Në ditët e para të vitit 2026 jemi dëshmitarë të një kulmimi të paparë të sulmeve, nga më agresivet, kundër Presidentes të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit ia dhanë fitoren vendimtare koalicionit të kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ia dhanë Kosovës dritën e nevojshme jeshile për të dalë nga bllokada më e rëndë në historinë e Republikës, që partitë opozitare ia kishin imponuar vendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Në këto zgjedhje, më shumë se kurrë Kosova e dëshmoi veten si një ndër shoqëritë më demokratike e më perëndimore të kohës. Kjo është një fitore jo vetëm e koalicionit fitues, por edhe faktorit opozitar, i cili ka rolin e saj në traditën demokratike të vendit dhe në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Me këtë fitore, tashmë Kosovës i jepet mundësia të krijojë në kohë Kuvendin, Qeverinë dhe, pa u vonuar, të zgjedhë edhe kreun e shtetit. Me këtë verdikt, partitë opozitare do ta kenë më të lehtë të pajtohen dhe të heqin dorë nga roli destruktiv i tyre, i përshkallëzuar gjatë vitit 2025.
Zonja Vjosa Osmani ka shprehur dëshirën dhe gatishmërinë që të rizgjidhet në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Në një frymë tejet revanshiste, tejet hakmarrëse, pa as vetëkontrollin më minimal ndaj fitores që Kosova ia rikonfirmoi koalicionit të kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje, lukuni të tërbuara po e shfryjnë urrejtjen e tyre kundrejt verdiktit të 28 dhjetorit, urrejtjen e tyre kundrejt Kosovës me sulmet e tyre ndaj zonjës Vjosa Osmani.
Në mungesë të çdo argumenti, larg çdo logjike dhe arsyetimi njerëzor kundër Zonjës Osmani, figurës së saj si qytetarja Numër Një e Republikës së Kosovës, pa përfillur asnjë normë sjelljeje njerëzore, pa kursyer asnjë shpifje, asnjë kërcënim portale të ndryshme, studio televizive, media sociale janë përfshirë në një krim të përbashkët.
Dielli nuk mbulohet me shoshë. Zonja Vjosa Osmani synon mandatin e dytë në krye të shtetit pas një mandati të parë shembullor. Është nder dhe krenari e ligjshme për qytetarët e Kosovës, për të gjithë shqiptarët, për miqtë, aleatët, partnerët ndërkombëtarë që Republikën e Kosovës e kryeson dhe e përfaqëson me një dinjitet të lartë dhe të padiskutueshëm zonja Vjosa Osmani. Më 28 dhjetor 2025, kur konfirmoi në qeverisjen e vendit koalicionin e kryesuar nga LVV, Kosova votoi edhe për konfirmimin e Vjosa Osmanit në krye të shtetit.
Në gjithë stihinë mediatike që është kulmuar në filllim të këtij viti nuk ekziston qoftë një fakt i vetëm, një argument i vetëm që mund të qëndrojë përballë së vërtetës. Të gjithë i rrëzon realiteti i pakundërshtueshëm. Këtë nuk ka si të mos e dinë as nxitësit dhe frymëzuesit e kësaj stihie, as instrumentet e tyre të bindura. Por me këtë fushatë ata duan të krijojnë një atmosferë sa më të rëndë të mundshme, një klimë sa më të egër të mundshme, një kontekst sa më të përshtatshëm që udhëheqja e opozitës të mos lejojë zgjedhjen e kreut të shtetit dhe ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
Eksponentët e fushatës kundër Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani janë kryesisht militantë të partive opozitare që nuk e reshtin agresionin e tyre propagandistik 24 orë në ditë në mediat sociale. Mjerisht, në këtë fushatë janë të përfshirë edhe emra të disa portaleve, zëra dhe fytyra të disa studiove të radiove, televizioneve, podkasteve. Fjala shqipe deri sot nuk ka qenë kurrë më e çoroditur, më e shpërfytyruar, më antiprofesionale dhe më antikombëtare.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës e ka ndjekur dhe e ndjek me vëmendje përparësore çdo zhvillim në Kosovë, sikurse çdo zhvillim tjetër në hapësirën tonë kombëtare dhe në diasporë. Jemi tejet të habituar si është e mundur që shoqatat e gazetarëve shqiptarë në Republikën e Kosovës dhe jashtë saj të heshtin ndaj stihisë kaq të shfrenuar kundër Presidentes së Republikës së Kosovës dhe të mos e ngrenë zërin në mbrojtje të etikës e të profesionalizmit në gazetarinë dhe mediat e Kosovës, në mbrojtje të dinjitetit dhe të identit të Kosovës, të cilët i mishëron në mënyrën më të mirë zonja Vjosa Osmani.
Shoqata jonë e dënon me forcë këtë shpërdorim të paskrupullt të profesionit të gazetarisë në Kosovë. Iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që e ndjejnë vërtet rëndësinë e misionit kaq të pazëvendësueshëm dhe të domosdoshëm siç është profesioni ynë i gazetarit.
Iu bëjmë thirrje të gjithë faktorëve të shoqërisë civile, të gjithë faktorëve intelektualë, të gjithë faktorëve konstruktivë e progresivë në Kosovë, në hapësirën kombëtare dhe në diasporë t’i thonë jo kësaj shthurjeje morale antiprofesionale që po dëshmohet në fushatën e kulmuar kundër integritetit të Presidentes së Kosovës, kundër integritetit të Kosovës.
Urojmë që zonja Vjosa Osmani të jetë gjithnjë në lartësinë e saj të durimit, të vendosmërisë, të zgjuarsisë, kthjelltësisë dhe kurajos përballë kësaj dhe çdo sfide tjetër në rrugën e konsolidimit të brendshëm dhe afirmimit ndërkombëtar të mëtejshëm të Republikës së Kosovës në përmbushje edhe të votës historike të 28 dhjetorit 2025!
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
11.01.2026