Anna Nordstrom, vajza e biznesmenit të ndjerë Vehbi Veliaj, ka kallëzuar penalisht në prokurori 15 gjyqtarë dhe 7 prokurorë, duke i akuzuar ata si personat përgjegjës, të cilët, duke shpërdoruar detyrën, kanë penguar dhe zvarritur në mënyrë të qëllimshme proceset ligjore që ajo ka marrë për të fituar “Dëshminë e trashëgimisë” në masën ½ të babait të saj.
Kallëzimi i shtetases suedeze i është dërguar drejtpërdrejt kryeprokurores së re Arta Marku, të cilën Anna Nordstrom e ve në dijeni për këtë çështje, njëkohësisht me drejtuesen e ONM-së Ginovefa Calavera, drejtuesen e Komisionit të “Vettingut” Genta Bungo dhe dy ambasadorët të huaj në Tiranë: Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Sipas kallëzimit, që Shqiptarja.com e disponon të plotë, mes personave të kallëzuar është dhe vëllai nga babai i Nordstrim, shtetasi Ferik Veliaj, ish-ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, ish-drejtorin e antikorrupsionit Ivi Kaso.
Shqiptarja.com mëson se, mes gjyqtarëve të kallëzuar në prokurori, janë Shkëlqim Miri, i arrestuar për korrupsion, Agim Bendo, Elona Muça etj, ndërsa mes prokurorëve janë Sokol Malaj, Besim Hajdërmataj, Enkeleda Millonaj, Daniela Sula etj. Nordstrom kërkon nga prokuroria që ndaj këtyre njerëzve të drejtësisë të nisë hetim penal dhe disiplinor.
Kallëzimi i Suedezes
Në kallëzimin e saj drejtuar kryeprokurores Arta Marku, shtetësja Anna Nordstrom thotë se ”…po ju drejtohemi me këtë kallëzim, për një çështje civile me objekt “Padi trashëgimie” e cila zvarritet me dashje nga ana e gjyqtarëve në bashkëpunim me prokurorët, që nuk i hetojnë për arsye korruptive të dukshme. …unë, qytetarja Suedeze Anna Vebi Nordstrom duhet të sorollatem 7 vite për një “Dëshmi Trashëgimie” të babait tim. Një veprim i tillë mendoj se nuk ndodh as në Zimbabve, Zambia apo Kongo. Madje edhe vetë ligji i xhunglës e respekton të drejtën hyjnore për të patur një nënë dhe një baba, ndërsa gjyqtarët shqiptarë kanë 7 vite që më sorollatin, duke më mohuar babanë dhe për të më vjedhur pasurinë, që lind nga e drejta e trashëgimisë…”-thotë në kallëzim vajza e Vehbi Veliajt.“Asnjëherë prokuroria e shtetit nuk ka denjuar të hetojë këtë grup gjyqtarësh të korruptuar, të cilët, jo vetëm që e zvarrisin procesin, duke u dorëhequr njëri pas tjetrit, por japin edhe vendime në mashtrim të ligjit, kur ata i detyron Gjykata Kushtetuese”-thotë më tej Anna Nordstrom në kallëzimin e saj paraqitur kryeprokurores Arta Marku.
Në fund, kallëzimin e saj Nordstrom e mbyll duke pyetur se edhe sa vite jetë duhet të humbasë për njohjen e babait të saj, të cilin ia ka njohur Gjykata Suedeze në vitin 1973, por që, në vitin 2013 e në vazhdim, ja kanë mohuar gjykatat Shqiptare, pasi janë tërhequr me dhjetëra gjyqtarë nga gjykimi i kësaj çështje?
Fitimi i gjyqit e zvaritja në apel
Në 27 mars të këtij viti gjyqtari Artan Lazaj i Gjykatës së Tiranës ka vendosur të njohë Anna Nordstrom si vajzën e biznesmenit Vehbi Veliaj, i cili ka ndërruar jetë pak vite më parë. Nordstrom, që pretendon se është vajza ilegale e biznesmenit të njohur Vehbi Veliaj, ka mundur të fitojë gjyqin për njohjen e atësisë dhe futjen si trashëgimtare në pjesën 1/2. Përgjatë 7 viteve këtë çështje e kanë shqyrtuan 45 gjyqtare të ndryshëm të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Pas shumë seancash gjyqësore, Nordstrom ka arritur të fitojë në shkallën e parë gjyqin kundër shtetasit Ferik Veliaj, i cili është djali i ligjshëm i biznesmenit Vehbi Veliaj.
Suedezja Anna Nordstrom pretendon se ka ardhur në jetë nga një lidhje jashtëmartesore e biznesmenit dhe prej tij i është njohur atësia. Pas vdekjes së Veliajt, në vitin 2011, Nordstrom depozitoi një padi në Gjykatën e Tiranës kundër djalit të biznesmenit Veliaj, Ferik Veliaj. Përmes kësaj padie, ajo kërkon të njihej si trashëgimtare e biznesmenit Vehbi Veliaj, si edhe të njihej si bashkëpronare në një të dytën e pasurisë së lënë trashëgim prej tij. Në atë kohë, pas shumë seancash gjyqësore, “Gjykata e gjeti kërkimin e padisë për detyrimin e të paditurit Ferik Velija që të njohë paditësen Anna Nordstrom si trashëgimtare ligjore të Vehbi Velisë të drejtë”-thuhet në vendim. Por ky i fundit i është drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë, ky gjyqtarja Elona Stavri, sipas kallëzimit penal, po e shtyn në mënyrë të qëllimshme dhe zvarit me vendime të ndërmjetme procesin gjyqësor. Pavarësisht kësaj, Nordstrom i është drejtuar tashmë me një ankim vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Apelit, me qëllim rrëzimin e tij.
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste pas nisjes së protestave masive kundër qeverisë, ka zhvilluar një takim me eurodeputeten franceze dhe aktivisten për mbrojtjen e mjedisit dhe çështjet sociale, Emma Fourreau, e cila ndodhet në Tiranë për të mbështetur protestën.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku bëri me dije se gjatë takimit është diskutuar për çështjet e mjedisit dhe rëndësinë e angazhimit qytetar e politik në mbrojtje të natyrës.
Siç shkruan ajo “mjedisi nuk njeh parti. Natyra nuk negocion me vendime të gabuara. Ajo ose mbrohet ose humbet”.
Sipas saj, mbrojtja e natyrës nuk është pengesë për zhvillimin, por një tregues i përgjegjësisë së një shteti ndaj qytetarëve të tij dhe ndaj Europës ku Shqipëria synon të integrohet.
Marjana Koçeku: Me eurodeputeten franceze dhe aktivisten për mbrojtjen e mjedisit dhe çështjeve sociale, Emma Fourreau, e cila erdhi në Tiranë për me e mbështetë protestën.
Folëm për çështjen e mjedisit dhe për randësinë e angazhimit qytetar dhe politik në mbrojtje të natyrës.
Mjedisi nuk njeh parti. Natyra nuk negocion me vendime të gabueme. Ajo ose mbrohet ose humbet.
Mbrojtja e natyrës nuk asht pengesë për zhvillimin. Asht prova ma e madhe e përgjegjësisë së nji shteti ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj Europës që synon me iu bashku politikisht. gsh
Aktivisti Martinjo Myrtollari ka deklaruar se koncerti i Kanye West, i mbajtur më 11 korrik nuk ka sjellë fitimet e pretenduara, por përkundrazi ka rezultuar me humbje.
I ftuar në studion e News24, Myrtollari tha se nga rreth 60 mijë bileta të planifikuara për t’u shitur, janë tregtuar vetëm 25 mijë të tilla. Ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e publikut kishte hyrë me bileta të cilat u shpërndanë falas.
Sipas aktivistit në koncert kanë qenë të pranishëm punonjës të administratës publike, studentë dhe nxënës, të cilët, sipas tij, kanë përfituar nga shpërndarja e biletave falas.
“Shifra e dhënë për koncertin ishte e frikshme. Unë kam eksperiencë me organizimin e koncerteve në Shqipëri dhe nga sa më kanë thënë miqtë e mi, jo vetëm që ky koncert nuk ka sjellë fitim të drejtpërdrejtë, por ka rezultuar me humbje, ndryshe nga sa paraqitet.
Është një informacion shumë i sigurtë, ai koncert ka dalë me humbje. Nga 60 mijë bileta, janë shitur vetëm 25 mijë. Janë shpërndarë edhe bileta falas, aty kanë qenë punonjës të administratës, studentë dhe nxënës, të cilët kanë gjetur një mundësi dhe kanë shkuar në koncert”- u shpreh Myrtollari.
Ish-ministri i Financave dhe ekonomisti Arben Malaj ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për financimin me 4 mln euro për koncertin e reperit amerikan Kanye West, duke kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Malaj shprehet se pretendimet për promovimin e Shqipërisë përmes këtij koncerti nuk qëndrojnë, duke argumentuar se në epokën e inteligjencës artificiale fama nuk blihet, por fitohet.
Sipas tij, Shqipëria përballet me probleme shumë më të mëdha, si cilësia e ulët e arsimit, kostot e larta të shëndetësisë, mungesa e ujit të pijshëm, vështirësitë për blerjen e një banese nga të rinjtë dhe vonesat në sistemin e drejtësisë.
Malaj ngre gjithashtu pyetjen pse shteti nuk investon në promovimin e figurave shqiptare me famë ndërkombëtare, si Dua Lipa dhe talente të tjera, në vend që të mbështesë një koncert të një artisti të huaj.
Reagimi i Arben Malaj:
Fama globale??? Nuk jemi ne epokën e gurit.Ndoshta të mbretërve kryeministrorë, po. Jemi në periudhën e Inteligjencës Artificiale, ku në milionat e sekondës; dhe me shume pak lekë mund të arrish çdo cep të botës dhe çdo individ të botës globale për mirë apo për keq. Ti jeton në “Kopshtin e Edenit” si faraonët e mijëra shekujve më parë. Ti jeton në kullën e fildishtë të arrogancës dhe të urrejtjes ndaj popullit tënd. Jemi vendi i fundit në Evropë në testimin PISA. Pra, të fundit për cilësinë e arsimit. Jemi të parët për koston e lartë të pagesës nga xhepi të faturave shëndetësore, me rreth 65% të shumës së çmimeve të ilaçeve. Jemi të fundit për sigurimin e ujit të pijshëm në qytete dhe fshatra. Jemi të parët në pamundësinë e blerjes së shtëpisë së parë. Sepse ti ndoqe modelin: Shqipëria sa më e shtrenjtë dhe shqiptarët më të varfër. Jemi të fundit në garantimin dhe gëzimin e pronës private. Jemi të parët, të ndëshkuar nga drejtësia e mohuar Jemi të fundit jo vetëm në Evropë, ku : (i) drejtësia vonohet deri në 21 vite dhe (ii) stoku dosjeve të pa shqyrtuara janë rreth 200 mijë. Para pak ditëve rezultuam të parët ne Evrope ku të rinjtë dëshirojnë të braktisin vendin e tyre. Përqindja ishte (i) tronditëse, (ii) shpirtëtisht dërmuese ((iii) ekonomikisht vrastare për ekzistencën tone në të ardhmen, jo shumê të largêt. Janë mbi 67% e të rinjve që duan ta braktisin vendin e tyre. Jemi në shekullin e 21, në shekullin ku fama nuk blihet, po fitohet. Më shumë “famë” Shqipëria ka marrë nga “flamingot” sesa nga një këngëtar ; (i) 400 milion $ pasuri ((ii) bipolar, (iii) urrejtjenxitës dhe (Iv) kontravers. Të cilin e braktisën kompanite më të mëdha sponsorizuese si Adidas për nxitjen e antisemitizmit dhe lartësimin e Hitlerit. Po pse nuk promovohet Shqipëria nëpërmjet Dua Lipës dhe talenteve të tjera me famë botërore nga trojet shqiptare? Ti nuk financove këngëtarin, Ti financove organizatorët. Babëzia jote për pushtet, deri kriminale, nuk ka kufi: (i) etik, (ii) moral, (iii) shoqëror, (iv) Pergjegjesi buxhetore (v) papërgjegjshmëri politike Koha është gjykatësi më i madh! Kujdes nga mallkimi me shpirt i njerëzve të varfër të vendit tonë!
Një në tre nxënës të arsimit bazë është larguar nga bankat e shkollës gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa në arsimin e mesëm numri i tyre është përgjysmuar.
Kjo është panorama që paraqet raporti më i fundit i organizatës “Qëndresa Qytetare”, i hartuar mbi bazën e të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe INSTAT-it, i cili evidenton se sistemi parauniversitar në Shqipëri po përballet me pasojat e drejtpërdrejta të krizës demografike.
Raporti tregon se rënia e lindshmërisë, emigracioni i familjeve të reja dhe plakja e popullsisë nuk po reflektohen vetëm në statistikat demografike, por edhe në jetën e përditshme të shkollave. Më pak fëmijë nënkuptojnë më pak nxënës, më pak klasa, mbyllje shkollash dhe një riorganizim të gjithë rrjetit arsimor, veçanërisht në zonat rurale dhe të thella.
Shifrat janë domethënëse. Në vitin shkollor 2014–2015, në arsimin bazë publik ishin të regjistruar 342,765 nxënës, ndërsa në vitin 2023–2024 ky numër kishte rënë në 228,833. Brenda një dekade, sistemi ka humbur 113,932 nxënës, ose rreth 33% të popullsisë shkollore. Kjo do të thotë se sot mungon një në tre nxënës krahasuar me dhjetë vite më parë.
Situata paraqitet edhe më shqetësuese në arsimin e mesëm. Numri i nxënësve është ulur nga 125,517 në vitin 2014–2015 në vetëm 63,092 në vitin 2023–2024, duke regjistruar një rënie prej afro 50%. Sipas raportit, kjo lidhet me efektin zinxhir të rënies së lindjeve, emigracionit dhe largimit të të rinjve nga vendi përpara përfundimit të arsimit të mesëm.
Tkurrja e numrit të nxënësve ka detyruar edhe riorganizimin e rrjetit arsimor. Në arsimin bazë, numri i institucioneve publike ka rënë nga 1,317 në 1,014, që do të thotë se 303 shkolla nuk funksionojnë më si një dekadë më parë, ose rreth 23% e tyre janë mbyllur, bashkuar ose riorganizuar. Në arsimin e mesëm, numri i institucioneve është ulur nga 381 në 351, një reduktim më i moderuar prej rreth 8%.
Raporti shpjegon se mbyllja e shkollave është bërë kryesisht në zonat me pak banorë, ku mungesa e nxënësve ka detyruar bashkimin e institucioneve ose transportimin e fëmijëve drejt shkollave më të mëdha.
Ndërsa në qytete ky proces është menaxhuar më lehtë, në zonat malore dhe rurale ai ka krijuar sfida për aksesin në arsim.
Një tregues tjetër i kësaj situate janë klasat kolektive, ku një mësues zhvillon njëkohësisht mësim për nxënës të klasave të ndryshme. Numri i tyre ka rënë nga 3,241 në vitin 2015–2016 në 2,253 në vitin 2025–2026, por ato vazhdojnë të jenë një realitet në shumë zona rurale.
Edhe numri i nxënësve që studiojnë në këto klasa është përgjysmuar, duke zbritur nga 35,843 në 17,864.
Raporti vë në dukje se kjo situatë ka pasoja edhe për mësuesit. Rënia e vazhdueshme e popullsisë shkollore do të ndikojë në planifikimin e nevojave për personel arsimor, organizimin e klasave dhe shpërndarjen e mësuesve, ndërsa në zonat ku klasat kolektive vazhdojnë të funksionojnë kërkohen aftësi dhe metodologji të veçanta mësimdhënieje, për të cilat ende mungon një sistem i plotë përgatitjeje.
Në themel të këtij zhvillimi qëndron rënia e lindjeve.
Sipas raportit, numri i lindjeve në Shqipëri ka zbritur nga 35,717 në vitin 2014 në 22,541 në vitin 2025, ose rreth 37% më pak. Kjo do të thotë se edhe në vitet e ardhshme sistemi arsimor pritet të përballet me breza gjithnjë e më të vegjël nxënësish.
Raporti i “Qëndresës Qytetare” arrin në përfundimin se arsimi nuk mund ta përballojë i vetëm këtë sfidë.
Sipas autorëve, tkurrja e popullsisë shkollore është pasojë e krizës demografike dhe kërkon politika afatgjata që lidhin arsimin me mbështetjen për familjet e reja, zhvillimin ekonomik, migracionin dhe planifikimin territorial. Në të kundërt, rënia e numrit të nxënësve do të vazhdojë të sjellë mbyllje shkollash, riorganizim të rrjetit arsimor dhe sfida të reja për mësuesit në të gjithë vendin. /ekofin.al/
Aktivisti Andi Tepelena theksoi se protestat kundër qeverisë kanë sjellë ndryshime në klimën politike dhe se në shtator pritet një zgjerim i kësaj lëvizjeje.
Në një intervistë për News24, Tepelena, pjesë e grupit organizator të protestave, u shpreh se një nga arritjet kryesore të revoltës 43-ditore është thyerja e frikës për të dalë në shesh.
Sipas tij, fakti që qytetarë me bindje të ndryshme politike po marrin pjesë në protesta dhe jehona ndërkombëtare kanë ndikuar në ndryshimin e perceptimit publik ndaj qeverisë. Aktivisti shtoi se Rama nuk është më një “Baba Zot” pasi është diskretituar në sy të qytetarëve.
“Sa i përket arritjeve të protestës, u vra frika e protestës, pak kohë më parë nuk protestohej për asgjë. U rizgjua shoqëria. Deri para një muaji të flisje me Ramën ishte i plotfuqishëm, ishte një ‘BabaZot’, ishte i plotfuqishëm sepse kishte hapur të gjithë hallkat. Sot është i diskretituar në sytë e shqiptarëve pasi të majtë e të djathtë vijnë çdo ditë në shesh, ndërsa mediat botërore hapen me tituj për atë që po ndodh në Shqipëri dhe korrupsionin e qeverisë.”, tha ai.
Tepelena theksoi se protesta do të vijojnë më të fuqishme në shtator dhe se organizatorët po punojnë për përfshirjen e grupeve të reja të interesit.
“Protesta është e qëndrueshme, nuk ka asgjë që të na trembë. Në shtator do të ketë organizim më të madh, jemi në kontakt me grupet e interesit dhe pedagogët e universiteteve. Po punojmë për zgjerimin e grupeve të interesit. Në shtator presim shumëfishim të protestës”, u shpreh ai.
Senatori amerikan, Lindsey Graham, një nga zërat më me ndikim në Partinë Republikane në politikën e jashtme, ka vdekur në moshën 71-vjeçare më 11 korrik. Graham njihej si një nga mbështetësit më të fuqishëm të Ukrainës në Uashington.
Zyra e tij tha se ai vdiq pas “një sëmundjeje të shkurtër dhe të papritur”.
Gjatë viteve të fundit të karrierës së tij, Graham u shfaq si një nga avokuesit më të fuqishëm të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia, teksa po ashtu mbeti mbështetës i fuqishëm në Senat për Izraelin dhe ishte një nga zërat që kërkoi politikë më të ashpër ndaj Iranit.
Aleat i palëkundur i Kievit
Gjatë pushtimit rus të Ukrainës, që nisi më 2022, Graham shndërrua në një nga aleatët më të afërt të Kievit në Uashington, duke u bërë presion administratave të njëpasnjëshme amerikane që të ofronin më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, të ashpërsonin sanksionet ndaj Moskës dhe të mbanin presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai vdiq disa orë pasi zhvilloi një vizitë në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe njoftoi për një legjislacion me mbështetje dypartiake që parasheh vendosje të sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë, legjislacion që ka mbështetjen edhe të Shtëpisë së Bardhë, duke hapur mundësinë që masat të lëvizin përpara.
Legjislacioni, i bashkësponsorizuar me senatorin demokrat, Richard Blumenthal, synon zgjerimin e presionit ekonomik ndaj Moskës duke shënjestruar shtetet që vazhdojnë të blejnë gaz dhe naftë ruse, që paraqesin burim kyç të të ardhurave për përpjekjet e Kremlinit për luftë.
Graham argumentoi se projektligji do t’i jepte Uashingtonit ndikim shtesë për ta shtyrë Rusinë drejt negociatave, duke rritur njëkohësisht koston e vazhdimit të luftës.
“Kemi arritur një marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për një version të projektligjit për sanksionet ndaj Rusisë që ata do ta mbështesin. Kjo do të thotë se ai do të bëhet ligj”, u tha Graham gazetarëve në Kiev më 10 korrik.
Gjatë gjithë luftës, Graham e vizitoi shpesh Ukrainë. Ai u takua vazhdimisht me presidentin Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë të lartë ukrainas, vizitoi objekte ushtarake dhe të mbrojtjes, si dhe argumentoi se mbrojtja e Ukrainës është kyç jo vetëm për sigurinë evropiane, por edhe për ruajtjen e besueshmërisë së SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Qëndrimi i tij i pakompromis ndaj Kremlinit e bëri Grahamin një cak të shpeshtë të zyrtarëve rusë.
Moska dënoi vazhdimisht deklaratat e Grahamit lidhur me luftën dhe autoritetet ruse nisën procedura penale ndaj tij pas komenteve që ai bëri gjatë një vizite në Ukrainë në vitin 2023.
Zyrtarët rusë e kanë paraqitur rregullisht Grahamin si një nga mbështetësit kryesorë amerikanë të një politike më të ashpër ndaj Moskës.
I ashpër ndaj Iranit
Për dekada të tëra, Graham ishte ndër mbështetësit më të fuqishëm të Izraelit në Senatin amerikan dhe një nga zërat më të zëshëm në Kongres që ka kërkuar një qasje më të ashpër ndaj Iranit.
Një kundërshtar i zëshëm i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, Graham mbështeti fushatën e administratës së presidentit Donald Trump, për “presion maksimal” përmes sanksioneve ekonomike ndaj Teheranit.
Ai kishte argumentuar vazhdimisht se Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të ketë armë bërthamore.
Politika e jashtme
I lindur më 9 korrik 1955 në Central, Karolinën e Jugut, Graham diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Karolinës së Jugut, pasi shërbeu në Forcat Ajrore të SHBA-së. Më pas ai vazhdoi karrierën ushtarake në Rezervën e Forcave Ajrore, nga ku doli në pension me gradën kolonel.
Pasi shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së nga viti 1995 deri më 2003, ai u zgjodh senator, dhe shërbeu në këtë post për më shumë se dy dekada.
Një aleat i ngushtë i senatorit të ndjerë John McCain, Graham krijoi reputacionin si një nga përfaqësuesit të krahut të ashpër të politikës së jashtme brenda Partisë Republikane.
Ai mbështeti luftërat në Afganistan dhe Irak, përkrahu fuqishëm NATO-n, avokoi për ruajtjen e një pranie të fuqishme ushtarake amerikane jashtë vendit dhe argumentoi vazhdimisht se udhëheqja amerikane është kyç për sigurinë globale.
Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, akuzoi socialistin Taulant Balla se ka paraqitur pretendime të pavërteta në Strasburg për të justifikuar ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Sipas Zhupës, në atë zonë nuk ka ekzistuar kurrë më parë një aeroport ndërkombëtar, por vetëm një pistë provash e ndërtuar nga italianët rreth 15 kilometra më larg, e përdorur për avionë të vegjël.
Ajo theksoi se një pistë e tillë nuk mund të përdoret si argument për ndërtimin e një aeroporti ndërkombëtar me terminal, pistë, godina dhe infrastrukturë shoqëruese, që sipas saj dëmton habitatet dhe ekosistemin e mbrojtur. Zhupa shtoi se Shqipëria ka detyrime kushtetuese dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e Vjosë-Nartës dhe se zhvillimi i aeroporteve duhet të bëhet në vende që nuk rrezikojnë natyrën dhe biodiversitetin.
Reagimi i Ina Zhupës:
Mashtrimi i Taulant Ballës në Strasburg për aeroportin në zonën Vjosë-Nartë, nuk i reziston fakteve.
Për të justifikuar ndërtimin e aeroportit të Vlorës, në zonë të mbrojtur, ai pretendoi se në atë zonë ka ekzistuar më parë një aeroport. E pavërtetë.
Ajo që ka ekzistuar ishte rreth 15 km më larg, dhe nuk ishte aeroport ndërkombëtar, por një pistë provash e ndërtuar nga italianët për stërvitjen e pilotëve, për avion të vegjël. Kurrë nuk ka patur aeroport aty!!! Pas braktisjes, pista u degradua, natyra e rimori territorin dhe për këtë arsye zona u shpall e mbrojtur.
Por edhe sikur të pranohej ky krahasim, ai rrëzohet nga vetë logjika. Një pistë e vogël nuk mund të përdoret si justifikim për ndërtimin e një aeroporti ndërkombëtar me terminal, pistë, godina, rrugë lidhëse, parkime dhe gjithë infrastrukturën shoqëruese që copëton habitatet, dëmton shpendët dhe shkatërron një ekosistem të mbrojtur.
Është njësoj sikur të thuash se, meqë dikur ka qenë një kasolle peshkatarësh diku, sot ke të drejtë të ndërtosh kulla aty..
Shqipëria ka detyrime kushtetuese dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e kësaj zone, sipas legjislacionit shqiptar, rregullave të Bashkimit Europian dhe Konventës së Bernës. Këto nuk mund të anashkalohen me argumente të rreme apo krahasime që nuk qëndrojnë.
Vlora dhe jugu meritojnë aeroporte, por me standarte që nuk rrezikojnë as avionët nga shpendët në motorr, as shkatërrimin e natyrës dhe habitateve. Mundësitë për të ndërtuar ishin të shumta por donin aty ku mund të shkatërronin një zonë të mbrojtur që ishte pikasur për resorte më pas dhe ju duhej edhe një aeroport për lehtësi.
Teksa vendi ynë është përfshirë nga një valë e gjerë protestash dhe reagimet kanë shpërthyer masivisht kundër një vendimi të beftë të qeverisë për të financuar me 4 mln euro nga fondi rezervë koncertin e këngëtarit Kanye West, ky i fundit duket se ka bërë një gafë. Gafa në fjalë është zbuluar nga aktivisti Gent Progni, i cili ka postuar foton nga llogaria e këngëtarit në rrjete sociale.
Pak para ardhjes së tij në Tiranë, këngëtari bëri një postim ku njoftonte se sot do të ishte në stadiumin ‘Eagle’ në Kashar të Tiranës, por ka ngatërruar shtetin, duke chekuar Turqinë në vend të Shqipërisë.
“Lartmadhnia tha qe do na beje nder koncerti, nderkohe ne profilin zyrtar te Kanye West, shteti ku po shiten biletat dhe do organizohet koncerti nuk shenohet Albania . O RAMEEEE po se di fare ku bie Shqiperia ky 4 milionshi yt”, shkruan Progni në Instagram.
Artisti amerikan mbërriti paraditen e sotme në Tiranë për koncertin që do të mbahet këtë të shtunë.
Për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Tiranës ka vendosur kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në zonën përreth autostradës Tiranë-Durrës. “Eagle Stadium” është ndërtuar në një sipërfaqe prej rreth 65 mijë metra katrorë, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës, ndërsa për organizimin e eventit qeveria ka akorduar një fond prej 4 milionë eurosh.
Të paktën 14 nxënës të shkollës së mesme Petro Nini Luarasi në kryeqytet e gjetën veten të mërkurën të përfshirë në një grup Watsapp-i të emërtuar “Kaney West” të hapur nga një mësues i shkollës në të cilin u publikua një listë me emrat e tyre në të. Në listën e dërguar në grup janë emrat e nxënësve, bashkë me të dhënat e ID-ve të tyre, si dhe oferta për të marrë pjesë falas në “aktivitetin e Kanye West në Tiranë”. Mësuesi i caktuar si shoqërues i grupit të nxënësve, Altin Lika, që jep lëndën e Edukimit Fizik në shkollë, i tha BIRN-it se ai ishte caktuar nga stafi drejtues që t’i lajmëronte dhe t’i shoqëronte nxënësit e përzgjedhur nga drejtoria e shkollës.
“Mesa di unë janë zgjedhur në bazë të kontributeve, nxënës të shkëlqyer apo talente”, tha ai ndërsa shtoi se “as nuk e di sa nxënës do të marrin pjesë, pasi një pjesë e tyre janë me pushime”.
Kjo nuk është e vetmja shkollë ku nxënësit janë mobiluzar nëpërmjet një mekanizmi të paqartë ligjor, për të mbushur shkallaret e koncertit të reperit kontrovers amerikan, i cili është promovuar me bujë dhe para publike nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe. BIRN mësoi se e njëjta metodë mobilizimi për sigurimin e pjesëmarrjes në koncert po përdorej nga të gjitha shkollat në kryeqytet, si pjesë e një angazhimi më të gjerë që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të siguruar dhjetëra mijëra pjesëmarrës falas në stadiumin me kapacitet 60 mijë vendesh.
Përveç shkollave të kryeqytetit BIRN mësoi se listat me ftesa për pjesëmarrje në këtë koncert po shpërndahen edhe në administratën publike. Drejtoresha e shkollës Petro Nini Luarsi, Elsa Lici nuk ishte e arritshme për koment se në bazë të çfarë udhëzimi dhe kriteresh e kishte ndërmarrë shkolla këtë iniciativë. Ndërkohë, në një përgjigje për BIRN, Ministria e Arsimit tha se shpërndarja e ftesave u bë në kuadër të një nisme ndërinstitucionale me Ministrinë e Kulturës dhe ajo e Mirëqënies Sociale, ku një numër i kufizuar ftesash iu vu në dispozicion institucioneve për t’u shpërndarë, sipas kritereve të tyre, nxënësve e studentëve me rezultate të larta, të rinjve në programe sociale ose zhvillimi dhe grupeve me mundësi të kufizuara ekonomike.
“Kjo nismë synon të mbështesë aksesin në aktivitete kulturore dhe artistike për grupe që, për shkak të kushteve ekonomike ose sociale, kanë më pak mundësi për të marrë pjesë në ngjarje të tilla, si edhe të vlerësojë angazhimin dhe arritjet e të rinjve,” tha Ministria e Arsimit.
‘Ai është nje neonazi’
Kanye West. Foto: rodrigoferrari, CC BY-SA 2.0, via Wikimedia Commons
Edhe pse Qeveria shqiptare e kishte konsideruar si një event privat dhe kishte deklaruar se nuk do të jepte asnjë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, ajo vendosi krejt papritur më 6 korrik që të përdorë fondin e emergjencave për akorduar 400 milionë lekë për organizatorët e tij për të kompensuar humbjet nga mosshitja e biletave.
I justifikuar si një vendim për të mos rrezikuar anulimin e koncertit, vetë Kryeministri Rama tha të mërkurën se vendimi u mor “për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat”. Ashtu si Ministria e Arsimit edhe Këshilli i Ministrave pranoi se pjesëmarrja falas në koncert e nxënësve dhe grupimeve të tjera është pjesë e një angazhimi ndërinstitucional dhe se po mundësohet falë kësaj mbështetje financiare nga buxheti i shtetit.
“Qeveria e konsideron një event të rëndesishëm për turizmin dhe për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, në këto kushte kur janë shitur gjysmat e biletave me blerës nga gjithë bota, nuk mund të rrezikojmë anullimin dhe në një moment të fundit është dashur impenjimi edhe i qeverisë për t’a bërë të mundur realizimin e eventit”, tha për BIRN zyra për mediat e kryeministrit Edi Rama. Prej muajsh institucionet shqiptare dhe krerët e tyre janë angazhuar në promovimin e këtij koncerti duke bërë thirrje në rrjetet e tyre sociale për blerje biletash.
Artisti amerikan Kanye West I njohur dhe si ‘YE’, shihet si një figurë tejet kontraverse në arenën ndërkombëtare dhe disa prej koncerteve të tij në Europë janë anuluar pas bojkotit të gjërë dhe kritikave që lidhen me deklarata publike me përmbajtje antisemite, përdorimin e simboleve naziste dhe përdorim të gjuhës së urrejtjes.
Disa nxënës maturantë të gjimnazve në Tiranë, të cilëve BIRN vendosi t’u ruajë anonimatin, pranuan se nuk do të merrnin pjesë në këtë event pavarësisht se mund të siguronin lehtësisht një ftesë falas për shkak të qëndrimeve publike që ky artist ka mbajtur. “Ai është nje neonazi, a e di këtë?” u përgjigj një nxënës, kur u pyet nës do ta ndiqte koncertin e West.
Një mësuese e shkollës Petro Nini Luarasi, e cila foli për nën kushtet e anomimatit tha se e shihte me shqetësim pjesëmarrjen e nxënëse në një event të tillë, ndërsa shtoi se ajo vetë “do të këshillonte nxënësit vetëm për evente që lidhen direkt me shkollën”.
West i ka mohuar kritikat se është antisemit, ndërsa ka kërkuar falje për deklaratat e tij të mëparshme antisemite. Në një letër të hapur të publikuar në janar 2026, reperi deklaroi se nuk ishte “nazist apo antisemit” dhe se i donte hebrenjtë, duke u shprehur njëkohësisht “thellësisht i turpëruar” për veprimet e tij dhe duke marrë përgjegjësi për gjuhën fyese të përdorur në të kaluarën.
Koncert privat, organizim shtetëror
Eagle Stadium po ndërtohet në periferi të Tiranës, për koncertin e Kanye West | Foto: Xhemali Moku/BIRN
Për aktivistë të shoqërisë civile që punojnë për përmirësimin e arsimit, angazhimi i shkollave në shpërndarjen e biletave për një koncert privat përbën një keqpërdorim të sistemit arsimor dhe të burimeve publike.
Kolindo Verdha, nga organizata Qëndresa Qytetare, e cilësoi problematik si financimin e koncertit me 4 milionë euro nga Fondi i Emergjencave, ashtu edhe përfshirjen e institucioneve publike për të rritur pjesëmarrjen në aktivitet.
“Edhe më shqetësuese është se qeveria po përdor institucionet publike për të promovuar një aktivitet privat me qëllim fitimi, duke shpërndarë bileta përmes shkollave,” tha Verdha për BIRN.
Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës nuk duhet të funksionojnë si “agjenci koncertesh”, ndërsa mësuesit nuk mund të shndërrohen në instrumente marketingu për organizatorët privatë. Verdha argumentoi se rasti tregon se fondet publike mobilizohen shpejt kur ka vullnet politik, ndërkohë që arsimi vazhdon të përballet me mungesa infrastrukturore, klasa kolektive, braktisje shkollore dhe mbështetje të pamjaftueshme për nxënësit me aftësi të kufizuara.
Në të njëjtën linjë, Ermelinda Hoxhaj nga Komuniteti i Prindërve për Arsim Cilësor e quajti të papranueshme përdorimin e shkollave për të mbushur stadiumin me nxënës, ndërsa ngriti shqetësime edhe për profilin publik të artistit Kanye West.
“Dërgimi i nxënësve në një event të tillë në formë detyruese është një keqpërdorim i sistemit arsimor si mjet për të mbushur stadiumin,” tha Hoxhaj.
Ajo tha se shumë prindër kanë shprehur rezerva si për deklaratat e diskutueshme të artistit, ashtu edhe për mundësinë që imazhi i fëmijëve të përdoret në një aktivitet që zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, mes protestave antiqeveritare.
Hoxhaj argumentoi se fondet publike do të kishin ndikim më të madh nëse do të investoheshin në psikologë dhe oficerë sigurie në shkolla, terrene sportive ose bursa për nxënësit me rezultate të larta.
“Nëse mbështet me bursa meritash nxënës të talentuar në shkencë, art apo sport, krijon një ndikim afatgjatë në zhvillimin e arsimit. Financimi i një koncerti ka efekt kalimtar dhe nuk sjell asnjë përfitim për sistemin arsimor,” tha ajo.
Një mësues shoqërues i nxënësve të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, nga ana tjetër, tha për BIRN se nuk shihte problem te figura e artistit apo muzika e tij, për sa kohë pjesëmarrja e nxënësve bëhej me miratimin e prindërve.
Edhe qeveria shqiptare ishte e pashqetësuar për kritikat ndaj YE, për aq kohë sa ai ka famë ndërkombëtare.
“Sepse ne nuk gjykojmë artistët, të gjithë kanë kontraversionet e tyre, për qeverinë Kanye West është një artist ndërkombëtar”, tha zyra për mediat e Kryeministrit./Reporter.al
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Pas takimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti ka deklaruar se diskutimi me kryetarin e PDK-së ishte konstruktiv ndonëse nuk pati rezultat konkret.
“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vazhdojë të mbizotërojë”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti ka deklaruar po ashtu se “për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, të mos jetë i asnjë partie, dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit.
Në kuadër të konsultimeve, kryeministri në detyrë Kurti pasdite do të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku./Zyra e Kryeministrit
Analisti i njohur Fatos Lubonja, i ftuar në studion e lajmeve në News24, ka komentuar situatën politike dhe tensionet sociale në vend, ndërsa sot shënohet dita e 41-të radhazi e protestave masive kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.
Lubonja u shpreh se revolta qytetare buron nga keqmenaxhimi dhe vendimmarrjet arbitrare të pushtetit, duke u ndalur specifikisht te alokimi i fondit prej 4 milionë eurosh për organizimin e një koncerti. Sipas tij, ky akt përbën shkelje të Kushtetutës dhe dëshmon se vendi po drejtohet nga një pushtet autokratik.
“Qytetarët protestojnë kundër arrogancës e zhvatjes. Nuk jemi për instalimin e një diktature revolucionare, nuk jemi për përdorimin e dhunës. Jemi në një situatë ku kërkojmë zgjedhje të lira. Por kjo ka edhe anën tjetër të medaljes, sepse Marx thotë për revolucionet se arma e kritikës nuk e zëvendëson dot kritikën me armë. Rama ka shkelur Kushtetutën duke dhënë 4 milionë euro për një koncert, nuk ka mësuar asgjë nga kjo protestë,” deklaroi Lubonja.
Më tej, analisti lëshoi kritika të ashpra ndaj deputetëve dhe ministrave të maxhorancës, duke vënë në dyshim integritetin e tyre dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
“Çfarë deputetësh janë ata, çfarë ministrash janë ata? Pse, me ligj do shkojmë ne apo me kode nderi e turpi që shpikin? Shqipëria turpërohet nga ky akt sepse tregon se nuk është një demokraci ku vendos populli, por vendos një autokrat që i jep 4 milionë euro një kompanie private. Ky duhet te frenohet nga parlamenti, opozita dhe drejtësia,” përfundoi Fatos Lubonja në analizën e tij.
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave, përmes të cilit është miratuar një fond prej 4 milionë eurosh për kompaninë organizatore të koncertit të këngëtarit Kanye West në Shqipëri.
Lapaj ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e çdo veprimi që lidhet me kryerjen e pagesave, ndërsa ka deklaruar se dyshon që fondet mund të jenë kaluar tashmë.
“I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese të pezullojë çdo veprim për të bërë pagesat, edhe pse kam përshtypjen se këta i kanë bërë pagesat. Së dyti, kemi kërkuar shfuqizimin e këtij akti si në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë”, u shpreh Lapaj. gsh
Komentet