VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Zgjedhjet e 26 shtatorit dhe fundi i mbretërimit të Merkelit

By | September 19, 2021
blank

Komentet

blank

Berlusconi shpallet i pafajshëm në gjyqin për festat e tij “Bunga Bunga”

Romë

Ish-kryeministri italian dhe drejtuesi i Partisë “Forza Italia”, Silvio Berlusconi është shpallur i pafajshëm në rastin ku dyshohet se ka korruptuar dëshmitarë për të heshtur lidhur me festat e njohura si “Bunga Bunga”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykata në qytetin Siena ka shpallur vendimin për 85-vjeçarin Berlusconi, i cili u gjykua në çështjen e njohur në publik si “Ruby Sweat”.

Berlusconi u shpall i pafajshëm nga akuzat se pagoi pianistin Danilo Mariani dhe të tjerë për mos informimin e organeve të drejtësisë për përmbajtjen e ahengjeve që ai zhvilloi në shtëpinë e tij në vitin 2010.

Pala mbrojtëse argumentoi se pagesat e bëra ndaj Marianit i detyroheshin atij për punën e bërë. Ndërsa gjykata ka dhënë edhe aktgjykim lirues me arsyetimin se pretendimet e rastit nuk janë realizuar.

Avokati i Berlusconit, Federico Cecconi tha se klienti i tij ishte i kënaqur me rezultatin pas vendimit.

Berlusconi dhe festat “Bunga Bunga”

Në shtyp u pasqyruan pretendimet se Berlusconi kishte kryer marrëdhënie seksuale me vajza të mitura për para në festat e “Bunga Bunga” që organizoi në vilën e tij në Arcore në vitin 2010, kur ishte kryeministër.

Ai u akuzua se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Kerime El-Mahrug, një marokane me nofkën “Ruby”, e cila ishte nën moshën 18-vjeç në atë kohë dhe siguroi lirimin e vajzës e cila u ndalua nën dyshimin për vjedhje. Ndonëse Berlusconi u dënua me 7 vjet burg në gjykatën e shkallës së parë, në çështjen e njohur si “Rubygate” në të cilën u gjykua, ai u shpall i pafajshëm në çështjen e apelit të përfunduar në vitin 2015.

Në rastin e dytë, i njohur si “Ruby Bis”, dy të njohurit e Berlusconit, Nicole Minetti dhe Emilio Fede, të cilët sillnin vajza të reja në festat e “Bunga Bunga”, u dënuan me burg në vite të ndryshme.

Gjyqi i tretë për këtë temë, “Ruby Ter”, rezultoi në lirimin e Berlusconit.

Pavarësisht se është në moshë të thyer vazhdon ende me politikë

Berlusconi, i cili ka shërbyer si kryeministri më jetëgjatë në Itali në 30 vitet e fundit, vazhdon të udhëheqë partinë e tij pavarësisht moshës së tij të thyer.

Berlusconi vitin e kaluar kaloi rëndë COVID-19 dhe më pas duhej të kontrollohej herë pas here në spital për shkak të komplikimeve të shkaktuara nga virusi.

blank

Gjermania nxjerr në gjyq me karrige me rrota 96-vjeçaren, akuzohet për krime lufte

Ish-sekretarja e një kampi nazist është paraqitur në gjykatë këtë të martë për t’u përballur me mijëra akuza për krime lufte.

E pandehura, 96 vjeçe, akuzohet mbi 11 mijë raste ku ka bashkëpunuar në vrasje.

Irmgard Furchner akuzohet për krime të kryera nën udhëheqjen e komandantit të SS-ve, të kampit Stutthof në Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Prokurorët pretendojnë se Furchner “ndihmoi dhe mbështeti përgjegjësit e kampit për vrasjen e vazhdueshme të të burgosurve”.

96-vjeçarja shërbeu si stenografe dhe daktilografiste në zyrën e komandantit të kampit, në qershorin e vitit 1943 dhe prillit të ’45.

Prokurorët thanë se 65 mijë të burgosur u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore në kamp, vendodhja e të cilit sot është pranë qytetit polak të Gdansk.

Furchner u soll të martën në sallën e gjyqit në Itzehoe, pranë Hamburgut, në një karrige me rrota për t’u njohur me akt-akuzën.

Ajo nuk iu përgjigj akuzave të ngritura kundër saj, ndërsa procesi gjyqësor është planifikuar të vazhdojë me datë 26 tetor.

Furchner po gjykohet në një gjykatë të miturisht në Gjermaninë veriore, pasi ishte nën moshën 21-vjeçare në kohën kur pretendohet se ka bashkëpunuar në krim.

Gjermania vazhdon me kërkimin e ish-kriminelëve nazistë që janë ende gjallë.

blank

Sekretari Austin: Asnjë vend i tretë nuk mund të bllokojë aspiratat e Ukrainës drejt NATO-s

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Andriy Taran, majtas, dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin në Kiev, Ukrainë (19 tetor 2021)

 

Carla Babb

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin thotë se asnjë vend i tretë nuk mund të vendosë veton ndaj aspiratave të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s.

“Ukraina… ka të drejtën ta përcaktojë politikën e saj të ardhshme të jashtme, dhe presim që të jenë në gjendje ta realizojnë këtë pa ndërhyrje nga jashtë”, tha Sekretari Austin gjatë një vizite në Kiev të martën, kur u pyet për kundërshtimet e Rusisë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Tensionet janë rritur mes Rusisë dhe aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Moska njoftoi të hënën se po pezullon misionin e saj të përhershëm në NATO, në kundërpërgjigje ndaj dëbimit nga aleanca të tetë shtetasve rusë më herët këtë muaj.

Sekretari Austin gjithashtu e quajti Rusinë “një pengesë” për çdo zgjidhje paqësore ndaj luftës që po vazhdon në Ukrainën lindore.

“I bëjmë thirrje sërish Rusisë t’i japë fund pushtimit të Krimesë, të ndalë vazhdimin e luftës në Ukrainën lindore, t’i japë fund aktiviteteve destabilizuese në Detin e Zi dhe përgjatë kufijve të Ukrainës”, tha Sekretari Austin.

blank

“Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi për të mbështetur përpjekjet e Ukrainës për të zhvilluar kapacitetet për t’u vetëmbrojtur”, shtoi ai.

Më herët këtë vit, Rusia grumbulloi numrin më të madh të forcave pranë kufirit ukrainas, që kur aneksoi Krimenë në vitin 2014. Forcat u tërhoqën pasi morën pjesë në stërvitjet pranë kufirit të Ukrainës.

Vizita e Sekretarit Austin në Ukrainë është ndalesa e tij e dytë këtë javë pasi vizitoi Gjeorgjinë të hënën.

Bradley Bowman, ekspert për mbrojtjen në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, i quan ndalesat në Gjeorgji dhe Ukrainë “një sinjal i rëndësishëm dhe pozitiv”.

“Janë partnerë të rëndësishëm, dhe janë partnerë që janë realisht, jo metaforikisht, realisht në vijën e frontit përballë agresionit, invazionit dhe pushtimit të vazhdueshëm” tha zoti Bowman për Zërin e Amerikës.

Gjatë konferencës së tij të shtypit me homologun ukrainas të martën, Sekretari Austin gjithashtu i bëri thirrje Moskës të ndalë “sulmet e vazhdueshme kibernetike dhe aktivitetet e tjera keqdashëse” ndaj Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha javën e kaluar se Rusia kishte ndërmarrë “disa hapa” kundër grupeve të piraterisë kibernetike që funksionojnë në këtë vend, pasi Presidenti Joe Biden i bëri thirrje në qershor Presidentit rus Vladimir Putin të veprojë kundër këtyre grupeve.

Hakerët rusë u akuzuan për ndërhyrjen masive në disa agjensi federale amerikane, nëpërmjet shfrytëzimit të dobësive në programet e kompanisë SolarWinds dhe për një seri sulmesh pirate ndaj infrastrukturës dhe bizneseve amerikane, përfshirë edhe sulmin në muajin maj ndaj kompanisë së transportimit të karburanteve Colonial Pipeline.

Të mërkurën, Sekretari Austin pritet të vizitojë Rumaninë, përpara se të marrë pjesë në ministerialin e mbrojtjes së NATO-s në Bruksel.

blank

Romë, demonstratë e fuqishme kundër neofashizmit, kërkohet ndalimi i partisë ‘Forza Nuova’

Përpara një jave të pandehur ekstremistë të djathtë kanë sulmuar një qendër të sindikatave në Romë. Të shtunën (16.10) dhjetra mijëra italianë protestuan kundër neofashistëve dhe kërkuan ndalimin e partisë Forza Nuova, shkruan Deutsche Welle.

Dhjetra mijëra vetë  u mblodhën në manifestimin antifashist në Romë. “Kurrë më fashizëm: për punë, bashkëvendosje dhe demokraci” ishte motoja e manifestimit, që u organizua nga aleanca e sindikatave të Italisë CGIL, CISL dhe UIL. Në manifestim, sipas mediave, morrën pjesë mbi 50.000 vetë. Organizatorët bëjnë fjalë për 200.000 pjesëmarrës.

Sipas të dhënave të sindikatave ishin vënë në dispozicion rreth 800 autobusë dhe dhjetë trena të posaçëm në mbarë Italinë, për t’i sjellë pjesëmarrësit në manifestimin e protestës në Romë. Me flamuj dhe pankarta mijëra përkrahës të sindikatave dhe grupe të ndryshme të majta marshuan në rrugët përreth drejt sheshit të manifestimit në “Piazza di San Giovanni in Laterano” jo larg Koloseut.

Sekretari i sindikatave Maurizio Landini tha në manifestim, se ka ardhur koha “të ndalet dhuna politike”. “Grupet neofashiste duhet të ndalohen dhe madje menjëherë”.

“Por fillimisht na duhet edukim antifashist në shkolla”, tha studentja Margherita Sardi për agjencinë e lajmeve AFP.

Para një jave anëtarët e partisë ekstremiste të djathtë Forza Nuoava (FN) pas protestave armiqësore kundër shtrirjes së masave ndaj koronavirusit në Itali ndër të tjera sulmuan selinë e sindikatës CGIL. Pas trazirave policia arrestoi dymbëdhjetë vetë ndër ta edhe sekretarin e përgjithshëm të partisë Forza Nuova, Roberto Fiore dhe kryetarin e degës së partisë për Romën Giuliano Castellino. Gjatë protestave në kryeqytetin italian pati edhe përleshje me policinë. Gjatë trazirave u plagosën 40 vetë, sikurse njoftuan mediat.

Në Itali që nga dita e premte (15.10) të gjithë të punësuarit duhet të paraqesin një “certifikatë të gjelbër” që vërteton vaksinimin ndaj koronavirusit, ose shërimin nga infesksioni me koronavirus ose duhet të paraqesin një test negativ nëse duan të vazhdojnë punën. Në rast të kundërt ata përballen me sanksione. Kush nuk paraqitet në punë, sepse nuk posedon dokumentin e kërkuar duhet të llogarisë me pushim nga puna. Testet ndaj koronavirusit janë falas për njerëzit, të cilët për arësye shëndetësore nuk mund të vaksinohen. Detyrimi për cerfitikatë vaksinimi prek në Itali rreth 23 milionë të punësuar.

Socialdemokratët (PD) kërkojnë ndalimin e partisë Forza Nuova. PD paraqiti në senat dy ditë përpara sulmeve kërkesën përmes së cilës i kërkohet qeverisë të ndërmarrë hapat për shpërbërjen e Forza Nuova dhe të partive të tjera fashiste. Sikurse njoftoi PD të shtunën (16.10), ndërkohë 100.000 vetë kanë nënshkruar një peticion përkatës. Të tjerë senatorë kanë paraqitur kërkesa të ngjashme. Pas trazirave të një jave më parë prokuroria ka nisur hetimet.

Manifestimi masiv i protestës së të shtunës përkoi me 78 vjetorin e sulmit të nazistëve ndaj getos së Romës. Mbi 1000 hebrej, ndër ta 200 fëmijë, më 16 tetor 1943 në të gdhirë u grumbulluan me forcë dhe u deportuan në kampin e përqendrimit Aushvic.

blank

Pas 75 vitesh veprimtari, mbyllet kompania ajrore italiane Alitalia

Romë

Kompania ajrore 75-vjeçare e Italisë, Alitalia, u ka dhënë fund operacioneve të saj me një fluturim të fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Fluturimi i fundit i Alitalia-s, AZ 1586, ishte nga qyteti i Cagliari në ishullin e Sardenjës për në kryeqytetin Romë.

Për transportuesin ajror përfundoi një epokë kur avioni Airbus 320 me 180 pasagjerë u ul në Aeroportin Fiumicino të Romës në orën 23:22 me kohën lokale.

Alitalia, e cila u themelua më 16 shtator 1946 dhe u bë një nga kompanitë kryesore ajrore në Evropë në vitet 1960, ka qenë në rënie të vazhdueshme, duke mos arritur të rikuperohet nga krizat financiare të cilat i përjetoi, veçanërisht në 30 vitet e fundit.

Gjatë kësaj kohe, qeveritë italiane shpëtuan disa herë kompaninë Alitalia nga pragu i falimentimit me mbështetje financiare.

Pavarësisht vendimit të Bashkimit Evropian (BE) për të ndaluar mbështetjen financiare në fjalë, Alitalia, së cilës qeveritë italiane i kanë transferuar rreth 13 miliardë euro në formën e huave emergjente në 20 vitet e fundit, ka qenë në gjendje të vazhdojë aktivitetet e saj deri më sot falë këtyre burimeve.

Edhe pse Alitalia u përpoq të zvogëlojë kostot e fluturimit përmes bashkëpunimeve me transportuesin holandez KLM dhe Etihad Airways nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ajo u ndikua negativisht nga pandemia COVID-19 që shpërtheu në vitin 2020 dhe masat e karantinës.

Kryeministri italian Mario Draghi dhe kabineti i tij, të cilët morën detyrën në shkurt, lanë pa përgjigje thirrjet për kredi për të shpëtuar kompaninë, duke shënuar fundin e kompanisë 75-vjeçare.

Përballë rrezikut të humbjes së vendeve të punës pasi mbyllja u bë e sigurt gjatë verës, shumë punonjës të kompanisë kanë protestuar.

– “ITA”, kompania e re ajrore

Me mbylljen e Alitalia-s pas fluturimit të saj të fundit, “ITA” (Italia Trasporto Aereo) e sapokrijuar, përsëri nën pronësinë e qeverisë italiane, me një investim prej 720 milionë eurosh, do të bëhet sot linja ajrore zyrtare e vendit.

ITA do të marrë deri më 2.800 punonjës nga gjithsej 10.500 punonjësit e Alitalia-s, ndërsa fillimisht do të nisë operacionet me një flotë prej 52 avionësh, shifër kjo e cila pritet të rritet në 105 deri në vitin 2025.

blank

Hapet në Gjermani një fabrikë e prodhimit të vajgurit sintetik

VOA

Një fabrikë e re, e cila synon të pakësojë sasinë e dioksidit të karbonit të çliruar nga industria e aviacionit është hapur në qytetin gjerman të Verltes. Fabrika do të prodhojë vajguri sintetik, një substancë që nuk emeton dioksid karboni dhe mund të përdoret si karburant për avionët. Ministrja gjermane e Mjedisit thotë se deri në vitin 2045 ky projekt do ta bëjë të mundur uljen pothuajse në zero të sasisë të dioksidit të karbonit të emetuar nga industria e aviacionit.

Zyrtarët gjermanë thanë gjatë ceremonisë së hapjes së fabrikës më 5 tetor se ajo është uzina e parë komerciale në botë e prodhimit të vajgurit sintetik, një lloj karburanti miqësor ndaj klimës.

Aviacioni shkakton aktualisht rreth 2.5% të totalit të dioksidit të karbonit të emetuar në botë, që kontribuon në ngrohjen globale.

Ndërsa format e tjera të transportit po elektrizohen gjithnjë e më shumë, sfida për të prodhuar aeroplanë të mëdhenj me bateri është e madhe.

Fabrika në Verlte, pranë kufirit veriperëndimor të Gjermanisë me Holandën, do të përdorë ujë dhe energji elektrike nga katër centralet me erë aty pranë për të prodhuar hidrogjen.

Në një proces që përdoret prej shekujsh, hidrogjeni kombinohet me dioksid karboni për të prodhuar naftë bruto, e cila më pas mund të rafinohet në karburant avioni.

“Atmosfair”, një organizatë jo-fitimprurës gjermane po punon në këtë projekt.

“Vajguri sintetik është në thelb një lloj hidrokarburi, pra një kombinim hidrogjeni dhe karboni përmes një procesi sintezeje”, thotë Dietrich Brockhagen , shefi ekzekutiv i organizatës “Atmosfair”.

Organizata “Atmosfair” thotë se djegia e vajgurit sintetik lëshon të njëjtën sasi të dioksidit të karbonit në atmosferë me atë që është hequr më parë gjatë procesit të prodhimit të këtij karburanti.

Sasia e karburantit që fabrika mund të prodhojë duke filluar në fillim të vitit të ardhshëm është modeste: vetëm tetë fuçi në ditë, ose rreth 1270 litra karburant avioni.

Kjo do të ishte e mjaftueshme për të funrizuar një aeroplan të vogël pasagjerësh çdo tre javë.

Kjo është një sasi shumë e vogël që nuk mund të plotësojë nevojat e industrisë së aviacionit, që para pandemisë arritën në 359 miliardë litra karburant avioni në vit. Por, organizata “Atmosfair”, thotë se qëllimi i saj është të tregojë se procesi është teknologjikisht i realizueshëm. Pas zgjerimit të kapaciteteve prodhuese ky lloj karburanti mund të plotësojë të gjitha nevojat e botës dhe mund të jetë ekonomikisht i qëndrueshëm, thanë drejtuesit e organizatës.

“Përmes energjisë diellore të lirë, në të ardhmen mund të jetë i mundur prodhimi i lëndëve djegëse elektronike që janë po aq të lira sa karburantet fosile sot”, thotë Falko Ueckerdt, ekspert në Institutin e Studimit të Ndikimit të Klimës në Potsdam.

Fillimisht çmimi i vajgurit sintetik i prodhuar në Verlte do të jetë shumë më i lartë se ai i karburantit të zakonshëm të avionëve, megjithëse organizata “Atmosfair” nuk pranoi të zbulonte çmimin për klientin e saj të parë, kompaninë ajrore gjermane Lufthansa.

Shefi ekzekutiv i organizatës “Atmosfair”, Dietrich Brockhagen, thotë se ulja e çmimit në rreth 5.80 dollarësh për litër është diçka që mund të arrihet.

“Ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse ai tregon se mund të jemi miqësor ndaj klimës, mund ta ulim në zero sasinë e diokisidid të karbonit të çliruar nga industria e aviacionit deri në vitin 2045”, tha ministrja gjermane e Mjedisit, Svenja Schulze në ceremoninë e hapjes së fabrikës.

Zonja Schulze e pranoi se Gjermania mund të mos jetë vendi ideal për të prodhuar sasi të mëdha të karburantit elektronik. Por ajo tha se pavarësisht faktit se vendet e tjera kanë energji diellore më të lirë, për shkak të numrit më të madh të ditëve me diell, ky projekt mund të krijojë mundësi të reja eksporti për Gjermaninë.

blank

Presidenti i Çekisë përfundon në terapi intensive pas zgjedhjeve parlamentare

Menjëherë pas takimit të mbajtur me kryeministrin në detyrë Andrej Babis, pas zgjedhjeve të së shtunës, të cilat nxorën fituese koalicionin opozitar, Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman, është dërguar me ambulancë në spitalin ushtarak të Pragës ku ka përfunduar në terapi intensive.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, mjeku i presidentit Miroslav Zavoral, tha se 77-vjeçari Zeman pati një përkeqësim të gjendjes së tij shëndetësore si pasojë e sëmundjeve që vuan prej kohësh.

Zeman votoi nga shtëpia e tij për zgjedhjet parlamentare për shkak të gjendjes shëndetësore. Disa media çeke shkruan se ai vuan nga një sëmundje e rëndë e mëlçisë. Ai vuan nga diabeti dhe në javët e fundit ka përdorur karrocë për të lëvizur.

Rezultatet e votimeve të së shtunës nxorën fitues koalicionin e formuar nga opozita “Bashkimi” ndaj partisë ANO të kryeministrit Andrej Babis, i goditur së fundmi dhe nga skandali i “Pandora Papers”. Kryeministri Babis u përball me një sërë akuzash në muajt e fundit për mënyrën sesi e përballoi pandeminë dhe rritjen e shpejtë të borxhit kombëtar.

blank

Akuzat për korrupsion dhe favorizime- Jep dorëheqjen kancelari austriak Sebastian Kurz

Kancelari austriak Sebastian Kurz dha dorëheqjen mbrëmjen e së shtunës pasi u përfshi në një skandal korrupsioni.

Ai tha se do t’ia dorëzojë kancelarinë ministrit të jashtëm Alexander Schallenberg.

Autoritetet austriake bastisën zyrat e Kurz dhe selitë e partisë në Vjenë të mërkurën mes dyshimit se ai dhe rrethi i tij i ngushtë komplotuan për të përvetësuar fondet publike për të korruptuar sondazhet dhe figurat e shquara të medias në këmbim të mbulimit të favorshëm.

Bastisjet shënuan një përshkallëzim të hetimit për korrupsion të prokurorëve ndaj Kurz, i cili tashmë përballet me padi të mundshme në një rast të veçantë që përfshin akuzat për deshmi te rreme ne lidhje me dëshminë që ai dha para një betimi parlamentar vitin e kaluar.

blank

Raporti, mbi 330 mijë fëmijë të abuzuar nga kisha në Francë

Marrë nga Associated Press

Rreth 330,000 fëmijë kanë qenë viktimë e abuzimit seksual nga Kisha Katolike në Francë gjatë 70 viteve të fundit, thuhet në një raport të publikuar sot. Ky është dokumentimi i parë gjithëpërfshirës në Francë, i kryer nga Komisioni i Pavarur për Abuzimin Seksual në Kishë, mbi këtë fenomen të rëndë.

Abuzimet e kryera nga rreth 3,000 priftërinj dhe njerëz të tjerë të angazhuar me kishën janë fshehur në mënyrë sistematike për dekada nga autoritetet e kishës katolike, tha Jean-Marc Sauve, presidenti i Komisionit të Pavarur për Abuzimet Seksuale në Kishë.

“Janë bërë gabime, dhe natyrisht shkelje civile dhe kriminale nga abuzuesit, ndonjëherë edhe nga zyrtarët e Kishës, që nuk denoncuan dhe madje në shumë raste rrezikuan fëmijët me vetëdije, duke i vënë ata në kontakt me abuzuesit. Ka patur kryesisht një neglizhencë, dështime, heshtje, fshehje institucionale të abuzimeve në mënyrë sistematike”, tha zoti Jean-Marc Sauve.

Komisioni i bëri thirrje kishës të “pranojë” përgjegjësinë e saj, duke denoncuar “gabimet” dhe “heshtjen”, dhe i bëri thirrje shtetit francez të ndihmojë në kompensimin e viktimave, veçanërisht për rastet që janë shumë të vjetra për t’u ndjekur penalisht përmes gjykatave.

Eric de Moulins-Beaufort

Eric de Moulins-Beaufort

“Raporti juaj është i vështirë dhe i ashpër. Shkalla e abuzimit dhe dhunës seksuale në shoqëri dhe në Kishë që ju përshkruani është befasuese”, tha Eric de Moulins-Beaufort, president i Konferencës së Peshkopëve të Francës.

Publikimi i raportit vjen në një kohë kur Kisha Katolike në Francë dhe në vende të tjera, po bënë përpjekje për t’u përballur me sekretet e turpshme të fshehura për një periudhë të gjatë.

Komisioni punoi për 2 vjet e gjysmë, duke mbledhur dëshmi nga viktimat dhe dëshmitarët dhe duke studiuar arkivat e kishës, gjykatave, policisë dhe shtypit duke filluar nga vitet 1950.

Presidenti i Komisionit të Pavarur për Abuzimet Seksuale në Kishë, Jean -Marc Sauve dënoi qëndrimin e kishës deri në fillim të viteve 2000 duke e cilësuar atë si “një indiferencë të thellë, mizore ndaj viktimave”.

Zoti Sauvé tha se 22 krime të dyshuara, që ende mund të ndiqen penalisht janë përcjellë tek prokurorët.

Më shumë se 40 raste që janë shumë të vjetra për t’u ndjekur, por që përfshijnë autorë të dyshuar, që janë ende gjallë, u janë përcjellë zyrtarëve të kishës. Rreth 80% e viktimave ishin djem.

Komisioni dha 45 rekomandime mbi parandalimin e abuzimeve,ku përfshihen edhe trajnimi i priftërinjve dhe klerikëve, rishikimi i Ligjit Kanonik, kodit ligjor që Vatikani përdor për të qeverisur kishën dhe inkurajimi i politikave për kompensimin e viktimave.

Raporti pason një skandal të priftit, tashmë të shkarkuar, Bernard Preynat që tronditi Kishën Katolike Franceze.

Vitin e kaluar, Preynat u dënua për abuzim seksual me të miturit dhe u dënua me pesë vjet burg. Ai pranoi se kishte abuzuar më shumë se 75 djem për dekada të tëra.

Një nga viktimat e tij, Francois Devaux, i cili tani drejton grupin e viktimave “Fjala e Çliruar”, tha se ata që janë fajtorë për abuzimet janë “një turp për njerëzimin”.

“Me veprimet tuaja ju keni shkelur mbi të drejtën natyrore të dhënë nga Zoti për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin njerëzor, që është thelbi i institucionit tuaj”, tha ai. VOA

blank

Rrëzohet një avion i vogël në Itali, 8 viktima

Romë

Të paktën 8 persona e kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni në Itali, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë italiane ANSA, mësohet se një avion i vogël privat që u ngrit në fluturim nga aeroporti Linate të Milanos drejt qytetin Olbia në ishullin e Sardenjës u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit ajror.

Më tej thuhet se avioni ka rënë mbi një ndërtesë në ndërtim që përdoret si parking në lagjen San Donato të Milanos dhe se në aksident kanë humbur jetën 8 persona, përfshirë një fëmijë.

Në zonën ku u rrëzua avioni është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm ndërsa në vendngjarje dolën ekipet zjarrfikëse.

blank

A do të ndryshojë ora në tetor? Ja çfarë thotë Eurodeputetja, Deirdre Clune

Shumë mund të pyesin nëse do të ndryshojë ora në tetor, siç ndodh prej shumë vitesh.

Por, si duket ende nuk ka një vendim.

Parlamenti Europian kishte vendosur që ndryshimi i orës të ndalet të dielën e fundit të marsit 2021 për vendet e BE, të cilat duan të mbajnë orën e verës përgjithmonë, ndërsa për Shtetet Anëtare që duan atë të dimrit, ndryshimi do të ndodhë të dielën e fundit të tetorit 2021.

Më 26 mars 2019, Parlamenti Europian miratoi qëndrimin mbi propozimin e Komisionit për t’i dhënë fund praktikës së ndryshimit të orës, duke mbështetur ndryshimet e fundit deri në vitin 2021, në të cilën secilit vend i kërkohet të zgjedhë nëse akrepat do të qëndrojnë sipas orës së verës apo dimrit.

Megjithatë, vendimi përfundimtar se kur propozimi i Komisionit do të hyjë në fuqi varet nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian.

Këshilli i BE -së ende nuk e ka finalizuar qëndrimin e tij.

Duke folur për edicionin irlandez online të The Journal, eurodeputetja irlandeze Deirdre Clune tha se “propozimi nuk po ecën përpara për momentin dhe ka ngecur”.

Clune ka mbrojtur prej kohësh heqjen e ndryshimeve të orës në BE dhe dëshiron që vendet të qëndrojnë në orën e verës gjatë gjithë vitit.

“Nëse vendet zgjedhin orën e verës, ne do të kishim ditë më të ndritshme gjatë gjithë vitit. Por në dimër, mëngjesi do të ishte më i errët se mëngjesi i dimrit që të gjithë e dimë, ” thotë ajo. Clooney tha gjithashtu se “Parlamenti u pajtua me propozimin dhe ne votuam për të, por Shtetet Anëtare duhej të binin dakord dhe kishte ndarje”.

blank

Kancelarja gjermane javën e ardhshme do të vizitojë Izraelin

Berlin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, javën e ardhshme do të vizitojë Izraelin pasi fillimisht ajo anuloi vizitën si rezultat i përkeqësimit të situatës në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zëdhënësi i kancerales gjermane, Steffen Seibert, tha se Merkel më 10 tetor për bisedim do të takohet me kryeministrin izraelit, Naftali Bennet, presidentin Izchak Herzog dhe kryediplomatin Yair Lapid.

Gjatë vizitës së saj më 9-11 tetor, kancelarja gjermane po ashtu do të takohet me anëtarët e kabinetit izraelit.

Siç është planifikuar, Merkel po ashtu do të vendosë kurorë lulesh në prani të kryeministrit Bennet në Memorialin e Holokaustit ‘Yad Vashem’.

Në një ceremoni në Kuds, Merkel do të nderohet me një doktoratë nderi nga Instituti i Teknologjisë ‘Tecnion-Israel’ në Haifa.

Sipas programit, kancelarja më 11 tetor po ashtu do të bashkohet me një tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare nga Tel Avivi.

Vizita e fundit e kancelares në Bregun Perëndimor ishte në vitin 2006. Ndërkohë, Seibert tha se ajo nuk do të vizitojë territoret e administruara nga palestinezët kur ajo të vizitojë Izraelin.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend