Pa përfunduar betejën e sezonit ose stinën e zjarreve ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari sugjeron një njësi të re, pra ekip “me fokus të posaçëm krimet mjedisore” i cili do të shërbejë në 12 qarqet ku drejtorët e Policisë së Shtetit do të veprojnë ndryshe nga e shkuara.
Përveç një trazire propagandistike ku në pamje të parë duket se shteti po merr masa, përgatitjet janë të pakta sepse nuk ka fonde dhe ide se si duhet luftuar zjarri.
Në mediat zyrtare ndeshesh me termat; “vijon puna e forcave operacionale”, “operacioni vijon”, “vijon angazhimi i fuqishëm”, “vijon puna e strukturave në terren”, “vijon ndërhyrja”, ” puna vijon në terren të vështirë”, e deri tek “vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri” në një kohë që e gjithë tabloja është front lufte dhe koncepti i drejtë dhe atë që mbarë bota përdor është lufta kundër zjarrit. Në Shqipëri përdoret zjarrfikja dhe mbrojtja kundër zjarrit të cilat pavarësisht dobisë parandaluese në proces janë koncepte pasive. Janë pasive sepse duhen fonde dhe investime jo vetëm nga ato që kanë parashikuar emergjencat, duhet bashkëpunim me qytetet brenda vendit dhe vendet fqinje, duhen mjete dhe veshje zjarrduruese, duhen trajnime edhe të grupeve vullnetare dhe duhen njohuri deri në çeljen e shkollave nga ato teknike profesionale deri tek universitetet në nivelin e inxhinierisë dhe menaxhimit të zjarreve të cilat në çdo vit për cilëndo arsye tregojnë nivele të rritura.
Policia e përdorur si angazhim nga ministri Lamallari apo qoftë edhe Drejtori Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hita dhe 12 drejtorët e qarqeve në vartësi janë thjesht një organizim kur zjarret ndodhin. Detyra e policisë në këtë rast është siguria e qytetarëve, siguria e rrugëve, komunikimi për mjetet e ndërhyrjes së shpejtë etj. deri tek monitorimi pas shuarjes së dëmeve. Por të ngrihesh me idenë se pa i bërë këto dhe ta quash”krim mjedisor” e të fillosh ndjekjen policore dhe nxitur prokurorët për procedim, ky koncept është i frikshëm. Në qoftë se Lamallari e shtron “butë” kur thotë se:-“Detyra jonë është që çdo zjarr të dyshimtë të hetohet profesionalisht, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, bashkëpunimi me komunitetin, shfrytëzimi i teknologjisë dhe ekspertizës më të mirë forenzike brenda dhe jashtë vendit, si dhe Prokurorinë, me qëllim që çdo provë dhe autor i dyshuar të ndiqet deri në fund. Vetëm zjarret këtë vit, dëmi i tyre është i pallogaritshëm, si në fondin pyjor. Sa vite, sa gjenerata i duhet atij fondit pyjor të rikuperohet”, mendoni këtë shtjellim tek një tjetër ish ministër i brendëshëm. Kur zjarret e disa sezoneve më parë bënin kërdinë në pyje dhe qendra të banuara Balla dhe Peleshi respektivisht me detyrat e ministrave të brendëshëm dhe të mbrojtjes e luftonin nga Facebook-u zjarrin. (UGSHPD ndër vite e ka ngritur shqetësimin)*
Sot Balla në postin e kryetarit të GPS ka një tjetër vizion. Ai në vend që të përqendrohet tek lufta dhe parandalimi i zjarreve hidhet tek drejtësia duke thënë se:-“Drejtësia shqiptare është dorëzuar përpara piromanëve”, dhe nga të dhënat e “Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave gjatë pesë viteve janë hetuar 211 çështje për zjarrvënie, ndërsa vetëm 18 persona janë gjetur fajtorë”.
Pra gjejmë njeriun për ta bërë me faj dhe jo përgjegjësitë. Harron se ka tre mandate ku vetëm janë premtuar dhe përgjegjësitë nuk mbahen tek vetë sistemi i korruptuar që e quan luftën të zjarrit të lehtë ashtu sikurse edhe media nganjëherë parashikon motin dhe thotë se forcave zjarrfikëse ju erdhën në ndihmë reshjet e shiut”.
Pra po të konceptohej si një përgjegjësi, profesioni i luftuesve kundër zjarrit në tre-katër mandate mund të kishte hyrë në sistemin arsimor të mesëm dhe të lartë. Do të kishte të rinj e të reja që do ta lidhnin dëshirën me profesionin dhe në këto 13-14 vite do të kishte profesionistë të fushës dhe jo politikanë, të punësuar nga nepotizmi dhe patronazhimi i rilindësve.
Zjarri shkatërron gjithçka ndaj strategjia, taktikat, disiplina dhe plani për ta vënë nën kontroll konceptohet si fushëbetejë që duhet fituar pa humbje jetësh dhe të mirash materiale.
Lufta me zjarrin nuk është as dorëheqje dhe as emërim i ri. Të vësh në shënjestër “krimin mjedisor” dhe çështjet penale pa zbatuar ato që renditëm më lart problemi ngjan me “zjarrvënien sociale”. Askush nuk është i interesuar ta djegë pronën dhe mjedisin për rreth. Por premtimet nga blerja e avionëve zjarrfikës, tek infrastruktura urbane, kodi i banesave, fasadat e djegura të ndërtesave që do t’i kompensojë ndërtuesi, të gjitha këto janë një propagandë me oktan të lartë që në opinionin publik kur mbrohet e vërteta ato digjen mjaft shpejtë.
Përse ‘autogol’?!
“Zjarret dhe krimi mjedisor” janë bashkëudhëtar të Rilindjes Socialiste. Propaganda e saj sidomos në këto kohë protestash vetëm sa i ndez ato në oborret e PS dhe nuk mund t’i shuaj”.
__________
17 Gusht, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)