Pas mbi 2,5 orëve në ditën e dhjetë të protestës së qytetarëve shqiptarë në kryeqytet për dorëheqjen e kryeministrit Rama, nga foltorja në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u shpreh një falenderim për mediat e pranishme dhe veçanërisht News24. I arritur ky qëndrim i ndryshuar nëse pjekuria e vlerësimit tani për mediat do të krahasohej me ditët e paratë saj kur mes parullave të shumta, ajo “Bojkotoni Mediat” tingëlloi ndryshe në veshin e profesionistëve mediatikë, sociologëve, specialistëve të fushës së marrëdhënieve me publikun sikurse edhe të vetë qytetarëve pa dallime mes tyre. Pra të interesuar për një informacion pa filtra, të qartë dhe të vërtetë dhe ndoshta më i besueshëm si komunikim për momentin nga mediat sociale nga sa u mbështetën fillimisht, protestuesit në sheshe u shndërruan në “spektaklin falas” për çdo sinjal radio-televizioni kombëtar, publik apo privat. Protestuesit patën forcën dhe sjelljen për të sheshuar me qëndrueshmërinë dhe qytetarinë e tyre raportin me mediat vendase dhe ato të huaja pa çka se sensacioni i lajmit e arriti njohjen dhe aktualisht po i përmbahet qëllimit për dorëheqje të qeverisë dhe nevojës për ndryshim.
I parë me këtë vështrim dhe me mënyrën se si po zhvillohet rrjedha e protestave ditore, duhet kuptuar se studiove televizive i është thyer njëherë e mirë rutina dhe rregulli i konceptit tradicional për mënyrën e mbulimit të lajmit të rëndësishëm.
Populli ose me mijëra qytetarë ndodhen çdo ditë në shesh.
Një “ritual” ditor që me të njëjtën pjesëmarrje numerike në dhjetë ditë pa frikë i afrohet 1 milion pjesëmarrësve.
E përsëritur çdo ditë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera nga veriu në jug si; Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Fushë-Krujë, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë, Sarandë etj. sikurse edhe në diasporë në disa shtete, jo vetëm postimet në mediat sociale, por shumë mbulime live/të drejtpërdrejta të një ngjarje tregojnë se qytetarët në protesta nuk po llogaritin më koston e figurave politike për heqjen dorë nga pushteti, por kanë si qëllim dhe sjelljen e një fryme të re për Shqipërinë dhe përfaqësimin në jetën politike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Epërsia numerike e shqiptarëve në ditën e dhjetë të protestës po tregon se sa ajo (protesta), e ka çarmatosur dhunën e pushtetit. Me energji dhe pjesëmarrje ajo (protesta), e ka strukur ditë pas dite arrogancën e kryeministrit i cili nga distanca ku vazhdon të kujtojë qark më qark Ditëlindjen e 35 të PS kërkon njëkohësisht ta shesë bullizmin vulgar tek përkrahësit e vet si “humor” duke thumbuar protestën.
Thënë ndryshe duke i mëshuar me më shumë paaftësi mungesës së argumentit.
Pa shkuar në festën e Fierit, paraditja e së Martës, 9 Qershor, kishte një ngjarje të rëndësishme mediatike ku kryeministri Rama pati një konferencë shtypi me gazetarë nga vende të BE-së ku nguli këmbë pa i sqaruar gazetarët ndërkombëtarë. Lufta për konceptin se quhet apo nuk quhet projekt ishte më së shumti vetëmbrojte për dorëheqjen pasi ai është “refreni i sheshit” tashmë dhe jo i leksionit mbushamendjes me gazetarët jo të pakët në numër. Jo vetëm aq, por ai gjeti dhe rastin për t’u treguar edhe më bindës përmes promovimit paraprak të një libri ku ai ka shkruar parathënien e librit “Dosjet Shqiptare: Liria dhe Arkitektura”*, të cilën ai e quan qendër të diskutimit kombëtar dhe transformim që bashkojnë 60 zyra ndërkombëtare që punojnë aktualisht në Shqipëri. I marrë i mirëqenë ky kontribut i cili do t’u bjerë në duar lexuesve në gjuhën angleze më 26 Qershor ka të bëjë me disa pika kyçe për shqiptarët veçanërisht.
Së pari transparenca.
A e din publiku se arkitektura dhe ndërtimet në Shqipëri janë qendra e diskutimit kombëtar?
Kush i jep lejet?
Kush i organizon dëgjesat?
Kush i përcakton studiot fituese?
Kush liron truallin publik?
Kush e mban kadastrën?
Ka shumë të panjohura kjo fushë e cila për fat do të jetë e shkruar, por bashkë me promovimin mbase atë ditë mund të jetë edhe një ish kryeministër për hir të transparencës pyetjet do të marrin përgjigje.
Në rast se ky parashtrim i fundit do t’ju duket me tendencë, çështja është se argumenti me të cilin Rama luan është “Ska projekt! Ska dorëheqje”.
Kjo është aq e vërtetë sa në propagandën zyrtare sidomos për Sazanin dhe Zvërnecin fjala gogol “projekt” ndryshe nga sa është përmendur me vite me rradhë si e tillë tani quhet dhe shkruhet në lajmet e ATSH-s si “investim i planifikuar”. Ose në përmbajtjen më të plotë në fjali kur ai lidhet me protestë dhe Zvërnecin merr formën e lajmit si:- “Në ditën e dhjetë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” me thirrjet e zakonshme për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe kundër shitjes së pasurive kombëtare.”
Në një tjetër vështrim vlerësimi dhe sjellja e Ramës-kryeministër me mediat ose gazetarët ndërkombëtarë në një rast pati një etikë të munguar kur një gazetare austriake pyeti kryeministrin:-“Ju thatë se nuk ka të bëjë me mjedisin, por dje unë intervistova disa njerëz në rrugë”...
Kthesa e Ramës nga një njeri që nuk dinte të lexonte gjermanisht, por që “do të sigurohej për të lexuar se çfarë do të shkruhej rreth këtij takimi tre orësh ku ai kishte harxhuar energji”, dhanë sinjalin e largimit nga tema dhe e vërteta që ai pretendon se e mbron me fakte dhe fanatizëm edhe pse më parë e kishte ndërprerë me imponim dhe ashpërsi gazetaren austriake se :-“…ajo se çfarë ke bërë në rrugë nuk është me interes për mua”. Do të kishte shumë interes përsëritja disa herë e këtij momenti apo edhe e vazhdimit më tej, por argumentet zbehin dhe varfërojnë pozicionin zyrtar dhe moskokëçarjen e një kryeministri, të cilit poshtë zyrës në bulevard prej dhjetë ditësh i rijnë me qindra mijë protestues.
Por duke i dhënë kohë njohjes me shkrimet në të ardhmen e afërt me gazetarët e BE-së të dala nga kjo konferencë për shtyp zhvendosja në Fier me konceptin e së vërtetës, tregon nga ana tjetër se Ramës jo vetëm që nuk mund t’i besosh, por transformimit të fakteve që ai bën realitetit duhet t’i shohësh ose duhen analizuar për t’ja vënë jo më në dukje, por si provë she fakt. Në Amfiteatrin e Apolonisë Rama i kujtoi disa të rinjve duke ju shprehur për të vërtetën se:-“se ju keni potencialin që të rrëshqisni duke u bërë patriotë që pastaj t’i ikni të vërtetës dhe këtë s’du ta bëni kurrë. Nëse ka një gjë patriotike në radhë të parë është e vërteta”. Tashmë me mendjen e mbushur si luftëtar i së vërtetës, në Kryeqytetin e Socialistëve siç e huazon shprehjen nga drejtuesja politike e qarkut Belinda Balluku sepse në 11 Maj, 2025 prodhoi 12 deputetë dhe 116 766 vota, kryeministri që fatkeqësisht i sheh të fituara 61 bashkitë zgjedhjet e ardhshme vendore bën rrëfimin e vet tjetër të madh kur thotë se:– “Partia Socialiste është zgjedhur për të udhëhequr, jo për t’i shkuar nga mbrapa të tjerëve. Dhe deri në deri në 12 qershor, deri në 12 qershor që kemi festën e madhe që unë besoj do vini dhe ju në Tiranë. Është mirë që të mbyllet kjo bisedë dhe të ndahet ambientalizmi nga llapaqorrizmi dhe nga qorrolapizmi. Duhet të ndahet.”
Është festë e Ditëlindjes së 35 vjetorit të PS, apo dhënie vlerësimesh dhe dekoratash kjo tani pak rëndësi ka për nxitjen e një konflikti. Por e shprehur si e tillë nuk mund të konsiderohet si e pa vërtetë dhe e rrezikshme. Në qoftë se në pak se më shumë se një vit më parë, më 20 Shkurt, 2025 protestën kundër SPAK-ut pas arrestimit të kryetarit të bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Rama si kryeministër e organizoi pikërisht një “tubim” në Sheshin Skënderbej me 6000 punonjës administrate dhe policë, qëllimi kryesor i tij ishte të tregonte forcën, për t’i prishur Ditën Kombëtare të Opozitarizmit. Asaj dite që 34 vite më parë i kishte çelur udhë pluralizmit e i largoi frikën shqiptarëve me rrëzimin e statujës së diktatorit Enver Hoxha.
Edhe atëherë ndoshta një kamera apo pak aparate ishin ato që fiksuan ngjarjen.
Por media u bë aleati që përçoi kudo vlerën e lajmit, të vërtetën, momentin historik për kombin me atë që po kalonte Shqipëria.
Rrëzimin e diktaturës.
Ndryshimin e sistemit.
9 Qershor, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)