Banorët e “5 Majit”, Laprakës dhe Paskuqanit po zhvillojnë sot në protestë para Kryeministrisë për prishjen e banesave të tyre.
Por thirrjeve të prindërve të tyre iu janë bashkuar dhe fëmijët që me altoparlant i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama të mos prishë shtëpitë e tyre.
“Xhaxhi Edi të lutem mos na i prish shtëpitë, mezi i kemi bërë. Ne nuk kemi më shtëpi të tjera. Gjithçka mund të ndodhë”, tha një fëmijë dhe të tjerë iu bashkuan thirrjes me zë ndaj kryeministrit. Në anën tjetër prindërit e tyre kërkonin drejtësi.
Banorët nuk pranojnë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës, pasi e cilësojnë atë të padrejtë. Ata i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama, që ta lexojë akt-marrëveshjen, pasi kështu, sipas tyre, ai do të kuptojë se nuk do ta firmoste as për shtëpinë e tij në Surrel.
“Një ndër gjërat më të vështira qenka kur mundohesh të krijosh dialog me një mashtrues, siç është kryebashkiaku. I kërkoj që kohën që na e dedikon neve duke na mashtruar, ta dedikojë për zgjidhje. Banorët janë treguar shumë të qytetëruar. Po bëhet një propagandë e hapur. Ai mashtron kokërr për kokërr. Unë shoh për ditë komshinjtë e mi, që u janë shembur shtëpitë dhe flenë nën rrënoja. Akt-marrëveshja fillon me një akt dhurimi. Unë nuk ja dhuroj shtëpinë bashkisë dhe askush që është këtu. Mes një qeverie negative dhe një bashkie shumë më negative, mendoj se kjo bashkia po mashtron dhe kryeministri vetë. I kërkoj Ramës ta marrë vetë atë akt-marrëveshje, ta lexojë për 7 minuta, dhe do të kuptojë se ai vetë për shtëpinë e tij në Surrel nuk do ta firmoste në asnjë mënyrë. Ne po mbrojmë të drejtën. Erion Veliaj nuk është zotëri fare, sepse thotë se po përdorim gra e fëmijë. I them se nuk jemi marrë me mamin tat, babin tat apo fëmijën tat”, tha njëri prej protestuesve.
Protestuesit kanë paralajmëruar dhe grevë urie nëse nuk marrin zgjidhje.
“Po shohim si opsion futjen në grevë urie para kryeministrisë sepse shumë shpejt do fillojë shembja e banesave që janë shënuar me kryq. Është e patolerueshme, duam zgjidhje. Atëherë kur të marrim zgjidhje ju mund të vijoni punën. Po shohim si opsion futjen në grevë urie deri në vetëflijim. Në të gjithë Shqipërinë ka projekte, ka çështje prone, ka konflikt për pronën. I ftoj të gjithë të na bashkohen neve. Çdo person që ka konflikt për pronën, të kërkojmë një nismë ligjore që të marrë fund njëherë e mirë çështja e pronës”, deklaruan banorët.
“Në qoftë se nuk zbatoni Kushtetutën unë do zbatoj kanunin. Unë jam i vdekur pa banesën time. Më mirë hajde më vrit me gjithë pjesëtarë të familjes e farefisit tim se më prish banesën. Ne nuk kemi ardhur të marrim kolltukun tuaj, na jepni drejtësi. Rruga të vazhdojë, projektet të vazhdojnë, nëse nuk bën transparencë unë do jem aty me gjithë fisin tim. O kryeministër a ke gjak, o Erion Veliaj a ke gjak?
Ju ngrini pallate dhe thoni i kemi legjitime, kurse popullin e trajtoni si diçka për vlerë. Populli është pronari legjitim i një kombi. Ai do ju dënojë një ditë dhe hakmarrja do jetë shumë e afërt dhe mjerë ju!”, tha një tjetër banor.
(BalkanWeb)
Komentet