VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

YJET – Poezi nga ADONIS – Përktheu FASLLI HALITI

By | May 30, 2019

Komentet

BLETARI – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Gjatë mungesës së bletarit,
një hajdut i hyri në shtëpi, i mori mjaltin dhe hojet.
Pas kthimit, i pa kosheret bosh pronari
dhe u ndal për t’i shqyrtuar ato; por bletët që nga kullotat
ktheheshin, duke e gjetur atje, e sulmuan me thumbime
dhe e katandisën sa më keq nuk kish ku të shkonte.
“Bisha të egra,” iu thoshte
“Ju lejoni që hajduti i hojeve tuaj të shpëtojë pa u ndëshkuar,
dhe për mua që kujdesem për ju,
rezervoni trajtim kaq të pamëshirshëm, të pamerituar!”

Kështu dhe disa burra që, nga pavetëdija,
ata nuk ruhen nga armiqtë,
dhe madje refuzojnë miqtë
sikur të ishin ata shkaku i të këqijave.

Më 15 janar 1975 u nda nga jeta Ernest Koliqi, personalitet i shquar shqiptar i letërsisë, kulturës dhe arsimit kombëtar

Nuk janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifet aq mirë në shtresat letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të pacaktueme të zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e letrave t´ona.[1]

Ernest Koliqi (Shkodër, 20 maj 1903 – Romë, 15 janar 1975) ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, madje dhe dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog. Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket krijimtarisë[2][3], ndërsa në punët politike e arsimore ka meritë për dërgimin e 200 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë së Lirueme[4].

Jeta

Leu në Shkodër, i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nga lisi i tamblit ishte nip Parrucejsh[5], familje reshpere shkodrane fort e kamur. Ndërsa lisi i gjakut i tij kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, e rënë në krahinën e Anamalit rreth 1700ës së pari e mbasandej në Shirokë. Prej një të pari iu mbeti llagapi Kolaj, që iu mbrapavendos shtesa –iqi prej tregtisë të vazhdueshme me Malin e Zi[6]. Ishte i dyti ndër fëmijët, mbas Mikelit – që do të bëhej i pari kardinal shqiptar – dhe mbas tij vinin Leci, Guljelmi, Margerita, Viktori dhe Terezina[7].

Pas mësimeve të para të nxëna në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918[2]. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia dhe mbasandej në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht. Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohtësisë me L. Gurakuqin njihet me rininë premtuese: K. Thaçi, L. Ashiku, Sh. e K. Gurakuqi, Dom L. Shantoja, K. e L. Kamsi. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej P. Gj. Fishtës, F. Nolit, M. Frashërit, L. Gurakuqit[2].

Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Z. Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot L. Mjedjës[8]. Mbas Lëvizjes së qershorit, L. Gurakuqi e thërret në Tiranë si sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej të shuarit A. Rustemi, e drejtohej tashmë nga Ll. Fundo. Kalon më pas si sekretar në min. e Mbrendshme, ku ministër ishte kol. Rexhep Shala[9].

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve[1][10]. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes B. Omarit, S. Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela më 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja[9]. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33)[11], ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim P. Markos[12] dhe L. Radit gjegjësisht nëpër qytetet e përmendura. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij M. Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924[13].

Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-’36 ishte pjesëtar i grupit botues të të përkohshmes “Illyria” të I. Totos[14] ku do të botonte poemthin në prozë Quattuor. Në po të njëjtën të përkohshme më 1935 do të zbulohej Migjeni me vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit[15]. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari C. Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj[2]. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes[15].

Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vjetët 1939-’41.

Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian

Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dyvëllimshin “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e N. Resulit e K. Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, S. Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim i patëdytë në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me M. Krujë dhe P. Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës.[16] Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumëçmuar, që nuk dha rezultat[17][18].

Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare

Ministria e Arsimit në qeverinë pasardhëse Kruja pati si pasues Xh. Kortshën. Duke dhënë dorëheqjen, Koliqi kësodore i përkushtohet drejtimit të Institutit, prej ku filloi botimi i vëllimeve “Studime e tekste”. Martohet me arsimtaren Vangjelije Vuçani dhe patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën. Në zgrip e kapitullimit të Italisë fashiste, më 1942 zëvendëson Terenc Toçin në krye të Këshillit t’epërm korporativ fashist deri më 1943, gjë që do t’i kushtonte edhe më tepër në syzet e regjimit që do të vinte[19]. Në vjeshtën e 1943 prej portit të Tivarit shkon në Itali me familjen dhe të afërmit e tij[20].

Mërgimi i mbramë, BKI dhe “Shêjzat”

Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e P. Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën.[12] Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit[21].

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.

Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj[20].

Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj

Më 4 maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18, i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme[2].

Vepra

Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt.

Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.

Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.

Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV). Më 1983 historia e letërsisë shqipe i referohet pasivisht si “Koliqi tradhëtari”.

Pasardhës të Koliqit, sidomos në këmbënguljen e gjetjes së veçantive vendore në gjuhë e në jetë, në letërsinë shqipe bashkëkohore para së gjithash konsiderohet Anton Pashku.

Mirënjohje

  • Medalje arit e Shoqnís “Dante Aligheri”.
  • Ylli i artë për Meritë të Shkollës.
  • Akademik ordinar i Akademisë Tiberiane.
  • Akademik Nderi i Akademisë Teatine të Kietit për Shkencat.
  • Antar i Akademisë së Abrucit për Shkencat dhe Artet.
  • Antar efektiv i Akademisë së Mesdheut.
  • Antar Nderi i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet shqiptare.
  • Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë

Burime

  1. ^ a b Gurakuqi K., Ernest Koliqi, “Shêjzat”, VII, 1963, nr. 5-8, fq 163-172.
  2. ^ a b c d e Vuçani P., Jeta dhe veprat e Koliqit, “Shêjzat” – Numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, 1975. Fq. 14-18.
  3. ^ Hamiti S., Letërsia Moderne Shqipe, Tiranë: UET Press, 2009.
  4. ^ Krasniqi R., Ernest Koliqi dhe zhvillimi letrar në Kosovë, “Shêjzat” – Numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, 1975. fq. 36-42.
  5. ^ Camaj M., Fjala qet fjalën – Në rasën e gjashtëdhetëvjetorit të lindjes së Ernest Koliqit, “Shêjzat”,
  6. ^ Bushati H., “Shkodra dhe motet: (traditë, ngjarje, njerëz…)”, Shkodër: Idromeno, 1999.
  7. ^ Demo E., Viktor Koliqi i fshehti dhe i ndjeshmi vëlla shkrimtar: “Hylli i Dritës” rizbulon pas gjysmë shekulli vëllain shkrimtar të Ernest Koliqit, Tiranë: Shekulli. – Nr. 2529, 22 janar, 2009, f. 20 – 21.
  8. ^ Çefa K., Grupi “Ora e Maleve” dhe publicistika e tij, Tiranë: “Gjergj Fishta”, 2013. ISBN 978-9-92816-121-5
  9. ^ a b Oroshi J., Një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare fiket, “Shêjzat” – Numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, 1975. fq. 57-65.
  10. ^ Hilushi, Kuleta e vjetër me guraleca të ngjyershëm, Romë: “Shêjzat” vj. XVI, nr. 01-04, fq. 89.
  11. ^ Koliqi E., Dante e ne shqiptarët (1950), Tiranë: Tirana observer. – Nr. 21, 27 janar, 2008, f. 9.
  12. ^ a b Marko P, “Intervistë me vetveten”, Tiranë: sh.b. “Omsca”, 2000.
  13. ^ Koliqi E., Mustafa Kruja si njeri kulture e si gjuhëtar, Romë: “Shêjzat” – botim përkujtimor për Mustafa Krujën, 1973.
  14. ^ Logoreci A., Ernest Koliqi, “Shêjzat” – Numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, 1975. fq. 142-144.
  15. ^ a b Koliqi E., Migjeni dhe unë, Romë: “Shêjzat”, v. XVIII nr. 1-10, 1974. fq
  16. ^ Letër nga Ernest Koliqi dërguar Karl Gurakuqit, Romë, 16–3–1951.
  17. ^ Maksuti I., Norbert Jokl – Figurë e shquar e albanologjisë, Illyria. – V. 12 Nr. 1150, 21-24 qershor, 2002, f. 30.
  18. ^ Ndreca A., Norbert Jokl dhe fati i një biblioteke që i përkiste Shqipnisë, Tiranë: Mapo. – Nr. 527, 8 mars, 2012, f. 10.
  19. ^ Muner P., Ku e lamë Koliqin?, Tiranë: Revista Klan, 24 qershor 2013.
  20. ^ a b Ndreca A., Në përvjetor të Ernest Koliqit, mapo.al, 18 maj 2013.
  21. ^ Gurakuqi R., Ernest Koliqi dhe Blloku Kombëtar Indipendent, Shkodër, 2004.

ERNEST KOLIQI NË LIBRIN “KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR” – Nga VISAR ZHITI      

 

      

       Në ditën e ikjes nga kjo jetë para 46 viteve, shkrimtarin e rëndësihëm Ernest Koliqi po e përkujtojmë  me një kartelë dhe një paralelizëm letrar, të nxjerra nga libri i porsa botuar i Visar Zhitit “Kartela të Realizmit të Dënuar”.

      

       Themeltar në letrat…

Ernest Koliqi

(1903 – 1975)

 

Do të ikte…

…mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit… u lind në Shkodër, kur Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë të  shekullit të kaluar, në majin plot petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës.

Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci, mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve, i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së vet…

Kur emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte Koliqët dhe veprën e tyre…

Mbarimi i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali duke iu mbyllur përjetë rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje.

Gjatë mërgimit të detyruar politik Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari, themelon katedrën e albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën, ringjall shpirtin arbëresh, harton antologji të poezisë mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të mëvonshme të letërsisë shqipe.

Vdes papritur në Romë. Ende atje prehen eshtrat e tij, në Varrezat e Monumentale.

 

 

                                                                             

      

 

       PROFETË

TË KOMUNIZMIT QË S’E PËRJETUAN…

DY SHKRIMTARË MOSHATARË

 

– George Orwell dhe Ernest Koliqi

nën tmerrin e imagjinatës dhe mbi rrënjët e traditës –

 

 

“1984”- roman dhe “Rrajët lëvizin”- dramë. Dy vepra fantastike të së ardhmes… së shkuar tashmë. Romani është i famshëm, i përket gjuhës botërore, anglishtes dhe është përkthyer në shumë gjuhë të tjera dhe vazhdon të kujtohet, kurse drama është e vogël, pak fleta, e shkruar në gjuhën e një vendi të vogël, shqip, që harrohej me qëllim, duke e nxjerrë jashtë dhe nga letërsia e asaj gjuhe.

Të dy autorët e tyre, shkrimtari anglez George Orwell dhe shkrimtari shqiptar Ernest Koliqi kanë lindur në shekullin XX, në vitin e tij të tretë, 1903, e vetmja gjë e përbashkët, rastësi natyrisht. Ndërkaq Orwell-i lindi jashtë atdheut të tij, në Indi, perandoria angleze, mund të themi, kurse Koliqi lindi në Shqipëri, perandoria otomane, ndërsa Orwell-i do të bëhej i majtë ideologjikisht, deri dhe komunist, që shkoi dhe në Spanjë në luftën civile krah republikanëve, kurse Koliqi do të ishte  i djathtë, madje dhe ministër nën pushtimin fashist.

Orwelli do të kthehej të vdiste në atdhe, në Londër, nga tuberkulozi në 1950, Koliqi kishte ikur për të vdekur jashtë atdheut, në 1975 në Romë. Për të vdekur për së dyti, se në atdhe e kishin dënuar me pushkatim fitimtarët, atë dhe veprën e tij

 

Orwell-i, shkrimtar dhe gazetar i njohur, mbas Luftës së Dytë Botërore, në 1949, boton romanin “1984”, një imagjinatë e frikshme, sipas së cilës në vitin e titullit të veprës, gati e gjithë bota dominohej nga një totalitarizëm i rreptë, mizor, udhëhequr nga një parti e vetme, sunduese me “Vëllanë e Madh” në krye (Big Brother). Policia shtetërore e pranishme kudo, e dukshme dhe e padukshme, kontrollonte dhe drejtonte gjithçka, jo vetëm veprimet, po deri edhe mendimet e ndjenjat, një nënshtrimin masiv kapitullues, një shoqëri “trushpëlarë”, aq sa hitleriane, po aq dhe staliniste, e të dyjave bashkë, si mos më keq.

Orwell e njihte romanin distopik “Ne”, të shkrimtarit sovjetik Evgenij Ivanoviç Zamjatin, të shkruar në vitet 1919-1921 dhe botuar për herë të parë në anglisht në 1924. Në Bashkimin Sovjetik s’ishte lejuar të dilte atëhere ajo satirë marramendëse e totalitarizmit të Bashkimit Sovjetik, e gjitha një utopi negative. Fundi i botës vërtet.

 

Kujtoj vitin 1984, më gjeti në burg.S’isha më i burgosur i ri, por as i vjetër, nga ata që kishin bërë mbi 15 vjet burg, 20, 25, 30, edhe 40 vjet, që kur kishte mbaruar Lufta, por s’kishte nisur ende paqja.

Në oborrin e burgut, në stendën ku vendosej gazeta politike “Zëri i Popullit” ishte një shkrim kritik për “1984”. Aty gjeta se paskësh një roman të tillë dhe gazeta e partisë në Shqipëri e bënte copë-copë, që ja erdhi dhe ky vit dhe alarmi që kishte dhënë autori borgjezo-revizionist se ç’ishte komunizmi dhe që në 1984 duhej të binte, ishin të rreme. Komunizmi do të triumfonte në të gjithë botën së shpejti, sipas gazetës së partisë, sidomos po të kishte një luftë të tretë botërore…

 

Bashkëmoshatari i Orwelli-t, shkrimtari Ernest Koliqi, që nuk besoj se njiheshin, shkruajti në Romë dramën me një dukë/akt, “Rrajët lëvizin”, titullin e së cilës e mori nga një varg i poetit Tomas Eliot. Ngjarjet e dramës ndodhin në vendlindjen e autorit, në Shkodër, në perspektivë, kanë ardhur vitet ’70, flitet për shekullin e kaluar, pra jemi një dhjetvjeçar para 1984 oruelliane dhe çudia është se aty parashikohet e  kundertën e Orwellit, jo fitorja botërore, por rënia e komunizmit.

Unikale dhe largpamëse deri në mrekulli, e brishte, madje dhe lirike, trama e saj e ka forcën jo te konflikti i brendshëm, me fare pak personazhë e dialogë të zakonshëm, po te konflikti historik, i popujve, ndërkombëtari, te rënia e natyrshme e komunizmit.

Vepra, sa klasike është dhe risi, etj, por ajo mbetet profetike si asnjë vepër tjetër në të gjithë letrat në perandorinë komuniste.       Koliqi ishte i pari dhe i vetmi shkrimtar që parashikoi rënien e asaj perandorie me një vepër letrare, kur totalitarizmi stalinist ishte në kulmin e vet, në mesnatën e rëndë në vendin e tij..

Autori si një orakull kishte parashikuar vdekjen e vet në ato vite dhe të diktaturës. Saktësia është tronditëse për parashikimin e parë, por ndodhi dhe parashikimi i dytë, pak më vonë se vitet e tij dhe i Orwellit, në vitet ’90, por krizat e tatëpjetës kishin nisur që në kohrat e tyre.

Koliqi si një AntiOrwell ose Orwell pozitiv me dramën e vet vegoi fitoren e njeriut në shoqërinë totalitariste.

Kuptohet që regjimi në Shqipëri e mori informacionin nga rrugët e fshehta diplomatike të saj, që shkrimtari i arratisur Ernest Koliqi, armik i betuar i popullit dhe i Partisë, që meriton plumbin ballit, ka botuar në Romë në revistën e tij reaksionare që del shqip, “Shejzat”, dramën më reaksionare “Rrajët lëvizin”…

Kritikës cinike dhe mediokre të realizmit socialist i vinte më për mbarë heshtja vrastare dhe ashtu bëri si zakonisht, por në leksionet e studentëve të letërsisë, i mbaj mend dhe i diskutonim me njëri-tjetrin, në njërën nga dispencat si e shaptilografuar, ishte dhe një fletë nga fundi që e godiste ashpër dramën e Koliqit, si frojdiste i cila kërkon të thotë se regjimi socialist në Shqipëri bëri ndryshime të mëdha, shkatërroi dhe vrau shumëçka dhe sipas autorit reaksionar, dmth Koliqit, vetëm përsipër, se nëntokë, rrënjët e jetës janë gjallë dhe lëvizin….

Me një ngazëllim djallëzor kritika socrealiste tha atëhere se Koliqi nga dy parashikimet që bëri, gjeti veç atë të vdekjes së vet.

Ne si studentë, rrethi më i ngushtë yni, i ngazëllehej kumtit koliqian, duke na pataksur që paskësh një drame të tillë, nga Koliqi, ja aty e ka shtëpinë, te rruga matanë, jo shumë larg institutit tonë, që ja, përtej vendit tonë, u folka për rënie të komunizmit, nuk qenka i përjetshëm dhe diskutonim që këtë pasazh lektori e kishte futur për të rroposur Koliqin apo me dinakëri, për të bërë me dije se ç’është shkruar. Gjethsesi ne i ishim mirënjohës për kritikën dhe shikonim se kishte shkrimtarë të tjerë shqiptarë më përtej, jo si tek ne…

Në dramën “Rrajët lëvizin” bien dhe kambanat e së dielës në kishat e qytetit të Ernest Koliqit, ku ishim studentë, se ndërkaq, sipas parashikimeve të dramës ishin ripahur kishat, që diktatura ateiste i kishte shtetëzuar bashkë me xhamitë duke i kthyer në kinema, ku shikonim filmat e socrealizmit, në pallate sporti, ku zhvillonim dhe mësimin e fizkulturës apo në magazina ushtrie, ku na jepnin uniformat dhe armën, që të stërviteshim për të luftuar imperializmin dhe revizionizmin botëror dhe nëse na sulmonin të dy njëherësh, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, ne të fitonim..

 

Ndërkaq erdhi dita që “1984” të botohej dhe në Shqipëri, dhe jo vetëm me një përkthim. Rilexova atë të Çelo Hoxhës, pashë që kishte dhënë tmerrin dhe absurdin dhe në gjuhë.

Ndërsa drama “Rrajët lëvizin” vazhdon të jetë si një kambanë e madhe, bie dhe bie dhe harrojmë ta dëgjojmë… Me të do të mund të mburrej çdo skenë, nder për kulturën, për inteligjencën në të gjithë Evropës Lindore. Ishte dhënë kështu kumti i madh që atëhere dhe vinte nga letërsia shqipe, nga pjesa e dënuar e saj.

Profecia e shkrimtarit të arratisur Ernest Koliqi do të dilte. Do të shëmbej Muri i Berlinit në vitin 1989, pas tij do të binte dhe perandoria komuniste dhe diktaturat me radhë. Edhe kjo, jona. S’ishte e jona, por që na shtypte ne… Akujt e saj andej larg, përmbysnin dhe këtej…

 

Teatri, ku u prit gjatë se mos do ta vinin në skenë ndonjëherë, sa po e shëmbën brenda parashikimit oruellian dhe jashtë parashikimit koliqian. Me shpresë për në teatrin e ri.

Përkujtesë KUR NDEROHEJ HIVZI SULEJMANI… – Nga JUSUF BUXHOVI

Shkrimtari Hivzi Sulejmani i takon plejadës së krijuesve të brezit të Esad Mekulit, Martin Camajt, Sitki Imamit, Rexhep Hoxhës, Mark Krasniqit,Sinan Hasanit, Kapllan Resuli, A. Demaçit dhe të tjerëve, me të cilët, në rrethana të vështira shoqërore dhe politike çfarë ishin ata që solli sistemi ideologjik, fillon rrugëtimi i mundimshëm i krijimit të identitetit letrar, që do t’i hapë rrugë gjeneratës së viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta , atyre të moderniteti në prozën tonë (A. Pashkut, R. Kelmendit, N. Rrahmanit, R. Rexhepit, A. Shkrelit, R. Qosja për të ardhur te T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramadani, Y. Shkrelit, J. Buxhovit, Z. Rrahmanit, M. Krajës e të tjerëve), që i dhanë vepra të rëndësishme dhe të qëndrueshme prozës sonë.
Në plejadën e krijuesve që ishin pjesë e revolucionit dhe idealeve të tij, Hivziu, gjithsesi shfaqet më i veçantë, jo vetëm që me të shpejt u largua nga nomenklatura revolucionare, që solli diktaturën e re, me të cilën ai nuk u pajtua dhe nuk deshi t’i sherbejë, por edhe pse me veprën e tij (prozën “Njerëzit”, të ndaluar dhe të anatemuar), shfaqë shenjat e para të një disidence “të heshtur” kundër diktaturës.
Në vitet e shtatëdhjeta, kur pas Plenumit të Brioneve dhe ndryshimeve që solli, fillon një klimë e re shoqërore dhe politike edhe te ne, Shoqata e Shkrimtarëve, në shenjë nderimi për krijuesin e rebeluar në kohët më të vështira, themeloi çmimin letrar “Hivzi Sulejmani” për prozën më të mirë të vitit. Ndërsa, pas vdekjes së tij, themeloi edhe manifestimin “Takimet letrare Hivzi Sulejmani”.
Këto takime, po ashtu, ishin diçka të veçantë, meqë mbaheshin në trekëndëshin: Mitrovicë, Rozhajë dhe Novi Pazar.
Pjesë e këtyre takimeve ndër më reprezentativët e kohës, pas atyre të Mitingut të Poezisë në Gjakovë që kishin karakter ndërkombëtar, ishin orët letrare në Rozhajë dhe Sanxhak (Novi Pazar), si dhe vënia e kurorës në varrin e Hivziut në Majstir (në vendlindjen e tij në pjesën e Ribariqit) në Mal të Zi.
Takimi i fundit i kësaj natyre, në një hapësirë me etni kryesisht shqiptare të shpërndarë në Kosovë-Mal të Zi dhe Serbi, ishte ai 10 korrikut 1985, ku morën pjesë shumë shkrimtarë të rëndësishëm të Kosovës, bashkëkohanikë të Hivziut (Esad Mekuli, Vehap Shita, Hasan Mekuli, Pera Stefanoviqi) si dhe disa nga brezi i shkrimtarëve të modernitetit (Beqir Musliu, Musa Ramadani, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Xh. Mustafa e të tjerë).

SKEPTRI I PUSHTETIT TË DIJES RECENSION RRETH LIBRIT ”LILI DHE VARËSJA E SIRENËS” TE AUTORES ALEKSANDRA PANO Nga : Xhane IMERAJ

 

1.
Nëpërmjet aktiviteteve, rrjeteve sociale, apo hapësirës së `cukëlt` mediative, përveç bla -bla-blave të llafologjisë politike, analistike, gjithfarëllojistike… kemi fatin ndonjëherë mes gjithë kësaj tymnaje të dëgjojmë, shikojmë dhe lexojmë edhe për ndonjë të re në art, letërsi, sport apo arritje të tjera të cilat na pasurojnë duke na dhuruar gjendje të mirë shpirtërore, shpresë dhe pritshmëri se mbase vërtet nesër… “do të bëhet më mirë”.

Ishte emisioni “Mirëmëngjes Shqipëri” në “RTSH” prill 2020, ‘Sirena e vogël’ që ka lexuar 180 libra “, i cili më tërhoqi vëmendjen, teksa e dëgjova dhe pashë që vajza dymbëdhjetë vjeçare nga Tirana, Aleksandra Pano, që ishte e ftuar në këtë emision, jo vetëm që kishte lexuar rreth 180-të libra, dhe fliste me aq pasion dhe kujtesë të detajuar dhe përvetësim të admirueshëm të asaj çfarë kishte lexuar, por ajo tashmë edhe kishte botuar librin e saj të parë, dhe pikërisht një roman të titulluar “ Lili dhe varësja e sirenës”.

Një libër ky, që m`u imponua edhe më shumë, (në kuptim të mirë të fjalës), nga ajo çfarë autoja përçoi gjatë këtij emisioni me çiltërsinë, oratorinë dhe aftësinë e saj, si një vjazë mendje hapur, shëmbull për tu ndjekur nga moshataret e saj, të rinjtë. Unë e mora librin, me dëshirën për t`ia dhuruar mbesës time 13- vjeçare, ndonëse pasi e lexova, nuk mund të mos e dëshiroja për bibliotekën time, por nuk hoqa dorë nga dhurata, duke menduar menjëherë për të marr edhe një tjetër libër si ky, për t`ia dhuruar mbesës, pasi tashmë jam e bindur se do i dhuroj vërtet një dhuratë shumë të çmuar siç është libri, por në veçanti edhe sepse do i dhuroj një libër të realizuar në mënyrë kaq të arrirë nga një moshatraja e saj.

2.

Autoja e romanit me titull: “Lili dhe varësja e sirenës”, Aleksandra Pano, ka lindur më 10 janar 2008, në Tiranë. Ajo është nxënëse në shkollën “Lidhja e Prizrenit”. Pasioni për të shkruar i ka lindur natyrshëm, pasi ajo është një lexuese e zellshme e letërsisë për fëmijë por edhe të rritur, duke filluar kështu me dedikime të bukura dhe të ngrohta në prozë për familjarët e saj, mamin, babin, vëllain e saj të vogël, etj. Ajo tregon gjithashtu, se ka shkruar edhe poezi, duke rimuar dhe vënë në dukje ndjesitë e bukura fëminore, fantazinë dhe shpirtin e pasur prej artistje.

E rritur në një familje artistësh, të cilët kanë ditur ta motivojnë dhe ta ushqejnë me dashurinë për librin dhe botën e mrekullueshme të leximit. Pa harruar shkollën dhe aktivitetet shkollore ku ka gjetur horizontet e dijes dhe shtysen drejt tyre. Në moshë fare të vogël, vetem dhjetë vjeçe, ajo pati frymëzimin dhe dëshirën që të ulet dhe të shkruaj; dhe më e rëndësishmja, të arrijë të fantazojë dhe të formulojë një roman duke renditur ngjarjet në një rrjedhë të kthjellët pa teprica fjalësh, të përmbledhur dhe të pasur njëkohësisht. E më pas të mësonte të shkruante në kompjuter, në `word`, të hidhte dorëshkrimin aty, që dalëngadalë libri të formësohej dhe të arrinte të rrëfente për Aleksandren dhe fantazinë e saj në duart e lexuesve.
Duke arritur kështu hap pas hapi, të botohej në shkurt të vitit 2020-të.

3.
“ Me urdhër të Poseidonit dhe lavdisë së tij, unë, Mbrojtësja e Princeshës Laguna, zotohem se do t`i mund Sirenat e Errësirës.”

Një zotim që bëhet nën një urdhër..!

Po a do mund të zbatohet urdhëri i Poseidonit sunduesit suprem të perandorisë së madhe detare? A do përmbushet zotimi nga Mbrojtësja e Princeshës Laguna? Ku zhvillohen ngjarjet? Kur? Kush janë personazhet kryesore? Kush është Lili? Ç`është kjo hajmali magjike…?

Ngjarjet zhvillohen në stinën e pranverës, në bregdetin e Sarandës. Aty personazhet (disa prej tyre) shkojnë kur kanë kohë pasi ata janë edhe në shkollë … Personazhet kryesore janë Lili dhe miqtë e saj Roksi, Moni, Oskari dhe Xhoi, të cilët janë adoleshent rreth moshës 15-vjeçare, si dhe plot personazhe pozitive dhe negative nga mitologjia e lashtë, të cilët akoma vazhdojnë misteret dhe fuqitë e tyre prej zotash…

Lili dhe miqtë e saj, një ditë krejt papritur gjetën në bregdet një varëse në dukje e zakonshme, por që rezultoi të ishte një hajmali misterioze dhe me aftësi magjike…

Autorja me penën e saj fëminore , ka kombinuar bukur kohën e hershme me të tashmën, vendet e lashta ku ekzistojnë ende edhe sot, duke mbartur histori botërore të përmendura edhe nga klasikët, elementet mitik të veshur me fuqitë të mbinatyrshme… kalon nga pergameni tek portali kompjuterik, hidhet më pas nga drejtoresha e shkollës, tek Troni, ndjellësi i së keqës, i lëvizë personazhet me makinën e kohës, ku për 30` i kthen pas 300-vjet në kohë , dhe të nesërmen përsëri i dërgon në shkollë, si njerëz të zakonshem. Sjell personazhe si Poseidoin, Princesh Laguna, që djemt u mrekulluan sa e panë, ndërsa vajazat u xhelozuan disi… Postierin e Heshtur që ishte në anën e sirenave të errësirës dhe që sillte lajme aq të këqija, saqë dhe korbat e mbyllnin sqepin nga frika… Sfinksi, gurët magjikë dhe vendet ku ata ndodhen, betejat dhe strategjitë e shumta nënujore e tokësore… etj.
Fiksion, aventurë dhe fantazi të ndërtuara në mënyrë mjaft tërheqës.

4.
Romani ” Lili dhe varësja e sirenës”, shtrihet në 64-faqe, të ndara në 28-të kapituj. Një libër i vogël, por që kapërcen kopërtinen e tij. Më befasoj kur e lexova, aq sa harrova për një moment që po lexoja një autore aq të vogël, teksa humbisja në kompaktësinë e ngjarjeve. Duke sjellë kështu një libër interesant dhe me vlera, si rezultat i talentin dhe njohurive të akumuluara nga lexueshmëria e admirueshme për moshën e saj, ku librat e lexuar gjer më tani kalojnë mbi 180-të.

Ngjarjet nuk ishte e nevoshme që t`i shtjelloja shumë, pasi autorja e ka sjellur librin vërtet mjaftë të qartë për fëmijët. Thjeshtë një këshillë për lexuesit e vegjël, por edhe për prinderit që do i shoqërojnë gjatë leximit – që kryesisht emrat e miteve, të mos i kalojnë thjeshtë si emra, si personazhe pozitiv apo negativ, por të rikujtojnë apo të lexojnë pak rreth tyre, pas ato nuk janë thjeshtë emra, por mbartin histori në vetvete, të ndërlidhur ndermjet tyre si heret në kohën klasike edhe tani në kohën e romanit të Aleksandres.

Rishikim i një libri, zakonisht përfundon duke dhënë rekomandime, sugjerime dhe shtysë lexuesve për ta lexuar librin, por me besoni , nuk do e beja një gjë të tillë nëse vërtet nuk do vëreja aftësitë e zhvilluara në të shkruar dhe të shprehur të autorës dhe lartësinë e romanit të saj.

Në këtë roman unë arrij të shoh shkëndijat e një shkrimtarje të madhe në të ardhmen, si një vlerë e shtuar që tani në letërsinë shqipe.

Ju ftoj të gjithëve ta bëni pjesë të bibliotekës tuaj këtë libër të realizuar me kaq botë dhe fantazi nga autorja e vogël Aleksandra Pano, në veçanti t`ua dhuroni fëmijëve si një dhuratë vërtet të çmuar.

“Ka shumë mënyra të vogla për të zgjeruar botën tënde.
Dashuria për librat është më e mira nga të gjitha. ” ~ Jacqueline Kennedy

Urime dhe suksese Aleksanda!
– Ishte kënaqësi për mua të shkruaja rreth librit tënd të parë, e bindur që do të keni vazhdimësinë e krijimtarisë së begatë dhe penës së ndritur.

Tiranë
10 Janar 2021

Lakuriqi dhe nuselalet – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Një lakuriq ra në tokë
drejt e në dhëmbët e nuselalës,
por ndërsa kjo ishte gati ta vriste
ai iu lut asaj që ta falte.
Ajo tha se do ta vriste atë
sepse i urrente të gjithë zogjtë.
Ai i tha nuk jam zog, por një mi i gjorë,
dhe kështu ai jetën e shpëtoi.

Më vonë lakuriqi ra prap në tokë
drejt e në dhëmbët e një nuselale tjetër
qarjeve të tij ajo iu përgjigj duke thënë
se të gjithë minjtë e botës i urrente.
Pastaj lakuriqi i natës ia shpjegoj asaj
se nuk ishte mi, por një zog, të shkretën,
dhe kësaj radhe prapë e shpëtoi jetën.

Ju nuk keni pse të përdorni gjithnjë të njëjtat mjete
por përshtatini ato me rrethanat e jetës.

Më 13 janar 1871 lindi Mihal Grameno, publicist i shquar, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike, Hero i Popullit

Mihal Grameno, (13 janar 1871 – në Korçë më 5 shkurt 1931), ishte publicist i shquar, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike, Hero i Popullit.

Jeta

Lindi në Korçë në një familje atdhetare nga shtresa zejtare dhe tregtare. Luftëtar dhe intelektual i shquar i Rilindjes. Mësimet e para i mori në vendlindje. Në moshë të re mërgoi në Bukuresht, ku u lidh me shoqërinë “Drita”. Aty u lidh me lëvizjen atdhetare dhe më 1889 u zgjodh sekretar i shoqërisë “Drita”. Me vullnet dhe këmbëngulje punoi për të zgjeruar horizontin e tij kulturor. Hyri në lëvizjen kombëtare që nga fundi i shek. XIX. Botoi vjersha dhe artikuj në shtypin e kohës. Në vitet 1907-1908 luftoi në radhët e Çetës së Çerçiz Topullit, më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Për veprimtarinë e tij u dënua disa herë me burgim prej qeverisë osmane. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. Përfaqësoi shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte një nga veprimtarët në zë të lëvizjes demokratike. Në vitet 1921-1924, si publiçist mbrojti idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, i sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.
Krijimtaria

Krijimet e para letrare e publicistike të Mihal Gramenos panë dritën e botimit në fillim të shek.XX. Hartoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si “Për mëmëdhenë”, “Lamtumirë”, “Uratë për liri” u përhapën gjerësisht në popull. Është ndër nismëtarët e dramaturgjisë e të prozës (sidomos novelës) së gjatë shqipe. Shkroi novelat Oxhaku (1904-1905), Varri i pagëzimit (1909) dhe E puthura (1909), në të cilat gjeti pasqyrim me nota sentimentaliste jeta e përfaqësuesve të vegjëlisë, me brengat e saj të përditshme.

Fusha ku spikati talenti i Mihal Gramenos është publicistika. Bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve e botoi në gazetat Lidhja ortodokse (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926), të cilat i drejtoi vetë. Shkrimet e tij publicistike shquhen për idetë demokratike dhe frymën luftarake. Mihal Grameno luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës osmanizuese të xhonturqve. Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Ka botuar dy vepra dramatike: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën “Vdekja e Pirros” (1906), të dyja të shkruara në vargje. Komedia “Mallkimi i gjuhës shqipe” trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te “Vdekja e Pirros” trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat dramtike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare. Grameno shkroi edhe vjersha të cilat i botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull “Këngëtore shqipe – Plagët”. Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. Vjersha “Për Mëmëdhenë” u bë një këngë e famshme atdhetare. Është nga publiçistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi, i cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publiçistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare. Drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) botoheshin në Shqipëri dhe diasporë, si “Lidhja ortodokse” në Korçë, “Përlindja e Shqipërisë” në Vlorë dhe “Koha” në SHBA (1911-1926), me disa ndërprerje, “Drita” në Sofje, në të cilat botoi artikuj, prozë, poezi dhe drama. Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin luftarak, ironinë e sarkazëm therëse. M.Gramenoja mbetet në letërsinë shqiptare, në radhë të parë, si publiçist. Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e novelës e të dramës. Është ndër autorët e parë që solli në letërsi në mënyrë të gjerë, personazhe nga shtresat e varfëra të shoqërisë shqiptare[1]. Gjithashtu, për t’u vlerësuar, është edhe puna studimore e Piro Takos në dekadat e fundit të shekullit që lamë pas. Ai ka meritën se përmblodhi një pjesë të mirë të veprës së Gramenos dhe e ribotoi atë në vëllime më vete. Veprimtaria publicistike e Mihal Gramenos ndahet në katër etapa:

1) Etapa e parë: Krijimtaria publicistike, që përfshin harkun kohor të viteve 1905-1912, ku përqendrohen lëvizjet për çlirim kombëtar
2) Etapa e dytë: Përfshin shkrime publicistike të viteve 1913-1920, boshtin e së cilës e përbën problemi i ruajtjes së tërësisë tokësore të shtetit shqiptar dhe ai i rifitimit të pavarësisë së humbur gjatë kohës së pushtimit të ushtrive ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore
3) Etapa e tretë: Përfshin veprimtarinë publicistike të viteve 1921-1924, në qendër të së cilës trajtohet tema e demokratizimit të shtetit shqiptar si dhe konsolidimi i tij
4) Etapa e katërt: Përfshin shkrimet publicistike të viteve 1925-1930, kohë në të cilën Grameno hedh bazat e letërsisë dokumentare dhe shkrimit të kujtimeve me shkrimin dhe përgatitjen për botim të vëllimit “Kryengritja Shqiptare”, gjithashtu kjo mund të quhet edhe etapa e rënies ideore të Gramenos.[2]

Veprat

Publikimet në vijim kanë mbetur nga Grameno [3]

Vdekja (anglisht: The Death), a patriotic poem published in 1903;
Mallkimi i gjuhës shqipe, (anglisht: The curse upon the Albanian language), a comedy published in Bucharest 1905 ,
Vdekja e Piros (anglisht: The Death of Pyrrhus), a historical tragedy published in Sofia, 1906.
Oxhaku (anglisht: The Hearth), E puthura (anglisht: The Kiss), and Varr’ i pagëzimit (anglisht: The Tomb of the Baptism), Korçë 1909, short stories.
Plagët (anglisht: The wounds) Manastir 1912, a volume of poetry;
Kryengritja shqiptare, Korçë 1925 (anglisht: The Albanian Uprising), memoirs of his experiences as a guerrilla fighter against the Turkish and Greek troops.

PULA QË BËNTE VEZË TË ARTA – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Njëri kishte një pulë që bënte vezë të arta,
dhe ai mendoi se duhet të kishte në zorrë shumë flori.
Kështu që, për ta pasur të gjithin, ai vendosi ta vriste,
por ai duhej ta dinte se, si çdo pulë, kishte vetëm rropulli.
Pra, me shpresën e gjetjes së pasurisë njëherë e përgjithnjë,
ai humbi edhe atë që kishte në dorë dhe mbeti krejt pa gjë.

Jini të kënaqur me atë që keni, o njerëz,
dhe mos u tregoni të pangopur asnjëherë.

Dashuria ime është e veshur me dritë – Poezi nga JAMES JOYCE – Përktheu Skënder Buçpapaj

Dashuria ime është e veshur me dritë
Midis pemëve të mollëve
Aty ku erërat e lumtura dëshirojnë më shumë
Të vrapojnë së bashku.

Ku erërat e lumtura zgjaten pak
Për të ledhatuar gjethet e reja,
Dashuria ime shkon ngadalë, e përkulur
Ndaj hijes së saj në bar;

Atje, ku qielli është një kupë blu
Përmbyset në tokën e qeshur,
Dashuria ime shkon e ndritshme, duke mbajtur
Me hire mantelin.

Shiu ka rënë gjithë ditën – Poezi nga JAMES JOYCE – Përktheu Skënder Buçpapaj

Shiu ka rënë gjithë ditën.
Oh, eja nën pemët e lagura.
Gjethet qëndrojnë të dendura në rrugën
E kujtimeve.

Në rrugën e kujtimeve do të ndalemi
Pak dhe pastaj do të ndahemi.
Eja, dashuri, ku mund të flas me ty
Në intimitet.

Fllad i majit, kërcimtar deti! – Poezi nga JAMES JOYCE – Përktheu Skënder Buçpapaj

Fllad i majit, kërcimtar deti!
Rruga që kërcen nga brazda në brazdë
Vallëzimi rrethor i gëzueshëm, ndërsa ngjitesh lart
E larton shkumën për ta bërë kurorë
Me harqe argjendi të hedhura në ajër,
a e shikon të dashurën time diku?
Mjerisht! Oh!
Fllad i majit!
E dashura është e mjerë nëse i dashuri i tij i mungon!

Shko, kërkoje atë – Poezi nga JAMES JOYCE – Përktheu Skënder Buçpapaj

Shko, kërkoje atë mirësjellshëm
dhe i thuaj se jam gati të vij,
erë e aromave që këndon gjithmonë
epitalamus.
Oh, shko shpejt në tokat e errëta
dhe përshkoje detin
që të mos na ndajnë detet dhe tokat
dashurinë time dhe mua.


Send this to a friend