VOAL

VOAL

Trump: SHBA arrijnë një marrëveshje ushtarake me Indinë

February 24, 2020

Komentet

Arrestohet kryeredaktori i gazetës së pavarur ruse për “përbuzjen” e ushtrisë

Kryeredaktori i gazetës së njohur dhe të pavarur ruse, Novaya Gazeta, Sergei Sokolov (majtas) dhe ish-kryeredaktori i kësaj gazete duke biseduar para një seance dëgjimore në një gjykatë ruse, shtator 2022.

Sergei Sokolov, kryeredaktori i gazetës së njohur dhe të pavarur ruse, Novaya Gazeta, u arrestua të enjten në Moskë, pas akuzave se gjoja i ka “përbuzur” forcat e armatosura ruse, njoftoi gazeta.

Zyrtarët e Qendrës së Rusisë për Luftimin e Ekstremizmit ia vunë prangat Sokolovit, tha Novaya Gazeta.

Sipas gazetës, akuzat – të cilat janë “administrative” dhe janë të ndëshkueshme zakonisht me gjobë apo me dënim të shkurtër me burg – kanë të bëjnë me një shkrim në gazetën e shtypur.

Nuk dihet se kur do të mbahet seanca dëgjimore kundër Sokolovit.

Vëzhguesi i mediave, Reporterët pa Kufij, shkroi në rrjetin social X se proteston kundër arrestimit të tij, “i cili është dëshmi shtesë e dhunës së censurës në Rusi”.

Sokolov u bë udhëheqës i lajmeve në Novaya Gazeta në shtator 2023, pasi kryeredaktori i deriatëhershëm, laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, u shpall “agjent i huaj” nga autoritetet ruse.

Në shtator 2022, një gjykatë në Moskë ia hoqi licencën Novaya Gazetës, e cila ka qenë kritike ndaj Kremlinit për shumë vite.

Disa ditë pasi presidenti Vladimir Putin i dërgoi trupat brenda Ukrainës para dy vjetëve, Parlamenti i kontrolluar nga Kremlini e miratoi një legjislacion i cili e bën të jashtëligjshëm përçmimin e ushtrisë ruse, apo përhapjen e “informatave të rreme” për veprimet e vendit në Ukrainë.

Dhjetëra media të pavarura në Rusi u ndaluan si pasojë, derisa media të tjera thanë se nuk do të raportonin në lidhje me luftën në Ukrainë.

Novaya Gazeta njoftoi në mars 2022 se do ta pezullonte punën gjatë luftës në Ukrainë. Por, stafi i Novaya Gazetës, që iku jashtë vendit, e nisi një projekt të ri, Novaya Gazeta Europe, e cila është kritike e zëshme e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Putini paralajmëron për rrezikun e një lufte bërthamore me NATO-n

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fjalimit vjetor. Moskë, 29 shkurt 2024.

 

Presidenti rus, Vladimir Putin, nisi fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit më 29 shkurt duke paraqitur këndvështrimin e tij se si po përparon lufta kundër Ukrainës, për raportet e Rusisë me Perëndimin, kërcënoi me pasoja “tragjike” nëse NATO-ja dërgon trupa në Ukrainë.

“[Shtetet perëndimore] duhet ta kuptojnë se edhe ne kemi armë që mund të godasin caqet në territoret e tyre. E gjithë kjo, realisht kërcënon një konflikt me përdorim të armëve bërthamore dhe shkatërrim të njerëzimit. A nuk po e kuptojnë këtë ata?”, tha Putin.

Duke folur më pak se tre javë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, të cilat pritet t’i fitojë me lehtësi, Putin përsëriti narrativin se nisja e pushtimit në shkallë të plotë i Ukrainës ishte i nevojshëm për të mbrojtur sovranitetin e Rusisë dhe sigurinë.

“Pavarësisht vështirësive dhe shijes së hidhur të humbjeve, njerëzit e mbështesin këtë zgjedhje”, tha ai për “operacionin e posaçëm ushtarak”, formulimin që përdor Kremlini për t’iu referuar pushtimit të Ukrainës që Moska nisi në shkurt të vitit 2022.

Në pjesë e parë të fjalimit, që ai e mbajti para dy dhomave të Parlamentit rus dhe Këshillit të Federatës, ai u fokusua më shumë te Perëndimi, duke e akuzuar atë se “po tenton të na tërheq në një garë armësh”, duke “tentuar që të na lodhin”.

“Perëndimi nuk po tenton vetëm që të na pengojë në zhvillimin tonë; në vend të Rusisë, atyre u duhet një vend vdekjeje”, tha ai, duke shtuar se në të njëjtën kohë, Perëndimi “i ka bërë keq llogaritë”.

Më herët gjatë kësaj jave, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të Evropës të mbajtur në Paris, tha se pavarësisht se aktualisht nuk ka konsensus, nuk duhet të përjashtohet asnjë mundësi për të ndihmuar Ukrainën, përfshirë edhe dërgimin e trupave perëndimore për të luftuar përkrah Kievit, në mënyrë që të parandalohet një fitore ruse.

“Ata po flasin për dërgimin e trupave të NATO-s në Ukrainë. Por, ne e kujtojmë fatin e atyre që dërguan kontingjente. Tani, pasojat për intervencionistët do të jenë shumë më tragjike. Edhe ne kemi armë, që mund të godasin caqe në territoret e tyre”, kërcënoi Putin.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kyçë evropianë thanë gjatë kësaj jave se nuk kanë plane që të dërgojnë trupa tokësore në Ukrainë.

Fjalimi i Putinit vjen para zgjedhjeve presidenciale ruse që mbahen më 15-17 mars, të cilat Kremlini shpreson t’i përdorë për të treguar unitetin e kombit në mbështetje të Putinit dhe pushtimit të Ukrainës.

Zgjedhjet ruse kontrollohen ashpër nga Kremlini dhe as nuk janë të lira, e as fer, por shihen nga Qeveria si nevojë për të përçuar një ndiejnë të legjitimitetit.

Putin është në pushtet në Rusi që nga viti 1999, si president dhe kryeministër.

Gjatë fjalimit, Putin nuk përmendi Aleksei Navalny, politikanin opozitar, që vdiq dy javë më parë në një burg në Arktik, nën rrethana të dyshimta.

Navalny kishte tentuar të garonte kundër Putinit më 2018, por nuk ishte lejuar nga autoritetet për shkak të një dënimi të mëparshëm për mashtrim, rast që ishte parë gjerësisht si i motivuar politikisht.REL

Putini i drejtohet kombit: NATO po përgatitet për të goditur territorin rus

Presidenti rus Vladimir Putin mbajti këtë të enjte një fjalim drejtuar deputetëve, por dhe kombit.

Gjatë fjalimit të tij Putin u ndal dhe te lufta në Ukrainë dhe zgjerimi i NATO-s në vendet e Evropës Veriore si Finlanda dhe Suedia.

Putin pretendoi se forcat e NATO-s po ‘përgatiten për të goditur territorin rus’.

“Rusia perëndimore duhet të “mbrohet siç duhet” pas zgjerimit të NATO-s për të përfshirë Suedinë dhe Finlandën”, deklaroi Vladimir Putin.

Putin nënvizoi se fati i çdo vendi që do të pushtojë Rusinë do të ishte “shumë më tragjik” se çdo gjë me të cilën do të përballej.

“Ata duhet të kuptojnë se ne kemi gjithashtu armë, armë që mund t’i mposhtin ata në territorin e tyre,” thotë ai, duke shtuar se një veprim i tillë mund të “shkaktojë përdorimin e armëve bërthamore”.

“A nuk e kuptojnë ata këtë?”- shtoi Putin.sn

E veja e Navalnyt i bën thirrje BE-së ta hetojë rrjedhën e parave të lidhura me Putinin

Yulia Navalnaya duke folur në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë, 28 shkurt 2024.

Yulia Navalnaya, e veja e kritikut të ndjerë të Kremlinit Alexei Navalny, u ka bërë thirrje të mërkurën ligjvënësve evropianë ta hetojnë lidershipin rus, të cilin ajo e cilësoi si një “grup të organizuar kriminal” i udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin dhe aleatët e tij.

Duke folur në Parlamentin Evropian më 28 shkurt – gati dy javë pasi burri i saj u shpall i vdekur në një burg të Arktikut, ku po kryente dënim me burgim për akuzat që mbështetësit e tij dhe Perëndimi i cilësojnë si të rreme – Navalnaya tha se një hetim për rrjedhën e parave në Perëndim do t’i dërgonin ligjvënësit evropianë drejt e te Putini.

“Ju nuk keni të bëni me një politikan, por me një mafioz të përgjakshëm. Putini është lider i një grupi të organizuar kriminal. Kjo përfshin helmuesit dhe vrasësit, por ata janë thjesht kukulla. Gjëja më e rëndësishme është njerëzit e afërm të Putinit – miqtë e tij, bashkëpunëtorët, dhe mbajtësit e parave të mafias”, tha ajo.

“Ju, të gjithë ne, duhet patjetër ta luftojmë grupin kriminal. Dhe, inovacioni politik këtu është të përdoren metodat e luftimit të krimit të organizuar, jo gara politike. Jo shqetësimet përmes deklaratave, por kërkimi i bashkëpunëtorëve të mafias në vendet tuaja, i avokatëve dhe financierëve të cilët po e ndihmojnë Putinin dhe miqtë e tij t’i fshehin paratë”, shtoi ajo.

Vdekja e Navalnyt në një burg të largët të Arktikut u raportua më 16 shkurt, duke nxitur pikëllim dhe zemërim të madh në Rusi dhe nëpër gjithë botën, pasi autoritetet ruse nuk kishin pranuar t’ia dorëzonin familjes trupin e Navalnyt duke i rritur dyshimet për shkaktarin e vdekjes së tij.

Zyrtarët rusë thanë se shkaktari ishte sindromi “vdekje e papritur”.

Navalnaya e ka akuzuar Putinin drejtpërdrejt për vrasjen e burrit të saj, i cili ishte ndër kritikët më të zëshëm të tij.

Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat se ka gisht në vdekjen e Navalnyt, ndërsa Navalnaya është zotuar se do ta vazhdojë punën e bashkëshortit të ndjerë për zbulimin e korrupsionit në Rusi dhe përpjekjet për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut, të cilat Putini i ka kufizuar gjatë sundimit të tij mbi 20-vjeçar.

Putini – i cili ka një pagë zyrtare vjetore prej rreth 140.000 dollarësh – është akuzuar se ka mbledhur një pasuri që nga disa vlerësohet se kap shifrën e 200 miliardë dollarëve, dhe se u ka shpërndarë miliarda dollarë aleatëve më të afërt, përmes një rrjeti të komplikuar të entiteteve financiare.

Ekipi i Navalnyt më 2022 publikoi hollësi të cilat i kishte zbuluar për një superjaht në vlerë 700 milionë dollarë, për të cilin tha se i takonte Putinit.

Në fillim të vitit 2021, ekipi i Putinit kreu një hetim i cili nxori në sipërfaqe një pronë në vlerë 1.35 miliard dollarë në Gjirin e Gelendzhikut në Detin e Zi, i cili dyshohet se u ndërtua për Putinin.

Putini vazhdimisht i ka mohuar akuzat se ka grumbulluar pasuri. Në deklaratën e të hyrave dhe aseteve nga viti 2020, ai e shënoi një banesë modeste, tri vetura të epokës sovjetike, dhe një rimorko të vogël kampingu të dhuruar nga babai i ndjerë.

“Putinin nuk mund ta lëndoni me një rezolutë tjetër, apo me një varg sanksionesh që nuk dallojnë nga ato të kaluarat. Nuk mund ta mposhtni atë duke menduar se ai është njeri i parimeve, i cili ka moral dhe rregulla”, tha Navalnaya, duke bërë thirrje për veprime më efektive kundër rrjedhës së parave të elitës udhëheqëse.

“Nëse doni vërtet ta mposhtni Putinin, duhet të bëheni novator. Dhe duhet të mos jini të mërzitshëm më”, theksoi ajo.REL

Vdiq në burg, të premten ceremonia e varrimit të liderit opozitar rus Navalny

Ceremonia e varrimit dhe lamtumirës për liderin e opozitës ruse Alexei Navalny do të bëhet të premten, më 1 mars në Moskë. Kështu deklaroi zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmish në një postim në rrjetin social X.

Funerali do të bëhet në varrezat e Borisovskoye pas një ceremonie lamtumire në një kishë në rrethin Mariino, tha Yarmish.

Kritiku më i ashpër i Putinit vdiq më 16 shkurt në burg, ndërsa nuk dihen rrethanat e ngjarjes.bw

Disidenti rus Orlov dënohet me dy vjet e gjysmë burg

Oleg Orlov duke dëgjuar dënimin e lexuar nga gjyqtari i gjykatës së Moskës

Disidenti rus, bashkë-president i fondacionit që fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2022, do të duhet të vuajë dënimin në një koloni penale.

VOAL- Një gjykatë në Moskë dënoi të martën disidentin Oleg Orlov, ish-bashkëpresident i fondacionit Memorial, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2022, me dy vjet e gjysmë burg. Oleg Orlov, 71 vjeç në prill, akuzohet se ka denoncuar vazhdimisht agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

“Gjykata vendosi ta shpallë Orlovin fajtor dhe ta dënojë me dy vjet e gjashtë muaj në (…) një koloni penale,” tha gjykatësi në vendimin e tij, sipas një gazetari të AFP-së i pranishëm në seancë.

Në vendimin e dënimit, disidenti, i veshur me një pulovër dhe syze të holla, i shkeli syrin gruas së tij Tatianës dhe i tha: “Tania, më premtove”, ndërsa u shfaq duke i kërkuar asaj që të mos qante. Disa dhjetëra nga mbështetësit e tij shkuan në gjykatë për të mbështetur disidentin, një nga kritikët e fundit të Kremlinit ende pa hekura apo në mërgim jashtë vendit.

Në fjalimin e tij të fundit dje, të hënën, Orlov denoncoi “mbytjen e lirisë” në Rusi dhe “hyrjen e trupave ruse në Ukrainë”. “Nuk pendohem për asgjë dhe nuk më ndalon dot asgjë,” tha ai. rsi-eb

Ndihmësja e Navalnyt thotë se ai u vra derisa po negociohej për këmbimin e tij

Maria Pevchikh, ndihmësja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny ka pretenduar se një këmbim i të burgosurve – ku ka qenë i përfshirë edhe kritiku i Kremlinit – ka qenë në fazën përfundimtare para se ai të vdiste në një burg në Siberi.

Pevchikh, udhëheqëse e Fonadacionit të Navalnyt Kundër-Korrupsionit, ka thënë të hënën përmes një videoje në YouTube se ndihmësit e Navalnyt kanë punuar për dy vjet që t’i bindin zyrtarët e Perëndimit për të negociuar një marrëveshje që do të përfshinte kritikun e Kremlinit dhe dy shtetas amerikanë të mbajtur në burgjet ruse, për Vadim Krasikovin, ish-kolonelin e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në Rusi, i cili është dënuar për vrasje të një ish-luftëtari çeçen në Berlin më 2019.

Ajo nuk i ka përmendur emrat e dy shtetasve amerikanë që ishte planifikuar të këmbeheshin.

Aktualisht janë disa amerikanë që po mbahen në burgjet ruse, përfshirë ish-marinsin Paul Whelan, gazetarin e të përditshmes amerikane Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva.

Navalny do të përfshihej në marrëveshje si pjesë e një “këmbimi humanitar”.

“Në fillim të shkurtit, Putinit i është ofruar të këmbejë vrasësin e FSB-së, Vadim Krasikov, i cili është duke vuajtur dënimin për një vrasje në Berlin, për dy shtetas amerikanë dhe Aleksei Navalnyn. E kam pranuar konfirmimin se negociatat ishin në fazën finale në takimin e 15 shkurtit. Më 16 shkurt, Aleksei është vrarë”, ka thënë Pevchikh.

“Aleksei Navalny do të mund të ishte ulur me ne këtu, sot”, ka shtuar ajo.

Deklaratat e saj nuk janë konfirmuar dhe as kundërshtuar prej burimeve tjera.

I pyetur për këtë çështje më 26 shkurt, zëdhënësi i Qeverisë gjermane Christiane Hoffmann, ka thënë se nuk mund të komentojë.

Më herët gjatë këtij muaji, Putin i ka thënë komentatorit amerikan Tucker Carlson, se “një marrëveshje mund të arrihet”, për të liruar Gershkovichin, i cili është arrestuar në mars të vitit të kaluar në Rusi, nën akuzat për spiunim, të cilat ai dhe Qeveria i kanë konsideruar të pabazuara, me një “patriot” rus, që po vuan dënimin në Gjermani, dhe kjo besohet se ka qenë referencë për Krasikovin.

Wall Street Journal i ka cituar zyrtarët perëndimorë në atë kohë, të ketë thënë se Putin dëshiron që Krasikov të këmbehet për dy të burgosur amerikanë, përfshirë Gershkovichin.

Në video, Pevchikh ka dyshuar që Putin “nuk e ka toleruar” lirimin e Navalnyt dhe në vend të këmbimit “ka dashur ta heqë qafe krejtësisht”.

Ajo nuk ka dhënë dëshmi për të mbështetur pretendimin e saj.

Sipas saj, miliarderi rus Roman Abramovich ka qenë “negociator jozyrtar” në mes të Kremlinit dhe zyrtarëve evropianë.

“E kam pyetur Roman Abramovichin për kushtet dhe çfarë ka thënë Putini. Fatkeqësisht Abramovich nuk u është përgjigjur pyetjeve, por as nuk ka mohuar asgjë”, ka thënë Pevchik.

As Abramovich dhe as Kremlini nuk e kanë komentuar këtë deklaratë të saj.

Trupi i Navalyt i është dorëzuar familjes përgjatë fundjavës, një javë pasi është bërë publike vdekja e tij në burgun e ashtuquajtur “Ujku Polar” në Arktik.

Ai ka qenë duke vuajtur dënimin me burgim prej 19 vjetëve, nën akuza që ai dhe mbështetësit e tij i konsiderojnë të motivuara politikisht.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij.

Nëna e Navalnyt i ka akuzuar zyrtarët rusë se i kanë bërë presion që të organizojë një ceremoni sekrete të varrimit për djalin e saj për të shmangur turmat e njerëzve.

Zëdhënës i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë më 26 shkurt se është “absurde” të pretendohet se familjes së Navalnyt i është bërë presion.REL

Kryeministri palestinez jep dorëheqje

Kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, tha të hënën se ai po jepte dorëheqjen për të lejuar krijimin e një konsensusi të gjerë ndërmjet palestinezëve mbi marrëveshjet politike pas luftës në Rripin e Gazës.

Kjo sinjalizon një gatishmëri nga udhëheqja palestineze e mbështetur nga perëndimi për të pranuar ndryshime që mund të çojnë në reforma, të cilat shihen si të nevojshme për të rigjallëruar Autoritetin Palestinez.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan një Autoritet Palestinez të reformuar që do të qeverisë Rripin e Gazës pasi të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit, të cilin SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë organizatë terroriste.

Presidenti Mahmud Abbas duhet të vendosë nëse do të pranojë dorëheqjen e kryeministrit Shtayyeh dhe Qeverisë së tij dhe mund t’i kërkojë atij të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet një zëvendësues i përhershëm.

Në një deklaratë për qeverinë, Shtayyeh, një ekonomist akademik që mori detyrën në vitin 2019, tha se faza tjetër duhet të marrë parasysh realitetin e ri në Rripin e Gazës, i cili është shkatërruar pas gati pesë muajsh luftime të rënda.

Ai tha se përveç aranzhimeve të reja politike, “duhet shtrirja e autoritetit të administratës (palestineze) në të gjithë vendin, Palestinë”.

Autoriteti Palestinez, i formuar 30 vjet më parë sipas Marrëveshjes së Përkohshme të Paqes të Oslos, ka autoritet të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, por humbi pushtetin në Gaza pas luftimeve me Hamasin në vitin 2007.

Fatah, i cili kontrollon Autoritetin Palestinez, dhe Hamasi, kanë shtuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje për një qeveri uniteti dhe do të takohen në Moskë, të mërkurën. Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se masa duhet të shoqërohet me një marrëveshje më të gjerë për autoritetin mbi territoret palestineze.

“Dorëheqja e Qeverisë Shtayyeh ka kuptim vetëm nëse është në kontekstin e një konsensusi kombëtar për marrëveshjet për fazën tjetër”, tha për Reutersin zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri.

Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin dhe thotë se për arsye sigurie nuk do të pranojë sundimin e Autoritetit Palestinez mbi Gazë pas luftës, që shpërtheu pas një sulmi të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin, sipas të dhënave izraelite, u vranë rreth 1200 njerëz.

Nga përgjigjja e Izraelit me sulme ajrore e tokësore në Rripin e Gazës deri tani janë vrarë afro 30.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi. REL

Zëdhënësi i Navalnyt: Trupi i vdekur i liderit opozitar iu kthye nënës

Kjo vjen pasi asaj i ishte thënë të pranonte një varrim të fshehtë, përndryshe ai do të varrosej në koloninë e burgut ku vdiq.

Në një postim në X, zëdhënësi i Navalny falënderoi të gjithë ata që kishin kërkuar kthimin e trupit të tij.

Nuk dihet ende se kur do të bëhet varrimi.

(BBC – BalkanWeb)

Vajza e Nemtsovit: Putini më shumë i frikësohet Navalnyt të vdekur, sesa Navalnyt të gjallë

Protestuesit duke mbatur forografi të Vladimir Putinit dhe Aleksei Navalnyt gjatë një tubimi para Konsullatës ruse në Nju Jork, pas njoftimit për vdekjen e kritikut të Kremlinit më 16 shkurt.

 

Vajza e ikur në mërgim e kundërshtarit të vrarë politik të Kremlinit, Boris Nemtsov, e ka akuzuar Rusinë se po e trajton në mënyrë “të tmerrshme, çnjerëzore, të pabesueshme dhe monstruoze” trupin e liderit të vdekur opozitar, Alexei Navalny, duke shtuar se kjo tregon se sa shumë i druhet presidenti Vladimir Putin trashëgimisë së Navalnyt.

“Vladimir Putin i frikësohet trupit të vdekur të Navalnyt më shumë sesa Navalnyt të gjallë”, tha Zhenna Nemtsova për Current Time, një javë pasi autoritetet ruse thanë se Navalny vdiq pasi i humbi ndjenjat në një burg në Arktik.

Babai i Nemtsovës ishte një politikan i njohur që u bë kritik i zëshëm i Putinit i cili, sikurse Navalny, nxirrte raporte të hollësishme për korrupsionin, para se të vritej.

Boris Nemtsov u qëllua me armë për vdekje në një urë pranë Kremlinit në Moskë në shkurt 2015, pak javë pasi publikisht shprehu frikën se Putini mund ta vriste.

Nemtsova tha se televizioni shtetëror rus fillimisht e “mbuloi ngjarjen e babait tim në mënyrë shumë të favorshme, por gjithçka ndryshoi…kur ndodhi marshi i varrimit” i cili dëshmoi popullaritetin e babait të saj, pasi dhjetëra mijëra rusë dolën në rrugë qoftë për një “kufomë politike”.

Si pasojë, autoritetet ruse bënë thirrje kundër mbajtjes së zisë për Nemtsovin dhe i injoruan ngacmimet e simpatizantëve të Nemtsovit nga ultranacionalistët.

“Ata e kuptojnë se e njëjta do të ndodhë edhe me Alexei Navalny” nëse lejohen momerialet publike, tha Nemtsova.

Rusia e ka shtuar përdorimin e mjeteve si, emërtimet “agjentët e huaj” dhe “të padëshirueshëm”, përvec rrahjeve brutale dhe arrestimeve, për ta minimizuar kundërshtimin publik prej se e nisi pushtimin e Ukrainës dy vjet më parë.

Policia ruse i arrestoi qindra njerëz në gjithë vendin pas vdekjes së Navalnyt dhe me shpejtësi i largoi të gjitha memorialet e improvizuara të cilat u vendosën nga qytetarët në dhjetëra qytete.

E veja e Navalnyt dhe nëna e tij e kanë akuzuar Putinin për vdekjen e tij, siç kanë bërë edhe presidenti amerikan Joe Biden dhe disa zyrtarë të tjerë perëndimorë.

Zyrtarët rusë e kanë mohuar se janë përgjegjës për vdekjen e tij, por nuk e kanë liruar trupin e tij dhe raportohet se kanë kërkuar varrim privat, para se t’ia dorëzojnë kufomën të ëmës.

“Besoj se Alexei u vra me urdhër të Putinit, dhe ata kanë frikë se në prag të zgjedhjeve, qindra mijëra njerëz do të shkojnë për t’i dhënë lamtumirë Alexeit”, tha Nemtsova.

Putini po e kërkon mandatin e pestë si president në zgjedhjet e kontrolluara me kujdes nga Kremlini më 15-17 mars, pasi zyrtarët rusë e kanë diskualifikuar tashmë kandidatin e vetëm të mirëfilltë kundër luftës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë javë më parë ia ndaloi garimin në zgjedhje Boris Nadezhdinit, i cili haptazi ka bërë thirrje për ndaljen e pushtimit të Ukrainës nga Moska.rel

Pushtimi i Ukrainës, dy vjet më vonë- Nga Stefano Grazioli

Le të bëjmë një bilanc të konfliktit që përfshin Moskën dhe Kievin – Si është situata në front? A ishin sanksionet efektive? A ka hapësirë ​​për të folur për paqen? Intervista

VOAL- Ishte 24 shkurt 2022 kur filloi pushtimi rus në territorin ukrainas. Konflikti mes dy palëve vazhdon, edhe pse pushtimet territoriale janë të ngadalta prej disa kohësh. Sanksionet ekonomike, ndihma perëndimore, thirrjet për paqe, takimet, konferencat nuk kanë lejuar ende një pikë kthese.

Ne i kërkuam bashkëpunëtorit dhe ekspertit tonë për Rusinë dhe Ukrainën, Stefano Grazioli, i cili gjatë gjithë këtyre muajve na ka ndihmuar me analiza në kohë për t’ju dhënë një interpretim të këtij konflikti, për t’iu përgjigjur një sërë pyetjesh.

Kanë kaluar dy vjet nga fillimi i pushtimit rus në territorin ukrainas. Cila është situata në të dy frontet?

Linja e frontit të luftës shkon përgjatë mbi 1000 km të territorit ukrainas dhe në thelb mund të ndahet në dy pjesë, atë lindore, në Donbass dhe atë jugore, në rajonet e Zaporizhia dhe Kherson. Në të parën, Rusia ka marrë iniciativën që nga viti i kaluar dhe vazhdon një avancim të ngadaltë me synimin për të zgjeruar perimetrin e territoreve tashmë të aneksuara dhe për të arritur kontrollin e plotë të rajoneve të Luganskut dhe Donetskut. Fitorja e fundit në Avdiivka i shtohet atyre të vitit 2023 në jug të Kharkiv-it, veçanërisht asaj të Bakhmutit. Në këtë fazë të konfliktit, ku epërsia ruse po ndihet edhe për shkak të mungesës së ndihmës perëndimore për Ukrainën, Moska duket se po shtyn përshpejtuesin, duke përfituar nga vështirësitë e Kievit, e cila nuk shkon përtej sulmeve të largëta në Krime apo në rajoni rus i Belgorodit, megjithatë pa mundur të ndikojë në ecurinë e konfliktit. Edhe në frontin jugor, ku kundërofensiva ukrainase duhet të kishte mbërritur verën e kaluar, trupat ukrainase duket se janë përqendruar në operacionet mbrojtëse. Javët e ardhshme dhe muajt e pranverës do të përcaktojnë më qartë mundësitë që Rusia do të ketë për të vazhduar avancimin e saj dhe Ukraina do të duhet të rezistojë dhe ndoshta të përgatisë kundërsulmin që nuk ka gjasa të ndodhë brenda këtij viti. Shumë do të varet nga sa Perëndimi është i gatshëm të investojë në mbështetje ushtarake për Kievin dhe sa forca ka Moska për të vazhduar siç po bën.

Në dy vjet, dy presidentëve, Zelensky dhe Putin, iu desh të merren me stabilitetin e brendshëm politik të vendeve të tyre përkatëse.Çfarë vlerësimi mund të nxirret?

Në vitin 2023, pozicioni i Putinit është forcuar dhe episodi i rebelimit të Evgeny Prigozhin duket se është kapërcyer pa probleme, si në planin ushtarak, me menaxhimin e kompanisë Wagner të integruar në forcat e rregullta, dhe në atë politik, me një fuqizim. e vertikales së pushtetit. Në prag të zgjedhjeve presidenciale të marsit, pas shtypjes së mëtejshme të brendshme që përfshin të gjitha llojet e disidencës, si nga opozita civile dhe e moderuar, ashtu edhe nga skajet ultranacionaliste, Kremlini gëzon stabilitet të lidhur nga njëra anë me rrjedhën pozitive të konfliktit dhe nga ana tjetër për situatën relativisht të qetë ekonomike e cila nuk ofron hapësirë ​​për revolta të mundshme sociale. Në Ukrainë, tabloja është bërë më e ndërlikuar për Zelensky-n, në vazhdën e kundërsulmimit që shkoi keq, duke nxjerrë në pah problemet ushtarake dhe politike. Konsensusi i presidentit ukrainas është në rënie dhe ndryshimi në krye të forcave të armatosura, me shkarkimin e gjeneralit Zaluzhny, i zëvendësuar nga ish-komandanti i forcave tokësore Skyrsky, vetëm sa e ka përkeqësuar situatën. Edhe në anën aleate, Zelensky duket se është në vështirësi, përtej retorikës perëndimore të mbështetjes së pakufizuar për Ukrainën, e cila në realitet filloi të mungonte që në gjysmën e dytë të 2023.

Sa e kanë dobësuar Moskën sanksionet ekonomike?

Bashkimi Evropian ka miratuar trembëdhjetë paketa sanksionesh kundër Rusisë në dy vjet dhe vendet e G7 të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, së bashku me Brukselin, janë përpjekur të izolojnë Moskën, duke goditur ekonominë ruse, për të bërë që Kremlini të ndryshojë kursin pas pushtimit të Ukrainës. Plani perëndimor ka dështuar në thelb, duke qenë se Putini nuk e ka ndryshuar vijën e luftës në ish-republikën sovjetike për asnjë milimetër. Arsyet e këtij rezultati janë të shumta dhe variojnë nga pamundësia fizike në epokën e globalizimit për të vendosur sanksione efektive ndaj një vendi që është i izoluar në anën perëndimore, por që vazhdon të mbajë marrëdhënie ekonomike dhe tregtare me pjesën tjetër të botës, që nuk mbështet qëndrimet e BE-së dhe G7. Për më tepër, Moska u shfaq e përgatitur për të përballuar luftën financiare dhe tregtare, falë jo vetëm mënyrave për të anashkaluar masat kufizuese perëndimore, por kundërmasave të aplikuara me përvojën e viteve të mëparshme, pasi sanksionet e para kishin ardhur më 2014. Ndërsa, nga njëra anë, Rusia po rritet mbi të gjitha falë shndërrimit të saj në një ekonomi lufte, fakti që sektori i energjisë, themelor për vendin, është sanksionuar vetëm pjesërisht (pjesë e tregtisë së naftës, por jo gazit dhe energjisë bërthamore) i lejoi Kremlinit hapësirë ​​të mirë manovrimi, efektive për të shmangur kordonin perëndimor.

Si është gjendja ekonomike e Ukrainës? Sa e rëndësishme është ndihma perëndimore për të kundërshtuar “operacionin special ushtarak” të Putinit?

Ukraina mbijeton ekonomikisht dhe ushtarakisht vetëm falë ndihmës perëndimore. Ndërkohë që Bashkimi Evropian miratoi së fundmi një paketë prej 50 miliardë eurosh, kryesisht për të mbështetur shtetin ukrainas në funksionet e tij bazë, 61 miliardë dollarë janë ende të bllokuara në Shtetet e Bashkuara, të destinuara kryesisht për armatim. Megjithëse Kievi po merr mbështetje të mëtejshme nga vende të veçanta, bllokada e Uashingtonit, nëse vazhdon, do ta detyrojë Bashkimin Evropian të dyfishojë përpjekjet dhe shpejtësinë e tij në furnizime. Problemi kryesor për momentin janë municionet, por ushtria ukrainase ka nevojë të vazhdueshme për armë dhe teknologji. Edhe ardhja e avionëve luftarakë F16 në muajt e ardhshëm të verës mund të mos përfaqësojë ndryshimin e lojës së shpresuar nga Kievi, siç ka ndodhur në të kaluarën për llojet e tjera të armëve. Pyetja më e madhe për Ukrainën në çdo rast ka të bëjë me numrin e burrave në dispozicion, i cili është shumë më i ulët se ai i Rusisë.

Në një sondazh të fundit evropian u zbulua se vetëm 10% e popullsisë beson se Rusia mund të mposhtet. Cilat janë perspektivat e fitores për dy vendet në konflikt?

Kuadri mbetet ai i një lufte rrënimi, ku ata që kanë hapësirën më të gjatë të frymëmarrjes, rezervat më të mëdha, kanë gjithashtu shanset më të mëdha për të fituar. Konfliktet e gjata karakterizohen nga faza të ndryshme dhe në këtë Rusia aktualisht duket se ka avantazhin: pas dy vitesh luftime, Moska kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë Krimenë, dhe duket se ka iniciativën në front, me objektivin minimal. për të përfunduar pushtimin e rajoneve të Luganskut dhe Donestkut së pari, Zaporizhia dhe Kherson më pas. Kievi duket larg objektivave të tij të deklaruara, domethënë të dëbojë trupat ruse përtej kufijve të vitit 2014, duke ripushtuar kështu të gjithë Donbasin dhe gadishullin e Detit të Zi. Nëse lufta do të përfundonte tani, Putini do të ishte fituesi, Zelensky humbësi. Megjithatë, të dy, për arsye të ndryshme, nuk duken të gatshëm për t’u ulur në tryezën e bisedimeve dhe, duke menduar në afat të gjatë, i pari shpreson për një avancim të mëtejshëm, i dyti për të marrë mbështetjen e mjaftueshme për të ndryshuar situatën.

Flitet për një proces paqeje, Zvicra është në ballë në promovimin e një konference, por cilat janë kufijtë për të lejuar një dialog midis Moskës dhe Kievit?

Plani i paqes i paraqitur nga Zelensky është jorealist, duke qenë se ai parashikon negociata me Rusinë vetëm pas humbjes së Moskës dhe ripushtimit ukrainas të Donbasit dhe Krimesë. Kremlini, nga ana tjetër, ka thënë se është gati për negociata vetëm duke filluar nga status quo-ja, pra me Rusinë në krye. Është e qartë se çdo lloj dialogu për të qenë i suksesshëm duhet të përfshijë Moskën dhe Kievin dhe të ketë bekimin e Shteteve të Bashkuara, sponsorit kryesor të Ukrainës. Në çdo rast, rruga drejt paqësimit do të jetë shumë e gjatë, duke marrë parasysh edhe faktin se konflikti në shkallë të vogël në Donbass filloi në vitin 2014 dhe është zgjeruar që nga viti 2022: rreziku është që ai të vazhdojë me intensitet të alternuar deri në njërën nga dy palët. ai nuk do të jetë me të vërtetë i konsumuar dhe do të duhet të dorëzohet para një kompromisi të pashmangshëm. rsi-eb

Biden takohet me Yulia Navalnaya-n, e veja e udhëheqësit të ndjerë të opozitës ruse

Presidenti Biden takohet me familjen e opozitarit Navalny

VOA/Cindy Saine

Ndërsa Shtetet e Bashkuara shpallën sot sanksione të reja, kundër Moskës, pas vdekjes së udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny, Presidenti Joe Biden u takua të enjten me të venë e tij në San Françisko. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, Presidenti Biden vlerësoi veprën e udhëheqësit opozitar në luftën e tij të guximshme për një Rusi demokratike.

Gjatë takimit të enjten në Kaliforni me të venë e Alexey Navalny-t, Yulia Navalnaya-n, dhe vajzën e tyre, Dasha, Presidenti Joe Biden vlerësoi veprën e udhëheqësit opozitar në luftën e tij të guximshme kundër korrupsionit dhe për një Rusi të lirë dhe demokratike.

Në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të G20 në Brazil, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli për sanksionet amerikane kundër Rusisë lidhur me agresionin e saj kundër Ukrainës dhe vdekjen e opozitarit Navalny.

“…Navalny ishte një udhëheqës heroik në jetën dhe punën e tij. Por fakti që Vladimir Putini e pa të nevojshme ta përndiqte, helmonte dhe burgoste atë, flet shumë. Jo për fuqinë e Rusisë nën Putinin, por për dobësinë e saj”, u shpreh kryediplomati amerikan.

Të mërkurën, mediat ruse publikuan pamje filmike të arrestimit të një 33-vjeçareje me shtetësi të dyfishtë ruso-amerikane nën akuzat për tradhti. Gruaja nga Kalifornia po vizitonte familjen e saj në qytetin rus të Yekaterinburgut për vitin e ri. Mediat ruse nuk e identifikuan atë, por njoftuan se ajo akuzohet për tradhti për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Media të tjera njoftuan se ajo quhej Kseniya Karelina dhe disa të tjera përdorën mbiemrin Khavana, nga martesa e mëparshme.

Përmes një postimi në Instagram, punëdhënësi i saj në Los Anxhelos, “Ciel Spa”, tha se ajo akuzohet për tradhti pasi i kishte dhuruar 51 dollarë një organizate bamirësie ukrainase në Shtetet e Bashkuara. Kompania bëri thirrje për lirimin e saj. Zëri i Amerikës bisedoi me e saj, Eleanora Srebroski.

“Më 2 janar ajo mbërriti në Yekaterinburg dhe u arrestua më 27 janar në dyshimet për huliganizëm, çka është qesharake. Unë e njoh atë, dhe ajo nuk është dikush që mund të bëj diçka të keqe. Kurrë në jetën time nuk e kam dëgjuar të thotë një fjalë të keqe apo të shajë. Ajo është një njeri pozitiv që rrezaton dritë dhe gëzim”, tha ish vjehrra.

Ndërkohë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë qasje konsullore për amerikanen e sapo arrestuar. Ai theksoi e Rusia i konsideron individët me dyshtetësi si shtetas rus.

“Është për të ardhur keq pasi Rusia vazhdon të arrestojë qytetarët e saj, vazhdon të arrestojë qytetarët amerikanë, dhe kjo është arsyeja se pse jemi përpjekur t’i paralajmërojmë shtetasit amerikanë që të mos shkojnë në Rusi, sepse rrezikojnë burgosjen nga regjimi rus”.

Lajmi të martën për arrestimin e ruso-amerikanes erdhi në të njëjtën ditë me vendimin e një gjykate në Moskë për mbajtjen në paraburgim të amerikanit Evan Gershkovich që punonte për gazetën Wall Street Journal, në pritje të gjykimit për akuzat për spiunazh që ai i mohon me forcë.

Ndërsa në mbarë botën vazhdojnë nderimet për opozitarin e ndjerë Navalny, nëna e tij njoftoi se ishte lejuar të shohë trupin e djalin të saj. Ajo tha se zyrtarët rusë po këmbëngulin për një funeral të fshehtë.

Një tjetër udhëheqës i burgosur i opozitës ruse, i cili u kthye vullnetarisht në Rusi, pavarësisht rrezikut, Vladimir Kara-Murza, foli nga burgu të enjten përmes një lidhje me video. Ai u bëri thirrje njerëzve në Rusi dhe në mbarë botën që të mos dorëzohen përpara errësirës dhe dëshpërimit pas vdekjes së zotit Navalny, por të punojnë më shumë për ta bërë Rusinë një vend normal evropian, të lirë dhe demokratik.


Send this to a friend