Shumë nga ne e pritën pragun e Krishtlindjes me mendjen tek dhuratat poshtë bredhit.
Edhe i varfër në qofsh, urimin gëzuar e përcjell të sinqertë dhe vetiu ashtu sikurse edhe ai të vjen drejt teje sepse një falenderim dhe një mirënjohje kanë në ndjenjën njerëzore besimin dhe shpresën që gjithmonë bart e nesërmja. Por në Shqipëri, prag festat e fund vitit janë veshur me formalitetin e heshtjes që dikton korrupsioni shtetëror. Për aq sa qetësia u prish e me hapjen e disa dhuratave të hidhura nga GJKKO dhe SPAK për shtetarët dhe administratën, festat bëhen turivarur sepse na del që elita qeveritare nuk është në humor (!).
Pra populli të durojë dh të pranojë jo vetëm keqqeverisjen, por edhe të mendojë për humorin e shtetarëve e jo për hallet e veta?!
Jemi dëshmitarë se pushtetarët ia kanë dalë ndër vite që t’i përcjellin festat e fund vitit me “urimet” e pështjella plot propagandë apo edhe me hedhjen e ndonjë bonusi dhe më tej gjatë gjithë muajve të tjerë të vitit ata të jenë fshehur pas mes shpenzimeve të luksit konkurrues e marramendës, deri në festat e ardhshme pa lëvizur nga pushteti vit pas viti.
Kjo në thelb e bën politikën e pandryshuar një elitë të privilegjuar.
Ndërsa këtë vit, me hapjen e dhuratave të hidhura shihet se maskat nuk mbajnë më.
Në përmbajtjen e tij korrupsioni ka depërtuar thellë dhe gjerë, por qëllimi i këtij shënimi lidhet me një lajm të gati para dy javëve ku në qendër ishte kryeministrja Giorgia Meloni dhe një ankand që do të ndërmerret në Itali për dhuratat shtetërore. Mediat “jo miqësore” me pushtetin e elitës së Rilindjes Socialiste në Shqipëri, ndër dhuruesit “modestë” zbuluan edhe përfshirjen e emrit të kryeministrit të Shqipërisë Rama, atë që linja editoriale e ATSH-s e “qeth”.
Ky fakt u përcoll gjysmak dhe ishin vetëm pak përplasje dhe përpjekje të tjera në media që më pas u shuan pa mundur t’i qëndronin interesit dy-tre ditor. Në Shqipëri për shkak të zhvillimeve mes drejtësisë dhe korrupsionit qeveritar të tjera ngjarje tërhoqën interesin. Ishin ato të gjykatës speciale që ka paraqitur një kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit: Belinda Balluku, ndërkohë që një skandal i dytë përfshiu një institucion të rëndësisë së veçantë për Sigurinë Kombëtare.
Pra më 16 Dhjetor, 2025 Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar regjistroi procedimin penal ndaj 8 shtetasve, zyrtarë të lartë dhe biznesmenë, lidhur me tenderat e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Megjithatë në datën 11 Dhjetor, njoftohej se kryeministrja italiane Giorgia Meloni ishte shprehur se të gjitha të ardhurat e përfituara nga dhuratat personale mes shkëmbimeve në takimet zyrtare do të dilnin në një ankand dhe do të shkonin në dobi të organizatave jofitimprurëse. Për këtë sipas burimeve u kuptua se ishte një listë me rreth 270 artikuj që do të merreshin përsipër nga “Bertolami Fine Art”, një kompani e cila kishte fituar kontratën prej 40 mijë € për ankandin e dhuratave shtetërore duke ofruar 5% shpërblim pas përfundimit të tij dhe ku vlera e sendeve të ruajtura arrin vlerën e 800 mijë €.
Fillimisht, një konsumator lajmesh dhe i interesuar për zhvillimet e shpie mendjen tek disa nga palosjet dhe gjunjëzimet e kohëve të fundit të kryeministrit Rama në takimet ndërkombëtare përpara Melonit (të cilën ai e quan motër), të cilat janë shoqëruar edhe me dhurata. Absolutisht se do të thuhej “abuzim” nga kushdo në qoftë se diçka më shumë se 300 € mund të jetë tejkaluar, pasi në rastin e nderimit të mysafirëve shqiptarët shquhen për bujari dhe mirënjohje. Por shfaqjet me dy fytyra nga ana e kryeministrit shqiptar që i vesh këto virtyte për të përfituar dhe blerë influenca janë jashtë karakterit të vetë shqiptarëve si popull.
Duke shkuar më tej se përse hiqet nga përmbajtja e lajmit Rama edhe kur Meloni u bë e dashur në qendrën e vëmendjes për lajmet në ATSH, ky aspekt të bën më kërkues për mënyrën se si gjërat ndodhin. Historia si tregohet, influencat si ndikojnë dhe se sa vend mbetet në këto lajme për të vërtetën apo për ta besuar atë.
Këtë përfundim dhe fabulën e njohur “Vath në Vesh”, na e japin faqet e vetë propagandës në titujt e lajmeve të ATSH-s.
Ky më i fundit që kemi ndjekur është transparenca e një ankandi me sende të dhuruara gjatë detyrës shtetërore: “Nga bizhuteritë te këpucët, dhuratat e marra nga Meloni dalin në ankand”, ku shalli gri i Ramës për Melonin mungon.
Ato më të dendurat dhe të ndërmjetmet janë titujt e lajmeve gjatë dy viteve të fundit 2023-2025, kur u punua me intensitet për Qendrat e Emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër me një interes dypalësh për t’u bërë të zëshme në rrafsh ndërkombëtar ishin si; “Meloni: Kampet e emigrantëve në Shqipëri do të funksionojnë sipas planit”.
Mirëpo në tre vitet e qeverisjes Meloni, pak përpara se sa ajo të zgjidhej në Tetor 2022 si kryeministre e Italisë dhe deri në marrëveshjen e Nëntorit 2023, titujt e lajmeve nga ATSH-ja ishin thuajse përcjellje përkthimesh nga agjenci të ndryshme ku kishte një mosnjohje dhe etiketime si p.sh ; “Fitorja e së djathtës ekstreme italiane ka vëmendje të gjerë në median botërore” apo edhe me dy theksime të forta për përfaqësimin e saj si forcë e djathtë në politikë, dhe ajo etiketohej si trashëgimtare e fashizmit të Musolinit në një rast. Ndërsa në rastin e zgjedhjes si kryeministre lajmet nënvizonin se Meloni mund të çojë në një ristrukturim politik të Evropës.
Të tjera komente bënin edhe nga ato parashikime se qeveria e saj nuk do të zgjaste më shumë se dy vjet.
Pra, pa ç’ka opinioneve të medias perëndimore dhe asaj evropiane, interesat e Ramës në atë kohë si një lider i majtë pro-Soros dhe mes tre shteteve për “Ballkanin e Hapur” e bënë atë të ndjekë një rrugë afrimi në lidhjet e ngushta mes shtetesh për të avancuar axhendat e pushtetit afatgjatë. Politika brenda vendit ndodhej e përçarë dhe çështjet gjyqësore dukej se ishin ngritur si gracka për të rrjedhur energjitë e opozitës. Dhe kështu nisën të përcillen lajme në rrafshin e bashkëpunimit ekonomik me Italinë ku të pranishëm ishin Serbia me Aleksander Vuçiç dhe Maqedonia e Veriut me Dimitar Kovaçevskin: “Rama në panairin e verës në Verona, takim me Melonin”.
Të tjera më pas vijojua si takime spontane:
“Vathë me motive tradicionale për kryeministren Meloni, Krifca publikon momentet e veçanta të takimit në Itali”, vathët e quajtura “Meloni” (116-127 €), ishin të përzgjedhura në linjën e një biznesi shqiptar që prodhon bizhuteri me filigran. Por në një këndvështrim tjetër brenda lajmit shohim se kemi një ministre të bujqësisë së kabinetit Rama, Frida Krifca e cila prej kohësh ka humbur në daljet e mëtejshme të saj, por jo nga radarët e SPAK për të provuar pafajësinë ose abuzimin me fondet e IPARD, parandalimin e keqpërdorimit të 112 milion €. Zyra kundër mashtrimit Ekonomik në BE, OLAF për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm ka kërkuar ndërprerjen e fondeve për Bujqësinë Shqiptare dhe kanë bërë një kallëzim penal në drejtim të drejtësisë shqiptare, për këtë çështje.
“Vizita e Melonit, Rama për “TG1”: Italia ka qenë gjithnjë avokati ynë”, në pak përmbajtje nënkupton një bashkëpunim të shpejtë dhe të vendosur dypalësh ku ndihmesat janë respektive Shqipëria drejt BE-së dhe pak muaj më vonë pas stinës së verës, politika e jashtme u trondit nga memorandumi i bashkëpunimit për zbutjen e fluksit të emigrantëve në Detin Mesdhe.
Një histori e pa këndshme në fushën e turizmit mori përmasat e një antireklame, por Giorgia veproi me korrektesë pa humbur pikë dhe dinjitetin e vendit të saj pa çka se Shqipëria jo si në këtë rast fsheh të papritura. Titulli i lajmit nga ATSH rrumbullakosej si; “Meloni paguan faturën e papaguar të të rinjve italianë: Italia nuk mund të humbasë respektin”,
“Një restorant me emrin e Melonit në Shqipëri”, që ndodhet pranë plazhit të Shëngjinit ka më shumë portrete të pikturuara të Melonit dhe politikanëve të tjerë më shumë se sa lista e ushqimeve dhe pijeve në menynë e lokalit. Lajmet dhe biznesi për dy vite janë bërë më shumë tërheqës për temat se sa edhe vetë numri i më pak se 20 emigrantëve janë përpunuar në këto qendra.
Kështu titujt e lajmeve vazhdojnë tek samiti mbi energjinë e pastër “Java e Qëndrueshmërisë” në Abu Dhabit, kur “Rama surprizon Melonin në Abu Dabi, dhuratë të veçantë për ditëlindjen e saj”. Një shall i prodhuar nga një bashkëpatriot i saj italian që ka marrë nënshtetësinë shqiptare.
Pra po të ndjekësh këto kapërcime që nuk janë të zakonshme për çoroditjen që sjellin në politikë madje deri tek pjesëmarrja e zv/kryeministres edhe pse e shpallur e pandehur nga SPAK më 31 Tetor, Balluku merr pjesë në takimet mes Shqipërisë dhe Italisë në shkëmbimin e 15 marrëveshjeve dhe memorandumeve të mirëkuptimit, në partneritetin mes dy vendeve në fushat strategjike si siguria dhe mbrojtja civile, energjia, shëndetësia, mbrojtja civile, kultura etj.
Në “faturat e shpenzimeve” që dalin pas qeveritarëve kur nuk bëhet transparencë, festat e një viti tjetër i gjen ata/ato të paprekur dhe se kanë të drejta e janë një shtresë e privilegjuar pa u “trembur fare” dalin në fushata ndërgjegjësuese politike dhe sociale e i “hipin biçikletës”, “udhëtojnë me transportin publik” apo tregojnë edhe rrugët se si të “kursehet energjia elektrike dhe uji”. Shqiptarët kanë se ç’të mësojnë nga këta pushtetarë. Faqen e vërtetë të korrupsionit dhe ta përjetojnë vetë se sa poshtë një vend mund të bjerë kur është i mbërthyer nga korrupsioni dhe nis të braktiset popullsia e tij nga pamundësia për ta luftuar.
Ky shënim mund të ketë dhe peshën e një prishje atmosfere në dukje, por në përballjen e fakteve ai ka renditjen e kujtesës për kohën që rrjedh dhe që zgjon optimizëm duke luftuar kundër propagandës dhe lajmeve fallco (me porosi të pushtetit), për të mbrojtur në gazetari dhe nëpërmjet medias të vërtetën.
Ashtu sikurse festat vijnë me urimet për më të mirën, nga sot fillon edhe vendimmarrja e qytetarëve për të nesërmen.
Le ta vendosim faktin në temë edhe përse atë propaganda e mbulon bukur.
“Fiks” pesë vite më parë, rilindësi dhe patronazhisti më i gjatë, kryeministri Rama, në një intervistë për një media vendase ka shquar kujdesin për një kënd të dhuratave qeveritare. Ai e orientonte bashkëbiseduesin në një ambient muzeal veç zyrës së tij cili do t’i përkiste në vazhdimësi institucionit. Ky veprim i atëhershëm dukej korrigjues madje edhe si një disiplinë e fortë e pakrahasueshme me shpërdorimet e moskujdesin e kabineteve të mëparshme me paranë e shtetit kryesisht.
Mirëpo, pesë vite më pas ashtu sikurse edhe rastësisht bëhet lidhja kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, me vetëm tre vite në detyrë i krijoi kushtet e hapjes së një ankandi me dhuratat qeveritare. Në rastin e Ramës, muzeu i dhuratave në kryeministri është bërë 5 vite më parë ose në vitin e 7-të të qëndrimit të tij në postin e kryeministrit. Këto janë thjeshtë vite krahasimi, por më tej asgjë më pas nuk dihet nga fondi. Ndoshta me të drejtë justifikimi për një muze dhuratash nuk mund të krahasohet as me çeljen e grup kapitujve të BE-së dhe as me vëmendjen e shtuar të qeverisë për pritjen e disa samiteve ndërkombëtarë. Pas zgjedhjeve të 11 Majit, as kryeministri dhe as administrata e tij nuk e kanë patur mendjen aty tek “dhuratat”.
Po ja që ashtu sikurse festat vijnë me urimet për më të mirën, nga sot fillon edhe vendimmarrja për të nesërmen, aty poshtë bredhit.
Një shtet arrogant nuk ka as transparencë dhe pastërti se si bëhen gjërat.
Kohëzgjatja në pushtet e ka kaluar fazën e “dhuratave qeveritare “, tani elita e shtetarëve ndjek “dhuratat e korrupsionit” të cilat media dhe drejtësia kanë rastin ti zbulojnë.
Mendoni sikur edhe këtë vit drejtësia të mos ua kishte vënë emrin se kujt këto dhurata poshtë bredhit apo “pako të korrupsionit” do t’i përkisnin?
Çfarë do të ndodhte po të mos ishin hapur?
Madje ka edhe disa nga ata/ato shtetarë sot do të duhet t’u gjesh adresën dhe t’i ndjekësh nëpër botë për t’ua dorëzuar “peshqeshin”.
Sipas këtyre rasteve të paraqitura në këndvështrimin pesimist shpresa dhe drejtësia e një shoqërie që nuk reagon ato do të ishin fshehur për t’u fundosur bashkë me njëra-tjetrën nga një regjim autokrat.
Prandaj pikërisht për të treguar shpresën që lind, njerëzit kanë nevojë për guximin, kurajën dhe veprimin dhe këto ndodhen vetëm në pakon ose në dhuratat e së vërtetës. Këtë dhuratë, të vërtetën dhe fjalën e lirë të fuqishme shqiptarët duhet tua japin njëri-tjetrit. Brenda vendit dhe në diasporë.
Për ato media shqiptare të cilat me sytë e tyre kanë parë përkuljet dhe rënien disa herë në gju të kryeministrit në tapetin e kuq, ky fakt i përsëritur i është lënë shfaqjeve që ka “dhuruar” momenti. Deliri i madhështisë për shkrepjet e kamerave, e më tej propaganda i ka mbuluar me etiketime si; “miqësia mes dy vendeve”, “kthimi i borxhit”, “motra dhe vëllai” e të tjerë penela konsideratash që kanë rezultuar përtej dhuratave dhe janë marrëveshje “jep e merr”.
Këto marrëdhënie jo të ndara me publikun nuk janë asgjë tjetër veç interesave personale në politikë dhe për influenca në jetëgjatësinë e pushtetit të cilat për popullin shqiptar veç varfërimit ekonomik kanë cenuar rëndë mosrespektimin e sovranitetit. Ngritja e qendrave të Pritjes për Emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër përshembull, janë shprehja më konkrete e një projekti të bllokuar, ku influenca politike e pushtetit ka vepruar mbi Kuvendin, Presidentin e Republikës dhe Gjykatën Kushtetuese.
Analiza e munguar të shpie deri këtu pasi shohim dy qëndrime apo standarde të dallueshme sepse në marrëdhënie janë dy vende me pjekuri të ndryshme dhe prurje për demokracinë.
Meloni në 3 vite qeverisje detyrohet ta bëjë transparencën, ndërsa Rama e ka bërë njëherë pas 7 vitesh pushteti dhe tani pas 5 vitesh të tjera, kjo jo vetëm është harruar, por nuk ekziston më. As ftesat normale qoftë edhe me mediat për të mbyllur një festë fund viti apo shkëmbyer një urim nuk ekziston. Sipas ATSH-s kur Rama rrëfente jetën në zyrën e kryeministrit dhe në muzeun e dhuratave 5 vite më parë, ai tregonte se kishte filluar ta kuptonte peshën e vetmisë dhe të vendimmarrjes nga kryeministrat para tij kur thoshte:-” …të tjerët që kanë qenë këtu, e dinë se ç’është vetmia në këtë zyrë. Kjo zyrë ka shumë vetmi. Njerëzit mendojnë se kur hipën në majë, je i rrethuar me një mori njerëzish. Në fakt, në majë je më vetëm se asnjëherë tjetër. Sepse kur vjen koha e momenti i vendimeve të vështira, je komplet vetëm”.*
Ndryshe nga sa pretendohet për ngarkesën dhe gabimet, vetmia e çdo njeriu që reflekton mund të jetë në rradhë të parë një shenjë e respektit dhe e së etikës dhe të profesionit.
Pra ka një fund ku nuk mund të konsumohet më për atë që ke provuar se nuk e arrin dot.
Por ka edhe ndarje të përgjegjësive dhe zakonisht qeveritarët edhe pa ua kërkuar bëhen transparent. Vullnetarisht dalin përpara opinionit publik e medias me përgjigje dhe si të tilla në këtë bashkëbisedim formohet një rrugë komunikimi e vazhdueshme për të forcuar lidhjen me zgjedhësit. Mbajtja e qëndrimeve dhe vendimet e tyre konkrete janë ndërkohë edhe prova për vlerën e votave të marra në zgjedhje si dhe besimi për të qeverisur. Sikur ky mjedis ideal social-politik mendohet se mund të funksionojë, shembujt tregojnë se nga kjo arritje në rradhë të parë do të jenë shtetasit më të mirëqenë e për rrjedhojë më e mirë do të ushtrohej qeverisja e përpos transparenca. Në Shqipëri kjo nuk mund të ndodhë pa u çliruar nga kriza e korrupsionit që ka mbërthyer shoqërinë.
_____________
* ATSH- lajme të publikuara në periudhën 2023, 2024, 2025.
24 Dhjetor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)