Nuk kuptohet dhe nuk tregohet qartë përmes këtij foto-lajmi/njoftimi të botuar në ATSH se ku ndodhet ky mjedis/objekt që merret si shembull. Cilës sipërmarrjeje private apo shtetërore i përket dhe çfarë nuk shkon në të. Do të duhej një kërkim i mëtejshëm ndoshta për të shpjeguar rëndësinë e një vendimi të freskët të qeverisë, konkretisht “Vendimi nr. 666, datë 2 shtator 2026“, për të kuptuar standardet.
Njoftimi në vetvete përmbledh disa pika ose më saktë një listë të rëndësishme (si të përmbledhur nga Chat GPT-ja pa përvojë njerëzore), për zbatimin nga subjektet e biznesit mbi parandalimin e ndotjes së mjedisit dhe moton “ndotësi paguan”. Në fund ky veçon se:-“Vendimi synon edhe përafrimin e pjesshëm me Direktivën 2004/35/EC të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, për përgjegjësinë mjedisore në lidhje me parandalimin dhe riparimin e dëmit mjedisor.”
Aspak dyshues për përmbajtjen e dokumentit si dhe për nevojën e përshtatjes së tij në kohë, i krahasuar ky mes viteve 2004 kur u hodh në KE dhe atij të muajit Shtator 2026 që e ka kaluar qeveria shqiptare mendojmë se ky njoftim ka nevojë që të ndërgjegjësojë më thellë publikun.
Këtu kuptohet që AKM-ja (Agjencia Kombëtare e Mjedisit), do të zbatojë vendimin sipas VKM-s, por problematika e gjithanshme mjedisore që ka përfshirë të gjithë territorin e vendit kërkon që të identifikohen burimet materiale, financiare dhe njerëzore për ta realizuar afatin e vendimit.
Nuk është thjeshtë vetëm gara e përpunimit të dokumentacionit ose përafrimin e tij me KE-në, por rezultati në terren dhe koha e zbatimit janë kompleksi i gjërave që do të përcaktojnë një pjesë të kritereve në fushën e mjedisit. Me direktivën ideologjike dhe politike të Rilindjes Socialiste ‘BE-2030’, pikërisht kjo “garë” duhet marrë seriozisht dhe me transparencë sepse kuadri ligjor dhe grup kapitujt nuk janë thjeshtë dhe vetëm mjedisi në letër.
Mjedisi Shqiptar, pasuritë natyrore, biodiversiteti, uji, ajri, pyjet, territoret rurale dhe hapësirat urbane, përpunimi i mbetjeve e shumë të tjera janë në një gjendje krize dhe emergjence aq të madhe për të gjithë ata që duan ta kuptojnë aq sa vullneti vetëm për letra dhe nxjerrje vendimesh është thjeshtë një burokraci pa realizimin në terren që nuk ndihmon as cilësinë e jetës së gjallesës dhe të shtetasve.
Shembujt janë të panumërt nga të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike dhe shoqërore.
Mendësia dhe veprimi në praktikë duhet të ndryshojnë me urgjencë.
Vlen të kujtojmë se shumë specialistë mjedisorë dhe ligjbërës edhe pse shenja për “Anulimin e Ligjit 21/2024” u dha dhe u zgjua me fillimet e Protestës Qytetare kundër dëmtimit të natyrës në Zvërnec. Ajo u mbështet dhe u këshillua edhe nga disa parlamentarë evropianë. Ky ishte momenti i aksionit qytetar për ndërgjegjësim dhe ndërhyrje. Premtimet politike nga Rilindja Socialiste për mandatin e katërt të mbetura thjeshtë në nivel propagande dhe për pushtet vetëm sa mbulojnë korrupsionin. Ishin pikërisht zbulimi i pengesës, ajo çka tregoi se si mënyra burokratike e parti shtetit vepron me paaftësi e ushqehet. Tregoi atë se si propaganda me të cilën qeveria shqiptare operon të bën të kuptosh se afatet nuk do të mbahen dot kurrë. Sepse punë konkrete me të tilla përmasa kërkojnë investime në terren të cilat kanë treguar se kanë mbërritur më parë në xhepat e pushtetarëve dhe klientelës së pushtetit se në destinacionet në dobi të natyrës/mjedisit.
Thjeshtë duke vëzhguar Direktivën 2004/35/EC të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit (Directive 2004/35/CE of the European Parliament and of the Council of 21 April 2004 on environmental liability with regard to the prevention and remedying of environmental damage) ku në fund të saj në Nenin 19 mbi Zbatimin shkruhet se:-“ 1. Shtetet anëtare nxjerrin ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për t’u pajtuar me këtë Direktivë deri më 30 prill 2007. Ato e njoftojnë menjëherë Komisionin për këtë.”, këtu nënkuptohet se për t’u arritur nga letra në realitet ligjit evropian i është dhënë një shtrirje kohore 3 vjeçare.
Nga kjo lind pyetja:-A ka vullnet politik dhe a ka forcë ekzekutivi për ta bërë këtë?
Kjo vlen të vëzhgohet.
Transparenca ndaj publikut dhe partnerëve të BE-së mbeten një kusht i vazhdueshëm i afateve.
Ndërsa ajo që kemi parë deri tani se si vepron shteti në të gjitha nivelet siç janë nxjerrja e VKM-ve dhe para se të ndodhë një proces ndërgjegjësimi e bashkëveprimi me palët e interesuara (dhe në këtë rast me të gjithë shtetasit pasi natyra është e përbashkët), ne kemi vënë re më shumë aksionin e disa agjencive që gjobisin, pezullojnë veprimtari biznesi, shkatërrojnë objekte dhe njëkohësisht vrasin klimën dhe dëshirën e zhvillimit tek sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm.
Fundi i kësaj etape nga ana tjetër është fillimi i një etape tjetër. Asaj të ofertave për klientë dhe investitorë strategjikë vendas dhe të haj që janë më afër interesave me qeverinë dhe pushtetin në fuqi.
Duhet vepruar për ta ndryshuar këtë praktikë të korrupsionit mbi dëmtimin e natyrës, pasi ai ende perceptohet si një terren ku nuk duken gjurmët.
Nuk duhet pranuar asnjë forcë e propagandës zyrtare që e shet në letra zhvillimin pa e vërtetuar atë në terren dhe pa e provuar në realitet, në harmoninë mjedisore të gjallesës.
Ilustrimi i foto-lajmit/njoftimit pa emër për një VKM shumë të rëndësishme, që nuk është thjeshtë një përkthim a përshtatje nga gjuha angleze, madje edhe që nuk bëhet pa një bashkëpunim të ngushtë tregon një varfëri pë forcën ilustruese.
Kjo është bërë një shprehi në propagandën zyrtare ashtu sikurse shpesh kemi dëgjuar për reklamën e mirë ose të keqe në turizëm, në të cilën luan rol të rëndësishëm natyra dhe mjedisi shqiptar.
Mbrojtja e saj nuk arrihet pa ndërgjegjësim dhe pa kuptuar plotësisht se nevoja për ta mbrojtur mjedisin nuk është një mësim që del nga gjoba dhe ndëshkimi kryesisht, por është një sjellje dhe edukatë qytetare e mënyrë jetese ashtu siç e ka edhe Evropa dhe shumë shtete të zhvilluara me shumë vëmendje për mjedisin.
Mjafton të sjellim shembullin dhe ta kontrastojmë foto-lajmin/njoftimin pa emër me pamjet e automjeteve të rënda që shtruan rrugë në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Njerëzit e interesuar që rrethuan ne tela me gjemba projektin që nuk ekzistonte sipas kryeministrit (por hapi problemet me pronat), dhe përveç se shqetësuan kolonitë e shpendëve migratorë që folenizojnë në biodiversitetin me vlera botërore të Vjosë-Nartës, dunat shekullore që u shkatërruan ishin ajo gjurma e fortë e kuptimit të ligjit pë ndikimin në mjedis.
Kësaj kush do t’i japë përgjigje edhe kësaj karshi shumë të tjerave që e kanë plagosur rëndë natyrën Shqiptare?
Çfarë standardi do të mbahet për natyrën dhe mjedisin?