GPS-ja e së Hënës tërhoqi thuajse gjithë vëmendjen e opinionit publik dhe kryesisht atë të mediave për të përcjellë fjalët përmbyllëse të Raportit të Këshillit të Mandateve së pari nga deputeti Manja me:-“…ne si anëtarë të mazhorancës i rekomandojmë seancës plenare rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për ndryshimin e masës së sigurisë” dhe më tej kryetarit Rama duke përforcuar për të dytën herë se :- “…kjo, për mua, ishte dhe do të jetë e papranueshme sa të jem unë këtu në këtë detyrë. Besoj se isha po aq i qartë sa është i qartë edhe raporti i Këshillit të Mandateve, i shkruar nga pala jonë, por besoj se edhe në raportin tjetër të palës tjetër i keni të gjitha argumentet pse kjo kërkesë rrëzohet”. Por po në 9 Mars, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndodhej në një takim në Bruksel me drejtoreshën e përgjithshme të Drejtorisë së Bujqësisë në Komisionin Europian, Elisabet Werner, ku sipas ATSH thuhet se:-“Gjatë takimit u diskutua mbi progresin e Shqipërisë në përthithjen e fondeve europiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe mbi hapat e mëtejshëm për zbatimin efektiv të programit IPARD III.”
Mediat e së Martës këtë propagandë të heshtur e zbuluan përmes vlerave të rreth 146 milion eurove të cilat do të mund të fillojnë të lëvrohen gjatë vitit 2026, pra pas 3 vitesh ngrirje ose bllokim për shkak të nivelit të korrupsionit që u konstatua dhe nuk u ndëshkua me abuzimet e rreth me 138 milionë euro të fondit IPARD për periudhën 2017–2021, fond i taksapaguesve Evropianë. Mesa duket ekuilibri mes një lajmi të mirë për rifillimin e tërheqjes së fondeve kaq të domosdoshme tani për fermerët sidomos e krahasuar me periudhën një vjeçare ku përfshihet fushata elektorale e subjekteve politike, më pas zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit, 2025 duket ende i pandjeshëm me pasojat që u trashëguan dhe u ndien tek fermerët; për transportin, tregun, vaditjen, punimet me mekanikë bujqësore, konkurrimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale të importit mbi prodhimin vendas, mos menaxhimi i zjarreve dhe i përmbytjeve e deri tek mungesa e fuqisë punëtore. Të gjitha këto dukuri janë trajtuar, vlerësuar dhe çmuar në anët ekonomike dhe sociale prej medias dhe specialistëve. Por qeverisja ka tre vite që hesht për ruajtjen e imazhit edhe pse hetimet mbi korrupsionin vazhdojnë. Me takimin e ministrit Salla në Bruksel propaganda zyrtare ka riformuluar angazhimin me BE si të tillë:-“Rritja e aksesit në fondet e Bashkimit Europian dhe modernizimi i sektorit bujqësor mbeten ndër prioritetet kryesore në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë”.
Por puna është se kush do ta bëjë?
Popullsia rurale po zvogëlohet me përmasa të frikshme.
Është e vërtetë që investimet i lidhin njerëzit me vendin dhe zhvillimin e pronës, por cilat janë drejtimet dhe projektet për ta në qoftë se është dhënë garancia se ato projekte nuk do t’i ngjanin IPARD-eve të mëparshme.
“Risitë” e Rilindjes Socialiste gjatë tre mandateve kanë qenë nga më të sofistikuarat për të justifikuar thithjen e fondeve dhe për ta kthyer në art korrupsionin me ndryshim destinacioni në se do të ishte e nevojshme. Në plus12 vite shembujt e gazetarisë investigative janë të shumtë. Ndoshta janë bërë edhe të lodhshëm duke u dëgjuar e përsëritur si fenomen i korrupsionit pasi autorët zbulohen, paratë nuk kthehen dhe varfërimi i popullsisë që paguan taksat thellohet.
Por që ta freskojmë idenë jo me atë çka thotë propaganda për fondet e IPARD III dhe fermerin shqiptar që do të përfitojë, sikur ta shihnim me një tjetër këndvështrim se si kjo qeveri përmes teknicienëve apo administratës së saj i motivon projektet për të thithur para përmes një shembulli të fundit, publiku do të kuptonte edhe më shumë se ku arrin shkalla e korrupsionit. Dhe shembulli në fjalë lidhet jo me një titull lajmi që të rrëshqet pa ta kapur syri si “Paketa e Maleve” rrit interesin për investime në Shijak, 21 aplikime në dy muaj, as me atë që shtjellohet në këtë lajm se:- “Pjesa më e madhe e aplikimeve, konkretisht 17 prej tyre, i përkasin sektorit të argo turizmit dhe parashikojnë ngritjen e strukturave pritëse për turistët, si vila druri dhe ambiente të dedikuara për mikpritjen e vizitorëve që synojnë të eksplorojnë natyrën dhe traditat e zonës.”, as edhe me kohën e shpejtë 45 ditore të plotësimit ë aplikimeve, more po as edhe me vlerën e fondit se:-“investimet që pritet të realizohen në kuadër të këtyre aplikimeve arrijnë rreth 10 milionë euro, duke reflektuar besimin në rritje të sipërmarrësve dhe fermerëve për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale të Shijakut.”, por me gjeografinë fizike të 8-vjeçares sikurse sot i thuhet arsim i mesëm i ulët Klasat VI– VII, ndoshta edhe VIII – IX.
Sinqerisht mbetesh pa fjalë kur shikon se “Paketa e Maleve” aplikohet në Shijak. Një qytet që ka lumin Erzen, Adriatikun fare pranë gati 6 km vijë ajrore dhe një reliev pak të thyer që shkon nga 30 me lartësi deri në 51 metra mbi nivelin e detit..
Pra një pyetje fare e thjeshtë:- A qendron projekti i “Paketës së Maleve” për Shijakun i cili shtrihet në Ultësirën Perëndimore?
Lartësitë prej ku një mal fillon e matet është përgjithësisht 300 metra dhe Shqipëria pavarësisht se dallon për 70% terren malor në sipërfaqen e saj, rreth 708 metra mbi nivelin e detit ose dy herë më shumë se mesatarja e relievit të Evropës kjo epërsi duhet të na bëjë vërtetë më të matur që Projekteve Ekonomike Integruese me botën t’i bëjmë më të arsyeshëm dhe më praktikë.
“Paketa e Maleve” rendi si një projekt në diasporë Greqi, Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA përpara zgjedhjeve të 2025 dhe u bë një premtim elektoral i Rilindjes Socialiste dhe vetë Ramës për BE 2030 vetëm për vota. Në të vërtetë detajet e “Paketës së Maleve” dhe disa ligjeve të tjera interesante investimesh që gjenden në Fletoren Zyrtare të RSH të vitit 2025, Nr. 69 sikurse edhe në çdo njësi administrative të pushtetit vendor.
Çështja për Shijakun, 30-50 metra mbi nivelin e detit “Paketa e Maleve” ka plot 20 zona zhvillimi mund të shikohet dobët në faqen e internetit informacioni dhe transparenca mbi hartat, por me pak vështirësi sheh numrin e VKM dhe firmën e Kryeministrit Edi Rama, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi.
Ajo që kuptohet në 20 zonat zhvillimore të Shijakut sipas dokumentit është se janë përcaktuar: “Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë: a) të zhvillimit ekonomik; b) industriale; c) turistike.”
Një tjetër anë e përshtatjes së “Paketës së Maleve” në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë lidhet edhe me konceptimin që qeveria shqiptare ka ofruar për Shijakun ku shkruhet se Paketa e Maleve : – “Është një nismë ligjore dhe zhvillimore e Qeverisë Shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit.”
Shijaku nuk është një i tillë.
Të tjera motivacione që nga blerja e sipërfaqes simbolike deri në 1 euro, përjashtimi nga taksat për 10 vite për 500 aplikuesit e parë, janë vërtetë detaje të rëndësishme për raportin me ofertën të cilën veçanërisht ata për Shijakun duhet ta përcaktojnë.
Dhe ajo kërkon të kuptohet së pari jo vetëm të specifikojë Shijakun gjeografikisht, por rubrika Rreth Paketës në faqen zyrtare të Paketës së Maleve, nuk e shquan qytetin pranë bregdetit as për grupin e karakteristikave dalluese që përmblidhen në të si
Mungesë të vendeve të punës në malësi
Shpopullim të vazhdueshëm të fshatrave malorë
Përqendrim disproporcional të zhvillimit në zonat bregdetare, ku infrastruktura dhe prona janë më të formalizuara
Zbehje e rolit të bashkive malore si motorë zhvillimi
…të cilat Shijaku nuk i ka.
Këshilla në raste të tilla mbetet transparencë prej administratës, kujdes nga korrupsioni dhe vigjilencë e institucioneve përgjegjëse ndaj fondeve, sidomos kur ato vijnë pas “një pushimi” tre vjeçar siç ndodhi me IPARD-in.

11 Mars, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)