VOAL

VOAL

114 vjet alfabet – Nga Bledi Filipi

November 23, 2022
blank

Komentet

blank

Orioni hyn në orbitën hënore

VOAL- Anija kozmike Orion e NASA-s hyri në orbitën hënore të premten, në ditën e dhjetë të misionit Artemis 1. Kështu tha agjencia hapësinore amerikane. “Gjatë kësaj orbite hënore, kontrollet e fluturimit do të monitorojnë sistemet kritike të Orionit dhe do të kryejnë kontrolle në lidhje me mjedisin e thellë të hapësirës,” tha agjencia në një postim në blog.

Kapsula e re Orion, e cila pritet të sjellë astronautët në Hënë në vitet e ardhshme – e para që ka shkelur atje që nga misioni i fundit Apollo në 1972 – aktualisht është më shumë se 64,000 kilometra larg hënës. Në këtë distancë, do të duhen jo më pak se gjashtë ditë për të mbuluar gjysmën e orbitës së Hënës përpara se të fillojë udhëtimi i kthimit në Tokë. Ky fluturim i parë provë pa pilot duhet të shërbejë për të garantuar sigurinë e mjetit.

Zbarkimi në Oqeanin Paqësor është planifikuar për 11 dhjetor 2022, pak më shumë se 25 ditë pas nisjes. Suksesi i këtij misioni do të përcaktojë të ardhmen e Artemis 2, e cila do të sjellë astronautët në hënë pa u ulur, dhe të Artemis 3, e cila do të shënojë përfundimisht kthimin e njeriut në sipërfaqen hënore. Këto dy misione janë planifikuar zyrtarisht për 2024 dhe 2025 respektivisht. RSI-EB

blank

Biografia e fshehur e delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 nga Kastriot Myftaraj

Kongresi i Drejtshkrimit - Tiranë 20-25 Nëntor-1972

Kongresi i Drejtshkrimit – Tiranë 20-25 Nëntor-1972

Biografia e fshehur e delegatëve

të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972

nga Kastriot Myftaraj

Krijimi i gjuhës letrare të njësuar shqipe me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, ishte natyrisht më e mira që mund të pritej nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili përgjithësisht kishte prirjen t’i bënte keq, duke qenë se gjithçka e shikonte nën prizmin e tij të shtrembër stalinist. Stalini, ati ideologjik i Enver Hoxhës, para vdekjes e shpalli veten edhe gjuhëtar dhe botoi një libër në këtë fushë. Kjo është gjithçka që mund të thuhet për arritjen e Kongresit të Drejtshkrimit, nëse ke prirjen të thuash diçka të mirë për të. Por është absolutisht e papranueshme që arritja e këtij kongresi të shihet si një dogmë, si një kulm i shkencës gjuhësore shqiptare, së cilës nuk mund t’i preket asgjë. Kjo ide e ka prejardhjen te logjika e Leninit që thoshte se filozofia marksiste është derdhur si një trup çeliku, të cilit nuk mund t’i heqësh asnjë copëz. Do të thotë se meqënëse çdo produkt i kësaj filozofie, pra edhe gjuha e njësuar shqipe e vitit 1972, është një trup çeliku i tillë, i paprekshëm.
Ky nuk është qëndrim prej shkencëtarësh, por prej sharlatanësh. Produkti i Kongresit të vitit 1972, duhet rishikuar edhe për shkakun se ata që e morën vendimin nuk e kishin nivelin shkencor për të marrë vendime të tilla.
Është krijuar miti intelektual sikur delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 që vendosi për standardin e gjuhës shqipe, që është në fuqi edhe sot, qenë specialistë të gjuhësisë. Kritikët e tyre shpesh shpërfillen si joekspertë. Në të vërtetë, mjaft që të kqyrësh biografinë intelektuale dhe më gjerë se aq, të delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, që të bindesh se ata nuk kishin formimin e duhur akademik dhe intelektual, për të marrë një vendim afatgjatë mbi standardin e gjuhës shqipe.

Delegatët e Kongresit në polifoto

Delegatët e Kongresit në polifoto

I pari në listën e 87 nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është Thoma Deliana, ministër i Arsimit dhe i Kulturës i Shqipërisë së kohës. Thoma Deliana kishte ndërprerë shkollën e mesme në Elbasan, në vitin 1943 (ai ishte nxënës i Shkollës Normale), për të dalë partizan. Pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, Thoma Deliana u dërgua në Moskë për të kryer një shkollë të Komsomolit (Rinisë Komuniste), e cila përgatiste burokratë të kësaj organizate. Ndonëse Thoma Deliana kishte këtë arsimim, Enver Hoxha, në 1965 e bëri atë Ministër të Arsimit dhe të Kulturës, post të cilin Deliana e mbajti për 11 vjet, deri në 1976. Thoma Deliana është emblematik për shkallën intelektuale të regjimit të Enver Hoxhës, që 28 vjet pas ardhjes në fuqi kërkonte të vendoste standardin e gjuhës shqipe. Gjithashtu, Thoma Deliana është emblematik edhe për diçka tjetër. Gjuha e huaj e vetme që njihnin pjesa më e madhe e delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit ishte rusishtja, për ata nga Republika e Shqipërisë dhe serbokroatishtja për ata nga trojet shqiptare në Jugosllavi. Këtu e kam fjalën për gjuhën e huaj që dinin në atë kohë, se pas vitit 1972 dhe deri më sot, mund të kenë mësuar të tjera. Por, kur vendoset standardi i një gjuhe si shqipja, vendimtare është çështja se cila gjuhë e huaj ndërkombëtare do të shërbejë si pikë referimi për huazimet. Natyrisht se në vitin 1972, nuk duhet të kishte dilema, si e tillë duhet të shërbente anglishtja, kjo dhe për faktin se gjeneratat e shqiptarëve të diasporës, të cilët në pjesën më të madhe janë njohës të anglishtes, do ta kenë më të lehtë që ta mësojnë shqipen. Por shqipja standarde mbeti e mbushur me huazime nga gjuhët sllave, greqishtja, të cilat ishte dashur të zëvendësoheshin me huazime nga anglishtja. Por, pothuajse asnjë prej delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit nuk e njihte anglishten. Natyrisht se anglishtja si gjuhë referimi ishte një anatemë për regjimin e Enver Hoxhës, por as delegatët nuk qenë në gjendje të gjykonin mbi këtë çështje.

Numri 2 në listën e nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit është Prof. Androkli Kostallari. Androkli Kostallari, si drejtor i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë prej vitit 1958 dhe në vazhdim i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë (më pas Instituti i Gjuhësisë) deri në vitin 1990, ishte “eksperti” kryesor i gjuhësisë në Kongresin e Drejtshkrimit. Nuk mund të thuhet se i tillë ishte gjuhëtari më i njohur shqiptar i kohës, Eqrem Çabej, se atë regjimi i Enver Hoxhës nuk e bëri drejtor, siç e meritonte. Androkli Kostallari kishte kryer studimet universitare në Moskë, për gjuhë dhe letërsi ruse, me specialitet për gazetari. Shumëkush mund të thotë se në atë kohë nuk kishte se ku të studionte tjetër, por faji ishte i regjimit të Enver Hoxhës që nuk dërgonte më studentë në universitetet perëndimore, ku kishte katedra albanologjie serioze. Në çdo rast, Kostallari nuk kishte profilin e nevojshëm akademik për të patur në Kongresin e Drejtshkrimit atë rol që pati. Androkli Kostallari, përveçse drejtor ishte dhe përgjegjës i sektorit të leksikologjisë dhe leksikografisë në Institut, që prej vitit 1955 dhe deri në 1990. Mbi Kostallarin bie përgjegjësia e madhe që leksiku i gjuhës shqipe standarde është i mbushur me sllavizma dhe greqizma.

I treti në listën e nënshkruesve të Rezolutës është Prof. Mahir Domi. Ai kishte ishte diplomuar në Universitetin e Grenoble, në Francë, në 1941, për gjuhësi klasike (latinisht, greqishte e vjetër dhe frëngjishte klasike). Por në Universitetin e Grenoble nuk kishte një katedër albanologjie. Prandaj Mahir Domi nuk studioi pranë asnjë albanologu qoftë edhe pak të njohur. Mahir Domi kur u kthye në Shqipëri punoi si mësues i latinishtes në Shkollën Normale të Elbasanit (shkollë e mesme). Ai u arrestua nga italianët në maj 1943, si një nga nxitësit e arratisjes masive të nxënësve të Shkollës Normale, të cilët shkuan në mal me partizanët. Por Domi nuk u internua në ishujt e Italisë; ai u lirua pas tre muajsh, para kapitullimit të Italisë. Merret vesh, ai firmosi për policinë sekrete fashiste, OVRA. Regjimi i Enver Hoxhës i pëlqente shumë këta njerëz për t’i keqpërdorur. Mahir Domi drejtoi sektorin e gramatikës dhe të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë nga viti 1957 në 1991. Domi nuk i kishte aspak atributet akademike për të qenë eksperti kryesor i ndërtimit të standardit gjuhësor në këto çështje kaq themelore të tij, që kishin të bënin me gramatikën dhe pikëpamjen për dialektet.

Profesor Eqerem Çabej

Profesor Eqerem Çabej

I katërti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Prof. Eqrem Çabej. Prof. Çabej ishte i vetmi ndër delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit që kishte atributet akademike për t’u quajtur ekspert. Ai kishte diplomuar në Austri për gjuhësi krahasuese indoeuropiane dhe për albanologji në Graz dhe në Vienë të Austrisë, dy universitete me traditë në studimet albanologjike. Por Eqrem Çabej u privua që prej vitit 1944, pra që prej moshës 36 vjeç, nga mundësia për të thelluar studimet në katedrat e albanologjisë të Universiteteve perëndimore. Gjithashtu, Prof. Çabejit nuk iu dha vendi meritor në hierarkinë zyrtare të gjuhësisë shqiptare, ku postet që duhet të mbante ai i kishin zënë uzurpatorët sharlatanë. Një provë për këtë është dhe fakti se seria veprave të prof. Çabejit kishte filluar të botohej në Kosovë, para se kjo gjë të niste të bëhej në Shqipëri. Në fakt Vepra e Çabejit nuk u botua në Shqipëri sa kohë ishte në fuqi regjimi komunist. Emri i prof. Çabejit është keqpërdorur nga ata që duan të legjitimojnë Kongresin e Drejtshkrimit, por fakti është se Prof. Çabejit nuk iu dha mundësia që të shprehet si ekspert në Kongresin e Drejtshkrimit. Deri më sot ata që pretendojnë të kundërtën nuk kanë mundur të sjellin asnjë dokument.

I pesti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Prof. Idriz Ajeti, atëherë dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Idriz Ajeti, i cili ka lindur në Tupallë të Medvegjës, e ka kryer në turqisht arsimimin e tij që prej klasës së parë të shkollës fillore dhe deri në përfundim të shkollës së mesme. Idriz Ajeti u lind në 1917, dhe u shkollua në kohën e Jugosllavisë monarkiste, ku arsimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar. Shqiptarët muslimanë si Ajeti mund të shkolloheshin vetëm në turqisht, përveç serbishtes. Idriz Ajeti kreu Medresenë Mbretërore të Shkupit, një shkollë me bazë teologjike islame, ku mësimet bëheshin në turqisht dhe arabisht. Në 1938, ai filloi studimet për gjuhë dhe letërsi serbokroate në Universitetin e Zagrebit, të cilat nuk i përfundoi. Ajeti do t’i përfundonte studimet universitare vetëm në 1949, në Universitetin e Beogradit ku diplomoi për Romanistikë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur një pjesë e trojeve shqiptare në Jugosllavi iu bashkuan Shqipërisë shtetërore, Ajeti shkoi për të kryer një kurs pranë albanologut italian Tagliavini, në Padova. Por, në periudhën e shkurtër që Ajeti qëndroi në Itali, thjesht u konstatua mangësia kryesore që e pengonte të bëhej albanolog, fakti se Ajeti asnjë cikël të shkollimit të tij nuk e kishte bërë në gjuhën shqipe. Natyrisht se në rrethanat në të cilat gjendeshin shqiptarët në Jugosllavi, Ajeti ishte i vlefshëm për të ndërtuar shkollën shqiptare atje, por ai nuk kishte profilin e duhur akademik për të marrë vendimin afatgjatë për gjuhën standarde shqipe.

I gjashti në listën e nënshkruesve të Rezolutës është Prof. Dhimitër Shuteriqi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Sigurisht që në një kongres ku do të vendosej për standardin e shqipes duhet të merrnin pjesë edhe shkrimtarë, por problemi me Prof. Shuteriqin ishte se ai pati vetëpohuar dështimin e tij si shkrimtar, kur në vitet pesëdhjetë nisi të shkruajë me bujë të madhe një roman epope, siç quhej në gjuhën e realizimit socialist një roman shumëvëllimësh. Por Shuteriqi e ndërpreu botimin e këtij romani me temë nga lufta partizane, pasi botoi vëllimin e dytë, se e kuptoi dhe vetë se ishte krejt i paaftë për këtë punë. Që prej vitit 1955, nuk botoi më asnjë roman deri në 1998! Prof. Shuteriqi nuk kishte as shkollim gjuhësor, se ai pati studiuar në Grenoble të Francës për filozofi.

I shtati në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Prof. Aleks Buda, i prezantuar si “historian në Institutin e Historisë”, i cili dy muaj më pas do të emërohej kryetar i Akademisë së Shkencave. Aleks Buda, ndonëse kishte nisur studimet universitare në Vienë për filozofi dhe letërsi, ai nuk mundi që të diplomohet dhe u kthye në Shqipëri pa diplomë universitare. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Aleks Buda nuk ka dorëzuar asnjë diplomë universitare në të gjitha institucionet shkencore ku ka punuar dhe ku është paguar. Që Aleks Buda nuk arriti të diplomohet kjo gjë del tërthorazi dhe nga kujtimet e tij, të botuara nga vajza e tij, ku nuk thotë se u diplomua. Aleks Buda ishte i vetmi historian që mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit dhe kjo ndodhi se ai ishte përzgjedhur për t’u bërë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe emri i tij duhej të figuronte në Rezolutë. Është absurde që në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të figurojnë edhe njerëz pa diplomë universitare. Kur ky është kryetari i ardhshëm i Akademisë së Shkencave, kjo tregon joseriozitetin total të atyre që organizuan këto farsa shkencore.

I teti në listën e firmëtarëve është Dr. Rexhep Qosja, i prezantuar si drejtor i Institutit Albanologjik, Prishtinë. Në 1972, Rexhep Qosja nuk e kishte nivelin e duhur akademik për të qenë vendimmarrës për një çështje kaq madhore sa standardi i shqipes. Ai ishte emëruar drejtor i Institutit Albanologjik vetëm pak muaj më parë. Rexhep Qosja firmosi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit vetëm pesë vjet pasiqë kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës! Ai diplomoi në 1967, në moshën 31 vjeç. Sesi një njeri mund të bëhet ekspert për të marrë vendime kaq të rëndësishme si ai i Kongresit të Drejtshkrimit, vetëm pesë vjet pas përfundimit të gradës së parë të studimeve universitare, dhe pa kryer asnjë gradë tjetër të studimeve pasdiplomike, kjo është një gjë të cilën Rexhep Qosja nuk parapëlqen ta shpjegojë. Por kjo tregon joseriozitetin e tij si shkencëtar, të organizatorëve të Kongresit të vitit 1972, dhe të vetë Kongresit. Rexhep Qosja erdhi në Kongres me gradën shkencore doktor dhe me hijen e drejtorit të Institutit Albanologjik, pra si koka më e madhe e madhe e Albanologjisë në trojet shqiptare në Jugosllavi pas Idriz Ajetit. Në fakt Rexhep Qosja nuk kishte as njohuritë që normalisht duhet t’ i kishte një student mesatar i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për arsye që dihen, niveli i mësimdhënies universitare në Prishtinë atëherë ishte i ulët. Rexhep Qosja doktoroi me ngut me një temë mbi Asdrenin, para se të kryente studime pasdiplomike, në mënyrë që të vinte në Kongres me një gradë shkencore. Por Rexhep Qosja, në 1972, kur firmoi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, në moshën 36 vjeçare nuk pati botuar asnjë libër si gjuhëtar. Një të tillë madje ai nuk e ka botuar as sot e kësaj dite pas 40 vitesh. Më pas, Qosja u dëshmua të jetë një sharlatan i çuditshëm, ashtu që ai befas pretendoi të jetë politolog, historian dhe shkruajti libra të vëllimshëm në këto fusha dhe për të cilat vetëm qeveria e kryesuar nga një katundar i një katundi të pazhvilluar si Hashim Thaçi, mund të kishte idenë e çuditshme për t’i përmbledhur në një korpus shumëvëllimësh me shpenzimet e shtetit.

I nënti në radhë, ndër nënshkruesit e Rezolutës është Prof. Shaban Demiraj. Ky ishte edhe anëtar i komisionit organizator të Kongresit të Drejtshkrimit dhe një njeri me peshë në të, se ishte përgjegjës i katedrës së gjuhësisë në Universitetin e Tiranës nga viti 1962 në 1989. Shaban Demiraj nuk e kishte shkollimin e duhur për të kryer asnjë nga këto detyra. I lindur në 1920, në Vlorë, ai kishte kryer medresenë e Tiranës, një shkollë e mesme teologjike islamike, nga ku doli imam. Më pas ai shkoi me studime në Egjipt, në Universitetin e Kajros, të cilin nuk e përfundoi. Ai kishte kryer Institutin Pedagogjik në Shqipëri, që ishte një shkollë e lartë dyvjeçare që përgatiste mësues për shkollat shtatëvjeçare dhe ato të mesme. Me këtë shkollim krejt të mangët për një shkencëtar, Demiraj u bë një nga kokat e mëdha të gjuhësisë shqiptare. Me rastin e Kongresit të Drejtshkrimit, ai në 1972 botoi me ngut librin e tij të parë, “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”.

I dhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës është Lirak Dodbiba, i cili prezantohet si Bashkëpunëtor i vjetër shkencor. Sipas sistemit të kualifikimit shkencor të kohës, ky ishte një titull shkencor dhe jo një gradë shkencore. Titujt shkencorë, “bashkëpunëtor shkencor”, dhe “bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, përgjithësisht u jepeshin atyre që regjimi nuk donte t’ju jepte mundësi të bënin karrierë shkencore. Karriera shkencore përgjithësisht që fillonte me gradën “kandidat i shkencave”, për të vazhduar me gradën “doktor”. Në vitin 1972, Lirak Dodbiba kishte mbetur ende “bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, në moshën 60 vjeçare, dhe i tillë mbeti deri kur vdiq në 1982. Lirak Dodbiba kishte diplomuar në Universitetin e Lionit për pedagogji. Si të gjithë ata me shkollim perëndimor, ai nuk pëlqehej nga regjimi komunist. Fakti që ai kishte mbetur jashtë karrierës shkencore, të jep të kuptosh se në Kongresin e Drejtshkrimit ishte thirrur me funksion thjesht dekorativ.

I njëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Kolë Koci, i prezantuar si Mësues i Popullit. Kolë Koci, i lindur në Pogradec, i cili në atë kohë ishte 70 vjeç, ishte një nga veteranët e pedagogjisë shqiptare. Ai kishte diplomuar në Lion të Francës për pedagogji. Megjithatë regjimi komunist nuk e gjeti të përshtatshëm për karrierë shkencore, dhe ai nuk mori asnjë gradë apo titull shkencor deri në vdekje, në 1989. Shaban Demiraj, hoxha me diplomë të Institutit Pedagogjik merrte titujt shkencorë njëri pas tjetrit dhe Lirak Dodbiba e Kolë Koci me diploma universitare franceze, nuk merrnin asnjë gradë shkencore. Kolë Koci e meritonte të ishte delegate në çdo kongres për standardin e gjuhës shqipe, por në Kongresin e vitit 1972, ai ishte thjesht me funksion dekorativ.

I dymbëdhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte magjistër Remzi Nesimi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Akademinë Pedagogjike, Shkup. 39 vjeçari Remzi Nesimi nga fshati Odri i Tetovës, në jetëshkrimin e vet zyrtar, të publikuar edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, pretendon se ka diplomuar në Beograd për Albanologji, në 1960. Ky është një pretendim sharlatanor se Albanologjia është një term shumëpërfshirës shkencor, që përfshin shumë degë të shkencës, që prej gjuhësisë, letërsisë, historisë, etnografisë etj. Në të vërtetë në Universitetin e Beogradit në atë kohë kishte tashmë një katedër të Albanologjisë, ku studioheshin disiplina të ndryshme të albanologjisë, dhe ku mund të bënin studime të thelluara studentët që kishin kryer shkallën e parë të studimeve universitare. Ata si Remzi Nesimi që pretendojnë se kanë studiuar dhe diplomuar për Albanologji në shkallën e parë të studimeve, në të vërtetë kanë studiuar dhe diplomuar për gjuhë dhe letërsi serbokroate, duke pasur dhe gjuhën shqipe si drejtim të dytë. Grada shkencore “magjistër”, që mbante Remzi Nesimi, ishte baras me atë të kandidatit të shkencave në Shqipëri. Një fakt domethënës: Remzi Nesimi do të doktoronte në Prishtinë, vetëm 17 vjet pasiqë firmosi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit.

I trembëdhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Jorgji Gjinari, i prezantuar si bashkëpunëtor i vjetër shkencor dhe gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë. Jorgji Gjinari, në atë kohë 41 vjeç, kishte diplomuar në Institutin Pedagogjik dyvjeçar, në 1955, dhe nuk kishte asnjë gradë shkencore posë këtij titulli më tepër honorifik. Ai nuk kishte botuar asnjë libër në atë kohë. Megjithatë ai ishte titullar i kursit të dialektologjisë në Universitetin e Tiranës, nga viti 1958, deri në vitin 1989.

I katërmbëdhjeti në listën e atyre që nënshkruan Rezolutën ishte docent Anastas Dodi, zëvendësdekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Anastas Dodi, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç, pati diplomuar në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës. Ai pati kryer një specializim njëvjeçar në Universitetin e Leningradit në Bashkimin Sovjetik, në 1960-61. Një tjetër njeri me shkollim rus. Dodi nuk kishte sigurisht nivelin arsimor dhe akademik që kërkonte një vendim-marrje e tillë si ajo për standardin e gjuhës shqipe. Dodi nuk kishte asnjë gradë shkencore në atë kohë dhe mbante vetëm titullin shkencor të docentit.

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe

I pesëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Emil Lafe, i prezantuar si gjuhëtar, por që në atë kohë nuk kishte marrë ende asnjë gradë apo titull shkencor. (Në botimet e kohës mbi Kongresin e Drejtshkrimit, para emrit të delegatit të Kongresit të Drejtshkrimit janë të shënuara gradat ose titujt shkencorë kur ai ka të tilla.) Emil Lafe, në atë kohë 34 vjeç, pati diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe në 1959, dhe më pas filloi punë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë (më pas Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë). Emil Lafe, në 1972, nuk e kishte as nivelin arsimor dhe as atë akademik për të qenë anëtar i komisionit organizator të Kongresit të Drejtshkrimit dhe delegat i tij, si dhe firmëtar i Rezolutës për standardin e gjuhës shqipe.

I gjashtëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte docent Jup Kastrati, pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Jup Kastrati, i cili në atë kohë ishte 48 vjeç, pati diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në moshën 48 vjeç ai nuk kishte ende një gradë shkencore dhe mbante vetëm titullin shkencor të docentit. Gjuha e huaj e vetme që ai njihte relativisht mirë në 1972, ishte rusishtja. Ai edhe sot nuk mund të quhet një gjuhëtar i mirëfilltë dhe është biograf po aq sa gjuhëtar. Një projekt i tij si ai i Historisë së Albanologjisë në tre vëllime, i ndërmarrë në vitet e fundit, e kompromenton si sharlatan, se vepra të tilla nuk shkruhen nga një njeri i vetëm.

I shtatëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Engjëll Angoni, i prezantuar si specialist për gjuhën shqipe në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, në Tiranë. Për të nuk thuhej që të kishte ndonjë gradë apo titull shkencor, dhe ai gjendej në Kongresin e Drejtshkrimit vetëm se ishte kushëriri i Enver Hoxhës, nga Gjirokastra. Engjëll Angoni është ndër nënshkruesit e Rezolutës së vitit 1972, që mungojnë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në 2008-2009, dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, se ai ishte “specialist” pa asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Ali Abdihoxha, shkrimtar dhe drejtor i Shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë. Ali Abdihoxha, i cili në atë kohë ishte 43 vjeç, kishte diplomuar në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore, “Maksim Gorki”. Niveli i tij si shkrimtar nuk ishte i tillë që të kishte të drejtë të ishte delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, por ai u përzgjodh se ishte i pëlqyer nga regjimi si autor romanesh me temë nga lufta partizane.

I nëntëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Luigj Franja, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Shkodër. Është tregues i joseriozitetit të plotë të shkencës së kohës së regjimit komunist në Shqipëri, që në një forum shkencor të ngushtë, siç ishte Kongresi i Drejtshkrimit, të merrnin pjesë edhe mësues të shkollës tetëvjeçare dhe të mesme. Këta njerëz mund të qenë pyetur për të dhënë mendime në tubimet përgatitore, po jo të ftoheshin në kongres. Ata qenë të ftuar sipas logjikës me të cilën në mbledhjet shkencore për naftën dhe metalurgjinë, krahas njerëzve me tituj shkencorë ftoheshin dhe punëtorë, të cilët qenë “novatorë” dhe “shpikës”. Luigj Franja, natyrisht, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në 2008-2009.

I njëzeti në listën e nënshkruesve ishte Prof. Josif Ferrari, i cili prezantohet si studiues arbëresh dhe profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Barit. Ky në fakt është Giuseppe Ferrari, një prift arbëresh i ritit të krishterë ortodoks, të cilit organizatorët e Kongresit të Drejtshkrimit, ia ndryshuan dhe emrin. Ai nuk ishte gjuhëtar profesionist. Ndryshe nga ç’u prezantua prej organizatorëve të Kongresit të Drejtshkrimit, Ferrari nuk ishte profesor i gjuhës shqipe. Ai nuk ishte “profesor” në gjuhësi, por në teologji. Ai ishte shkolluar për teologji. I njohur ndër arbëreshët si “prifti i kuq”, ai ishte i pëlqyeri i regjimit komunist shqiptar, deri kur vdiq, pikërisht në 1990, ndoshta prej pezmit që regjimi komunist në Shqipëri ishte duke rënë. Ferrari ishte mësimdhënës në katedrën modeste të gjuhës shqipe, në Universitetin e Barit, por nuk ishte një gjuhëtar serioz, i cili mund të merrte një vendim kaq të rëndësishëm sa ai për standardin e gjuhës shqipe.

I njëzetenjëti në listën e nënshkruesve ishte Magjistër Ahmet Kelmendi, pedagog i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ky nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në 2008-2009.

I njëzetedyti në listën e nënshkruesve ishte Ahmet Limani, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Mamurras, të rrethit të Krujës. Nëse Kongresi do të kishte qenë një forum shkencor serioz, ky njeri nuk duhet të ishte atje. Ai nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor, dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të botuar në 2008-2009.

I njëzetetreti në listën e nënshkruesve ishte Ajet Bytyçi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe, në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren. Pavarësisht nga emri, kjo ishte një shkollë që përgatiste mësues për ciklin e ulët dhe të mesëm shkollor. Në 1972, Ajet Bytyçi nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor, madje nuk ishte as magjistër. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I njëzetekatërti në listë ishte Ali Dhrimo, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ky ishte 34 vjeç në atë kohë. Ali Dhrimo, i lindur në fshatin Çorraj të Sarandës, ishte dërguar për të kryer studimet universitare në Gjermaninë Lindore, por nuk i përfundoi dhe më pas studioi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, ku diplomoi në 1963. Tetë vjet pas diplomimit, ai firmoste Rezolutën për gjuhën standarde, pa pasur ende asnjë gradë apo titull shkencor, madje as atë të kandidatit të shkencave!

I njëzetepesti në listën e firmëtarëve ishte Bahri Beci, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Tiranë, por që në vitin 1972, në moshën 36 vjeç, nuk kishte ende asnjë gradë apo titull shkencor.

I njëzetegjashti në listën e firmëtarëve ishte Bajram Hajrullai, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës, në Vlorë. “Filialet” qenë degë të Universitetit të Tiranës, të cilat qenë hapur përkohësisht në qytetet kryesore të vendit, në mënyrë që të kryenin studimet e larta me korrespondencë mësuesit të cilët patën kryer vetëm institutet pedagogjike dyvjeçare, ose ata të cilët patën fituar të drejtën për të vazhduar me korrespondencë studimet universitare. Mësimdhënësit e filialeve qenë përzgjedhur ndër mësuesit e shkollave të mesme të qytetit, të cilët qenë diplomuar në Universitetin e Tiranës. Kuptohet se një mësimdhënës filiali nuk kishte atributet e duhura akademike për të qenë delegat në kongresin ku do të vendosej për standardin gjuhësor. Në rastin e dhënë, Bajram Hajrullai nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I njëzeteshtati në listë ishte Prof. Bedri Dedja, i prezantuar si zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës. Bedri Dedja, i lindur në Korçë, i cili në atë kohë ishte 42 vjeç, kishte diplomuar në Leningrad të Bashkimit Sovjetik për pedagogji.

I njëzeteteti në listë ishte Besim Bokshi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Pavarësisht nga emri kjo ishte një shkollë që përgatiste mësues për ciklin e ulët dhe të mesëm shkollor. Edhe Besim Bokshi, në jetëshkrimin e vet zyrtar ka pretendimin sharlatanor se ka diplomuar për Albanologji në Beograd, si gradë e parë e studimeve universitare. Gjithsesi, Besim Bokshi në kohën që firmoi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit ishte një 42 vjeçar pa asnjë gradë ose titull shkencor, madje nuk ishte ende as magjistër.

I njëzetenënti në listë ishte docent Dalan Shapllo, i prezantuar si pedagog i letërsisë shqiptare në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Dalan Shapllo, i lindur në 1928 në Gjirokastër, kishte diplomuar në Moskë për gjuhë dhe letërsi ruse në vitet pesëdhjetë. Në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit, ai ishte përgjegjës i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës. Por ai nuk kishte asnjë gradë shkencore.

E tridhjeta në listë ishte Drita Garuci, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkodër, çka do të thotë se ishte mësuese në ndonjë shkollë tetëvjeçare ose të mesme. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëenjëti në listë ishte Dritero Agolli, i prezantuar si: shkrimtar, Tiranë. Dritëro Agolli, në atë kohë 41 vjeçar, pati diplomuar në Leningrad të Bashkimit Sovjetik, për gjuhë dhe letërsi ruse.

I tridhjetëedyti në listë ishte Dhimitër (Miço) Samara, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Ai pati diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe, në 1960. Në vitin 1972, në moshën 35 vjeçare nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëetreti në listë ishte Dhori Qiriazi, i prezantuar si “shkrimtar, Ersekë”. Dhori Qiriazi në atë kohë ishte një mësues letërsie 39 vjeçar, në Kolonjë, i cili shkruante poezi. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në Kongresin e Drejtshkrimit u thirr për shkak të mbiemrit të tij, që ishte i njëjtë më atë të disa rilindasve të mëdhenj.

E tridhjetëekatërta në listë ishte Elsa Vakëfliu, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Berat. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tridhjetëepesti në listë ishte Fadil Podgorica, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër. Nga mbiemri kuptohet se ishte një prej podgoriçanëve, ndryshe sllavë muslimanë të ardhur në Shkodër. Në 1972, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tridhjetëegjashti në listë ishte Fatmir Agalliu, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Fatmir Agalliu, i cili kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në kohën që firmosi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, në moshën 39 vjeçare, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëeshtati në listë ishte Fatmir Gjata, i prezantuar si “shkrimtar, Tiranë”. Ai kishte kryer studimet e larta në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë, në vitet 1946-51.

I tridhjetëeteti në listë ishte Ferdinand Leka, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi ruse në Universitetin e Tiranës, në 1960. Në 1972, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëenënti në listë ishte Gaqo Peci, i prezantuar si “Mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Korçë”. Ky gjendej në Kongres se ishte djali i Sotir Pecit, një rilindas dhe pjesëmarrës i atij që regjimi komunist e quante “Revolucioni i Qershorit” (vetë atyre që e bënë nuk u shkoi mendja ta quanin kështu!) Disa vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit, Gaqo Peci do të dënohej me burg si kundërshtar politik, i akuzuar për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit komunist. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzeti në listë ishte Hasan Sazani, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Gjirokastër. Këtij të shkretit i patën “drejtshkruar” dhe mbiemrin, që të ishte politikisht korrekt, se në fakt e kishte “Zazani”, por meqënëse Enver Zazani qe pushkatuar nga regjimi komunist, Hasanit ia bënë mbiemrin “Sazani” në Rezolutën e Kongresit. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetenjëti në listë ishte Henrik Lacaj, i prezantuar si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Henrik Lacaj studioi në Universitetin e Padovës në Itali për filologji klasike (latinisht) por nuk arriti të diplomojë. Në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit ishte pedagog i latinishtes, dhe në moshën 62 vjeç nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor. Duke qenë shkodran katolik, një specie kjo shumë e dyshimtë për regjimin komunist, ai as që do të guxonte të shprehte ndonjë mendim të vlefshëm në Kongres, ndonëse ishte ndër njerëzit e paktë që mund të thoshte diçka sadopak të vlefshme.

I dyzetedyti në listën e firmëtarëve ishte Hysen Qosja, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik në Elbasan. Instituti i Lartë Pedagogjik në Elbasan ishte një shkollë dyvjeçare që nxirrte mësues dhe jo një institucion arsimor ku mund të bëhej shkencë e mirëfilltë gjuhësore. Hysen Qosja nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetetreti në listë ishte Isa Bajçinca, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin Filozofik, Prishtinë. Në vitin 1972 ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetekatërti në listë ishte Ismail Bajra, drejtor i NGBG (shtëpia botuese) “Rilindja”, Prishtinë. Ismail Bajra nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetepesti në listë ishte Ismail Doda, i prezantuar si drejtor i Shkollës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Ostros (Krajë). Ismail Doda ishte nga shqiptarët e Malit të Zi, drejtor i një shkolle fshati dhe nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetegjashti në listë ishte Ismail Kadare, shkrimtar. Kadare kishte diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe më pas kishte studiuar në Moskë për letërsi.

I dyzeteshtati në listë ishte Jakov Xoxa, i prezantuar si shkrimtar, Tiranë. Jakov Xoxa kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi frënge në Universitetin e Sofjes në Bullgari, në vitet pesëdhjetë, çka do të thotë se mësoi bullgarishten para frëngjishtes.

I dyzeteteti në listë ishte Jani Thomai, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë. Jani Thomai, i lindur në Seman të Fierit, dhe i diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në 1972, në moshën 38 vjeçare nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I dyzetenënti në listë ishte Jorgo Bulo, i prezantuar si historian i letërsisë shqiptare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit të Tiranës. Jorgo Bulo, nga Sheperi i Gjirokastrës, në atë kohë 33 vjeçar, kishte diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor. Në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë ai gjendej prej vetëm gjashtë vitesh.

I pesëdhjeti në listë ishte Jorgji Çerepi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës, në Durrës. Edhe ky nuk kishte asnjë titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I pesëdhjetëenjëti në listë ishte Koço Bihiku, zëvendësdrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë. Koço Bihiku kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi ruse në në Bashkimin Sovjetik, në vitet 1949-54. Në vitin 1972, në moshën 46 vjeçare ai mbante vetëm titullin “bashkëpunëtor i vjetër shkencor” dhe ende nuk kishte marrë asnjë gradë shkencore.

I pesëdhjetëedyti në listë ishte Kolë Ashta, pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër. Kolë Ashta, i lindur në Shkodër në 1918, kishte diplomuar në Romë për filozofi. Meqënëse njihte latinishten, u mor me gjuhësi. Në vitin 1972, nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor, dhe nuk pati asnjë të tillë deri kur vdiq në 1998.

I pesëdhjetëetreti në listë ishte Kristaq Shtëmbari, përgjegjës i kabinetit pedagogjik, Fier. Edhe ky natyrisht nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Liriku i Madh Lasgush Poradeci

Liriku i Madh Lasgush Poradeci

I pesëdhjetëekatërti në listë ishte Lasgush Poradeci, i cili ishte marrë në Kongres me funksion dekorativ. Lasgush Poradeci në atë kohë as që botonte më. Pasi doli nga kongresi, në stilin e tij, tha fjalët e famshme: Ky emri letrar paska pasur një të mirë që nuk e dija. Të shërben në raste të tilla. Në këtë kartë palaçosh hodhi firmën Lasgush Poradeci, por jo Llazar Gusho! (Ky ishte emri i tij i vërtetë.)

I pesëdhjetëepesti në listë ishte Luan Dino, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Përmet. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E pesëdhjetëegjashta në listë ishte Lumnie Shehetila, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Elbasan, e cila nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I pesëdhjetëeshtati në listë ishte Llazar Siliqi, shkrimtar. Siliqi, një minoritar serb në Shqipëri, kishte diplomuar në Institutin e Letërsisë Botërore, “Gorki” në Moskë, në vitin 1951.

I pesëdhjetëeteti në listë ishte Mehmet Çeliku, i prezantuar gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Mehmet Çeliku, i diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor në vitin 1972.

I pesëdhjetëenënti në listë ishte Menella Totoni, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Menella Totoni, i lindur në Përmet, në moshën 37 vjeç nuk kishte ende asnjë gradë shkencore dhe kishte vetëm titullin e bashkëpunëtorit shkencor. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës.

I gjashtëdhjeti në listë ishte Mërkur Alimerko, drejtor i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor në Tiranë. Ai kishte diplomuar për rusisht në Tiranë. Nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëenjëti në listë ishte Mikel Zavalani, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Korçë. Edhe ky u zgjodh për shkak të mbiemrit të tij që ishte ai i rilindasve të njohur. Por ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëedyti në listë ishte Myfit Trepça, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Peshkopi. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëetreti në listë ishte docent Munir Reso, i prezantuar si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. I lindur në Gjirokastër ai gjendej në Kongres vetëm se Enver Hoxha donte që atje të kishte sa më shumë gjirokastritë. Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore dhe as nuk mori më vonë. Munir Reso nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëekatërti në listë ishte Naim Bardhi, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Kavajë. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëepesti në listë ishte Nesti Bellovoda, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës, në Korçë. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E gjashtëdhjetëegjashta në listë ishte Nikoleta Cikuli, e prezantuar si gjuhëtare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Tiranë. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëeshtati në listë ishte Niko Tanini, i prezantuar si redaktor letrar në gazetën “Zëri Popullit” (organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë). Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Pamje e Shqipërisë Komuniste

Pamje e Shqipërisë Komuniste

I gjashtëdhjetëeteti në listë ishte Osman Myderrizi, i prezantuar si gjuhëtar dhe mësues veteran. Osman Myderrizi, i lindur në 1891 ishte një njeri i paarsimuar (Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 2009 për të thuhet se “Lindi në Tiranë ku kreu mësime pedagogjike”?!) Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore. Por e patën bërë “Bashkëpunëtor të vjetër shkencor” me rastin që do të merrte pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit.

I gjashtëdhjetëenënti në listë ishte Pashko Geci, i prezantuar si gjuhëtar, mësues veteran, Tiranë. Ky ishte në fakt Pashko Gjeçi, të cilit ia patën ndryshuar mbiemrin, për shkak se pati qenë i burgosur politik, pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi. Pashko Gjeçi pati diplomuar për gjuhësi në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ai ishte thirrur në Kongres me funksione dekorative, ashtu që regjimi komunist të pretendonte se standardin gjuhësor e patën miratuar dhe intelektualët katolikë, të cilët nuk njiheshin si njerëz pro regjimit. Me këtë rast, Pashko Gjeçit iu dha edhe titulli honorifik “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”. Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore. Natyrisht se Pashko Gjeçi nuk do të guxonte të shfaqte asnjë mendim kundër asaj që ishte linja zyrtare në Kongres.

I shtatëdhjeti në listë ishte Dr. Petro Janura, i prezantuar si drejtor i Degës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shkupit. Ky ishte një person shumë interesant, një aventurier kërshëror. I lindur në 1911 në Fier, ai e bëri shkollën e mesme në Rumani. Në 1940, diplomoi si jurist në Universitetin e Pizës në Itali. Kur në 1941, në trojet shqiptare që deri më atëherë patën qenë në Jugosllavi dhe që iu bashkuan shtetit shqiptar, u çuan mësues dhe zyrtarë të ndryshëm nga Shqipëria e vjetër, siç quhej, shkoi edhe Petro Janura, si gjykatës në Gostivar. Në 1944 e kapën rob partizanët jugosllavë dhe ia dorëzuan OZNA-s (shërbimit të fshehtë, paraardhësit të UDB). Janura u mor vesh me OZNA-n aq sa qëndroi në Jugosllavi dhe nuk u kthye në Shqipëri, ku me siguri do të kishte përfunduar në burg. Në 1945, gjykatësi fashist Petro Janura u emërua kryeredaktor i parë i gazetës “Flaka e vëllazërimit”, dhe më pas i gazetës “Jehona”. Ai nuk ishte arsimuar për gjuhësi, nuk ishte gjuhëtar profesionist dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I shtatëdhjetëenjëti në listë ishte Pjetër Fusha, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Rubik të Mirditës. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I shtatëdhjetëedyti në listë ishte Qemal Haxhihasani, i prezantuar si folklorist në Institutin e Folklorit në Tiranë. Qemal Haxhihasani kishte kryer dy vjet me korrespondencë në Universitetin e Firenze në Itali, për pedagogji (1940-42). Atij iu dha titulli honorifik Bashkëpunëtor i vjetër shkencor, me rastin e Kongresit të Drejtshkrimit. Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore.

I shtatëdhjetëetreti në listë ishte Remzi Pernaska, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Remzi Përnaska i lindur në Korçë në 1934, kishte diplomuar për gjuhën ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë. Në 1960-61, studioi në Moskë për gjuhën turke. Në 1972, në moshën 38 vjeç, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I shtatëdhjetëekatërti në listë ishte Sefedin Sulejmani, i prezantuar si drejtor i Njësisë së bashkuar të punës botuese (shtëpi botuese) “Flaka e vëllazërimit” në Shkup. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E shtatëdhjetëepesta në listë ishte Sofika Adhami, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Vlorë. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E shtatëdhjetëegjashta në listë ishte Sofika Morcka, e prezantuar si gjuhëtare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I shtatëdhjetëeshtati në listë ishte Spiro Floqi, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Spiro Floqi, i lindur në 1920 në Korçë, kishte diplomuar në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, për gjuhësi. Në 1972, në moshën 52 vjeçare, ai nuk kishte asnjë gradë shkencore, dhe mbante vetëm titullin shkencor të Bashkëpunëtorit të vjetër shkencor. As më pas ai nuk mori ndonjë gradë shkencore. E megjithatë ishte përgjegjës i sektorit të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

I shtatëdhjetëeteti në listë ishte Stefan Prifti, i prezantuar si gjuhëtar. I lindur në Arrëz të Kolonjës, ai pati diplomuar për filologji në Universitetin e Athinës në 1938. Në vitin 1972, në moshën 62 vjeç, ai nuk kishte asnjë gradë shkencore, por mbante vetëm titulli shkencor “docent”. As më pas nuk mori ndonjë gradë shkencore.

I shtatëdhjetëenënti në listë ishte Sterjo Spasse, shkrimtar, minoritar maqedon në Shqipëri. Ai kishte studiuar në Institutin e Letërsisë Botërore “Gorki në Moskë”.

I tetëdhjeti në listë ishte Shefqet Hoxha, pedagog i gjuhës shqipe në filialen e Universitetit të Tiranës, në Kukës. Ai nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tetëdhjetëenjëti në listë ishte Shevqet Musaraj, shkrimtar. I lindur në 1914, në Vajzë të Vlorës, ai kishte kryer vetëm shkollën e mesme tregtare në Vlorë. Nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëdhjetëedyti në listë ishte Tomor Osmani, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1972, në moshën 37 vjeçare, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëdhjetëetreti në listë ishte Xhevat Lloshi, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. I lindur në Fier, ai diplomoi për gjuhë dhe letërsi ruse në Universitetin e Tiranës. Në 1972, në moshën 34 vjeçare, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëdhjetëekatërti në listë ishte Ylli Ruli, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës. Ylli Ruli, nga Libohova, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E tetëdhjetëepesta në listë ishte Zana Daci, e prezantuar si pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk mori as më vonë. Ajo nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tetëdhjetëegjashti në listë ishte Prof. Zihni Sako, drejtor i Institutit të Folklorit në Tiranë. Zihni Sako, i lindur në 1912 në Gjirokastër, e pati kryer arsimin e mesëm dhe atë të lartë në Greqi, në Janinë dhe në Athinë. Në Universitetin e Athinës studioi dy vite për filologji klasike.

E tetëdhjetëeshtata në listë ishte Zhaneta Nova, mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Gjirokastër. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit

Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit

Nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit që nënshkruan Rezolutën për standardin e gjuhës shqipe, 72 nuk kishin asnjë gradë shkencore!!! Nga 15 nënshkruesit me grada shkencore, pesë prej tyre nuk i kishin ato në gjuhësi. Këta qenë: Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Bedri Dedja, Josif Ferrari, Zihni Sako. Nga pesë gjuhëtarët me titull “profesor”, njëri, Androkli Kostallari kishte diplomuar për rusisht. Ndër delegatët me tituj shkencorë, kishte pesë docentë dhe shtatë bashkëpunëtorë të vjetër shkencorë. Ndër bashkëpunëtorët e vjetër shkencorë, njëri Osman Myderrizi, nuk kishte as diplomë të shkollës së mesme. Pjesa më e madhe e delegatëve qenë shkolluar në Bashkimin Sovjetik dhe gjuha e huaj e vetme që njihnin mirë ishte rusishtja. Në fakt, për shkak të pranisë së delegatëve nga trojet shqiptare në Jugosllavi, të shkolluar në Beograd dhe në shkolla ku gjuha e parë pas shqipes ishte serbokroatishtja, mund të thuhet se 80% e delegatëve nuk zotëronin mirë asnjë gjuhë të huaj përveç këtyre dy gjuhëve sllave. Madje edhe në vitin 2008, pra 36 vjet pas Kongresit, nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit, 37 prej tyre, nuk përmbushin kriteret e vëna për të hyrë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, do të thotë nuk kanë marrë grada shkencore! Kjo shifër do të dilte edhe më e lartë nëse llogaritet se disa delegatë të Kongresit të vitit 1972, kanë hyrë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar thjesht si shkrimtarë mediokër të realizmit socialist si Ali Abdihoxha, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Shevqet Musaraj, Sterjo Spasse, Dhori Qiriazi. Nëse Fjalori Enciklopedik Shqiptar i viteve 2008-2009 do të ishte bërë në 1972, atëherë 55 delegatë të Kongresit, nga 87, nuk do të mund të përmbushnin kriteret për të hyrë në Fjalorin Enciklopedik!
Merret vesh, firmëtarët e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit nuk përbënin një forum serioz shkencor. Apologjia e tyre do të kishte qenë nëse ata, pas rënies së regjimit komunist do të kishin thënë se vepruan në rrethana emergjente dhe të kërkonin që të mbahej një kongres i mirëfilltë shkencor për të vendosur standardin e gjuhës shqipe. Disa prej tyre në fakt e kanë thënë këtë gjë. Por pjesa më e madhe qenë përzgjedhur nga regjimi komunist të tillë që nuk kanë as minimumin e deontologjisë profesionale, dhe nuk mund të pritej tjetër gjë prej tyre, se profesioni bazë i tyre është ai i sharlatanit. Në vend që të mbanin qëndrimin e thënë më lart, ata pas vitit 1972 dhe madje pas vitit 1990 vazhduan që të shpërblejnë njëri-tjetrin me grada dhe tituj shkencorë që në thelb nuk qenë gjë tjetër veçse një ritual i zbatimit të “religjionit” të krijuar në 1972, në trajtën e standardit të gjuhës shqipe. Nëse sot, në vitin 2012 do të mblidhej një forum prej 87 vetësh me një përbërje të ngjashme me atë të vitit 1972, nga pikëpamja e kualifikimit shkencor, dhe do të diskutonte për standardin e gjuhës shqipe, ai do të kritikohej si joserioz, joprofesional, qesharak, madje edhe nga ata firmëtarët e mbetur gjallë të Rezolutës të vitit 1972.

.

Ps. Me blu janë paraqitur firmatarët e Republikës së Shqipërisë, dhe me violë ata të territoreve jashtëshqiptare.

blank

Si e përshëndeti EnverHoxha Kongresin e Drejtshkrimit 1972 dhe një shkrim i atëhershëm nga EMIL LAFE

TIRANE– Faqe të tëra, në revistën “Nëntori”, kushtuar ngjarjes më të bujshme rreth gjuhës shqipe në kohën e diktaturës, Kongresit të Drejtshkrimit… Shpresat për të gjetur aty debatet e diskutimet që e shoqëruan këtë ngjarje, shuhen, ndërsa lexon rresht pas rreshti “Nëntorin”. Asnjë diskutim. Asnjë përmendje. Një prezantim i kësaj ngjarje nga gjuhëtari Emil Lafe prezanton hap pas hapi përpjekjet dhe etapat që çuan tek mbajtja e këtij Kongresi. Lafe përmend vetëm referatin e drejtorit të Institutit të Historisë e Gjuhësisë Androkli Kostallarit me temën “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme të drejtshkrimit të saj”.

Më tej ai njofton se janë mbajtur edhe “180 kumtesa e diskutime”, ku sipas tij  “u bë një rrahje e gjerë krijuese e pikëpamjeve shkencore për të gjithë çështjet e drejtshkrimit të shqipes”. Në fund të shkrimit Lafe kujton përshëndetjen e Enver Hoxhës duke uruar për këtë fitore të pallogaritshme…
Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe botohet e plotë në vijim të faqeve të “Nëntorit” dhe me kaq ngjarja e bujshme mbyllet.
A u njoh ndonjëherë publiku i gjerë me diskutimet e atij Kongresi? Kush ishte pro e kush kundër, çfarë idesh u përkrahën e çfarë u kundërshtua? Zbulimi i kësaj tabloje do t’i mbetet hapjes së dosjeve arkivore. Sot po i sjellim lexuesit anën e thatë e zyrtare që i paraqiti publikut regjimi i kohës mbi këtë çështje që ngjall debate sa herë hidhet në diskutime publike.


KONGRESI I DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE

Nga EMIL LAFE
Në prag të festave tona të mëdha kombëtare, zhvilloi punimet në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i thirrur me iniciativën e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Çështja e formimit të një gjuhe letrare kombëtare të njësuar ka qenë pjesë e pandarë e jetës politike, shoqërore e kulturore të popullit tonë që nga Rilindja e këtej. Në këtë çështje të madhe caktimi i alfabetit të sotëm nga Kongresi i Manastirit më 1908 dhe vendosja e rregullave përfundimtare të drejtshkrimit nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe përbëjnë dy momente shumë të rëndësishme, dy ngjarje historike. Të dyja këto ngjarje janë kurorëzimi i përpjekjeve të pareshtura të shumë brezave që punuan e luftuan me besim të plotë se gjuha jonë e ëmbël dhe e gjerë, e lehtë dhe e lirë, e bukur dhe e mirë do të kishte një të ardhme të madhe, të ndritur.

Duke qenë se drejtshkrimi përbën tiparin dallues themelor të një gjuhe letrare të përpunuar, diskutimet rreth tij, përpjekjet për hartimin e një drejtshkrimi sa më të njësuar, kanë zënë një vend qendror në diskutimet dhe debatet rreth çështjes së gjuhës letrare në përgjithësi. Që më 1905 Luigj Gurakuqi thoshte se drejtshkrimi “ka një rëndësi të madhe fort për themelim të një gjuhe letrare shqipe, sa mund të themi se nuk do të arrijmë kurrë këtu po të mos zgjedhim e po të mos caktojmë një mënyrë të posaçme e të veçantë për të shkruar një fjalë si toskërisht, si gegërisht”. Pikërisht duke u nisur nga kjo e vërtetë e padiskutueshme, Komisia Letrare e Shkodrës, në të cilën bashkë me L. Gurakuqin bënin pjesë edhe S. Peci, N. Mjeda, Gj. Pekmezi, M. Logoreci, A. Xhuvani etj., me rregullat ortografike që botoi më 1917 bëri me sukses një afrim të mëtejshëm të gegërishtes së shkruar me toskërishten.

Ato rregulla patën një rëndësi historike për konvergjencën e mëvonshme të dy varianteve, verior e jugor, të shqipes letrare, megjithëse për gati tridhjetë vjet rresht puna e Komisisë Letrare jo vetëm nuk u çua përpara në një mënyrë më të organizuar e më të studiuar, por edhe u kundërshtua ose u la në harresë të plotë nga klasat sunduese e nga kleri katolik. Kjo solli që para çlirimit të mbretëronte një kaos ortografik. “Të gjithë e dimë, – shkruante A. Xhuvani, duke karakterizuar atë gjendje, – se ortografia e shqipes nuk është e ngulme saqë të quhet e unifikuar dhe të përdoret po në atë mënyrë prej të gjithë atyre që marrin pendën e shkruajnë ose shkarravisin gjësendi; por lëkundet kjo ortografi jona në mes shumë fluktuacionesh, saqë çdo shkrimtar a auktor ka një mënyrë më vete ortografie, ashtu si ia ka rrokur mendja e tij, ose shkon mbas ortografisë së njërit a tjetrit shkrimtar të mëparshëm. Veç kësaj, edhe çdo shkrimtar ose auktor tjetër që thuhet se ka formuar një farë mënyre shkrimi, nuk është konsekuent në punë të ortografisë së vet, por ka një fluktuacion në shkrimet e veta, duke përdorur trajta të ndryshme fjalësh”.

Në Shqipërinë e re demokratike dhe popullore çështjes së gjuhës letrare iu kushtua menjëherë kujdesi i duhur. Një nga punët e para që kreu Instituti i Shkencave, i themeluar më 1947, ishte hartimi i një ortografie të re, që të merrte parasysh zhvillimin e gjuhës letrare shqipe gjatë tridhjetë vjetëve që kishin kaluar që nga koha e Komisisë Letrare të Shkodrës. Kjo ortografi u botua në Buletinin e vitit 1948 të atij Instituti dhe pastaj, e ripunuar, doli si libër i veçantë më 1951. Pas një konference shkencore të posaçme që u thirr për të diskutuar rreth ortografisë, më 1956 u hartuan dhe u botuan rregulla të reja ortografike, më të plota dhe më të njësuara se të mëparshmet.

Zhvillimi i vrullshëm i kulturës, i arsimit, i veprimtarisë së institucioneve shkencore, i letërsisë, i artit, i publicistikës në periudhën pas vitit 1956 shtroi si një nevojë praktike të ngutshme njësimin e gjuhës letrare dhe e shpejtoi në mënyrë të dukshme procesin e konvergjencës gjuhësore. Gjuha letrare shqipe, në të gjitha fushat e zbatimit të saj, filloi kështu të funksionojë në një trajtë të vetme, të formuar si rezultat i një procesi të gjatë afrimi të dy varianteve letrare kryesore të saj. Gjuhësia shqiptare, me sukseset e rëndësishme që arriti pas çlirimit, dha një ndihmë të madhe për drejtimin dhe shpejtimin e këtij procesi objektiv dhe për përcaktimin e zgjedhjen e trajtave gjuhësore të drejta, ose, siç thuhet, për kodifikimin e normës së gjuhës letrare.

Në këtë mes një vend qendror zë puna me drejtshkrimin, pasi, ndryshe nga disa gjuhë, në drejtshkrimin e të cilave vendin kryesor e zënë rregullat që tregojnë se me ç’shkronja ose me ç’kombinime shkronjash shënohen këta ose ata tinguj, drejtshkrimi i shqipes, përkundrazi, lidhet ngushtë me tërë strukturën gramatikore e leksikore të gjuhës. Për t’iu përgjigjur kësaj gjendjeje të re cilësore të gjuhës letrare në shkurt 1967 u  botuan “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”, hartuar si projekt për diskutim nga një komision i posaçëm i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, me synimin që në të ardhmen, në bazë të tyre të hartohej drejtshkrimi i shqipes në trajtë përfundimtare.
Projekti i vitit 1967 iu shtrua menjëherë një diskutimi të gjerë si në shtypin shkencor e periodik, ashtu edhe në mbledhje e konsulta të posaçme që u organizuan në njëzet e një rrethe të vendit e në disa institucione kulturore-shkencore të kryeqytetit.

Parimet e hartimit të këtij projekti dhe rregullat kryesore të tij gjetën një miratim të përgjithshëm në opinionin shkencor-arsimor të vendit. Zbatimi i këtij projekti solli një përmirësim të dukshëm të gjuhës së të gjitha botimeve tona. Që nga prilli i vitit 1968, me vendim të Konsultës Gjuhësore të përfaqësuesve të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, ky projekt po zbatohet me sukses në të gjitha botimet e atjeshme. Përpjekje të ngjashme janë bërë edhe nga arbëreshët e Italisë.

Pas një periudhe prej pesë vjetësh, gjatë së cilës projekti u diskutua e u zbatua gjerësisht, Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë i USHT mori iniciativën për të mbledhur një Kongres të Drejtshkrimit, si forumin më të lartë shkencor kombëtar, që do të diskutonte përfundimisht çështjet teorike e praktike, të përgjithshme e të veçanta, të drejtshkrimit të shqipes dhe do të përcaktonte parimet dhe vijat themelore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe në trajtë përfundimtare.
Kongresi u mblodh në Tiranë nga 20 deri më 25 nëntor 1972. Në Kongres morën pjesë si delegatë e si të ftuar përfaqësues të dalluar të gjuhësisë shqiptare, të shkollës shqipe e të kulturës sonë kombëtare. Ndër ta ishin edhe studiues të shqipes e punonjës të arsimit e të kulturës nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga arbëreshët e Italisë.
Në Kongres Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, mbajti një referat kryesor me temë: “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme të drejtshkrimit të saj” dhe rreth 180 kumtesa e diskutime, në të cilat u bë një rrahje e gjerë krijuese e pikëpamjeve shkencore për të gjitha çështjet e drejtshkrimit të shqipes. Kongresi i zhvilloi punimet mbi baza të shëndosha shkencore dhe në përputhje me fazën e sotme të zhvillimit të gjuhës letrare. Ai tregoi jo vetëm përparimet e arritura nga gjuhësia jonë në fushën e studimit të gjuhës letrare, por edhe karakterin e saj masiv, interesimin e vazhdueshëm për gjuhën të arsimtarëve, letrarëve, punonjësve të shtypit, të artit, të kulturës etj. Një kontribut të rëndësishëm dhanë në punimet e Kongresit edhe delegatët e të ftuarit nga shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe nga arbëreshët e Italisë.

Në përfundim të punimeve Kongresi diskutoi dhe aprovoi njëzëri një rezolutë, e cila u nënshkrua nga tetëdhjetë e shtatë delegatët e Kongresit, dhe përbën kështu një dokument kombëtar historik. Në këtë rezolutë bëhet vlerësimi i gjendjes së sotme të gjuhës letrare shqipe, duke u theksuar se ajo sot funksionon si gjuha letrare e njësuar e gjithë popullit shqiptar, vihet në dukje se kjo arritje e madhe u detyrohet përpjekjeve të pareshtura të popullit tonë arsimdashës që nga Rilindja e këtej, e sidomos kushteve të reja shoqërore-historike që u krijuan pas çlirimit; më tej në rezolutë parashtrohen një varg kërkesash të Kongresit, në bazë të të cilave do të bëhet hartimi përfundimtar i “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” dhe u bëhet thirrje shkollës shqiptare, shkrimtarëve, institucioneve botuese, shtypit, enteve shtetërore, radio-televizionit, teatrit, kinematografisë etj., që ta përvetësojnë dhe ta zbatojnë me këmbëngulje drejtshkrimin e ri që do të hartohet në bazë të kësaj rezolute brenda vitit 1973.

Ky drejtshkrim do të jetë pa dyshim më konsekuent, më objektiv, më sistematik dhe më i thjeshtë se projekti i 1967-ës. Por nuk duhet të kemi iluzione se ai do të jetë fare i lehtë dhe se do të mësohet pa mundim. Drejtshkrimi është i lidhur me gjuhën dhe nuk mund të mësohet mirë po të mos mësohet mirë vetë gjuha. Prandaj sistemi i rregullave drejtshkrimore në tërësinë e tij nuk mund të përvetësohet plotësisht pa zotëruar mirë gramatikën. Shkrimi i drejtë i qindra dhe mijëra fjalëve varet nga njohja e mirë e funksioneve të tyre gramatikore. Kultura drejtshkrimore lidhet ngushtë me kulturën gjuhës dhe nuk mund të ndahet nga ajo. Kështu që njëkohësisht me zgjidhjen përfundimtare të çështjes së drejtshkrimit ne duhet të marrim të gjitha masat për ngritjen e përgjithshme të kulturës gjuhësore, duke u udhëhequr nga roli dhe rëndësia e gjuhës letrare për zhvillimin e jetës mendore dhe për forcimin e ndërgjegjes kombëtare.

Para gjuhësisë shqiptare hapet një fushë e gjerë pune me rëndësi dhe përgjegjësi historike. Në rezolutën e Kongresit thuhet se në vitet e ardhshme duhet të hartohet Fjalori drejtshkrimor, Rregullat e drejtshkrimit, Rregullat e pikësimit dhe një varg librash për të çuar në masat rezultatet e studimeve shkencore në fushën e normës së gjuhës letrare, të cilat do të zgjerohen e njëkohësisht do të thellohen gjithnjë e më shumë. një rëndësi të madhe shoqërore merr tani edhe puna për hartimin e “Gramatikës së gjuhës letrare shqipe”.

Vlerësimi i lartë që i bëri shoku Enver Kongresit të Drejtshkrimit si një fitore e pallogaritshme në mes të aq fitoreve që ka korrur populli ynë me luftë, me përpjekje e me zotësi është një frymëzim i madh për punonjësit e gjuhësisë, të shkollës, të letërsisë e të shtypit shqiptar. Veçanërisht shkrimtarët e poetët tanë duhet të luajnë një rol edhe më madh se gjer tani për ta bërë gjuhën shqipe më të pasur, më të bukur, më shprehëse, për t’i dhënë një shkëlqim të ri këtij thesari të madh që populli e ruajti në shekuj si pjesë të pandarë të qenies së tij kombëtare.

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

blank

Pesëdhjetëvjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe – Nga Rexhep Qosja

 

Përvjetor madhështor

Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe, i mbajtur në vitin 1972, është ngjarja më e madhe në historinë e kulturës shqiptare.

Me rëndësinë e tij, me ndikimet e tij shumaspektore në jetën shoqërore, arsimore, kulturore, shpirtërore në përgjithësi të popullit shqiptar ai hyn në radhën e ngjarjeve politike, shoqërore, kombëtare, historike që qe 50 vjet e lëvizin, që e çojnë përpara në pikëpamje kulturore, që e shumëkuptimësojnë dhe e lartësojnë jetën e këtij populli.

Me njësimin e gjuhës letrare shqipe rregullat drejtshkrimore të së cilës janë paraqitur në Kongresin në fjalë, është përplotësuar, është pasuruar, është njësuar gjithëkombëtarisht identiteti i përtashëm dhe historik i shqiptarëve.

Emri i kongresit

Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe ka mundur të quhet edhe ndryshe, ndoshta më saktësisht, më përkatshëm për përmbajtjen dhe për qëllimin e tij: ka mundur të quhet Kongresi i Gjuhës së Njësuar Letrare Shqipe.

Po t’i shohim historitë e miratimit të gjuhëve të njësuara letrare të popujve të Ballkanit dhe të numrit më të madh të popujve të Evropës do të mësojmë se shumica e tyre i kanë quajtur gjuhë letrare, ose gjuhë të letërsisë, ose gjuhë të përbashkëta letrare, kurse ndonjëri prej këtyre popujve e ka quajtur edhe gjuha e njësuar shtetërore.

Pse organizuesit e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe e kanë quajtur kështu e nuk e kanë quajtur si shumica e popujve ballkanikë dhe evropianë: Kongres i Gjuhës Letrare?

Mund të supozohet, megjithëse një varg gjuhëtarësh dhe intelektualësh të tjerë ndoshta nuk do të pajtohen me këtë supozim, pse e kanë quajtur Kongres i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe e jo Kongres i Gjuhës Letrare të Njësuar sepse kanë shpresuar se kështu do të shmangnin mospajtimet eventuale me Kongresin e Gjuhës Letrare Kombëtare ose me Kongresin e Gjuhës Letrare të Njësuar ose me Kongresin e Gjuhës së Përbashkët Letrare, që mund të ishin shumë më të mëdha edhe gjatë mbajtjes së Kongresit e jo vetëm mbas përfundimit të tij.

Megjithëse Drejtshkrimi është mbështetja shkencore mbi të cilën ndërtohet, krijohet gjuha letrare e njësuar, në mendjen e të mospajtuarve me frytet e Kongresit ai i lejon mospajtimet, ndryshimet, plotësimet, që nuk do t’i lejonte Kongresi i Gjuhës Letrare të Njësuar.

May be an image of 13 people and people standing

Viti i mbajtjes së Kongresit

Viti 1972 është një vit si të ishte i paracaktuar për Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Ai është vit në të cilin sikur ishin përmbledhur dhe dukeshin më qartësisht disa të arritura të përgjithshme në trevat shqiptare e sidomos të arriturat në fushë të arsimit, të kulturës e të shkencës.

Të filluara në vitin 1967 ishin pasuruar dhe përforcuar marrëdhëniet arsimore, shkencore e kulturore mes Shqipërisë e Kosovës. Ndikimi i tyre në komunikimet mendore, shpirtërore mbarëkombëtare ishte i shumanshëm dhe shumë i rëndësishëm.

Shqipëria disa vite më parë ishte liruar prej marrëdhënieve frymëmarrëse me Bashkimin Sovjetik, madje edhe me vendet e tjera komuniste evropiane, kurse prej vitit 1972 po jepte shenja se do të lirohet edhe prej marrëdhënieve diplomatike e shtetërore me Kinën.

Në Shqipëri ishin krijuar një varg institucionesh shkencore e kulturore, kurse me 10 tetor të vitit 1972, ishte krijuar Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që i shtonte gjasat e gëzimet për mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Kosova, pas të ashtuquajturit Plenumit të Brioneve në të cilin ishin dënuar terrori e dhuna e Sigurimit të Brendshëm Shtetëror (UDB-së) ndaj shqiptarëve, ishte bërë autonomi me disa të drejta që s’i kishte pasur deri atëherë. Rrita e statusit të saj, megjithëse, siç do të bindemi shpejt, ishte vetëm e përkohshme, dëshmohej sidomos përmes institucionesh të larta arsimore, shkencore e kulturore që u krijuan. E u krijuan, pos Institutit Albanologjik dhe Institutit të Historisë, që ishin krijuar ndonjë vit më herët, Universiteti i Prishtinës dhe Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 1975, në të vërtetë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Në qoftë se në vitin 1968, në Konsultën Shkencore të Prishtinës, pajtimet me reformën revolucionare gjuhësore që do të ndodhte në Tiranë në vitin 1972, mund të ishin kryesisht ndjenjore dhe retorike, tani, në vitin 1972, mund të ishin pajtime, gjykime, vlerësime mendimore. Intelektualët e Kosovës: albanologë, historianë, gjuhëtarë, etnografë, folkloristë, pedagogë në Universitet, në shkollat e mesme, në arsimin në përgjithësi, ishin të gatshëm të kuptojnë e të vlerësojnë drejt të sotmen e të ardhmen e fryteve gjithëkombëtare, rëndësinë historike të atij kongresi, që do të quhej Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe.

Me drejtshkrimin e ri, të miratuar në atë Kongres, idealit për të cilin një numër i tyre kishin vuajtur shumë vite burgje serbe e jugosllave i shtohej një përbërës madhor për bashkimin e ardhshëm të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë, me Nënën Shqipëri.

Përkrahja me mendje e me zemër që në vitin 1972, pesë ditë para ditës madhështore, 28 nëntorit kur u krijua Shqipëria, ishte përkrahje që i jepej Kongresit prej gjithë shqiptarëve që jetonin në ish Jugosllavi: në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në një varg qytetesh të republikave të tjera, si në Kroaci, Slloveni e Bosnjë e Hercegovinë.

No photo description available.

Organizuesit e Kongresit

Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe janë albanologët më të shquar, më të çmuar shqiptarë, para së gjithash gjuhëtarët, historianët, shkrimtarët, intelektualët. E të tjerë. Prej të gjithë albanologëve, që merreshin me dije të ndryshme, që e përbëjnë albanologjinë, si më të merituarit përmendeshin gjuhëtarët: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Jorgji Gjinari, Anastas Dodi, Lirak Dodbiba, Emil Lafe, Engjëll Angoni, Ferdinand Leka, Osman Myderrizi. E të tjerë. Babai i Kongresit, në të vërtetë ishte Androkli Kostallari.

Ata, gjuhëtarët, do ta bëjnë të mundshëm organizimin e atij Kongresi të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe para së gjithash me punën e tyre, me të arriturat në krijimtarinë e tyre në fushat e ndryshme të gjuhësisë, në sajë të të cilave do të bëhet drejtshkrimi i gjuhës letrare të njësuar që do të paraqitet në Kongres, që do të shqyrtohet e do të diskutohet në Kongres e që, më në fund, do të sjellë Projektrezolutën e pastaj Rezolutën e nënshkruar prej 87 delegatëve të Kongresit.

Për të gjitha këto arsye atyre prej opinionit kulturor, politik  e kombëtar shqiptar u janë dhuruar të gjitha meritat për krijimin e gjuhës letrare të njësuar.

Me gjithë meritat e tyre të jashtëzakonshme për krijimin e gjuhës së njësuar letrare, gjuhëtarët, albanologët e mëdhenj që e bënë të mundshëm dhe  e organizuan atë Kongres nuk janë ideologët e tij të parë. Siç theksohet edhe prej atyre në Projektrezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, themelet e gjuhës së njësuar letrare kombëtare janë hedhur që në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Domethënë: nismëtarët e themelimit të gjuhës letrare të njësuar janë Rilindësit.

Ata, rilindësit do të bëjnë çmos, do të bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme, për krijimin e kushteve politike, kulturore, shoqërore për krijimin e gjuhës letrare të njësuar.

Paraardhësit e Kongresit të Drejtshkrimit

Rilindësit pra do të krijojnë të parët idenë e madhe të gjuhës së njësuar letrare shqipe.

Ata, rilindësit, do të bëjnë përpjekje të pandërprera për ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare të bashkatdhetarëve që do t’i bëjë ata përkrahës, kërkues, madje adhurues të gjuhës së njësuar letrare kombëtare.

Ata do të bëjnë përpjekje që t’i lirojnë bashkatdhetarët nga varësia shpirtërore, dhe politike prej dy qendrave ballkanike dhe një qendra evropiane që kishin ndikim shumë të madh e shumë të gjatë në mendjen e në zemrën e tyre: ndikim për interesat e veta e jo të shqiptarëve.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për t’i bindur bashkatdhetarët e tyre që në vend të gjuhëve të huaja, në vend të latinishtes, italishtes, greqishtes, turqishtes, arabishtes, persishtes, që ishin gjuhët që e ashtuquajtura elitë shoqërore, ekonomike e politike i përdorte në shkrime e në komunikim, të shkruanin e të flisnin në gjuhën kombëtare – në gjuhën shqipe.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta mbledhin, ta botojnë e ta popullarizojnë sasiorisht dhe cilësorisht letërsinë popullore dhe në përgjithësi thesarin folklorik. Dhe, këtë do ta arrijnë.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta zbulojnë, ta bëjnë të njohur e ta studiojnë traditën historike me figurat e saj të lavdishme duke filluar në radhë të parë prej Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dhe këtë qëllim do ta arrijnë suksesshëm.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të krijojnë letërsinë kombëtare, letërsinë shqipe, dhe këtë qëllim po ashtu do ta arrijnë me veprat e shkruara e të botuara në radhë të parë në kolonitë e tyre në Rumani, Egjipt, Bullgari, Turqi, Itali, Belgjikë, Amerikë e në Atdhe.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta arsimojnë popullin dhe që të krijojnë alfabetin e përbashkët kombëtar, pas një numri të dukshëm alfabetesh vetjake, që kishin krijuar disa nga rilindësit. Dhe këtë qëllim shumë të rëndësishëm do ta sendërtojnë me organizimin e Kongresit të Manastirit në vitin 1908.

Ata do të bëjnë përpjekje për krijimin e institucionit të parë politik, shoqëror, shtetëror dhe këtë qëllim do ta realizojnë me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e mandej edhe të Lidhjes Shqiptare të Pejës.

Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme të krijojnë shtetin kombëtar shqiptar. Dhe këtë ideal madhështor do ta realizojnë me 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Dhe, kështu, rilindësit i krijuan kushtet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, ekonomike, kombëtare për predikimin dhe krijimin e gjuhës së njësuar letrare, që do të bëhet më 1972.

Jeronim de Rada krijoi një gjuhë letrare vetjake.

Dhimitër Kamarda propozoi krijimin e një gjuhe të përbashkët shkencore, pa lidhje me gjuhën popullore!

Konstantin Kristoforidhi disa shkrime të tij i botoi në toskërishte dhe në gegërishte, në elbasanishte.

Jani Vreto shkroi, siç e thotë ai, përzjeshëm”, por më shumë gegërisht, kurse fjalët e reja i shkroi në toskërishte e në gegërishte.

Naim Frashëri e Sami Frashëri, megjithëse kanë shkruar toskërisht, krijuan shumë fjalë të reja duke i bazuar në trajtën leksikore e fonetike të gegërishtes.

Në letrën që Jeronim De Radës ia çoi Sami Frashëri shkruan se “të shkruarit duhet t’i shërbejë të gjallurit të gjuhës shqipe dhe të bashkuarit të dialekteve” sepse, thotë, “shumë gjuhë e dialekte sjellin ndarje e mërgim”.

Luigj Gurakuqi shkroi: “e zgjidhëm çështjen e abesë kurse tani do të mundohemi me u marrë vesh edhe për çështje të ortografisë e cila ka rëndësi të madhe për themelimin e një gjuhe letrare shqipe”.

Faik Konica shkroi: “Vetëm shqiptarët s’e kanë një gjuhë të tillë prandaj kanë mbetur të ndarë njëri nga tjetri andaj kanë rrjedhur aq të këqija për neve të mjerët. Është nevoja të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte”.

Asdreni shkroi: “Kam uzdajë se pas të vendosurit e një abetari të përgjithshëm, mbetet edhe ndjehet nevojë t’i jepet një drejtim edhe gjuhës, duke i bashkuar që të dy dialektet Toskë e Gegë”.

Hilë Mosi shkroi: “Kështu po shkojmë edhe ne dalëngadalë, por me kohë, që gjuha jonë me mbërri me pasë një të folme të përmbarshme, të dlirë e të begatë, por edhe me pasë një letërsi kaq të bukur, që me kenë nji ndër më të mirat ndër gjuhët që po fliten në Ballkan”.

E të tjera e të tjera.

Mendimet e sotme për Kongresin e Drejtshkrimit

Është thënë që moti se jeta e çdo ngjarjeje të madhe dhe jeta e çdo ideje të madhe është njëkohësisht edhe dramë e tyre.

Këtë e dëshmon edhe jeta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Krahas përkrahjes së mirëditur që i jepet prej numrit më të madh të shqiptarëve – të intelektualëve, të studiuesve shkencorë të të gjitha fushave, Kongresi i Drejtshkrimit edhe sot, pesëdhjetë vjet pas mbajtjes së tij, kontestohet prej një numri individësh. Mospajtimet me frytet e këtij Kongresi janë mospajtime dialektore dhe mospajtime politike.

Disa nga mospajtuesit e parë thonë se ai do të duhej të bazohej në gegërishten sepse gegërishtja i ka disa përparësi historike, kurse disa të tjerë thonë se gegërishtja duhet të përfaqësohej më tepër se ç’është e përfaqësuar në Drejtshkrimin e miratuar në atë Kongres.

Mospajtuesit e dytë thonë se Kongresi i Drejtshkrimit ishte prodhim i politikës komuniste, domethënë i diktaturës komuniste, prandaj edhe nuk mund të pranohet.

Mospajtuesit e tretë thonë së Kosova është bërë shtet, se Kongresi i Drejtshkrimit i ka bërë ata qytetarë të rendit të dytë, se kosovarët do të bëhen komb, prandaj shteti i Kosovës dhe Kombi i Kosovës duhet të kenë gjuhën e vet letrare, gjuhën e vet standarde, gjuhën e vet shtetërore.

Le të thuhet se të gjitha këto mospajtime sot, 50 vjet mbasi është mbajtur Kongresi, jehojnë si mospajtime veçuese, separatiste, me të cilat cenohet roli i tij bashkues mbarëkombëtar.

E quaj fat për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve pse Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe është mbajtur në kohën në të cilën është mbajtur. Mos të ishte mbajtur atëherë natyrisht me pajtimin dhe madje përkrahjen e të parëve të institucioneve shtetërore kombëtare kundërshtarët e tij ndoshta nuk do të lejonin të mbahej kurrë!

Me të, me drejtshkrimin e tij, është krijuar gjuha standarde shqipe, gjuhë e njësuar, e përbashkët letrare shqipe.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë Gjuhë të Njësuar Letrare të gjithë krijuesve shqiptarë – shkrimtarë, studiues shkencorë, publicistë e të tjerë u dhurohet mundësia që shkrimet e tyre të lexohen e të kuptohen prej të gjithë bashkëkombësve, të gjithë bashkatdhetarëve pa pengesat më të vogla a më të mëdha që mund të kishin kur shkruanin në njërin prej dialekteve.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë Gjuhë Letrare të Njësuar të gjithë shqiptarëve, të gjithë bashkëkombësve, të gjithë nënshtetasve, pavarësisht të cilit dialekt i përkasin, u krijohet mundësia që të merren vesh më lehtë, pa kufizimet kur më të dukshme e kur më të padukshme që i kishin kur komunikonin në dialekte a në të folme vendore.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë më këtë Gjuhë Letrare të Njësuar kultura dhe qytetërimi shqiptar barazohen në të gjitha pikëpamjet me kulturat dhe qytetërimet e popujve të cilët që sa e sa kohë mburren me frytet mendore, artistike, shkencore e filozofike që ia kanë dhuruar njerëzimit në gjuhën letrare kombëtare, që ishte gjuhë e tyre shtetërore e diplomatike.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë Gjuhë Letrare të Njësuar në jetën shoqërore e kulturore kombëtare e ndërkombëtare të shqiptarëve sendërtohet shumë domethënshëm një vlerë madhore e të drejtave të njeriut: sendërtohet barazia e dinjiteteve.

Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë letrare të njësuar, varroset përgjithmonë përpjekja e Serbisë për t’i ndarë shqiptarët në dy kombe: në kombin e, si e thotë ajo, albancave që përbëjnë Shqipërinë dhe në kombin e shqiptarëve, në të vërtetë shiftarëve, si na quante përbuzshëm, që përbëjnë kombin kosovar, Kosovën!

Mjerisht përpjekjet për krijimin e kombit kosovar, domethënë për ndarjen, ndarjen e shqiptarëve në dy kombe sot po i vazhdojnë disa nga bashkëkombësit, bashkatdhetarët tonë në Kosovë e në Shqipëri. Por është shumë e sigurt se ato përpjekje do të dështojnë plotësisht. Shqiptarët, kudo janë, ishin, janë e do të jenë përgjithmonë, përgjithmonë Një Komb, kurse Shqipëria e Kosova një Shtet.

E me të, me këtë Drejtshkrim, me këtë Gjuhë të njësuar letrare, që po ia kremtojmë 50-vjetorin, të përtashmes dhe të ardhmes së Kombit shqiptar i është dhuruar përbërësi më i rëndësishëm që e pasuron, e zgjeron, e përforcon, e lartëson, e bën të përjetshëm kohezionin shpirtëror, kulturor, politik, dhe etik të Kombit shqiptar.

Jetojmë në kohë të ngritjes historike të popullit shqiptar.

Ky privilegj që i është dhuruar brezit tonë na obligon të jemi të vetëdijshëm për të dhe të bëjmë krejt çka është e nevojshme dhe krejt çka mundemi me mendjen tonë, me dijen tonë, me fuqinë tonë, me përbashkësinë tonë, për ta sendërtuar në të gjitha pikëpamjet atë ngritje historike që do të dëshmohej posaçërisht me rritjen e me pasurimin e kulturës e të qytetërimit tonë.

Të mos harrojmë se të gjitha epokat e mëdha janë të mëdha në sajë të kulturës e të qytetërimit dhe të gjuhës së tyre të gjithëdomethënshme e të gjithënjëshme, siç është gjuha jonë letrare e njësuar vjetorin madhështor të së cilës po e shënojmë edhe me këtë konferencë shkencore.

blank

114 vjet alfabet – Nga Bledi Filipi

114 vjet më parë në Kongresin e Manastirit u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 -22 .11.1908 , për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare në atë etapë, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë problem i mprehtë politik , arsimor e kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e lëvizjes kombëtare. (FESh II, 2008:1258)
Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” .
Në këtë kongres ishin të pranishëm të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerikë, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mithat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria.
Pas shumë diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me dyshkronjësha (dh,gj, ll, nj,rr,sh,th,xh,zh) dhe me dyshkronjësha me shenja diakritike (ç,ë).
Komisioni vendosi të përdoreshin të dy alfabetet, por brenda një kohe të shkurtër fitoi epërsi alfabeti i sotëm. (Demiraj, 1988:111)
Njësimi i alfabetit ishte një hap i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe.
Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e patriotëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin.
Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.
Gjithashtu delegatët organizuan takime me dyer të mbyllura, ku u rrahën probleme të mprehta politike.
Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare e për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre.
Ky kongres ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë.

blank

blank

Përvjetor- KONGRESI I MANASTIRIT NUK ISHTE NJË MBLEDHJE THJESHT GJUHËSORE

Megjithëse çështja e njësimit të alfabetit zuri vendin kryesor në punimet e Kongresit të Manastirit, vetë Kongresi nuk ishte një mbledhje thjesht gjuhësore, por edhe një manifestim politik. Krahas tubimeve të hapura, u organizuan edhe mbledhje të fshehta kushtuar çështjeve politike të ditës. Objekti kryesor i diskutimeve në këto mbledhje ishin marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit, lufta për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit, si edhe marrëdhëniet me shtetet evropiane. Përfundimet e këtyre diskutimeve dhe vendimet që u morën në këto mbledhje, u përfshinë në programin kombëtar prej 18 pikash që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlament në emër të shqiptarëve. Ky program është një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit, në të cilin u pasqyruan aspiratat e shqiptarëve për autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë. Vendin kryesor në program e zinin kërkesat politike për “njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe”. Në lidhje të ngushtë me këtë kërkohej emërimi i nëpunësve shqiptarë në të katër vilajetet, zgjedhja e të gjitha organeve lokale, zgjerimi i kompetencave të tyre dhe kryerja e shërbimit ushtarak nga dy deri në dy vjet e gjysmë në Shqipëri, nën drejtimin e oficerëve shqiptarë të dalë nga shkollat ushtarake që do të ngriheshin në vend. Pjesë përbërëse e kërkesës për njohjen e kombësisë shqiptare dhe e të drejtave të saj, ishte edhe themelimi i shkollës së pavarur shqipe, që do të arrihej duke i kthyer të gjitha shkollat shtetërore turke në Shqipëri, ato fillore, 9 qytetëse e të mesme, në shkolla kombëtare dhe duke vendosur gjuhën amtare shqipe “si gjuhë mësimi në të gjitha këto shkolla shtetërore”, ndërsa turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë, duke filluar nga viti katërt i shkollës fillore. Të lidhura ngushtë me këtë ishin edhe masat që parashikohej të merreshin për kthimin e shkollave në gjuhën greke, që funksiononin për shqiptarët e krishterë, në shkolla kombëtare, me gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, duke i hequr ato nga administrimi i klerit dhe duke i shpallur shkolla shtetërore. Hejza
blank

”KRISJE” TË DUKSHME NË KULTURËN GJUHËSORE – Nga Gjoval Shkurtaj

Situata e sotme e kulturës gjuhësore në krejt bashkësinë shoqërore shqiptare nuk është ashtu si duhej të ishte dhe, në disa mjedise e raste, sidomos në ligjërimin e politikanëve dhe të mjaft gazetarëve është vërtet shqetësuese. Ka shumë vjet që është lënë pas dore kujdesi për shqipen e shkruar dhe të folur. Kultura dhe etika e të folurit publik kanë pësuar ”krisje” të dukshme e të rënda. Dhe, në fakt, ka jo pak politikanë e gazetarë, që flasin e shkruajnë si të krisur. Ka mjedise shoqërore dhe institucionale, ku shkruhet e flitet dosido, pa asnjë kujdes për etnografinë e ligjërimit, me shpërfillje të dukshme ndaj traditave dhe normave të etikës së kuvendit e të fjalës publike. Kjo “flamë” gjuhëprishëse prek shpesh si deputetë e zëdhënës të shtypit, politikanë e shtetarë të lartë, ashtu edhe gazetarë e sidomos artikullshkrues të organeve partiake, që ndjekin shembullin e tyre. Pakujdesia dhe papërgjegjshmëria për shqipen e shkruar e të folur shfaqet dukshëm edhe në rendjen e pamotivueshme e të papranueshme pas fjalëve të huaja dhe mënyrave të të thënit të “shartuara” sipas modeleve të anglishtes, por që nuk janë as të pranueshme dhe as të nevojshme. Gjithmonë shqiptarët kanë thënë, p.sh.: pi kafe, ha bukë, ha drekë, ha darkë etj. Tashti “modernët” po thonë gjithnjë e më shpesh: konsumoj një kafe, po konsumoj një drekë apo darkë etj. Dhe, populli i thjeshtë, që motejetë e ka dashur, po edhe e ka ruajtur gjuhën shqipe, pyet me të drejtë: Pse po e prishin etnografinë e të folurit shqip e shqiptarisht disa shtetarë e gazetarë? Pse po ia marrim frymën shqipes me reklamat e shkruara tmerrësisht keq e që po ia zvjerdhin shijen e të folurit shqip shikuesve e dëgjuesve të emisioneve?
E kemi shprehur edhe herë të tjera. Ka shpërthyer një vërshim i pafrenueshëm i fjalëve të huaja të panevojshme, shtimi i termave të huaj në vend të termave shqip që përdoreshin normalisht. Le ta fillojmë me një nga “prurjet” më të freskëta. Gjatëditëve të nxehta të verës, sa herë flitet për zjarret qëbien në Jug e në Veri, thuhet “Të gjithë jemi në alert”. Edhe një emision famëkeq në një nga televizionet ka titullin “Alert”.Gjatë ditëve të pandemisë, sikur të mos mjaftonin frika dhe shqetësimi e dhimbja për sasinë e madhe të njerëzve që ndahen nga jeta prej covid-19, na duhej të durojmë edhe plojën e fjalëve alert, alertohet (në vend të alarm, alarmohet); hospitalizohet (në vend të shtrohet në spital), si dhe i shumë foljeve të tjera të krijuara pa asnjë nevojë, si komisonohet (në vend del para komisionit mjeko-ligjor). Tmerri veshçjerrës i fjalëve fokus, fokusohem e fokusim, si dhe i reklamave ku nuk mungojnë limit, limtoj, i limituar na shoqëron çdo ditë, qëkur hapim televizorin për të dëgjuar lajmet e deri në emisionet e orëve të vona të mbrëmjes, ku “vringëllojnë shpatat” e analistëve dhe jo pak “analfabetëve me diplomë”, që për fjalët e ndyra dhe zotësinë e sharjeve, ua kalojnë edhe ngjelkave më gojështhurura të lagjeve anësore të qyteteve shqiptare. Gjithandej në rrethet e politikanëve, të analistave dhe të masës së gjerë të shkruesve ka një ”ethe” për të përdorur fjalë të huaja të reja, po edhe për t’u rikthyer në fjalë të huaja të vjetra, të cilat tashmë ishin zëvendësuar me mjaft sukses. Vijon edhe “fushata” e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja, si p.sh. kryetari bëhet president, kryesia- presidencë, pushtuesi-okupator, shtypja-represion, bashkësia-komunitet, lidhja-ligë a legë, qëndresa-rezistencë, ndalimi- arrestim etj.
Madje, siç ka vënë në dukje edhe shkrimtari Ismail Kadare, disa politikanë dhe shtetarë, jo vetëm nuk ndreqen, nuk duan t’ ia dinë aspak për dëmin që po i sjellin shqipes, po edhe vazhdojnë të “kërkojnë” për të prurë sa më shumë fjalë të huaja, të reja. Mjaft politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, kujtojnë se pa fjalë të huaja (të pakuptueshme e të panevojshme) nuk mund të quhen “të mençur” e të përgatitur. E kjo, sigurisht, shkon krahas me “garën” e pafrenueshme të fjalëve të huaja të hyra nga anglishtja, që përdoren dendur e pa nevojë në mediat e shkruara e të folura, në titujt e emisioneve radio- televizive dhe në reklamat.
Të gjitha kanalet televizive të reja, qysh nga Top-Channel e në vijimësi, emërtohen me formën angleze channel e jo me fjalën tashmë të hershme e të shqiptarizuar kanal.Pyesim me të drejtë e pa asnjë ironizim: Ҫ’e gjeti RAI-n që thotë “cinque canali della RAI?” Po ashtu, është bërë e pandalshme “flama” e shqiptimit të shkronjave të shkurtesave jo sipas shqiptimit shqiptarisht (ABëCë, FëBëI), po sipas anglishtes: ejBiSi, eFBiaI etj. Edhe rubrika a emisione, që kishin emra a togfjalësha shqip, si studio e hapur, u “modernizua” duke e anglishtizuar: OPEN. Sapo është krijuar edhe një emision i ri që titullohet “Wy not”. Pyesim me shumë dashamirësi e pa asnjë cinizëm: Çfarë të keqeje do të kishte po të thuhej shqip: “Pse jo?” Sa mirë është, p.sh. titulli i emisionit “Përputhen”. Çfarë ka më të mirë reklama që thotë nxitoni të bëni blerje në dyqanin x se”sasia është e limituar” në vend të “sasia është e kufizuar”?! Çfarë të mire ka reklama që thotë ejani se se ka “çmime të çmendura” (në vend që të thoshte shqip e qartë: çmime të mira, çmime shumë të lira apo shumë të mira”). Dhe,shikoni lexues të nderuar, sa me ëndje po përhapet gjithandej cilësimi me fjalën i çmendur, apo me foljen rrëmbej (rrëmbeu çmimin) në vend të fitoi, mori. Gjithmonë është thënë e shkruar nga shqiptarët: “merrem vesh, bëj marrëveshje”. Po shohim të shkruar në faqet zyrtare apo në postime on-line, si dhe në ligjërimet e fjalimet zyrtare, foljet dakordësoj, dakordësohem dhe emrat e formuar préj tyre si dakordësim, dakordësi, të cilave u janë qasur me dashuri të donkishoteske gati të gjithë shtetarët shqiptarë, si dhe përsëriten nga mediat e shkruara e të folura. E pse na u dashka që, pa asnjë arsye (as kuptimore, as stilistike) të lëmë pa përdorur fjalët shqipe merrem vesh, marrëveshje apo mosmarrëveshje. Për çfarë na duhet folja dakordësohem, kur dihet se shqiptarët që nga Vermoshi deri në Konispol thonë merrem vesh (apo nuk merrem vesh), si dhe emrat marrëveshje e mosmarrëveshje. Madje, shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadareja, i cili ka shkruar edhe një libër të tërë me titullin “Mosmarrëveshja”, as që e ka ndier nevojën t’i përdorë, qoftë edhe një herë të vetme, “mosdakordësinë” apo “dakordësinë”. (Shkëputur nga një shkrim më i gjatë i autorit) Hejza
blank

ALFABETI ËSHTË “FRYMA E SHENJTË” E ÇDO GJUHE

Ditët e Alfabetit Shqip që, mbi të gjitha, përkujtojnë ditët më të veçanta të intelektualëve të kombit, 14-22 nëntor të vitit 1908, të cilët, në Kongresin e Manastirit do të themelojnë Alfabetin e Gjuhës Shqipe! Kjo ngjarje si dhe Kryengritja e Kaçanikut (1910) janë dy prej ngjarjeve më vendimtare që do ta trasojnë rrugën drejt Pavarësimit dhe krijimit të Shtetit Shqiptar! Sa këtyre dy ngjarjeve shtetet dhe kombi shqiptar u japin rëndësinë e merituar? Pas plotë 114 viteve, përkatësisht, 110 viteve, çfarë po bëjnë Shtetet Shqiptare si dhe, përgjithësisht shqiptarët, për këto dy shtylla kryesore të shtetit dhe identitetit etnik e kulturor shqiptar? Asgjë, thjesht, asgjë! Eventualisht, ndonjë koncert me këngë e valle popullore, aty-këtu ndonjë orë mësimore, ndonjë tribunë shkencore, zakonisht ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe, kaq! Nga ana tjetër, shënim deri-diku më dinjitoz është organizuar për Kongresin e Drejtshkrimit, organizuar këtu e 50 vite më parë në Tiranë, me ç’rast u arrit standardizimi i Gjuhës Shqipe!
Këto ditë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës, u përkujdes për një shënim “më dinjitoz” të “Kongresit të Drejtshkrimit”, si dhe, margjinave të këtij eventi shkencor, ta zënë ngoje edhe “Kongresin e Manastirit”. Krejt mbrapsht, sido qoftë, në këtë organizim të akademive ishin ftuar edhe shtetarët dhe liderët politik të trevave etnike shqiptare! Dhe, çka u konstatua? Çka u tha për gjuhën shqipe! Ç’vendime të fundit qeveritare u shpalosën për nderë të Alfabetit dhe Gjuhës shqipe? A mos u vendos për një datë që do të jetë datë festive gjithëkombëtare për ditët e alfabetit. A mos u kumtua vendimi që tash e tutje edhe Shqipëria dhe Kosova, 22 Nëntorin, ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, do ta festojnë si ditë shtetërore e kombëtare, ashtu siç e festojnë vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Kush i frikëson, pse tremben Shqipëria e Kosova, pse shtetet shqiptare nuk iniciojnë festimin e përbashkët të kësaj date? Kjo është ajo ngjarje e cila kurrë nuk mund të përsëritet dhe as të “mbindërtohet”! Alfabeti është “fryma e shenjtë” e çdo gjuhe. Standardi, si normë gjuhësore, është relative, dhe në çdo kohë mund të organizohet ndonjë kongres tjetër i ngjashëm për ndryshime, plotësime, përmirësime? Sido qoftë, është mirë kur institucionet nacionale dhe faktorët e ndryshëm shoqëroro-politik organizohen për të përkujtuar një ngjarje që nderon kombin tonë!
Është lehtë të kritikohen gjuhëtarët, akademikët e fushës përkatëse, institutet albanologjike, profesorët, madje të kritikohen prej një kryeministri që e ka fuqinë ligjore, por edhe detyrën dhe obligimin kombëtar për t’i evidentuar dhe eliminuar të gjithë problemet, defektet dhe anomalitë që rrezikojnë gjuhën apo që pengojnë zhvillime dhe suksese në lëmin e gjuhësisë. Është shumë lehtë që mburravecët të trumbetojnë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, për shembull, në Republikën e Maqedonisë së Veriut! Nuk mund të ketë politikanë kombëtar seriozë por as “fqinjësi të lezetshme” nëse këmbëngulin që shqipja të flitet e të emërtohet si gjuhë e “20%”! Nuk ka zyrtarizim të gjuhës shqipe me do farë “agjencish” si mbikëqyrës se kush e flet e kush jo gjuhën shqipe; administratorët e “agjencisë” nuk mund të sanksionojnë asnjë subjekt që nuk do të flasë gjuhën. Nuk ka përkujdesje serioze shtetërore e kombëtare për gjuhën shqipe pa themelimin e Institucionit shtetëror “Provimi i lektorit” të udhëhequr nga akademikët e gjuhës shqipe, ku do të merrej licenca e lektorit. Lektorët e gjuhës shqipe do të duhej të ishin “zanatçinjtë” më të kërkuar dhe të punësuar në çdo zyre, në çdo redaksi, në çdo shtëpi botuese, në çdo produksion e në çdo vend ku palosen letrat me shkronja shqip. Janë të kota të gjitha ato “brenga” për gjuhën dhe “lëvdatat” për të arritura politike për pozitën e gjuhës shqipe, nëse nuk funksionon “institucioni i sanksionimit” të çdo personi, ndërmarrje shoqërore e politike, që, të paktën, në shkrime e devalvojnë dhe e përdhosin gjuhën shqipe! Inspektimi i deformimit të gjuhës shqipe në letër është ekskluzivisht në tagrin e lektorit. Lektori është profesion i shenjtëruar dhe me këtë punë nuk guxon të merret turlifarë diletanti.
Prandaj, politikanët shtetërorë para se të kritikojnë apo të vetëlavdërohen për gjuhën shqipe, nëse është e lashtë apo zyrtare, nëse është standarde apo e deformuar, nëse po kanoset nga neologjizmat apo nga barbarizmat, duhet të bëjnë shumëfish më tepër për gjuhën dhe gjithnjë të jenë të ndërgjegjshëm se në fakt nuk po bëjnë asgjë për gjuhën shqipe. Dikur patriotët sakrifikonin gjithçka, ishin në gjendje edhe të vdesin për gjuhën shqipe. Sot, “patriotët” tanë, ndonëse të lirë, nuk po bëjnë asgjë për gjuhën, kjo ngase mungon vullneti, dashuria dhe të kuptuarit e rolit jetik që ka gjuha për identitetin etnik e kulturor të kombit tonë. /HEJZA/
blank

Gjuha standarde- Çabej kundër eleminimit të paskajores

Me dokumente, gjuha shqipe ekziston e shkruar qysh në vitin 1462 në një copë letër ku Pal Engjëlli, prift shqiptar shkruan formulën universale të pagëzimit, sanksionuar qysh në koncilet më të hershëm të krishterimit. Më pas është “Meshari” i Gjon Buzukut si i pari libër i shkruar në shqip duke mbërritur deri në të shkruarit e ditëve tona.
Po të shohim versionet origjinalë të “Formulës së Pagëzimit” dhe “Mesharit”, vërejmë se gjuha e përdorur i ngjason shumë pak asaj që ne përdorim sot. Vetëm punimet voluminoze të prof. Eqrem Çabej na ndihmojnë të kuptojmë atë çfarë autorët kanë dashur të thonë.
Në kohën kur flasim (shek. XV dhe XVI) duhet të kemi parasysh se toponimi “Shqipëri” nuk ekzistonte. Gjuha e përdorur ishte gjuha arbërore ose arbnore. Tani kalimi nga arbërorja te shqipja e sotshme është një problem i cili ka ngërthyer studiues të shumtë.
Sigurisht, ndër të parët dhe më i rëndësishmi është Çabej, duke arritur deri në gjuhëtarët e sotshëm, punimet e të cilëve mund t’i lexoni në revistat më prestigjoze të vendit si “Studime Filologjike”, “Hylli i Dritës”, “Studime Albanologjike”, “Shejzat” e të tjera. Problemet që ata trajtojnë janë gjurmimi i teksteve të vjetra dhe kthimi i tyre në mos jo në formën e shkruar të shqipes së sotshme, në një formë gjuhësore e cila mund të kuptohet.
Në këtë moment del në pah një problem i ri: Çfarë nënkuptojmë me “formë e shkruar e shqipes së sotshme”? Sipas Akademisë së Shkencave, shqipja e shkruar është ajo formë e shqipes e cila respekton rregullat e librit “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, rregulla që krijojnë “Standardin e gjuhës shqipe” apo “Gjuhën letrare shqipe”.
Për të arritur deri këtu, janë bërë një serë përpjekjesh. Fillimisht, në periudhën e Rilindjes thuajse çdo shoqëri shqiptare kishte krijuar alfabetin e saj me anë të të cilit shkruante dhe botonte periodikë dhe libra. Mes tyre veçohet ai i shoqërisë “Bashkimi” i cili më pas u përdor si bazë e atij që vendosi “Kongresi i Manastirit”.
Pra doli një alfabet që do të thotë se dolën 36 shkronja, por nuk doli mënyra e duhur se si këto shkronja do të përdoreshin dhe rregullat e shkrimit drejt të tyre.
Po të lexohen dokumente dhe shkresa zyrtare të periudhës post – pavarësi deri në periudhën e fashizmit, do të shohim se gjuha shqipe shkruhej në një formë që respektonte rregullat e dialektit gegë të studiuar nga Atë Justin Rrota.
Menjëherë pas ardhjes së komunizmit kemi tendencën për të shmangur dialektin gegë deri sa, në vitin 1956 botohet “Ortografia e Gjuhës Shqipe”. 11 vjet më vonë botohet “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” dhe në 1973, “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe”, hartuar nga një komision me drejtues Androkli Kostallari dhe anëtarë Eqrem Çabej, Mahir Domi dhe Emil Lafe.
Legjendare do të mbetet fjala e Çabejt i cili thotë:
“Për sa kohë në matematikë nuk ka skaj, përse të ketë në gjuhë?” Me këtë fjalë, ai kundërshtoi eliminimi e paskajores, formë “ekskluzive” e gegërishtes në gjuhën shqipe.
Ne sot vazhdojmë të shkruajmë drejt sipas botimit të vitit ’73, pavarësisht se shpesh herë studiues dhe intelektualë me peshë thonë se kjo nuk është e drejtë. Hejza
blank

Kongresi i Manastirit NJË KOMB, NJË GJUHË, NJË ABC – Nga Dr. Stefan PINGULI

Kongresi i Manastirit përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme atdhetare të Kombit tonë të shekullit 20, me objekt unifikimin dhe standardizimin e përpjekjeve të të shkruarit shqip dhe një provë e pa matshme, atdhe dashurie për bashkimin kombëtar. Kongresi I ABC-së ishte një urë lidhëse bashkimi kombëtar nga lidhja e Prizrenit deri tek mëvetësia e Kombit. Atdhetarët të udhëhequr nga Rilindësit vajtën në ditën e madhe të Kongresit, nën parullën “gjuha është shprehje e unifikimit të Kombit” si dhe “qëllimet e shenjta kërkojnë vënien e interesave Kombëtare mbi ato vetjake”. Patriotët si Hasan Tasimi, Pashko Vaso, Babdud Karbunara, Jani Vreto, Konstandin Kristoforidhi, Petro Nini Luarasi etj, bënë përpjekje të mëdha për prodhimin e ABC-së dhe kultivimin e saj në popull, duke sakrifikuar veten dhe familjet e tyre për këtë qëllim të shenjtë. Petro Nini Luarasi ka qenë një atdhetar i shquar, përhapës i palodhur i gjuhës Shqipe në rrethin e Korçës. Përpjekjet e patriotëve në shërbim të gjuhës shqipe iu kundërvu fuqishëm shteti turk dhe kleri greko-serb. Mbështetur në përpjekjet atdhetare dhe dëshirës popullore për të qenë një komb një etni, u thirr tubimi I dijetarëve Shqiptarë me 14-22 nëntor në Manastir për përcaktimin e alfabetit të gjuhës Shqipe në Shqipëri. Patriotët propozuan variante të ndryshme alfabeti, ku mbizotëronte mendimi për të pasur një alfabet me shkronja latine, në krye të këtij aktiviteti ishte shoqëria e mirënjohur Bashkimi “me qendër në Manastir. Shoqëria Bashkimi u bë nismëtarja e thirrjes së kongresit të parë të përgjithshëm për njehsimin e alfabetit në Shqipëri. Ky alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Delegatët erdhën nga e gjithë Shqipëria dhe nga të gjitha komunitetet shqiptare të Rumanisë, Italisë, Greqisë, Turqisë, Egjiptit, Amerikës etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, si një nga organizatorët kryesorë të Kongresit dhe redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik, “Liria dhe Dituria”. Sekretare e Kongresit u zgjodh Pareshqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Kongresi u përfaqësua nga 150 të ftuar dhe 50 delegatë, 32 me të drejtë vote dhe 18 pa të drejtë vote, të gjithë atdhetarë dhe dijetarë të kulturave të ndryshme, me dëshirë të zjarrtë për të zgjidhur hallet e vendit, veçanërisht të gjuhës. Këta dijetarë patën vendosmërinë dhe thjeshtësinë të sakrifikonin opinionet e tyre intelektuale për njehsimin e gjuhës shqipe. Kumtesa e priftit katolik Gjergj Fishta nga Shkodra ishte sintezë e mendimit të përgjithshëm atdhetar që gjuha Shqipe të mos shkruhej me shkronja arabe ose greke por me shkronja latine.
Përpjekjet e këtij dijetari e pozicionuan si kryetar organizativ të punës së kongresit i shoqëruar nga 11 anëtarë. Nga kongresi u përzgjodhën dy alfabete, ai i shoqërisë Bashkimi dhe ai i Stambollit. Me kalimin e kohës si alfabet i lehtë për t’u përdorur dhe shtypur fitoi të drejtën alfabeti latin me 36 shkronja, të cilin e përdorim dhe në ditët tona. Vendosmëria për të kthyer sytë nga perëndimi, ishte haptas një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re nga qeveria turke dhe kleri serbo-grek.
(…)
Punimet e kongresit përveç pathosit intelektual për organizimin e një gjuhe unike shqipe, me karakteristika perëndimore, provokuan dhe marrëdhënie etiko-politike të cilat kulmuan në organizimin e kombit për arritjen e mëvetësisë, ku si qendër kishte përpjekjet për gjuhën. Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe. Në këtë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista në gjuhën shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Shoqëritë shqiptare të Selanikut, Shkupit dhe Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip. U vendos gjithashtu të mbahej një kongres tjetër në Manastir pas dy vjetësh, për të forcuar infrastrukturën e hapjes së shkollave dhe përgatitjen e kuadrit mësues për gjuhën. Nën frymën atdhetare të Kongresit të Manastirit u projektuan dhe ndërtuan një sërë shkollash si shkolla normale e Elbasanit në 1909 me drejtor Luigj Gurakuqin që do të përgatiste pionier të arsimimit shqip. Shkolla të ngjashme u hapen në Korçë, Vlorë, Berat etj.. Reagimet antishqiptare në lidhje me gjuhën shqipe nuk munguan jo vetëm nga qeveria turke dhe kleri greko – sllav, por dhe nga konservatorët brenda vendit. Xhon turqit me kryetarin e tyre Ferit Pashën, të frikësuar nga shpërthimi i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në mbarë vendin u mbyllën shkolla dhe u internuan drejtuesit si ajo e Vlorës me drejtorin Loni Naci, Gjirokastër me pionierin e arsimit shqip Koto Hoxhën, Korçë me Pandeli Sotirin si themelues të së parës shkollë. Vendimi për unifikimin e alfabetit kaloi në vështirësi të mëdha pasi atdhetarët ABC-ista i parakaluan interesat vetjake në funksion të interesit të madh të kombit. Klubi Bashkimi ishte iniciatori dhe nxitësi më i vëmendshëm i këtij unifikimi, me priftin e kulturuar Gjergj Fishta i cili deklaroi në hapje të seancës plenare “s’kam ardhur për të mbrojtur asnjë alfabet, por të mbroj alfabetin e përbashkët”. Me themelimin e alfabetit të Manastirit, shqiptarët treguan se ishin popull i civilizuar, i cili filloi të standardizojë letërsinë mbarë shqiptare. Kongresi i Manastirit nuk e përqendroi vëmendjen vetëm në problemin e zgjidhjes së alfabetit të gjuhës, por dhe në çështje të rëndësishme politike. U vendos që të shpallej si klub qendror ai i “Bashkimit” të Manastirit, i cili jo vetëm mundësoi alfabetin e ri, por zbatoi në praktikë duke i njohur gjithë botës aksiomën e famshme shqiptare “një komb, një gjuhë, një ABC”. Rëndësia historike e Kongresit të ABC-së nuk është sfumuar aspak as nga organizimet dhe kongreset e mëvonshme, opinionet politike të kohëve apo lufta e pandërprerë e fqinjëve greko-sllave kundër gjuhës dhe të drejtës historike. Rendësi të veçantë ka dalja në skenën e historisë të kombit të kokave më elitare dhe te kulturuara të rilindjes sonë kombëtare, si Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Imzot Kaçorri, Dom Ndre Mjeda, Parashqevi Qiriazi, Feim Bej Zavalani, Bajo Topalli, Sotir Peci, Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja, etj. Njehsimi i ABC-ve është pema e parë e kongresit, por ka dhe një pemë tjetër më të madhe dhe më të bukur, ajo e bashkimit të shqiptarëve rreth idealit kombëtar.
blank
blank

ASHSH organizon promovimin e librit të autores Lida Miraj-Shqipëria në sytë e udhëtarëve nga Periudha e Humanizmit deri në fund të LDB

Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizon promovimin e librit të autores Lida Miraj – Shqipëria në sytë e udhëtarëve – nga Periudha e Humanizmit deri në fund të LDB.

Humanizmi ishte lëvizja kryesore intelektuale e Rilindjes. Sipas mendimit të shumicës së studiuesve, ajo filloi në Italinë e fundit të shekullit të 14-të, arriti pjekurinë në shekullin e 15-të dhe u përhap në pjesën tjetër të Evropës pas mesit të atij shekulli.

Libri është në anglisht.

Albania through Travels’Eyes – From the Age of Humanism to the end of World War II.

Botimin do ta paraqesin: Ardit Bido, Dorian Koçi, Andi Rëmbeci

Interpretimi muzikor nga Grupi orkestral i UET, nën drejtimin e Kristi Bello.

 

Promovimi do të bëhet më 18 Nëntor 2022 ora 10, salla Aleks Buda

 

Aktiviteti do të zhvillohet me prani fizike dhe online në platformën ZOOM – të thënat i keni në lajmërimin e Akademisë që shihni në foto.

Libri hapet me
Parathënien
Mirënjohje
Hyrje

Dhe ndahet në kapitujt e mëposhtëm:
Periudha e Humanizmit dhe Perandoria Osmane: Udhëtarët dhe Hartografët
Shekulli i shtatëmbëdhjetë dhe i tetëmbëdhjetë
Epoka e Ali Pashë Tepelenës
Shekulli i nëntëmbëdhjetë, “Epoka e nacionalizmit”
Nga Lidhja e Prizrenit te Pavarësia e Shqipërisë
Shqipëria dhe Dy Luftërat Botërore
Epilogu
Tabela kronologjike
Ndërsa bibliografia e zgjedhur

Libri është format i madh

blank

blank

Profesor SELMAN RIZA, Djaloshi gjakovar që donte të bëhej imam, por u bë gjuhëtar i shquar- Nga Dr. Hysen Kobellari

Profesor Selman Riza në zyrë gjatë punës.

Profesor SELMAN RIZA (1909-1988), SHKENCËTARI NACIONALIST, I PËRSEKUTUAR NGA REGJIMIT KOMUNIST

“Rrethanat politiko-shoqërore të pafavorshme e ndërprenë dhunshëm këtë punë të bukur të shkencëtarit atdhetar: u hapën dosjet biografike pas “Revolucionit Kulturor” të 1967-tës, ku besimi fetar u shpall haptazi armik, veprimtaritë politike të luftës u rishqyrtuan me sy kritik e armiqësor. Profesor Selmanin e largojnë nga Instituti ku punonte si njeri me mbeturina të theksuara ideologjike borgjeze e qëndrime mikroborgjeze, duke e transferuar si ciceron në Muzeun e Beratit, pastaj si punonjës në Bibliotekën e Qytetit atje, derisa e qitën në pension të parakohshëm në vitin 1970, kohë kur kthehet të jetojë në Tiranë nën mbikqyrjen e organeve të sigurisë, i ndaluar të zhvillonte veprimtari shkencore, duke e ndaluar edhe të tërhiqte libra nga biblioteka publik” ! …

Profesor Selman Riza është një emër i shquar i dijes, atdhedashurisë dhe intelektualitetit shqiptar; veprimtar atdhetar me vizion të gjerë, teolog i thellë dhe mendjehapur, kërkues këmbëngulës në gjuhësi e albanologji, publicist i mprehtë, ideator i degëve të reja të shkencës, talent i spikatur që aq shumë i besoi punës këmbëngulëse dhe përkushtimit tërësor … Shembull i luftëtarit të lirisë dhe i misionarit të çështjes sonë kombëtare. Shkencëtari ynë i paharruar prehet në panteonin e viganëve të mendimit shkencor, në kujtesën e lirisë dhe të përparimit.

DJALOSHI GJAKOVAR QË DONTE TË BËHEJ IMAM …

Familja Riza në Gjakovë njihej si mbartëse e besimit dhe atdhetarisë; breza të tërë njerëzish nga kjo familje e thjeshtë qytetare shqiptare, janë përpjekur të pajisen me një kulturë të lartë civile, me besim të vërtetë dhe atdhetarizëm të pashuar. Kur lindi Selmani, në dhjetor 1909, veprimtaria atdhetare dhe dëshira për të ruajtur besimin e trashëguar në vazhdimësi kishin arritur zhvillime të rëndësishme. Fëmija i sapoardhur në jetë gjeti një shtrat të përgatitur për të marrë gjërat më të mira, më të vyera, të siguruara prej brezit paraardhës.
Mësimet fillestare nisën qysh herët, pa shkuar në shkollë. Selmani mësoi para kohe jo vetëm shqipen burimore, si gjuhë amtare e familjes, por edhe gjuhën e besimit, arabishten, pastaj dhe gjuhën e kulturën turke, me të cilën ishin edukuar hoxhallarët e qytetit të tij. Ai u regjistrua në mejtepin e xhamisë “Haxhi Ymeri”, ku u dallua për talentin e spikatur në kapjen e shpejtë të mësimeve të reja dhe vullnetin për të punuar me librat dhe fjalën e popullit. Provoi të thellohej në kuptimin dhe komentimin e mësimeve të Librit të Shenjtë; mbante shënime, pyeste, hulumtonte parreshtur. Ishte një djalosh i pjekur para kohe.
Ndërkohë djaloshi mësoi edhe bazat e gjuhëve sllave, që shkruheshin me shkronja të tjera, me alfabet cirilik. Studimet e një cikli më të lartë i vijoi në mejtepin “Ruzhdije”, në mbarim të të cilave Selmani ishte i gatshëm të shërbente si myezin, apo imam, që i ishte përkushtuar me mish e me shpirt …
Duke mos gjetur hapësira të mjaftueshme në qytetin e vet, djaloshi 13 vjeçar la vendlindjen e shtrenjtë, Gjakovën dhe Kosovën e dashur, duke udhëtuar në këmbë për në Tiranë, ku pa mundur të gjente ndonjë punë të përshtatshme për moshën e njomë, hyri në shkollën plotore “Naim Frashëri”, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1925, duke u shpallur i pari i klasës dhe më i miri i shkollës…
NGA LICEIST, NË PROFESOR LICEU …
Duke qënë nxënësi më i mirë në shkollën më të mirë të Tiranës, Selman Riza ra në sy të mësuesve dhe të drejtuesve të arsimit të asaj kohe, të cilët e ndihmuan të vazhdonte studimet në Liceun Francez të Korçës, e cila ishte bërë shkolla më e mirë në Shqipëri dhe më gjerë. Aty mori njohuri të mjaftueshme për gjuhën, letërsinë dhe kulturën frënge, por edhe atë perëndimore, me studimin paralel të anglishtes. Kishte vullnet dhe zell të pakrahasueshëm në mësimnxënie. Gjatë jetës së vet të gjatë dhe të mundmshme, përvetësoi me themel duke zotëruar mirë 12 gjuhë të botës, të gjalla dhe të vdekura …
Drejtori Teknik i Liceut, Leon Perre, i shkroi Ministrit të Arsimit në Tiranë një shkresë, ku spikatnin këto fjalë : “ Selman Riza është një i ri tepër i talentuar, shumë serioz, i cili do të mundë të kryejë çdo degë të studimeve universitare me të njëjtën lehtësi dhe unë nuk kam asnjë dyshim se më vonë ai do t’i bëjë nder atdheut me emrin e tij.”
Nisur nga ky vlerësim dhe nga nevoja e madhe për njerëz të talentuar, të arsimuar e të kulturuar, Ministria e Arsimit, në vitin 1932 i akordoi Selman Rizës bursë me mundësi për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Tuluzës në Francë. Duke e justifikuar plotësisht besimin e eprorëve, Selman Riza kreu dy fakultete paralel brenda 3 vjetëve, deri në vitin 1935 : Fakultetin për Gjuhë-Letërsi franceze dhe Fakultetin e Drejtësisë.
Me dy diploma të shtrenjta në xhep, Selman Riza kthehet në Tiranë, ku merr emërimin nga Ministria e Arsimit, për të shërbyer si pedagog në Liceun e Korçës, aty ku dikur kishte marrë mësimet aq të vyera për shkencën dhe jetën, për vlerat e lirisë dhe të përparimit …

RRUGA E MUNDIMSHME E ATDHETARIT QË VLERËSONTE LIRINË …

Pushtimi fashist i vendit e dëshpëroi shumë profesor Selmanin, i cili doli hapur kundër pushtimit, sepse për të ishte e shtrenjtë liria e popullit, e atdheut dhe pavarësia e tij. Ai u bë menjëherë i padëshiruar për pushtuesit fashistë dhe u shënjua në listën e zezë të tyre. Me kohë nisën mbikqyrjet dhe përndjekjet për profesorin dhe për shumë shokë të tij të idealit.
Në përkujtim të Ditës së Flamurit Kombëtar, Ditës së Pavarësisë, më 28 nëntor 1939, në Korçë u zhvillua demonstrata e njohur madhështore, në radhët e para të së cilës ishte edhe profesor Selmani, si organizator dhe aktivist, që ra menjëherë në sy të pushtuesve arrogantë. Ata e arrestuan menjëherë pas revoltës dhe e akuzojnë si “ element i rrezikshëm dhe si kundërshtar i vendosur kundër politikës italiane.” Vendosën ta internojnë në të famshmen Ventotene të Italisë. Ky vendim u zbatua shpejt, por në vend që ta dobësonte, frikësonte e dekurajonte vullnetin dhe veprimtarinë e profesorit, ndikoi në të kundërtën: Selman Riza u bë më i fortë, më i vendosur, më largpamës, saqë edhe kur e liruan nga syrgjyni në tetor 1941, duke ia ndaluar të punonte në profesionin e tij, ai vazhdoi më me vrull e pasion veprimtarinë e vet atdhetare e shkencore. Ndërkohë ishte bërë dhëndërr në familjen e njohur Butka, duke u martuar me Sabirenë, me të cilën pati dy fëmijë; akademik Emin Riza është djali i Profesor Selmanit …
Në Kosovë u kthye në mes të vitit 1942, duke jetuar e vepruar në aajkovë e Prizren. Punoi me këmbënguljen e vet karakteristike duke e zgjeruar rrethin e interesave shkencore e studimet albanistike, por duke u përfshirë edhe në veprimtari politike. Sakaq u vu në krye të Lëvizjes Irredentiste Antifashiste, e cila synonte të realizonte në ato kushte bashkimin e trojeve shqiptare të përçara në disa shtete fqinje me njëra – tjetrën. Për zgjidhjen e çështjes kombëtare shkroi mbi 2000 faqe studimi, por në dhjetor të vitit 1943 botoi në Tiranë vetëm një konspekt me titull “Manifesti i Irredentizmit Antifashist”, pas së cilës nga Piter Kemp, misionar i Misionit Anglez në Shqipëri për Luftën e Dytë Botërore, Selman Riza u cilësua si “Truri i Partisë së Irredentistëve…”, ndërkohë që po organizoheshin forcat djathtiste në vend. Forcat Aleate nuk e përkrahën këtë lëvizje politike të Prof.Selman Rizës me shokë. Paskëtaj fillon kalvari i vuajtjeve dhe mundimeve të Selmanit, burgosjet, internimet, përndjekja, persekutimi … Largohet pas luftës nga Gjakova dhe vendoset në Tiranë, ku burgoset për tre muaj dhe menjëherë ai transferohet në burgun e Prishtinës, për t’u gjykuar e dënuar si “kosovar antijugosllav”. Tre vjet e gjysëm vuajti dënimin në burgjet jugosllave, derisa në gusht të vitit 1951 sëmuret rëndë, nuk lejohet të kthehet në Kosovë, por internohet në Sarajevë, nën mbikqyrje të vazhdueshme, pa u lejuar të merret me veprimtari politiko-shoqërore, por mundi të thellojë veprimtaritë studimore, kërkimore e shkencore me pasionin që e karakterizonte. Zyrtarët jugosllavë i kërkuan të merrte nënshtetësinë e tyre, por Prof. Selman Riza nuk e pranoi dhe u kthye sërish në Tiranë, si nënshtetas shqiptar. Meqë regjimi i kohës ishte prishur me jugosllavët, Selmani emërohet në punë si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe Historisë, me të drejtë të ishte edhe pedagog i jashtëm (absolvent) për lëndën “Historia e gjuhës së shkruar shqipe”
Nga viti 1956 deri në vitin 1967 Profesor Riza përjetoi pjesën e jetës më të begatë dhe më frytdhënëse në veprimtarinë shkencore e kërkimore, duke u dhënë një dimension të ri studimeve albanologjike shqiptare, ku shquhet veçanërisht si kritik gjuhësor, si gjurmues e studiues i pesë autorëve më të vjetër të gjuhës shqipe, si sistemues i pangegnishtes letrare, dialektolog, gramatikan, historian i gjuhës, etj. Duke qënë intelektual vizionar, ai hodhi bazat e një shkence të re, Intelektologjisë, duke konturuar ligjet e mendimit, logjikës, veprimatrisë intelektuale njerëzore …
Por rrethanat politiko-shoqërore të pafavorshme e ndërprenë dhunshëm këtë punë të bukur të shkencëtarit atdhetar: u hapën dosjet biografike pas “Revolucionit Kulturor” të 1967-tës, ku besimi fetar u shpall haptazi armik, veprimtaritë politike të luftës u rishqyrtuan me sy kritik e armiqësor. Profesor Selmanin e largojnë nga Instituti ku punonte si njeri me mbeturina të theksuara ideologjike borgjeze e qëndrime mikroborgjeze, duke e transferuar si ciceron në Muzeun e Beratit, pastaj si punonjës në Bibliotekën e Qytetit atje, derisa e qitën në pension të parakohshëm në vitin 1970, kohë kur kthehet të jetojë në Tiranë nën mbikqyrjen e organeve të sigurisë, i ndaluar të zhvillonte veprimtari shkencore, duke e ndaluar edhe të tërhiqte libra nga biblioteka publike ! …
Ditën kur vdiq, në shkurt të vitit 1988 nuk ishin përgatitur fjalime lamtumire e vlerësuese, siç ndodh në çdo vend e në çdo kohë për njerëzit e shquar, por Profesor Aleks Buda, Kryetar i Akademisë e theu heshtjen dhe ndalesën në çastin e fundit, duke thënë fjalë miradije dhe mirënjohje për Prof. Selman Rizën, gjë që u pasua pastaj nga fjalët revoltuese të Behxhet Resos e vlerësimet e larta të të tjerëve, që e vonuan tepër vendosjen e xhenazes në dhé, a thua se njerëzit po përpiqeshin ta kishin edhe për një kohë më të gjatë midis tyre edhe trupërisht shkencëtarin e atdhetarin e shquar …
VEPRAT E BOTUARA TË PROF.SELMAN RIZA …
Mes vuajtjesh e sakrificash, pas burgjeve dhe internimeve, i përndjekur nga tre regjime, me talent të rrallë dhe punë këmbëngulëse shembullore, Prof.Selman Riza la pas një vepër të madhe dhe me vlera shkencore e atdhetare. Ai ia doli të botonte disa prej veprave shkencore që krijoi :
“Tri monografina albanologjike”, Tiranë, 1944
“Fillimet e gjuhësisë shqiptare”, Prishtinë, 1952
“Gramatika e sërbokroatishtes”, Prishtinë, 1952
“Diftorët e shqipes”, Prishtinë, 1953
“Pronoret e shqipes”, Tiranë, 1958
“Pesë autorët më të vjetër të shqipes”, Tiranë, 1960
“Emrat në shqipen”, Tiranë, 1964, etj.
Në Kosovë, që në vitin 1979, është botuar nga “Rilindja” Redaksia e Botimeve, në Prishtinë, vepra e Selman Rizës me titull: Studime Albanistike 1 (Pjesa e Parë), që ka 478 faqe.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës nxori në dritë katër vëllime me Veprat (me mbi 2400 faqe, 1996-2004).
‘’Veprimtaria shkencore-gjuhësore e prof. S. Rizës, aq e gjerë dhe aq e thellë, paraqet interes, ndër të tjera, edhe për kërkimet sociolinguistike’’.
Një rrugë në Tiranë mban emrin e tij të nderuar, ndërsa Shkolla Fillore në Gjakovë quhet “Selman Riza”
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në vitin 2009 u zhvillua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Profesor Selman Riza dhe Albanologjia” nga Fakulteti i Mësuesisë i Universitetit “F.S.Noli” të Korçës dhe Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, ku u paraqitën shumë studime, referate e kumtesa për jetën dhe veprën e madhe të këtij shkencëtari dhe atdhetari të shquar.
Po kështu veprimtaria “Selman Riza; Gjuhëtar dhe atdhetar i shquar” u organizua me bashkëpunim të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe asaj të Kosovës. Duke e vlerësuar si një personalitet të kulturës, në fushën e gjuhësisë po aq sa edhe të çështjeve atdhetare, akademikët theksuan se Selman Riza e mbajti të paprekur shkencën nga politika. Për këtë ndoshta edhe pësoi dënim të trefishtë. Në 100-vjetorin e lindjes (21 dhjetor 1909) një korpus i plotë i veprave të tij vjen i botuar. Janë pesë vëllime, të cilat sipas amanetit të Rizës, akademiku kosovar, Rexhep Ismajli, i ka përgatitur në bazë të dorëshkrimeve. Për të rehabilitimi i veprës së Selman Rizës mbetet i paplotë në këndvështrimin e faktorit kohë, gjithsesi, siç e thekson edhe në intervistën e mëposhtme, ai shpreson që ajo të bëhet pjesë e gjallë e kulturës shqiptare.

Zoti Ismajli, ju jeni marrë me botimin veprës së plotë të Selman Rizës në dorëshkrim, një detyrë e lënë në amanet për ju. Si ka qenë ky proces pune?

Për mua ka qenë kënaqësi të punoj me veprën e Selman Rizës, por edhe jashtëzakonisht e vështirë. Kënaqësi, sepse kam mësuar shumë mbi mënyrën se si ai punonte, por e vështirë sepse ato janë dorëshkrime të shpërndara, të lëna ashtu si janë dhe dyshoj se jo çdo herë kam mundur të hyj deri në fund në interpretimin e tyre. Unë jam përpjekur të ruaj me çdo kusht, të plotë dhe të saktë çdo gjë që ka lënë Selman Riza.

Çfarë keni gjetur mes dorëshkrimeve?

Kam gjetur gjëra të ndryshme. I tillë është një dorëshkrim për nyjat e shqipes, një monografi e hartuar në 3-4 versione ku ai i fundit i vitit 1964 ka mbetur i pabotuar ose i botuar në mënyrë fragmentare. Me ndihmën e kolegëve të mi kam mbledhur dorëshkrimin e plotë dhe e kemi botuar. Kam mbledhur dorëshkrime të tjera për çështje të gjuhësisë së përgjithshme që për mua janë të rëndësishme, sepse kanë një peshë unike në kulturën shqiptare dhe janë të padiskutuara më parë. Këto janë përfshirë në vëllimin e pestë. Ka më tej diskutime për gjuhën dhe mendimin, diskutime në raport me tezat e Marksit dhe Engelsit, diskutime të pabotuara për gjuhën letrare e që kanë mbetur të pabotuara, por që kanë vlerë. Mendoj që diskutimi themelor i tij në çështje të gjuhësisë teorike ka të bëjë me teoritë e Sosyrit për çështjet gjuhësore dhe ka një kritikë me shumë interes në këtë fushë që të orienton edhe në bazën e të menduarit. Ai donte të krijonte një shkencë për herë të parë në historinë e njerëzimit për të menduarit që e quante intelektologji. Është pak e vështirë të prezantohet shkurt një ide e tillë, por tezat që ai ka paraqitur janë të një niveli të përgjithshëm e jo vetëm shqiptar.

Vazhdimisht në konferencë u fol për rehabilitim të Selman Rizës si dijetar dhe të veprës së tij. A mund të ndodhë realisht kjo tani?

Realisht nuk është e mundur, po të kemi parasysh se vepra e tij duhet të dialogonte me kohën e vet. Ne sot e kemi kaluar si kohë, kemi ecur si dije në një rrugë tjetër dhe vepra e tij ka mbetur anash. Tani po i rikthehemi. Ne shpresojmë që rehabilitimi do ta kthejë në jetë tamam si duhet në kulturën shqiptare që ajo të bëhet pjesë e gjallë e saj.

I dënuar disa herë, herë të tjera i shpërfillur, ju theksuat se Selman Riza synonte shkëputjen e shkencës nga politika. Çfarë parashikonte ai në ngatërrimin e të dyjave?

Ai nuk e ngatërronte politikën me dijen, e thoshte qartë që nuk duhet të bëjmë propagandë politike me shkencën, e kishte thënë këtë në kohë të vështira dhe për këtë edhe në dosje të policisë mbahej si i dyshimtë. Kur ka bërë punë shkencore ka vepruar si shkencëtar, kur ka bërë punë patriotike i është kushtuar deri në fund, deri në rrezikim të kokës. Sipas tij, nuk duhet t‘i ngatërrojmë çështjet e mendimit, qoftë edhe konceptet e marksizmit që në shkencë diskutohen lirshëm, me konceptet e jetës politike. Përndryshe ne biem në funksionin e propagandistit dhe këtë Selman Riza me gjithë rrethanat e vështira të jetës së tij nuk e lejoi.

Mendoni se me këtë korpus është ezauruar vepra e Selman Rizës?

Besoj se gjithçka që është e rëndësishme është ezauruar. Mund të kenë mbetur dokumente apo letra nëpër arkiva, por ato që janë më të rëndësishme, për aq sa unë i kam gjetur janë botuar tashmë.

 

 

Marrë nga Gazeta Nacional


Send this to a friend