Eshtë interesant fakti se termi “tolerance” nuk ekzistonte në leksikun tonë deri në vitin 1990. Ndonëse ne kishim një përvojë nga më të vyerat, atë të tolerancës fetare, si term nuk gjëndet as në fjalorin e vitit 1954, botuar nga Instituti i Shkencave dhe as në fjalorin e botuar në vitin 1980, të hartuar me bujë si një arritje shkencore në fushën e gjuhësisë nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Gjuhësisë.
Natyrisht, ishte për t’u përgëzuar përpjekja e gjuhësisë shqiptare gjatë monizmit, që synonte të zëvendësonte fjalët e huaja me fjalët burimore të shqipes ose me instrumentin e fjalëformimit, të formonte fjalë të reja, por kjo u kthye në një mani, e cila e bëri ndërmarrje të pamundur. Si në çdo fushë të jetës, pastrimi i gjuhës shqipe mori tipare të theksuara ideologjike, duke u parë me antipati dhe të rrezikshme edhe fjalët me origjinë të huaj, të cilat ishin rrënjosur thellë në të folurën e zakonshme. Bile, pavarësisht emërtimit, në se toleranca do të ekzistonte si fakt social, ajo do të merrej si liberalizëm, sentimentalizëm i sëmurë dhe i dëmshëm, i papajtueshëm me moralin e shoqërisë klasore.
Termi “tolerancë”, ndonëse fjalë me origjinë latine, hyri në të folurën e zakonshme dhe të përditshme tek ne pas rënies së diktaturës me një densitet të pabesueshëm përdorimi nga gjithë shtresat e popullsisë. Kjo ndodh me fjalët e huaja kur ato gjejnë boshllëk në truallin e gjuhës amtare dhe kur gjuha e folur është e uritur për të në jetën e përditshme. Stefan Cvajg-u ka thënë se, kush ngre në majën e kështjellës flamurin e përparimit, nuk mund t’i mbyllë derën tolerancës. Flamurin e përparimit ne e ngritëm lart që në dhjetorin e vitit 1990. Mirëpo portën e tolerancës, për shumë arsye, e kemi lënë gjysmë të hapur. Kjo jo vetëm se shprehet në veprimet e mardhëniet sociale, por shpesh edhe deklarohet me zë të lartë.
Natyrisht, 30 vjet nuk janë as pak e as shumë për të rrëzuar tabutë, për të çrrënjosur një filozofi, një ideologji, një politikë dhe një mentalitet të tërë. Në shoqërinë shqiptare kishte shumë tregues të fortë, që të pengonin të besoje se kur do të bëhej toleranca, pjesë e idealit tonë shoqëror, moral dhe njerëzor, tipar i qëndrueshëm i sjelljes kombëtare dhe i personalitetit të çdo njeriu. Sepse ne vinim nga një shoqëri deterministe nga pikëpamja sociale, në të cilën toleranca në ide, mendim, sjellje, politikë e moral ka qenë “zero”. Shoqëria e kuadratuar në korniza të ngurta politike, morale, ateiste ishte mekanizmi që kultivoi në shoqëri njeriun automat, të ngurtë, të egër, konfliktual. Pikërisht kjo klimë jo tolerante, kjo mënyrë jetese deterministe, ka ende recidiva në kohën tonë të re, që e bën të vështirë dallimin midis njeriut fanatik dhe atij liberal, midis qytetarit dhe jo qytetarit. E kaluara jonë historike, jeta patriarkale, dominimi maskilist, ndërtimi i shoqërisë mbi principin jo të toleancës, por të luftës midis klasave, mbajtja në konflikt politik 50 vjeçar të një populli të tërë, në gjendje të “luftës së gjysmës, kundër gjysmës tjetër”, megalomania politike false e djeshme dhe e sotme, ka sjellë deformime strukturore në personalitetin e njeriut, dhe të shoqërisë shqiptare. Kjo mënyrë jetese, modelimi politik i njeriut robot e sot ushtar partiak, i gatshëm për konflikt, e ka dëmtuar konceptin dhe thelbin e tolerancës qytetare si “gadishmëri për të respektuar idealet e njerëzve të tjerë, njëlloj sikur të ishin të tuat”.
Ne kemi pësuar dëmtime në thelbin e strukturës sonë humane edhe për një shkak tjetër, i cili është i lidhur me përfytyrimin primitiv të idealeve të ndryshme, koncept me të cilin është spekuluar rëndë dhe është realizuar, një eksperiment makabër me njerëzit tanë në epokën e komunizmit. Njeriu fanatik, injorant, i indokrtinuar, i përpunuar dhe i vënë në dispozicion të ideve si kavie eksperimentale, solli frymën e njeriut “parimor”, intrasigjent, “konsekuent”, i cili ishte kundër qëndrimeve “mikroborgjeze”, “oportuniste”, “indiferente”, “liberale”, “sentimentale”, sjelljes borgjeze etj. Asnjë tolerancë nuk ishte e lejueshme politikisht dhe as e pranuar moralisht, në shoqërinë e militarizuar ideologjikisht. Padyshim, koncepti i njeriut të fanatizuar politikisht, i mbërthyer pas idesë së tij, partisë së tij, moralit dhe bindjeve të tij personale, ndeshet i fortë edhe në ditët tona. Shfaqjet e qëndrueshme kokëforte, intolerante, intrasigjente, që gjenerojnë konflikt, mungesa e kompromisit, konsensusit etj, për shkak të kaosit të vlerave, të trashëgimisë, mungesës së traditës demokratike, kanë tendencë të jenë akoma virulente. Edhe më inerte, më refraktare, më rezistente ndaj kulturës së re demokratike(element thelbësor i së cilës, e ngritur në nivelin e shprehisë, është dhe toleranca) vazhdojnë të identifikohen këto fenomene te nostalgjikët, të indoktrinuarit, humbësit e pushtetit dhe që u mbajtën e mbahen me ngulm pas privilegjeve, që buronin prej tij dhe që tashmë kanë humbur kuptimin. Kjo intolerancë herë-herë u manifestua në format më ekstreme dhe më vulgare në politikë. U kundërshtuan me kokëfortësi reforma rrënjësore demokratike, u përdorën metoda të vjetra për marrjen e pushtetit, si ajo e dhunës revolucionare, bojkotimi i parlamentit dhe vazhdon të tregohet një mëri e trashëguar ndaj një pjese të botës(herë ndaj Perëndimit e herë ndaj Lindjes), që ndonjë herë merrte pamjen e një farse parodike. Ende ndihet në shoqërinë e re të molepsur nga morali i së shkuarës , ndjenja klasore(e konvertuar në partiake), që tek ne shqiptarët kishte dhe vazhdon të ketë epërsi ndaj ideve demokratike.
Padyshim, në jetë njeriu ka shumë ideale shoqërore, për të cilat lufton ti realizojë. Por qytetari i kohës sonë moderne, duhet të jetë tolerant, duke respektuar bindjen, sjelljen morale të të tjerëve, njëlloj si idealet dhe bindjet e tij, pavarësisht se ai mund të mos jetë dakord me to. Çdo njeri në shoqërinë tonë pluraliste është i lirë, të ketë bindjet e veta politike dhe morale – ky është thelbi i lirisë dhe e drejtë e tij. Por, njëkohësisht, nuk ka të drejtë të pengojë të tjerët që të kenë bindjet dhe idealet e tyre. Intoleranti dhe fanatiku nuk pranojnë argumentin në debat. Këtë tipar negativ e kultivojnë dhe e forcojnë politikat konservatore të qëndrimeve mes pozitës dhe opozitës, të cilat ende nuk e kanë të qartë secila për vete, se cili është kufiri i luftës politike, por edhe i tolerancës dhe kompromisit. Paritë, sidomos ato në pushtet çmojnë më shumë militantët e fortë fanatikë e intolerantë, qofshin të vjetër apo të rinj dhe më pak qytetarët me bindje të ndryshme, por tolerantë e qytetarë.
Shoqëria e lirë, tolerante, në të cilën respektohen të gjithë njerëzit, bindjet dhe qëndrimet e tyre morale, është shoqëria që krijon hapësirë për të gjithë në “mbretërinë e synimeve “, në të cilën njerëzit janë të lirë të realizojnë idealet dhe synimet e tyre, por pa penguar të tjerët të realizojnë lirisht të vetat. Një shoqëri moderne me ideale, synime, qëllime të ndryshme dhe të kundërta, e cila nuk kultivon qëndrimin tolerant midis njerëzve, në marrëdhëniet reciproke, do të ishte një “xhungël e vërtetë”. Intoleranca, agresiviteti, konflikti, janë armët e njeriut fanatik. Për hir të së vërtetës, në të gjitha partitë, ka një “bërthamë fanatikësh”, që shfaqen publikisht si skifterët e tyre. Procesi i zbutjes së klimës politike, i marrëdhënieve qytetare, është hapi i parë i zbutjes së fanatizmit politik, si proces i qytetërimit. Në shoqërinë shqiptare, procesi i ndërtimit të tolerancës si mënyrë e qëndrueshme e tipike e marrëdhënieve, ka nevojë së pari për një proces të sqarimit moral të njerëzve, për të kuptuar në thelb, pse duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Këtij synimi të madh të shoqërisë civile, duhet t’i shërbejnë politika, filozofët, sociologët, mjetet e komunikimit masiv, arti, letërsia etj. Të gjitha këto, do të ndikojnë në formimin e të menduarit moral në shoqërinë tonë, duke e formatuar atë si sjellje shoqërore demokratike, që ka në bazë të saj tolerancën, kompromisin dhe konsensusin. Kurdoherë në gjirin e shoqërisë do të ketë fanatikë. “Njerëzit janë ata që janë, dhe bota është ajo që është”, ka thënë filozofi dhe politologu i shquar kohës sonë, Janos Kis. E vetmja mënyrë e kultivimit qytetar të tyre, i vetmi mjet për t’i shkëputur fanatikët, të çdo natyre qofshin, nga fanatizmi i tyre është toleranca.
Toleranca është baza e një shoqërie demokratike dhe pluraliste, është një qëndrim, i cili duhet të mbahet rregullisht, i shoqeruar me mirëkuptim dhe kompromis, si dhe pranimin e ideve të ndryshme, respektimin e qëllimeve dhe qasjeve të të tjerëve. Ajo është një virtyt i shoqërisë së moderuar njerëzore për të ditur thjeshtë të bartim apo të durojmë vëllezërit tanë, kundërshtarët tanë politikë si vëllezër e opozitarë dhe jo si armiq. Dhe investimi 30-vjeçar i forcave më progresive dhe më demokratike po i jep gradualisht edhe frytet e tij. Viti 2020, bashkë me atmosferën e rënduar të dy fatkeqësive natyrore, tërmetit e pandemisë, tani së fundi, bashkë me erën e ngrohtë pranverore, besoj se do të sjellë edhe frymën e tolerancës midis politikanëve. Duket sikur po fillon me bashkpunimin dhe bashkvlerësimin e Reformës: gjuha më e zbutur e retorikës politike, mund të maturohen bashkëbisedimi, marrëveshja dhe konsensusi jo si të pamundura në politikën shqiptare dhe në shoqërinë tonë të re. Duhet të identifikohen tregues optimistë se vendi ynë, demokracia jonë po e kapërcen tranzicionin e komunikimit e bashkëpunimit të faktorëve politikë. Edhe në emisionet opinioniste, ku janë përballë publikut të gjerë e të qetë duhet të kthehet në normë prezantimi ndryshe i liderëve të partive, më të matur, më të përmbajtur në leksikun ndaj kundërshtarëve, me një gjuhë politike më të krehur, më intelektuale dhe tone më të buta ndaj kundërshtarit politik. Ata duhet të mbeten larg egos dhe mospërfilljes, gati përbuzëse, që kanë manifestuar në intervistat dhe ligjërimet e tyre para gazetarëve apo publikut. Po aq të jenë të sinqertë në ato që deklarojnë para opinionit shqiptar.
TOLERANCA SI KATEGORI IDEOLOGJIKE
Toleranca është një term social, etik dhe fetar, që gjen zbatim në një bashkësi ose individ dhe përcakton respektimin e lirisë së tjetrit, të mënyrës së tij të të menduarit e të sjelljes, si dhe të opinioneve të tij të çfarëdo natyre qofshin (politike, fetare etj). Nocioni i tolerancës është shfaqur në historinë e kulturës evropiane në fillimshekullin XVI, në lidhje të ngushtë me mendimin humanist, të mishëruar në personin e Erasmus-it të Rotterdam-it, i cili u përpoq të luftonte fanatizmin fetar. Ndër personalitetet e tjera që u shquan për qëndrim tolerant konsekuent në ballafaqimin me opinione ose mendime të tjera ndaj botës, përmenden: Xhon Lok (1632-1704), Volter (1694-1778) dhe Gotthold Lesing (1729-1781). Në Letrën mbi tolerancën Xhon Lok rekomandon tolerancën si reagim ndaj sjelljes së çartur. “Duhet duruar ajo që është kundër zakoneve të përbashkëta” vinte në dukje ai. Volterit i atribuohet një frazë, që cilësohet si deviza e tolerancës: “Nuk më pëlqejnë idetë tuaja, por do të luftoj deri në vdekje që ju të mundni t’i shprehni ato”. Kushtetutat e shteteve demokratike moderne garantojnë forma të ndryshme të lirisë individuale dhe në grup, si, bie fjala, lirinë e shprehjes dhe atë fetare. Toleranca është përfshirë në “Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut” të 1948-ës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Prandaj njëra nga veçoritë e shoqërisë moderne është pluralizmi, si dhe dialogu i përhershëm ndërmjet bindjeve të ndryshme politike, shpirtërore, morale dhe fetare, për krijimin e një uniteti në diversitet. Natyrisht toleranca ka caqet e veta në normat e së drejtës, të cilat rregullojnë bashkëjetesën e pjesëtarëve të shoqërisë, për mbrojtjen e dinjitetit e të lirisë së njerëzve. Ndërsa intoleranca është e kundërta e tolerancës, që mund të shkojë deri në fanatizëm. Ekziston vetëm një gjë që nuk mund të tolerohet dhe pikërisht intoleranca.
Hamit TAKA
Komentet