Teksa gjykata e Apelit në Durrës ka zbardhur disa nga arsyet se pse duhet të lirohej me kusht Lulzim Berisha nga burgu, një ndër to, ka qënë dhe një rekomandim familjar dhe një garanci e lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, për punësimin e Berishës në bashkinë e Durrësit.
Mirëpo pas publikimit të vendimit të gjykatës, ka reaguar kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, i cili në një intervistë në “Shqiptarja.com” thotë se rekomandimi familjar është një procedurë normale ligjore dhe sipas tij ska vend aspak për një skandal.
Dako sqaron se ka njohje me Lulzim Berishën, të cilësuarin nga prokuroria si kreu i bandës së Durrësit, dhe kjo njohje sipas tij ka lindur shumë vite më parë, kur ai ka qënë një sportiest i thjeshtë.
Më tej Dako, thotë se në bashki aktualisht janë dhjetëra të dënuar nga gjykata e Durrësit që bëjnë punë të detyrueshme, por për asnjë rast nuk një gjë e tillë nuk është bërë lajm, siç është rasti i Lulzim Berishës. Kryebashkiaku, shton se nuk ka ndikuar aspak në lirimin e Berishës nga burgu, pasi ai nuk është gjykatë që të lirojë të dënuarit.
Zoti Dako në çfarë rrethana keni lëshuar karakteristikat familjare për Lulzim Berishën dhe pse i keni garantuar gjykatës se pas lirimit nga burgu, do e punësoni pranë administratës së bashkisë Durrës?
Unë nuk kam lëshuar asnjë garanci për punësim. Nuk mund të punësoj këtë person, pasi ma ndalon ligji, për shkak se ka gjëndjen gjyqësore “i dënuar”. Punësimi i tij në bashki bëhet pa pagesë dhe është për punë vullnetare, pasi kompanitë private këto persona të dënuar nuk i pranojnë.
Unë, jo unë personalisht, por bashkia e Durrësit ka momentalisht disa të punësuar me punë të detyrueshme, që vetë gjykata e Durrësit ia ka lënë ngarkim, në mënyrë që këta persona të shlyejnë dënimin të dhënë nga gjykata.
Këta të dënuar, nuk kanë as bordero, por bëjnë punë të rëmdonta, pastrojnë plazhin ose lulishtet e punë të tjera, të cilat monitorohen nga Shërbimi i Provës në Durrës. Ndërsa për karakteristikat familjare, kjo është një procedurë normale që bëhet jo vetëm në bashkinë e Durrësit por edhe në bashkitë e tjera.
A keni pasur presion ju zoti Dako, për lëshimin e një rekomandimi pozitiv ndaj Lulzim Berishës?
Për çfarë presioni po flisni? Kush mund të më ketë bërë presion, për një procedurë normale, që parashikohet nga ligji. Një procedurë të tillë nuk e bën vetëm Lulzim Berisha, por e bëjnë dhe qindra të dënuar të tjerë në Shqipëri dhe në Durrës.
Unë jam i indinjuar pse gjykata e ka evidentuar këtë rekomandim të ligjshëm, që nuk bëhet vetëm për Lulzim Berishën, por edhe për të dënuar të tjerë.
Gjithçka është bërë për të më kthyer në lajm, duke pasur parasysh dhe interesimin e mediave, që kanë për këtë emër. Po jua tregoj me pak fjalë se çfarë ka ndodhur.
Në bashkinë e Durrësit dhe më konkretisht në zyrën juridike vijnë dhjetëra kërkesa nga qytetarët e Durrësit, ku kërkojnë një karakteristikë familjare.
Kjo është një procdurë e ligjshme. Këto karakteristika, i kërkojnë ata që janë në hasmëri, ata që kërkojnë azil, ata që kanë procese gjyqësore etj, pasi kërkohet për efekt dokumentacioni. Është drejtoria Juridike në bashki që merret me këtë pjesë e cila përpilon dhe dokumentacionin.
Për rastin në fjalë, është dhënë një rekomandim pozitiv, duke treguar të gjithë përbërjen familjare, divorcin me bashkëshorten etj. Ky rekomandim i është dhënë familjarëve të Berishës, siç i është dhënë dhe shumë personave të tjerë.
Kjo është e gjithë ngjarja, pavarësisht se çfarë thuhet që Vangjush Dako doli garant për Lul Berishën, që ky i fundit të lirohej. S’ka asgjë të vërtetë. Vangjush Dako nuk është gjykatë, dhe s’mund të lirojë njeri. Kam lëshuar dokumentin siç bëjmë çdo ditë me qytetarët të ndryshëm. Është tjetër gjë që keqintrepretohet nga Gjykata e Apelit.
Kjo gjykatë s’mund të argumentojë këtë karakteristikë në një kohë kur dihet që shërbimi i provës të dënuarit e liruar, i mban në marëdhënie pune të detyrueshme pranë institucioneve të shtetit dhe jo tek privatët, pasi dihet që këta nuk i pranojnë personat e dënuar, qoftë edhe nëse ata bëjnë punë vullnetare pranë kompanive të tyre. Bashkia është e shtetit, nuk është e Vangjush Dakos.
Pse në rekomandimet familjare, është dhënë një opinion pozitiv për Lulzim Berishën dhe familjen e tij. Çfarë kritere janë marrë në konsideratë për një raport të tillë?
Unë jam kryebashkiaku i Durrësit dhe nuk jam zgjedhur në këtë detyrë që të jap vlerësime zyrtare se kjo familje është e mirë dhe kjo është e keqe. Këtë gjë unë nuk mund ta bëj.
Unë çdo qytetar të Durrësit në Bashki e respektoj njëlloj dhe për të gjithë kam dhënë vlerësime pozitive, kur kanë aplikuar për tu paisur me rekomandime familjar. Edhe në këtë rast, kam vepruar ashtu siç kam bërë me rastet e tjera.
A e njihni ju Lulzim Berishën, e keni takuar ndonjerë?
Sigurisht që e njoh dhe sigurisht që e kam takuar. Unë nuk kam lindur kryetar Bashkie, por kam qënë qytetar i thjeshtë në Durrës. E njoh që nga koha kur Berisha ka qenë thjesht një sportiest, mundës.
Voal boton më poshtë shkrimin e Reporter.al
Vendimi i lirimit: Kryebashkiaku i Durrësit garantoi punësimin e Lulzim Berishës – reporter.al
RRETH AUTORITAleksandra Bogdani
Lulzim Berisha, kreu i “Bandës së Durrësit” | Foto kortezi: Policia e Shtetit
Bileta e parakohshme e lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u vulos më 5 dhjetor nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit të siguruar nga BIRN, trupa gjyqësore e kryesuar nga Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin rendit nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori është kushti i kryerjes së ¾ të dënimit sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal. [Kiko këtu për vendimin]
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.
Përveç matematikës së ditëve të burgut, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”. Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.
“Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat,” citohet shkresa e Dakos në vendimin e lirimit.
Më pas, gjyqtarët argumentojnë se “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”.
Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka marrë gjithashtu vlerësimin se Lulzim Berisha “shfaq një gjendje shumë të rënduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të dënimit të vuajtur”, pendesën e tij për krimet dhe faktin se dy prindërit e tij janë të sëmurë rëndë dhe jetojnë vetëm.
Dako nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për të komentuar garancinë e tij për Lulzim Berishën. Mbi këtë çështje refuzuan gjithashtu të komentojnë edhe gjyqtarët Arben Vrioni dhe Petrit Çeno.
Uljet e dënimit

Vendimi i Gjykatës së Durrësit, i cili i ka dhënë të drejtë Berishës të përfitoj nga amnistia | Foto : BIRN
Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.
Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.
Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016. Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012.
Një tjetër faktor që ndikoi në reduktimin e dënimit të tij është zgjatja për vite të tëra e procesit gjyqësor, ku një ditë në qeli si i paraburgosur llogaritet me 1.5 ditë burg.
BIRN analizoi të gjitha vendimet e Gjykatës së Durrësit dhe arriti në përfundimin se ato janë kontradiktore, me bazë ligjore të diskutueshme dhe të mbivendosura në kohë.
Më saktësisht, në shtator të vitit 2015, me vendim të gjyqtares Shpëtime Pitaku, dënimi i Berishës për periudhën 2006-2015 është ulur me 1 vit e 11 muaj burg.
Më tej, më 19 prill 2016, me vendim të gjyqtarit Tritan Hamitaj, Lulzim Berisha ka fituar një ulje dënimi prej 90 ditësh për periudhën prill 2015 –prill 2016, edhe pse ligji parashikon se të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më shumë se 45 ditë ulje dënimi gjatë një viti.
Më 11 maj të këtij viti, me vendim të gjyqtarit Fejzo Hysi, Berisha ka përfituar nga amnistia e vitit 2012 edhe 1 vit e gjysmë ulje dënimi, edhe pse ligji i amnistisë e mohon kategorikisht këtë të drejtë për të dënuarit me vrasje.
Ndërsa me 1 dhjetor, gjyqtarja Eda Kaja ka dhënë një vendim tjetër, duke i ulur edhe 45 ditë burg nga periudha e vuajtjes së dënimit Lulzim Berishës.
Vendimet e marra nga gjyqtarët Kaja dhe Hamitaj janë në kontradiktë me njëri tjetrin për masën e uljes së dënimit dhe të mbivendosura në kohë.
Lulzim Berisha e ka kërkuar lirinë me kusht që në mesin e vitit 2016, por gjykata e Durrësit e ka hedhur poshtë me 28 korrik, duke argumentuar se ai nuk i kishte kryer akoma ¾ e dënimit prej 25 vjetësh, me gjithë uljet e përfituara deri në atë kohë.
Vendimi i Gjykatës së Apelit, Durrës, me kryesues gjyqtarin Arben Vrioni | Foto nga : BIRN
Vendimi i Gjykatës së Apelit, Durrës, me kryesues gjyqtarin Arben Vrioni | Foto nga : BIRN
Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi më 5 dhjetor se kjo kohë është përmbushur pas vendimit të uljes së dënimit me 45 ditë, dhënë më 1 dhjetor nga gjyqtarja Eda Kaja.
Sipas gjykatës, në përllogaritjet e bëra me datë 2 dhjetor, me uljet e përfituara edhe nga vendimi i fundit i shkallës së parë, Berisha kishte vuajtur virtualisht 18 vite e 9 muaj heqje lirie dhe i mbeteshin edhe 6 vite 2 muaj dhe 22 ditë burg, duke përmbushur kriterin bazë të lirimit me kusht.
Në vendimin e lirimit, Gjykata e Apelit Durrës urdhëron Berishën që për një periudhë 5 vjeçare të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës, duke iu nënshtruar programit rehabilitues dhe kushtëzohet që të mos kryejë vepër tjetër penale.
Vendimi i lirimit të Lulzim Berishës shkaktoi reagime të ashpra në Tiranë nga politikanë të mazhorancës dhe opozitës si dhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu.
“Të mërkurën, kreu famëkeq i krimit të organizuar Lulzim Berisha u lirua nga burgu për arsye të panjohura. Ai vuajti më pak se gjysmën e dënimit me 25 vite burg, për 6 vrasje, trafik droge dhe krim të organizuar. Të gjithë duhet të indinjohemi nga ky lajm dhe duhet t’u themi gjykatave të korruptuara se në një demokraci kjo është e papranueshme,” tha ambasadori Lu.
Komentet