VOAL

VOAL

Vaksina e AstraZeneca për koronavirusin më e lirë se vaksinat e tjera

November 23, 2020

Komentet

‘Pacientët me kancer të dënuar me vdekje!’ – Stafa: Ministrja e Shëndetësisë mashtron! Fshehin skandalet (Intervista)

Gazetari Osman Stafa ka demaskuar propagandën e ministres së Shëndetësisë Evis Sala për të mbuluar një realitet tragjik që pacientët me kancer përballen në QSUT, e jo vetëm

I ftuar sot në ‘Kafe Shqeto’ gazetari Stafa tregon për akseleratorin e ri në spitalin Onkologjik në QSUT, një pajisje jetike për trajtimin e kancerit. Ndonëse i ardhur prej pesë muajsh, akseleratori nuk është vënë në punë për shkak të burokracive. Edhe inaugurimi i tij nga Ministria ishte një shfaqje propagandistike. Ndërsa ministrja prezantoi me video trajtimin e pacientit të parë ditën e hënë, dokumentet zyrtare tregojnë se trajtimi i parë është kryer fshehurazi ditën e mërkurë, pas denoncimeve publike dhe nga personel që nuk ishte i trajnuar për përdorimin e pajisjes së re.

Sfata ka një apel dhe për qytetarët të ngrenë zërin sepse nëse sot ata nuk po përballen me spitalet por janë të tjerë, nesër do jenë ata apo familjarët e tyre që do përballen

Gazetari Osman Stafa

Situata në onkologji është dramatike. Pacientet me kancer nuk marrin dot shërbimin e brakiterapisë, një procedurë thelbësore që përmbyll ciklin e trajtimit, duke i lënë ato të rrezikuara nga rikthimi i sëmundjes. Mungesa e këtij shërbimi, është një “dënim me vdekje”, pasi shumë gra nuk kanë mundësi financiare ta kryejnë jashtë vendit, ndërkohë që shteti nuk ofron asnjë rimbursim.

Ka ardhur një akselerator Linear 3 dhe ka bërë shumë mirë që e kanë sjellë, është një lajm shumë i mirë, sepse e kam, kam tre vite që e them që Shqipëria do të duhet të ketë katër ose pesë akseleratorë në mënyrë që të përballojë të gjithë pacientët të cilët vuajnë nga kanceri për të bërë rrezet e jashtme.

Se çfarë bëjnë pacientët me ata dy që kishim ne? Prishej njëri, dhe një terapi rrezeje që duhej të  shkojë 28 ditë, shkonte tre muaj

Akselatori I ri ka ardhur  më 11 dhjetor 2025. Pra, gati pesë muaj edhe nuk u vendos në punë. Del ministrja të hënën, shkon në QSUT, pas dreke, se thotë aty s’ka radhë. E shiko sa bukur e kemi bërë, por pas dreke aty numri bie.  Të shkojë ministrja në orën 8:00, në orën 9:00 aty. Të shkojë aty, ta shikojë dhe ta filmojë. Filmimet që u regjistruan të hënën, jepen të mërkurën.  Dhe thotë aty pacienti i parë e të tjerë e të tjerë. Burimet e mia, 100% të besueshme brenda atij spitali, më thonë, jo, nuk ka pacient të pare.

I kam çuar dhe kërkesë për informacion Drejtorisë së QSUT-së, sepse do e pres atë përgjigje dhe në varësi të atyre përgjigjeve, dhe sido që të jetë, çështja mund të shkojë në prokurori. Sepse po gënjejnë. Sepse po mashtrojnë dhe unë nuk di a është e duhur pajisja për të bërë rrezatimin apo jo?

Nuk ka pacient të hënën kur ka qenë ministrja. Është gënjeshtra e parë, është propagandë. Ti po mashtron publikisht. Duhet të mbash përgjegjësi. Si mundet një ministre e cila vjen nga një eksperiencë ndërkombëtare me tituj, me një eksperiencë që ka qenë e fushës, profesioniste e të tjerë dhe të gënjejë në këtë formë.

Ja është, unë e kam dokumentin zyrtar këtu. Kam emrin e pacientes e të tjerë dhe e shkruajtur dhe këtu. Shiko. Di çdo gjë çfarë ndodh aty brenda dhe prandaj dal dhe flas dhe mund të përballem me ta në çdo moment. Por duhet t’ju vijë turp për këtë gjënë që kanë bërë. Sepse është mashtrim dhe është e shëmtuar. Pra, një, një i njëjti person dhe e njëjta ministre për të cilën thonë që brakiterapia do vijë. Kur do vijë, se ke gra që vuajnë nga kanceri gjinekologjik sot.

A nuk mundet kryeministri që të krijojë një linjë të caktuar për këto gra të cilat vuajnë nga kanceri për të bërë brakiterapinë?

Flavio Qarri: Ti po thua që në Shqipëri kanceri, është dënim me vdekje me këtë shërbim që ofrohet?

Osman Stafa: Në mungesë të brakiterapisë, është dënim me vdekje. Në mungesë të medikamenteve, është dënim me vdekje. Në mungesë të PET-scanit, është dënim me vdekje. Ministrja e di fare mire.  Ajo e di se çfarë është brakiterapia. Ajo e di rezultatin dhe efektshmërinë që ka ky lloj trajtimi. Në qoftë se nuk bëhet, ajo e di që sëmundja rikthehet te gratë.

Pastaj për PET-scani. Mjekët e spitalit onkologjik, në mungesë të PET-scanit, i thonë pacientëve bëni rezonancë magnetike ose skaner të zakonshëm. Nuk e zëvendësojnë PET-scanin. Pra, atë që bën PET-scani nuk e bën dot as skaneri i zakonshëm, as rezonanca magnetike. Skaneri, PET-scani të ndihmon ty që të kuptosh a janë aktive qelizat kancerogjene, a ka metastaza, edhe ato të fshehurat e mundshme që ti sëmundja mund të ketë në trupin tënd. Nuk i bën dot as, as skaneri i zakonshëm, as rezonanca magnetike. Dhe prandaj u mbetet pacientëve të marrin avionin, ata që kanë lekë gjithmonë e ata që s’kanë lekë vëlla e kanë të mbyllur. Do rrinë në shtëpi. Do bëjnë një skaner të zakonshëm ose një rezonancë magnetike dhe me atë do ecë trajtimi i tyre. Por protokolli nuk e thotë kështu. Është shpikur në 2000,  PET-scani dhe akoma nuk është në Shqipëri.

Kosova ka tre PET-scan, ka brakiterapi. Ka 100 poltrona Kosova.

Janë këto realitete të frikshme, tragjedi të shoqërisë shqiptare. Ndërkohë, pikërisht në këtë, nga njëra anë kemi këtë panoramë tragjike, nga ana tjetër kemi këtë përpjekjen e dëshpëruar të Evis Salës, e cila vetë si emërim ishte një emërim propagande, pra sollëm një profesioniste nga jashtë.

Ministrja kur erdhi tentoi të bëjë njerëzoren dhe eci në ato hapat që ishin normal dhe të sinqertë. Sa tha që këtu nuk bëhen analiza 10 ditët e fundit të muajit, doli ministria dy, tre orë më vonë dhe tha, jo, thotë, nuk është e vërtetë. Kur unë kam tre vite, katër vite që them ditë për ditë që ore, 10 ditët e fundit të muajit dhe e kam me prova unë, jo me deklarata, burime e të tjerë, e kam me prova, me fakte.

Del ministrja pastaj, ndryshon totalisht. Aty ndryshoi totalisht. Është pika e kthesës që tashmë nuk është më një mjeke, por është thjesht një person politik, propagandues, e cila mendon se me gënjeshtra, me propagandë do bëjë shëndetësinë.

E di çfarë ndodh? Ministrja mendon se duke pasur një shumicë mediash që i bëjnë lajmet për akselatorin tre pa pikën e verifikimit mendon se do gënjejë gjithë shqiptarët. Po janë njerëzit të cilët shkojnë nëpër spitale, pacientët, familjarët e tyre që shikojnë të vërtetën. Pra, janë ata që shkojnë te Onkologjiku. Se thotë ministrja, s’ka ilaçe. Do t’ia nxjerr unë katër ilaçe tani që mungojnë. Në Elbasan mungon Goserelina për pacientët të cilët vuajnë nga prostata, nga kanceri i prostatës.

Nuk është qëllimi i tyre me zgjidh situatën. Qëllimi i tyre është me i fsheh, me i zhduk skandalet në shëndetësi. Nuk ka zgjidhje, mo. Thjesht i fusin poshtë tapetit aty

Mos mashtroni sepse është gjëja më e turpshme që është duke, është duke ndodhur. Pa brakiterapi, pa PET-scan, pa ilaçe, do jua numëroj, se do jua nxjerr edhe ilaçet që mungojnë. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në, edhe në rrethe. Pa poltrona. Pa ato shiringat elektrike. Pastaj, trombektomi jo, po lente jo,  me mungesa  që lidhen me vigonat, me mungesa të alkoolit.

Ore, reagoni për këtë. Reagoni të paktën për shëndetësinë, për shëndetin tuaj se nesër pastaj do e paguani ju, familjarët tuaj, fëmijët tuaj, gjyshërit tuaj, të gjithë, e gjithë ne me radhë, mo. E na ruajt Zoti, unë e them, sidomos për këtë trombektominë, e arteriografinë, na ruajt Zoti, se po na ra Flavio, shans ne nuk kemi.

Alarmi nga Hantavirusi, Franca shtron dhe karantinon në spitale 22 persona, patën kontakte në anijen “MV Hondius” me turistin që vdiq!

Ministria franceze e Shëndetësisë njoftoi sot (13 maj) se 22 francezët e identifikuar si kontakte të pasagjerit holandez në anijen turistike MV Hondius, i cili vdiq nga koronavirusi, po trajtohen gjithashtu në spitale.

 

Tetë francezët që u nisën me avion më 25 prill nga ishulli i Shën Helenës për në Johanesburg me fluturimin në të cilin ndodhej edhe gruaja holandeze e prekur, “mbeten të gjithë në spitale në Paris”.

Përveç kësaj, 14 kontakte të së njëjtës grua në fluturimin Johanesburg-Amsterdam, në të cilin ajo hipi për pak kohë, mbeten në spitale “në qytete të ndryshme në Francë”, sqaroi ministria.

Dje të martën, Ministrja Franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist, përsëriti gjatë një konference për shtyp se të gjitha kontaktet pritet të qëndrojnë në spital për të paktën “14 ditë”.

Grupi i parë përfshin tre adoleshentë që udhëtonin me prindërit e tyre. Të gjithë ata mbeten në spitalin Pitié Salpêtrière në Paris, tha Xavier Leskier, një specialist i sëmundjeve infektive në spitalin Bichat.

“Ata do të testohen sot”, tha Philippe Bechet, një zëdhënës i federatës kryesore të farmacistëve francezë (FSPF), pas një takimi midis ministrit francez të shëndetësisë dhe sindikatave të infermierëve dhe farmacistëve.

Ndërkohë, qeveria franceze po përgatitet të shpallë një “protokoll për kontaktet” e këtyre personave, shtoi ai.

Përveç kësaj, pesë francezët që ishin në anijen turistike MV Hondius janë në spitalin Bichat nën vëzhgim të ngushtë. Prej tyre, vetëm një grua ka rezultuar pozitive për koronavirusin.

“Ata duhet të testohen rregullisht” bazuar në protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), “ne kryejmë teste çdo dy ditë”, tha për franceinfo Yazdan Yazdapanah, një specialist i sëmundjeve infektive në spitalin Bichat-Claude-Bernard.

“Shpresoj të mos rezultojnë pozitivë”, shtoi ai, duke shpjeguar se edhe në atë rast “këta njerëz janë tashmë në izolim”.

Francezja e sëmurë, një grua mbi 65 vjeç që u kthye në Francë me katër bashkatdhetarë të tjerë në një fluturim special gjatë fundjavës, mbetet e shtruar në spital në një njësi të kujdesit intensiv në Bichat në gjendje të rëndë.

 

Deri në 8 javë në intubim dhe kohë e gjatë rikuperimi! Sa muaj vazhdojnë simptomat pas infektimit me Hantavirus, jeta pas infeksionit

Hantavirusi është kruyefjala e ditëve të fundit, ku frika për një përhapje të gjerë të infektimeve është ndikuar edhe nga ajo që ndodhi me koronavirusin që u kthe në pandemi, edhe pse në rstin konkret ekspertët shprehen se kjo nuk ka shanse të ndodhë.

Ky virus ka një shkallë të lartë vdekshmërie, megjithatë mbijetesa ndaj infeksionit hantavirus nuk do të thotë gjithmonë një kthim i menjëhershëm në gjendjen e mëparshme shëndetësore. Të dhënat e reja nga Kili tregojnë se pacientët e infektuar me llojin e Andeve vazhduan të raportonin simptoma 3 deri në 6 muaj pas gjatë fazës së rikuperimit.

Interesi është rritur ndjeshëm pas rasteve të fundit të lidhura me anijen turistike MV Hondius. Kujtojmë se ky është virusi i Andeve, i cili zbulohet kryesisht në kontinentin (e Amerikës së Jugut).

Dy faktorë e bëjnë menaxhimin e tij sfidues: periudha e inkubacionit mund të jetë deri në tetë javë dhe nuk ka ilaç ose vaksinë antivirale.

Kur infeksioni nga virusi i Andeve përparon në sindromën kardiopulmonare të hantavirusit (HCPS), ai mund të shkaktojë barrë të rëndë respiratore dhe kardiovaskulare. Në këto raste, kujdesi intensiv në kohë bëhet kritik, pasi shkalla e vdekshmërisë është e lartë.

Nuk konsiderohet një kërcënim i tipit COVID-19
Hantavirusi – dhe në këtë rast lloji i Andeve – nuk është i ri për komunitetin shkencor. Prej vitesh dihet se ku është endemik, si transmetohet dhe çfarë pamjeje klinike mund të shkaktojë.

Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se nuk ka prova që ajo mund të zhvillohet në një pandemi të ngjashme me COVID-19.

Megjithatë, përvoja që kemi pasur me koronavirusin në të kaluarën e afërt ka ndryshuar mënyrën se si vlerësohen infeksionet. Pyetja ka të bëjë jo vetëm me fazën akute, por edhe me rrjedhën e pacientëve pas shtrimit në spital.

Studiuesit në Pontificia Universidad Católica de Chile ndoqën 21 të mbijetuar nga infeksioni i virusit të Andeve për 3 deri në 6 muaj. Pacientët u ndanë sipas ashpërsisë së sëmundjes së tyre dhe nëse kishin nevojë për oksigjenim membranor ekstrakorporal, një metodë mbështetjeje që përdoret kur mushkëritë ose zemra dështojnë.
Qëllimi ishte të vlerësoheshin simptomat, funksionimi dhe cilësia e jetës së tyre pas fazës akute.

Ekipi përshkruan se të gjithë 21 pjesëmarrësit përjetuan të paktën një simptomë gjatë periudhës së ndjekjes. Më shumë se 60% thanë se nuk ishin shëruar plotësisht. Mesatarisht, çdo pacient raportoi rreth 11 deri në 12 simptoma. Këto përfshinin lodhje, pagjumësi, ankth, probleme me kujtesën, rënie flokësh, ankthe, çrregullime shqisore dhe vështirësi në lëvizje.

Në rastet më të rënda, problemet me lëvizjen dhe takikardia u identifikuan më shpesh. Megjithatë, shqetësimi i vazhdueshëm u regjistrua edhe tek pacientët që nuk kishin pasur nevojë për oksigjenim membranor ekstrakorporal, duke treguar se shërimi i zgjatur nuk shoqërohet vetëm me kujdes intensiv.

Ndjekje e pamjaftueshme pas daljes nga spitali
Qasja në shërbimet e rehabilitimit nuk ishte e njëjtë për të gjithë. Pacientët me gjendje klinike më të rënda, veçanërisht ata që i nënshtroheshin oksigjenimit me membranë ekstrakorporale, merrnin më shpesh fizioterapi ose mbështetje tjetër.

Në të kundërt, midis të mbijetuarve që nuk kishin nevojë për oksigjenim me membranë ekstrakorporale, vetëm 30% e kishin marrë një kujdes të tillë pas daljes nga spitali.

Shumë prej tyre u përpoqën t’i menaxhonin vetë simptomat e tyre, kryesisht me qetësues dhimbjesh, pilula gjumi dhe vitamina. Vetë-mjekimi ishte veçanërisht i zakonshëm midis atyre që nuk kishin nevojë për oksigjenim me membranë ekstrakorporale.

Vështirësi për t’u rikthyer në jetën e përditshme
Gjetjet treguan se gati 1 në 5 nuk ishin kthyer në punë ose shkollë gjashtë muaj pasi ishin sëmurë. Ndër ata që u kthyen, koha mesatare ishte 3.5 muaj. Shumë prej tyre raportuan performancë të reduktuar, pa ndonjë diferencim të qartë në varësi të ashpërsisë së infeksionit fillestar.

Studimi regjistroi gjithashtu ndikime sociale. Në grupin e pacientëve që kishin nevojë për oksigjenim membranor ekstrakorporal, 45.5% përjetuan stigmatizim në shkollë ose në vendin e punës për shkak të frikës nga të tjerët për sëmundjen. bw

Operacion i pazakontë në një ishull të izoluar, parashutistët britanikë dërgohen për të ndihmuar pacient me simptoma hantavirusi

Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe zhvilluan një operacion të rrallë në një nga zonat më të izoluara të botës, për t’i ardhur në ndihmë një shtetasi britanik me simptoma të dyshuara të hantavirusit.

 

Ngjarja ndodhi në ishullin Tristan da Cunha, në Oqeanin Atlantik Jugor.

Parashutistë dhe staf mjekësor u hodhën nga avioni

Sipas ushtrisë britanike, gjashtë parashutistë, një këshilltar i RAF dhe një infermiere ushtarake u dërguan me një mision special drejt ishullit.

Ata u hodhën me parashutë nga një avion ushtarak për të ofruar ndihmë mjekësore për pacientin britanik, i cili kishte shfaqur simptoma të ngjashme me hantavirusin.

Në videot që po qarkullojnë në internet shihet momenti kur ekipi hidhet nga rampa e hapur e avionit ushtarak.

U transportuan pajisje mjekësore dhe oksigjen

Ekipi mbërriti në ishull duke transportuar pajisje mjekësore, oksigjen dhe ndihma humanitare për pacientin.

Operacioni u realizua me avionin ushtarak RAF A400M, i cili u nis nga baza RAF Brize Norton dhe bëri ndalesë në Ascension Island.

Misioni u mbështet gjithashtu nga një avion furnizimi RAF Voyager.

Ishulli konsiderohet një nga më të izoluarit në botë

Tristan da Cunha ndodhet në Atlantikun Jugor dhe konsiderohet një nga vendet më të largëta dhe më të izoluara të banuara në botë, gjë që e bëri operacionin edhe më të vështirë. Panorama

“Hantavirusi transmetohet nga njeriu te njeriu” Erion Dasho: Është në Shqipëri! Shkalla e vdekshmërisë, më e lartë se në disa vende europiane. 3 mënyrat si mund të infektoheni

Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka ngritur shqetësimin se hantavirusi është i pranishëm në Shqipëri. Sipas Dashos, hantaviruset përbëjnë një familje të madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu. Ai shpjegon se lloji i njohur si “hantavirusi i Andeve” ka qarkulluar kryesisht në Amerikën e Jugut dhe karakterizohet nga transmetimi fillestar nga brejtësit te njeriu, por në raste të caktuara mund të kalojë edhe nga njeriu te njeriu.

“Kjo nuk është diçka e re, është konstatuar prej më shumë se 10 vitesh në Kili dhe Argjentinë, ku pacientët kanë infektuar edhe mjekët që nuk kanë respektuar masat mbrojtëse”, tha ai.

Dasho thekson se rastet në Shqipëri janë sporadike dhe shumë të rralla. Sipas tij, në vend ka pasur një shpërthim në vitet ’80, ndërsa aktualisht shumica e rasteve kalojnë si viroza të zakonshme. Megjithatë, ai paralajmëron se në rastet me komplikacione, hantavirusi mund të jeyë agresiv dhe të kenë vdekshmëri më të lartë krahasuar me vende të tjera europiane.

Sipas ekspertit, një nga burimet kryesore të infektimit është kontakti me brejtësit, veçanërisht minjtë e arave, si dhe me jashtëqitjet dhe urinën e tyre. Kur këto thahen dhe kthehen në pluhur, grimcat mund të thithen përmes rrugëve të frymëmarrjes. Ai shton se mënyra të tjera infektimi përfshijnë edhe kafshimin e brejtësve ose konsumimin e ushqimit të kontaminuar prej tyre.

“Hantaviruset janë një familje e madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu. Hantvirusi në fjalë njihet si i Andeve sepse ka qarkulluar lirisht në Amerikën Jugore. Karakteristika e hantaviruseve janë kalimi nga brejtësit te njeriu. Hantavirusi i Andeve ka edhe mundësinë e kalimit nga njeriu te njeriu. Kjo nuk është diçka e re, ka më shumë se 10 vite që është konstatuar në Kili dhe Argjentinë, zona ku ai qarkullon. Pacientët kanë infektuar mjekët që janë kujdesur pa respektuar masat.
Rastet në Shqipëri janë sporadike, numërohen me gishtat e dorës. Ka pasur një shpërthim në vitet ’80, por momentalisht janë shumë të rralla. Shumica e rasteve kalojnë si një virozë e zakonshme. Por në rastet me komplikacione, variantet që transmetohen në Shqipëri janë agresive dhe kanë një vdekshmëri më të lartë në krahasim me hantaviruset që janë në Gjermani apo vende të tjera.
Fati i keq i Ballkanit është që hantavirusi që prek minjtë e vegjël të arave, që ka një shenjë të verdhë në qafë dhe njihet edhe si miu i verdhë i arave, bëhet bartës i hantavirusit të Beogradit dhe ka një shkallë vdekshmërie të lartë kur komplikohet me komplikacione pulmonare. Ky virus e ka prekur Shqipërinë, është aktiv prej disa dekadash.
Varet vetëm nëse qytetarët kanë kontakt me jashtëqitjen dhe urinën e minjve. Kur ato nuk pastrohen dhe thahen, më pas kthehen në pluhur dhe grimcat mund të merren nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Variantet e tjera janë nga kafshimi i brejtësve ose kur jashtëqitjet e tyre kontaminojnë ushqimin”, tha ai.

“Dhimbja e 2020 nuk mund të shpërfillet, por ky nuk është një tjetër COVID-19”, publikohet letra e shefit të OBSH për hantavirusin

Kreu i OBSH-së ka reaguar pas alarmit të ngritur për frikën e rrezikut të hantavirusit.

Në një letër, e cila është bërë publike, drejtuar banorëve të Tenerifes, Tedros Adhanom Ghebreyesus i siguron se hantavirusi nuk ka të bëjë me COVID-19.

“E di që jeni të shqetësuar. E di që kur dëgjoni fjalën ‘shpërthim’ dhe shikoni një anije që lundron drejt brigjeve tuaja, shfaqen kujtime që asnjëri prej nesh nuk i ka harruar plotësisht. Dhimbja e vitit 2020 është ende reale dhe unë nuk e shpërfill atë për asnjë moment”, shtoi ai.

Shefi i OBSH-së theksoi se rreziku aktual i shëndetit publik nga virusi “mbetet i ulët”.

“Ky është vlerësimi i OBSH-së dhe ne nuk e bëjmë atë lehtë”, shtoi Ghebreyesus. BW

“Epidemia e heshtur”- Gjinekologia ngre alarmin: Diagnostikimet për HIV, bëhen vite pas infektimit! Shkak i përhapjes, turizmi seksual, marrëdhëniet homoseksuale dhe…

Gjinekologia Xhensila Omeri, e ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me moderatoren Megi Latifi, ka ngritur alarmin për përhapjen në rritje të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, sidomos HIV-AIDS.

Sipas saj, një nga problemet më shqetësuese është fakti që shumë persona diagnostikohen pas viteve të gjata nga infektimi, madje edhe pas një dekade, duke rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes tek të tjerët gjatë kësaj periudhe.

Omeri theksoi se trendi i infektimeve është në rritje, ndërsa shpesh rastet zbulohen jo nga kontrolle rutinë, por vetëm pasi pacientët shfaqin komplikacione të avancuara.

Një tjetër fenomen që, sipas saj, ndikon në përhapjen e këtyre sëmundjeve është edhe turizmi seksual.

“Sëmundje seksualisht të transmetueshme quhen epidemia e heshtur. Ka persona që diagnostikohen pasi kanë 10 vite të diagnostikuar, çka shton riskun për infektimin e personave të tjerë gjatë kësaj kohe.
Trendi i infektimeve është rritës, Më shumë se numrat shqetësues është fakti që diagnostikohen jo nga një check up rastësor por problemeve që shfaqen nga infektimi me HIV prej vitesh.
Meshkujt janë 3.5 herë më shumë në numër të infektuar, një nga arsyet janë marrëdhëniet homoseksuale. Nga ana tjetër meshkujt kanë më shumë partnerë se femrat dhe nuk përdorin edhe masa mbrojtëse si prezervativi.
Një nga indikatorët është edhe turizmi seksual, ka vajza që vijnë të punojnë dhe ofrojnë shërbime seksuale në vendin tonë. Kjo është evidente, kam edhe paciente të tilla që ndiqen me analiza dhe kontrolle”, tha ajo.

Mjekja apeloi për rritjen e ndërgjegjësimit, kryerjen e kontrolleve periodike dhe përdorimin e masave mbrojtëse, si mënyra kryesore për të frenuar përhapjen e infeksioneve seksualisht të transmetueshme. bw

KOSI APO KEFIRI? Cilin duhet të zgjedhësh për trupin tënd?- Nga Altin Joka

Shume njerez i shohin si te njejta…por ne realitet, kosi dhe kefiri nuk jane te barabarte.
Te dy vijne nga fermentimi i qumeshtit ,te dy japin probiotike, kalcium, proteina dhe vitamina B
Por ajo qe i ndan… eshte fuqia e tyre reale ne trup.
✅ CFARË NDODH NË FERMENTIM?
Fermentimi eshte nje proces “i gjalle” ku bakteret e mira:
❗️ushqehen me laktozen
❗️prodhojne enzima
❗️krijojne mikroorganizma qe rindertojne zorren
🥛 ✅ KEFIRI – “MBRETI I PROBIOTIKEVE”❤️
Kefiri eshte nje sistem kompleks biologjik, jo thjesht ushqim.
✔️ Përmban 30–50 lloje mikroorganizmash
✔️ Ka 25–30 miliarde CFU (baktere aktive)
✔️ Përfshin edhe maja te dobishme qe mungojne tek kosi
📌 Çfarë do të thotë kjo për trupin?
🌑Rinderton mikrobioten e zorrës (jo vetem kalon si kosi)
🌑Ndihmon ne tretje dhe intolerancë ndaj laktozës
🌑Ka efekt antibakterial dhe antifungal natyral
🌑Ndihmon në uljen e kolesterolit
🌑Stabilizon sheqerin në gjak
🌑Ka efekt anti-inflamator dhe antioksidant
🌑Studimet tregojnë potencial anti-kancer dhe anti-alergjik
Pra nuk ushqen vetem trupin e rinderton nga brenda.
✅ KOSI I MIRE, POR ME I THJESHTE
Kosi eshte nje ushqim i shendetshem, por me strukture me te kufizuar.
✔️ Ka 1–5 lloje bakteresh
✔️ Rreth 6 miliarde CFU
✔️ Nuk permban maja probiotike
📌 Benefitet:
🌑Mbështet tretjen
🌑Ndihmon sistemin imunitar
🌑Ka efekt antimikrobik
🌑Ndihmon ne metabolizmin e yndyrnave
🌑Mund te ndihmoje ne alergji dhe astme
Por bakteret e tij kryesisht kalojne tranzit, nuk kolonizojne si kefiri.
❤️KEFIR VS KOS – DALLIMET THELBËSORE
📍Diversiteti mikrobiologjik
Kefiri shumë i lartë
Kosi i kufizuar
📍Kolonizimi i zorrës
Kefiri PO
Kosi kryesisht JO
📍Laktoza
Kefiri më i ulët
Kosi më i lartë
📍Struktura dhe shija
Kefiri më i lëngshëm, më i thartë
Kosi më i trashë, më i butë
📍 Efekti terapeutik
Kefiri më i thellë dhe më i plotë
Kosi mbështetës, por më i lehtë
⚠️ KUJDES NGA NJË GABIM I MADH
Shumica e produkteve ne market:
❌ kanë sheqer të shtuar
❌ janë të aromatizuar
❌ kanë probiotikë të dobësuar
Lexo etiketën gjithmonë!
Zgjidh:
✔️ pa sheqer
✔️ natyral
✔️ ose edhe më mirë… bëje vetë në shtëpi
❤️ Miq
Nëse kërkon thjesht një ushqim të mirë kosi është ok
Nëse kërkon shërim të zorrës, imunitet dhe transformim real kefiri është zgjedhja më e forte
Shëndeti nuk fillon në stomak… Fillon në mikrobiotë.
Dhe aty, kefiri ka avantazhin më të madh.

Studimi: Meningjiti vret mbi 250 000 njerëz në të gjithë botën çdo vit

Një studim i ri ndërkombëtar ka nxjerrë në pah barrën e rëndë që vazhdon të ketë meningjiti në nivel global, duke shkaktuar mbi 250 mijë vdekje çdo vit, ku më shumë se një e treta e të cilave janë fëmijë, kryesisht në Afrikë.

Sipas kërkimit të publikuar në The Lancet Neurology, në vitin 2023 u regjistruan rreth 2.54 milion raste dhe 259 mijë vdekje nga kjo sëmundje. Autorët e studimit theksojnë se këto janë vlerësimet më të plota deri më sot, bazuar në analizën e 17 patogjenëve të ndryshëm.

Megjithatë, shifrat mbeten me një shkallë pasigurie: ekspertët vlerësojnë se numri i vdekjeve mund të variojë nga 202 mijë deri në 335 mijë, ndërsa rastet nga 2.2 deri në 2.93 milion në vit.

Meningjiti është një inflamacion i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore, i shkaktuar nga viruse, baktere apo kërpudha. Forma bakteriale konsiderohet më e rrezikshmja, pasi mund të jetë fatale brenda 24 orëve nëse nuk trajtohet menjëherë.

Studimi vjen në një kohë kur një shpërthim i fundit në Britania e Madhe shkaktoi dy viktima nga 22 raste të infeksionit invaziv meningokokal B. Autoritetet shëndetësore reaguan me një fushatë të gjerë, duke administruar rreth 11 mijë vaksina dhe 14 mijë doza antibiotikësh.

Ekspertët theksojnë se, megjithëse që nga viti 2000 vaksinimi global ka ndihmuar në uljen e rasteve dhe vdekjeve, progresi është më i ngadaltë krahasuar me sëmundje të tjera infektive.

Rajonet më të prekura mbeten vendet e varfra në të ashtuquajturin “rripi afrikan i meningjitit”, nga Senegali deri në Etiopia. Vendet si Nigeria, Çadi dhe Nigeri raportojnë nivelet më të larta të infeksionit dhe vdekshmërisë.

Faktorët kryesorë të rrezikut për përfundime fatale përfshijnë lindjen e parakohshme, peshën e ulët në lindje dhe ndotjen e ajrit, sipas studimit.

Sipas objektivave të Organizata Botërore e Shëndetësisë, synohet një ulje me 50% e rasteve dhe 70% e vdekjeve nga meningjiti deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2015. Por shkencëtarët paralajmërojnë se ritmi aktual i përmirësimit është rreth gjysma e asaj që kërkohet për të arritur këto objektiva.

Ata nënvizojnë gjithashtu se në shumë vende, sidomos atje ku sistemet shëndetësore janë të dobëta, një pjesë e madhe e rasteve dhe vdekjeve nga meningjiti mbeten të paraportuara, duke e bërë edhe më të vështirë luftën ndaj kësaj sëmundjeje. bw

Kina miraton implantin e parë të trurit në botë! Si do të funksionojë

Kina ka miratuar implantin e parë në tru të projektuar për të ndihmuar njerëzit me paralizë të rifitojnë lëvizjen e duarve, duke shënuar autorizimin e parë komercial në botë për një pajisje të tillë. Pajisja u zhvillua nga kompania kineze Neuracle Medical Technology dhe përdor një ndërlidhje tru-kompjuter (BCI).

BCI-të lidhin sistemin nervor të një personi me pajisje të afta për të interpretuar aktivitetin e trurit të tyre, duke i lejuar ata të veprojnë, siç është përdorimi i një kompjuteri ose lëvizja e një dore protetike, me anë të forcës së mendimit të tyre.

Sistemi Neuracle është i destinuar për njerëzit që kanë paralizë të shkaktuar nga dëmtime serioze të palcës kurrizore në qafë. Këto dëmtime mund të pengojnë sinjalet e trurit të arrijnë në krahë dhe duar.
Sistemi funksionon duke zbuluar sinjale të trurit të lidhura me qëllimin për të lëvizur dorën. Këto sinjale më pas përkthehen nga softueri dhe dërgohen në një dorezë robotike që mban pacienti. Doreza përdor lëvizje me ajër për të ndihmuar dorën të hapet dhe mbyllet, duke i lejuar përdoruesit të kapë objekte, sipas CGTN.

Jo të gjithë pacientët janë të përshtatshëm për ta përdorur pajisjen. Sipas mediave shtetërore kineze, ajo është menduar për të rriturit midis moshës 18 dhe 60 vjeç që kanë pasur paralizë për më shumë se një vit dhe gjendja e të cilëve ka mbetur e qëndrueshme për të paktën gjashtë muaj. Pajisja është projektuar për njerëzit që nuk mund të kapin objekte me duar, por që ende ruajnë njëfarë lëvizjeje në pjesën e sipërme të krahëve.

Kina ka rritur investimet e saj në teknologjinë e ndërfaqes tru-kompjuter vitet e fundit. Vendi kohët e fundit e ka përfshirë teknologjinë BCI si një përparësi strategjike kombëtare dhe planifikon ta përfshijë atë në planifikimin e ardhshëm ekonomik të vendit si një nxitës të mundshëm të rritjes së ardhshme.

Zhvillimi vjen në një kohë kur kompanitë në të gjithë botën po garojnë për të sjellë teknologji të ngjashme në treg. Vitin e kaluar, një tjetër ndërfaqe tru-kompjuter e zhvilluar nga kompania kineze Shanghai NeuroXess tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi një burrë 28-vjeçar, i cili kishte qenë i paralizuar për tetë vjet pas një dëmtimi të rëndë të palcës kurrizore, ishte në gjendje të kontrollonte pajisjet dixhitale duke përdorur mendimet e tij pesë ditë pasi mori implantin në Kinë.

Ndërkohë, Elon Musk tha së fundmi në një postim në X se kompania e tij e implanteve të trurit Neuralink, e cila filloi provat në njerëz në vitin 2024, do të fillojë “prodhimin me vëllim të lartë” të pajisjeve BCI në vitin 2026. Neuralink tha në shtator të vitit të kaluar se 12 persona në mbarë botën me paralizë të rëndë kanë marrë implantet në tru dhe po i përdorin ato për të kontrolluar mjetet dixhitale dhe fizike përmes mendimit. bw

Të rinjtë, marrja e drogave: një krizë shoqërore, kriminale dhe psikiatrike – Nga Dr Zef Mulaj


Në dekadat e fundit, përdorimi i substancave psikoaktive tek të rinjtë është kthyer në një nga sfidat më serioze për shëndetin publik dhe stabilitetin social. Ky fenomen nuk përfaqëson vetëm një problem individual, por një krizë komplekse që përfshin dimensione biologjike, psikiatrike, sociale

Një tru në zhvillim dhe një rrezik i lartë
Adoleshenca është një periudhë kritike e zhvillimit të trurit. Korteksi prefrontal, që kontrollon vendimmarrjen dhe impulset, nuk është plotësisht i zhvilluar. Ndërkohë, sistemi i shpërblimit (dopaminergjik) është shumë aktiv. Kjo krijon një disbalancë që i bën të rinjtë më të prirur drejt sjelljeve të rrezikshme, përfshirë përdorimin e drogës.
Substancat psikoaktive ndërhyjnë drejtpërdrejt në këtë ekuilibër, duke rritur artificialisht dopaminën dhe duke ulur serotoninën, çka çon në varësi dhe humbje të kontrollit.

Pasojat psikiatrike
Përdorimi i drogës lidhet ngushtë me një sërë çrregullimesh psikiatrike:Depresioni i rëndë
Psikoza e induktuar nga substancat

Çrregullime të personalitetit
Në shumë raste, të rinjtë përjetojnë një shkëputje nga realiteti, duke humbur aftësinë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme. Kjo gjendje shpesh shoqërohet me izolim social dhe ndjenjë boshllëku ekzistencial.

Rreziku i vetëvrasjes
Një nga pasojat më tragjike është rritja e rrezikut për vetëvrasje. Kombinimi i depresionit, impulsivitetit dhe humbjes së kuptimit të jetës krijon një terren të rrezikshëm. Studimet tregojnë se përdoruesit e drogës kanë një probabilitet shumë më të lartë për tentativa vetëvrasjeje krahasuar me popullatën e përgjithshme.

Ndikimi në shoqëri dhe kriminalitet
Efektet e drogës nuk kufizohen vetëm tek individi. Ato përhapen në të gjithë strukturën shoqërore:

Rritje e kriminalitetit (vjedhje, trafikim, dhunë)

Shkatërrim i marrëdhënieve familjare

Margjinalizim dhe përjashtim social

Kosto të larta për sistemin shëndetësor dhe juridik

Në veçanti, tregjet ilegale të drogës janë të lidhura me forma të organizuara të krimit dhe dhunës sistemike.

Një krizë e heshtur e shoqërisë moderne
Shumë studiues e konsiderojnë këtë fenomen si një “epidemi moderne”, ku faktorët psikologjikë, ekonomikë dhe kulturorë bashkëveprojnë. Ndjenja e pasigurisë, mungesa e perspektivës dhe presioni social i shtyjnë të rinjtë drejt përdorimit të substancave si një formë arratisjeje nga realiteti.

Diagramë ilustrative  Përdorimi i drogës tek të rinjtë

PËRDORIMI I DROGËS TEK TË RINJTË
────────────
 NDRYSHIME NEUROKIMIKE
Dopamina ↑ | Serotonina ↓

┌─────────────
ÇRREGULLIME TË TRURIT
• Kontrolli i impulsit ↓
• Emocione të paqëndrueshme
 • Varësi

┌─────────────
ÇRREGULLIME PSIKIATRIKE
• Depresion
• Ankth
• Psikozë

 PASOJA SOCIALE 

  • Izolim
    • Braktisje e shkollës
    • Varfëri dhe marginalizim

    └────────────

    KRIMINALITET DHE DHUNË
    • Vjedhje
    • Trafik droge
    • Agresion
    └──
    PASOJAT FINALE
  • Humbje e realitetit
    • Humbje e së ardhmes
    • Rrezik për vetëvrasje ↑
    └───────────

 

Pasojat Psikiatrike: Depresioni, Ankthi, Psikoza, Çrregullime personaliteti
Rreziku i Vetëvrasjes: Impulsivitet, Humbje kuptimi, Probabilitet më lartë për tentativa
Ndikimi në Shoqëri dhe Kriminalitet: Rritje kriminaliteti, Shkatërrim marrëdhëniesh, Margjinalizim, Kosto të larta për sistemin
Përfundim
Rënia e të rinjve në drogë është një problem kompleks që kërkon një qasje multidisiplinare. Parandalimi, edukimi dhe ndërhyrjet e hershme janë thelbësore për të mbrojtur brezat e ardhshëm. Nëse nuk trajtohet me seriozitet, ky fenomen rrezikon të transformojë thellësisht strukturën psikologjike dhe sociale të shoqërisë.
Shoqëria nuk mund të qëndrojë indiferente përballë një krize që prek jo vetëm individin, por të ardhmen kolektive.

 

Shqiptarët vdesin nga zemra gati dy herë më shumë se Bashkimi Europian! Në rritje edhe problemet e shëndetit mendor

Sëmundjet e zemrës dominojnë strukturën e vdekjeve në Shqipëri shumë më tepër se në vendet e Bashkimit Europian.

 

Të dhënat krahasuese nga INSTAT dhe Eurostat tregojnë se 52.9% e vdekjeve në Shqipëri lidhen me sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, ndërsa në Bashkimin Europian kjo kategori përbën 32.8% të totalit të vdekjeve.

Diferenca është e konsiderueshme dhe tregon se shqiptarët humbin jetën nga sëmundjet e zemrës në një nivel gati dy herë më të lartë se mesatarja europiane.

Në Europë, përveç sëmundjeve të zemrës, një peshë të madhe në vdekje kanë edhe tumoret, që përbëjnë 23.9% të vdekjeve, ndërsa në Shqipëri kjo kategori zë 15.3% të totalit. Edhe sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes kanë një peshë dukshëm më të madhe në BE, me 7.8% të vdekjeve, ndërsa në Shqipëri përbëjnë vetëm 2%.

Diferenca të mëdha shfaqen edhe në kategori të tjera të sëmundjeve. Sëmundjet e aparatit të tretjes përbëjnë 4.4% të vdekjeve në BE, ndërsa në Shqipëri vetëm 0.8%.

Sëmundjet mendore përbëjnë 4.3% të vdekjeve në Europë, krahasuar me 0.5% në Shqipëri, ndërsa sëmundjet e sistemit nervor zënë 4.3% në BE dhe vetëm 1.5% në vend. Po ashtu, sëmundjet endokrine dhe të ushqyerjes përbëjnë 3.5% të vdekjeve në Bashkimin Europian, ndërsa në Shqipëri vetëm 0.9%.

Po shtohen pacientët me probleme të zemrës

Të dhënat e fundit tregojnë se rastet me probleme kardiake janë në rritje edhe në sistemin spitalor. Për periudhën janar–gusht 2025, në repartet e kardiologjisë u trajtuan 7,543 pacientë, nga 6,419 pacientë një vit më parë, një rritje prej 17.5%.

Edhe problemet e shëndetit mendor kanë shënuar rritje. Në të njëjtën periudhë, në spitalet psikiatrike u trajtuan 1,129 pacientë, ose 36% më shumë se një vit më parë.

Ekspertët e shëndetit e lidhin këtë tendencë me një kombinim faktorësh që lidhen me stilin e jetesës. Ndotja e ajrit, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme dhe stresi i përditshëm konsiderohen ndër arsyet kryesore që po rrisin simptomat kardiake dhe neurologjike në popullsi.

Ndikimet e fshehura të stresit dhe punës sedentare janë bërë një shqetësim i madh për shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve në korporata dhe biznese.

Mjekja psikiatre Dr. Arjana Rreli, ka pohuar më herët për Monitor se stresi kronik në punë mund të shkaktojë pasoja serioze në shëndetin mendor dhe fizik.

“Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj stresit në mjedisin e punës mund të çojë në lodhje emocionale, shqetësime të gjumit dhe madje edhe probleme kardiovaskulare”, – shpjegon ajo.

Sipas kardiologut Dr. Endri Hasimi, ndikimi i stresit kronik në shëndetin kardiovaskular është shpesh i nënvlerësuar. “Kur një individ është vazhdimisht i ekspozuar ndaj stresit në punë, trupi prodhon sasi të larta kortizoli, i cili rrit presionin e gjakut dhe përshpejton zhvillimin e sëmundjeve të zemrës”, – shpjegon ai. “Për më tepër, mungesa e lëvizjes dhe një dietë e pashëndetshme mund të çojnë në formimin e pllakave në arterie, duke rritur rrezikun e infarktit”.

Edhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në një analizë për ecurinë e sëmundjeve të zemrës vitet e fundit gjeti se sëmundjet kardiovaskulare kanë përparuar me shpejtësi në dekadën e fundit.

Rastet e diagnostikuara çdo vit në spital janë gjithashtu në rritje së bashku me volumin e shërbimeve diagnostike dhe kirurgjikale. Ndërhyrjet by-pass për rivendosjen e qarkullimit të gjakut në muskulin e zemrës të kryera nga QSUT pothuaj janë rritur në mënyrë eksponenciale në 10 vitet e fundit.

Risku i sëmundjeve të zemrës në Shqipëri vjen duke u rritur me moshën dhe është më i lartë tek burrat krahasuar me gratë. Në grup – moshën 30-69 vjeç vdekshmëria dhe sëmundshmëria janë rreth 2 herë më të larta tek meshkujt, ndërsa pas kësaj moshe diferenca zvogëlohet në vetëm rreth 20%.

Diferencat mes grave dhe burrave janë akoma më të mëdha kur krahasojmë sëmundshmërinë. Arsyet e diferencës përfshijnë mbrojtjen hormonale te femrat para menopauzës, si dhe ekspozimin më të lartë ndaj duhanpirjes dhe abuzimit të alkoolit.

OBSH rekomandon t’i kushtohet vëmendje vlerësimit të përgjithshëm të një numri faktorësh risku për sëmundjet e zemrës dhe aksidentet cerebrovaskulare, në vend të një të vetmi, me synim zvogëlimin e riskut total.

Shqipëria renditet ndërkohë ndër një nga vendet me nivelin më të lartë të obezitetit, që është një tjetër faktor rreziku për sëmundjet e zemrës dhe vdekshmërinë prej tyre. Sipas Eurostat 56.5% e shqiptarëve mbi 16 vjeç konsiderohen mbi peshë, duke u renditur në zonën e rrezikut.

Femrat shqiptare duket se janë shumë më të kujdesshme se meshkujt. Sipas Eurostat, 62.3% e meshkujve shqiptarë mbi 16 vjeç konsiderohen mbipeshë, ndër më të lartat në Europë.

Gjysma e femrave shqiptare (50.9%) konsiderohen që janë mbipeshë, sipas të dhënave të Eurostat.


Send this to a friend