Mbi 850 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike në Shtetet e Bashkuara pas uraganit Isaias, i cili goditi bregdetin e Gjirit të Meksikës në Florida të premten. Si pasojë e motit ekstrem, një grua humbi jetën në kontenë Escambia, pasi një pemë u rrëzua mbi banesën e saj.
Sherifi i kontesë, Chip Simmons, konfirmoi vdekjen përmes një videoje të publikuar në Facebook, duke bërë të ditur se pema e rrëzuar shkaktoi tragjedinë.
Isaias ishte uragani i parë i sezonit të vitit 2026 në Atlantik dhe arriti fillimisht kategorinë e tretë, me erëra të qëndrueshme deri në 193 kilometra në orë. Përpara se të mbërrinte në bregdet, stuhia u dobësua në kategorinë e dytë, ndërsa doli në tokë pranë Destinit, në Florida, rreth orës 21:40 sipas kohës lokale të së premtes.
Uragani tashmë është dobësuar ndjeshëm, me erëra maksimale prej rreth 55 kilometrash në orë, por vijon të përbëjë rrezik për pjesë të Floridës, Xhorxhias dhe Karolinës.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, deklaroi se stuhia ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ka lënë pas mbetje të shumta, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike dhe normalizimin e situatës.
Sipas tij, këtë herë nuk ka qenë e nevojshme të mobilizohen operacione të mëdha kërkim-shpëtimi, si në raste të mëparshme, kur ekipeve u është dashur të ndërhynin për të nxjerrë njerëz nga situata tepër të rrezikshme.
Megjithatë, DeSantis paralajmëroi se rreziku nga përmbytjet vijon, edhe pse niveli i ujërave përgjatë bregdetit perëndimor të Floridës pritet të bjerë gradualisht gjatë ditës. Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë prekur veçanërisht Floridën, Alabamën dhe Xhorxhian, ku autoritetet kishin shpallur gjendjen e jashtëzakonshme përpara mbërritjes së uraganit.
Sipas të dhënave të publikuara nga faqja e monitorimit të ndërprerjeve të energjisë, rreth 428 mijë banesa në Florida, 325 mijë në Alabama dhe 125 mijë në Xhorxhia kanë mbetur pa energji elektrike.
Guvernatori DeSantis bëri të ditur se, në orën 07:00 sipas kohës lokale, rreth 448 mijë abonentë në Florida ishin pa energji. Në disa zona, situata ishte edhe më e rëndë, me 90% të abonentëve pa energji në kontenë Santa Rosa, 89% në kontenë Holmes dhe 86% në kontenë Uashington.
Mbi 16 mijë punonjës të mirëmbajtjes së rrjetit elektrik ishin mobilizuar përpara stuhisë për të riparuar linjat e dëmtuara. Ata nisën punën që mbrëmjen e së premtes, duke u përqendruar fillimisht në zonat më të prekura.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë se shirat e rrëmbyeshëm mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme dhe urbane, ndërsa ekziston edhe rreziku i formimit të tornadove në pjesë të juglindjes së vendit. bw