Më 2 Mars 2026 kryeministri i paraqiti presidentit propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Ishin shtatë të tillë.
Ndryshime që vijnë 11 muaj pas çeljes së fushatës së zgjedhjeve të 11 Majit 2025 me sloganin:- “BE-2030, vetëm me Edin dhe PS”.
Dy ditë më pas ndryshimeve më 4 Mars, ndoshta dhe në një nga mbajtjet më të gjata në kohë të firmosjes së dekreteve nga ana e kreut të shtetit Begaj, nguti institucional dhe kriza që e shoqëron kryeministrin po tregon se natyra e shkarkimeve, largimeve, zëvendësimeve dhe transferimeve “të parapara” kanë të bëjnë vetëm me të. Ai si i vetmi strategjist dhe urdhërues rezultoi që të Enjten më 5 Mars me votat në masë me 83 dhe 85 (kartonë jeshil) të vendosë për daljen e bujshme të zv/kryeministres B. Balluku, Ministres së Jashtme E. Spiropali dhe Ministrit të Mbrojtjes P. Vengu dhe zëvendësimin e tyre me anëtarë të kabinetit apo edhe me emra të rinj me funksione nga administrata shtetërore. Ajo që ra në sy ishte se kryeministri, propozuesi i këtyre ndryshimeve nuk pati interes për ecurinë e diskutimeve dhe debatit në Kuvendin e Shqipërisë i cili pas çdo seance vazhdon të shënojë rekorde të ulëta në pritshmëritë e tolerancës, gjuhës jo etike, kohën për përcjelljen e fjalës së përfaqësuesve popullit në kuvend si edhe ndëshkimeve për mospjesëmarrje në afate të caktuara kohore të atyre përfaqësuesve/deputetë që shkelin disiplinën dhe normat e jetës parlamentare.
Në qoftë se do të ndaleshim në analizën e çdo rasti të veçantë, përmbajtja e tyre në raport me seriozitetin dhe problemet emergjente që pol kalon vendi janë jo vetëm një rrëmujë dhe kaos i mirë-menduar, por përfaqësojnë uljen e nivelit të përgjegjësive të një kabineti të ri që “merr pëlqimin” me fuqinë e kartonit prej përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë.
Mos prania e kryeministrit justifikon pikërisht frymën e zhvillimeve në Kuvend sikurse edhe mbyll ciklin katër këndor të telajos së re në fantazinë “pa njolla” të Ramës; propozim-dekretim-votim-betim (në të cilin nuk ishte i pranishëm), ku “respekti” mbahet vetëm me kreun e shtetit.
Tani vjen pyetja po këta ministra të zhvendosur sikurse edhe ata të zgjedhur rishtas në kabinet a e fitojnë respektin e tyre institucional që në ditën e parë me këtë mënyrë?
Cila do të jetë performanca e tyre në ditët që do të vijnë dhe për çfarë do të betohen me dorën mbi kushtetutë?
Një përforcim e jep edhe lajmi nga presidenca ku sipas ATSH u lexua dekreti për emërimin, dhe ministrat e rinj u betuan me dorën mbi Kushtetutë sipas formulës së betimit:“Betohem në nderin tim se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”.
Gjithçka vlen për t’u parë në ditët e ardhshme, mirëpo shkarkimi me dekret nga presidenti Begaj i zv/kryeministres B. Balluku, Ministres së Jashtme E. Spiropali dhe Ministrit të Mbrojtjes P. Vengu të dalë nga listat e mbyllura Fier, Tiranë dhe Vlorë si deputetë dhe ministra të mandatit të katërt tashmë pa asnjë risi, ulja e tyre në stol do të ketë rezultatin e shumë prej ish funksionarëve që sot janë të heshtur brenda Kuvendit apo thuajse nuk kanë asnjë zë jashtë tij.
Megjithëse shumë në media po shtjellojnë ose analizojnë shkaqet e ndryshimeve dhe përplasjet brenda Rilindjes Socialiste në llogoret e PS, postet në qeveri larg korrupsionit tradicionalisht socialistët i kanë parë me parimin e vlerave dhe meritave si luftëtarë në politikë, deri diku edhe si meritokraci, por që nga mandati i tretë dhe deri tek ky i fundit i Ramës përzgjedhjet janë bërë të papritura, të panjohura dhe të përdorura.
Në qoftë se shembujt e dy të parave janë konsumuar, të përdorurit gjë që ka ndodhur edhe më parë kanë patur një fund zhgënjyes ose një fund i ngjashëm i pret një ditë.
Ndërsa në historinë e qeverisjes 12-13 vjeçare të Rilindjes Socialiste pozicioni dhe roli i Ministrit të Jashtëm ka patur dukuritë më të papritura në ecurinë e diplomacisë shtetërore edhe pse me fytyrë nga perëndimi është vënë re se diplomacia ka marrë goditje dhe është vënë në vështirësi pikërisht nga egoja, autoriteti, arroganca, amatorizmi dhe nga gafat e vetë kryeministrit.Dikush mund të kërkojë një listë prej tyre.
Ajo ekziston dhe ka aq shumë sa niveli ekonomik, siguria dhe popullsia e vendit tregojnë realisht gjendjen çdo ditë dhe më shumë. Ky qëndrim që po japim duket si një përgjithësim i argumentit, por ai bëhet i qëllimshëm për t’i shpëtuar zhurmës dhe shifrave të propagandës. Për t’u larguar nga krahasimet jashtë dhe brenda dhe sigurisht tani me “epokën” e mburrjes së hapjes së të gjithë grup kapitujve për në BE dhe ku në formën më naive Rama po i kërkon BE-së për t’u pranuar siç jemi dhe pa të drejtë vote ne mund të kuptojmë edhe më mirë se ku shkoi slogani:- “BE-2030, vetëm me Edin dhe PS”.
Mirë që Qeveria e Re u prezantua si mjeti për të përshpejtuar integrimin europian dhe atë që Rama e quante dikur se hapja e kapitujve të negociatave ishin për të “rasti i jetës”, pra trashëgimia politike që do të linte pas dhe ku përsëriti se Shqipëria synon të përmbushë objektivin e anëtarësimit deri në vitin 2030, pyetja tjetër që shtrohet është se:-Kush ishte pritshmëria dhe ku ra ky standard që të afrohesh me Vuçiq dhe ky presion i propozuar gjeostrategjik të jetë një kthim shumë prapa në diplomaci?
A nuk kishte një heshtje dhe mos prani të Shqipërisë në Davos 2026?
Jo si herë të tjera, kur flitej për BE-në, turizmin etj., mungesa e Shqipërisë hodhi vemendjen në treshen Azerbajxhan, Armeni dhe Serbi si Ura Ekonomike Euro-Azisë. Ideja e hedhur ishte Kaukazi Jugor dhe rajoni më i gjerë Euro-aziatik të mund t’i forcojnë lidhjet ekonomike, paqen dhe stabilitetin gjeopolitik në mes të ndryshimit të ndikimit global. Një interes mes këtyre vendeve
që ngrihet paralel me Korridorin e VIII-të dhe ku Vuçiq tregoi numrat se:“- do t’ju tregoj pse nga Armenia, le të themi, 3 milionë Armenia, 7 milionë Serbia dhe 10 milionë Azerbajxhani do të duhet të merremi vesh me njëri-tjetrin, do të duhet të bashkëpunojmë, do të duhet t’i bëjmë gjërat së bashku”.
Shqipëria, popullsia shqiptare që po tkurret dhe mplaket pikërisht nga korrupsioni a e ndjen këtë rrezik kur Rama guxon dhe kërkon pranim në BE pa plotësuar jo vetëm kushtet, por të futet si parti-shteti i parë në BE.
Kjo është diplomacia më antikombëtare që po zhvillohet në politikën e jashtëme shqiptare duke ditur se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, por quan ende pjesë të saj.
Pra me çfarë platforme kanë vijuar ministrat e jashtëm gjatë këtyre mandateve, me çfarë aksioni veç propagandës veproi ministrja e jashtme e sapo shkarkuar dhe me sa forcë duhet të veprojë ministri i ri i sapo betuar që Shqipëria të mos identifikohet me aventurën e kryeministrit Rama?
Në qoftë se ky konkluzion mund të duket një argument pa rrjedhojë nga tre mandatet e mëparshme dhe tek ky i fundit le të rendisim pak fakte gjatë dy muajve Janar -Shkurt.
Mirë që brenda vendit gjithçka paska shkarë, por që edhe bota perëndimore ta ketë ulur kaq shumë vigjilencën në diplomaci kjo duket e pabesueshme?!… i ka mbyllur sytë Evropa dhe pranon të milet nga Rama dhe Vuçiq?!
Duke i mbyllur katër këndet e telajos së re të Ramës, ku siç shihet nuk kemi sjellë as përforcime bojërash nga fusha e drejtësisë, politika e jashtme dhe tre katër vizitat e sforcuara të Ramës në dy muajt e parë të vitit 2026 që mbeten për t’u shënuar; Abu Dhabi, Vatikan, Jeruzalem dhe Uashington. Të gjitha këto e humbën menjëherë peshën edhe pse pikërisht u sajuan për tërheqje vëmendje sepse skandali i korrupsionit me zv/kryeministren Balluku u thellua, presioni mbi gjykatat u shtua, fatkeqësitë natyrore goditën aq hakmarrëse si për t’i nxjerrë “ujin e zi” investimeve me cilësi shumë të dobët në infrastrukturë. Të gjitha këto zbuluan vjedhjet. Mbi të gjitha kryeministri “mungoi” në takimet e rëndësisë së veçantë të Forumit Ekonomik të Davos-it dhe të Konferencës së Sigurisë së Munih-ut dhe u shfaq papritur bashkë me Vuçiq tek ‘ky presion i propozuar gjeostrategjik si një kthim shumë prapa në diplomaci’.Në qoftë se se një diplomat karriere si Ferid Hoxha u betua në postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme si nuk mund t’i ngjajë paraprirësve, as mund të jetë nën hijen e plotë dhe imponimit të Ramës, sikurse për shkak të karrierës ai do të jetë ndoshta i pari Ministër i jashtëm që në harkun e pak ditëve do të duhet të sqarojë në një interpelancë të thirrur nga Kuvendi i Shqipërisë se çfarë përfaqëson në diplomacinë shqiptare teza Rama-Vuçiq për anëtarësimin pa të drejtë vote në BE.
6 Mars, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)