Deputeti i vetëm shqiptar nga Lugina e Preshevës në Parlamentin e Serbisë z.Shaip Kamberi po vazhdon vizitën në Washington DC. Ka patur takime me Kongresistin Keith Self dhe DASH. Kjo vizitë sikur thotë ai vetë po bëhet “në një moment vendimtar për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pikërisht pas miratimit të H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, të sponsorizuar nga Kongresisti Keith Self (R. Texas). Shaip Kamberi shpreh mirënjohjen e tij ndaj SHBA sepse tashmë “Lugina ka hyrë përfundimisht në vëmendjen institucionale të Shteteve të Bashkuara.” Shaip Kamberi ka “një falënderim të veçantë për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye Joe DioGuardi, për Albanians for America, për Gino Mulliqi, për shqiptarët e Teksasit, për Këshillin Kombëtar Shqiptar, si dhe për Qeverinë e Kosovës, që po e bëjnë të mundur këtë avokim të përbashkët për të drejtat tona.” Kamberi nënvizon se mesazhi Amerikan është i qartë se”diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve të Luginës nuk është më çështje periferike- është çështje e të drejtave të njeriut dhe e demokracisë.”
Më poshtë Voal.ch po përcjell takimet që ka patur Shaip Kamberi, duke iu referuar faqes së tij zyrtare në rrjetin social META:
Gjatë takimit tonë në zyrat e Kongresit me Kongresistin Keith Self, sponzoruesin e H.R. 6411, biseduam për hapat e mëtejmë dhe për mënyrën e ecjes përpara në avancimin e kësaj nisme të rëndësishme për Luginën e Preshevës.
Takimi u zhvillua në frymë besimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, me një angazhim të qartë që ky proces të ecë përpara me seriozitet dhe vendosmëri. Ia përcolla falënderimet edhe për pjesën tjetër të ekipit tonë që kësaj radhe nuk ishin prezent.
Mbështetja që po merr kjo çështje në Washington na jep forcë dhe optimizëm se përpjekjet tona do të përkthehen në hapa konkretë për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sot, në Uashington, Kongresisti amerikan Keith Self ma dorëzoi personalisht H.R. 6411 – Presheva
Valley Discrimination Assessment Act – ligjin që për herë të parë e vendos zyrtarisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
Ky akt nuk është simbolik.
Është një instrument shtetëror amerikan për të vlerësuar, dokumentuar dhe ekspozuar: pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë. Futet në zemrën e politikës së SHBA, jo si protokoll, por si detyrim moral.
Falënderova në emër të çdo shqiptari të Luginës së Preshevës Kongresistin Keith Self.
Në një botë ku shumë heshtin nga interesi,
Kongresisti Keith, zgjodhi të flasë nga parimi.
Sot, në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, zhvilluam takim zyrtar me Daniel J. Lawton,
Zëvendës-Ndihmës Sekretar për Evropë dhe Euroazi, si dhe me Joe Farbeann, përgjegjës për Serbinë.
Në këtë takim po e çoj drejtpërdrejt zërin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për diskriminimin sistemik, pasivizimin e adresave, përjashtimin nga institucionet dhe politikat shtetërore të Beogradit që synojnë zhdukjen tonë administrative.
Kjo përpjekje po realizohet me mbështetjen e fuqishme të miqve tanë në SHBA, në veçanti Faton Bislimit nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Gino Mulliqi, të cilët kanë qenë ura jonë e drejtpërdrejtë drejt institucioneve amerikane.
Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë.
Kur na mbyllen dyert në Serbi, i hapim në Uashington.
Lugina e Preshevës nuk është temë lokale,
është çështje e të drejtave të njeriut dhe e stabilitetit në Ballkan.
Komentet