Më 30 Qershor, 2024 kryeministri Rama vizitoi Thethin nga ku ndau 200 tituj pronësie dhe 90 të tjerë i la në proces plotësimi.
Kuptuar shkurt ishin 290 familje. Pa e dhënë përbërjen numerike më të vogël të secilës familje, pa frikë shifra mund të rrumbullakoset në mbi 1000 malësore dhe malësorë të Thethit.
Por ajo që ndodhi nga llogaritë e mbrapshta të rilindësve socialistë gati një vit para zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 dhe andej nga u shty e u fry gjatë 2024-ës me propagandë në çdo turne takimi me shqiptarët në emigracion për të rrëmbyer interesimin e votës së diasporës, në vëmendje ishte euro (€), ishte thithja e investimeve nga diaspora shqiptare në vendlindje.
Tonet me patos patriotik të kryeministrit në se ju kujtohen ishin mburrja dhe “garancia” se ai kishte bërë shtet. Dhe me të vërtetë shtetin e samiteve Rama e ka bërë por edhe administratën shtetërore që u shit ngado në diasporë mes emigrantëve shqiptarë ai e kishte me vete. Fatkeqësisht punëtorë dhe kursimtarë njëkohësisht bashkatdhetarët e diasporës kanë llogari bankare nëpër botë dhe stoku i kursimeve të diasporës në kontinentin Evropian përllogaritet nga 19-20 miliardë €. Kur flitet për investime në turizëm nga vendasit si p.sh ajo e Thethit, sipërmarrja e shtetit dhe futja mes interesave ngjan me një skemë piramidale të zhvatjes e cila do të përkeqësojë gjithshka në qoftë se nuk gjindet vullneti, mjetet dhe rrugët për të ndërhyrë. Sot jemi përpara faktit që qeveria mashtroi për interesa politike duke i premtuar shqiptarëve në diasporë se kishte ardhur koha “të investonin në tokën e të parëve” në këmbim të votës.
Vetëm me këtë këndvështrim ne mund ta analizojmë shkatërrimin e pronës në Theth, ku gjatë tre ditëve zhvillohet të një aksioni të IKMT-s me urdhër të kryeministrit Rama dhe ku po ndodh shkatërrimi i objekteve të ndërtuara, por jo ende transparenca mbi titujt e pronësisë dhe kritereve të lejuara për zonat e mbrojtura të arkitekturës apo edhe se çfarë lëndësh materiale mund të shpëtoheshin vetë thjeshtë për rrugën dhe koston e shpenzimeve të transportit për të arritur deri në ato gjerësi gjeografike.
Njohja, parandalimi dhe komunikimi paraprak për strukturat ndërtimore të lejuara në zonat e mbrojtura duket se nuk është ndjekur që prej 30 Qershorit, 2024 kur vetë Rama ishte në Theth dhe ndau jo vetëm 200+90 tituj pronësie, por foli për falje gjobash, turizëm elitar dhe plot mbikëqyrje dhe përgjegjësi që shteti do të kishte çdo ditë.
Dredhia me informacionin historik, kulturor dhe të traditës, ishte mënyra për të ardhur tek shitja e “Paketës” (Paketës së maleve), si koncepti i zhvillimit të qendrueshëm dhe në harmoni me natyrën, malësoreve dhe malësorëve në Theth ku atyre ju treguan nga rilindësit socialistë fillimisht vlerat shekullore të trashëgimisë se sa mikpritës ata janë dhe se sa i mirë do të jetë zhvillimi i turizmit jo vetëm aty, por në të gjithë Veriun e Shqipërisë ku ndodhen Alpet.
Këtë e thanë kryeministri Rama, kryetari i bashkisë Shkodër Beci, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Kumbaro dhe arkitektja Fiona Mali nga Commonsense Studio.
Përse i duhet mëshuar kësaj?
I duhet mëshuar për kujtesën dhe për faktet kur pikërisht qeverisja dhe projektet duan të flasin si në rastin e arkitektes Fiona:-” …për ekuilibrin e natyrës dhe komunitetit përmes ekspertizave shumë disiplinore dhe njohurive të mbledhura në vite”.*
Benet Beci kryetari i bashkisë Shkodër tregonte mbi një vit më parë se:-“Nga këndvështrimi i bashkisë Shkodër desha me nda me ju se një pjesëz të zhvillimit rajonal. Gjithë Shkodra në tërësinë e saj është si një mozaik ku gurët e çmuar të pjesës së Shkodrës duhet të vijnë të gjitha bashkë dhe të gjitha bashkë të japin produkt turistik për gjithë rajonin e Shkodrës siç është Thethi dhe se si kemi ndërhyrë në Theth me gjithë ato investime shumë të menduara duke nisur që nga rruga e Dukagjinit, duke u nisur nga infrastruktura e brendshme, pronat, janë pjesë e një pakete te mirëmenduar e cila nuk rrin vetëm brenda Thethit, kjo është e lidhur me gjithë pjesët e tjera të Shkodrës. Sepse interesi jonë është që ta bëjmë produktin turistik të madh”. *
Se sa të mëdha janë interesat dhe sa i madh është produkti turistik, kjo duhej vlerësuar nga fjala e ministres Kumbaro kur pronarëve që sapo morën tapitë u tregon se:-“Nuk është vetëm Thethi, Shkodra por shkojmë deri në Tropojë duke dyfishuar hapësirën e Parkut Kombëtar. Qeveria pak muaj më parë bëri një rishikim falë kërkesës që vinte nga kryebashkiakët, deputetët e rishikuan LZM* për të krijuar mundësi të tjera zhvillimi. Atë që e quajmë zhvillimi i qendrueshëm. Thethi ndoshta në mënyrë intuitive falë traditës dhe talentit falë edhe çfarë trashëgimie ju kanë lënë të parët filluan ta bëjnë. Tani puna është që ta bëjmë me rregulla. Prandaj ZM të cilat patjetër duhet t’i mbrojmë, nuk e kemi justifikimin të ndërtojmë pa leje, por në komunikim të përbashkët të bëjmë më të mirën, që shtëpia dhe turizmi të respektojnë malet, natyrën, lumin. Vetëm kështu ne mund të krijojmë një atraksion turistik siç ka filluar tashmë. dhe shumë shpejtë do të rishikojmë bashkë me studimin që do të bëjë bashkia edhe gjithë ZM për të parë në mënyrë shumë të qartë: “Ku mund të bëhet çfarë” dhe me KKMT çdo projekt dhe ëndërr e juaja për ta kthyer shtëpinë në një pikë turistike do të kthehet në një projekt real. Të gjitha ecin në një projekt të përbashkët: marrja e titujve të pronësive, respektimi i rregullave se si të respektojmë malet bashkë me shtëpitë se si të përmirësojmë mundësinë për të pritur turistë dhe ndoshta ajo që nuk u tha dhe më lejoni ta them se duke marrë certifikatat e pronësisë do të merrni kategorizimin për bujtinat. Duke marrë kategorizimin për bujtinat TVSH-ja që shkon normalisht 20% ju shkon në 6%. Duke marrë certifikatën për agro-turizëm taksat shkojnë në 5% dhe 0%. Këto mundësi janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe vetëm ky zinxhir që qeveria e ndërton nga pushteti vendor, tek agjencitë dhe te ju si investitorë bën atë që Thethi për 4-5 vjet do t’ia kalojë nuk po them Gjirokastrës. Por do të jetë një pol fantastik si të gjithë polet e tjera fantastike turistike të Shqipërisë. Faleminderit për besimin dhe bashkëpunimin!”.*
Pra atë që “qeveria pak muaj më parë bëri një rishikim falë kërkesës që vinte nga kryebashkiakët, deputetët e rishikuan LZM për të krijuar mundësi të tjera zhvillimi”
pronarët me gjithë premtimin e zbutjes së taksave nxituan për të gjetur brenda një viti burime financiare dhe investuan e ndërtuan me mirëbesim pasi vetë kryeministri Rama u tha atyre se:-“…ashtu sikundër tani prezantuam këtë vizion, nuk është një projekt i përfunduar dhe dua ta falënderoj Fionën. Fiona është zëri që dëgjuat i arkitektes, e cila punon ngushtësisht bashkë me ekipin e saj me Benetin në Bashkinë e Shkodrës. Kanë bërë një projekt shumë të bukur për Zdralen në Shkodër. Ky është një tjetër projekt dhe ndërkohë është koha që ne t’i vendosim gjithë këtij territori, jo vetëm Thethit mbi kokë një arkitekt që të ndjekë punët, të monitorojë sesi zhvillohen gjërat, të bashkëpunojë me ju, të bashkëpunojë me studiot e ndryshme që ju merrni për të bërë projektet në mënyrë që gjërat të bëhen sa më mirë”. *
Pra që dikush do të mbikqyrte zhvillimin, individ, agjenci, institucione etj., pra kjo garanci e vetë kryeministrit e shprehur në këtë mënyrë janë prova dhe fakti që banorët pronarë të Thethit të mos i godiste papritur fadroma.
Dikush mund të justifikohet edhe me atë që pushteti vendor dhe qendror apo agjencitë janë shprehur qartë, por banorët e Thethit nuk e kanë kuptuar. Ndaj për atë pjesë të opinionit shoqëror që e mendojnë të tillë raportin e shtetit me pronën private e ta lëmë edhe kështu.
Por për një pjesë tjetër që tregojnë me gisht nga shteti, institucionet, organizatat mjedisore, mediat etj. faktet dhe realiteti në këto 12 vite korrupsioni prej qeverisjes flasin ndryshe.
Një shembull sqarues. Në qoftë se gjeografia dhe historia nuk mësohet si dhe sa duhet në shkolla për nxënësit, kjo padituri nuk mund të luhet me malësorët dhe malësoret trashëgues të drejtpërdrejtë të pronave. Nuk mund t’ua marrësh atyre mendjen me informacione enciklopedike apo edhe me inflacionin e një fjalori thellësisht politik e propagandë, sepse janë ata të cilët janë lidhur ngushtë me tokën, pronën, pyjet, blegtorinë dhe gjithshka nga puna e tyre mund të jetë kujdes edhe për turizmin si një tjetër veprimtari që ata mund ta zhvillojnë më tej pronën dhe rrisin mirëqenien pa imponimin e shtetit.
Ndërsa e konceptuar si një ide e kryeministrit-shtet e vetëm si një projekt mbi territor dhe mbi një popullsi autoktone që do ta ketë peshën e industrisë së turizmit me gjithë pasojat që ajo sjell, jeta e malësisë pavarësisht se shteti e lehtëson në dukje me përmirësimin e infrastrukturës dhe të burimeve të energjisë ajo nuk mund të jetë e mjaftueshme në thelb për vendasit e lidhur me pronën. Janë pikërisht vendasit ata që janë të interesuar për zhvillimin dhe po ashtu për trashëgiminë. Jeta malësorëve dhe malësoreve të Thethit nuk është zbatim idesh prej nga shpiken projekte dhe ku lehtësisht gjinden fonde e bëhen eksperimente mbi popullsinë.
Në qoftë se sot sheh nga partia shtet një interesim ndryshe, kjo ka të bëjë me burimet e pashfrytëzuara të përfitimeve në Shqipëri që vuan nga mungesa e një sistemi demokratik dhe shteti ligjor me institucione të pavarura. Në qoftë se do të shkonim vetëm 35-40 vite më parë në kushtet e një sistemi socialist që po rrënohej nga e keqja e ideologjisë, rilindësit e sotëm socialistë janë ajo elitë nepotike që majat e alpeve të Shqipërisë, fshatrat e largëta dhe zonat e thella dikur i nën çmonin duke i quajtur si gjerësi gjeografike të territorit shqiptar, atje “ku harta varej në gozhdë”. Ose ajo kohë e diktaturës komuniste kur edhe peizazhi i natyrës filtrohej politikisht dhe Thethi mund të ishte një kartolinë, por pa Kishën dhe Shkollën bashkë të malësisë ku meshoi At Shtjefën Gjeçovi. Pra në kohën kur kryeqyteti apo edhe ndonjë qytet sezonal pushimesh qoftë i klimës malore apo bregdetare ashtu sikurse e gjithë Shqipëria e izoluar nga bota ishte e mbërthyer nga një krizë ekonomike e skajshme dhe me një varfëri ushqimore ku gjithshka ishte e racionuar (me tallon). Në atë kohë Thethi dhe alpet ishin mrekullitë e paarritshme për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe shërbimeve. E megjithatë, malësorët dhe malësoret jetonin në trojet e të parëve me pronën e munguar 40-50 vjeçare, duruan atë diktaturë sikurse përcollën edhe 35 vite të tranzicionit, por këtë koritje (turpërim/fyerje), nga marrëdhënia me shtetin nuk e kanë pritur kurrë.
E parë në tërësi, fushatat politike të ngritura mbi premtime dhe transaksione trojesh dhe pronash në një kohë kur shkalla e shpopullimit dhe mplakja e popullsisë janë theksuar ndjeshëm, atëherë ardhmëria e një kombi është në rrezik.
Aq në kohë ishte kjo parapërgatitje që filloi me Thethin, sa që propaganda dhe zhurma mediatike nuk i la fare rradhë njerëzve të interesuar të kuptonin se “Paketa e Maleve” nuk do të ishte ai muri që rrëzohej natën si në legjendën e Rozafës për kalanë e Shkodrës. Ai nuk do të ishte as shembja e piramidave të interesit monetar dhe shkëmbimit të vlerave materiale dhe të punës mes banorëve në malësi. Por më e rënda do të ndodhte, shembja forcërisht e objekteve të ndërtimit mbi pronë, që të rrënon ekonomikisht për të mos e marrë më veten dhe që më keq në qoftë se do të kërkosh të vazhdosh të jesh i lidhur me pronën dhe i pa neveritur ende se çfarë ke pësuar do të kuptosh se je produkti narko-ekonomik i formës së qeverisjes dhe i një shteti që ka dalë nga vota e dhunuar.
Më 26 Mars, 2025 “të investosh në tokën e të parëve”* ose “Paketa e Maleve” u bë e njohur si një nismë dhe një thirrje nga kryeministri Rama, ministri i ekonomisë, kulturës dhe inovacionit, Blendi Gonxhe, ministri e shtetit për pushtetin vendor, Arbjan Mazniku, kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci dhe kryetarët e bashkive të zonave veriore të vendit mes sipërmarrës biznesi. Në harkun e nëntë muajve kupton qartë se ligjet klienteliste janë në gjendje të zbulojnë atë që në zhargonin e grabitjes së zonave të mbrojtura quhet “njolla ekzistuese”. Më pas “njollat ekzistuese” krijojnë VKM-t dhe partia politike narko-ekonomike vepron fillimisht duke goditur traditën e pronës private dhe popullsinë autoktone.
Kuptuar përmes një shembulli, pavarësisht thepisjes dhe terrenit malor në qoftë se Thethi do të kishte një pistë avionësh, njollë ekzistuese pronë të shtetit aty me kohë do të ishte ngritur një aeroport dhe qytezë mini Davos për samitet ndërkombëtare globaliste të Ramës.
Ajo që po ndodh më pas me parti-shtetin pas zgjedhjeve të 11 Majit është se veprimtaritë e biznesit të vogël në linjën e turizmit me anë të presionit të pushtetit shkojnë drejt të kooperativizimit, drejt ofertës së PPP-ve duke rrënuar vlerën dhe çmimin e pronës. Dhe së fundmi me kamuflazhin “lirimi i Hapësirave Publike” dhe “Tokë e xanum” sikurse koncepti fashist i dhunshëm janë një infeksion që shpie në kriminalizimin dhe shkatërrimin e asaj harmonie të marrëdhënies qindravjeçare të vendosur nga banorët malësisë.
Kjo ndërhyrje e shtetit është taktikisht faza e parë e shtetëzimeve që drejtpërdrejt prishin normat, traditat dhe vetë miqësitë ndër njerëzit në zonat që ata mund ta zhvillojnë turizmin.
Komentet