Mbrëmjeve, shpesh na zë gjumi duke lexuar. Prej ditësh, zgjohem me libër ndër duar dhe nis e shfletoj tregimin e radhës, me kënaqësinë se, do e gjej përsëri veten aty. Dhe dita rrjedh ndryshe në harmoni me veten. Ndihet menjëherë fryma e ngrohtë në stilin elekuent të pandryshueshëm por gjithmonë suksesplotë. Duke i dhënë rrëfimit bashkohësinë, dritwn solare dhe hapsirën urbane. Përdor ligjeratën e drejtë me rëfimin e thjeshtë tepër tërheqës, nuk e lëshon dot librin nga dora dhe faqet rrëshqasin pa u kuptuar. Një frymëmarje e butë gruaje, humor dhe sarkazëm e hollë, si pigmentet erëmira. Tipa dhe karaktere grash të brishta, të forta, të bukura si vetë ajo, Helena KADARE. Rezaton kulturën e shkrimit prej fillimit të krijimeve të saj me një mesazh të qartë të cilin shkrimtarja e përcjell, në të gjithë krijimtarinë e saj. “Një lindje e vështirë”, “Shuaje Dritën Vera”, Një Grua nga Tirana”, “Një Grua nga Berlini”, “Krimineli nga Kazizi“dhe kryeveprën “Kohë e Pamjaftueshme”, së fundmi librin, “Gruaja e Lirë.”
.
Tregime të ëmbla, të qeta, si melodia e një flauti, shoqwruar diku me pianoforte, i shkojnë bukur rrëfimeve të saj.
.
Kështu vinë tek ne përshkrimet e vendeve, situatave dhe gjendjes shpirtërore që rrethojnë personazhet me individualitetin e secilit, pa i mëshuar dramacitetit. Ngjarjet rrjedhin natyrshëm në nëntëmbëdhjetë tregimet e librit, “Gruaja e Lirë”. Në qendër të tij është gruaja, në një botë e mbizotëruar nga burrat. S’ka intriga as befasi skandalesh. Është jetë e vendeve me natyrë të bukur, me njerëz në përditshmërinë dhe të veçantën e tyre, interesant, secili në llojin e bëmat e veta. Shkruar me elegancë dhe mençuri. Gjen jetë dhe ngjarje që të freskojnë shpirtin, duke e lënë të lirë fantazinë.
.
“Etyd Parisian”, tregim i shkruar me klas, kulturë dhe performancë të veçantë. Zonja Kadare na fton në një mbrëmje mondane parisiene, ku dëgjohet zëri i Tolstoit. Flitet për dashurinë dhe humbjet. Darka ashtu si vetë jeta, ka të papriturat e befasishme nën dritat e ylberta prej reflekseve të Senës. Babai i mikpritësit Jacques S. dikur, senator e anëtar i Akademisë Shkencave Moralo-Politike, i sëmurë tashmë me alzheimer, papritur është larguar nga shtëpia, duke shqetësuar të gjithë të pranishmit, e prishur atmosferën e këndëshme me miqtë e zgjedhur. Ndërsa kërkojnë gjithandej në rrugët e Parisit, mësëshumti buzë lumit Sena, të tronditur për jetën e tij. Së fundmi e gjejnë, ku nuk u kishte shkuar mendja: ulur në shkallët e akademisë. Subkoshienca të shpie larg ndër vite, aty ku e ndjen veten plot.
.
Ndërsa lexon tregimin, përjeton largimin e njerrëzve të tu të afërt, e të tjerë të njohur, ku e tashmja e tyre ishte fshirë duke jetuar me të shkuarën. Dhe pyet veten: po ty, ku mund të të gjenin?
.
Tregimi “Gruaja e Lirë” i jep edhe titullin librit, me një kopertinë fort të këndëshme, portretin e një gruaje të piktorit italin Modigilianit, “Portrait of a woman”.
.
Transformimi i sistemit transformoi shpesh herë njerëzit, edhe brenda familjes. Bashkëshortët nuk e durojnë më praninë e njeri-tjetrit. Perëndimi i sistemeve sjell dhe perëndimin e dashurisë. Ndarja e gruas nga bashkëshorti prej gjendjes së transformuar në një arrogant agresiv, pasi kishte humbur pushtetin e tij në shoqëri dhe familje, e bën gruan të lirë. Tashmë jeta e saj ka ndryshuar.
.
Tregimi të ve në mendime: po të mos jesh e divorcuar, a mund të jesh një grua e lirë? Besoj se po, gjithmonë në mendime dhe në ëndrra, je një grua e lirë. Por sido qofshin rrethanat, a do dish si ta gëzosh këtë liri pa e shpërdoruar. Ndërsa meditoja për gruan e lirë, e pashë veten, më të lirë kur nuk isha vetëm, për të jetuar lirinë dhe ëndërrat e mia. Megjithëse mendoja, thellë, se, ska grua të lirë në shoqërinë tonë por edhe më gjërë në botë, nese ajo mendon përgjithçka rreth saj. Kështu dhe Karol, personazhi kryesor i tregimit. Pas divorcit me bashkshortin, iku nga Parisi në Varshavë, në vendlindje bashkë me vajzën e saj, të bën të mendohesh…sa e lirë do të jetë Karol tashmë…
.
Tregimi që më bëri ta rilexoja ishte, “Të mund të rruash një ëndërr”. Ndër më të bukurit e librit.
.
“ …mos ngurroni të merrni çdo ditë të afërmit tuaj në telefon për t’u thënë: Ju dua. Më ka marrë malli për ju… ………………”
.
“A ka grua që nuk e ka rruajtur një ëndërr të tillë: “Do të doja ta kisha me vete gjithmonë atë mesazh tronditës. Për të marrë forcë sa herë që rrëzohem….”
.
Shkrimtarja Kadare, disi e habitur, nuk di ti japë një zgjidhje problemit të vështirë të mikes së saj, veçse duke u larguar i lë mesazhin:“Ndoshta fati, vetë universi do ta gjejë një rrugëzgjidhje,-thashë duke zgjuar atë pjesë të shpirtit që i rrëshqet kontrollit të arsyes. Sytë e saj ndritën si të ishte ndezur një llampë e padukshme brenda tyre…………..”
.
“Mbështeta fytyrën pas dritares dhe ndjeva një lloj freskie nga era që frynte përmes xhamit gjysmë të hapur. Jashtë po binte muzgu dhe qielli kishte marrë një ngjyrë të verdhëme. Nuk po ja dilja të mposhtja një ndjenjë përhumbjeje, brenda së cilës kishte një zbrazdësi që, megjithatë, ruante çuditërisht ca grimca të shpërndara shprese, siç ndodh rëndom me enigmat, të cilave nuk ua njohim kuptimet.”
.
Kështu vinë tek ne përshkrimet e bukura të vendeve, situatave dhe gjendjes shpirtërore që rrethojnë rrëfimin e personazheve me individualitetin e secilit. Në disa prej tregimeve kupton se: Lumturia e një gruaje është në vartësi të dashurisë dhe mardhënies bashkëshortore.
.
Tregimi që nis librin është “NIPI”. Mendova se ja kushtonte nipit të saj king. Por jo, ishte tjetër gjetje e veçantë e mbreslënëse. Virtytet e burrave shqiptarë në shekuj. Malli i pasardhësve rilindas të cilët nuk jetojnë më. Atdhedashuria, ashtu si të gjitha dashuritë, jetojnë në zemër. K.F. Nipi i Rilindasit të shquar, me fisnikërinë e trashëguar, pas shumë vitesh, në një moshë të pjekur, vjen nga larg për të parë atdheun e gjakut të tij. Vizitë që e kishte ëndërruar prej shumë vitesh. I mikpritur nga zyrtarët, por më së shumti nga njerëzit, e sidomos ata të vendlindjes së tyre, të cilët pëshpërisnin dhe e vështronin me shumë dashuri, i jepnin atij, një kënaqësi të veçantë dhe i sollën lumturi. Duke u larguar: “Ndërsa mbushte një formalitet në zyrat e aeroportit, dora që sapo kishte shkruar dy gërmat e para të emrit të tij K.F., fill pas tyre nisi të shkruante si zakonisht Jun… por e ndërpreu fjalën në mes, qëndroi një hop duke e vështruar ngultazi, pastaj, në vend që të shkruante Junior, vuri një vizë sipër dhe shkroi K.F. (NIPI).
.
Ndërsa mbyllja librin, mendja ime shkroi, Kadare (Junior) apo edhe më saktë: KADARE (NIPI)
.
Me pëlqen stili i shkrimtares, disi çehovian i të shkruarit, me përshkrimet dhe detajet e holla që zbukurojnë ligjeratat. Me shije të hollë dhe efekte rezatuese. Megjithëse tërë jetën nën hijen e Lisit gjigand, KADARE, ajo është një Bredh i butë me erë të mirë.
.
Me është bërë refleks krahasimi i çdo libri, me librat e shkrimtarit të përbotshëm, KADARE, në fakt i pa krahasueshëm. Në këtë rast nuk i shpëton edhe bashkpunëtorja e ngushtë dhe bashkëshortja e tij e dashur, Helena.
.
Kadare, me gjithë madhështinë e burrërisë dhe fisnikërisë që do ti jepte gjyshit dhe trashëgimtarit të tij, dashurinë dhe mikpritjen e njerëzve të thjeshtë të vendlindjes. …Në fund fare, duke u kthyer në aeroport për në shtetin ku jetonte, K.F. do ta arrestonin autoritetet e shtetit komunist shqiptar, “Në emër të popullit je i arrestuar”, për përhapjen e propagandës kapitaliste, me bisedat dhe librat e tij shkencorë që solli në atdheun e të parëve të tij.
.
Kështu ka ndodhur. Pinjollët dhe bijtë e atdhetarëve shqiptarë, që nga vëllëzërit e nip- stërnipat e Ismail Qemalit, vëllezërit Frasheri etj. etj. janë burrgosur, arrestuar, dënuar, helmuar e internuar nw kampet famëkeqe. Shpëtuan gjallë prej komunizmit vetëm ata që jetuan larg e nuk u kthyen kurrë..
.
Këtë ndjenjë krahasimi pata dhe tek tregimi “Medalioni nga Peja”. Ndërsa tregimi flet për një udhëtim të vështirë por me mbresa të pashlyera, edhe pse në vite të largëta e të vështira të vëllezërve andej kufirit.
.
“Po binte mbrëmja, fushat po zhyteshin dalngadalë në atë grinë violet, që vinte nga fundi horizontit të shqetësuar, gjë që tregonte se koha do të prishej. “Fushë e pasosur dhe fushë prapë ,- më erdhën ndërmend vargjet e Çajupit.”
.
Sapo të dëgjosh fjalën fushë, në këto vise, mendja s’ka si të mos vejë, tek përshkrimi Kadarejan për World Media, ku ndër të tjera shkruan:
.
“Një fushë ku u bë një luftë. Ku u derdh shumë gjak njerëzor. Gjak popujsh të ndryshëm, me kombësi, fe e ligje të ndryshme. Një fushë lufte me pamje të dyzuar. Me fjalë të tjera, një disfatë që përkujtohet prej një pjese të të mundurve si të ishte fitore. Shkurt, fillimi i një mashtrimi i ndjekur nga një grumbull tjetër mashtrimesh. Më e keqja, një fushë lufte, që pas gjashtë shekujsh kërkonte ende gjak.”
.
Gjeniu, është përherë i rrebeluar në shkrimet e tij gjeniale, kur flitet për të drejtën dhe historinë e kombit të tij, përballur sagave dhe epeve të përgjakshme të Ballkanit.
.
Helena Kadare, edhe kur shkruan edhe kur hesht me pauzat e gjata, ka qenë dhe është gjithmonë në shërbim të letërsisë.
.
Pasi lexova tregimin nga më të bukurit, “Shëtitjet në Manastrin e Shën Naumit”, i cili i kushtohet Poetit tonë të madh, gjeniut Lasgush Poradeci. Tërë kohën isha atje. Më duheshin ditë të shkëputesha. Një tregim i lartësisë së madhe, të cilin e kisha hasur dikur në vitet e rinisë time si dorëshkrim. M’u dha në dorë dikur, vetëm për dy orë nga kolegu V. S. E lexova me një frymë, u mrekullova, e si shumë të tjerë edhe unë, mendova, se do te ishte dora dhe mendja e shkrimtarit të madh Kadare.
.
“-Dhe ti mendon se njerëzit do ta kuptojnë se çka do t’u thuash me vargjet e tua peizazhiste?“- e kishte pyetur ajo, me atë kureshtje të gjallë, pothuajse fëminore, që i vezullonte nw sy. “Sigurisht” -ia kishte kthyer ai. “Patjetër. Sepse Peizazh do të thotë atdhe”. Ajo kishte qeshur gëzueshëm me zërin e saj melodioz, kujtimi i të cilit tashmë i shkaktonte dhembje. “Po peizazhet e mia, ç’janw ato?”- kishte pyetur prapë ajo. “Janë e njëjta gjë, nëse aty ke vënë tërë shpirtin tend”. – i qe përgjigjur ai.
.
“-Ka disa muaj, një miku im që erdhi nga Tirana, më tha se në kryeqytet pëshpëritet që mbreti po bëhet gati t’ua falë fqinjëve Shën Naumin.
.
Ajo vuri dorën para gojës, si të donte të ndalte fjalët që po bëhej gati të shtonte ai.
.
-Ah, është e mundur?
.
-S’ka asgjë për t’u çuditur. Çudi është se si nuk na ka falur të gjithëve…
.
—————“Zhurma e hapave mbi zhavorr kishte diçka prej varrimi nën këmbët e tyre.
.
-Do t’ua falë si shpërblim që e ndihmuan të kthehet me forcë në Shqipëri, – shtoi ai.
.
-Ç’shëmti! -pëshpëriti ajo.
.
-E kupton, pra, se s’është rastësi fakti që më quajnë të çmendur mua, që kam shkruar për këto vise? – vazhdoi. – S’është vetëm injorancë. Është edhe djallëzi. Thashethemnaja e lindur këtu ndoshta ushqehet andej matanë, siç do të ushqehej gjithçka që do të donte të më zhvlerësonte.
.
Vajza kërkoi dorën e tij dhe pa thënë asnjë fjalë, nisi ta përkëdhelte përhumbshëm, plot dashuri.”
.
Tregimi më la mbresa të pashlyera si atëherë edhe tani që e njoh mirë stilin dhe fuqinë shprehëse të shkrimtares e përkthyeses së shquar, Helena Kadare. Kryevepra e saj, “Kohë e Pamjaftueshme”, tregon se ajo prej fillesave të shkrimtarisë e deri më sot, është shkrimtarja më e mirë në Shqipëri, e njohur edhe më gjërë në botë. Në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt të Gjermanisë, Helena Kadare u vlerësua si Autorja më e mirë . Po ashtu, edhe në Panairin e Librit në Tiranw, në vitin 2011, me librin “Kohë e Pamjaftueshme”. Gjithkush që e ka lexuar këtë libër, vazhdon të lexojë dhe të besojë në lartësinë e lëtërsinë që ajo shkruan.
.
Megjithëse libri “Gruaja e Lirë”, ka tregime të shkruara në kohë e vite të ndryshme, kupton se stili dhe forma e tyre nuk ka ndryshuar. Pavarësisht lirisë së shprehjes. Edhe në tregimet në dukje të thjeshta, ka mesazhe interesante, të këndëshme dhe jetësore, si “ Shitësi i Kapelave në Galerinë Lafayette”, apo “Artistet”, “Njeriu nga Borova” e “Vizita e gjyshes Plakë, “Dashuria” dhe “Ne banorët e Planetit tjetër”. Në një formë apo në një tjetër, ne gjejmë veten. Kjo e bën të dashur dhe shumë tërheqës librin.
.
Është një libër që të argëton, të sjell kënaqësi të veçantë, të mëson, të bën ta jetosh ditën bukur. Ndodh gjithashtu, të derdhësh pika loti e të meditosh gjatë, si në tregimin, “Zëri i njeriut të humbur”
.
…”u përhap papritur një bisedë për zërat, dhe një nga të ftuarit tregoi se asnjë zë në botë nuk humbet por vërtitet në formë valësh nëpër hapësirë, dhe është çështje teknike e së ardhmes regjistrimi i zërave, apo i zhurmave të shkuara. Dhe ajo kishte menduar. Sa çudi, zëri i tij ishte në botë në formë valësh. Dhe ndjeu befas mall për ta dëgjuar atë. …….
.
”Sa i padrejtë është mendimi, se koha harron, se koha bën të sajën… asgjë e tij nuk kishte mbetur në harresë. Kujtimet kishin qenë gjithmonë pjesa më e freskët e mendimeve të saj. Tani ato ishin të zhveshura nga ajo brengë që mbështjell, zakonisht, kujtimin e njeriut të dashur që se ke më.”
.
Ky zë e thiri në vetëdije: “Ngrehu ime Zonjë se mesha ka filluar!” – erdhi prej qiellit nga vështron Ai. Dhe Zonja Kadare, u ngrit dhe shkoi në meshën e librit, me një libër të ri, si një mesazh, si një kuptim; se madhështia KADARE është atje, ku ndriçon më fort se kurrë vepra e Tij.
.
Fantazia në shkrimet e saj, është e fshehur përmes realitetit, ashtu si vetë irealja.Të shkruash do të thotë të përshkruash botën përmes të cilës kalon çdo ditë gëzimi dhe vuajtja, në skutat e errëta dhe ato me dritë. KADARE është burim i vitalitetit, drita dhe thelbi i mendimeve të saj. Shpirti e di se çfar duhet të bëjë, për të shëruar dhimbjen.
.
I gjithë libri ka aromë gruaje me një shpirt të bukur!
.
Nadire BUZO