Ka lajme tonat që mbeten brenda kufijve të një hapësire të caktuar shqiptare, ka lajme që mbeten të kufizuara brenda një sfere të caktuar partiake apo grupklanore, ka lajme që bëhen gjithëmediale.
Lajmi më gjithëmedial në tematikën e vet dje ishte se në Tropojë u gjetën dhe u asgjësuan 2 000 rrënjë kanabis. Buja nuk qëndronte as tek numri i bimëve të ndaluara, as tek përmasa e shkeljes ligjore, por tek nënteksti logjik se kanabisi u gjet pikërisht në atë zonë së cilës nuk i takuaka e drejta për kanabis.
Mediat në të katër anët e shqiptarisë, si të thuash, nuk e miratuan qytetarinë e kanabisit në Tropojë. Pra, kanabisi mund të jetë qytetar i çdo zone tjetër shqiptare, por nuk mund të jetë qytetar i Tropojës. Dhe këtë miratim nuk mund ta japin për banorin e tyre vendasitë e zonës përkatëse. Qytetaria e tij është fushëveprim i gjithkujt tjetër përpos vetë qytetarëve të Tropojës.
Kultivimi, industrializimi dhe tregtimi i kanabisit ka fituar de fakto ligjshmërinë e plotë në gjithë Republikën e Shqipërisë dhe e ka fituar qytetarinë morale në të gjithë shoqërinë shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të saj. Në mes të metropolit, sheshazi, në majë të malit, në breg të detit, në fushë të hapur, diku më hapur, diku më fshehur prodhohet dhe tregtohet kanabisi.
Një dukuri rutinë, në të gjitha shfaqjet e saj, madje edhe në ato më ekstremet, rëndom prodhon edhe lajme rutinë. Nga përditshmëria shqiptare, lind pyetja, pse është shkëputur, veçuar dhe ka përbërë kryelajm pikërisht një gjetje nga më të voglat, nga më të papërfillshmet, nga më të drojturat.
Është i vetmi rast a, ndoshta, nga më të rrallër, ku ekspertët e forcave të rendit japin me saktësi gati matematike dhe me hollësi të plota vendi (toponimia dhe mikrotoponimia), koordinatat, koha, kuadri i ngjarjes, pjesëmarrja, parahistoria dhe historia e saj. Madje duke iu shtuar këtyre edhe elementin e entusiazmit të dukshëm jo aq për suksesin e tyre, sa për sensacionin: Kanabisi u gjet edhe atje ku nuk e han dot mendja.
Këtë entusiazëm që përcjell ky kryelajm, unë nuk po ia lejoj vetes të më shërbejë si ngasje për të shkuar deri aty sa ta lëshoj imagjinatën dore e të them se vetë ata që e gjetën kanabisin, e patën mbjellë dhe kultivuar tinëz, në konspiracion të plotë atë për t’ia lënë në prehër krahinës së caktuar.
Do të kishte qenë kjo një përpjekje e kotë për njollosje të imazhit të krahinës që deri tani e ka përjashtuar veten nga dukuria e kanabisit. Duke qenë kështu, kjo përpjekje do të rezultonte fisnike, sepse do ta lehtësonte këtë krahinë nga një kompleks që, patjetër, e ka rënduar: Pse të mos jetë si gjithë pjesa tjetër e vendit, çfarë paska ajo më shumë, çfarë paska ajo më pak, kujt po i bën ajo sfidë, me kë e paska ajo. Pyetje pas pyetjesh.
Në Shqipëri kanë harruar – ose bëjnë sikur kanë harruar – se ligjet e një vendi nuk janë ato që shkruhen në letër, nuk janë ato që votohen me shumicë në Kuvendin e Republikës dhe publikohen në Fletoren Zyrtare. Ligjet e një vendi janë ato që, edhe pse të pashkruara, zbatohen në terren. Atyre ua marrin të keqen ligjet, VKM-të, dekretet, rregulloret, deri deklaratat e panumërta mediatike të zyrtarëve apo kryezyrtarëve.
Ligjet e vërteta, ato që, ndonëse të pashkruara, nuk mund të jenë përjashtuese, nuk jenë të përveçme, sepse ashtu, brenda së padrejtës së përditshme, dikujt do t’ia shkelnin të drejtat, në këtë kuadër, edhe një të drejtë kaq themelore (nuk po them kaq të shenjtë), siç është në Shqipëri e drejta e kanabisit.
Komentet