SHBK „Salih Çekaj“ në Zvicër i uron 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – mbarë popullit amerikan, duke i dëshiruar paqe, mirëqenie dhe përparim të mëtejshëm.
Njëkohësisht, kjo është një ditë e madhe edhe për mbarë popullin shqiptar, sepse pikërisht në Amerikë lindi, u ushqye dhe u forcua shpresa jonë për liri, demokraci dhe pavarësi. Populli shqiptar nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen vendimtare që Shtetet e Bashkuara i dhanë kombit tonë në momentet më të rëndësishme të historisë.
Nga Presidenti Wilson, i cili mbrojti të drejtat e shqiptarëve në kohët më të vështira, e deri te presidentët Bush dhe Clinton, që kontribuan fuqishëm në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, Amerika ka qenë gjithmonë në anën e drejtësisë dhe të lirisë. Sot, mbështetja e Shteteve të Bashkuara vazhdon edhe nën administratën e Presidentit Trump, duke dëshmuar se miqësia shqiptaro-amerikane mbetet një vlerë e çmuar dhe strategjike për kombin tonë.
Këtë miqësi duhet ta ruajmë si sytë e ballit, sepse është trashëgimia më e çmuar politike dhe kombëtare që kemi. Siç na porosiste Presidenti historik i Kosovës, Prof. Ibrahim Rugova: „Në miqësi të përhershme me SHBA-të.“
Në këtë ditë të shënuar, shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për popullin amerikan dhe për udhëheqësit e tij, të cilët në vazhdimësi qëndruan pranë shqiptarëve, duke mbrojtur lirinë, të drejtat dhe dinjitetin tonë përballë sfidave dhe armiqve shekullorë.
Zoti e bekoftë Amerikën!
Zoti e bekoftë popullin amerikan!
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!
Zoti e bekoftë dhe e forcoftë përgjithmonë miqësinë shqiptaro-amerikane!
Me shumë nderime,
Kryesia e SHBK „Salih Çekaj“ në Zvicër
