Kryeministri me një dorë gurin dhe në tjetrën qesen ose çekun 2500 € u foli rreth 100 oficerëve të lartë të policisë mbi situatën një javore të grevës.
U sqaroi (si për t’i brumosur ideologjikisht) se policët kishin përpara gjithë armiqësinë e botës që po përdorte rininë shkollore shqiptare në protesta të dhunshme. Po gjatë ditës kryeministri nuk kishte munguar edhe që ta relativizonte protestën duke përmendur në një postim me IA kryeqytetet dhe shtetet e botës nën flakë. Për hir të humorit të zi ai (kryeministri), e vuri gishtin tek Putini dhe frymëzuesit ideologjik të tij (një analizë që një mbrëmje më parë e kanë përcjellë edhe disa media që ai i ka në xhep), pa harruar se është po i njëjti kryeministër që në Samitet e Sigurisë Ndërkombëtare u thotë shpesh udhëheqësve të tjerë se “Putini ishte një e mirë që na bashkoi”.
Kur je kaq largpamës dhe e ke kapur armikun që me ditën e parë të flamingove, pse e shthure shtetin dhe fute urrejtjen deri në vëllavrasje?
Kujt i shërben?
A nuk janë ata 100 oficerë me emra të identifikuar që janë prindër, daja e xhaxhallarë, gjyshër e fqinj të një të riu dhe të reje që shkon në shkollë?
Kë mashtron me shtypje proteste se do të paguash nga buxheti i mirëmenduar me 228,039.98 Lekë (2500€), për punë jashtë orarit kur jemi të sigurt që ata që sot dhe pa i motivuar do t’i hidhnin kapelat kundrejt dhunës?
Por juve kryeministër gjeni çdo mënyrë për ta ruajtur veten dhe fshehur pikërisht dorën ndaj atyre policëve që japin komanda për hedhje gazi, plumba gome, spërkatës e shkopinj që nuk mbarokan si “arsenal luftarak” mbrojtës.
Përpara se të flisni për shtypje me dhunë të protestës ju ftojmë të mendoni se kjo rini ka humbur një javë shkollë, por ka vrarë gjithashtu frikën 14 vjeçare të pushtetit tuaj që u transformua në narkoshtet.
Dorëhiqu!… duke të lexuar edhe disa rreshta fjalimesh hipokrizie do t’ju kujtonim shqiptarëve dhe policëve nga ana tjetër që verbërisht ju mbrojnë se juve jeni shumë larg asaj që pretendoni. Një vit më parë pasi shpesh kishit deklaruar se përgjegjësia është individuale, jeni shprehur se fëmijën tuaj “do ta ruanit pa rënë nga shkëmbi”. Sot me urdhërat tuaj dhe me pagesën tuaj janë ata policë në 80 % të rasteve të paidentifikuar që godasin me gurë, terrorizojnë dhe rrëmbejnë rininë nga rrugët e kryeqytetit vetëm e vetëm që juve të dilni në një mëngjes si ky dhe të pretendoni se ju sulmojnë armiq.
A nuk ishte bashkëshortja juaj që pas zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 thoshte në një forum ndërkombëtar të Tiranës FII-as* se:-“shqiptarët i besuan Edit një mandat që është shumë, shumë i fortë” duke e thënë me ndjenjën e një nëne dhe plot mallëngjim se:-“E ndjeva sikur po lidhej filli midis prindërve tanë dhe asaj çfarë ëndërruam në vitet ’91-’92 për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Qeveria e parë demokratike mori një mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët. Duket sikur ka një fill që lidhet pas kaq shumë vitesh dhe shqiptarët vazhdojnë të ëndërrojnë Shqipërinë në Europë”.
Çfarë teatri i neveritshëm dhe hipokrizi është kjo që po zhvillohet me rrahjen dhe shpopullimin e shqiptarëve?
Sot është rradha e nënave dhe baballarëve që të dalin të mbrojnë ëndrrat dhe jetën e fëmijëve të tyre.
_____
*FII– Linda Rama (Future Investment Initiative), Tiranë
19 Tetor, 2026