ndaj as përplasja për aksionet dhe as sherri për Delphos nuk janë pasojë e veprimeve të shtetit shqipar.

Ky është një arbitrazh që mund të humbet vetëm nëse qeveria do që ta humbasë duke mos ndjekur në mënyrë korrekte proçedurat ligjore. Por ai skenar do të ishte tradhëti dhe biznes i përbashkët./ Kapitali.al

Ata që vuajtën dënime të gjata për shkak të vrasjes së Bardhok Bibës

Të dhëna dokumentare mbi dënimet e rënda që pasuan vrasjen e Bardhok Bibës, përfshirë katër dënime me varje në litar.

Më 7.8.1949 u vra sekretari i parë i Komitetit të PKSH-së së Mirditës, Bardhok Biba. Për vetë figurën e tij, regjimi komunist ndërmori një hakmarrje të gjerë, pa lidhje me autorët e ngjarjes. 26 persona u morën të pandehur. U akuzuan në bazë të neneve 3/7, 12, të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. Me një faqe e gjysmë pretencë, prokurori kërkoi gjykim me procedurë të shpejtuar. Asnjë provë nuk solli prokurori për të mbështetur akuzat e tij, ndërsa e lidhi ngjarjen me “imperialistët amerikanë” dhe “trockistët titistë”. Gjykata e Lartë Ushtarake, me veprim në Rrëshen e drejtuar prej nënkolonel Bilibil Klosit, prokuror major Misto Bllaci, me vendimin nr.98, datë 16.8.1949 i deklaroi fajtorë dhe i dënoi me vdekje:

1-Pjetër Dodë Vila. U lind në vitin 1915. Me varje në litar.

2-Dodë Mark Biba. U lind në vitin 1918. Me varje në litar.

3-Dodë Llesh Paloka. U lind në vitin 1908. Me varje në litar.

4-Dedë Preng Gjomarkaj. U lind në vitin 1882. Me varje në litar.

Të tjerët morën dënimet të rënda. Disa prej tyre vuajtën shumë vite heqje lirie. Tre prej tyre ishin:

-Mark Preng Marku (u lind më 7.12.1905 në Gazull të Mirditës), vuajti 17 vjet, 7 muaj, 18 ditë burgim. Kishte dhe një dënim të mëparshëm në vitet 1945-1947. Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 29.3.1967.

-Preng Gjetë Çupi (u lind më 5.6.1916 në Mirditë), vuajti 16 vjet, 9 muaj, 10 ditë burgim. Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 21.5.1966.

-Mark Nikoll Tuci (u lind më 10.11.1924 në Mirditë), u dënua dy herë: në vitet 1949-1957 dhe 1980-1989, duke vuajtur gjithsej: 16 vjet, 1 muaj, 28 ditë. Me punë specialist minierash në Selenicë dhe Rubik. Me origjinë shoqërore fshatar i pasur. Në dënimin e dytë, thuhej se banonte në Ndërfushas dhe punonte në kooperativë bujqësore. Familja konsiderohej se kishte qenë e lidhur me regjimin e Zogut. Xhaxhai i tij Zefi dhe halla Maria, kishin vdekur në burg.

Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 16.2.1957.

Disa vjet pas lirimit, u arrestua më 4.11.1980. U akuzua në bazë të neneve 55/1 dhe 27 (internimi) të Kodit Penal. Ishte spiunuar nga 10 bashkëpunëtorë. Kish qenë nën raportimin e Sigurimit menjëherë sapo kish dalë nga burgu. Në një raportim thuhej se ishte shprehur: “Këtu flitet për barazi, por si qenka kjo barazi kur njëri ha më shumë se tjetri. Thonë me gojë se kemi barazi, në fakt nuk na. Me u dorëzuar nuk kemi ndërmend. Ka ardhur koha që të hanë njëri-tjetrin. Po të vijë koha e luftës, më mirë të më vrasin miqtë e mi, se sa këta. Do bashkohem me miqtë e do u kthehem këtyre. Edhe kur kanë qetësi, këta nuk flenë kollaj. I mbajnë veshët ngritur si lepuri. Kanë frikë nga qetësia se mos u vjen ndonjë e keqe”. Gjykata e Rrethit Mirditë, me vendimin nr.10, datë 4.2.1981, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe 5 vjet internim. U la në fuqi me vendimin nr.48, datë 26.2.1981 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 27.6.1989 nga Reparti nr.311 Qafë-Bari./ Kujto.al

Pueblo (1966) Historia e spanjolles nga Valencia që përfundoi në Lushnje — 29 vjet pritje (1937 – 1966) të një telefonate nga dy motrat

Kjo është Vicenta, spanjollja e vendosur në Shqipëri. — Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Gusht 2026

 

Gazeta spanjolle “Pueblo”, ka botuar, të premten e 7 janarit 1966, në faqen n°16, historinë prekëse të Vicentës, një gruaje nga Valencia, e cila pas martesës me një shqiptar u vendos në Lushnje (më 1937), duke mbetur për gati tri dekada e ndarë nga dy motrat e saj në Spanjë. Pas 29 vjetësh pritjeje, kërkimesh të pandërprera dhe shprese, tri motrat arritën më në fund të dëgjonin sërish zërat e njëra-tjetrës përmes një bisede telefonike, një ngjarje e jashtëzakonshme për kohën. Aurenc Bebja e sjell këtë dëshmi të rrallë për publikun shqiptar përmes blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”.

 

Vizë për në Shqipëri

Pas 29 vjetësh, tri motra flasin sërish (në telefon)

Njëra prej tyre jeton në një fshat të vogël shqiptar

Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.

Historia e këtyre tri motrave filloi në vitin 1937. Atëherë, në Valencia, Vicenta, më e vogla, u martua me një shqiptar dhe u largua me të për në Shqipëri. Që nga ai çast, zonja Fidelia Martín dhe zonja María Martín nuk pushuan asnjëherë së kërkuari lajme për motrën e tyre, e cila ishte vendosur kaq larg.

Fidelia Martín dhe María Martín, dy motrat e Vicentas — Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.

Për shumë vite, të gjitha përpjekjet rezultuan të kota. Letrat drejtuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar nuk dhanë asnjë rezultat. Megjithatë, motrat nuk u dorëzuan dhe vazhduan t’u drejtoheshin të gjitha institucioneve që mund t’i ndihmonin të mësonin diçka për Vicentën. Derisa, më në fund, në vitin 1954, Kryqi i Kuq u dha lajmin e parë :

 

— «Motra juaj jeton në Shqipëri.»

 

Tashmë dinin diçka, dhe ishte një lajm shumë i rëndësishëm. Tani mbetej vetëm të gjenin mënyrën për të vendosur kontakt me të.

 

— Si arritët t’i dërgonit lajmet e para motrës suaj?

 

— Në përpjekjet e mëvonshme mësuam se ajo jetonte në Lushnje, një qytet pranë Tiranës. Atëherë, me ndihmën e një çifti miqsh që jetonin në Shtetet e Bashkuara, mundëm t’i shkruanim. Por kjo nuk ndodhi në vitin 1954, por shumë më vonë.

 

— Pas letrës së parë, pritët gjatë për të marrë përgjigje nga Vicenta?

 

— Sigurisht. Kaluan shumë muaj derisa morëm letrën e parë prej saj. Mund ta merrni me mend se çfarë do të thoshte kjo për ne.

 

— A ka fëmijë motra juaj?

 

— Po, një djalë dhe një vajzë. I kemi njohur vetëm përmes fotografive që ajo na ka dërguar. Quhen Ulusi dhe Dolores. Të dy janë të martuar dhe secili ka nga një vajzë.

 

BISEDA TELEFONIKE

 

Ishte 1 janari i vitit 1966. Viti i ri sapo kishte filluar dhe zonja María e zonja Fidelia telefonuan kompaninë telefonike. Donin të flisnin me Lushnjen, në Shqipëri. Dhe lidhja telefonike u realizua.

 

Në anën tjetër të linjës, shumë kilometra larg, në një vend të huaj, një grua spanjolle nuk arriti të vinte menjëherë në telefon. Lotët nuk e linin të fliste. U vendos që të telefononin përsëri të nesërmen në mëngjes.

 

Dhe kështu, përmes një teli telefoni, tri motra, pas kaq shumë vitesh, u ndien përsëri të bashkuara, si dikur, në kohët e vjetra.

 

— Cilat ishin fjalët e para që ju tha motra juaj?

 

— Në një spanjishte të përkryer na tha se sapo ishte bërë gjyshe për herë të dytë. Vajza e saj, Dolores, kishte sjellë në jetë një vajzë atë natë.

 

— Po flet zonja María : «I thashë që t’i vinin foshnjës emrin tim dhe se unë doja të isha kumbara. Dhe ashtu bënë.»

 

Zonja Fidelia ndërhyn në bisedë :

 

— Djali i motrës sime, Ulusi, ia vuri vajzës së tij emrin tim. Ishte një bekim, një dhuratë nga qielli. Mendoni vetëm pas kaq shumë vitesh, të mund të flisnim përsëri me të! Ajo që ndjemë të gjithë në këtë shtëpi nuk përshkruhet me fjalë. Tani jemi qetësuar disi, por atëherë…

 

— A keni menduar të shkoni ta vizitoni motrën tuaj në Shqipëri?

 

— Sigurisht. Kemi bërë gjithçka që ishte e mundur. I kemi pasaportat dhe gjithçka është gati. Por nuk na kanë dhënë vizën e hyrjes.

Kjo është Vicenta, spanjollja e vendosur në Shqipëri. — Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.

— Po të supozojmë se do të mund të arrinit në Tiranë dhe do të kishit vetëm disa orë për t’u takuar me motrën tuaj në aeroport… a do të shkonit?

 

— Po. Edhe sikur të ishin vetëm disa orë. Ne e dimë se një kompani ajrore italiane fluturon një herë në javë nga aeroporti i Romës për në Shqipëri. Gjithashtu dimë se gjatë verës ka më shumë mundësi udhëtimi. Nëse do të na lejonin të prisnim në aeroport dhe ajo të mund të vinte nga fshati ku jeton, ne do të ishim atje. Gjithçka që duam është ta shohim.

 

Dhe albumi i kujtimeve, ai album i rregulluar me shumë kujdes nga zonja Fidelia, hapet edhe një herë. Në të ndodhen fotografitë e atyre që jetojnë kaq larg, të renditura sipas datave në një rend kronologjik të përpiktë.

 

— Po motra juaj Vicenta, a nuk mund të dalë nga Shqipëria?

 

— Duket se jo. Kur folëm në telefon, na thanë se nuk mundej. Meqë ne nuk mund të shkonim në Tiranë, menduam që ajo të vinte në Romë dhe të kalonim disa ditë bashkë. Por na thanë se kjo nuk ishte e mundur ; se duhej të ishim ne që të shkonim ta takonim. Dimë se gjatë verës ka më shumë lehtësi. Në këta muaj të vitit është më e vështirë. Megjithatë, ne vazhdojmë të bëjmë përpjekje përmes kësaj kompanie italiane, me shpresën se nga Roma do të mund të na ndihmojnë. Nuk duhet humbur shpresa. Do ta shohim motrën tonë, pavarësisht çdo sakrifice.

 

Dhe me sytë nga Lushnja, ai qytet pranë Tiranës, që është bërë kaq i rëndësishëm për këto motra spanjolle, zonja María dhe zonja Fidelia ëndërrojnë ditën kur do të mund të hyjnë në Shqipëri.

 

Xavier RODRIGO

(Foto : Boutellier.)

 

“Nuk luftojmë me flamurin grek”, refuzimi i çamëve parapriu provokacionin! Kurthi i Enver Hoxhës më 1949-ën dhe si shpëtuan ata nga një masakër tjetër

HYQMET ZANE

PARATHËNIA E NJË PROVOKACIONI

Janë shkruar dhe u shkruajtën shumë fjalë nga analistë dhe njerëz të medias për të ashtuquaturin “provokacionet greke të 2 gushtit 1949”. Por asnjëherë nuk u tha dhe nuk u shkruajt se para se të ndodhte ai provokacion që kërkohej të shkelej kufiri shqiptar, qeveria e Enver Hoxhës i bëri një presion të rëndë popullatës çame që kishte ardhur në Shqipëri pas genocidit që bënë grekët ndaj Çamërisë. E them jo vetëm unë, por edhe studiues të historisë këtë sepse ka disa të vërteta të hidhura që ka bërë me sjelljet e saj qeveria komuniste shqiptare e kohës që ishte nën presionin e orientimeve të këshillëtarëve jugosllavë të atashuar pranë PKSH. U përdorën krerë, intelektualë çamë që ishin të lidhur me luftën dhe frontin e ashtuquajtur nacional- çlirimtar dhe me bindje komuniste, kryesisht nga Filati, që t’u bënin thirrje çamëve që të bëheshin palë me komunistët grekë për të luftuar kundër nacionalistëve grekë që ishin autorët e masakrave në Çamëri.

GRACKA PËR ÇAMËT

Sipas të thënave nga dëshmitarë okularë dhe trashëgimtarë të prindërve tanë, por dhe historive që tashmë dihen, burrat çamë nuk e pranuan ftesën që të shkonin të luftonin me flamur grek me premtimin se po të fitonte EAM-i do të ktheheshin në Çamëri?! Çamët në tërësi nuk e pranuan dhe në kinematë e ndryshme në qytetet ku ishin vendosur çamët që nga Tirana e ne Vlorë e Durrës, në Elbasan e Peqin, e me tej u bënë sherre dhe u bënë zënie të egra me drejtuesit e këtyre takimeve. Nga popullata çame thuhej me të drejtë se “ne nuk luftojmë me flamur grek, pro me flamurin kuq e zi se jemi shqiptar” e të tjera. Ky ishte një atentat nga ana e qeverisë shqiptare që me këshilltarët vllehë si Nesti Kerenxhi e të tjerë si Koçi Xoxe dhe që bëri që burrat çamë të burgoseshin dhe internoheshin në Llozhan dhe Maliq të Korçës. Ngjarja u cilësua si pabesi nga ana e qeverisë shqiptare që donte të përdoret çamët si mish për top tek grekët. Zgjuarsia e burrave çamë bëri që të shpëtonin nga një masakër tjetër. Vepra të tilla ndaj çamëve edhe nga grekët u bënë edhe më 1940 me internimet e burrave nga gjithë trevat e Çamërisë që i çuan për t’i vdekur në ishujt e Hio e Midilin kur Italia sulmoi Greqinë. Këto “atentate” dëmtuan rëndë dinjitetin e shqiptarëve të Çamërisë që u cilësuan të “pabesë” pse nuk pranuan të bëheshin therror për grekët në luftën civile në Greqi dhe në provokacionet e 2 gushtit 1949.

PAK HISTORI

Njëri prej ngjarjeve të kohës në Ballkan ishte Provokacioni i Vidohovës, i datës 2 gusht të vitit 1949, një përplasje e armatosur në kufirin juglindor të Shqipërisë, e lidhur ngushtë me fazën përfundimtare të Luftës Civile (1946–1949), ku ishte përfshirë Greqia, si një luftë e përgjakshme midis ushtrisë qeveritare, të mbështetur fillimisht nga Britania e Madhe dhe më pas nga Shtetet e Bashkuara në kuadër të Doktrinës Truman, dhe Ushtrisë Demokratike të Greqisë (DSE), të drejtuar nga komunistët. Lufta nuk zhvillohej vetëm brenda kufinjve grekë. Kufijtë me Shqipërinë, Jugosllavinë dhe Bullgarinë kishin një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike. Terreni malor i Gramozit dhe Vicit lejonte lëvizje të shpejta të forcave guerile, furnizime dhe tërheqje drejt vendeve fqinje. Në verën e vitit 1949 ushtria qeveritare greke kishte nisur ofensivën përfundimtare kundër forcave komuniste në malet e Gramozit. Në këtë klimë, Athina ishte e bindur se baza kryesore e mbështetjes së rebelëve ndodhej në territorin shqiptar. Në këtë sfond ndodhi incidenti i Vidohovës, pranë Bilishtit.

INCIDENTI I VIDOHOVËS

Më 2 gusht 1949, njësi të ushtrisë greke kaluan kufirin shqiptar në sektorin e Vidohovës gjatë operacioneve kundër forcave të DSE-së. Burimet shqiptare të kohës e cilësuan ngjarjen si një agresion të mirëfilltë kundër sovranitetit të vendit, ndërsa literatura ndërkombëtare e lidh atë me ndjekjen e forcave komuniste pranë kufirit dhe me tensionet e krijuara nga mbështetja që Shqipëria u jepte atyre. Sipas dokumenteve ushtarake shqiptare, rezistenca ishte e organizuar dhe vendimtare. Forcat greke u detyruan të tërhiqeshin përtej kufirit pas përleshjeve që shkaktuan humbje nga të dyja palët. Numri i saktë i viktimave ndryshon sipas burimeve dhe mbetet objekt diskutimi historik, por nuk ka dyshim se bëhej fjalë për një nga incidentet më serioze kufitare të pasluftës. Ushtria greke në këtë sulm frontal kundër Shqipërisë kishte vënë në dizpozicion mbi 70 mijë forca të armatosura, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 topa gjuajtës, ndërsa në vijën e mbrojtjes së Shqipërisë tonë u mobilizuan direkt në luftime rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë që u mbajtën rezervë në gatishmëri rreth 30 mijë trupa pranë vijës greke të sulmit. Nga trupat greke mbeten të vrarë në tokën shqiptare 300 ushtarë, 500 të plagosur dhe 270 robër. Sipas botimeve në shtyp, prej datës 2 gusht, deri në orën 12.00 të datës 15 gusht 1949, mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë shqiptarë dhe u plagosën 127 të tjerë. Pak javë më vonë, në fund të gushtit 1949, Lufta Civile Greke përfundoi me disfatën e Ushtrisë Demokratike. Atëherë nisi një tjetër dramë.

DYNDJA E GREKËVE

Mijëra luftëtarë dhe civilë grekë kaluan kufirin shqiptar për t’i shpëtuar ndjekjes së ushtrisë qeveritare. Sipas studimeve historike, rreth 10–12 mijë luftëtarë të DSE-së dhe civilë hynë në Shqipëri në fazën përfundimtare të luftës, ndërsa në shkallë rajonale dhjetëra mijëra të tjerë u strehuan edhe në Jugosllavi, Bullgari dhe vendet e bllokut lindor. Nga Shqipëria, një pjesë e madhe e tyre u transferuan më pas drejt vendeve të Evropës Lindore dhe Bashkimit Sovjetik. Provokacioni i Vidohovës mbeti për dekada një nga simbolet e gatishmërisë së ushtrisë shqiptare për mbrojtjen e kufirit. Në historiografinë shqiptare të periudhës socialiste ai u paraqit si një fitore e rëndësishme ushtarake kundër një agresioni të jashtëm. Studiuesit bashkëkohorë, duke përdorur dokumente shqiptare, greke, britanike dhe amerikane, e shohin ngjarjen në një kontekst më të gjerë: si pasojë e drejtpërdrejtë e Luftës Civile Greke dhe e përplasjes së madhe ideologjike që po ndante Evropën në dy blloqe.

DOKUMENTET USHTARAKE

Burimet greke, sidomos dokumentet ushtarake dhe diplomatike të kohës, nuk e paraqesin hyrjen në territorin shqiptar si një agresion të planifikuar për pushtim, por si një domosdoshmëri ushtarake të diktuar nga Lufta Civile Greke.

ARGUMENTET KRYESORE TË TYRE JANË:

1. Shqipëria ishte bazë e Ushtrisë Demokratike Greke (DSE). Sipas Athinës, forcat komuniste greke përdornin territorin shqiptar për t’u furnizuar me armë, municione, ushqime, kujdes mjekësor dhe për t’u tërhequr pas operacioneve. Për qeverinë greke kjo përbënte ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Shqipërisë në luftën civile. Kjo tezë mbështetet edhe nga dokumente diplomatike amerikane dhe britanike të vitit 1949.

2. “Ndjekja e armikut”. Shtabi i Përgjithshëm grek argumentonte se, gjatë luftimeve në Gramozs dhe Vitsi, repartet komuniste kalonin kufirin dhe strehoheshin në Shqipëri. Sipas këtij interpretimi, njësitë greke hynin përkohësisht në territorin shqiptar për të vazhduar ndjekjen e forcave guerile dhe jo për të pushtuar Shqipërinë.

3. Pretendimi për zjarr nga territori shqiptar. Më 4–6 gusht 1949, komunikatat ushtarake greke deklaronin se repartet e tyre ishin goditur me artileri dhe armë automatike nga territori shqiptar dhe se kishin pësuar të vrarë e të plagosur. Për këtë arsye, Athina argumentonte se kishte të drejtë të përgjigjej ushtarakisht.

4. Mohimi fillestar i shkeljes së kufirit. Në ditët e para të incidentit, komunikatat zyrtare greke mohuan akuzat shqiptare për depërtim në territorin e Shqipërisë dhe këmbëngulën se operacionet zhvilloheshin në territor grek. Megjithatë, dokumentet diplomatike britanike dhe amerikane të kohës tregojnë se ekzistonte shqetësimi real se ushtria greke mund të hynte ose kishte hyrë në territorin shqiptar gjatë operacioneve kundër DSE-së.

GUERILASIT KOMUNISTË

Nga këndvështrimi grek, operacioni ishte një veprim i imponuar nga nevojat e luftës kundër guerilasve komunistë, ndërsa nga këndvështrimi shqiptar ishte një agresion ndaj integritetit territorial. Dokumentacioni i sotëm tregon se incidenti nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të Luftës Civile Greke dhe fillimeve të Luftës së Ftohtë, kur kufiri shqiptaro-grek ishte shndërruar në një vijë përballjeje midis dy blloqeve. Vetëm kështu mund të kuptohet plotësisht një episod që nuk ishte thjesht një incident kufitar, por pjesë e historisë së trazuar të Ballkanit në fillimet e Luftës së Ftohtë.

EPILOG

Forcat shqiptare që u bënë mbështetje për komunistët grekë, ishin ata që 5 vite më parë, kur ndodhi masakra greke mbi Çamërinë, edhe pse Enver Hoxhës i thanë se në Çamëri po ndodhgte një masakër, ai si një filoserb e filo grek urdhëroi mbylljen e kufitit në gushtin 1944, në kohën kur popullata e pafajshme çame po kërkonte të hynte në Shqipëri, duke lënë në mëshirën e fatit këtë popullatë. Edhe ndihma e qeverisë shqiptare pas çlirimit (nëse mund të quhej çlirim) ka qenë një injorim i plotë dhe ata që e ndihmuan këtë popullatë të strehohej ishte popullata atdhetare sqhipatre. Rreth 3 mijë banorë çamë që u vranë në Çamëri që nga bandat e andartëve të Napoleon Zervës, po aq u vdiqën brenda kufirit sdhqiptar nga mosndihma e qeverisë shqiptare, edhe pse UNRRA kishte dhënë miliona ndihmë për këtë popullatë. Historia flet me fakte se sjellja e qeverisë shqiptare ndaj popullatës çame ka qenë injoruese dhe si atentate ndaj edhe atyre që kishin luftuar kundër nazifashizmit si në Greqi edhe në Shqipëri. Kjo më jep të drejtën të them se pabesia e qeverisë shqiptare ndaj popullatës çame ka qenë e orientuar nga vllaho – grekët që kishin poste kuçe në kupolën komuniste.

/Gazeta Panorama 

“Ne asnjëherë s’kemi pasur simpati për shqiptarët, i kemi luftuar të gjitha kërkesat e tyre për krijimin e shtetit të pavarur…”- Zbulohet raporti i funksionarit të ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë më 1939

Nga Isuf B. Bajrami/ E trajtuar si një domosdoshmëri objektive, nga realizimi i së cilës do të varej suksesi i luftës për çlirimin nga sundimi osman e për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut, ideja e unitetit politik dhe luftarak të popullit shqiptar u përpunua nga iluministët tanë të shquar gjatë gjithë Rilindjes, u vu në qendër të kësaj epoke dhe u bë pjesë e pandarë e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Rruga e popullit shqiptarë drejt bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të pavarur pati pa dyshim veçoritë e veta, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës, të kushtëzuara nga rrethanat historike, ekonomiko-shoqëror dhe nga ato politike, të brendshme e të jashtme.

Këto ishin pikëpamje përparimtare dhe mbeten gjithnjë të freskëta, shërbejnë si dëshmi për të kundërshtuar si koncepte antishqiptare të atyre “studiuesve” të huaj, të cilët ndarjen e shqiptarëve në tri fe e interpretonin si ndarje “në tri grupe”, për çdo njërën nga të cilat feja na paska qenë ”një flamur kombëtar”, ashtu edhe shtrembërimet që propaganda, duke ringjallur konceptet mesjetare halifatiste dhe patriarkiste,i bënë në ditët tona gjendjes së sotme të kombit shqiptar.

Përpjekjeve të jashtëzakonshme të rilindësve u kushtohet ai bashkim politik i popullit shqiptar, pa dallim feja e krahine, që u realizua në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881)dhe u ruajt gjatë gjithë Rilindjes. Vendimet e Lidhjes dhe gjithë veprimtaria e saj, vinte në dukje Sami Frashëri më 1878, ”ishin frymëzuar nga patriotizmi, atdhedashuria…dhe mbështeteshin në parimin e kombësisë dhe jo në fanatizmin fetar”. (“Terxhumani Shark”, 17/19 qershor 1878, nr.81, fq.3). Ky bashkim i shqiptarëve i të tri besimeve ishte rrënjosur thellë në ndërgjegjen e kombit shqiptar, ishte një e vërtetë e pohuar edhe në dokumentacionin e huaj bashkëkohës.

Në relacionet që funksionarët e administratës osmane në Shqipëri i dërgonin Portës së Lartë prandaj se midis myslimanëve shqiptarë, që përbënin shumicën e popullsisë, dhe të krishterëve ekzistonte një bashkim me tradita të lashta e që i ka qëndruar kohës, se ky unitet do t ë vazhdojë edhe në të ardhmen. Këtë bashkim të shqiptarëve të të tri besimeve funksionarët osmanë ua atribuonin devotshmërisë kombëtare dhe patriotizmit të shqiptarëve, të cilët, siç theksonin ata, ishin aq të fortë, sa që ndryshimet në fe nuk mund t’i dobësonin aspak. (K. Prifti; Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881, Tiranë, 1978, dok.40.).

Është i njohur kontributi që dha në luftën kundër reaksionit klerikal për bashkimin kombëtar të popullit shqiptar një brez i tërë atdhetarësh,në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX, i përbërë nga Jani Vreto, Shahin Kolonja, Fan Noli, Aleksandër Drenova, Çajupi, Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Bajram e Çerçiz Topulli, Dervish Hima, Mihal Grameno, etj., të cilët, duke ecur në hullinë e hapur nga Lidhja e Prizrenit dhe themeluesit e saj, demaskuan në shumë artikuj, botuar në shtypin patriotik të kohës, veprimtarinë përçarëse të klerit të të tri besimeve. Në pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, lufta kundër ndasive fetare, të mbjella nga kleri, zinte një vend po aq të rëndësishëm sa edhe qëndresa kundër sunduesve osmane dhe armiqve të tjerë të jashtëm. Klerin ata e shihnin si një armik po aq të rrezikshëm sa edhe Perandorinë Osmane.(“Kombi”, Boston, nr. 58, 25 tetor 1907).

Lufta e gjithanshme e rilindësve për demaskimin e reaksionit klerikal ishte një faktor i rëndësishëm politik në lëvizjen kombëtare, që dha frytet e tij për forcimin e unitetin të popullit shqiptar. Ndonëse i shkaktuan pengesa Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sunduesit osmanë dhe fuqitë e tjera të huaja, përballë forcës së bashkimit të shqiptarëve, nuk arritën t’i përçajnë e t’i hedhin ata në luftë me njëri-tjetrin. Sikurse vinte në dukje me kënaqësi Pashko Vasa, ndërmjet shqiptarëve mysliman dhe atyre të krishterë nuk ka pasur kurrë “hasmëri të rrënjosur as edhe armiqësi shekullore”, se “ndryshimet fetare s’kanë qenë shkak për t’i shtypur në përçarje” (P. Vasa, vep e cituar, fq. 91.).

Është një e vërtetë e provuar historikisht, që nuk i ka shpëtuar vështrimit të Sami Frashërit, se shqiptarët “nuk kanë njohur ato grindje, luftëra fetare, masakra të mëdha e të tmerrshme që kanë ndodhur” jo vetëm në vendet e Lindjes, por edhe “në vendet e qytetëruara të Evropës” (Sami Frashëri; Shqipëria ….,fq. 45-46.).

Mungesa e një fanatizmi të tillë fetar, që Jani Vreto në Apologjinë e vet ua atribuonte shqiptarëve të të gjitha besimeve e sidomos atyre myslimanë (Jani Vreto, Vepra të zgjedhura, Tiranë, 1973, fq.225), zotërimi tek ata i ndjenjës kombëtare mbi atë fetare, përbënin për rilindësit, dhe jo vetëm për ta, por edhe për gjithë lëvizjen që u zhvillua edhe më pas, për bashkimin e të gjitha forcave të kombit shqiptar në luftën për çlirimin kombëtar dhe mbrojtjen e pavarësisë së vendit.

Shpallja e Pavarësisë dhe formimi i shtetit kombëtar me 28 nëntor 1912 përbën një ngjarje të shënuar që do të mbetet e paharruar në historinë e kombit tonë,jo vetëm për nga rrjedhimi që pati për të ardhmen, por edhe për forcën e bashkimit politik të shqiptarëve përballë pushtuesve të rijnë e tepër të rrezikshëm ballkanas. Ajo ishte vepër e mbar popullit shqiptar dhe e qindra atdhetarëve që vepronin në gjirin e tij. “Në emër të gjithë popullit, mysliman e të krishterë, në emër të gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, shpalli Pavarësinë, më 25-28 nëntor 1912, nën grykën e pushkëve dhe të topave të ushtrive pushtuese” (Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj. Tiranë, 1963. dok. 3,6-9,11,13).

Vetë Kuvendi i Vlorës, që shpalli pavarësinë dhe formoi Qeverinë e Përkohshme si nga përbërja e tij ashtu edhe nga vendimet që mori, kishte një karakter mbarëshqiptar, shprehu aspiratat shekullore të të gjithë kombit për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar. Pjesëmarrja në të e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ishin pushtuar nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha këtij Kuvendi karakterin e një Asambleje Kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi dëshmi e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për të formuar një shtet unik, në të cilin të përfshiheshin të gjitha viset e banuara prej tyre.

Këtë vendosmëri shqiptarët e Kosovës, të Shkupit e Dibrës dhe të viseve të tjera, të udhëhequr nga një bërthamë unike ushtarako-politike të përbërë nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Sali Gjuka, Ramadan Zaskoci, Isuf Xhelili, etj., e shprehën jo vetëm me delegatët që dërguan në Kuvendin e Vlorës,por edhe me qëndresën e pashembullt që u bënë kudo,ushtrive serbo-malazeze, të cilat u dyndën në trojet shqiptare.

Këto nuk ishin beteja thjesht lokale, për mbrojtjen e qyteteve të Kosovës, por një qëndresë që bëhej për ruajtjen e tërësisë së gjithë truallit shqiptar ose, siç shpreheshin atdhetarët në deklaratën dërguar Fuqive të Mëdha në tetor 1912, për t’i dalë zot tërësisë tokësore të Shqipërisë”, “për t’i parë trojet shqiptare të bashkuara, me një formë të qeverisuri e sundimi politik” (Akte të Rilindjes…, dok. 169).

E parë nga pikëpamja e kontributit që dha në bashkimin kombëtar të popullit shqiptar, qeveria e Ismail Qemalit zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit tonë. Me krijimin e saj dhe të vetë shtetit kombëtar, shqiptarët siguruan atë qendër udhëheqëse që u kishte munguar prej rreth pesë shekujsh, e cila, siç shprehej shtypi patriotik, ”do të bashkonte nën flamurin e Shqipërisë gjithë popullin shqiptar” (A. Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Tiranë, 1978, fq. 126-127, ”Liri e Shqipërisë”, Sofje, 22.07.1913).

Ndonëse nuk pati jetë të gjatë, Qeveria e Vlorës dhe forcat patriotike që u grumbulluan rreth saj, zhvilluan një veprimtari të dendur, dolën të bashkuara si brenda vendit, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar, kundrejt lakmive pushtuese të monarkive fqinje dhe vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve që u mbajt në Londër më 1912-1913. Qeveria e Përkohshme i kundërshtoi vendimet e Konferencës së Londrës, sepse ato binin ndesh me aspiratat e ligjshme të shqiptarëve, të cilët, siç theksohej në deklaratat e kësaj Qeverie, si”grupimi etnik më kompakt dhe më homogjen në Gadishullin Ballkanik “, kishte të drejtë të formonin shtetin e tyre të bashkuar,sepse ato vendime nuk merrnin parasysh parimin e kombësisë, por e zëvendësonin atë me” të drejtën e luftës e të pushtuesit”.

Në viset e pushtuara nga ushtritë serbe protesta kundër vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës u shoqërua me kryengritjen kundër zgjedhës serbo-malazeze që shpërtheu në Dibër në shtator të vitit 1913, u shtri gjatë muajit tetor në Ohër,Srugë,Tetovë,në Malësinë e Gjakovës, në Prizren e në vise të tjera të Kosovës. Në thirrjet drejtuar Fuqive të Mëdha, më 15 tetor 1913, kryengritësit dibranë e kosovarë ngritën zërin kundër krimeve të ushtrisë serbo-malazeze, që mbyti në gjak fshatrat shqiptare, i ktheu ato në krematoriume, ku u dogjën për së gjalli qindra gra e fëmijë, dhe kërkoi nga Evropa si mjet shpëtimi “t’u jepte të drejtën të rronin të lirë në atdheun e tyre të njëshëm” (Qeveria e Përkohshme e Vlorës…, dok. 322, shih edhe D. Tucoviç, Serbia dhe Shqipëria, Prishtinë, 1968, fq. 82-84).

Kryengritja e shtatorit të vitit 1913, ishte shkëndija e parë e asaj lëvizjeje masive që do të zhvillohej, në vitet 1918-1925, në Kosovë e në viset e tjera të aneksuara nga Jugosllavia, nën drejtimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Lufta e popullit tonë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe për bashkimin kombëtar nuk ka cenuar kurrë ndonjëherë të drejtat e popujve të tjerë të Ballkanit. Ismail Qemali dhe atdhetarët shqiptarë i quanin bashkatdhetarët e tyre nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe për të siguruar bashkimin e plotë kombëtar.

Por ata nuk mund të pranonin që kjo luftë të bëhej në dëm të shqiptarëve, duke penguar bashkimin e tyre kombëtar dhe duke gjymtuar rëndë trojet e popullsinë e tyre, duke masakruar e shpërngulur nga vatrat amtare qindra mijëra shqiptarë. ”Zgjidhje” të tilla të çështjes kombëtare në Ballkan, të cilat mbrohen e përligjen edhe nga historiografia e sotme e vendeve fqinje, u imponuan, nga “interesat e borgjezisë” dhe interesat” dinastike”të monarkive ballkanase, si edhe nga borgjezia reaksionare, imperialiste e Evropës që “nxit shovinizmin dhe armiqësinë kombëtare”, midis popujve.

Ishte Serbia dhe monarkitë e tjera ballkanike fqinje që pa u kënaqur me cungimin e rëndë që u bënë trojeve shqiptare në Konferencën e Londrës, më 1913, u orvatën me forca ushtarake e mjete diplomatike të likuidonin qysh në embrion shtetin e pavarur shqiptar. Në sintezë të politikës së Serbisë dhe të Jugosllavisë që u krijuan më pas, e cila i përshtatet edhe qëndrimit të monarkive të tjera ballkanike, ka dhënë funksionari i Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë, Ivan Vukotiçi, në raportin, dërguar qeverisë së tij në vitin 1939.

”Ne, -shkruante ky, -asnjëherë nuk kemi pasur simpati për ta (kupto: për shqiptarët)…Në kombinacionet tona politike dhe diplomatike, si edhe në politikën tonë diplomatike, si edhe në politikën tonë Ballkanike, ne vazhdimisht kemi synuar të luftojmë të gjitha kërkesat shqiptare për krijimin e shtetit të pavarur, thjeshtë për arsye se ky shtet mund të themelohej vetëm kundër nesh dhe kundër synimeve tona kombëtare” (B. Krizman, Studim i Dr. Ivo Andriçit mbi Shqipërinë në vitin 1939. Në ”Qasopis za Sovremenu Povijest”, Zagreb, Godina IX, 1977, nr.2(24)).

Rreziku i copëtimit përfundimtar i kombit tonë, i zhdukjes së shtetit të pavarur shqiptar, që u shfaq me gjithë forcën gjatë Luftës së Parë Botërore, e sidomos në punimet e Konferencës së Paqes të Parisit, të viteve 1919-1920, mund të kërcënohej vetëm në qoftë se shqiptarët do të dalin para saj si një popull i bashkuar e kompakt me qeverinë e tyre, e cila do ta përfaqësonte zyrtarisht shtetin shqiptar.

Marrëveshja që arritën në këtë Konferencë, më 13-14 janar 1920, përfaqësuesit e Anglisë, të Francës e të Italisë për copëtimin e Shqipërisë, midis Italisë, Greqisë dhe të Jugosllavisë, sipas klauzolave të Traktit të Londrës të 26 prillit të vitit 1915, shkaktoi një shqetësim të madh e të ligjshëm në mbar popullin shqiptar, i dha një shtysë të re e të fuqishme forcave të ndryshme shoqërore të vendit e të afroheshin me njëra-tjetrën, të forconim unitetin politik dhe të thërrisnin në janar të vitit 1920 Kongresin e Lushjës.

Ky ishte një kuvend mbarëshqiptar, siç thuhet në dokumentet e tij, fryt i “përfundimit të një marrëveshje të përgjithshme e të gjitha viseve të Shqipërisë”, që mori përsipër detyrën e “forcimit të bashkimit e vëllazërimit ndërmjet shqiptarëve, për tu siguruar vetëqeverimin e plotë të Shqipërisë dhe unitetin e gjithë shqiptarëve” (M. Çami; ”Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar (përmbledhje dokumentesh), Tiranë, 1976, vëllimi II-të dok.1).

Ajo që karakterizoi Kongresin e Lushnjës dhe Qeverinë Kombëtare e Sulejman Delvinës, ishte bashkimi rreth saj i të gjitha forcave patriotike të popullit dhe i trojeve shqiptare. ”Asnjëherë në historinë e vet, – deklaronte në atë ditë Aqif Pashë Elbasani, – kombi shqiptar nuk ka qenë i bashkuar si është sot, me një dëshirë të patundur që të ketë qeverinë e vet, pas formulës ”Shqipëria për shqiptarët “(Po aty, vëllimi II-të dok. 89 ).

Në një kohë me përpjekjet që bëri në rrafsh ndërkombëtar, pranë Konferencë së Paqes së Parisit, kundër traktativave për copëtimin e Shqipërisë midis tri shteteve fqinje dhe për pavarësinë e plotë të vendit, qeveria e re, e vendosi në Tiranë në shkurt të vitit 1920, vazhdoi me konsekuencë veprën e nisur nga Ismail Qemali; bashkoi njëra pas tjetrës viset e ndryshme të atdheut.

Por u desh të çlirohej edhe Vlora me krahinën përreth, që kishte mbetur ende nën pushtimin Italian, të derdhej gjaku i qindra luftëtarëve të tjerë që të kryhej vepra e bashkimit kombëtar. Lufta për çlirimin e Vlorës ka hyrë në historinë e Shqipërisë si një epope e lavdishme, në të cilën u shfaq me tërë madhështinë e saj forca e unitetit të popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Shtypi shqiptar shkruante në ato ditë” Lufta e Vlorës është një çështje e përbashkët e lidhur me jetën e Shqipërisë; (“Populli”, Shkodër, 17.07.1919, “Drita”, Gjirokastër, 16.06.1920 dhe 31.07.1920).

Në betejat e përgjakshme e të pabarabarta që u zhvilluan në qershor-korrik të vitit 1920 kundër një ushtrie të shumtë në numër e të armatosura deri në dhëmb, në Drashovicë, në Kotë, në Kaninë, në Gjormë, Llogara, Tepelenë e brenda në Vlorë, bashkë me fshatarët e qytetarët e këtyre viseve që përbënin bërthamën kryesore të forcave shqiptare, ishte përfshirë një komb i tërë, i gjithë Shqipëria, mijëra vullnetar nga të gjitha anët e vendit, jo vetëm nga krahinat e afërta të Beratit e Gjirokastrës, por edhe nga Tirana, Elbasani, Korça, Peqini, Kavaja, Shijaku, Kruja, Mati, Dibra, Gramshi, etj. (Lufta e popullit shqiptar…, vëllimi II-të, dok. 323).

Ishin kompaktësi, uniteti i veprimit, guximi, patriotizmi i zjarrtë, që populli shqiptar shfaqi në luftën e armatosur të Vlorës, ata faktorë që bënë të pavlefshëm Traktatin famëkeq të Londrës të 26 prillit 1915, si dhe projektet antishqiptare të Konferencës së Paqes, ata faktorë që ruajtën shtetin e pavarur shqiptar në kufijtë e vitit 1913.

Ndonëse i takojnë një periudhe disi të largët, këto projekte të atdhetarëve shqiptar për bashkimin kombëtar, mbajnë gjithnjë një theks aktual. Me jehonën që rrezatuan në periudhat pasardhëse,me gjurmët e pashlyeshme që lanë në mendimin politik dhe në veprimtarinë praktike të lëvizjes demokratike e asaj revolucionare të mëvonshme, ato përbëjnë një trashëgimi të vyer, e cila, kaloi brez pas brezi si një mësim e testament i madh, që historia e kaluar i la së tashmes e të së ardhmes të popullit tonë. Memorie.al

Dokumentet që sfidojnë historinë zyrtare! Ramize Gjebrea dhe dosjet e fshehta! Përplasjet me Dushan Mugoshën, debati për Kosovën dhe fundi tragjik! Çfarë zbulojnë arkivat

KASTRIOT KOTONI

PJESA E DYTË

 

Ministria e Arsimit udhëzon gjithë shkollat e Tiranës: Ministria dëshiron që dita e 28 nëntorit të kremtohet me entuziazëm e disiplinë. Në mbarim të manifestimit nxënësit do të largohen me rregull nga sheshi i Bashkisë dhe do të drejtohen në shkollat e s’do të lejohen manifestime të tjera, as këngë në rrugët e qytetit. Si përherë në ballë të qëndresë demonstruese antifashiste ishte Gjebrea, e cila “trimërinë e kish të shkruar në ballë, e para në krye të aksioneve e demonstratave antifashiste”. Drejtori i Policisë fashiste i shkruan Kryesisë Këshillit të Ministrave, Ministrisë Brendshme e Ministrisë të Arsimit: “Pasdite më 16 të vazhduesit (shkurt) në ‘Nëna Skënderbeg’ janë krye akte mosdisipline të cilat grumbullue nën hajat të këndojshin hymne komëtare dhe tue marrë krejtësisht sjellje sulmuese penguen daljen e dy profesorave nga Instituti duket se njërin e rrahën e me shputa.” Fajtorët për rrahjen e profesoreshës e manifestimin para Minstrisë së Arsimit në mbrojtje të shoqeve të tyre për ulje note në sjellje në 6 ndaheshin në dy kategori: 1) Fajtore për rrahjen e profesores Tedesco; 2) fajtore të shtyra nga “elemente turbulluese të jashtëm” që për moshë ishin të papërgjegjshme para ligjit. Të gjitha ishin shoqe të ngushta të Ramizesë, e cila i nxiti të këndonin këngët patriotike dhe ishte ajo organizatorja ose “elementi turbullues”.

Në përkujtim të 7 prillit, u organizua demonstrata e fundit në Tiranë nga Qarkori i Rinisë Antifashiste. Me organizimin e demonstratës më shumë u mor vetë Ramizeja. Në ballë të demonstratës ishin vajzat, me mendim se fashistët ishin disi më të rezervuar për dhunë ndaj tyre, por që në realitet fashistët vunë dorë dhe vajzat u kacafytën dhe u përleshën me ta, kështu e kujton njëra nga pjesëmarrëset e kësaj demonstrate Naxhije Dume këtë fakt në revistën “Shqiptaria e re.” Gjebrea e vetme femër guerilase dhe në formatin e një prej guerilasve më me emër në Tiranë, si anëtare e njësitit gueril me Mihal Durin e Misto Mamen të cilët morën pjesë në aksionin e rrëmbimit të shtypshkronjës (pedalinë) Gutenberg.

Ramize Gjebrea delegate në Konferencën e Pezës sipas Rezolucionit të Konferencës: “Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave dhe rrymave politike. Përfaqësues të nacionalizmit shqiptar, të Partisë komuniste, të Rinisë Komuniste e të Rinisë Femërore Popullore Shqiptare, të udhëhequr nga qëllimi i shenjtë i çlirimit të Shqipërisë.” Në botimet moniste referohet vetëm delegacioni i Rinisë Komuniste dhe asnjëherë delegacioni i Rinisë Femërore Popullore Shqiptare, kësisoj edhe sot në botimet akademike, edhe në publiçistikën e Nexhmije Hoxhës! Ka një arsye të fortë: Nexhmije Hoxha ndjehet keq nën hijen e Ramize Gjebresë në Konferencën e Pezës, e në ndihmë i vijnë historianët e vjetër e të rinj.

Më 17 shtator të vitit 1942 Ramizeja arrestohet, sepse ishte në demonstratën para burgut të Tiranës me gratë dhe rininë shkollore për të mos internuar në Itali të burgosurit politikë. Ramizeja fill nga Konferenca e Pezës organizon protestën me gratë dhe vajzat e rinisë shkollore të Tiranës, përpara dyerve të burgut. Ajo ishte e veshur me rrobat e një nëne tiranase, e maskuar, Gjebrea ishte në krye të turmës. E arrestuan dhe e torturuan për të treguar organizatorët dhe nuk tha asnjë fjalë. Trukoi një mizaskenë me milicin dhe menjëherë doli sërish në ilegalitet, ku nisi të nxirrte gazetën “Kushtrimi i Lirisë” në redaksinë e së cilës bënin pjesë Nexhmije Xhuglini, Ramize Gjebrea, Gjik Kuqali, Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Luan Omari. Gjebrea botoi me pseudonimin “Zala e Kaçanikut. Kur në Buletinin e “Zëri popullit” e ribotoi shkrimin më të bukur shkruar nga Ramizija me pseudonimin Zala e Kaçanikut, më 1985 emri i Ramizesë u hoq dhe u la pa emër që të mos identifikohej me Zala me Ramize Gjebrënë!

Kur Gjebrea ishte në Vlorë marrëdhëniet e saj me “Kushtrimin e Lirisë” u bën akull edhe pse ishte anëtare e redaksisë. I vinin njoftime nga redaksia Zala nuk botohet, mundohu ti afrohesh më tepër stilit të revistës. Kape për brinjësh idenë dhe shtroje mirë në kartë që të mos rrëshqasë nga duart si gjarpër. Mundohu të jesh sa më konçize”. Ishte komunikimi i fundit i Interesantes me “Kushtrimin e Lirisë”, ku ajo ndër të tjera i dërgon mendime kritike redaksisë për revistën “Kushtrimi Lirisë”. Nexhmije Hoxha e konfirmon këtë fakt kur pohon se në “arkivin tim kam një letër të saj (Ramizesë) ku na bën vërejtje” Një temë tepër sensitive është edhe tema e fejesës së Nako Spirut me Ramizenë. Nexhmije Hoxha…Nakoja më tha në konfidencë se ishte në dilemë për të zgjedhur si shoqe jete mes Ramizesë dhe Liri Belishovës të cilat i vlerësonte të dyja nga inteligjenca, vendosmëria etj… Unë duke qeshur i thashë: Nako, mirë bën që pyet kokën por pyet edhe zemrën dhe vendos.. Dhe Nakoja vendosi, i bëri propozim Ramizesë.

Liri Belishova kur është pyetur nga Vasfi Baruti, është përgjigjur se kjo që po më thoni ju, në gojën e Nexhmijes, më çudit shumë! Asnjëherë s’kam kuptuar e ndjerë ndonjë shenjë simpatie të Nakos për mua për kohën që flisni. V.Baruti vijon më tej me komentin e tij, kur thotë se Nakoja mirë bën që pyet Xhuglinin dhe ajo e inkurajon të zgjedhë mes arsyes dhe zemrës dhe Nakoja anon nga e “drejta” e të fortit, udhëheqësit, të verë dorën ku t’i thotë zemra, mjaft të hapë gojë e vajza binte në prehër të tij… Nakoja vendosi. Në fillim Ramizeja hezitoi…S’kaloi” shumë kohë dhe Nakoja me Ramizenë njoftuan udhëheqjen e Partisë për fejesën e tyre. Argumente që lëvizin qasen largohen, diku takohen, sepse shoqet që e njihnin mirë Ramizenë e rrëfejnë se ajo ishte me karakter të fortë, e guximshme, s’bënte pazar me dinjitetin dhe ishte e zonja për zgjedhjen e duhur midis postit të lartë të Nakos dhe harmonisë “shpirtërore” morale fizike.

Sipas dëshmisë së Dashamir Hohrit i cili e kishte dëgjuar bisedën kur ato ishin në shtëpinë e tij, në mes Nexhmijes , Nakos, Ramizesë dhe Motrës së tij, dukej se Ramizeja hezitonte dhe ende nuk po e jepte fjalën “po”. Një fakt, tjetër domethënës është edhe mbledhja e qarkorit të partisë së Tiranës ku ishin edhe Enveri, Gogo e Kozma Nushi, Nexhmija, Ramizeja etj., por Nako nuk ishte. Gogoja tha si e kanë punën Nakoja me Ramizenë? Unë e di se janë të fejuar, është hapur fjalë. Gogoja ndërhyri: pse nuk i kanë deklaruar Partisë fejesën? S’pati ndërhyrje tjetër për të mbështetur mendimin tim thotë Sotir Manushi. Tarasi ndërhyri: Nako është udhëheqës, ma lini mua këtë problem, e zgjidh unë! Më vonë kuptova se Nako kishte mësuar ç’thashë në mbledhje, filloi të rrijë rëndë e s’kaloj muaji dhe e pësova, përfundova në Berat, me të njëjtën detyrë, shprehet Sotir Manushi. Sipas V.Barutit në një dosje të AQSH-së në kapak tepër sekret të shkruar dukshëm dyfjalëshin “Tepër Sekret” dhe brenda është një fletë me shënime të sekretarit të qarkorit të partisë së Tiranës, Gogo Nushi, mbajtur shumë shkurt nga diskutimet të kuadrove shoqe të rinisë komuniste, gati të gjitha me pseudonime, të cilat i shqetësojnë fejesat ilegale të kuadrove komunistë me vajza partizane apo ilegale… Peçe thotë se partizanët ankohen për përgjegjësit e tyre.

Nona, mbi fejesat ilegale. Dhora Leka. -Në rini flitet për këto fejesa, dhe shumë ankohen për këto fejesa ilegale…Thonë se këto fejesa i bën Partia. Flasin se në çeta ka abuzime (imorale) nga përgjegjësit. Puna e Vlorës është marr vesh. Kuadro sevdallinj në parti me “të drejtën” për fejesa ilegale me vajza të zgjedhura e bukuroshe që punonin në ilegalitet dhe “fejesat” bëhen me “ndërmjetësi” të titullarit, “fejesa” mbetej sekret i të “fejuarit” e ndërmjetësit partiak. Dhora Leka si dëshmitare në këtë mbledhje kishte dëgjuar edhe Ramizenë kur ishte në Tiranë, e cila kishte kritikuar (në qarkor) fort fejesat ilegale që bëheshin nga ndonjë jerark i partisë, aty mësuam se Gjebra ishte arrestuar në Vlorë për “dashuri”. Në përfundim: Gjebrea s’mund të bëhej preh e fejesave ilegale. Todi Lubonja, i ri komunist me mjaft influencë në rrethet e rinisë komuniste e antifashiste të Tiranës shprehej për Ramizenë: “Flokë arta Ramize me halle, shoqe e njohur gjerësisht nga rinia e Tiranës akuzonte pa hezitim: “e ç’janë këta anadollakë në krye të Partisë në Vlorë?” Qëndrimi tepër kritik për shokët e Vlorës, i cili nuk mund të jetë lëshuar kështu dosido, e pa e njohur problemet e luftës, por edhe fjala e saj, s’mund të mos ketë shkuar e telekomanduar nga Tirana në Vlorë m’u në vesh të Dushanit dhe porosia e tij: m’a sillni Gjebrenë në Vlorë! Interesantja nuk bën kompromis me të vërtetën, të drejtën, asnjë kompromis me Miladin Popoviçin e Dushan Mugoshën për nacionalizmin patriotik, për Kosovën e Çamërinë; as për kalamendjet e Detit (Nakos), për të fituar nga e “drejta” e të madhit në post, as me Tarasin si gur shahu i Dushanit e Miladinit.

LARGIMI I RAMIZESË

Sipas Vasfi Barutit arsyeja e largimit të Ramizesë (Interesantes) nga Tirana në Vlorë tërhiqej nga zilia e “Delegates” Xhuglinit i bindur se vetëm zilia u mbrujt nga tangente të tjera. Premtimi që dha Tarasi në mbledhjen të Qarkorit u mbajt: zgjidhja s’vonoi, janar 1943 Gjebrea largohej nga Tirana, detyrën ia dorëzoi Liri Belishovës. V.Baruti nxjerr zbuluar Nexhmijen, kur ajo shkruan se Interesantes i jepej detyra sekretare politike e Rinsë Antifashiste të Qarkut të Vlorës, thotë Nexhmije.H, por mban sekret se Gjebrea shkoi në Berat ku qëndroi gjashtë muaj.

Për punën në qarkune Beratit i vetmi burim arkivor është Agenda (Ditari) Gjebrea, nga i cili mbeten pak faqe ditari për qarkun e Beratit. Në fletët e ditarit Gjebra është në punë të përditshme, në veprimtari në shumë fshatra mjaft të largëta, në udhëtim edhe e sëmurë, edhe natën, më 25 qershor mban fjalën e lamtumirës në varrin e R.Aranitasit. Faqe të shumta të ditarit për punën në qarkun e Beratit janë të grisura në ish-arkivin e partisë, dhe mbeten gjurmë memorie bashkëkohësisht teksa e shoqëronin Gjebrenë në Qeparo të Himarës e hedh pakëz dritë për Gjebrenë në fshatrat e thellë të Gramshit. Ka një diskutim kritik për punën e Qarkorit të Rinisë së Tiranës, që përfaqësohej edhe nga Xhuglin. “Ka kontradikta”: Qarkori ka qenë mekanik! Po të jetë ashtu siç thotë shoqja Ramize, nuk do të kishte rezultate përgjigjet Xhuglini.

Në ditët e Konferencës së Zaloshnjes, Gjebrea merr urdhër të nisej në qarkun e Vlorës me detyrë sekretare politike e rinisë antifashiste të qarkut që përfshinte rajonet Vlorë, Kurvelesh e Mallakastër, me mision kryesor punën në terren, hedhja e rinisë në luftë. Siç dëshmon Sotir Manushi i është lutur Nako Spirut që Ramizeja të qëndronte në Berat se, ishte e sëmurë dhe që ai të shkonte në Vlorë në vend të saj, por Nakoja këmbëngulte në Vlorë në Vlorë të shkojë! Dushan Mugosha i kudogjendur në mbledhje partie, rinie komuniste e antifashiste, në protesta, demostrata, shqipfolës i mirë dhe për nga detyra që mban sigurisht ka njohje lidhje pune me Gjebrenë, me emër të madh në aksione, protesta e demostarta antifashiste. Bashkëkohëse e afërt e Ramizesë Vera Tetova kujton se, kishte patur përplasje Mugosha-Gjebrea për Kosovën, e dihet ç’përgjigje merr Mugosha nga Gjebrea. Në qarkun e Vlorës Gjebrea kudo që shkon ndez zjarr patriotik nacionalist: Shqipëria e shqiptarëve! Dhe s’është hamendje por e vërtetë e lexueshme e publikuar në tërë Shqipërinë në prill maj të 44-ës: Trakti për Ramize Gjebrenë i hedhur nga Rinia e Ballit Kombëtar: Qëllimi yt Shqipëria e shqiptarëve” dhe vijon më tej V.Baruti me letërkëmbimin e Ramizesë me Agllai Zoton. Nga Hysoverdhi i Vlorës. Gjebra i dërgon letër të gjatë shoqes së saj Agllai Zotos -”Duhet ta dijë populli dhe të gjithë se ne jemi për luftën Nacional-çlirimtare dhe jo për të prurë rusin ose grekun me serbin këtu.”

Ramizeja për çështjen e Kosvës kishte debatuar edhe me një oficer britanik, siç kujtonte Reiz Malile:-Ramizeja më thosh për një oficer engles me të cilin kishte bërë debat, ndoshta për politikë aleate në qëndrimin ndaj Kosovës apo ishte provokim i tij e debati bëhej problem, i raportohej Shtabit, por sido që vajti puna mbetën miq, anglezi i kërkoi një lloj “falje”. Në një letër që Tarasi i shkruan Detit: -I thuaj Ramizesë: “Kur inglizi është kaq i poshtër, ju është tharë dora atyre shokëve të Vlorës të na bëjnë një raport të imtë mbi punën e tij e manevrat që bën”? Urdhri ishte vetëm një kompetencë e Mugoshës, sepse ai ishte urdhërdhënësi për pjesmarrjen në mbledhje. Një dëshmi tjetër nga ish-komandanti Shefqet Peçi: “Dushani nguli këmbë më shumë për të dënuar Ramizenë. Kjo di unë, pse mbase kishte dashur ta bënte për vete dhe ajo nuk ja kishte varur, sepse për ashtu hante bukë veç dhe i kishte shoqet e rralla ajo.” Më tej vijon V.Baruti në komentin e tij, “kishte dashur ta bënte për vete”, një konstatim që edhe flet qartësisht, por edhe fsheh diçka: Mugosha mëton lidhje intime me Gjebrenë apo ka objektiv politik për çështjen e Kosovës? Mugosha i prirur për të dyja, porse “Gjebrea i kishte shoqet e rralla”. Komandat Shefqet Peçi vlerëson karakterin, moralin e Interesantes, dhe që s’këmben një derhem dinjitet me një OK ar. Niaz Dizdareviçi, misionar i Titos në vendin tonë, një kohë i ngarkuar me rininë antifashiste shqiptare e më pas me ushtrinë tonë, nuk la një dëshmi të drejtpërdrejtë, por një informacion me shumë rëndësi për vitet të luftës “Mugosha me të drejtë apo pa të drejtë ka nënshkruar urdhrin për pushkatimin e shoqes së tij Ramize Gjebrea në zonën e Vlorës…”. Konfliktet politike Gjebrea-Dushan të rrëfyera nga Nako Spiru për Liri Belishovën: … Me atë atdhetarizmin e zjarrtë, me atë dashurinë e madhe për Kosovën, që kishte në shpirt Ramizeja, nuk mund të mos fitonte dhe antipatinë e Dushanit. Nako Spiru më ka thënë: se kur Ramizeja erdhi në Tiranë për herë të fundit, në tetor 1943, i kishte treguar atij se kishte pasur kontradikta me Dushanin për çështjen e Kosovës, që Kosova është Shqipëri…As Mugosha dhe as Miladini as gjymtyrët e tyre në komandë e në qarkor nuk mundën ta fusnin Interesanten Gjebrea në orbitën e tyre, sepse Gjebrea ishte në orbitën e vet. Raporti i H.Kapos, i 7 marsit, ai i H.Çakos, i 7 prillit 1944, e thonë qartë: Brigada shpërbëhej dhe humbjet, vdekjet në borë të paralizuarit, të dezertuarit, i kalonte 370 partizanë, madje dezertime me shumicë bëhen e në mars-prill, pas mbarimit të Operacionit të dëborës. Përgjegjësia për situatën e sterosur të Brigadës ishte tek koka e Partisë, shtabit, komandës. Udhëheqja e Brigadës ishte në alarm e duhet të shpëtonte veten nga gjëma e dimrit. Partizanët e mbetur ishin të terrorizuar nga ç’kishin vuajtur. Për t’i shpëtuar përgjegjësisë, koka e partisë dhe e shtabit “gjetën shkakun”, përgjegjësia e katastrofës i faturohej Gjebresë që i kishte “lënë” partizanët në dorë të fatit e “bënte dashuri të shthurur me komisarin Zaho!” Gjatë luftës ishte rregulli i prerë: kundërshtarët politikë nuk dënoheshin me gjyq, por dekoroheshin me plumb pas shpine, vijon argumentet tij V.Baruti si shembull sjell Zef Malën, Zai Fundo Anastas Plasarin, Irfan Ohrin, Mynyr Xhindin dhe Mustafa Gjinishin etj. Tarasi porosiste urdhrat sekret që ja dërgonte Nexhmije Xhuglinit e ngarkuar për “dekorimin” e kundërshtarëve. Ndaj udhëheqja e Brigadës e kishte të vështirë gjyqin me Ramizenë, më shumë se pushkatimi i saj.

/Gazeta Panorama

Ramize Gjebrea, drejtuesja e vërtetë e vajzave antifashiste, si e përvetësoi Nexhmije Hoxha rolin udhëheqës, dokumentet!

KASTRIOT KOTONI

PJESA E PARË
Në librin e studiuesit DR.Vasfi Baruti “Ramize Gjebrea NEGA TOTUM asgjë e vërtetë”, është trajtuar nëpërmjet dokumentave arkivore të dorës së parë figura e dëshmores Ramize Gjebrea. Autori pasi ka krahasuar edhe libra të autorëve Sofokli Lazri, Pavllo Gjidede dhe Nexhmije Hoxha bën interpretime nëpërmjet shumë fakteve të reja dhe siç e ka theksuar vetë këtë libër të zhanrit sociohistorik. Dr Vasfi Baruti në faqet 46-të në libër shkruan: E vërteta Gjebra e prangosur për gjashtë dekada në dosje të Arkivit të Partisë e të AQSH-së, por që në fillillm vjeshtën e 2005-ës, bie kjo kala e pathyeshme, griset perdia e mistershme që mbante Gjebrenë në errësirë. Bashkëkohësit e Gjebresë me krenari mbajtën të pashuar ngrohtësinë e ëmbël të ndjenjës së dikurshme të shkollës e të luftës, miqësinë e ruajtën të pastër, kujtimet i ruajtën të shtrenjta në pastërtinë e shpirtit. Vjen një ditë e kujtimet zgjohen për t’u rrëfyer. Gjebrea me cilësi të vyera, gatuar me vyrtyte të shënjta. Rrëfyen për Gjebrenë me aksh pasion e me dhimbje loti bashkë. Bukuria shpirtërore e trupore, kultura e gjërë, të risillte nga kush e njohu e jetoi me Gjebrenë e vjen grimëherë unikale: shëmben ledhet që politika ndau bashkëkohës në të majtë e në të djathtë e s’ka më tjetër rast të bëhen njësh të gjithë e i bën madhështia e saj dhembja për të, vetëm se harmoninë e prish paksa Nehmije Hoxha me ftohtësi të sertë si presë çeliku e ndjej të thotë me vetveten: shkrova të shpëtoj shpirtin, shkruan në reshtat e parë të librit Vasfi Baruti.

Rinia shkollore e Tiranës, forca më e madhe në qëndresën antifashiste, në krye të saj shquheshin vajzat të Institutit Femëror Nëna Mbretëreshë, djem të Liceut e të Shkollës Teknike. Në historinë komuniste shkruhet vetëm për Institutin Nëna Mbretëreshë, dhe flamurtarja e udhëheqjes së vajzave del Nexhmije Xhuglini. Kurrë s’u shkrua për shumë vajza të Nëna Mbretëreshë që bën emër si guximtare të krisura antifashiste, e Ramize Gjebrea ishte në krye të vajzave të Institutit Nëna Mbretëreshë, të djemve dhe vajzave të Liceut të Tiranës dhe shkollës Teknike. Vetë Nexhmije Hoxha e thekson këtë fakt, kur thotë se Ramize Gjebrea përpara pushtimit fashist bënte pjesë në “treshen kryesore” që organizonte punën e grupeve revolucionare në shkollë, shkruan Vasfi Baruti. Më tej autori vijon : Me treshe kryesore ka parasysh veten, Ramizen dhe Fiqerete Sanxhaktarin, e cila largohej nga shkolla nga fundi i verës së vitit 39-të e vite më pas dënohej (në mungesë) nga fashizmi; Naxhije Dume e mohon të kishte bashkëpunim me “treshen kryesore” dhe referimet e Nexhmijes për të kujtuar shoqet e shkollës janë fiasco një mashtrim i pastër, sepse ajo ka qënë larg aksioneve e veprimtarive antifashite që organizonin vajzat e Instittutit dhe në burime arkivore s’ka asnjë shenjë veprimtarie antifashiste të saj, siç ka në dokumente fashiste për vajzat të tjera të Institutit.

Ish bashkëkohëset me të, rrëfejnë se, rrinte në hije, e bëjnë habi tek propaganda udhëheqëse e vajzave antifashiste në Institutin Femëror. Fillesë e veprimtarisë antifashiste nuk është demostrata e 3 prillit, por mesnata e 31 marsit kur shpërtheu demonstrata e parë antifashiste që vazhdoi më 1- 2 prill dhe protogonistë kryesorë ishin vajzat e Institutit Femëror dhe të Liceut që dhanë kushtrimin “Atdheu në rrezik”, mes tyre Ramize Gjebrea në rolin e vajzës që vdiq mbi flamur nga plumbi fashist e kjo është arsyeja pse i bëhej hije faktit historik të demostratës së mesnatës së 31 marsit. Në memuaret e Koço Tashkos shkruhet thekson autori: “Më 1 prill (mbrëmja31 mars) bëhej një shfaqje teatrale nga vajzat e Institutit (Nëna Mbretëreshë), merrte pjesë dhe motra ime, si këngëtare. Shfaqja bëhej me rastin e javës së Gruas shqiptare e s’duhet identifikuar me shfaqjen e po kësaj drame më 31 mars nga Instituti Nëna Mbretëreshë.

Gjashtë vjet më pas në kujtim të 7 prillit të zi, në prill të 1948 botohen kujtime mbresëlënëse për shfaqjen e vajzave që dhanë kushtrimin “Atdheu në rrezik”, dhe s’gjendet e cituar në historografinë moniste, e as sot, madje shfaqja melodramës Besa, sot identifikohet me shfaqjen zyrtare të (31 marsit, të orës 9-30); janë shfaqje të së njëjtës ditë, në të njëjtën sallë kinemaje, në orë të ndryshme, në përfundime të kundërta: shfaqja zyrtare mori duartrokitje të shumë vajzave të Institutit, kurse ajo e vajzave me prani të shumë vajzave të Institutit Nëna Mbretëreshë, djemve të Liceut e qytetarë të thjeshtë përfundoi demostrativisht me daljen të pjesëmarrësve jashtë në rrugë, në demostratë antifashiste që vazhdoi deri afër mëngjesit të 1 prillit të vitit 1939-të. Një ngjarje historike e lënë në harresë për arsye politike. Më tej historiani Vasfi Baruti paraqet ditarin e një liceisti T.Jarani: “E shtunë” Në kinema Gloria jepej shfaqja teatrore me subjekt kombëtar prej vajzave të Institutit Një mori populli asitonte në shfaqje.

SHPËRTHIMI I DEMOSTRATËS

Në mbarim të dramës shpërtheu demostrata. Ishte ora 12 e mesit të natës. Me qindra vetë, pleq e të rinj merrnin pjesë. Këngët patriotike jehonin në qiellin e qetë të Tiranës. Në 4 të mëngjesit demostruesit shpërndahen. Vajza që “s’vdes” mbi flamur! Në memorie të pjesëmarrësve në shfaqje të melodramës Besa, në mesnatën e 31 ishte Ramize Gjebrea, e cila kishte ditë që përgatitej për rolin, ajo kishte prirje artistike, ndoshta për këtë ia kanë besuar rolin. “Në demonstratat, në përleshjet e popullit të Tiranës me karabinierët e policët fashistë, ishte gjithmonë në krye Ramize Gjebrea.

Për aktivitet antifashist i pritet bursa e përjashtohet nga shkolla, duke qënë nën syrin e policisë fashiste. Ramizeja ishte udhëheqëse e Institutit Femëror e më pas e Liceut të Tiranës. Çdo ditë në shkollë do të ndodhte “një skandal”, siç i quante drejtoria fashiste aksionte e vajzave. Një ditë vajzat e rreshtuara për të hyrë në klasë, në vend që të këndonin himnin e rinisë “La giovinezza” ia filluan këngës tonë patriotike “Për mëmëdhenë”. Herë tjetër ishte thyer portreti i Musolinit dhe mësuesja italiane jepte alarmin. Ramizeja ishte tepër aktive në mbledhjet e rinisë antifashiste dhe merrej shumë me redaksinë e gazetës “Kushtrimi”, nga ku shkrojti elegjitë për Ali Demin dhe Misto Mamen. Ajo kishte për zemër temën e Kosovës, Çamërisë njihte mirë historinë e tyre, më shumë të Kosovës. Ajo organizoi grisjen e flamurit fashist në Institutitn Femëror dhe në mëngjes profesorët dhe nxënëset e shkollës u shushatën, kur panë një flamur fashist të grisur. Për këtë arsye shkoi ca kohë tek e motra në Shkodër dhe i vëllai në Gjirokastër, sepse kishte rënë në erë puna e saj si antifashiste. Është ndër më aktivistet e vendit me veprimtarinë e gjerë antifashiste në Tiranë dhe e zgjeron aktivitetin edhe në rrethe të tjera si në Berat, e Shkodër. Është ndër të parat femra që merr pjesë në aksionet e grupeve guerrilase e veshur ndryshe ngaherë, e maskuar me gërsheta dhe syze dielli, shpesh i shmangej çdo kujt që të fotografohej në grup ose prezantohej vetëm me pseudonimin “Intersantja”, ajo fitoi zemrat e rinisë shqiptare.

Demostrata e 28 tetorit 1941. Për tre vjet nga dita e pushtimit fashist, Demonstrata e 28 tetorit ishte i pari demostrim politik antifashist dhe bëhej ditën e fitores së fashizmit “Marshimi mbi Romë”. Në historografinë moniste e botime të tjera, thekson autori Vasfi Baruti, meritë në organizimin dhe udhëheqjen së kësaj demostrate i është dhënë Enver Hoxhës: “Drejtimin e demostratës e mori Enver Hoxha. Demostrata u organizua e udhëhoq nga Enver Hoxha.” Demostrata zuri fill në Kinema Rex, ku autoritet fashiste kishin organizuar mbledhje zyrtare solemne. Mbledhjen e sabotuan nxënësit e shkollave dhe u shndërrua në demonstratë të fuqishme antifashiste masive. Meritat rreket t’i marrë Nexhmije Hoxha tek rrëfen në Jeta ime me Enverin: “U përlesha me fashistët, isha flamurtare e demostaratës” në një vijë zjarri me Enver Hoxhën: me fotomontazh fals në librin e saj. E vërteta shton më tej V.Baruti, është se N.Hoxha s’ishte në demostratë, sepse orët kur bëhej demostrata ishte pjesëmarrëse në ceremoninë fashiste “Marshimi mbi Romë”, e organizuar nga leva fashiste “Rinia e Liktorit Shqiptar fashist”.

E vërteta historike! Në të gjashtin vit nga demostrata e 28 tetorit 1941 vjen redaksionalja e gazetës Luftëtari për “sabotimin” e festës fashiste nga nxënësit e shkollave: “Demostrata filloi në mëngjesin e kësaj date, në kohën kur studentët e gjimnazit dërgohen në sinema Nacional të dëgjonin një konferencë fashiste. Me të arritur para dyerve të sinemasë, studentët nuk dëgjojnë të futen brenda. Ata dinë se aty nuk do të ketë gjë tjetër veçse fjalë helmuese.”

Nuk është e vërtetë dhe përkundrazi pati një grup vajzash dhe djemsh të Liceut të Tiranës e Shkollës Teknike që orvaten të futen në ceremoninë fashiste të sabotojnë në mbajtjen e saj, por nuk u lejuan nga fashistët. Kurse në vitet 1970-të e më pas në historinë politike është shkruar krejt ndryshe, se nxënësit e shkollave ishin ata që me parrullat e këngët patriotike në sallën e ceremonisë fashiste bënë të dështojnë festa fashiste. Gjebrea, mes protogonistëve. Për pjesëmarrje në ceremoninë fashiste e përvjetorit të “Marshimit mbi Romë” ftesa u dërgohejdhe drejtorive të shkollave të mesme të Tiranës me porosi që nxënësit të visheshin me divizë festive e uniform shkollore. “ Ramize Gjebrea udhëheqëse e rinisë antifashite të Liceut të Tiranës” bashkon vajza e djem të Liceut e Shkollës Teknike dhe i motivon të shkojnë e të bëjnë rrëmujë në ceremoninnë fashiste dhe ta mendoje ishte marrëzi…Në fakt nxënësit hynë në kinema pa uniformën festive siç porositej, dhe së andejmi policia sekrete u vu në alarm nga elementët turbullues që ishin të pranishëm në ceremoni, dhe i nxorrën jashtë duke kënduar këngë patriotike nëpër rrugët drejt Liceut të Tiranës ku u bashkuan shumë qytetar tiranas. Sipas Todi Lubonjë Ramizeja ishte ajo që bënte debat me krerët fashistë duke u kërkuar llogari pse nuk i linin të futeshin brenda në kinema. Fashistët u turrën si bisha të egra kundër vajzave demostruese ku bënte pjesë edhe Ramizeja. Demostrata ra si bombë tek krerët fashistë dhe shpejt u identifikuan 112 demonstruesit më aktivë. U përjashtuan nga shkolla shumë student dhe kuestura kërkon informacion të veçantë për Ramize Gjebrenë e bija e Rustemit dhe Sofijes, lindur në Gjirokastër më 1923, banuese në Tiranë. Korrespondenca e Kuesturës së Tiranës përsëritej për kuesturat e Beratit dhe Gjirokjastrës, më 12 shkurt të vitit 1942, dhe për kuesturat Shkodër e Korçë.

Në ditën e flamurit në nëntor 1941 Ramizeja ishte në udhëheqje të Qarkorit të Rinisë Antifashiste të Tiranës me përgjegjësi sekretare politike e qarkorit. “Pas Mbledhjes themeluese të Rinisë Komuniste u organizuan mbledhja për zgjedhjen e Komitetit të Rinisë të Qarkut Tiranë, sekretare politike u zgjodha unë… sekretar organizativ Misto Mame dhe Ramizeja u zgjodh për punë me të rejat, shkruan N. H. E vërteta është ndryshe, shkruan V.Baruti: Xhuglini emërohej sekretare politike dy vjet më pas me ndikim të drejtpërdrejt të Enver Hoxhës tek Nako Spiru (nëntor të 1943), detyrë që e mbajti deri në mars të 1944. Frytet e para të krijimit të qarkorit të rinisë u panë në kremtimin e Ditës së Flamurit… Autoritet fashiste synuan të organizojnë ceremoni zyrtare të marrin në dorë organizmimin e festimit të 28 Nëntorit. Më 24 nëntor të 1941.

/Gazeta Panorama 


Send this to a friend