Edhe pse kryeministri Rama nuk është dukur gjëkundi në këto ditë të para të emergjencës për përmbytjet masive të territorit Shqiptar nga reshjet e dendura të shiut, jo vetëm makineria propagandistike e Rilindjes Socialiste që nuk ka dobësuar digat e shuarjes së lajmeve të dhimbshme, por marketingu i turizmit nga ministri dhe agjencitë përkatëse vazhdon pa humbje dhe pa pushim që në ditët e para të Janarit të tërheqë vëmendje për synime dhe rekorde të reja.
Në të vërtetë me përjashtim të kryeministrit të gjithë ministret dhe ministrat janë në krye të detyrës dhe shprehen me shifra apo për zotërimin dhe stabilizimin e situatës për institucionet që mbulojnë duke ja lënë fajin kryesisht “ndryshimeve globale klimatike”, dukurive të natyrës, edukatës së dobët qytetare me pakujdesinë e hedhjes pa kriter të mbeturinave plastike dhe ndotjeve në mjedis etj., dhe diku poshtë në renditjes së listës dalin përgjegjësitë e qeverisjes vendore dhe qendrore.
Situata është dhe mbetet kritike, por përcjellja e informacionit për emergjencat që të ndihmojë marrëdhënien me shtetasit është tmerrësisht e varfër, e censuruar dhe ndoshta me qëllim kaotike.
Në tre ditë rreshje, pa mundur të parandalohen shkatërrimet, shembjet dhe përmbytjet dhe kjo sigurisht në zonat e njohura tradicionalisht dhe të ekspozuara me fenomenin duhet thënë me forcë se nuk ka një informacion të kuptueshëm se sa mm (milimetra) rreshje, të përkthyera në situatë serioze për marrjen e masave të gjindet diku e shkruar me të mëdha në shtypin zyrtar dhe mediat më të ndjekura.
Kështu ka fjalë dhe debate televizive me plot politikë fatkeqësisht dhe nuk ka një të dhënë/shifër për sipërfaqen e përgjithshme nën ujë, për numrin e jetëve në rrezik, qytetarë dhe fshatarë me gjendje të rënduara shëndetësore dhe nevojë për ndjekje kurash, bagëti në rrezik, pemëtari, banesa, biznese, prona, shkolla të mbyllura, arterie rrugore, (jo hekurudhat), linja detare dhe ajrore etj. për të ndërgjegjësuar publikun se po përjetohet një situatë e jashtëzakonshme /katastrofike dhe që rëndohet orë pas ore.
Gjithshka që jepet nga zyrtarët e qeverisjes vendore dhe qendrore si “hidrovorët punojnë në kapacitet të plotë”, “situata nën kontroll”, “strukturat në gatishmëri”, “niveli i ujit do të ulet” etj. si dhe foto ministrash e zyrtarësh në “aksion” të cilat janë thjeshtë vetëm propagandë që devijon vëmendjen e publikut nga përgjegjësitë. Pra mëshirën e fatit sepse marrja e masave parandaluese atëherë kur do të duhej për t’i paraprirë fenomenit të rreshjeve që ndodhin kurdoherë në dimër.
Pra është e vështirë të marrësh masa pa informacion sepse përditësimet janë përgjithësime si për të kaluar rradhën dhe jo specifikime me njësi matëse si p.sh sa mm reshje, sa km/h shpejtësia e erës, reshje dëbore apo shtresa ngrice dhe akulli, të gjitha këto janë të tepërta t’i kërkosh megjithëse institucionet çmohen për një nivel shkencor dhe paguhen apo investohet për to. Duket si një formulim i kërkuar enkas, por në të vërtetë provohet se nuk ka asnjë statistikë ndihmëse. Kjo është thjeshtë përgjegjësi institucionale prej ku duhet të fillojë transparenca dhe llogari dhënia. Në qoftë se do të fillojmë të ngrihemi në piramidën e pushtetit vendor dhe qendror, fare pa paragjykim situata në drejtori dhe departamente është në masën më të madhe jo vetëm jo profesionale fatkeqësisht, por edhe një vend pune në administratë, rrogëtar apo furrik-politik i veprimtarëve, lidhjeve familjare me pushtetin dhe sigurisht ajka patronazhiste.

Nuk mund të dalim nga situata e emergjencës pa përmendur historinë e një banori buzë Vjosës, Ura e Mifolit në një transmetim të Euronews gjatë niveleve kritike të daljes së lumit nga shtrati. Me dy nipat e tij 10-12 vjeçar ai do të kujdesej për bagëtinë në stalla. Emocionalisht rrëfimi ishte i trishtueshëm, sepse mbante punën dhe djersën e stinës së verës dhe vjeshtës së mëparshme, por ndër të tjera mes numrit të krerëve të bagëtive gjedh, banori i fshatit shtoi se vlera e një lope është 3.5 milion lekë (3500 €). Një vlerë afërsisht e barabartë me një auto-veturë/diesel e 15 viteve me parë, që ka rreth 200 mijë km brenda, por që mund të jetë një mjet i çmuar për dikë që lëviz, shkon në punë dhe mjet i përditshëm jetese për një shqiptar në vitet e para të emigracionit. Ky është një krahasim vlere dhe një kuptim sakrificave si për banorin e fshatit pronar i bagëtive dhe po kështu për një emigrant ekonomik që duhet të punojë çdo ditë për të siguruar jetesën, padyshim edhe në fundjavë po t’u jepej mundësia. Kjo ishte vetëm një ngjarje fatkeqe ashtu si shumë të tjera është një histori njerëzore mes fatkeqësisë natyrore dhe mungesës së përgjegjësive të pushtetit, që tregon një të vërtetë se cilat janë kushtet me të cilat po përballet popullsia në çdo rajon të Shqipërisë.
Kjo si shumë të tjera është një histori njerëzore mes fatkeqësisë natyrore dhe mungesës së përgjegjësive të pushtetit, që tregon një të vërtetë se cilat janë kushtet me të cilat po përballet popullsia në çdo rajon të Shqipërisë.
Ndërsa për zyrtarët vendor dhe ministret e ministrat, kjo emergjencë mbetet thjeshtë një propagandë, justifikim përgjegjësish dhe arrogancë pushteti, disa nga titujt sheqerues dhe antidepresiv të qeverisë gjatë kësaj situate lidheshin me tituj edhe më interesant. Marketingu dhe reklama turistike buron prej propagandës shtetërore. Nuk mund ta themi se nga ushqehet e gjithë kjo ide që kërkon t’i “balancojë lajmet”, por përtej kësaj teknike këto ide janë cinike deri në tallje për publikun dhe inteligjencën e tij.
Si mund të flasësh në këto ditë katastrofe Janari duke sjellë jehonë gazetash dhe guidash turistike të botuara më parë (30 Dhjetor, 2025) që ftojnë klientelën për të vizituar Tiranën me titullin “Tirana arratisja dimërore e irlandezëve”, pa e puqur atë me realitetin. Në këmbënguljen e vet ATSH-ja përkthen “Irish Sun”* për propagandë dhe orientim politik të turizmit ku shënon:-“Dëshironi të shpëtoni nga i ftohti këtë janar? Atëherë hidhini një sy këtij vendi të bukur mesdhetar me diell dhe paketa pushimesh njëjavore duke filluar nga 685 euro, sipas të përditshmes irlandeze “The Irish Sun”. Shumë pushues irlandezë po dynden në Tiranë, kryeqytetin shumëngjyrësh dhe historik të Shqipërisë…” Ku detajet e tjera shumë të rëndësishme janë çmimet e udhëtimit, menuja ushqimore, qendrat për t’u vizituar etj., por të mos i shkojë askujt mendja se detaje dhe informacione mbi motin për sasinë e reshjeve, shpejtësinë e erës, bllokimin e arterieve të transportit, institucionet dhe qendra e emergjencave do të mund ta përcjellë në publik pa e pështjellë me propagandë dhe politizuar si aksion dhe situatë e kontrolluar prej mirëqeverisjes.
Pra çfarë qartësie mund t’i kërkojë publiku shqiptar dhe lexuesi një agjencie informative shtetërore sikurse dhe shumë mediave që përcjellin burimet zyrtare prej saj, në një kohë kur koherenca është përmbys dhe e përmbytur.
Nuk mjafton vetëm kjo, por ministri i turizmit Gonxhe, flet për shtimin e hapësirave të plazhit, pikërisht në ato qytete që të mbysin me tym nga djegiet e pyjeve dhe mbetjet urbane në verë, nga mungesa e vazhdueshme e ujit dhe e energjisë(!).
Përgjigja për të dy rastet do të ishte;-“Ejani në Shqipëri për turizëm lundrues”, apo “për sporte të rrezikshme në mjediset e hotelit”, sepse gjithshka është nën ujë këtë fillim Janari.
E si për të mos mjaftuar edhe kjo, lajmi se burgu e sigurisë së lartë ku “IEVP-Durrës, vipat e korrupsionit” transferohen në kushte të thata në katet e sipërme të ndërtesës mungonte pas vizitës së Ministrit të Drejtësisë Lamallari që për ta kthyer fare në humor situatën, dy ditë më parë kur qelitë përdhese u përmbytën, por tani jeta e të burgosurve është jashtë rrezikut do të ishte e fortë sikur Rama t’i kërkonte Qendrën e Gjadrit përkohësisht Melonit për të strehuar kontingjentin e Durrësit(!).
“Sinqerisht”, do të ishim të sigurt se ndonjë VKM e Ramës nuk do të përbënte asnjë pengesë…, madje as presidenti dhe Kuvendi sepse pjesa e përfitimit do të ndjehej më vonë në legjislacion apo të tjera arritje kauzash të drejtësisë.
Rama, p.sh do të merrte pak nga borxhi që i kishte Melonit.
Por e fshehta ligjore e shpikur edhe nga kjo shaka do të kishte bonusin përfitues të kohës së vuajtjes së dënimit në dhè të huaj.
Shumë nga vipat pas pak kohe do të ishin ligjërisht të lirë edhe me procedurat e kryerjes së dënimit apo shkurtimit realisht të kohës së dënimit sipas normave ndërkombëtare apo marrëdhënieve dypalëshe mes shteteve.
Jashtë çdo shakaje, këto përmasa të përmbytjeve janë treguesi i shkallës se deri ku ka arritur korrupsioni dhe paaftësia e administratës vendore e qendrore.
Ne mund të flasim për përmbytjet pa treguar keq menaxhimin e pyjeve kryesisht gjatë dy viteve të kaluara.
A i harruam zjarret masive dhe pallavrat e Ramës gjatë verës?
Kjo do të ishte pyetja. Madje e kemi paralajmëruar në një tjetër shënim gjatë verës si “Zjarrvënësi dhe Zjarrfikësi”, kur si për motin e dimrit tani tallet me Evropën për të shpëtuar përgjegjësitë nga Shqipëria, në verën e 2025, i nxehtë pas zgjedhjeve të 11 Majit, bile pas shumë projektesh të përuruara që sot janë në ujë Rama ju drejtohej shqiptarëve:- “Neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi”.
Sipas EFFIS – European Forest Fire Information System, deri në fund të muajit Gusht, 2025 zjarret dëmtuan rreth 2% të territorit Shqiptar. Në vite respektive edhe në atë vit dhe në stinën e verës kemi parë të njëjtët ministre dhe ministra që zotoheshin “për marrjen e masave” dhe “situatën nën kontroll”. Por në fakt sikurse dihet që gjërat u bënë për sy e faqe dhe u mbyllën nga zhurma e medias dhe propaganda, përmbytjet e para të ditëve të Janarit 2026, janë thjeshtë erozioni, mungesa e bimësisë, moskujdesi i sistemit të kullimit të tokës dhe deltave të lumenjve, ndërtimet e pa fund dhe pa plan që kanë shkatërruar bashkëjetesën e njeriut me natyrën.
Në një tjetër lajm sipas propagandës dhe medias së ditëve të fundit, kur nuk kemi ende një raport dëmesh (dhe ky nuk i dihet se kur do të dalë), shkruhet se u evakuuan 8 persona në një zonë, 4 diku tjetër etj. etj. dhe i gëzohemi faktit për shpëtimin e jetëve, një tjetër detaj fatkeqësisht dhe i hidhur na fluturon pa u kapur prej intensitetit të lajmeve dhe volumit të emergjencave.
Si ka mundësi që ato zona janë jo vetëm të varfëra, por edhe të pa jetuara nga banorët?
Ky është një tjetër dëm i madh dhe emergjencë kombëtare.
Duhen njerëz që ta shpëtojnë Shqipërinë.
_____________
*ATSH-“Tirana arratisja dimërore e irlandezëve”
7 Janar, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)