Protesta Qytetare vijon pandërprerë me Ditën e 24-ët.
Por ato çfarë janë në pandërprerje dhe vijojnë janë sulmet e orkestruara të kryeministrit, makinerisë së propagandës, mediave krah tij dhe çdo opinioni kundërshtar që kërkojnë të çara në mesin e e qytetarëve paqësor me mundësinë e provokimit. Gjinden “personazhe” që i vlejnë sulmit të politikanëve dhe politikës së vjetër si për ta mbajtur të gatshme luftën nga ajo periferi e protestës ku nuk mund të futen flamujt partiak, dhe përshkruhen situata për t’i sulmuar dhe përçarë në kauzën dhe kërkesën kryesore të tyre “Dorëheqje!”, “Shqipëria nuk është për shitje!”, “Dorëheqja nuk negociohet!”…
Në qoftë se diktatura dikur ua rrethonte shtetasve emrin (me të kuq), apo u bënte “fletë-rrufe”, deri sa i dënonte për agjitacion e propagandë.
Ky akt quhet “target” social ose shënjestër e politikës për të futur frikën dhe ndrydhur individët në një lëvizje qytetare.
Deri tani janë parë dy raste të cilat ATSH i ka botuar me shumë zell si gjetje statuset e kryeministrit nga rrjetet sociale pa patur ndjeshmërinë profesionale të gazetarisë duke u kthyer në një armë të pushtetit.
Statuset kryeministrorë janë bërë si lajmet “çarçaf” ose “plot ujë” dhe fare pa ndrojtje botohen nga mediat zyrtare si qëndrime madje edhe me variantin në anglisht dhe frëng në ATSH.
Kryeministri po motivon vetminë e tij dhe shterpësinë e mendimit, paqartësinë e aksionit politik ashtu sikurse fizikisht nuk shkon më dot as në zyrën e tij.
Përçarja e protestës është qëllimi dhe këtë po e pret me padurim.
Akoma pretendon se nuk e ka parë bashkimin e qindra mijë qytetarëve
Në sinkronë me kryeministrin janë sot disa herë më të përkulur nga servilizmi kryetari i Kuvendit Peleshi dhe Kryetari i GPS Balla me statuset e tyre.
I pari flet për “imunizimin ndaj manipulatorëve të historisë”, ndërsa i dyti për linjën “pro-iraniane” në rastin e një protestuesi. Argumenti ishte lufta e UÇK dhe simbolet.
Frikacakë dhe manipulatorë ndaj së vërtetës.
Anuk janë Peleshi dhe Balla njësoj si Rama kur simbolet e UÇK-s i përdorin për patriotizëm të shtirur dhe “karburant elektoral” kur pikët e Ramës bien në bursën ndërkombëtare nga korrupsioni dhe krimi ekonomik. Kujtoni Ballën që në muajin Shkurt 2026, si i njëanshëm dhe tinëz futi në Kuvend “Veteranët e UÇK-s”
Por le të kthehemi tek shënjestra e kryeministrit piktor. Ai si përqafues i teknologjisë për propagandë po përdor aplikimet nga celulari të njohura me “color conversion”.
Shndërrimi i ngjyrës.
E bën këtë me individë.
I shinjestron.
I quan edhe të dëshpëruar dhe u lutet ligësht:-Eja tek unë”
Por përgjigja ndaj filozofisë “çarçaf” të kryeministrit nga Erlisi ishte:
Unë nuk jam ti.
Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.
Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve.
Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.
Ti je.
Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.
Ti nuk je viktima e halleve të mia.
Ti je autori i tyre.
Thënë ndryshe, përgjigja e atij lumi të madh njerëzish që ti nuk i ndal dot edhe pse përpiqesh “t’i çngjyrosësh” me cinizmin që ke ndaj njerzve të rinj, lirisë së tyre dhe zhvillimit në emër të pushtetit vetëm për vete.

23 Qershor, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)