VOAL

VOAL

Më 11 prill 1977 u nda nga jeta poeti i shquar francez Jacques Prévert

April 12, 2019
blank

Komentet

blank

DON NDRE MJEDJA SCODRA – Nga Fritz RADOVANI

DON NDRE MJEDJA
(1866 – 1937)

SCODRA

I.

O Tarabosh, i mnert, ndéja hyjnore,
Ku, e rrebt, rrufenat Fromboja farkote,
E e perzemruem’, gjyteteve mizore
Pshtjell’ me shtergata e bumbullim’ i lshote.

Andej mbi breshtat e mbi land’t pjellore,
Qi rreze diellit per dëshir s’ pershkote,
Ti soditshe gjarpnues neper fushore
Kulmin e Drinit me qeti kah shkote.

E kuvendshe me té madhnin’ e Ilirit,
Ku t’ lir si shqypet neper bjeshk, banoshin
Nipat e hyjvet Ilirjak’ e t’ robit.

E n’ at zemer u knaqshe pa fé kobit.
E u knaqshin hyjzit qi tinzisht veshtoshin
Nper heshtime t’ pamatuna t’ ethirit.

II.

O dishmitar i shekujve t’ panjehun,
Qi pershkove me sy gjind e ndodhina
Si dhent blegtori kur, avit’ te trina,
Vezhgon vathin e vet e rri tu’ i njehun:

Difto si motit, prej hyjnis i ngrehun,
Per kto vênde lakmues e kto krahina,
Rrani nder treve hijeshue n’ çetina
E badra t’ verdha me ata gjetht e prehun,

Si nji popull me shpatë i armatisun,
Ili fatbardh’, Ili qi blegtoresha
Galateja perfitoi e Polifemi;

E kjene shkuesa prej Olimpit nisun
Bind fuqimadhi e Senton hyjnesha
E dasmor i gjith zotave polemi.

III.

Difto si grigjen neper shpat kur lshote
Me lkur’ harushet vesh’ e njesh’ barija,
Gjith rrotull Krajës e ka merr Rumija
Kumbim trokash mbi troje tingullote;

E dhênt blegroshin neper dushk; gjiplote
Gjellet nder megje siellishin me mija
E t’ permállshme kundruell pallshin, e n’ shpija
E nder peqina ‘j tjetrë gridh’ ushtote.

Maje currave tu’ u pshtet’ me fyll shtogut
E buz’ kronit barit zgaçen nen hije
Kndoshin, e ndalej fluturimi i zogut.

E i perkdhelun prej kang’sh, shpell’ e shkambije,
Lête gjarpni i helmuem, e mjedis t’ logut,
Ngrehun kryetin perpjet, vrote me shije.

IV.

E ti smiren difto qi t’ perzêmruemit
Hyji e Elades germoi, e jasht’ zakonit
Dergj e rrenime grumulluen e t’ shuemit
E nipave caktuene t’ Posejdonit,

Se kah fundi i peqinave t’ Mallkuemit
Shperthei kulsheder neper gryk’ t’ nji stonit;
E si kokerr rrufejet, prej t’ aguemit
Frombos vetueses ju perqasi fronit.

T’ krokodilit mbas giaset, i flakote
Me nji t’ njyme gjelbrore e t’ verdh’ gjith shtati
E flak’ e kuqe neper sy i vetote.

Krah i zjarrit’ bri stjetullavet i delte,
E surfull turfullote e flak’ lugati
Qi prej fushës per gjys’ malin e shkelte.

V.

E nji njegull nder male, e ‘j er’ qelbsinet
E i vap’ e mnershme per gjith’ vend shperndahej,
Ku nder lugje ma t’ rita e n’ pod rudinet
Me t’ perjetshmen sherbel’ gjineshtra thahej.

Mjedis t’ megjeve i shtangun, prej nalcinet
Plandoset qjelli rrokollim, e rraheji
E nderkryeme per tok’ delja bri trinet,
E regji i shpevet prej trishtimit kjahet.

E gjimoshin t’ zharituna blinishtat,
E kjaheshin rreth krojet, e t’ trishtueme
Ulkoja e trumat uluroshin naten.

I molisun flakrote ushtari shpaten,
E dnesshin nuset per kunor’ t’ vorfnueme,
E vjerr’ gjinit amtuer, disshin ferishtat.

VI.

Por qe prej shpellet, ku n’ qeti banote,
U çfaq tat’ gjyshi Polifem, e drodhi
Rrotllen e rynit qi mbi báll i ndodhi
Vetem, shkellxore porsi hana plote.

E i farmakuem prej mnijet turfullote
Si harusha per zogj, e nji shit zgjodhi
Nen máje t’ madhit Tarabosh, e e hodhi
Kundra bindit, damtuer qi kobe lshote.

Fishklloi ajri per rreth, e bumbulluene
Rrethas permnershem malet, e, si zdapa,
Shkulmat e Drinit pezulli u çuene.

E larg ushtoshin lugjet e Peshtrikut,
E porsi t’ shtyeme prej fortun’s,permbrapa
Rrokolloheshin val’t e Adriatikut.

VII.

Uluronte prej dhimet e perplasun
Nder balta t’ Buenës, ku fillon koliku,
E terbuemja kulsheder, tue ju qasun,
Stonit t’ perparshem qi kish xan’ kreshniku.

Por i veshej prej majavet i rrasun
Nji breshen qetash, si nji rê çeliku
Qi lumbardhat flakrojn’ n’ ma t’ idhtin t’ hasun
Qi ka me anmikun e terbuem anmiku.

E mizoren perfundi ‘j mal sa qiella
E nêlt e shtrydhi per gjith an’sh, e ngeli
Aq e madhe per bind u çue gomilla.

E zbriti s’ neltit, buzen n’ gaz, e shkeli
Polifemi mb’at suke, e n’ zane t’ kthiella,
“T’ Ilirijes, kumboi, “a ktu temeli.”

VIII.

Kumboi njitas nder malet Ilirike
E nder fushore t’ b’ gatuna n’ grunaje
Zâni i kasnec’ e e ‘j brohori jetike,
Qi jehona perdridhte mâje n’ mâje

E thirrte Kodri: – O djelmëni kreshnike
Me dhên gur e permend’ leni n’ bungaje
Spatat e ngulme, léni tok’ t’ fisnike
E léni berret qi kullosin n’ zaje;

E hiqni thekshem kah i t’ parve a shkámbi,
Ku n’ vetina perher’ Fromboja dëfrehej,
Se nji t’ rejes seli po i shtrohet lâmi.-

E permbi suken mrekullore u njiti,
E t’gjytetit mbretnuer rrethin, ku t’ ngrehej,
Me gjak t’ kulshedrés tu’ e vizat’. Shetiti

IX.

Prej krahinet kú i mûjshem Labeati
Banon me shqype, e ku perté, e Parthinit
Kullot grigja e mrizon Autarijati
Berret e láme neper ujna t’ Drinit;

Porsi çuna t’ nji shpis qi fton i jati,
Avulluesa sinjoreve t’ Shkodrinit
Ju veshne Ilirsit me hiti, ku fati
I atmes ma t’ lergun ja perkrahte fqinit.

E kndoshin çetat tui u zbrit’ , e ushtoshin
Fush’ e lugje t’ gjelbrueme e shéna e prroje,
N’ brohorijet t’ ushtris kur n’ pun’ u lshoshin.

E ‘i popull i pafar’ rreth suket vlote,
Porsi shemet e bletve neper zgjoje,
Tuj ngreh’ shka naten hyj mizuer do t’ rrxote.

X.

Ngri prej mneret t’ çudimeve s’ vetove,
E permbledhun rreth malesh Ilirija:
E t’ Shuguruemit e Bindit, n’ uzdaj plote,
Shqyrtoshin shortet si ju nepte dija.

E pvetshin t’ shpardhit, qi per an’ mbretnote,
Gjethin kuvénd’s me dshir e neper vija
Zanet e rrgjanta qi Sentona lshote
E val’t qi luente e Posejdonit hija.

Por i trúmun Dodonasit nuk flitte
Shpardhi n’ bungajet, e nuk bzâte rrjedha
Me tingllime t’ argjanta per kah rrshitte.

Ankim prej qiellet t’ Ilirjakve s’ ndihej,
As e flladit ndivnues s’ ankohej dredha:
Por paq i kandshëm prej Hyjnijet shifej.

XI.

I madhnueshem shkelzete bregut t’ Drinit,
Prej mermerit katruer t’ dhenun, prej arit
Xhixhlloj’s nen rreze qi pershkrepshin s’ parit,
Tempull i ngrehun hyjnave t’ Elinit.

E mbarshtrojsit e Zeusit n’ petka linit,
Stolisun kryetin me kunora larit,
Ndezne kémcat rreth lternavet per s’ mbarit,
Tuj ftue t’ idhnuemit hyjenor’t e fqinit.

Kersitte kêmi mbrenda kup’s s’ prarueme:
E shkul tu’ u çuemun, neper qiell t’ faltores
Tymi i erkândshem fjolla fjolla hypë.

Gjimoi moti ne e rrmakt, e zâne t’ mbulueme
Shungulluene prej s’ neltit t’ nji dritores:
-Aferdita per fli Rozafen lypë-.

Shenim F.R.:
“Juvenilia” e Don Ndre Mjedjes asht botue nga shkrimtari Mark Gurakuqi.
Edhe shpjegimet e disa fjalve janë t’ Atij shkrimtari.
Ribotimi bahet nga ana ime në këte pervjetor të Don Ndre Mjedjes.
Poezia Scodra që i kushtohet Shkodres, asht nder kryeveprat e Mjedjes.
Ajo xen vend edhe në thesarin e dialektit të Gegnishtes.
Shkrimtari Mark Gurakuqi thekson: “Vlera letrare e artistike e veprës së Mjedjës asht e madhe”.
Melbourne, 22 Nandor 2022.

blank

blank

GOLFI I NDËSHKUAR I KADARESË – Nga romani “Koha në mes” nga Raimonda Belli Gjençaj


(Ngjarje që vjen nga vitet ’70, periudhë e cila në romanin tim të ri bën pjesë te “Koha në mes”)

– Ka ardhur shoku Ismail Kadare – njoftoi polici dezhurn.

Redaktori uli receptorin dhe me një frymë u gjend te holli i Radio Tiranës. Procedurat zgjatën pak. Aq kohë sa i duhej të ftuarit të linte mbi tavolinë letërnjoftimin me kapak vishnjë, ndërkohë që redaktori plotësoi leje – hyrjen.

– Shkojmë – tha ai.

Mikpritësi udhëhoqi rrugën deri te salla e madhe e orkestrës ku po zhvillohej prej disa ditësh “Konkursi Kombëtar i Fjalës Artistike për Pionierë”. Në paradhomë shkrimtari hoqi pardesynë dhe hyri në mjedisin plot dritë, ku shkëlqimi i parketit të dyshemesë dhe i mureve të veshura rezononin ëmbël ngjyrën e mjaltit. Çastet e para të shfaqjes së shkrimtarit patën efektin që pritej. Pionierët konkurrues e kthyen vështrimin në një kohë drejt tij. Xhaxhi Ismail Kadare, që kishte shkruar “Kronikë në gur”, kishte ardhur vërtet aty. Ata ishin të zgjedhur si përfaqësuesit më të mirë prej shkollave të vendit dhe qasja e tyre ndaj letërsisë në përgjithësi dhe poezisë në veçanti përfshinte dhe pyetjen të ngjizur prej imagjinatës: “Ishte vërtet shkrimtari, njeri si të tjerët?”. Brezi i fëmijëve që Perëndinë e barazonte vetëm me Zeusin e Mitologjisë, deri aty e shpinte përfytyrimin. Por dhe kaq mjaftonte. Një prej Zotave kishte zbritur në tokë dhe ndodhej me ta. Anëtarët e jurisë, patën privilegjin t’i japin dorën. Shkëmbyen edhe dy-tri fjalë me të. Ata i thoshin “shoku Ismail”, njësoj si polici i katit të parë. Vetëm drejtuesja e konkursit, një 20-vjeçare, studente e degës së gazetarisë iu drejtua të pranishmëve duke kumtuar në mikrofon se shkrimtari Ismail Kadare ndodhej mes tyre për të përshëndetur atë veprimtari kombëtare të fjalës artistike, që po numëronte ditën e fundit të saj. Në fakt kjo ishte një provë. Siç ndodhte gjithmonë para regjistrimit. Drejtuesja i zgjati fletën e pyetjeve dhe Kadareja u hodhi një vështrim të shpejtë.

– Gati aty?

Ky ishte zëri i regjisorit, që fliste nga pulti një kat më sipër. Vajza vështroi shkrimtarin dhe pyetjen e kishte në sy.

– Fillojmë?

Kadareja tundi kokën, duke pohuar. Kameramanët zunë vendet. “Kamera dy të fokusojë Kadarenë” – zëri kumbues i regjisorit mbushte sallën. “Konkurrentët t’u hedhin një sy uniformave, kontrolloni shallet e pionierit…” Kjo ishte e rëndësishme. Se mund të ndodhte që pak prej lodhjes dhe pak prej rrëshqitjes së mëndafshit të kuq, shallin mund ta shihje me lidhjen pas kokës. Që do të thoshte ndërprerje të regjistrimit dhe rifillim.

– Qetësi salla! – Fillojmë!

U ndez kamera që nxirrte në plan të afërt drejtuesen. Kameramani uli dorën. Regjistrimi kishte filluar.

– Sikurse ju bëmë me dije të dashur pjesëmarrës të konkursit të parë kombëtar të fjalës artistike…
– Stooop!

Regjistrimi ndali. Ajo që fliste rrudhi ballin. Shkrimtarit s’i lëvizi asnjë muskul. Dukej sikur ndodhej në një tjetër dimension. Mbase po projektonte një subjekt të ri dhe ishte në tundimin e krijimit. E kishte ndarë mendjen që të “kthehej” në sallë kur t’i përmendej emri. Deri atëherë fjalën e kishte kjo vajza drejtuese që i kishte thënë se studionte për gazetari. Ç’pati që heshti? Ajo po bilbiloste si rrallëkush. Shkrimtari u “kthye” para kohe para mikrofonit. Në veshë i mbërriti emri i tij. Por jo me zërin e drejtueses. Jehona vinte nga paneli i jurisë. Diçka po ndodhte…

– Ka ngjarë diçka, apo jo?

Kjo pyetje ishte për atë që i rrinte në krah.

Me sa duket…- vajza nuk ia ndante sytë tavolinës ku rrinin tri gra dhe dy burra, të zgjedhur për të gjykuar dhe vlerësuar recitimet e fëmijëve. Ata flisnin dhe shikonin nga mikrofoni. Domethënë nga drejtuesja edhe shkrimtari. Vajza deshi të lëvizte drejt tyre, por ndërroi mendje. Nuk ishte mirë ta linte vetëm të ftuarin. Misteri do të zgjidhej se s’bën. Punë minutash. Dhe nuk vonoi. Dera e rëndë e sallës së pultit u hap dhe prej andej zbritën regjisori dhe redaktori. Disi në siklet, por plot mirësjellje i erdhën pranë Kadaresë. Regjisori i zgjodhi me kujdes fjalët. Ai sidoqoftë nuk mbajti barrën e vërejtjes mbi vete. Nuk kishte pse. Tha se dikujt nga juria i kishte vrarë sytë golfi i shkrimtarit. Vajza e mbërtheu vështrimin mbi pulovrin ngjyrë bezhë. Veshje e zakonshme. Tamam për stinën e vjeshtës. Po, por jo për një ngjarje kombëtare. Shkrimtari i veprave që mund t’i siguroje vetëm po të kishe mik shitësin e librarisë, nuk mund të shfaqej në publik me një golf. Edhe po të thoshte se nuk e kishte blerë jashtë shtetit. Edhe po ta vërtetonte se ishte prodhim i trikotazhit të Tiranës, kot e kishte. Tashmë juria kishte arritur në një mendje. Ismail Kadare duhet të ndërronte veshjen. Shkrimtari rrinte në mëdyshje. Opsionet aq ishin. O të lejonte të ndëshkohej golfi, ose të refuzonte dhe t’u linte shëndenë të gjithëve sa ishin në sallë. Duke pranuar si rrjedhojë ndëshkimin e tij. Zgjodhi të parën. Drejtuesja e konkursit i dha zemër. “ Mos kini merak! Në gardërobën e televizionit do të gjeni këmisha të lara dhe të hekurosura. Edhe veshja ime nuk është e imja.” Shkrimtari e la sallën me një lloj hutimi. I shoqëruar nga redaktori dhe regjisori. Ata po shkonin me të për mirësjellje. Ndërkohë që shkrimtari në fantazinë e tij të gjallë e pa kufij mund ta vështronte si frikë. Dhe mund të shkruante më vonë: “Ata ecnin pranë tij, si të ishin me misionin e gardianëve. I druheshin trillit të beftë të shkrimtarit, që mund t’i shkrepte në mendje t’u ikte. Të linte gjithë marrëzinë e tyre mes mureve të asaj ndërtese hijerëndë, të bënte kurban edhe letërnjoftimin dhe të vraponte e vraponte me të vetmin qëllim, të shpëtonte dinjitetin e golfit të pafajshëm”…

Kur u rikthye në sallë, shkrimtari ngjasonte me një dhëndër. Këmisha hijeshohej nga kravata dhe xhaketa nuk mund të thoshe se i rrinte keq. Vajza që studionte për gazetari përfytyroi golfin bezhë të ndëshkuar, të varur në gardërobë, që do t’i duhej të rrinte në dënim aq kohë sa do të zgjaste regjistrimi.

– Gati, fillojmë !

Në pult vezullonin monitorët. Jurisë i vezullonte kënaqësia që kishin shmangur një shfaqje me karakter ideologjik, pionierëve u vezullonin sytë që patën rastin ta shihnin nga afër shkrimtarin e famshëm. Sa për Kadarenë, vështrimi i tij mbeti i ftohtë deri sa ajo vajza që aspironte të bëhej gazetare i dha të kuptonte se i kishte ardhur radha. Në më pak se dhjetë sekonda, një vezullim tjetër e përfshiu sallën. Fjala e tij.

Raimonda Belli Gjençaj

21 Nëntor 2022

Shiko më pak
blank

POEZIA QË SFIDOI VDEKJEN Nga Nadire Buzo

Një telefonatë me nuanca të gjalla e mikes sime Flora, ma “prishi” qerthullin e ditës…Alo, do vish të shkojmë në Zall-Bastar, në një promovim libri poetik,… është… – I them se do desha shumë të shijoja natyrën e bukur të maleve përreth kryeqytetit por kam qenë jo mirë me shëndet dhe ndihem disi e lodhur…ajo insiston – Të lutem Flor, më mirkupto nuk mundem. – Si të duash, po është një rast i veçantë. –U pershëndetëm dhe mbyllëm telefonat. Të nesërmen, ashtu pa formë, nisa rritmet e ditës duke rrjeshtuar disa angazhime. Së pari gatimi i drekës, që nuk duhet të mungojë në asnjë rast. Bëra gati gjërat dhe zbrita poshtë, më mungonte diçka që duhej. Ndërsa nxitoja, ra zilja e telefonit. Përsëri Flora. – Hej, si u gdhive sot. –Çka disi më mirë, po përsëri…- dëgjo këtu: unë jam poshtë pallatit tënd dhe po të pres, nuk ikim pa ty. Së pari zonja që promovon librin është një poete e cila… gjithashtu ty do të bëjë mirë për gjendjen ….vazhdoi ligjeratën ajo duke njohur mirë dobësitë e mia në këto raste.

-Prit të shuaj zjarret, se mos djeg shtëpinë, kurr nxitoj gjithmon harroj diçka. Nuk vonohem, vishem shpejt. Zbrita për pesëmbëdhjetminuta dhe u nisëm. –Ja shiko, kemi marrë makinën e re fringo, jo atë që na la në mes të rrugës kur shkuam në pranverë për të parë Rrugën e Arbrit. Megjithatë, folëm e qeshëm me aventurën e makinës qerre, që u prish sapo u nisëm në malore, ku njerëzit e mirë të asaj ane erdhën dhe na morën.

Përtej shakasë për makinën, nuk e ndjemë udhëtimin, natyra malore dhe gjethet që fluturonin lehtë drejt tokës që i tret. Mes një fryme vjeshte, Flora më foli diçka prekëse për poeten. Mbritëm në një shesh të vogël, aty pranë ishte një ambient i rethuar në tre anë me një çati interesante në formë konike. Dyshemeja e rafshtë prej betoni, ku ishin rrejshtuar karriket për pjesmarrësit e grumbulluar në shesh. Ishte një ditë shumë e bukur tetori, me diellin që ngrohte dhe ndriçonte gjithçka përreth. Në cepin e asaj salle interesante në hapsirë, ishte vendosur një bend muzikor.

Në cepin tjetër një tavolinë me mbulesë, ku ishin ulur dy tre zotërinj, midis tyre një zonjë e veshur me jeshile. Është avokatja pëshpërisnin njerzit. Po avokatja çdo në presidium mendova pa e vrarë mendjen. Sa andej këndej nga njëri cep në tjetrin, lëviste një grua e re veshur me një kostum gri, që mezi qëndronte në trupin e saj më tepër se elegant, të bente të mendoje se, ku e gjente ajo këtë energji të pa lodhur.

Poetja, Drita Haxhillari, ka shtëmbëdhjetvjet që lufton me sëmundjen makabre dhe ka kryer pesë operacione. Eshtë vajzë e kësaj ane e martuar në Poliçan, jeton atje prej vitesh. Me gjithë kalvarin e mundimeve Drita nuk i kishte humbur tiparet e një zonje të hijëshme e shtatlartë. Shfletova librin dhe nisa të lexoj poezitë. Më ngjiti fort që tek poezia e parë.
“Zgjatma dorën /nëse sërish/ Eci në errësirë kuturu / Lermë ta gjej vetë shtegdaljen./ Mund të më çjerrin / gjemba kryeneç /herë të bërë bashkë/ e herë veç e veç. / Mund të rrëzohem,/në duelin e heshtur të mbijetesës. /Zgjatma dorën kur të kem sfiduar /Dhimbjen në kaos,/të ngjitemi në kepin e shpresës.”

Vazhdova të lexoj pa e ngritur kokën, më bëri për vete stili poetik i saj. Dukej qartë se ky libër ishte ditari i një zonje te re, që përplasej fort më sfidën e madhe që i kishte rezervuar jeta. Kuptova se poezia e saj kishte sfiduar vdekjen!

Mendimet dhe leximin e poezive ma ndërpret orkestra që po luante Himnin e Flamurit dhe të gjithë në këmbë këndonin. Unë përlotem gjithmonë në këto raste dhe këndoj deri në fund. Kësaj here edhe më fort, nuk e kisha hasur në asnjë promovim libri, përveçse në konferenca dhe jubile festash. E mora si modelin më të bukur.

Në skenë dolën dy vajza të reja, gjimnazistja simpatike Lorena Bumbja dhe Shkurte Sulejmani, studentja nga Kosova, e veshur kuq e zi, do të drejtonin festën e librit dhe do recitonin vargjet e saj. Kishte ardhur së bashku një grup nga larg.

Së pari me pak fjalë përshëndeti bashkëshorti i saj, Kujtim Haxhillari. Më pas krye administratori i zonës Zall-Bastar, Hamza Sita, organizatori dhe mbështetësi kryesor i këtij promovimi festiv.

Me fjalë zemre të zgjedhura i uroi mirseardhjen poetes dhe të pranishmëve.

Drita si bijë e këtij vendi, nisi të shkruaj qysh në moshën shtatë –vjeçare, e më pas si nxënëse. Përfundoi studimet dhe u kthye si mësuese në shkollën e bashkuar, Zall-Bastar që mban emrin,“Bahri Nela”. Drita jo vetëm shkruante po këndonte e kërcente bukur, ishte organizatorja e shumë aktiviteteve kulturore të shkollës dhe fshatit, deri tek ansambli përfaqësues në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Ajo la gjurmë të bukura në vendlindje, ndaj vendlindja i kishte rezevuar këtë suprizë bijës së tij të dashur, Drita Loka. E cila më pas u martua në Poliçan.

Atje punoi në Radion “Zëri i Poliçanit”, si moderatore e programeve kulturore dhe sociale, duke sjellë risi të reja në drejtimin e tyre. Miqtë dhe kolegët u bënë së bashku dhe me mbështetjen e Bashkisë së qytetit, organizuan një promovim të bukur si ajo e meritonte…. Shpirti i saj i trazuar, nuk mund të harronte vendlindjen.Te shkruash per vendlindjen është sipermarja me e bukur në botë, shprehen miqtë e saj bashkfshatarë.

Sapo mbërriti në vendlindje, më një buqetë lulesh në duar, u ndal tek pragu i shkollës ku nisi udha e krijimtarisë. – O shkollë e dashur, më thuaj nëse u bëra e denjë për pragun tend, murret, bankat, dhe zileve të tua! Vendos buqetën me lule dhe përlotet. -Dera është e hapur për ty Drita kurdo që të kthehesh ! -i thonë miqtë e saj dhe Hamza Sita.

Flasin të gjithë bukur me fjalë të përzgjedhura që rrallë qëllon ti dëgjosh. Të mendosh se je në një zonë malore të fshatrave të Tiranës. Me një gjuhë plot metafora dhe krahasime. –“Në vend të shash errësirën me mirë ndiz një qiri”.- Ju poetët e vendlindjes me trungun mijvjeçar të jetës. Ligjëron Nuriu, mësuesi pensionist dikur kolegu i Dritës..
Avokate Mirjana Arapi, mikja e saj e cila e ka mbështetur gjithmonë, flet përlotur :- Nuk kam emocione në sallat e gjyqit por sot ndihem e emocionuar. Sido që të vijë jeta duhet të dish t’ia dalësh. Më revolton fakti i refuzimit të poetes, duke i përplasur derën përpara syve nga disa zyrtarë mendjevegjël. Unë do të jem gjithmonë në krah të saj.

Foli dhe presidenti i Shtëpise Botuese “Klubi Poetik” Rexhep Shahu, i cili pasi vlërësoi poezinë e Dritës, tregoi se libri i saj “ Lulja çeli përsëri”, është shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.

Shumë emocionues ishte momenti kur Ilmi Kurti, kryetari i shoqatës Malcia- “Leka i Maleve”, pas përshëndetjes së të gjithë pranishmëve. Në emër të shoqatës, i jep poetes Drita Haxhillari, çmimin “ Shën Tereza”.

Ajo përshendet me dorën në zemër pastaj të dyja pëllëmbët i vuri mbi fytyrë, përkulej dhe qante, donte të mos i’a shihte lotët askush, ashtu si bënte kur lëngonte. Por këto ishin lotë gëzimi. Le të rrjedhin ashtu si vargjet e saj!

Kalvarin e gjatë të sëmundjes, e kaloi e vetme me praninë e bashkëshortit, nuk mund të harrojë doktorin Agim Karaj, i cili ishte për të një prind i dytë, sepse prindërit e saj nuk mund ti falnin asgjë veç dashurisë. Ishin të varfër. Lotët rrjedhin si breshër kur falenderon Zotin, që përballë sëmundjes i fali frymëzimin poetik, vargjet e shenjta që e shpëtuan nga trishtimi dhe dhimbjet e mëdha në netët e errëta pa fund. Një poezi sublime e frymëzuar prej dhimbjes për të sfiduar vdekjen në emër të jetës që e do kaq shumë.

“Penë e shpirtit,/ zvogëluar, tretur,/ oaz i trishtë,/ dhembje e mbetur./ Heshtje në makth, / mbërthyer në ankth./ Stonim i rrallë,/ as vdekur as gjallë ./ Mbështjellë në kllapi,/ lot i ditëve gri./ E lodhur, dërrmuar,/ fjalë e harruar. /Kohë torture në testim,/ shpirt në vargëzim. / Penë e shpirtit,/ kurrajo, bëj durim.”

Është një poezi konkrete. I kthen shpinën vdekjes duke thurur vargje poetike, për të na treguar se ende ka shpresë, aty ku zë fill e nesërmja.

Emocionuese ishte përshëndetja e mësuesit Milahim Ermellau nga Vitia, qytet në pjesën më juglindore të Kosovës, në emër të drejtuesve të shoqatave kulturore nga regjioni i Gjilanit.

Pershendetja vinte nga kryetari i komunës dhe miqve të tjerë të shoqerive kulturore dhe mësuesit e shkollës së parë shqipe të Vitisë. Vitia e Kosovës, me në krye mësuesin Milahim, Marigona Muja prezantuesja dhe interpretuesja e poezive të saj, dhe Kushtrim Azemi, ishin organizatorët e njw feste tw bukur tw zhvilluar në një ambient mjaft dinjitoz, ishte promovimi i parë i librit poetik “ Lulja çeli ërsëri”

Me shumë dashuri përshëndetën, Inxhinieri Skënder Halil Farka- kryetari i shoqatës Tirana, i cili kontriboi në botimin e librit. Kryetari i shoqatës Atdhetare Kulturore Ferit Hoxha, mjeku Azem Nela, mësuesi Hysen Hyseni, biznesmeni Besim Kuka, Skënder Farka, Lytfije Hysa, Ibrahim Skera dhe Gent Sika, nga krahina e Bendës- qendra e Zall -Bastar. Mbështetësit e këtij aktiviteti dhe në veçanti Kushtrim Azemin e nga Lipjana e Kosovës.

Vigjilenca Sollaku pedagoge ne Universitetin e Arteve, mikja e saj e hershme, tregon se: Drita është një zonjë e gjithanëshme, poete e mirë, moderatore e zonja ne radion “ Zeri i Poliçanit”, që solli frymë të re gjate programeve që ajo drejtonte, Drita është dhe piktore që hedh mbi telajo ëndra dhe realitete plot ngjyra. Drita është lule që do të çeli perseri e përsëri.

Doktoresh Emirjeta, foli në mbyllje të eventit me porositë e saj të vlera në kuadrin e muajit tetor, në luftën me kancerin e gjirit. Ajo e mbylli fjalën e saj me një ligjeratë kuptimplote. – “Jeta na përball me shumë sfida, por sfidat nuk i përzgjedhim ne, ato vinë vetë përball nesh. Detyra jonë është të dimë të përballëmi më to dhe t’ia dalim. “

Dy vajzat drejtuese dhe folësit në festë recituan poezitë e përzgjedhura prej librit. Të gjithë donim ta bënim këtë dhe koha zgjati pafund.

“Dashuria ska moshë.- Në çastet e kohës,/ je gjithmonë drejtpeshimi im./ Hullive nëpër vite/ mbollën farë dashurie / herë në tokë djerrë/ herë në tokë pjellore/ dorë për dore lumin e fatit / në këmbë e kaluam/ përtej bregut strehën tonë të ngrohtë ,/ ndërtuam…..”

Në fund foli vëtë Poetja e cila nuk haroi të falenderonte një nga një të pranishmit, dhe miqtë e saj ardhur enkas nga Poliçani.- Jeta është e bukur edhe kur je i varfër. Ti zgjatim duart ndaj njëri-tjetrit duke i falenderuar ! Është e mallëngjyer, dhe e përlotur. -Nëse zoti do më lerë të jetoj akoma, të tjera libra e të tjera lule do të çelin përsëri! Ajo u këndoi rrënjëve të saj që nuk mund ti harrojë kurrë, ndaj mbetet besnike e gurës së vet. Ky është mesazhi i saj i bukur, i një shpirti të trazuar, i dhimbshëm i perëndishëm!

UNË JAM- Të jesh a mos jesh…! / Unë nuk jam dilemë as retorikë./ Isha dhe jam, / refren jete çdo ditë./ Unë jam, mundem, vlej / në esencë frymëzimi / pa u pluhurosur në hendeqet e kohës!/ Çastet përqafoj/ se jam, egzistoj. …

Poezia e saj është bashkohore, ka stil, ka frymë, ka figurë, është mallëngjyese por edhe e zjarrtë përtej çakërdisjeve njerëzore. Eshtë dashuri për jetën për veten, për njerëzit.

Diku na priste një koktej midis pishave të larta dhe ajrit të pastër. Gatimet nga duart e arta të zonjave punëtore të Zall Bastarit.

Duke u kthyer për në shtëpi, shpreha kënaqësinë që kisha qënë pjesë e këtij pronovimi. – Hë, si ndihesh, pyet me kërshëri Flora, me sytë e bukur si qielli. – U shërova dhe mësova shumë.

Faleminderit Flora! Shumë faleminderit Drita! Ti sot ishe heroina ime!

blank blank blank blank blank blank blank

blank blank blank blankNadire BUZO

blank

Ismail Kadare mesazh lexuesve në panairin e librit: Ne shkruajmë për ju, duam të dimë çfarë mendoni

Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka dhënë një mesazh për lexuesit në panairin e librit.

Kadareja u shpreh se lexuesit janë pjesa më e bukur e letërsisë pasi autorët duan të dinë se çfarë mendojnë ata kur marrin një vepër në dorë.

“Mirëdita. Vetëm një fjalë… hajde gjeje vetëm një fjalë, është shumë e vështirë, është e pamundur zoti botues.

Ju përqafoj të gjithëve, lexuesit janë pjesa më e bukur e letërsisë, ne shkruajmë për ju, ne kemi mendjen tek ju, ne duam të dimë çfarë mendoni ju a na pëlqeni a s’na pëlqeni, apo thoni ‘mjaft se këtë që thotë ky e kemi dëgjuar njëherë’.  Ju uroj gjithë të mirat”, u shpreh ai.gsh

blank

GJUHA SHQIPE – Poezi nga Xhevahir Spahiu

Mblidhmani gjakun.
Një plagë plumbi,
një vragë shpate
dhe fshehtas helmi;
ca fjalë u shkoqën,
ca rrokje ranë
…. po thelbi mbeti.
Fjalët e shqipes si zaje lumi
rrugës e bjerrën gjithçka të tepërt
gjithçka të qullët;
ngjizur e lidhur si eshtra trupi.
Dhe gjaku çurkë.
Kullojnë fjalët. Ajri përflaket.
Mblidhmani gjakun.
blank

GJUHA MARTIRE – Poezi nga Qerim Ujkani

Copë- copë ranë hartat e tua të vjetra
Plot me kulla syfrangji kah bota
Po ndër to ti ishe e forta.
.
Dhe nuk re kurrë.
Me fjalët e tua rrufe godite papushuar
Grushtin e ngrite lart klithe gjithë zë
.
Nuk bie
Dhe kur nuk bie unë
Nuk bie asgjë.
E lumja ti moj gjuhë martire
blank

Onufri sjell në Panairin e Librit “Tirana 2022” edhe dy vëllimet e reja poetike nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Prej 16 deri më 20 Nëntor mbahet në Pallatin e Kongreseve edicioni i 25-të i Panairit të Librit “Tirana 2022”, që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Shtëpia Botuese e mirënjohur Onufri, një nga më të mirat në trevat shqiptare sjell në këtë panair mbi tridhjetë libra dhe autorë.

Midis tyre Onufri sjell  edhe dy vëllimet e reja poetike nga poetët Skënder Buçpapaj dhe Elida Buçpapaj.

Libri i Skënder Buçpapajt titullohet Dielli i shumëfishtë, ndërsa i Elida Buçpapajt Of-shaj.

Prej vitit 2012 Onufri është botuesi i librave të çiftit Buçpapaj.

Është shumë vendimtare për krijuesit kur gjejnë botuesin e zemrës.

Skënder Buçpapaj dhe Elida Buçpapaj i shprehin falenderimet dhe mirënjohjen e tyre Botuesit të Onufrit Bujar Hudhri dhe Drejtores të botimeve Onufri Enxhi Hudhri.

Në numrin e sotshëm të ExLibris gazetë letrare artistike e Onufrit paraqiten cikle poetike të dy poetëve shkëputur nga librat e sapobotuar.

Ndërsa dy vëllimet poetike të sapobotuara Dielli i Shumëfishtë dhe Of-shaj gjatë Panairit të Librit i gjeni tek Stenda e Onufri. Më pas do t’i gjeni në librarinë Onufri.

 

blank

 

blank blank

blank

blank

GJUHA E ZJARRTË – Poezi nga Lasgush Poradeci

O gjuhë – e shenjtëruar, o mall me shpirtin plot
O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë
O djellë – i llaftaruar që ndrin si pikë lot…
Si pikë lot e ndritur po ndrij në rreze tuaj
Po ndrij e papandehur, po qaj pak e nga pakë
Sepse prej botës suaj kam mbetur kaq i huaj…
.
Kam mbetur kaq i huaj, dh’i ndrydhur edh’i shkret!
Prej ligjëratës sate që më çudit, o zjarr!
Me gjuhëra prej flake ti djeg… ti flet… ti pret…
Do vi! Do vi pranë mjerush e dyke vuar
E flakën vraparake nër krahë do ta marr
Posi kuvend të shkruar do të ta çik me duar
.
O këng’ e shenjtëruar, o verb i larë n’ar
O zjarr që më përflakesh si yll vetëtimtar
O fshehtësir’ e ndezur në fill prej shkrepëtime
.
Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj në kartë
Posi një kraharuar ti dhemb, o Gjuh’ – e zjarrtë
Posi kullim’ i gjakut që rreh në zemër time
.
Ti ndrin në thelb të jetës si drit’ e përvëluar
O gjuh’ – e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar
blank

HIMNI I ALFABETIT – Nga Parashqevi QIRIAZI

1.
Sot ësht’ dita shqipëtare
të përpiqemi
Alfabetin ton’ të mbrojmë,
Shpejto burrani.
Shkronjat tona jan’ të arta,
Këto duamë.
Shqipëri, atdhe i dashur
Ne s’të lemë ty të varfër.
Shkronjat ton’ kanë
për të mbrojtur
Me gjithë shpirt shqipëtarisht.
2.
Arëmiqtë o shqipëtarë
po përpiqenë
Shkronjat turçe dhe gërqishte
Të na japinë.
Le t’i mbajnë ato për vete,
Kemi tonatë.
3.
Ata duan shqiptarë ndarjenë tonë.
Këtë punë shumë kthjellet
e treguanë.
Ngrihuni pra t’u tregoni
se ju s’i ndroni
——–
Kongresi i Manastirit (14–22 nëntor 1908) ishte ndër kuvendet më të rëndësishme në gjithë historinë politike dhe kulturore të kombit shqiptar. Çështja kryesore ishte njësimi përfundimtar i alfabetit shqip, i cili qe i domosdoshëm për bashkimin e kombit. Kur flitet për këtë kongres, emri i Parashqevi Qiriazit duhet të nderohet po aq sa edhe burrat e Komitetit. Si përfaqësuese e Shkollës së Vashave të Korçës, ajo ishte e vetmja delegate femër në Kongres. Ajo u zgjodh sekretarja e Komitetit, duke punuar gjithë ditën me të njëmbëdhjetët. Në vitin 1909, Parashqevia shkroi “Himnin e alfabetit”, botoi një abetare me alfabetin e ri, si dhe themeloi Shoqërinë kombëtare për gra, “Yll’ i Mëngjezit”. Më vonë, në Amerikë, ajo botoi një gazetë me të njëjtin emër (1917–1920), e cila trajtonte tema patriotike, kulturore dhe arsimore…
blank

ANDRRA E TOKËS – Poezi nga Hasan Muzli Selimi

Çka doni t`i themi tokës¬?
ngjyrën e saj, ku do ta vendosim?
Andrrën, si do ja fshehim t`mos i kalbet?
Tokën ku do ta varrosim,
varrin si ta gjejmë?
një mbishkrim me ngjyrë toke,
Hajdeni të flasim me tokën,
netëve të dimrit t`i tregojmë përralla,
ndoshta sillet përsëri tek ne.

.
Kasaj 10.11.2022 ora 22.41 mm

blank

Zijai Nga Ilir Kadia

Zijai kaloi anës shtëpisë time veshur kapelen sportive që s’e heq dimër verë!
Në dorë mbante qesen me bukë dhe qumësht!
Kështu bën prej 30 vjetësh që e njoh!
I shërben gruas që nuk ia njoh!
Ajo rri brenda edhe kur unë shkoj e trokas në derë dhe kërkoj Zijain për çelësin e baxhës së tarracës.
Nuk është Zijai, kur të vijë ja them unë që erdhe! Thotë me një zë të hollë si fije peri ajo.
E kam pa qef, thotë Zijai që vetë vuan diabetin si unë. Për atë flasim sa herë takohemi!
Je,mirë!Je,mirë!- më thotë Zijai kur më sheh.
Zijai është rob Zoti! Dhe të mendosh që është vlonjat!
Zija,si je?Gruan si e ke?-  I fola nga dritarja kur e pashë mbrapa gjetheve të gardhit të shtëpisë time këtë mëngjes.
Ilir, s’të shoh! Ju si jeni? Nga zëri je mirë! Je mirë! Ika!
Çfarë t’i thosha!
Zijai është të paktën njëzet vjet më i madh se unë që kam frikë se mos më prek miza dhe nuk i ka larë duart.
Zijai del çdo mëngjes nga shtëpia për bukë e qumësht se po nuk doli kush do t’ia bëjë përsheshin gruas?!
Por…Zijain kam kaq javë që s’e kam parë!U bëra merak dhe shkova të pyes!
Ka vdekur më thanë!U bënë javë!
Oh sa më dhëmbi!
Po gruas kush i doli zot?!
Nuk dimë!Por tek ata tani nuk ka njeri!
Në foto poshtë Zijai
blank
blank

Shko dhe dashuro dhe vuaj – Nga poeti zviceran CONRAD FERDINAND MEYER – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Conrad Ferdinand Meyer (Zyrih, 11 tetor 1825 – Kilchberg, 28 nëntor 1898) ishte një shkrimtar zviceran. Eksponent i realizmit, ai kompozoi kryesisht poezi, tregime të shkurtra dhe romane historike. Së bashku me Gottfried Keller dhe Jeremias Gotthelf ai është një nga shkrimtarët më të njohur zviceranë të gjuhës gjermane të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Conrad Ferdinand Meyer (Konrad Ferdinand Majër) kaloi disa vjet të rinisë së tij në Lozanë ku mësoi frëngjisht aq mirë saqë mund të përkthente vepra letrare. Më 1864 përmbledhja e tij e parë me poezi u botua në mënyrë anonime. Më 1872, në moshën 46 vjeç, ai gëzoi suksesin e tij të parë duke botuar ciklin e poezive Huttens letzte Tage, kushtuar ditëve të fundit të teologut humanist Ulrich von Hutten.

Më vonë, pothuajse çdo vit, u botuan romane historike dhe tregime të shkurtra. Kur vepra Der Heilige (Shenjtori) u shtyp për herë të parë në revistën e njohur Deutsche Rundschau nga botuesi i famshëm Julius Rhodenberg, C.F. Meyer si një tregimtar i shkëlqyer. Më 1880 iu dha titulli i doktorit honoris causa. I ndihmuar me dashuri nga gruaja e tij, ai kaloi vitet e fundit në shtëpinë e tij në Kilchberg, ku vdiq më 28 nëntor 1898 në moshën 75 vjeç. Varri i tij, me një monument varrimi në formë obelisku nga Louis Wethli, ndodhet në Kilchberg.

Që nga viti 1938, qyteti i Zyrihut i jep Çmimin Conrad Ferdinand Meyer çdo vit në kujtim të shkrimtarit artistëve, shkrimtarëve ose studiuesve, aktivitetet e të cilëve kanë lidhje të ngushta me kantonin e Zyrihut.

Është i përfshirë në të gjitha antologjitë e poezisë gjermane dhe i përkthyer në shumë gjuhë të botës.

PERËNDIM DIELLI NË PYLL

Unë u zhduka në pyje thellë,
Kafshë e egër për vdekje plaguar,
Që në prushin e fundit diellor
Frymon në trungjet e lëmuar.
Unë bie duke dihatur. Në ije
Përskuqem, ja, myshku dhe guri-
A është ky gjak nga plagët e mia?
Apo e mbrëmjes drita e fundit?

.

KORI I TË VDEKURVE

.

Ne të vdekurit, të vdekurit jemi ushtri më e fortë
Se jeni ju në det, se jeni ju në tokë!
I lëruam me mund e me durim ne arat,
Ju tundni drapërit që të korrni farat,
Dhe çfarë ne mbaruam dhe çfarë nisëm dikur
Mbush botën me qilimat që ne i patëm thurë,
Dhe gjithë dashuritë tona, beteja dhe urrejtje
Ende trokasin tash në venat tuaja vdekëse,
Me ligjet që zbuluam, rregullat, parimet
Janë të lidhura në tokë gjithandej ndryshimet,
Dhe këngët tona, poezitë dhe tablotë
Skalitur ne dikur ndriçojnë sot në botë,
Për qëllimet njerëzore jemi ende në kërkim –
Ndaj nder e vetëmohim për ne! Se jemi pa mbarim!

.

ZJARRI I SHENJTË

.

Anës zjarrit me rreze të arta

Mprehet mesnatës së thellë

Pa gjumë syri i vestaleve,

Ruan dritën e hyjneshës përherë.

.

Kur ajo kotet, kur bie në gjumë

Kur i ftohur fiket shkimur prushi,

Kredhur në varr dhe thellësitë e dheut

Do të jetë ku myku prehet edhe pluhuri.

.

Një flakë më dridhet në gji mua

Djeg e përvëlon në çdo kohë dhe stinë

E cila, kallë nga fryma e muzave,

Është viktimë e gjithhershme për ty.

.

Dhe e ruaj me ndrojtje të shenjtë

Që ajo të digjet pastër e në qetësi;

Se e di që do të jetë një rojë i pabesë

I zhytur për së gjalli thellë në kriptë.

.

KËNGË DASME

.

Nga shtëpia dhe pushteti prindëror

Po del ti moj nuse e bardhë borë

Në guaskën e jetës – shko dhe duaj –

Shko dhe dashuro dhe vuaj!

.

E pafajshme, e nënshtruar,

Si të rrah i njomi kraharuar

Nën vello mëndafshi – shko dhe duaj-

Shko dhe dashuro dhe vuaj!

.

Sytë gjithë epshe rrezatojnë sot

Ndritshëm mbi gjoksin përplot

Me stoli farfuritëse – shko dhe duaj –

Shko dhe dashuro dhe vuaj!

.

Mos harro, flokëverdhë e bardhë:

Lumnia e pikëllimi janë binjakë

Të pandashëm të dy – shko dhe duaj –

Shko dhe dashuro dhe vuaj!

 


Send this to a friend