Ka ndërruar jetë politikani kosovar Alush Gashi. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij.
Alush Gashi ishte një nga figurat e hershme të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Ai ka shërbyer edhe si ministër i Shëndetësisë në Kosovë dhe njihej si një prej themeluesve të strukturave institucionale të LDK-së gjatë viteve ’90.
Gashi ishte aktiv për dekada në politikë dhe jetën publike.
Familjarët nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me rrethanat e vdekjes apo ceremoninë e varrimit.
Alush Gashi (4 tetor 1950, fshati Prigodë i Komunës së Istogut – 15 maj 2026) ishte politikan kosovar.
Gashi studoi mjekësinë në Universitetin e Prishtinës më 1974 dhe përfundoi doktoraturën në Zagreb më 1979. Alush Gashi mban rekordin si doktori më i ri i shkencave në fushën e anatomisë në Evropë duke doktoruar në moshën 28 vjeçare. Gashi ishte shkencëtar vizitues në University of California San Francisco (UCSF) prej vitit 1981. Më vonë u bë drejtues në institutin e anatomisë dhe dekan në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në kohërat më të vështira për popullin kosovar.
Gashi luajti një rol të rëndësishëm në luftën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje. Në vitin 1989, si dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ai u bë pjesë e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ishte anëtar i LDK-së dhe mori pjesë në negociatat për të shmangur luftën. Ai gjithashtu shërbeu si këshilltar i lartë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës, dhe poashtu ishte sekretar për marrëdhëniet me jashtë i LDK. Edhe pas luftës në Kosovë ai ka qenë politikisht aktiv. Në zgjedhjet e vitit 2007, z. Gashi ishte ndër përfaqësuesit më të votuar në parlamentin e Kosovës. Gashi ishte nënshkrues i deklaratës së pavarësisë, dhe ndërmjet nëntorit 2007 dhe prillit 2010 ai mbajti postin si ministër i shëndetësisë. Z. Gashi ushtron profesionin e profesorit të anatomisë, dhe në vitin 2019 u zgjedh anëtar i këshillit të përgjithshëm të LDK. Pas një pauze disavjeçare nga postet publike, në qershor të vitit 2020 z. Gashi u zgjodh këshilltar politik i kryeministrit politik Avdullah Hoti. Përvoja e gjatë e Gashit në politikë të jashtme e bën të konsiderohet si person me lidhje të forta ndërkombëtare e posaçërisht me SHBA-të.
Në shkurt të vitit 2021, me zgjedhjen e Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së, Prof. Dr. Alush Gashi u rizgjedh edhe për një mandat si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së[1]. Në qershor të vitit 2021, Prof. Dr. Gashi themeloi Institutin për Marrëdhënie me Jashtë (Institute of Foreign Relations), ku mban pozitën e kryesuesit të bordit. Instituti për Marrëdhënie me Jashtë është institucioni i parë i llojit të tillë, i cili si synim ka të nxisë një debat intensiv mbi politikën e jashtme të Kosovës. Gazeta Zëri njoftoi që në nëntor të vitit 2021, Prof. Dr. Gashi bëri lansimin e institutit duke mbajtur takimin e parë me diplomatë të Evropës Jug-Lindore ku shkëmbyen mendime se si Kosova mund të zhbllokojë anëtarësimin e saj në nivel shumëpalësh dhe njohje diplomatike.