VOAL

VOAL

Zaev: Gjuha shqipe do të avancohet, Maqedonia shtet i të gjithëve

March 10, 2017

Komentet

Ndodh për herë të parë në një shekull- Liturgjia dhe bekimi i ujit bëhen në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut

Për herë të parë në thuajse një shekull, ujërat e Radikës u bekuan në gjuhën shqipe, një ngjarje me një domethënie të thellë, jo vetëm fetare, por edhe kulturore dhe njerëzore.

Liturgjia e kënduar nga At Nikolla Kojdheli, që u dëgjua përgjatë kreshtave të Rekës së Epërme, ishte një thirrje për shtigjet e humbura dhe për bijtë e harruar, një kujtesë që nuk kërkonte leje nga koha, por që ia kthente ndërgjegjes gurin, ujërat dhe malet.

Ky bekim i ujërave, që përshkonte jo vetëm ujin, por edhe kujtesën kolektive, ishte një moment simbolik që shënonte shndërrimin dhe hapjen, duke sjellë mesazhe të fuqishme për bashkimin dhe përjetësimin e vlerave të të kaluarës. Uji u bë një mjet shenjtërimi dhe lidhjeje për njerëzit, duke shkrirë kufijtë e kohës dhe duke përforcuar identitetin shpirtëror dhe kulturor të komunitetit.

Ky moment i veçantë bëhet i mundur me iniciativën e ambasadorit të Shqipërisë në RMV, Denion Meidani, dhe peshkopit të Antaninskit, z. Partenij, që kontribuuan për ta realizuar këtë ngjarje të rëndësishme.

Bekimi i ujërave të Radikës, në frymën e kësaj feste të shenjtë, përfaqëson një shfaqje të qartë dhe konkrete të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare, që ka pasur një ndikim të thellë te të gjithë ata që morën pjesë dhe e ndoqën ngjarjen. bw

Mbi gjashtë mijë të huaj morën leje pune në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar

Ndër sektorët ku punësohen më shumë punëtorë të huaj është ndërtimtaria.

 

Aleksandar Samarxhiski

Gjithsej 6.128 punëtorë të huaj morën leje për qëndrim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut në vitin 2025. Pra, trefish më shumë se para pesë vjetëve, kur për shkak të punës në vend kishin marrë leje 1.704 punëtorë, tregojnë të dhënat që Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Ndërtimtaria, industria përpunuese, akomodimi dhe shërbimi, si dhe tregtia me shumicë dhe pakicë, janë vendet ku ka pasur interesim më të madh për punësimin e të huajve, sipas Agjencisë së Punësimit nga viti 2020.

Punëtorët nga Turqia mbizotërojnë, por tani në Maqedoninë e Veriut po mbërrijnë gjithnjë e më shumë punëtorë nga Nepali, Bangladeshi dhe India.

Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet janë ndër shtetet, qytetarëve të të cilave MPB-ja u ka lëshuar leje qëndrimi për shkak të punës.

Se nga cilët shtetas të huaj ka kërkesën më të madhe, tregojnë edhe të dhënat që REL-i i ka marrë nga Agjencia e Punësimit.

Sipas tyre, në vitin 2025 janë lëshuar gjithsej 8.509 mendime pozitive për leje pune. Në këtë numër përfshihen edhe 798 leje personale pune të lëshuara për administratorë, menaxherë etj. Ky mendim është i nevojshëm ndër dokumentet që i mbledh MPB-ja kur vendos nëse do ta miratojë apo jo leje-qëndrimin.

Edhe këto të dhëna tregojnë trendin në rritje të të huajve që kërkojnë punë në vend. Në vitin 2020, për shembull, Agjencia kishte lëshuar 3.227 mendime pozitive, që është dy herë më pak se në vitin 2025.

Prej vitesh, të parët në këtë listë janë punëtorët nga Turqia, ndërsa në vitet 2024 dhe 2025, në pesë shtetet kryesore qytetarët e të cilave kanë marrë mendime pozitive, përfshihen edhe Nepali, Bangladeshi dhe India.

Vitin e kaluar, nga gjithsej 8.509 mendime, Agjencia e Punësimit i dha 2.815 mendime vetëm për shtetasit turq. Pas tyre vijnë shtetasit e Bangladeshit me 1.567, nepalezët me 1.089 dhe indianët me 1.079.

Në vendin e pestë janë shtetasit e Kosovës me 406.

Më herët, kur edhe numri i kuotave dhe lejeve për të huaj ishte dukshëm më i vogël, këto vende i zinin shtetet e rajonit, si Serbia, Shqipëria dhe Kosova.

Trendi i rritjes së numrit të punëtorëve të huaj është i dukshëm edhe në jetën e përditshme, veçanërisht në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku ata shpesh shihen në kantierë ndërtimi, por edhe në hotele, restorante, bare etj.

Ky proces, thekson Krste Bllazhevski nga shoqata vullnetare dhe jofitimprurëse e bizneseve hotelierike dhe gastronomike – HOTAM, është i natyrshëm duke pasur parasysh se punëtorët vendas po migrojnë drejt vendeve të tjera evropiane.

Pjesa më e madhe e lejeve kërkohen për Shkupin, ndërsa nga disa dhjetëra në vit lëshohen për Manastirin, Tetovën, Ohrin, Kumanovën etj.

“Këta janë punëtorë nga shtete më të varfra, të cilët këtu do të siguronin bukën e gojës, do të mbijetonin dhe do të dërgonin diçka për familjet e tyre, sepse edhe sot ekzistojnë vende ku ata marrin paga prej 100 dollarësh në muaj. Këtu marrin 600–800 dollarë”, thotë Bllazhevski për REL-in.

Ka ofertë dhe kërkesë për punëtorë të huaj

Por, si vijnë ata në Maqedoninë e Veriut? Praktika më e shpeshtë, kur bëhet fjalë për punëtorë nga vende të largëta si Nepali dhe Bangladeshi, është përmes agjencive ndërmjetësuese.

Ndryshe nga e kaluara, sot – thekson Bllazhevski – ka mjaft agjenci të tilla që çdo ditë u ofrojnë punëtorë. Sipas tij, ka dhjetëra të tilla. Ato dërgojnë video, CV të përvojës së punës së kandidatëve etj.

Një agjenci e tillë, që prej katër vjetësh sjell punëtorë të huaj në Maqedoninë e Veriut, është edhe “Balkan – Human Resources”. Ajo bashkëpunon me një agjenci nga Bangladeshi.

“Në fillim ishte e vështirë t’i gjeja punëtorët e parë, t’i bindja njerëzit se këtu tek ne ka punë edhe për ta. Mirëpo, me ardhjen e njerëzve të parë këtu, u krijua besimi dhe tani është më e lehtë të gjenden njerëz për të ardhur këtu”, thotë për REL-in një përfaqësues i agjencisë.

Sipas tij, interesi i punëdhënësve vendas është i madh.

“Në fillim isha skeptik se Maqedonia vërtet do të kishte aq shumë nevojë për fuqi punëtore, por vlerësimi im ishte i gabuar. Shoh çdo ditë e më shumë kërkesa”, shton ai.

“E mësojnë shpejt gjuhën”

Ai përmend së pari gastronominë, e më pas prodhimin dhe ndërtimtarinë si sektorët që kërkojnë më së shumti punëtorë.

Bllazhevski nga HOTAM thotë se kohët e fundit punëtorët që vijnë nuk janë “vetëm punëtorë të përgjithshëm”.

“Ka edhe shumë punëtorë me përvojë, të cilët mund ta kuptojnë shpejt se çfarë duhet të punojnë këtu”, thekson ai.

Në hotelieri dhe gastronomi, më së shpeshti të huajt angazhohen për “punë prapaskene” – pastrim, punë në kuzhinë etj. Por, sipas Bllazhevskit, ata e mësojnë shpejt gjuhën. Nga përvoja, për gjashtë muaj i zotërojnë gjërat bazë, ndërsa shpesh kuptohen edhe në anglisht.

“E dini, asnjë shtet në botë deri më sot nuk ka dështuar për shkak të fuqisë punëtore, nuk është prapambetur. Vetëm ecet përpara. Nëse nuk ka kush t’i kryejë pozitat e punës, atëherë do të jemi në problem të madh, do të duhet të mbyllen objekte dhe të mos ketë të ardhura”, thotë Bllazhevski.

Mbi 160 punëtorë të huaj ikën nga vendi

Megjithatë, përvoja disavjeçare me punëtorë nga vende të largëta, si India, Nepali dhe Bangladeshi, tregoi se edhe vendet e punës që ata i zënë, boshatisen, pasi ata ikin drejt vendeve të tjera evropiane. Këtë problem nuk e mohojnë as përfaqësuesit e sektorit të biznesit dhe as agjencitë ndërmjetësuese.

Përfaqësuesi i “Balkan – Human Resources” thotë se aktualisht bashkëpunon vetëm me një agjenci nga Bangladeshi, sepse një pjesë e tyre “i keqpërdorin kompanitë tona për të ikur në vende të tjera evropiane”.

Sipas tij, vetëm katër për qind e atyre që agjencia e tij i ka sjellë në vend janë larguar.

Trendi i ikjes së punëtorëve të huaj, sipas Bllazhevskit, është zvogëluar.

“Rregulloret nuk ishin të rregulluara siç duhet dhe një numër i caktuar punëtorësh-migrantë e shfrytëzuan këtë. Por vitin e kaluar, ata që erdhën, qëndruan. Nëse disa u larguan, ky është një numër shumë minimal”, pohon ai.

Në vitin 2025, kur leje morën 6.128 shtetas të huaj, MPB-ja ka evidentuar 166 të huaj që e kanë lëshuar Maqedoninë e Veriut, ndërsa kanë qenë në vend me status “qëndrim i përkohshëm për shkak të punësimit”.

Sipas të dhënave që REL-i i ka marrë nga MPB-ja, prej tyre 129 ishin shtetas të Bangladeshit, 34 të Nepalit dhe tre të Indisë.

Sipas dispozitave ligjore në Maqedoninë e Veriut, kuota për punësimin e të huajve nuk guxon të tejkalojë 5% të popullsisë së përgjithshme të aftë për punë në vend. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i të punësuarve në tremujorin e tretë të vitit 2025 ishte rreth 705.000, ndërsa të papunë rreth 92.000.

Sa i përket kuotës për leje pune për të huaj, për vitin 2025 Qeveria e ka caktuar atë në 10.000 punëtorë. Edhe kjo, paralelisht me rritjen e numrit të punëtorëve të huaj të angazhuar, është rritur gjatë viteve të fundit. Në fund të vitit 2023, qeveria e mëparshme e rriti nga pesë në shtatë mijë. Më herët, ajo ishte 3.250.

Vitin e kaluar, Qeveria propozoi, ndërsa Kuvendi miratoi ndryshime në Ligjin për të Huajt, sipas të cilave parashihet që jashtë kësaj kuote, qëndrimi i përkohshëm për arsye pune t’i miratohet edhe një të huaji që punon në projekte strategjike të përcaktuara me ligj të veçantë.

Kjo do të thotë se punëtorët e angazhuar në projekte strategjike janë fuqi punëtore shtesë, jashtë kuotës prej 10.000.

Një projekt i tillë strategjik është, për shembull, ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10D nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”.

Aleanca Kombëtare për Integrim fiton dy komuna në zgjedhjet e përsëritura lokale në Maqedoninë e Veriut

Radio Evropa e Lirë

Koalicioni shqiptar i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) i ka fituar dy komuna në zgjedhjet e përsëritura lokale në disa komuna të Maqedonisë së Veriut të dielën, sipas rezultateve preliminare.

Kandidati i AKI – koalicionit që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – Valbon Limani, e mposhti kandidatin e koalicionit tjetër shqiptar, VLEN, Nevzat Bejta, për ta fituar komunën e Gostivarit.

AKI-j e fitoi edhe Vrapçishten me kandidatin Isen Shabani.

Kundërshtari i Shabanit në këto zgjedhje ishte Zulhajrat Demiri, i cili u mbështet nga Grupi i Votuesve.

Përvec këtyre dy komunave, zgjedhjet lokale u përsëritën edhe në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë.

Komunën e Mavrovës-Rostushës e fitoi Oner Jakupovski, i cili u mbështet nga koalicioni Maqedonia e Juaj, i udhëhequr nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE.

Jakupovski, i cili ishte kandidat në rundin e parë të zgjedhjeve në vitin 2025, hyri në garë për kryetar komune me të njëjtin kundërshtar, Anes Ahmeti, i mbështetur nga Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja.

Kandidati i vetëm në Qendër Zhupë, Arijan Ibrahim nga Partia Demokratike e Turqve, siguroi 973 vota. Në këtë komunë.

Këto rezultate u shpallën në një konferencë për shtyp të dielën vonë nga zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Radica Todorovska Aleksovska.

Ajo njoftoi se komisioni do t’i shpallë rezultatet fillestare zyrtare të hënën, pasi të mbërrijnë procesverbalet nga qendrat e votimit.

Gjatë ditës së zgjedhjeve policia nuk regjistroi asnjë incident apo shkelje të rendit publik.

Ministria e Brendshme, në një deklaratë, vlerësoi se zgjedhjet e përsëritura lokale u “mbajtën në një atmosferë paqësore, të drejtë dhe demokratike”.

Arsyeja për zgjedhjet e përsëritura është se nuk dolën mjaftueshëm njerëz për të votuar në votimin e 19 tetorit të vitit të kaluar.

Një kusht që zgjedhjet të ishin të suksesshme ishte që të paktën një e treta e qytetarëve të regjistruar në Listën e Votuesve të votonin.

Por, ndryshe nga atëherë, sipas rregullave zgjedhore, nuk kishte nevojë për regjistrim të popullsisë në zgjedhjet e përsëritura më 11 janar.

“Shpresoj çdo ditë”: Qindra pacientë presin transplantim organesh në Maqedoninë e Veriut

Mjekët kryejnë një transpantim te një pacient në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.

 

Sunçica Stojanovska Zoksimovska

Lista e pritjes për transplantim organesh në Maqedoninë e Veriut dominohet nga pacientët që kanë nevojë për veshka. Pjesa më e madhe e rreth 1.600 pacientëve në dializë presin transplantim të veshkës nga një dhurues i vdekur; disa prej tyre prej dekadash, ndërsa disa të tjerë vdesin duke pritur. Në vitin 2025, familjet e tre dhuruesve janë pajtuar t’i dhurojnë organet.

Brankica Razmoska nga fshati veriperëndimor i Maqedonisë së Veriut, Vevçani, është 32 vjeçe dhe jeta e saj varet nga aparati i dializës.

Asaj iu shfaq sëmundja kur ishte tetë vjeçare. Në moshën 16-vjeçare veshkat i dështuan plotësisht dhe ajo u fut në dializë si pasojë. Për fat të mirë, nëna e saj ishte dhuruese e afërt dhe ia dhuroi një veshkë. Për fat të keq, pas dhjetë vjetësh, ajo veshkë dështoi dhe që nga viti 2019 ajo është sërish në dializë, nga katër orë, tri herë në javë.

Brankica Razmoska.

Brankica Razmoska.

“Derisa të rinjtë e tjerë planifikojnë të ardhmen, ne planifikojmë terapitë. Dhe, kjo është shumë e vështirë”, thotë ajo për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL), teksa pret transplantimin e veshkës.

Asaj nuk i jeton më babai, ndërsa nuk ka vëllezër apo motra, prandaj nuk ka dhurues tjetër të afërt përveç nënës, e cila tashmë i ka dhuruar një veshkë. Për këtë arsye, transplantimi i ardhshëm është i mundur vetëm nga një dhurues kadaverik (një njeri që dhuron organet pasi të ketë vdekur).

“Shpresoj shumë, çdo ditë shpresoj që një ditë të më thërrasin dhe të më ftojnë për transplantim. Lutja ime është se me dhurimin e organeve ju nuk humbni asgjë, ju dhuroni jetë. Nëse dikush humb një njeri, ai njeri mund të vazhdojë të jetojë në një njeri tjetër, dhe të ndihmojë shumë”, thotë Razmoska.

Në Maqedoninë e Veriut janë rreth 1.600 pacientë në dializë dhe 23 qendra dialize. Shumica e tyre presin transplantim kadaverik, sepse nuk kanë dhurues të afërm.

Në listën e pritjes për organe janë rreth 200 pacientë. Prej tyre, 165 presin veshka, rreth 30 kanë nevojë për zemër, ndërsa të tjerët për mëlçi ose kocka.

Disa pacientë presin me dekada, ndërsa një pjesë e tyre kurrë nuk arrijnë të marrin organ, thotë Dushko Gjorgjiev, kryetar i shoqatës së pacientëve me sëmundje të veshkave, “Nefron”.

“Kemi vite kur nuk kryhen fare transplantime kadaverike, kemi vite kur ky numër rritet disi, por në thelb është shumë i vogël për të përmbushur nevojat e pacientëve”, thotë Gjorgjiev.

Rregullorja në vend është ajo e “pëlqimit të supozuar” për dhurimin e organeve. Pra, secili është dhurues, përveç nëse gjatë jetës është deklaruar ndryshe. Megjithatë, pas vdekjes së trurit, familja ka fjalën e fundit nëse do t’i dhurojë apo jo organet.

Jeta pas transplantimit

Për dallimin mes jetës në dializë dhe jetës me veshkë të transplantuar dëshmon Tanja Pavlovska nga Shkupi, e cila tashmë 18 vjet jeton me një veshkë nga dhurues i gjallë: tezja e saj.

Edhe pse disa anëtarë të familjes kanë bërë analiza, vetëm tezja ka rezultuar dhuruese e përputhshme.

“Dializa është një moment i rëndë fizikisht dhe psiqikisht. Pas transplantimit, jeta m’u kthye në normalitet: kam më shumë energji, shëndet më të mirë, më shumë aktivitet, më shumë kohë për familjen, miqtë, shkoj në punë normalisht, u ktheva në rrjedhën e zakonshme të jetës”, thotë Pavlovska.

Tanja Pavlovska.

Tanja Pavlovska.

Ajo konsideron se ndërgjegjësimi për dhurimin e organeve është i pamjaftueshëm dhe se frika dhe dezinformatat i largojnë njerëzit nga ky akt human.

“Mendoj se duhet të flitet më shumë për këtë temë, të zgjohet ndërgjegjja te secili prej nesh. Supozoj se problemi më i madh është frika e njerëzve se çfarë mund të ndodhë. Tezja ime ndihet shkëlqyeshëm, nuk ka asnjë pasojë dhe shpresoj që të mos ketë as në të ardhmen”, tha Pavlovska për REL-in.

Tre të ndjerë dhurues organesh në vitin 2025

Në vitin 2025 ishin 13 dhurues potencialë organesh, njerëz që kanë humbur jetën. Disa prej tyre janë përjashtuar për arsye mjekësore. Familjet e tre dhuruesve janë pajtuar t’i dhurojnë organet e tyre. Janë kryer dy transplantime të mëlçisë, gjashtë transplantime të veshkave, dhjetë transplantime kockash dhe tri transplantime të indeve muskulo-skeletore.

Po në vitin 2025 janë kryer edhe pesë transplantime të veshkës nga dhurues të gjallë, si dhe ka filluar një program i ri transplantimi me nëntë transplante të kornesë (brirëzës), sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vitet 2024 dhe 2023 ishin nga dy dhurues të vdekur dhe edhe gjashtë dhurues të gjallë organesh.

Transplantimi kadaverik mbetet sfidë, sepse kur familjet refuzojnë t’i dhurojnë organet e të afërmit të tyre, kjo i zemëron edhe mjekët.

Biljana Kuzmanovska.

Biljana Kuzmanovska.

“Kur ne si ekip koordinues i kryejmë të gjitha testet, diagnostikojmë vdekjen e trurit, vlerësojmë organet, konkludojmë se kemi një dhurues potencial që mund t’u japë jetë disa pacientëve dhe përballemi me refuzim nga familja, atëherë jemi vërtet të pafuqishëm. Ne jemi të detyruar ligjërisht ta respektojmë vullnetin e familjes, e cila ka të drejtë të japë ose të mos japë pëlqim”, thotë Biljana Kuzmanovska, koordinatore kombëtare për transplantim.

E kundërta ndodh kur mjekët marrin pëlqimin.

“Këto janë momente shumë emocionale, si për ne ashtu edhe për familjet. Ne jemi përballë një vullkani mirësie. Kur sheh përpara teje njerëz që humbasin dikë më të dashur në jetë dhe prapë pajtohen të dhurojnë një pjesë të trupit të të dashurit të tyre që të jetojë në trupin e njerëzve që nuk do t’i njohin kurrë… kjo vërtet të ndryshon. Edhe mua më ndryshon”, thotë Kuzmanovska.

Mjekët janë krenarë që te pacientët nuk ka pasur komplikime pas transplantimeve.

Për vitin 2026, ekipi i transplantimit po përgatitet të fusë një metodë tjetër: transplantimin e mëlçisë nga dhurues i gjallë. Aspekti ligjor është përgatitur, ndërsa nëse do të kryhet një transplantim i tillë në Maqedoninë e Veriut do të varet edhe nga ekzistenca e dhuruesve.

Mbi 500 transplantime të veshkave në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut po i afrohet 50-vjetorit të transplantimit të parë të veshkës, të kryer në vitin 1977 – një sukses mjekësor që, sipas shoqatës “Nefron”, tregon se vendi ka kohë që është në hap me sistemet moderne shëndetësore.

Megjithatë, ata vlerësojnë se numri i transplantimeve, rreth 510, nuk është i mjaftueshëm.

“Kemi vende në rajon, si Kroacia, që për një vit e gjysmë kryejnë aq transplantime sa ne kemi kryer për 50 vjet. Në botë tashmë ka edhe ritransplantime. Te ne kjo nuk ndodh sepse kemi shumë pak organe dhe shumë pacientë në pritje. Numri real i njerëzve që presin organe është më i madh se ai në listë, sepse në mungesë të transplantimit kadaverik pacientët nuk i kryejnë analizat dhe tipizimet e nevojshme, duke e ditur paraprakisht se në të ardhmen e afërt nuk mund të marrin organ, ndërsa analizat kërkojnë kohë dhe para”, thotë Gjorgjiev.

Sipas tij, është e domosdoshme një fushatë e vazhdueshme gjatë gjithë vitit për ngritjen e ndërgjegjësimit për dhurimin e organeve, si dhe zgjerimi ose ndërtimi i një Qendre të re të Transplantimit, e cila nuk funksionon që nga pandemia kur shërbente si qendër për COVID-19.

Dusko Georgiev.

Dusko Georgiev.

Koordinatorja kombëtare Kuzmanovska njofton se Qendra po rinovohet dhe do të ketë pesë bokse dhe një pjesë për dializë. Gjithashtu, tani e tutje pacientët me vdekje të trurit do të mund të identifikohen edhe nga njësia e kujdesit intensiv në SPQ “8 Shtatori”, ndryshe nga më parë kur kjo bëhej vetëm në Klinikën e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv (KARIL).

Po ashtu, po përgatiten ndryshime në ligjin për transplantim, me të cilat do të lejohet që dhurues të gjallë organesh të jenë edhe kushërinjtë e parë. Deri tani kjo ishte e kufizuar te nëna, babai, vëllai, motra, gjyshja, gjyshi, daja, xhaxhai, tezja, fëmijët dhe nipërit dhe mbesat.

Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut?

Zorana Gaxhovska Spasovska

“Jeta në Turqi është bërë politikisht shumë e vështirë, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, prandaj për mua ishte më e lehtë të shpërngulesha këtu dhe të kërkoja shtetësi maqedonase”, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul për Shërbimin e Maqedonisë së Veriut të Radios Evropa e Lirë (REL).

Ai prej disa muajsh punon si menaxher në një kafene në Shkup, e cila është në pronësi të biznesmenëve turq.

Kanë kaluar tashmë dy vjet qëkurse ai u shpërngul nga Antalia në Shkup me bashkëshorten e tij maqedonase. Për këtë arsye ka marrë leje qëndrimi, ndërsa para një muaji bëri kërkesë për shtetësi maqedonase. Ai thotë se i mungon qyteti i lindjes për shkak të jetës pranë detit dhe plazhit, por këtu jeta është më e lirë.

“Për shembull, në shitore, një blerje e zakonshme për shtëpi: perime, vezë, mish, qumësht, edhe nëse blen minimalisht, duhet të paguash rreth 280–300 euro. Ndërsa me këto para në Shkup mund ta mbushësh makinën e vjetër plotësisht: bagazhin, sediljen e përparme dhe të pasmen. Në Turqi kjo është e pamundur”, thotë Bingjul.

Ai nuk e flet mirë gjuhën maqedonase, por thotë se ushtron me bashkëshorten e tij. Një nga kushtet që, sipas ligjit maqedonas, duhet të plotësojë është dhënia e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.

“E kuptoj disi maqedonishten, di të lexoj me alfabet latin, por jo me cirilik. Këtë duhet ta mësoj”, thotë ai.

Megjithatë, ky kusht nuk vlen për ata që dëshmojnë se kanë prejardhje maqedonase.

Vala e kërkesave të turqve për shtetësi maqedonase

Përveç njerëzve si Bingjul, të cilët kërkojnë shtetësi maqedonase për shkak të martesës me shtetase maqedonase, gjithsej 10.500 qytetarë turq kanë kërkuar shtetësi maqedonase gjatë katër vjetëve të fundit mbi bazën e prejardhjes maqedonase, tregojnë të dhënat që REL-i i ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas MPB-së, këta janë shtetas të Turqisë që duhet të dëshmojnë në institucionet maqedonase se janë mërgimtarë nga ky vend dhe se kanë prejardhje etnike maqedonase.

Në përgjigjen për REL-in, MPB-ja thekson se arsyeja e rritjes së numrit të kërkesave për shtetësi maqedonase lidhet me ndryshimet e fundit ligjore.

“Ndryshimet ligjore të vitit 2021 kontribuuan në një rritje enorme të numrit të kërkesave për fitimin e shtetësisë maqedonase nga mërgimtarët që jetojnë në Republikën e Turqisë”, tha MPB-ja.

Përkufizimi i ri i “mërgimtarit” në Ligjin për Shtetësinë

Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Shtetësinë të propozuara nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni LSDM dhe BDI.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, propozoi në Kuvend ndryshime në ligj me të cilat përcaktohet se kush konsiderohet mërgimtar.

Sipas ligjit, mërgimtari dhe pasardhësi i tij i gjeneratës së parë mund të fitojnë shtetësi maqedonase pa jetuar në vend, pa e njohur mjaftueshëm gjuhën maqedonase dhe pa hequr dorë nga shtetësia e mëparshme – rregull që vlen për shtetasit e huaj.

“Mërgimtar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut që është shpërngulur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në një shtet tjetër, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, prejardhjen kombëtare dhe shoqërore, bindjet politike dhe fetare, si dhe statusin pasuror dhe shoqëror”, thuhet në Ligjin për Shtetësinë.

Sipas regjistrimit të vitit 2021, i realizuar në periudhën kur këto ndryshime ligjore hynë në fuqi, 3.9 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i përkatësin etnisë turke.

Të dhënat tregojnë se nga 83.000 turq etnikë, rreth 71.000 jetojnë në vend, ndërsa 12.000 jashtë vendit.

Biznesi, punësimi dhe arsimi si motive për migrim

Interesi i qytetarëve turq për qëndrim në vend vërehet edhe në jetën e përditshme – nga dyqanet që ofrojnë ushqime tradicionale turke deri tek të rinjtë që shëtisin në qendër të Shkupit.

Analisti Donço Gerasimovski thotë se motiv për rritjen e kërkesës për shtetësi maqedonase nga qytetarët turq mund të jenë biznesi, punësimi ose arsimi, ndërsa sipas tij interesi më i madh shihet në fushën e biznesit.

“Merrni si shembull ndërtimtarinë operative. Sa objekte po ndërtohen në vendin tonë, ndërtesa banimi të mëdha dhe të gjera, të realizuara nga kompani turke. Që ta bëjnë këtë në përputhje me ligjin, ata duhet të rregullojnë edhe shtetësinë e tyre. Gjithçka është në funksion të interesit të biznesmenëve, sportistëve dhe atyre që kanë më shumë fitime këtu sesa në vendet e tyre”, shpjegon Gerasimovski.

Ai shton se kjo ndikon edhe në strukturën etnike të popullsisë.

“Të gjithë këta persona, varësisht nga vendet nga vijnë, e rrisin numrin e asaj përkatësie etnike”, thotë ai.

Me rritjen e interesit për shtetësi, në vend vërehet edhe rritje e kapitalit turk, përkatësisht e kompanive të hapura nga pronarë turq.

Mbi 4.000 kompani të themeluara me kapital turk

Sipas të dhënave që REL-i ka marrë nga Dhoma Ekonomike Maqedonaso-Turke (MATTO), për vitin 2024 numri i kompanive të regjistruara me kapital turk nga persona juridikë dhe fizikë arrin në 4.132.

Sipas tyre, interesi i biznesit buron nga marrëdhëniet e afërta maqedonaso-turke.

“Ato bazohen në lidhjen e përbashkët historike nga periudha osmane, numrin e konsiderueshëm të mërgimtarëve nga këto troje në Republikën e Turqisë, si dhe lidhjet familjare dhe kulturore ekzistuese mes qytetarëve të të dyja vendeve. Për më tepër, Republika e Maqedonisë së Veriut paraqet një portë strategjike drejt tregjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kompanitë nga Republika e Turqisë, gjë që rrit atraktivitetin e saj si destinacion investimesh”, thuhet në përgjigjen e MATTO-s për REL-in.

Në rritje është edhe numri i studentëve që vijnë në vend.

Sipas profesorit Kiril Barabareev nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, gjatë 12 vjetëve të fundit rreth 900 studentë nga Turqia janë regjistruar në këtë universitet.

“Sipas bisedave që kam pasur, Turqia ka shumë të rinj që nuk arrijnë të regjistrohen në sistemin e tyre universitar dhe, duke qenë se arsimi privat atje është shumë i shtrenjtë, ata kërkojnë universitete në rajon ku mund të studiojnë”, thotë ai.

Pasaporta maqedonase dhe udhëtimi pa viza në zonën Shengen si motiv

Mediat turke, pas ngjarjeve në Mal të Zi, ku në tetor të këtij viti u hoq përkohësisht regjimi pa viza për shtetasit turq për shkak të një sërë incidentesh, shkruajnë se Maqedonia e Veriut është bërë destinacion i ri tërheqës për qytetarët turq për shkak të përparësive që ofron.

Një nga arsyet që theksohet është mundësia për udhëtim pa viza në zonën Shengen me pasaportë maqedonase. Po ashtu, përmenden procedura e shpejtë dhe e lirë për themelimin e kompanive, si dhe kostot e përballueshme të jetesës – qiraja, ushqimi dhe transporti – që janë më të ulëta krahasuar me Turqinë.

“Afërsia me Evropën, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, pozita strategjike në Ballkan mundëson qasje të lehtë drejt Evropës”, thuhet në analizë.

Ndërkohë, Mali i Zi më 24 dhjetor hoqi vizat për shtetasit turq, por e uli qëndrimin e lejuar nga 90 ditë në 30 ditë, me qëllim, sipas qeverisë malazeze, parandalimin e migrimit ilegal dhe harmonizimin me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.

Sipas ndryshimeve të fundit të rregullave evropiane për udhëtimin pa viza, të miratuara muajin e kaluar, është hapur mundësia për pezullim më të shpejtë të regjimit pa viza për vendet jashtë BE-së që paraqesin shqetësim për migrimin ose sigurinë.

Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën dhe Serbinë, bën pjesë në grupin e vendeve që mund të përballen me monitorim të shtuar për zbatimin e këtyre rregullave.

Disa nga arsyet për vendosjen e kufizimeve mund të jenë harmonizimi i dobët me politikën e vizave të BE-së dhe programet për dhënien e shtetësisë për investitorë, të ashtuquajturat “pasaporta të arta”, që mundësojnë marrjen e shtetësisë pa lidhje reale dhe të dëshmueshme me vendin.

Gjithashtu, po shqyrtohen edhe rreziqe sigurie të lidhura me kërcënime hibride, përfshirë përdorimin politik të migrimit dhe dobësitë në sigurinë e dokumenteve personale, gjë që e ndërlikon edhe më tej pozitën e vendeve të treta që kanë regjim pa viza me BE-në.

Shqiptari që po zhduket nga frika Nga Dijana Toska

Këtë temë e kam trajtuar edhe para disa vitesh, por sot e shoh më qartë se kurrë:

ne po vdesim për së gjalli, çdo ditë e më shumë.

Shqiptari sot nuk po vritet. Ai po vdes nga frika. Pak nga pak. Çdo ditë.

Frika nuk po na vjen nga shteti, por nga partitë shqiptare, që me një vend pune, një tender, një favor mizerabël, e kanë shndërruar njeriun në qenie vegjetative:

që ha, që hesht, dhe që nuk i beson më as fjalës së vet.

Kështu mbahet pushteti.

Secili duke u frikësuar nga dikush.

Liderët shqiptarë nuk kanë frikë nga populli. Ata kanë frikë nga partneri maqedonas:

kush do të zgjidhet për koalicion, kush do të shpërblehet me pushtet, kush do të mbijetojë edhe një mandat.

Ata vdesin për pushtet, jo për komb.

Liderët shqiptarë jetojnë të tmerruar nga shërbimet sekrete dhe nga shefi i qeverisë.

Çdo ditë e kalojnë duke “vdekur nga pak”, nga frika se kur do t’u hapen dosjet,

kur do t’u dalin në shesh veprat e tyre antikombëtare.

Ka edhe më keq. Disa vdesin edhe më shumë herë.

Janë spiunët e dyfishtë:

flasin shqip, mendojnë sllavisht e arabisht.

Një soj i tyre luan bixhoz fshehurazi në bodrumet e errëta sllave dhe nënshkruan verdikte antishqiptare.

Soji tjetër e mban sexhaden si kravatë. Falet kudo që i bie rruga:

në parlament, në xhami me bodigardë e policë. Në universitete u mban ders studentëve për pastërtin e “muslimanizmit” të tij, shet poza morale dhe lobon kundër identitetit të kombit të vet edhe pse në pushtet ka ardhur me 200 vota, i mjaftojnë për ta shitur popullin e vet.

Disa liderë tanë kanë vdekur ditën që kanë hyrë në pushtet.

Ditën kur kanë premtuar zvogëlimin dhe ndryshimin e identitetit kombëtar, ditën kur pranuan që ne të shpallemi pakicë dhe të flasim gjuhën e “20 përqindshit”.

Jo nga padituria.

Por sepse kishin detyra për t’i kryer.

Nga një popullsi shtetformuese, me mbi 30 përqind, po copëtohemi për t’u zvogëluar.

Për t’u riformatuar si dy etnitete pakicë brenda së njëjtës etni:

“shqiptari” dhe “muslimani”.

Kjo që po ndodh nuk është fat. Është projekt.

Është sistem i këtij pushteti shtetëror dhe sistem i intereseve të huaja antishqiptare.

Liderët tanë nuk gabuan, ata zgjodhën këtë rrugë.

Identitetin nuk e humbëm.Ata e nënshkruan.

Pakica nuk u shpall rastësisht nga dikush. Ata e legalizuan

Akademia nuk u shua. Ata e shitën.

Kultura shqiptare nuk u harrua. Ata po e fshijnë çdo ditë.

Feja nuk po jetohet. Ata po e përdorin për ndarje.

Dhe frika nuk është më neutralitet.Është krim në bashkëfajësi.

Kush mban përgjegjësi?

Historia nuk i gjykon kombet nga sa herë u mashtruan,

por nga sa herë pranuan të vdesin për së gjalli.

Shqiptari nuk rrezikon të zhduket nga armiku.

Rrezikon të zhduket nga frika për ta thënë të vërtetën.

Pyetja nuk është më: a po vdesim.

Pyetja është:

kush do të mbajë përgjegjësi për këtë vdekje?

25.12.2025

 

Dijana Toska i kërkon sqarim shtetit shqiptar për gafën e Elisa Spiropalit – Shqiptarët e MV janë popull shtetformues jo “Minorancë shtetformuese”

Gazetarja Dijana Toska ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga institucionet e shtetit shqiptar pas gafës së Ministres së Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, lidhur me “reciprocitetin në trajtimin e minoriteteve”, ku shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë përmendur në të njëjtën fjali me pakicën maqedonase në Shqipëri. Voal.ch sqaron se sipas censusit të 2011, në Shqipëri jetojnë 5512 nga pakica maqedonase, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Shqiptarët janë mbi 25%, pra mbi 500 mijë, popull shtetformues, duke vënë re se politikat maqedone kanë qenë gjithmonë shqiptarofobe, pra bazuar në realitetin besohet se Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë rreth 1 milionë. 

Gazetarja Dijana Toska ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga institucionet e shtetit shqiptar, duke e cilësuar këtë deklaratë si një gabim të rëndë politik dhe historik.

KËRKESË PËR SQARIM ZYRTAR NGA SHTETI

“Minoritet shtetformues” nuk është koncept juridik, por shpikje politike

Deklarata e Ministres së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mbi “reciprocitetin në trajtimin e minoriteteve”, ku shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përmenden në të njëjtën fjali me pakicën maqedonase në Shqipëri, kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar nga institucionet e shtetit shqiptar.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë minoritet, por popull shtetformues, me mbi 30 përqind, faktor kushtetues, demografik dhe historik në këtë shtet. Çdo formulim që i relativizon apo i barazon me pakica kombëtare përbën devijim serioz nga e vërteta politike dhe historike.

Shqiptarët jashtë kufijve administrativë të Republikës së Shqipërisë nuk janë lodra në duart e shtetit amë, por trung kombëtar që duhet përkrahur dhe mbrojtur. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues dhe moral i Shqipërisë.

Republika e Shqipërisë, sipas frymës së Kushtetutës së saj dhe praktikës së deritanishme shtetërore, ka përgjegjësi të qartë për: mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve jashtë kufijve, ruajtjen e statusit të tyre politik dhe moslejimin e asnjë narrative që i zhbën ata nga subjekt në objekt diplomatik.

Prandaj, kërkohet të sqarohet publikisht:

  1. A ishte kjo deklaratë lapsus individual, apo mosdije!?
  2. Apo përfaqëson një ndryshim zyrtar të politikës së jashtme të Shqipërisë ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?

Heshtja në këtë rast do të nënkuptonte pranim të relativizimit të statusit shtetformues të shqiptarëve, gjë që është e papranueshme dhe e dëmshme për interesin kombëtar.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kërkojnë favore, por respektim të statusit të tyre real politik dhe përkrahje të qartë nga shteti amë.

Kjo deklaratë nuk është lapsus i pafajshëm diplomatic është gabim i rëndë politik dhe historik.Është legjitimim i narrativave unitariste që i kanë diskriminuar për dekada shqiptarët e Maqedonisë..

Reciprociteti aplikohet mes pakicave, jo mes një pakice dhe një populli shtetformues.

Kjo është ABC-ja e diplomacisë, jo temë për eksperimente politike.

Faleminderit për vëmendjen.

Shpresojmë që sqarimi të konfirmojë se Shqipëria nuk negocion me identitetin, statusin dhe dinjitetin e shqiptarëve, sepse ato nuk janë çështje diplomatike, por themeli i kombit.

Historia i mban mend mirë jo vetëm fjalët që thuhen, por edhe sqarimet që jepen – ose që mungojnë.

DT

22.12.2025

 

Çfarë dihet deri tani për aferat e korrupsionit milionësh në Maqedoninë e Veriut?

Fotografi e kombinuar: Prokuroria dhe të dyshuarit për korrupsion në Maqedoninë e Veriut, Pece Mirçevski, Ratko Kapushevski , Asmir Jahoski dhe Artan Grubi.

 

Aleksandar Samarxhiski

Biznesmenët Asmir Jahoski dhe Ratko Kapushevski u arrestuan, zyra e ish-drejtorit të Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SOZR), Pece Mirçevski, u bastis dhe pati “indikacione” për vendndodhjen e Artan Grubit.

Këto janë disa nga lajmet që iu dhanë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2025 për aferat e dyshuara të korrupsionit të profilit të lartë, për të cilat ende nuk ka epilog; as aktakuza e as vendime për ndalimin e hetimeve nga prokurorët.

Deri ku kanë arritur hetimet në fund të këtij viti, kur Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ndodhet para zgjedhjes së një shefi të ri, pas largimit të Ljupço Kocevskit nga posti i prokurorit të shtetit?

Mazuti dërgohet për ekspertizë në Serbi, pritet ndihmë nga profesorë dhe MPB

Biznesmeni Asmir Jahoski, i njohur në publik për kompaninë e tij të naftës Pucko Petrol, si dhe pronarët e kompanisë RKM, Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sulkoski, e presin në liri epilogun e hetimit në të cilin janë të dyshuar, i lidhur me furnizimin me mazut për nevojat e Termocentralit – TEC Negotinë, në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023.

Ata janë vetëm tre nga gjithsej 13 persona fizikë, si dhe një kompani, të përfshirë në hetimin ku prokurorët dyshojnë se buxheti i shtetit u dëmtua për 167.5 milionë euro.

Informacionet e fundit për fazën në të cilën ndodhet hetimi janë se Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP KOKK) pret përgjigje dhe dokumente nga institucione të tjera.

Për rastin, mostra të mazutit janë dërguar për ekspertizë në një laborator të akredituar në Serbi.

Rezultatet prej andej kanë mbërritur më 27 nëntor, pas së cilës prokuroria, siç thuhet në përgjigjen për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL), ka kërkuar ndihmë profesionale nga Instituti i Kimisë pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikore dhe Fakultetit Teknologjik, të dy pjesë e Universitetit Shtetëror “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Ata duhej të rekomandonin profesorë që do të ndihmonin në sqarimin e çështjeve që dalin nga ekspertiza.

“Edhe pse të dyja institucionet ishin të obliguara ta bënin nominimin brenda 10 ditëve nga dorëzimi i kërkesës, deri më sot prokuroria nuk ka marrë asnjë përgjigje”, thonë nga PTHP KOKK-ja për REL-in.

Përveç fakulteteve, prokuroria ka kohë më të gjatë që pret përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga PTHP KOKK theksojnë se kishin nevojë për dokumentacion shtesë për furnizimet me mazut të TEC Negotinë dhe nga Sektori i Prodhimit pranë Elektranave të Maqedonisë së Veriut (ESM), ndaj në shtator i dhanë urdhër MPB-së që t’ua sigurojë ato.

“Prokurori publik pret që të dhënat, dokumentacioni dhe analiza e kërkuar nga MPB-ja të dorëzohen deri në fund të këtij viti, pas së cilës do të marrë vendim për rrjedhën e mëtejshme të procedurës”, shtojnë nga PTHP KOKK-ja.

Ndërkohë, për biznesmenët e dyshuar, të cilët fillimisht ishin në paraburgim dhe më pas u liruan me garanci, janë në fuqi masa kujdesi.

Jahoski, Kapushevski dhe Sulkoski, e kanë obligim të paraqiten herë pas here në gjykatë dhe kanë dhënë garanci financiare, duke depozituar para për kompensimin e dëmit. Përveç kësaj, Kapushevskit dhe Sulkoskut u janë konfiskuar pasaportat, gjë që nuk vlen për Jahoskin.

Veprat penale që janë objekt i këtij hetimi me 13 të dyshuar dhe një kompani janë: keqpërdorimi i procedurës për thirrje publike, dhënia e kontratës për prokurim publik ose partneritet publik-privat, si dhe pastrimi i parave.

Të dyshuarit e tjerë në hetim janë persona që kanë mbajtur pozita të larta në ESM, nga drejtori i përgjithshëm dhe drejtorë sektorësh, deri te kryetarë dhe anëtarë komisionesh të lidhura me prokurime publike.

Grubi dhe Bajrami nuk ndodhen në vend, prandaj nuk ka as mundësi për gjykim ndaj tyre.

Disa nga emrat e përfshirë në këtë hetim lidhen edhe me aferat në Lotarinë Shtetërore, për të cilat ka shkruar REL-i. Njëri prej tyre është Jahoski, i cili është djali i ish-kryetarit të komunës së Pllasnicës dhe deputetit aktual Ismail Jahoski nga koalicioni Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Jahoski u bë pronar i kompanisë “Hej DOOEL”, e cila lidhi një kontratë të kontestuar për qira të hapësirave afariste me Lotarinë Shtetërore në Vizbegovë të Shkupit, në vlerë prej 2.6 milionë eurosh. Prokuroria dhe Policia Financiare hapën hetim pas hulumtimit të publikuar nga REL-i.

Ndërkaq, për përvetësime të tjera në Lotarinë Shtetërore, Prokuroria Themelore Publike Shkup në fund të vitit 2024 hapi hetim ku përfshiu edhe ish-zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi nga BDI, i cili njëkohësisht u fut edhe në listën e zezë të SHBA-së.

Rasti lidhet me organizimin e lojërave elektronike të fatit, përkatësisht me blerjen e terminaleve VLT, ndërsa dëmi për buxhetin e Lotarisë Shtetërore u vlerësua nga prokuroria në 8 milionë euro.

I dyshuar është edhe ish-drejtori i përgjithshëm Përparim Bajrami, i cili së bashku me Grubin është në arrati dhe për ta është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar.

Më pak se një muaj para se të jepte dorëheqje nga posti i prokurorit të shtetit, Ljupço Kocevski, në emisionin “360 gradë” më 24 nëntor, deklaroi se hetimi në të cilin dyshohet Grubi ka përfunduar dhe se pritet vetëm ekstradimi i tij.

Por, deri tani nuk ka informacione zyrtare se ish-zëvendëskryeministri i parë është lokalizuar apo se është kërkuar zyrtarisht ekstradimi i tij nga ndonjë shtet. Mungesa e tij është pengesë edhe për zhvillimin e gjykimit.

“Hetimi është ngritur për vepër penale për të cilën parashikohet dënim me burg mbi 5 vjet dhe, sipas kësaj, nuk ekziston mundësi ligjore për gjykim në mungesë”, theksojnë nga PTHP Shkup për REL-in.

Vepra për të cilën dyshohen Grubi dhe Bajrami, siç theksohet edhe në fletarrestim, është përvetësim në shërbim, ndërsa edhe katër persona të tjerë ndiqen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare.

Në pritje të vendimit për aktakuzë për ish-drejtorin e SOZR-it

Një tjetër hetim i përfunduar, që lidhet me keqpërdorime të funksionarëve të lartë, është ai për Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë, ku i dyshuar është ish-drejtori Pece Mirçevski.

“Hetimi ka përfunduar dhe po rrjedhin afatet ligjore për shqyrtimin e provave nga ana e mbrojtjes”, thonë nga Prokuroria e Shkupit për REL-in.

Kjo do të thotë se së shpejti mund të ketë vendim për ngritjen e aktakuzës ndaj tij.

Mirçevski, siç u njoftua edhe me hapjen e hetimit në shkurt, dyshohet për vepra penale të vazhduara: marrje ryshfeti dhe përvetësim në shërbim. Përveç tij, është përfshirë edhe një person tjetër për veprën dhënie ryshfeti.

Prokuroria e ndjek Mirçevskin sepse, ndër të tjera, nuk ka deklaruar konflikt interesi dhe nuk është përjashtuar nga pesë prokurime publike të fituara nga kompania e të dyshuarit të dytë, edhe pse “realizonte përfitim të drejtpërdrejtë material për vete dhe për bashkëshorten e tij”.

Mes këtyre përfitimeve, prokuroria pretendon se Mirçevski përdorte një automjet Volkswagen Passat nga kompania që fitonte tenderët, ndërsa bashkëshortja e tij përdorte shërbime transporti me automjete dhe shoferë.

Gjithashtu, ish-drejtori i SOZR ndiqet edhe për përvetësime të lidhura me udhëtime që paraqiteshin si zyrtare, për të cilat nënshkruante rezervime hotelesh, bileta avioni, urdhra udhëtimi jashtë vendit.

Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do t’i çojnë këto lëndë drejt epilogut gjyqësor në mandatin e prokurorit të ri të shtetit.

Kocevski dha dorëheqje më 16 dhjetor, në ditën kur në Kuvend duhej të fillonte debati për shkarkimin e tij me propozim të Qeverisë. Me largimin e tij, Kocevski akuzoi se vendimi i pushtetit është politik dhe u shpreh i zhgënjyer, duke thënë se bëhet fjalë për “mosrespektim të dukshëm të parimeve mbi të cilat mbështetet shteti ligjor”.

Përfaqësues të pushtetit, përfshirë edhe kryeministrin Hristijan Mickoski, e kritikonin vazhdimisht për mungesë rezultatesh në punën e tij.

Derisa deputetët të zgjedhin një prokuror të ri të shtetit, i cili sipas dispozitave ligjore propozohet nga Qeveria me mendim pozitiv nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, në këtë funksion më 22 dhjetor, u emërua një ushtruese detyre.

Në seancë, anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë e emëruan Anita Topolova-Isajllovskën si ushtruese të detyrës së prokurorit të shtetit.

Një përpjekje për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës u bë edhe më 18 dhjetor, por nuk pati sukses për shkak të mungesës së një anëtari të Këshillit.

Ushtruesi i detyrës së prokurorit të shtetit nuk mund të qëndrojë në krye të Prokurorisë Publike më gjatë se gjashtë muaj.

Pas një dekade ndërprerjeje, rinis funksionimi i naftësjellësit Selanik–Shkup

Vladimir Kalinsky

Pas më shumë se dhjetë vjetësh ndërprerjeje, naftësjellësi Selanik–Shkup po kthehet sërish në funksion, pasi në vitin 2013 kompania greke “Hellenic Petroleum”, sot HELLENiQ Energy, e nxori jashtë përdorimit duke e konsideruar jofitimprurës.

Rinisja e transportit të derivateve të naftës drejt Maqedonisë së Veriut pritet të ndodhë deri në fund të vitit, tha kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.

“Ne si shtet po i zbatojmë të gjitha hapat që ky naftësjellës, i cili për shumë vite ishte dëmtuar dhe konservuar, të vihet në funksion. Po vazhdojnë inspektimet, mendoj se tashmë kanë përfunduar, pritet të nisin provat e presionit. Në Qeveri ka kaluar edhe çmimorja, pres që këtë vit ky naftësjellës të vihet në funksion”, deklaroi Mickoski.

Ndërtimi i naftësjellësit ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 1999 që qeveria e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm dhe udhëheqësi i VMRO-DPMNE-s, Lubço Georgievski, e nënshkroi me kompaninë greke “Hellenic Petroleum” për blerjen e rafinerisë së vetme të naftës në shtet, OKTA.

Tani ky sistem tubacionesh do të quhet produktsjellës, pasi nga Selaniku në Shkup do të transportojë vetëm derivate të përpunuara të naftës, ndërsa përmes naftësjellësit zakonisht transportohet naftë e papërpunuar nga portet ose fushat naftëmbajtëse drejtpërdrejt në rafineri, ku më pas përpunohet.

Gypat e naftësjellësit Selanik-Shkup janë të gjatë rreth 213 kilometra, me kapacitet për të transportuar 2.5 milionë tonë karburant në vit, nga terminalet e “Hellenic Petroleum” deri te rafineria OKTA në Shkup, ku karburanti disel do të depozitohet.

Sipas marrëveshjes mes Qeverisë maqedonase dhe kompanisë greke, transporti i karburatit do të kushtojë 20 euro për ton, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Komisioni Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore.

Kush do të përfitojë?

Nëse produktsjellësi punon me kapacitet të plotë prej 2.5 milionë tonësh në vit, vlera totale e shërbimit do të arrinte rreth 50 milionë euro në vit.

Të ardhurat do të ndahen mes Qeverisë së Maqedonisë, e cila përmes ndërmarrjes shtetërore “Naftovod” ka 20 për qind të aksioneve në kompaninë e përbashkët “Vardaks”, ku hisedari më i madh është “Hellenic Petroleum” me 80 për qind të aksioneve.

Me njoftimet e Qeverisë maqedonase se po i përfundon procedurat e fundit, përmes këtij tubacioni do të mund të qarkullojë karburanti sapo Ministria e Transportit të lëshojë “lejen për përdorim”.

Me këtë do të hyjë në fuqi edhe licenca që Komisioni Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore tashmë ia ka lëshuar “Vardaks”-it në vitin 2023, me vlefshmëri prej 35 vjetësh, përkatësisht deri në vitin 2058.

“Kur operatori ‘Vardaks’ ta marrë lejen e përdorimit nga shteti, kjo licencë do të hyjë në fuqi”, tha për REL-in kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore, Marko Bislimovski.

REL-i i është drejtuar Qeverisë maqedonase me pyetjen se cilat janë përfitimet e pritshme për sistemin energjetik dhe ekonomik të vendit nga ky tubacion, por deri në publikimin e këtij teksti, ekzekutivi në Shkup nuk është përgjigjur.

Polemikë politike rreth tubacionit të naftës

VMRO–Partia Popullore, e themeluar nga ish-kryeministri Georgievski pasi u largua nga VMRO-DPMNE-ja, pretendon se riaktivizimi aktual i naftësjellësit Selanik-Shkup ka për qëllim t’i ndihmojë Serbisë në krizën aktuale me naftë.

Nga kjo parti thonë se janë të habitur nga shpejtësia me të cilën po finalizohet procesi dhe pyesin pse ata, që prej vitesh kundërshtonin projektin, tani heshtin.

Partia e Lubço Georgievskit shtoi se argumentet për përfitimet nga naftësjellësi kanë qenë të vlefshme që para 25 vjetësh dhe akuzoi se vendi është lënë me vetëdije pa përfitime ekonomike dhe gjeostrategjike.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se roli i Qeverisë është të sigurojë infrastrukturën dhe rregulloren, por jo të hyjë në operacione biznesi.

“Ne si Qeveri nuk jemi shoqëri aksionare për të furnizuar Serbinë ose vende të tjera. Këtë e bëjnë kompani private që merren me biznes”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes nëse shteti do të përpiqet të përfitojë nga kriza e naftës në Serbi përmes eksportit të derivateve në këtë linjë.

Transport më i lirë dhe më i sigurt

Teorikisht, transporti i drejtpërdrejtë i derivateve të naftës nga Selaniku në Shkup përmes tubacionit do të duhej të sillte më shumë siguri dhe shmangie të rreziqeve që i shoqërojnë transportin me kamionë dhe cisterna.

Sipas profesorit Dejan Trajkovski nga Fakulteti Teknik i Bitolës në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit”, naftësjellësin riktheu në vëmendje edhe problemet me hekurudhën në vend dhe çmimin më të ulët të transportit përmes tubacioneve.

“Në çdo rast, kjo është mënyra më e duhur e transportit, sidomos duke pasur parasysh se tashmë e kemi”, tha Trajkovski.

Ndërtimi i naftësjellësit u përfundua në vitin 2002, por dhjetë vjet më vonë, në vitin 2013, në OKTA u ndal plotësisht përpunimi i naftës, me ç’rast rafineria përfundoi në falimentim dhe transporti i naftës nëpër tubacion u ndërpre.

Arsyet, sipas “Hellenic Petroleum” në atë kohë, ishin se nuk ishte fitimprurëse dhe kishte pengesa përmes rregulloreve të shumta.

Që nga shitja e OKTA-s në vitin 1999 nga Qeveria e atëhershme maqedonase, lindën mosmarrëveshje që përfunduan para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris.

Me atë marrëveshje, të cilën një pjesë e opinionit të ekspertëve në Maqedoni të Veriut e vlerësuan si të dëmshëm për shtetin, OKTA iu shit kompanisë “Hellenic Petroleum” për 32 milionë euro, dhe marrëveshja ndër të tjera parashihte ndërtimin e naftësjellësit, si edhe detyrimin që për 20 vjet Maqedonia e Veriut të blinte të paktën 500.000 tonë naftë në vit nga Greqia.

Procedurat e arbitrazhit

Pasuan tre procese të ndara arbitrazhi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris, të lidhura me marrëveshjen për OKTA-n dhe naftësjellësin.

I fundit ishte në dhjetor 2022, kur gjykata vendosi kundër Maqedonisë së Veriut dhe në favor të “Hellenic Petroleum”, ndërsa padia kishte të bënte me mosrespektimin e detyrimeve të marrëveshjes, duke detyruar shtetin të paguajë gjithsej 21.47 milionë euro dëmshpërblim, shumë që është përgjysmuar krahasuar me kërkesën fillestare së bashku me interesat, e cila arrinte në 42.6 milionë euro.

Qeveria atëherë njoftoi se ekipi i angazhuar juridik nga Franca, zyra “Dechert”, kishte arritur të përgjysmonte shumën e kërkuar si dëmshpërblim.

Më herët, në vitin 2019, Maqedonia e Veriut kërkonte mënyrë për të arritur marrëveshje me “Hellenic Petroleum” pas vendimit të atëhershëm të Gjykatës së Parisit prej 32 milionë dollarësh, që lidhej me moszbatimin e marrëveshjes për blerjen e mazutit.

Vendimi i parë ishte në vitin 2007 dhe erdhi pasi Gjykata Kushtetuese e vendit në vitin 2002 anuloi disa pjesë të marrëveshjes me “Hellenic Petroleum”, me të cilin kompania greke fitoi 52 milionë euro dëmshpërblim.

Me riaktualizimin e rinisjes së tubacionit, Esad Rahiq, i cili gjatë Qeverisë së kaluar në vitin 2020 u bë drejtor i ndërmarrjes shtetërore “Naftovod”, tha se pagesa e penaliteteve nga paditë është ndër arsyet kryesore që naftësjellësi duhej të kishte nisur punën shumë më herët.

“Sa më shpejt të hapej dhe të fillonte të punonte, aq më shpejt do të shlyheshin penalitetet nga paditë”, tha ai.

Rahiq shtoi se vendi ka për obligim ta hapë tubacionin, të cilin e quan investim strategjik prej rreth 100 milionë dollarësh, dhe tregoi se për këtë ka biseduar me dy ish–kryeministrat, Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski. Ai u kishte propozuar që sistemi të vihej në përdorim që atëherë, si edhe të vazhdohej ndërtimi për lidhje me Kosovën, por theksoi se propozime të tilla nuk janë realizuar.

Mijëra njerëz protestojnë në Shkup për “drejtësi të mirëfilltë” në gjyqin e Hagës

Një vajë e mbeshtjellë me flamurin kombëtar shqiptar dhe me plis në kohë merr pjesë përkrah një vajze tjetër me flamurin e UÇK-së në mbrojtje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, 13 dhjetor.

 

Radio Evropa e Lirë

Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën pasdite në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkup, për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë” në përfundim të gjyqit për krime lufte ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Ata u tubuan në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup mes brohoritjeve “UÇK, UÇK”, dhe valëvitjeve të flamujve kombëtarë shqiptarë dhe flamujve të UÇK-së.

Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ishte shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Protestuesit e mbledhur në qendër të Shkupit në mbështetje të UÇK-së.

Protestuesit e mbledhur në qendër të Shkupit në mbështetje të UÇK-së.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe pritet të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm.

Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se sot “jemi mbledhur këtu për ta ngritur zërin”, dhe për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë”, për ish-krerët e UÇK-së.

“Ne sot, me këtë numër kaq të madh njerëzish… i tregojmë Trendafilovës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës buron, lind dhe vepron nga populli”, tha Gucati duke iu referuar Ekaterina Trendafilovës, kryetares së Dhomat të Specializuara të Kosovës në qytetin holandez.

Ai shtoi se UÇK-ja “u rrit dhe u mbrojt nga populli dhe sot populli i qëndron mbrapa asaj. Ne sot kërkojmë drejtësi. Kjo gjykatë i ngjan gjykatave të Serbisë dhe merret me fakte të falsifikuara dhe fabrikuara, të cilat nuk qëndrojnë”.

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe politikanë nga Kosova, si Fatmir Limaj e Daut Haradinaj, morën pjesë në protestë.

Protesta kaloi pa ndonjë incident të raportuar.

Kjo protestë vjen në një sërë protestash të ngjashme që janë mbajtur këtë vit në qytete të ndryshme, përfshirë në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg.

Gjykimi në Hagë

Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Gjykimi ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023, tri vjet pasi ishin arrestuar dhe dërguar në mbajtje në qytetin holandez.

Tani, më shumë se dy vjet më vonë, gjyqi ndaj tyre po shkon drejt përfundimit, pasi mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e përfundoi paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve.

Në mbrojtje të dëshmuan në shtator ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Chris Hill, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-n.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.

Arkiv i Voal.ch 12.12.2014 BRANISLLAV SINADINOVSKI – NË MAQEDONI EKZISTOJNË RRETH 70 MIJË SHQIPTARË ORTODOKSË

BRANISLLAV SINADINOVSKI – NË MAQEDONI EKZISTOJNË RRETH 70 MIJË SHQIPTARË ORTODOKSË

E Premte, 12.12.2014, 09:43am (GMT+1)

Autori i veprës “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë” Branisllav Sinadinovski theksoi se në Maqedoni ekzistojnë rreth 70 mijë shqiptarë ortodoksë të cilët kanë arritur të mbrojnë trashëgiminë e tyre kombëtare, pavarësisht sistemeve shtypëse dhe përpjekjeve për asimilim në epoka të ndryshme.

“Dua t’u dëshmojë të gjithë mohuesve tanë se territori i Maqedonisë gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë bërthama e pranisë së shqiptarëve ortodoksë në këto troje, pavarësisht nëse e pranojnë këtë apo jo. Shqiptarët ortodoksë janë autoktonë që nga koha të civilizimeve të lashta të pellazgëve dhe ilirëve nga të cilët kanë prejardhjen.. Sot, si asnjëherë më parë, ne shqiptarëve na duhet mirëkuptim, urtësi dhe gjakftohtësi, harmoni dhe unitet për disa përcaktime strategjike.. sikundër gjithë të tjerët edhe shqiptarët ortodoksë kanë të drejtë që t’u respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, tha Branisllav Sinadinovski, autor i librit.

Sinadinovski kërkoi edhe themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Maqedoni. Ndërkaq, sipas profesorit Blerim Reka pranimi nga Kisha ortodokse maqedonase që meshat të bëhen edhe në gjuhën shqipe provon më së miri përkatësinë kombëtare të këtyre qytetarëve.

Në këtë kuadër sot u promovua edhe vepra për Rilindësit shqiptarë, nga autorja Gordana Sinadinovska, bashkëshortja e Sinadinovskit.

Rikthehen në Shkup parullat “Vdekje Shqiptarëve”

Foto/ Rikthehen parullat “Vdekje Shqiptarëve” në Shkup

Kreu i kësaj komune ku ndodhi ky gjest antishqiptar, nuk ka denjuar që të japë ndonjë deklaratë për këtë çështje.

Janë rikthyer në Maqedoninë e Veriut parullat antishqiptare, që shpërthejnë herë pas here si kërpudhat pas çdo shiu politik ose elektoral.

Në një stacion autobusi në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut-Shkup, përkatësisht atë pranë konviktit “Goce Dellçev”, është gjetur nga një shqiptar një parullë e shkruar me të bardhë: “Smrtza shqiptari-Vdekje shqiptarëve”.

Është Ylli Pacuku, një aktivist i shoqërisë civile në Shkup, i cili, pasi ka mësuar se kishte disa ditë kjo parullë, ka shkuar vetë dhe ka fshirë frazën që nxit urrejtje.

Pacuku, ka shkruar në faqen e tij në rrjetet sociale se ishte lajmëruar nga disa bashkëveprimtarë të tij për parullën, për të cilën nuk e ka çarë kokën askush nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

“Ky mbishkrim me urrejtje te stacioni i autobusit para konviktit Goce Delçev ka qenë disa ditë duke qarkulluar nëpër rrjete sociale. Prisja ta pastronin, por meqë qëndroi ende, thjesht e pastrova vet.

Nuk është asgjë e madhe, thjesht nuk dua të kaloj çdo ditë në një vend ku edhe vetë kam pritur autobus më herët dhe të shoh fjalë që s’kanë vend në një hapësirë studentore, e as në këtë qytet.

E sa u përket atyre që i shkruajnë këto… ndoshta është koha të investojnë më shumë te mendja sesa te markerat”, shkruan Ylli Pacuku, postimi i të cilit është ndarë edhe nga Bujar Osmani nënkryetar i BDI-së dhe ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

Zona, ku është shkruar parulla, është një territor ku shqiptarët janë goxha të paktë në numër. Lagja Taslixhe ku ndodhet konvikti me emrin e heroit të rilindjes kombëtare bullgare, ndodhet në komunën e Karposhit. E cila është pjesë e bashkisë se madhe të Shkupit. E ndodhur në një nga periferitë e “qeta” të kryeqytetit, kjo zonë me një popullsi deri në 60 mijë vetë, pra me një dendësi të madhe, ka rreth 84% maqedonas, ndërkohë që shqiptarët nuk i kapin as 4% të popullsisë. Karposhi ka gjithashtu serbë, që janë gati sa shqiptarët përkatësisht rreth 4% dhe një numër të vogël romësh.

Kjo komunë periferike drejtohet nga Sotir Lukrovski, një nacionalist maqedonas i VRMO-DPMNE e kryeministrit Mickovsi, i cili në faqen zyrtare të institucionit nuk ka denjuar të vendosë gjuhën shqipe, çka është e detyruar me ligj.

Kreu i kësaj komune ku ndodhi ky gjest antishqiptar, nuk ka denjuar që të japë ndonjë deklaratë për këtë çështje./ Pamfleti

 


Send this to a friend