Aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë shkoja shpesh në Lidhjen e Shkrimtarëve. Çoja krijimet e mia të pakta, dy ,më së shumti tri vjersha dhe, tërë rrugës kisha emocion.Ndërkohë përgatisja me ngut edhe vëllimin tim të parë , sepse aso kohe, edhe me një libër të vetëm, të pranonin kandidat, madje edhe anëtar të Lidhjes dhe, unë e dëshiroja dhe e ëndërroja këtë anëtarësi.Për fat, më prisnin ngrohtësisht, më ndihmonin dhe,më silleshin sikur të isha plotësisht i rritur dhe jo një tetëmbëdhjetëvjeçar fluturues…
Shkrimtarët dhe, veçanërisht poetët, të cilëve ua lexoja rregullisht çdo gjë që botonin, i shihja tërë kërshëri dhe admirim të ndrojtur, tek hynin e dilnin nëpër mjediset e Lidhjes.Ata, të gjithë pa përjashtim kishin në sytë e mi një hije sunduese monumentale, që nuk u hiqej edhe atëherë, kur bënin shaka me njeri – tjetrin, edhe kur njeri – tjetrin e fyenin, e poshtëronin, apo e ndëshkonin rëndë.Eh, kështu ishte fillimi, por çdokush nga ne e di sa shpejt përdhoset gjithçka …
Një mëngjes në Lidhje u shfaqën tre redaktorë të rinj, I solli nëna Parti nga gjiri i klasës punëtore dhe,vendimet e saj, dihej që ishin supreme dhe të pakundërshtueshëm.Tyryfylë të tillë, që këpusnin gafa nga më të paimagjinueshmet, u përhapën pa dyshim edhe nëpër zyrat e administratës shtetërore, edhe nëpër ministri, në Komitetin Qendror, si edhe në vetë kupolën e Partisë, në Byronë Politike…
Këta ” talente të rinj” të letërsisë, që gjer atëherë veçse kishin shkarravitur ndonjë faqe fletoreje, apo më e shumta,kishin botuar ndonjë libërth,do të përçonin të pastër vijën dhe mësimet e Partisë nëpër radhët e shkrimtarëve të intelektualizuar, të plogështuar dhe të molepsur nga mënyra mikroborgjeze e të jetuarit dhe të menduarit, apo edhe nga burokratizimi atrofizues dhe nga izmat moderniste. I kishin harruar shkrimtarët fodullë temat e mëdha ;merreshin me vogëlsira të parëndësishme,trajtonin detaje, jo vetë historinë, që gdhendej çdo ditë në granitin e epokës revolucionare të socializmit, por ” talentet e rinj “, të devotshëm, siç ishin dhe, tërë energji, do t’i trandnin ata fort, do t’i zgjonin dhe, do t’i gjykonin : hej po flet klasa !…
Një skeç i estradës së Durrësit, që vinte në lojë një shkrimtar, sepse nuk dallonte dot kallëzën e grurit nga ajo e thekrës, jo më kot ishte i suksesshëm dhe pëlqehej aso kohe deri lart…
Po; i kujtoj fare mirë edhe sot e kësaj dite kur ata filluan punë në Lidhje. Njeri ishte axhustator, tjetri marangoz dhe, i treti murator.Për dy të parët thoshin se kolektivat e ndërmarrjeve, nga të cilat kishin ardhur, ishin gëzuar aq shumë prej largimit të tyre, sa, me atë rast kishin ndarë bujarisht edhe llokume.Sepse ata birbot na paskëshin qëlluar dembelë të mëdhenj, grindavecë dhe, patjetër edhe spiunë, që i ngatërronin dhe i merrnin në qafë të gjithë ata që u ndodheshin rreth e rrotull.Dhe vërtet, edhe me të vënë këmbë në Lidhje, filluan të përplasnin grushtin mbi tryezë, filluan të ngrinin zërin, të dërgonin raporte të gjatë në Komitet të Partisë ” për gjendjen katastrofike dhe armiqësore që mbizotëronte në institucion”; filluan t’i fyenin shkrimtarët shkak e pa shkak, filluan t’i trembnin dhe t’i kërcënonin, duke i këshilluar në të njëjtën kohë që të mos u krekoseshin më atyre ” punëtorëve të dikurshëm” . sepse sakaq ishin bërë kolegë të barabartë…
Por vetë e kalonin tërë ditën e ditës nëpër kafene, megjithatë, asnjë herë nuk harronin të merrnin me vete ndonjë vepër të Enverit, të cilën e mbanin sa më dukshëm ndër duar, ndonëse nuk e shfletonin dhe nuk e lexonin…
Por i treti, muratori, qëlloi burrë i mirë.Se ç’kishte shkruar një tregim, që ia kishte ujdisur për botim një redaktor mediokër dhe, s’dihej nëse kishte ndër mend të shkruante më, apo jo. Zihej ngushtë sa herë bisedohej për letërsinë dhe nuk hynte në diskutim.Kishte sy të çiltër, që nuk i përmbyste në asnjë rast, të folur të ngadaltë dhe të njëtrajtshm dhe, lodhej shpejt dhe mundohej, kur i duhej të mësonte ndonjë gjë të re.Por nuk qeshje dot me të dhe, s’e vije dot në lojë edhe atëherë kur tregohej fare naiv.I kishte pranuar përfundimisht me bindje të plotë mësimet e Partisë dhe të udhëheqësit të saj, njëlloj siç i pranojnë edhe besimtarët fanatikë dogmat e fesë së tyre, prandaj ishte e vështirë ta gjykoje dhe ta fajësoje, sepse ai nuk shtirej.Një pasdite tek po shëtisja në Bulevardin Dëshmorët e Kombit me një shokun tim që sapo ishte kthyer nga Franca, ku kishte studiuar për gjuhë dhe letërsi frënge, u gjenda papritur ballë për ballë me muratorin shkrimtar. Me t’i prezantuar, ai iu kthye shokut tim dhe, me seriozitet dhe me detyrimin që ia ngarkonte solidariteti proletar, iu drejtua:
– Pse studiuakan të rinjtë tanë në Perëndim ? Kushedi sa vuante njerëzia e shkretë për bukën e gojës, atje në atë Francën ku paske qenë ti ?
Shoku im u fry dhe u skuq, ndërkohë iu zgurdulluan edhe sytë, megjithatë, i instruktuar më së miri, siç ishte, për të përballuar edhe kësi rastesh, iu përgjigj:
– Ç’t’i bësh, ja që atje në Francë nuk qeveris një parti komuniste si kjo e jona !
– E dëgjove shokun tënd ? – m’u kthye menjëherë mua gjithë qortim muratori shkrimtar – Prandaj, mos sillni më në redaksi poezira me lulka e bulka, por poezi të forta, ku të përshkruhet, bie fjala, se si prodhohet buka, si vjen ajo gjer në sofrat tona.A e di ti se , kryetarët e kooperativave bujqësore japin rregullisht llogari deri më një në qendër për shëndtin e grurit n’arë, për të cilin mbajnë përgjegjësi po aq sa edhe për fëmijët që kanë në shtëpi ?Lesim plehrim kullim ; lere or’ aman! E pra,ç’të bëj unë me poezitë tuaja, ku t’ua gjej vendin tani që ma caktuan mua faqen poetike në gazetë ? Ngushtë zihem, por do t’ia dalim mbanë, ja ashtu, duke u përpjekur bashkërisht…
Kur u largua shkrimtari murator dhe mbetëm përsëri të dy, shokut tim s’iu durua:
– Ç’ishte ky, idiot,apo bir kurve…
Qesha shpërthyeshëm,ngaqë s’e përmbajta dot veten dhe më pas iu përgjigja :
– O, jo jo; s’është as ashtu e as ashtu.
Më pas ia shpjegova me durim sesi qëndronte puna me muratorin e ardhur në Lidhjen e Shkrimtarëve, së bashku edhe me dy punëtorë të tjerë, por shoku im i çmësuar,siç duket, njëfarësoj me mbrapshtitë e realitetit shqiptar, ndonëse babai i tij zëvendësministër i parë, me siguri që e instruktonte rregullisht,mezi më mori vesh, ndërkohë që u bë tepër nervoz dhe na e prishi kënaqësinë e shëtitjes.
– Por është burrë i mirë ; – i shtova më në fund pas një pauze të gjatë – asnjë herë nuk të bën keq, s’të provokon dhe nuk rrotullon thashetheme lart e poshtë. E pe ndopak me vëmendje ? Gjithë dimrit nuk mban më shumë se ajo bluza me tri kopsa, që kishte veshur edhe tani.Pëllëmbët i ka të stërmëdha dhe si të ënjtura, ndërsa gishtat përplot të prera plagësh dhe me gjysmëthonj.E kanë caktuar,siç e dëgjove edhe vetë, redaktor të faqes së poezisë në gazetën e Lidhjes dhe, ndonëse më sillet miqësisht, siç i sillet në fakt kujtdo,më ka hapur telashe…
Dhe vërtet na vuri në vështirësi muratori shkrimtar, sidomos ne të rinjve.Por ç’t’i bëje dhe çfarë t’i thoshe ? Asnjë argument tjetër nuk pranonte, përveç atij që rrekej ta paraqiste vetë, ndonëse të dëgjonte pa të ndërhyrë dhe pa të ndërprerë.Poezi të forta, poezi të forta…
Një ditë i shkova në zyrë për ta pyetur se ç’mendim kishte për ciklin tim të fundit me poezi që ia kisha dorëzuar qyshkur.Ç’mendonte dhe çfarë kishte vendosur të bënte me të ? Ishim ulur ballë për ballë dhe m’u desh të prisja derisa të mbaronte së lexuari një dorëshkrim që e kishte filluar pa hyrë në zyrë unë . Ngaqë nuk kisha çfarë të bëja, nisa ta shoh tek lexonte dhe tek korrigjonte gjithë stërmundim me stilolaps.Dora e tij, që më bënte çdo herë përshtypje, e regjur siç ishte, të shtrëngonte të tjera vegla, fjala vjen, lopatën, apo qylyken, mistrinë apo çekanin ; e aftë të ngrinte thasë çimentoje, apo tulla, të lëvizte gurë të mëdhenj, apo blloqe betoni, tani fare pa dashje dhe, pa e kuptuar ushtronte të njëjtën forcë edhe ndaj stilolapsit, prandaj dridhej e dridhej, mbi letër, a thua se muratori i shkretë vuante nga parkinsoni.Kush e mori në qafë këtë njeri, duke e sjellë këtu në Lidhje,kujtohem edhe sot, që kam arsyetuar me vete në ato çaste të pritjes, kush e nxori nga rrethi i vet dhe e hutoi ! …
– Pa shih , pa shih; rinia po i shtrin anekënd shinat e hekurudhave , po i djeg në zjarrin e revolucionit biblë e kuran , kurse ti ja, ç’më ke sjellë përsëri : hena ndër degët e zhveshura / një gjethe vjeshte që s’ka rënë ende…E si t’ia dorëzoj kryeredaktorit unë këto – m’u kthye i shqetësuar dhe vazhdoi:
– E dorëzove librin për botim ? Po ? Pse s’më ke thënë ?.Nëse ke futur në të veçse poezira të tilla tralala e trilili, s’do të të vejë puna mbarë, ta dish Do të ta kthejnë vëllimin për ta rishikuar dhe për ta pasuruar me cikle tematikë, siç thuhet.
– Kam futur më shumë se dhjetë vjersha për aksionet e rinisë, por edhe ato, ashtu sipas mënyrës sime i kam shkruar. Nuk dal dot nga vetja !
– Prit,prit, sepse je fare i ri ! Ah, të të kisha unë atje në brigadën time,te ” 21 Dhjetori” ! Ta tregoja unë ty si dilje nga vetja.Por,ç’po them ! Ti je djalë i edukuar dhe unë do të të ndihmoja dhe do të të mbaja afër.Dëgjo ! do t’i propozoj kryeredaktorit të të nisë me shërbim në disa rrethe, ku ka kantiere të mëdha ndërtimi.Për shembull, në Vaun e Dejës, që e kanë quajtur ” kantieri i dritës ” .Shko e shih si punohet ! Shko e shih dhe na sill nja dy reportazhe të mira …
Por unë mezi prisja të botoja një cikël të ri me vjersha, që të dilja të dielën paradite te Rruga e Dibrës dhe të bashkohesha pastaj me poetët, që harxhonin me qejf të dukshëm honoraret, te kafeneja e potershme letrare, atje, në pallatin përballë Mapos së Madhe, ku blinim gjithçka na duhej për t’u veshur…
Një ditë, gjithashtu krejt papritur,e larguan nga Lidhja muratorin shkrimtar dhe, ne mësuam se e kishin emëruar në Komitetin Qendror, të punonte si instruktor për problemet e artit dhe të kulturës .As në ëndërr nuk e kishte parë një kapërcim të tillë ylberor, punëtori i shkretë; nga maja e çatisë së popullit, ku radhiste e radhiste tjegullat mes acarit të madh, apo mes diellit përvëlues,këlltum e në çatinë e Partisë,ku ndodhej edhe zyra e Enverit…
U habitëm shumë të gjithë, por nuk e komentuam dhe nuk e shprehëm habinë tonë,sepse nuk na e mbajti.Madje, disa thanë krejt të kundërtën e asaj që mendonin : ja, të tillë njerëz i duhen Partisë, sepse ia forcojnë detashmentet…
Muratori u bë shoku shok dhe në Lidhje vinte vetëm atëherë kur i duhej të sillte direktivat nga lart apo për të kërkuar llogari, kur Partia shfaqte shqetësime. Udhëtonte me një makinë luksoze, të mbyllur me perde anash dhe prapa dhe, sigurisht që nuk mbante më atë zhilenë e tij me tri kopsa, por një kostum të ri, në ngjyrë të çelët, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe, nyjën e së cilës e lironte vazhdimisht, si të ishte nyja e një litari, që ia merrte frymën pak e nga pak.Herën e parë, kur e pamë të zbriste nga makina përpara Lidhjes u afruam të ndrojtur për t’i folur dhe për t’i zgjatur dorën,sepse menduam se do t’i ishte rritur mendja sakaq, por, me të vënë re se u skuq si i zënë në faj, u çliruam dhe u takuam tërë përzëmërsi.I ziu murator !Kur hipte majë skelave, apo majë çative, me siguri që nuk i merrej mendja, kurse në çastin që doli nga vetura rrëzëllitëse, e humbi për pak drejtpeshimin.
– Ç’bëhet këtej ?- pyeti sa për të thënë diçka – Si keni qenë me shëndet, si ju kanë vajtur punët ?
– O, mirë,fare mirë ! – u përgjigjëm ne të gjithë sa ishim përballë tij.
– Urime për librin ! – m’u kthye mua, pastaj – Në fillim ta pritën mirë, por tani po ta kritikojnë,hë ? Me ty që je fare i ri e gjetën të merren ? Sidoqoftë, ul kokën dhe reflekto !Në këtë moshë korrigjohesh më lehtë…
U mërzita mjaft që m’i kujtoi kritikat, të cilat ma kishin shkrumbëzuar gjithë gëzimin që më përfshiu me t’u botuar dhe me t’u shpërndarë libri. Kushedi sesi do të përfundonin ato kritika, por nëpunësi i lartë i Partisë nuk ma përmendi se më kishte paralajmëruar prej kohësh për to .U ndamë, po ku ta dinim ne se e shihnim për herë të fundit ?
Një mëngjes të diele,doli nga shtëpia për të pirë kafe dhe, teksa kapërceu rrugën, diku te monumenti i Ushtarit të Panjohur ,u hutua, nuk bëri dot as para as mbrapa dhe, një makinë që po vinte në atë çast me shpejtësi drejt tij, e përplasi në asfalt,duke e lënë të vdekur në vend .
I ndjeri murator ! Kishte harruar të ecte më këmbë.
Komentet