Rastësisht kam lexuar disa opinione të ndryshme, të botuara gjatë muajit të kaluar në median e shkruar, rreth Trashëgimisë Kulturore në vendin tonë. Diskutimet, me mendime pro e kundër, fokusoheshin në një riorganizim ose rimenaxhim të funksionimit të Trashëgimisë sonë Kulturore.
Duke dashur të bej të njohur ecurinë e këtij procesi, të paktën në tre dekadat e fundit, do të doja të përshkruaja shkurtimisht historikun e këtij organizimi.
Qëndra e Kërkimeve Arkeologjike, u bë gati e pavarur nga Instituti i Historisë në fund të viteve ’70, dhe drejtore ne atë kohë ishte shumë e nderuara dhe shumë e respektuara arkeologe, Aleksandra Mano. Para emërtimit të Qendrës Arkeologjike ekzistonte vetëm sektori i Arkeologjisë, pranë Institutit të Historisë dhe nën vartësinë e tij. Përdora termin ’gati e pavarur’, sepse kjo Qendër kishte një drejtor të përgjithshëm dhe tre drejtues sektorësh ose departamentesh, që përkatësisht ishin: Prehistori, Antikitet e Mesjetë, por që temat e disertacioneve, për marrjen e titujve shkencorë, mbroheshin vetëm në Institutin e Historisë dhe natyrisht piramida mbyllej në Akademinë e Shkencave.
Në gjysmën e parë të viteve ’80 ‘Qëndra’ ndryshoi statusin nga Qëndër e Kërkimeve Arkeologjike në Institut të Kërkimeve Arkeologjike, por që edhe pas këtij ndryshimi, disertacionet vazhdonin të mbroheshin në Institutin e Historisë, si Institut Mëmë. Drejtori dhe drejtuesit e sektorëve emëroheshin gjithnjë nga Akademia e Shkencave. Në fakt pati vetëm një herë zgjedhje të vërteta demokratike, dhe kjo ndodhi në vitin 1989.
Në vitin 1981, kur unë fillova punë si arkeologe pranë Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike, ky institucion sapo u zgjerua me krijimin e të ashtuquajturave ‘Bërthama Arkeologjike’, të cilat u organizuan në disa qytete si: Durrësi, Shkodra, Fieri, Kukësi, Peshkopia, Vlora, Korça e Saranda, e më vonë edhe Gjirokastra. Por, në vartesinë e Qendrës Arkeologjike nuk ishin Muzetë Arkeologjike, të cilat asokohe vareshin nga Komiteti i Kulturës e Arteve, dhe në këtë organizim bënte përjashtim vetëm Muzeu Arkeologjik i Tiranës. Ne punonim në Durrës, kishim një zyrë brenda Muzeut Arkeologjik dhe quheshim ‘Bërthama arkeologjike’. Në krye kishte një përgjegjës të emëruar fillimisht nga Qendra e më pas nga Instituti Arkeologjik. Muzeu kishte personel e drejtor të veçantë, dhe natyrisht aty punonin edhe arkeologë të tjerë. Gërmimet Arkeologjike bëheshin nga Arkeologët e ‘Bërthamës’ e materialet e mbledhura shkonin në fondet e Muzeut, kurse arkeologët e Muzeut, pas krijimit të ‘Bërthamës’, nuk bënin me gërmime të planifikuara, por studionin objektet Muzeale. Dhe ky organizim ishte dhe në qytete me muze arkeologjikë, si Apollonia, Butrinti, etj. Pas disa vitesh u kalua në bashkimin e të gjitha Muzeve arkeologjike nen hijen e Institutit Arkeologjik (IA), për pasojë përgjegjësi i ‘Bërthamës’ u bë drejtor i Muzeut dhe e gjithë kjo ishte nën vartësine e Akademisë se Shkencave. Natyrisht që ka funksionuar gjithnjë edhe Instituti i Mbrojtjes e Restaurimit të Monumenteve të Kulturës, i cili ishte nën vartësinë e Komitetit të Kulturës e Arteve, Komitet i cili në vitin 1991 u bë Ministri më vehte nën emërtimin Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve (MKRS). Në vitin 2000 në këtë Ministri u krijua Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa në vitin 2005 kjo Ministri ndryshoi emërtimin. Emrit të saj të gjatë ju shtua në krye të listës edhe një përberës tjetër, kështu që u quajt Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve (MTKRS) ku Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore ështe një nga drejtoritë përbërëse në vartësi të Drejtorisë së Përgjithëshme të Turizmit e Trashëgimise Kulturore.
Shkurtimisht ky është historiku i funksionimit ‘alla Shqiptarçe’ të Trashëgimisë sonë Kulturore.
Gjithnjë, sidomos pas viteve ’90, kam kritikuar hapur këtë çorganizim të funksionimit të strukturave të Trashëgimisë Kulturore. E vetmja gjë e llogjikshme dhe e stabilizuar, për mendimin tim, ka qenë organizimi i Institutit te Monumenteve të Kulturës (IMK), i cili, që në krijimin e tij në vitin1964, ka qenë nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës, e ka drejtuar vazhdimisht Studimin dhe Restaurimin e Monumenteve Arkeologjike, Arkitektonike dhe Historike. Ky Institut kishte të ashtuquajturat Atelie të Monumenteve të Kulturës në disa qytete, të cilat funksiononin si departamente të veçanta, por që drejtimi shkencor e teknik bëhej vetëm nga specialistët e Institutit, gjithnjë nën drejtimin e Ministrisë së Kulturës. Më duket se ky organizim vazhdon pak a shume të jetë edhe sot e gjithë ditën, pavarësisht se Atelietë kanë ndryshuar shumë herë emërtimin e më pak ose më shumë herë funksionin dhe, gjithnjë e më shumë në to nuk emërohen më specialistë dhe më keq akoma, ato nuk drejtohen më nga specialistë. Gjithashtu duhet përmendur edhe organizimi i Parqeve Arkeologjike, të cilave i priu krijimi i Parkut të Butrintit, në fund të viteve ’90, dhe që u shtuan kudo në Shqiperi, por që çuditërisht Park Arkeologjik nuk ka Durrësi, me gjithë rëndësinë shumë të madhe të këtij qyteti në antikitet si edhe me monumentet e klasit të parë që janë zbuluar aty, ku mund të përmendim Amfiteatrin, Termat, Forumin Rrethor, Muret Bizantine, Porta Romana, Mozaikët, Bazilika e Arapajt, etj., etj.
Në shumë raste kam shprehur mendimin se IMK dhe IA duhet të jenë dy sektorë ose dy departamente ose dy drejtori të veçanta, por gjithnjë brenda organizmit, nën vartesine dhe në strukturën e Ministrisë së Kulturës. Kjo është edhe eksperienca që mund të marrim nga vendet e tjera apo nga vendet fqinje që janë me trashëgimi kulturore të ngjashme. Koordinimi i gërmimeve arkeologjike dhe restaurimeve është funksionimi më i mirë në këtë fushë. Kur unë ngrija zërin për këtë çështje në Institutin Arkeologjik, drejtues apo ata që rrinin pranë drejtuesve, shihnin shtrembër, sepse për ta ishte shumë më komode vartësia nga Akademia e Shkencave se sa nga Ministria e Kulturës. Arësyeja e këtij komoditeti mbështetej në një logjikë apo fakt të thjeshtë sepse, sipas tyre, çdo Ministër që emërohej bënte menjëherë ndryshime drejtuesish sipas preferencave personale, ndërsa ekzistenca nën Akademinë, ku lëvizjet e drejtuesve nuk ishin shumë të shpeshta, ata ndjeheshin shumë më të sigurtë. Kështu rritej jetëgjatësia e drejtuesve të Institutit Arkeologjik dhe, kjo gjë për vetë ata e për të tjerët që i rrinin afër, ishte mjaft komode.
Si pasojë e këtij çorganizimi ne kemi sot një kaos apo copëzim dhe shpërndarje në funksionimin e Trashëgimise sonë Kulturore.
Instituti Arkeologjik, ka bërë një mbrapaktheu të fortë dhe është kthyer gati gati në atë formë organizimi e vartësie siç ishte para krijimit të të ashtuquajturës Qendër Arkeologjike: dmth ka një prapaktheu në një kohë prej para tre dekadash, që është ajo kohë kur ishte nën vartësi të Institutit të Historisë e tani, pas tre dekada ndryshimesh, u vendos nën vartësi të Institutit te Albanologjisë. Kam përshendetur me shumë pozitivitet vendimin e Këshillit të Ministrave në këto vitet e fundit, që Akademia e Shkencave të ndryshonte funksionin dhe të ishte Institucion Honorifik, ashtu si në fakt është në shumë vende të botës perendimore. Por realisht nuk e kuptoj faktin se përse IA duhet të bënte pjesë në Qendrën e Studimeve Albanologjike, pranë Ministrisë së Arësimit e Shkences dhe jo nën vartësinë e Ministrisë së Kulturës (pavarësisht se kjo e fundit në emërtim Kulturë e ka te dytën, pas Turizmit). Ne krye te Godines ku janë zyrat e Arkeologjisë, në këto tri dekadat e fundit janë shënuar kronologjikisht: Qendra e Kërkimeve Arkeologjike, Instituti i Kërkimeve Arkeologjike dhe së fundmi Qendra e Studimeve Albanologjike. Duket se fjala ose emërtimi Qendër paska qenë ai më i preferuari.
Jam munduar shumë të kuptoj stërhollimet e emërtimeve, apo të të ashtuquajturave emërtime, që shënohen veç për gjetjet e nëntokes e veç të mbitokës; veç gërmime të planifikuara e veç gërmime shpëtimi, dhe ku ta di se çfarë, por të gjitha këto, që do t’i quaja me plotkuptim të fjalës ‘sajesa’, më duken të bëra nga persona apo organizma me mungesa profesionalizmi, të cilët seicilin ndërlikim te (ç)organizimit e lidhin vetëm me emërime personale dhe natyrisht joprofesionale. Por habia më e madhe është kur thuhet se këto emërtime aprovohen vetëm pasi propozohen nga profesionistë të fushës. Kjo në fakt është edhe habia më e madhe!?!? Për pasojë, nga kjo lojë fjalësh ose lojë emërtimesh përcaktuese e jo përcaktuese, ndonëse jam me një experiencë jo të vogël në këtë fushë, nuk arrij dot që ta kuptoj gramatikën ose gjuhën e përdorur.
Nga ky çorganizim restaurime bëhen nga grupe te (pa)specializuara, thënë kjo në një mënyrë shumë elegante ose, nga grupe që nuk e kanë fare idenë e një monumenti kulture, thënë pa elegancë dhe në formën më direkte. Restaurimet e bëra në monumente këto kohët e fundit janë bërë shumë herë më dobët nga ato të bëra në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar nga specialistë të respektuar si Gani Shtrazimiri, Koço Zheku, Emin Riza, Fabian Miraj, Lazër Papajani, etj., etj., dhe i kërkoj ndjesë gjithë kolegëve të tjerë, të cilët nuk po i përmend nominalisht, për të mos e bërë shumë të gjatë listën. Kujtoj që dekada më parë, bëheshin gërmime arkeologjike dhe restaurime nga ekipe që ishin të përbëra nga specialistë të Arkeologjise e IMK dhe ata punonin bashkarisht, ndonëse të dy Institutet ishin në vartësi të ndryshme: njeri nga Ministria e Kulturës e tjetri nga Akademia e Shkencave. Kështu në gërmimin e Nymfeut të Apollonisë nga i nderuari Hasan Ceka, ekspedita kishte në përbërje specialistët e restaurimit; në Kalanë e Lezhës ishin Frano Prendi, Koço Zheku, Fabian Miraj etj.; në Bylis ishin Neritan Ceka, Skënder Muçaj, Lazër Papajani e te tjere; në amfiteatrin e Durrësit, gjatë gërmimeve arkeologjike që kam drejtuar, kemi punuar së bashku me antropologun e Institutit të Arkeologjise, Aleksandër Dhima dhe me specialistë të restaurimeve si Lazër Papajani, Guri Pani, Agron Islami, etj. dhe shembujt e këtyre bashkëveprimeve janë të shumtë. Por çuditërisht ekziston akoma një mentalitet ‘tabu’, i cili gjithnjë i mendon të ndara pjesët përbërëse të Trashëgimisë Kulturore.
Sot sheh te ndërhyjnë në monumente të rëndësishme persona që nuk kanë punuar kurrë me monumentet arkeologjike apo arkitektonike, që nuk i kanë studiuar kurrë ato, por që çuditërisht kanë ‘marrë guximin’ të prekin, në mënyrën më joprofesionale e ndonjëherë edhe barbare, monumente me vlera jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Këtu do të përmendja të ashtuquajturat restaurime në Amfiteatrin e Muret Bizantine të Durrësit, në Manastirin e Apollonisë, etj., etj. Disa gjurmë shumë të rëndësishme për datimin e mureve Bizantine të Durrësit, të dukëshme që në gjysmën e dytë të shekullit XIX, janë mbuluar ‘pa mëshire’ me llaç e tulla, me një mungesë të plotë përgjegjësie. Kush është fajtor për këtë?! Ai ustai i paspecializuar që vuri pa kujdes llaçin e tullën, ai tekniku që ‘i normoi’ punën, ‘specialisti’ që drejtoi punimet e restaurimit apo vetë qerthulli i organizimit të ç’organizuar?!
Dhe mua më kujtohet një shprehje e lexuar ne vitet e rinisë time qe thotë se Nuk duhet të mërzitemi me makinën e dëborës se ajo nuk është e zonja të fluturojë. Ajo nuk është fare e përgatitur për të bërë një gjë të tillë.
Nuk ka asnjë sens që Trashëgimia Kulturore të riorganizohet në një mënyrë të tillë që të ketë në bazë të organizimit të saj dy objektiva kryesore: të jetë pjesë e zhvillimeve rajonale dhe pjesë e turizmit kulturor, siç thuhej në një nga artikujt që më ranë në dorë. E përkthyer në shqip kjo gjë mua më duket komplet pa sens. Natyrisht dhe padiskutim mendoj se kjo nuk mund të jetë filozofi apo program i një qeverisje demokratike dhe aq më pak e lidhur me zhvillimin bashkëkohor. Trashëgimia Kulturore është një e tërë dhe nqs një nga objektivat e saj është zhvillimi i turizmit kulturor, ajo në asnjë mënyre nuk mundet e nuk duhet që të reduktohet kaq banalisht vetëm në këtë funksion. Ndërsa përbërësi tjetër, i propozuar si zhvillimi rajonal, nuk më jep asgjë tjetër përveç një ç’organizimi me mungesa profesionalizmi të Drejtorive Rajonale, që kanë zëvendësuar ekzistencën e Atelieve të dikurshme të Monumenteve. Nqs këto ‘Drejtori Rajonale, në gjendjen e sotme, janë ‘një grup amorf njerëzish që bëjnë vetëm porositë që marrin nga ministria’ siç thuhet në njerën intervistë, mos vallë decentralizimi do të zhdukë të qenurit amorf të tyre? Natyrisht që jo, por përkundrazi do ta shtoje atë. Dhe padyshim nuk mund të jenë kurrsesi subjektet private, ashtu si thuhet në intervistën tjetër, ato që do te mbrojnë apo do të kenë në dorë veprimtarinë e shpëtimit të Trashëgimisë sonë Kulturore.
Trashëgimia Kulturore është e duhet të jetë vetëm pronë shtetërore, atë e ruan, e mbron dhe e drejton vetëm Shteti Ligjor.
N.q.s. deri tani kemi shembuj negativë të funksionimit të Trashëgimisë Kulturore, nga to duhen nxjerrë mësime për difektet e organizimit apo koordinimit të punës dhe duhet shkuar drejt një institucionalizimi të mbështetur më shumë në profesionalizëm e më pak ose aspak në voluntarizëm e amatorizëm.
Natyrisht që është e nevojshme dhe e domosdoshme për t’u bërë ndryshime konceptuale në organizimin e funksionimit të Trashëgimise Kulturore, por kurrsesi në një disorganizim të tillë. Dhe këtu nuk po përmend Trashëgiminë Kulturore në Muzikë, në Etnografi, atë Shpirtërore, etj., të cilat edhe ato, duhet të jetë nën vartësine e Ministrisë së Kulturës. Gjithashtu nuk mund të mendohet që Instituti i Arkeologjisë të përjashtohet, apo të ndahet më vehte, nën justifikimin se ai nuk është pjesë e shërbimeve në fushën e trashëgimisë kulturore, por vetëm i studimeve shkencore. Si mund te mendohet që Trashegimia Kulturore duhet ndarë dhe vënë nën vartësi Ministrore komplet të ndryshme?! Si mundet që nën Trashëgiminë Kulturore të mos bëjnë pjesë veprimtari të quajtura shkencore, ku grupohen gërmimet e studimet arkeologjike?! A nuk bëjnë pjesë vallë edhe këto në Trashëgimine Kulturore?!
Kjo mënyre konceptimi sjell pasojë faktin që në shumë qendra muzeale, monumente kulture etj., po të kesh kuriozitet e të shkosh deri aty sa mundet që edhe të pyesesh punonjësit për profesionin (dhe natyrisht që është shumë e veshtirë që aty të gjesh profesioniste), ndonjëri mundet që të thotë se është arkeolog, por kur ti mund të mos mjaftohesh me kaq e të vazhdosh të pyesësh më thellë për ndonjë detaj të tillë, si psh se ku ka studiuar, menjëhere do të dëgjosh përgjigjen se ështe duke studiuar part-time për histori, në rastin më të mirë. Dhe kjo gjë është në fakt një aspekt i asaj që përcaktohet si ‘qënia amorfe’ e Drejtorive apo muzeve rajonale. Ndonjë shembull i rrallë pozitiv i emërimit të ndonjë menazheri në vend të profesionistëve, duhet marrë si një rastësi dhe si fenomen i shkëputur, që gjithsesi e në asnjë mënyre nuk duhet të përgjithësohet. Por natyrisht që nuk duhet kaluar në ekstremin tjetër sa të mund të vihen kufizime maksimaliste deri aty sa të absolutizohet fakti që në krye drejtuesi duhet të jetë vetëm me titullin Akademik. Për fat të keq në Shqipërinë tonë të dashur, Akademikët janë emëruar jo gjithmone vetëm mbi bazën e kontributeve reale shkencore, por për fat të keq edhe sipas përkatësive partiake. P.sh. profesorëve të nderuar si Selim Islami, Skender Anamali, Aleksandra Mano, Frano Prendi, Emin Riza, Neritan Ceka apo dhe disa të tjerëve nuk ju dha ndonjëhere titulli ‘Akademik’. Ne vijim të kësaj logjike bëj pyetjen: Ku dhe Sa janë këta Akademikë në Shqipëri?! Konkretisht në fushën e Trashëgimisë Kulturore, për të cilën po flasim, Akademikë janë vetëm dy: Muzafer Korkuti dhe Apollon Baçe. Atëhere kondicionimi me ligj, që në krye të Trashëgimisë Kulturore duhet të jetë person me titullin Akademik, është vetëm në favor të emrave të përvetshëm, padashur këtu të paragjykoj kolegun e nderuar Baçe, sepse Korkuti e ka tejkaluar tashmë ‘mbretërimin’ e tij të stërgjatë në krye të Institutit të Arkeologjisë.
Specialistë të fushës, me titull Doktor, mund të ishin fare mirë në drejtim të Trashëgimisë Kulturore. Kjo nuk perjashton, por përfshin profesionistë që kanë marrë me merita personale profesionale titullin Profesor i Asociuar, Profesor, apo edhe vetë Akademikët, pa qenë nevoja për të vënë kondita përjashtuese për të parët. Natyrisht Institutet e Trashëgimisë Kulturore duhet të drejtohen nga specialistë të mirefilltë të fushës dhe jo persona me ose pa diploma te fushave të tjera. Kështu që p.sh. një specialist i Fizikës Bërthamore, qoftë edhe me titull shkencor, nuk mund te drejtojë Trashëgimine Kulturore, edhe sikur të betohet që e ka shumë për zemër atë dhe, natyrisht nuk mund të ndodhë as e kunderta. Dhe në vazhdim mund të përshëndes idenë që pranë çdo monumenti do të ketë ndërhyrje të vazhdueshme, një sy mbikqyrës në 7 rajonet e trashëgimisë në Shqipëri, por kjo ka rrezik që të bjerë përsëri në nivelin ‘amorf’ të drejtorive rajonale, të cilat duke qënë edhe më të pavarura, mund të përkeqësojnë veprimtarinë e tyre, e cila duhet domosdoshmërisht të jetë e kontrolluar.
Personalisht do të propozoja një skemë më të thjeshtë, funksionale dhe pa shumë stërhollime të funksionimit e organizimit të Trashëgimisë Kulturore. Pa qenë nevoja të ‘shpikim’ apo të vazhdojmë të bëjmë ‘stilin albanez’ ose ‘alla shqiptarçe’; ne kemi shumë shembuj, për të marrë e adaptuar në kushtet tona, nga vende të tjera të pasura me trashëgimi kulturore, dhe të ngjashme me tonën.
Në çdo rast mendoj se organizimi i Trashëgimise Kulturore duhet të jetë domosdoshmerisht i varur nga Ministria e Kulturës dhe natyrisht do të propozoja që edhe nqs kjo Ministri do të vazhdojë të ketë në përbërje Turizmin, në emërtim dhe jo vetëm në emërtim, por edhe në funksion, ky duhet vënë pas Kulturës. Gjithashtu me forcimin e Shtetit Ligjor, që urojmë te mbrrijë sa më shpejt tek ne, Ministri nuk do mund të emëroje drejtues vetëm në bazë të simpative personale apo partiake, por në baze te profesionalizmit, ku gjithsesi ndermjet disa kandidaturave te barabarta, simpatia do te ketë prioritet ne përzgjedhje.
Ndërsa shkolla e Restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, nuk më duket shumë e udhës, sepse shkolla e restaurimit duhet të jetë domosdoshmërisht vetëm pranë Universitetit Politeknik, në formën e specializimeve pasuniversitare pranë Fakultetit të Arkitekturës.
Mundet dhe mendoj duhet që në organizimin e Trashëgimisë Kulturore të marrim shembull nga mënyrat e organizimit në vende të tjera të zhvilluara ose edhe kufitare me ne. Në Itali p.sh. ekzistojne brenda strukturave të Ministrisë së Kulturës disa drejtori: 1. Drejtoria e Pergjithëshme për Vlerësimin e Trashëgimisë Kulturore; 2. Drejtoria e Përgjithëshme për Antikitetet, me drejtor aktual Profesorin e Arkeologjisë Stefano de Caro; 3. Drejtoria e Përgjithëshme për Peisazhin, Artet e Bukura, Arkitekturën e Artin Bashkekohor; 4. Drejtoria e Përgjithëshme për Arkivat; 5. Drejtoria e Përgjithëshme për Bibliotekat, Institutet e Kulturës dhe të Drejtat e Autorit; 6. Drejtoria e Pergjithëshme për Kinemane; 7. Drejtoria e Përgjitheshme për Spektaklet. Natyrisht që ka një organizëm qendror, që është Këshilli i Lartë për Trashëgiminë Kulturore e Peisazhin, me drejtues Prof. Andrea Carandinin. Gjithashtu brenda Ministrisë së Kulturës, ekzistojnë në qytete apo rajone edhe Soprintendencat për Trashëgimine Arkeologjike, Arkitektonike e Peisazhistike, Historike, Artistike, dhe Etnoantropologjike. Gjithashtu brenda Ministrisë së Kulturës është edhe Instituti i Lartë i Mbrojtjes dhe Restaurimit. Të gjitha këto Drejtori e Institute kanë një autonomi të veçantë, por gjithnjë janë nën vartësinë e Ministrisë së Kulturës dhe në menyrë direkte nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë.
Ndërsa në Greqi ka një organizim paksa të ndryshëm: ekziston Ministria e Kulturës dhe Turizmit me këto drejtori: 1. Drejtoria e Përgjithëshme për Restaurimet; 2. Drejtoria e Përgjithëshme për Muzetë e Punët Teknike; 3. Drejtoria e Përgjithëshme e Antikiteteve e Trashëgimise Kulturore; 4. Drejtoria e Përgjithëshme e Kulturës Moderne; 5. Drejtoria e Përgjithëshme e Sporteve dhe 6. Drejtoria e Përgjithëshme e Turizmit.
A duhet të jetë Trashëgimia Kulturore jashtë Ministrisë së Kulturës?
Mendoj që nuk është fare e udhës, kjo edhe për një arësye shumë të thjeshtë: kanë të përbashkët fjalën KULTURË.
A duhet që Gërmimet Arkeologjike të jenë nën vartësi të Ministrisë së Arësimit e Restaurimi në varësi apo jo të Ministrisë së Kulturës?
Çdo tendencë ndarje do të sillte vetëm disorganizim e çoroditje.
Do të doja te sillja këtu një shembull: Soprintendenti më jetëgjate i Romës, që ka drejtuar në vitet 1976-2004, ka qenë Arkeologu shumë i nderuar, Prof. Adriani la Regina, autori i shumë botimeve e studimeve arkeologjike. Prof. La Regina njihet si autori i kthimit në Shqipëri ne vitin 1982, të të ashtuquajturës “Dea e Butrintit”, zbuluar nga Ugolini në pranverë te vitit 1928, të cilen Mbreti i atëhershëm, Ahmet Zogu, ja bëri dhurate Mussolinit. Gjithashtu Prof. La Regina, gjatë kohës kur drejtonte Soprintendencen e Romës, riktheu në vendin e saj të origjinës edhe statujën e ashtuquajtur “Venus i Cyrene”, që ishte zbuluar ne Libi dhe që ishte dërguar në Itali në vitin 1911. Keto 2 fakte i dhashë jo vetëm për të respektuar autoritetin e Prof. La Reginës, por edhe të Institucionit që ai drejtonte. Prof. La Regina, ne vitin 1998, ka influencuar shumë edhe në një kontribut tjetër, që u mendua të jepej për arkeologjinë në Shqipëri, por ky është subjekt i një shkrimi tjetër në të ardhmen, me të cilin do të dëshiroja që të njihej publiku shqiptar.
Soprintendencat në Itali, të drejtuara nga arkeologë, që do t’i quaja kolosë të kesaj shkence, dhe që kanë në përbërje specialistë të mirëfilltë të degëve të veçanta të Trashëgimisë, nuk janë të pavarura nga Ministria e Kultures, por në vartësi direkte nga kjo Ministri.
Tek ne, për fat të keq, mungojnë specialist apo autoritete të kalibrit te Prof. La Regines, por edhe në ato raste kur ka specialistet, ndonëse jo kolosë, ata ‘nuk pëlqehen’ ose ‘nuk preferohen’.
Reforma në organizimin e Trashëgimisë Kulturore është e domosdoshme, por e dëshpëruar nga propozimet e lexuara në shtyp, me të cilat profesionalisht nuk jam dakort, mbetem të citoj atë fëmijën e vogël të Andersenit, i cili tha me naivitet se Mbreti është Lakuriq, kur ai ishte vërtetë pa rroba dhe askush nuk guxonte ta pohonte të vërtetën.
Duke i mbyllur këto rreshta të shkruara mund të them vetëm se,
Fola dhe Shpëtova Shpirtin tim. Amen!
Tiranë, Prill 2010
Komentet