VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Tetë mënyra ideale për përdorimin e kafes për lëkurën dhe flokët

By | November 17, 2018

Komentet

AstraZeneca, vaksina nxit reagim të fortë të imunitetit tek të moshuarit

Vaksina për Covid-19 që po krijohet nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca ka arritur të prodhojë një përgjigje të fortë imune tek njerëzit e moshuar, grupi në rrezik më të lartë nga koronavirusi, tha të hënën gazeta “Financial Times”. Gazeta citon rezultatet paraprake të provave klinike me këtë vaksinë të mundshme.

Vaksina shkakton reagimin e antitrupave mbrojtës dhe qelizave T tek më të moshuarit, tha gazeta “Financial Times”, duke cituar dy njerëz që kanë dijeni për rezultatet. Ky zhvillim ka inkurajuar studiuesit që janë në kërkim të provave të cilat tregojnë se vaksina do të ndihmonte të moshuarit nga infektimi apo vdekja me koronavirusin.

Hollësitë pritet të publikohen së shpejti në një revistë mjekësore, thuhet në njoftimin e gazetës “Financial Times”.

Zbulimet i bëjnë jehonë të dhënave të publikuara në korrik, të cilat treguan se vaksina krijoi “përgjigje të forta imune” në një grup të rriturish të shëndetshëm mes moshës 18 dhe 55 vjeçare, raportoi gazeta, duke cituar njerëz që kanë njohuri për rezultatet nga të ashtuquajturat teste imunogjeniteti të gjakut.

Por gazeta paralajmëroi se rezultatet pozitive të imunogjenitetit nuk garantojnë që vaksina do të jetë e sigurt dhe efektive për të moshuarit.

Kompania AstraZeneca, e cila po krijon vaksinën me studiuesit e Universitetit të Oxfordit, shihet si një nga udhëheqësit në garën për të prodhuar një vaksinë kundër Covid-19.

Një nga kandidatët kryesorë në botë për vaksinat e koronavirusit, i quajtur AZD1222 ose ChAdOx1 nCoV-19, u krijua nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit dhe u liçencua nga kompania AstraZeneca në prill, e cila mori përsipër detyrën e zgjerimit të provave dhe prodhimit të vaksinës.

AstraZeneca rifilloi provat klinike në Shtetet e Bashkuara për vaksinën eksperimentale pas miratimit që mori nga rregullatorët amerikanë, tha kompania të premten.

Kjo vaksinë vektoriale virale përdor një version të dobësuar të një virusi të ftohjes tek shimpanzetë i cili kodifikon udhëzimet për krijimin e proteinave nga Covid-19 për të ndërtuar imunitetin kundër koronavirusit.

zëri i amerikës

Vaksina e Oksfordit po funksionon në mënyrë të përkryer, po ndërton imunitet të fortë ndaj virusit

Bota ka filluar t’i presë rezultatet e para të vaksinës kundër koronavirusit. Nëse efikasiteti i kësaj vaksine është pozitiv, atëherë ajo do të shpërndahet në mbarë Evropën dhe botën.

Tani studiuesit e udhëhequr nga Universiteti i Bristolit kanë zbuluar se kjo teknologji e guximshme funksionon te njeriu,  ashtu si shumë vaksina që kanë vepruar për viruse të tjera të ngjashme në të kaluarën.

Një studim, duke përdorur qelizat në laborator, zbuloi se vaksina jep në mënyrë efektive një fuqi, për arsye të shtimit të një doze proteine. Ajo fillon të shpërndahet nëpër trup dhe kjo do të thotë që sistemi imunitar i një personi fillon ta njohë sëmundjen dhe ta luftojë atë pa u sëmurë.

Dr. David Matthews nga Shkolla “Bristol’s Cellular and Molekular Medicine” (CMM), i cili e nisi këtë zbulim, tha: “Der tani, teknologjia nuk ka qenë në gjendje të japë përgjigje të qartë, por ne tani e dimë që vaksina po sjell përfitime te njerëzit. Ne e prisnim këtë lajm dhe ky është vetëm një lajm i mirë në luftën tonë kundër sëmundjes”.

Në kohën kur bota pret për rezultatet e provave dhe nëse vaksina e Oksfordit funksionon vërtet, gjetjet e reja janë hapi tjetër përpara.

Deri tani, në Britaninë e Madhe janë regjistruar 810.467 raste të infeksioneve dhe 44.347 vdekje. Mbretëria e Bashkuar është një ndër vendet më të prekura në Evropë, shkruan Dailymail, transmeton Express.

OBSH paralajmëron shqiptarët: Kujdes me kripën…

OBSH në Shqipëri iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes me përdorimin e kripës, pasi është një faktor kryesor rreziku për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.

Mesazhi i OBSH:

Përdorimi me tepri i kripës mund të rrisë presionin e gjakut, i cili është një faktor kryesor rreziku për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.

Ju mund ta parandaloni hipertensionin duke pakësuar përsorimin e kripës.

OBSh-ja rekomandon kufizimin e sasisë së kripës që konsumojmë në më pak se 5g në ditë për të rriturit.

Kjo sasi duhet të jetë edhe më e vogël për fëmijët.

⚠️ Një sasi çuditërisht e madhe e kripës që ne konsumojmë është e fshehur në ushqimet që blejmë.

Kjo perfshin:

bukën

drithërat dhe produktet e bukës

mishin e përpunuar

djathin

➡️ duhet që industria ushqimore të fillojë të zvogëlojë sasinë e kripës së shtuar në ushqimin tonë.

Prodhuesit japonezë të vaksinave nën sulme kibernetike

Prodhuesit japonezë të vaksinave janë përballur me sulme kibernetike që nga fillimi i prillit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia e Lajmeve Kyodo raportoi se megjithatë nuk ka patur ndonjë rrjedhje të informacioneve të rëndësishme.

Sipas kompanisë amerikane të sigurisë së informacionit CrowdStrike, sulmet ishin rastet e para të këtij lloji në vend dhe shtoi se sulmuesit ka të ngjarë të jenë kinezë.

Qendra Kombëtare e Qeverisë së Japonisë për Gatishmërinë e Incidenteve dhe Strategjinë për Sigurinë Kibernetike u ka kërkuar prodhuesve të vaksinave që “të rrisin nivelet e gatishmërisë” kundër përpjekjeve të tilla për të vjedhur informacione konfidenciale.

CrowdStrike deklaroi se kompanitë e vaksinave morën postë elektronike të bashkangjitura me skedarë elektronikë, të cilët dukej se kishin lidhje me virusin e ri por përmbanin viruse kompjuterike.

Drejtori i kompanisë përgjegjëse për rajonin Azi-Paqësor, Scott Jarkoff, lidhi sulmet kibernetike me garën midis vendeve se cili do të jetë i pari që prodhon vaksinën për trajtimin e koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deri në fund të shtatorit janë regjistruar afër 190 projekte vaksinash në zhvillim, shumë prej të cilave janë në fazat e fundit të testit.

COVID-19 ka prekur rreth 40 milionë njerëz në mbarë botën që nga shfaqja e saj dhjetorin e kaluar në qytetin Wuhan të Kinës. Mbi 1.1 milionë njerëz kanë vdekur për shkak të infeksionit.

Studimi australian: COVID-19 mbijeton në sipërfaqe për 28 ditë

Sipas një studimi të agjencisë kombëtare shkencore të Australisë, koronavirusi i ri (COVID-19) mbijeton në sipërfaqe për 28 ditë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Studiuesit në Organizatën e Hulumtimit Shkencor dhe Industrial të Komonuelthit (CSIRO) njoftuan se “për të përmirësuar kuptimin se si sillet ky virus i ri, studiuesit hulumtuan shkallën e mbijetesës së virusit infektiv SARS-CoV-2, të tharat në një tretësirë mukoze artificiale, në gjashtë sipërfaqe të zakonshme”.

Hulumtimi i kryer në CSIRO zbuloi se virusi ishte “jashtëzakonisht i fuqishëm në 20 gradë Celsius”.

“Ne ishim në gjendje të rigjejmë materialin infektiv pas 28 ditëve nga sipërfaqet e lëmuara”, tha CSIRO, duke shtuar se eksperimenti u krye në tre temperatura të ndryshme, respektivisht në 20 gradë Celsius, 30 gradë Celsius dhe 40 gradë Celsius, me lagështi relative të mbajtur në 50 për qind.

Studiuesit përdorën çelik të pandryshkëm, qelq, letër, kartëmonedha polimer, si dhe leckë pambuku si sipërfaqe të studimit.

“Këto janë shembuj të sipërfaqeve të kontaktit të lartë, të tilla si xhami në ekranet me prekje dhe dorezat e çelikut të pandryshkëm”, tha studimi.

CSIRO njoftoi se një pikë lëngu që përmban virusin “të ngjashëm me nivelet e vëzhguara te pacientët e infektuar u tha” në këto sipërfaqe të vogla provash dhe u la deri në 28 ditë.

“Në periudha të ndryshme kohore, virusi u rigjet dhe u vendos në qelizat e indeve për të vëzhguar nëse ka ndonjë virus infektiv”, shtoi CSIRO.

Temperatura ndikon në sjelljen e virusit

Studimi po ashtu zbuloi gjatësinë e kohës kur virusi infektiv ishte në gjendje të mbijetonte në zona të ndryshme të temperaturës.

“Në 30 gradë Celsius virusi infektiv nuk mbijetoi më shumë se shtatë ditë në çelikun e pandryshkur, kartëmonedha polimer dhe qelq. Megjithatë, në pëlhura vinil dhe të pambukut, materiali infektiv nuk mund të zbulohej përtej tre ditëve”, tha CSIRO.

Megjithatë, virusi u inaktivizua shumë më shpejt në 40 gradë Celsius.

“Njohja jonë se virusi mbijeton më shumë gjatë në temperatura më të ftohta mund të ndihmojë po ashtu për të shpjeguar përhapjen e COVID-19 në mjedise të tilla si objektet e përpunimit të mishit”, thanë studiuesit.

Në botë çdo vit rreth 2 milionë foshnja lindin të vdekura

Rreth 2 milionë foshnja lindin të vdekura çdo vit në të gjithë botën, shumica e të cilëve në vendet në zhvillim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe partnerët publikuan një raport që llogarit në mbarë botën numrin e lindjeve të vdekura.

Në raport është vënë në dukje se në botë çdo vit 2 milionë fëmijë lindin të vdekur dhe se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) mund të shkaktojë rritjen e këtij numri.

Gjithashtu ndërprerja prej 50 për qind që parashikohet në shërbimet e shëndetësisë për shkak të pandemisë së COVID-19, mund të shkaktojë edhe 200.000 vdekje tjera në 117 shtete në zhvillim.

OBSH-ja në raport tërhoqi vëmendjen se nëse gratë kërkojnë ndihmën e një profesionisti të trajnuar të kujdesit shëndetësor, do të mund të parandalohen mbi 40 për qind të lindjeve të vdekura.

Gati gjysma e lindjeve të vdekura kanë ndodhur në Afrikën subsahariane dhe Azinë Qendrore ndërsa kjo përqindje në Evropë, Amerikën Veriore, Australi dhe Zelandën e Re është rreth 6 për qind.

Drejtorja ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore tha se “Në çdo 16 sekonda një nënë kudo në botë do të përjetojë dhimbjen e papërshkrueshme të lindjes së vdekur”.

Agjencia e Ilaçeve publikon udhëzimet për vaksinat, të bllokuara nga Shtëpia e Bardhë

Marrë nga Associated Press

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve paraqiti standardet e azhurnuara të sigurisë të martën për prodhuesit e vaksinave për COVID-19 pasi Shtëpia e Bardhë bllokoi publikimin zyrtarisht të tyre, konflikti më i fundit politik mes administratës Trump dhe shkencëtarëve të agjencive shëndetësore qeveritare.

Në dokumentet e publikuara në faqen e saj të internetit, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve shkruan se prodhuesit e vaksinave duhet të monitorojnë pjesëmarrësit në prova klinike për të paktën dy muaj pas dozës së fundit të vaksinës për të përjashtuar çështjet e sigurisë para se të kërkojnë miratimin urgjent të tyre. Kjo kërkesë pothuajse me siguri do të përjashtonte mundësinë e autorizimit për përdorim të gjerë të një vaksine para 3 nëntorit.

Presidenti Donald Trump ka insistuar në mënyrë të përsëritur që një vaksinë mund të autorizohet para ditës së zgjedhjeve, edhe pse shkencëtarët që punojnë për qeverinë kanë thënë se ky afat kohor është shumë i vështirë për t’u realizuar. Të hënën, Presidenti Trump tha se vaksinat do të vijnë “menjëherë”, në një video të regjistruar pasi u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Ish-zyrtarët e Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve kanë paralajmëruar se perceptimi i publikut se autorizimi i një vaksine po nxitohej për arsye politike mund të dëmtojë përpjekjet për të vaksinuar miliona amerikanë.

Një zyrtar i lartë i administratës konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press të hënën se Shtëpia e Bardhë kishte bllokuar planet e Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve për të publikuar zyrtarisht udhëzimet e sigurisë bazuar në kërkesën dy-mujore për të dhënat, duke argumentuar se nuk kishte “asnjë arsye klinike ose mjekësore” për të.

Por Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e futi informacionin në një memorandum të postuar përpara një takimi të 22 tetorit të panelit të jashtëm këshillues për vaksinat. Grupi i ekspertëve jo-qeveritarë ka në plan të diskutojë standardet e përgjithshme për vaksinat e koronavirusit, pjesë e përpjekjes së Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve për të publikuar procesin e saj dhe arsyetimin për rishikimin e vaksinave. Ndërsa informacioni i përgatitur për panele të tilla nuk ka peshën e një dokumenti zyrtar udhëzues të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, lëshimi i informacionit bën të qartë se Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve ka në plan të vendos standarde të sigurisë për çdo vaksinë që kërkon një rrugë të përshpejtuar në treg.

Për të përmbushur kushtet minimale të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, kompanitë do të duhet të paraqesin të dhëna monitorim nga gjysma e pjesëmarrësve të tyre në provë dy muaj pasi ata të kenë marrë dozën e fundit të vaksinës për të treguar se ajo nuk shkakton efekte anësore të mëdha ose probleme shëndetësore. Për shkak se vaksinat zakonisht u jepen njerëzve kryesisht të shëndetshëm, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve kërkon prova të rrepta të sigurisë së tyre.

Kushtet janë vendosur për kompanitë që kërkojnë miratim të shpejtë përmes rrugës së autorizimit emergjent të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve. Ky proces i përshpejtuar, i rezervuar për emergjenca shëndetësore, lejon produktet mjekësore të dalin në treg bazuar në një standart më të ulët sesa ai për miratimin tradicional.

Dozat fillestare të vaksinave për përdorim emergjent ka të ngjarë të rezervohen për punonjësit mjekësorë dhe njerëzit me probleme shëndetësore që i bëjnë ata më të rrezikuar nga koronavirusi. Miratimi i plotë nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve për përdorimin e ilaçeve në popullatën e përgjithshme do të kërkojë më shumë të dhëna dhe nuk pritet të publikohet deri në mes të vitit 2021.

Një zëdhënëse e Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve tha të martën se udhëzimet për vaksinat janë ende “nën rishikim” por shtoi se “Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve tashmë ka komunikuar me prodhues individualë në lidhje me pritshmëritë e saj”.

Përpjekja e Shtëpisë së Bardhë për të bllokuar lëshimin e informacionit pason një varg rastesh në të cilat administrata Trump ka anashkaluar ekspertët e saj mjekësorë që punojnë në luftimin e pandemisë. Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, Stephen Hahn është përpjekur të forcojë besimin e publikut në procesin e rishikimit të vaksinave për javë të tëra, duke u zotuar se shkencëtarët e karrierës, jo politikanët, do të vendosin nëse vaksinat janë të sigurta dhe efektive.

Drejtori Ekzekutiv i kompanisë “Pfizer”, Albert Bourla shkaktoi entuziazëm duke thënë se ai është në pritje të të dhënave mbi atë nëse një vaksinë e kompanisë do të jetë gati në fund të tetorit. Por një sërë të dhënash duhet të plotësojnë kushtet që kompania të jetë në gjendje të paraqesë dhe Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve të rishikojë dhe t’i japë dritën jeshile, përdorimit të gjërë të një vaksine përpara 3 nëntorit. Konkurrentët e kompanisë “Pfizer”, “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson” po punojnë në afatet kohore më të gjata të hulumtimit.

Zhvillimi i vaksinave zakonisht zgjat me vite, por qeveria amerikane ka investuar miliarda dollarë në përpjekje për të përshpejtuar procesin dhe për të ndihmuar prodhuesit e shumtë të ilaçeve të përgatisin shumë vaksina. Të gjitha dozat do të blihen nga qeveria federale për vaksinimin e popullatës amerikane.

Përveç ekspozimit të mosmarrëveshjeve midis Shtëpisë së Bardhë dhe Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, publikimi i informacionit mund të ketë efekt të kufizuar praktik.

Shkencëtarët e Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve i kanë diskutuar udhëzimet publikisht për javë të tëra dhe e kanë bërë të qartë se rekomandimet tashmë janë ndarë me secilin prodhues të vaksinave.

“Kompanitë e dinë se çfarë presim”, tha Dr. Peter Marks, kreu i divizionit të vaksinave në Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve, në një intervistë në internet javën e kaluar me organizatën jofitimprurëse “Friends of Cancer Research”.

Dr. Marks gjithashtu tha se publikimi i udhëzimeve ishte “një përpjekje për të ndihmuar publikun të shohë se çfarë kushtesh kemi për vaksinat kundër COVID-19”. Ai shtoi se udhëzimet do të shpjegonin se të gjitha vaksinat e ardhshme do të rishikohen nga komisioni i pavarur i këshilltarëve të jashtëm të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve për vaksinat, para se agjencia të marrë vendimin e saj përfundimtar.

zëri i amerikës

Vaksina mund të jetë e gatshme “në tremujorin e dytë të vitit 2021”

Valona Tela

Helen Rees, hulumtuese në mjekësi, është optimiste se vaksina kundër koronavirusit do të jetë e disponueshme në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Rees, e cila bën pjesë në Grupin Këshillimor të OBSH-së për vaksinën kundër COVID-19, pret që vaksina të jetë efektive së paku 50 për qind dhe thekson rëndësinë e shpërndarjes së saj në të gjithë botën.

“Nëse keni 60-70 për qind të popullsisë të pavaksinuar, ju vazhdoni të jeni të cenueshëm dhe të keni njerëz të infektuar”, thotë Rees në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë: Sa jemi afër vaksinës kundër koronavirusit?

Helen Rees: Çuditërisht, në njëfarë mënyre, jemi shumë afër, marrë parasysh se duhen vite për të zhvilluar vaksinë. Por, a do të dëshironim të ishim më afër? Normalisht. Ne mund t’i kemi disa vaksina të disponueshme këtë vit – por një numër të vogël të tyre dhe jo të disponueshme globalisht. Shumica prej nesh parashikojnë që nëse kemi vaksinë të suksesshme, ajo të jetë e gatshme në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni nxitimin që po bëhet për gjetjen e vaksinës? Vitet e hulumtimit po përfundojnë në disa muaj…

Helen Rees: Është e nevojshme. Ne jemi duke mësuar shumë teksa e bëjmë këtë në një mënyrë të konsoliduar. Tri fazat e ndryshme të testimit të vaksinës janë duke u zhvilluar bashkërisht. Kjo e shkurton kohën me vite.

Por, një gjë që kërkon më shumë kohë dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme është faza tre e testimit, që zhvillohet në mijëra njerëz dhe tregon nëse vaksina funksionon dhe është e sigurt. Kjo fazë nuk mund të shkurtohet. Aktualisht, në proces janë nëntë testime të tilla për vaksina të ndryshme. Dhe, kjo fazë e testimit duhet të kompletohet.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik që ndonjë testim për sigurinë të anashkalohet për shkak të nxitimit?

Helen Rees: Kjo është arsyeja përse faza e fundit (e tretë), që përfshin mijëra pjesëmarrës, 30,000, 40,000, në të gjithë botën, është tepër e rëndësishme. Nëse provoni ta shkurtoni këtë fazë dhe të përfshini më pak njerëz në vetëm disa muaj dhe jo periudhë më të gjatë, atëherë duhet të shqetësohemi për sigurinë. Pasi ta përfundojmë fazën e fundit dhe të gjejmë një vaksinë efektive, shpresojmë se do të mund ta monitorjmë sapo ta nxjerrim te popullata – ta monitorojmë sigurinë e saj në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është gjithmonë shumë e rëndësishme për çdo vaksinë të re.

Radio Evropa e Lirë: Sa e suksesshme duhet të jetë vaksina në fazat e testimit që ajo të konsiderohet efektive?

Helen Rees: Është një pyetje shumë e mirë. Shumë njerëz do të thoshin se ne duhet të shikojmë për një vaksinë efektive 50%. Disa mund të pranojnë 40% të efektivitetit dhe të tjerët mund të bëjnë presion për më shumë efektivitet, 60%, 70%… Por, shumica e shifrave që flasin politikëbërësit janë së paku 50%.

Radio Evropa e Lirë: Në cilën fazë është e gatshme vaksina për prodhim masiv?

Helen Rees: Në rrethana normale, industria e zhvillimit të vaksinave do t’i bënte të gjitha kërkimet dhe pas sigurimit të një vaksine të suksesshme, do të niste prodhimin. Por, për t’i përshpejtuar gjërat, nga koha kur këto vaksina [kundër koronavirusit] kanë hyrë në provat e hershme klinike, ne kemi identifikuar vendet e mundshme të prodhimit. E kemi bërë këtë me shpresën që, sapo të sigurojmë një vaksinë efektive, të nisim prodhimin komercial.

Radio Evropa e Lirë: Si i përfshini njerëzit në teste? Si ia bëni me njerëzit më të cenueshëm?

Helen Rees: Në shumë pjesë të botës, përfshirja e njerëzve në testim përfshin edhe mediat. Bëhen lajmërime përmes ueb-faqeve, radio-stacioneve, televizioneve, por edhe njerëzit që janë duke u testuar, ua thonë të tjerëve. Megjithatë, për shkak të vëmendjes së madhe që po i kushtohet COVID-19-ës, media ka një rol të rëndësishëm për t’i njoftuar njerëzit për testimin e vaksinave.

Sa u përket njerëzve të cenueshëm, ju thjesht i kërkoni ata, kërkoni njerëz mbi 60 vjeç, kërkoni njerëz pozitivë me virusin HIV, me tension të lartë të gjakut, me diabet.

Radio Evropa e Lirë: Për sa kohë do të jetë efektive vaksina?

Helen Rees: Është një pyetje e mirë, por përgjigjja është se për momentin nuk e dimë. Gjithashtu nuk e dimë sa i përket imunitetit natyror. Njerëzit që janë infektuar dhe kanë antitrupa – ne nuk e dimë se për sa kohë këta antitrupa natyrorë do ta mbrojnë dikë nga infektimi i dytë. E dimë se për koronaviruse të tjera, kjo mund të jetë një kohë e shkurtër, disa muaj.

Për vaksinat [kundër koronavirusit], nuk e dimë. Por, shpresojmë që minimumi të jetë një vit ose më gjatë. Me kalimin e kohës, do ta kuptojmë nëse duhet të japim për shembull doza shtesë ose sa shpesh duhet t’i japim ato doza shtesë. Asnjë vaksinë nuk do të jetë e njëjtë me tjetrën. Disa mund të zgjasin më shumë, disa mund të kenë nevojë për doza shtesë.

Radio Evropa e Lirë: Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se cilado vaksinë që ka sukses, ajo duhet të jetë në dispozicion për të gjithë. Si mund të sigurohemi se do të ketë për të gjithë?

Helen Rees: Është një çështje kritike. Ky virus po qarkullon nëpër botë. Nëse kemi numër të madh të njerëzve që nuk mbrohet (vaksinohet), virusi do të vazhdojë të qarkullojë dhe do të zgjedhë njerëz në të gjithë globin. Ne po bëjmë një përpjekje masive, që quhet Lehtësia Covax, e cila kërkon nga vendet e varfra dhe të pasura që t’i paraqesin kërkesat e tyre për numrin e vaksinave që duan.

Covax, në anën tjetër, negocion me kompanitë që janë duke zhvilluar vaksina. Ideja është që të kemi një numër shumë të madh vendesh që kërkojnë vaksina përmes kësaj lehtësie dhe një numër të madh vaksinash që dalin prej saj. Kjo do ta barazonte fushën e lojës. Kjo do të mundësonte që të gjitha vendet, e të gjitha ekonomive, të kenë qasje të barabartë në një përqindje të vaksinave për popullsinë e tyre. Kjo është një përpjekje globale, nuk është bërë kurrë më herët.

Jemi mjaft optimistë se Covax do të fillojë t’iu japë qasje edhe vendeve më të varfra, vendeve më të pafavorizuara dhe vendeve me popullsi të vogël, që mund të mos jenë në gjendje të negociojnë vaksina për veten e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, çfarë nëse shumë njerëz nuk duan të vaksinohen ose shqetësohen për çështje të sigurisë?

Helen Rees: Kjo do të jetë shumë e rëndësishme, sepse për ta ndaluar qarkullimin e këtij virusi, ju duhet të vaksinoni dhe të krijoni antitrupa te një përqindje e konsiderueshme e popullsisë suaj. Nëse keni 60-70 për qind të popullsisë të pavaksinuar, ju vazhdoni të jeni të cenueshëm dhe të keni njerëz të infektuar.

Ne duhet t’ua shpjegojmë njerëzve atë që po bëjmë në aspektin e kërkimeve, se provat klinike mund të garantojnë një nivel të sigurisë dhe ne do ta monitorojmë atë siguri. Gjëja e dytë është t’i bindim njerëzit se nëse nuk imunizohen, ne do të vazhdojmë ta shohim këtë virus duke qarkulluar, me të gjitha ndikimet ekonomike dhe sociale që ka. Pra, është në interesin tonë, në të gjithë botën, që numri i njerëzve të imunizuar të jetë i lartë kur vaksina të jetë në dispozicion.

Jeta në mesin e të barabartëve dhe këshillat e Anthony Fauci – Nga Musa Sabedini*

– Pandemia e njohur si COVID 19 na ka dhënë shumë shembuj dhe përvojë se jeta është e tillë për aq sa ke hapësirë veprimi e jetese. Tashmë jemi të gjithë të barabartë, sepse virusi po godet të gjitha shtresat. Pse janë të logjikshme deklarimet e Anthony Faucit dhe pse mediat duhet të jenë të kujdesshme në raportimet e tyre. Vjeshta dhe dimri mund të jenë edhe më sfiduese për mediat kosovare, sepse termet e raportimit kërkojnë logjikë të shprehjes. Mediet e kanë lodhur publikun duke ofruar lloj-lloj eksperti e duke krijuar konfuzione të çuditshme. Fauci lehtësisht e ka ndryshuar qëndrimin e tij profesional nga “Vala e dytë” në “Sfidë”. A duhet mediat kosovare të ndjekin këshillat e Faucit?!

 

Kur doli në skenë virusi vdekjeprurës me shumë të panjohura, ishte një sfidë e re edhe për të gjitha shtresat dhe kategoritë brenda popullit. Tashmë po mësohemi të jetojmë e veprojmë në kushte të barabarta. Virusi nuk po njeh as paranë, as miliarderë, as milionerë, as pushtet e as presion. Gati veçse jemi mësuar të jetojmë në mesin e të barabartëve dhe kjo do të jetë një përvojë e mirë për shekujt vijues.

 

Pandemia na dha mundësi të njohim ekspertë, virologë, infektologë, epidemiologë, mikrobiologë, kimistë, farmacistë, politikanë, të gjithë në stilin e tyre duke dhënë vlerësime e duke ofruar alternativa. Shumica pothuajse kanë dështuar, sepse realisht virusi nuk linte asnjë mundësi për ndonjë parashikim emergjent.

 

Këta ekspertët tanë realisht vetëm munden me u marrë me statistika se sa dhe kush po vdes gjatë ditës, sepse për të pasur ndonjë rezultat studimor, duhet të rrinë larg politikës e larg konferencave të shtypit.

 

T`i kthehem asaj çfarë do dua të them me pak fjalë rreth autoritetit të ekspertit të lartë të sëmundjeve infektive Anthony Fauci. Edhe ky ekspert bëri jo pak herë deklarata të pamatura dhe shpesh të nxituara, por megjithatë bota dhe Trump shpresat i kishin tek versioni i tij, i cili shpesh konsiderohej edhe ekstrem.

 

Fauci duke parë ndjeshmërinë që kanë deklaratat e njerëzve kompetent në stilin:”Vjeshta nis me fazën e dytë të pandemisë”, ose “Vendi po përgatitet për valën e dytë” e shumë tituj të tillë të ngjashëm, të cilët po e terrorizojnë publikun, vendosi që të bëjë një hap para në deklarimet e tija publike. Fauci po sugjeron që në vend se të thuhet “Vala e dytë” të zëvendësohet me termin: ”A jemi të përgatitur për sfidën e vjeshtës dhe dimrit?”.

 

Realisht deklarata e Faucit i përshtatet shumë medieve dhe raportimeve të tyre shpesh herë të ngutshme dhe neveritësese. Mediet online, në veçanti duhet të mësojnë, të edukohen, të përshtaten me realitetin që është krijuar tash e gjashtë muaj. Mediet duhet të kujdesën për shëndetin e popullatës më shumë se mjeku dhe sfera shëndetësore. Publiku shpesh ka nevojë edhe për ndonjë tekst të butë, të drejtë, këshillëdhënës, edukues gjithsesi, këshilla profesionale, sesa tekste dhe tituj bombastik që ndikojnë negativisht në psikikën e qytetarëve.

 

Media në përgjithësi duhet të përzgjedh fjalorin gjatë raportimit, duhet të ketë kujdes maksimal nga ajo që publikohet dhe thuhet, është urgjente që media të krijojë një agjendë për mënyrën e raportimit, duke respektuar kriteret dhe standardet aktuale të mënyrës së raportimit.

 

Ne shpesh mendojmë se ekspertët tanë ose ata që janë të thirrur të japin konstatime profesionale janë të përgatitur dhe të sinqertë në atë që e thonë, por në fakt ka prej kësaj kategorie që shpesh ua kanë huqur në ekstrem. Aty ku për virusin mediet citojnë infermieret dhe politikanët, aty s`ka bereqet.

 

Pra, media ka obligim të jetë e përgjegjshme, e përgatitur në maksimum që sfida e vjeshtës dhe e dimrit të jetë më e lehtë dhe më shumë aktive në raportimet e drejta.

 

Kur media raporton drejtë, saktë, dhe në mënyrë objektive, i mbetet publikut pastaj ta vlerësojë se çfarë duhet të përzgjedhë. Ne edhe në kohën e pandemisë kemi krijuar diferenca gjatë raportimit. Qytetarët shpesh bëhen nervozë, reagojnë në mënyrë të ndryshme për raportimet tona dhe ata shpesh detyrohen që t`i përzgjedhin qoftë portalet, gazetat apo TV e Radiot si mjete të informimit dhe komunikimit.

 

Pse, sepse shpesh disa media online i kanë tejkaluar kufijtë e etikës dhe ndërgjegjes profesionale. Pra, bëhuni pjesë e raportimit profesional, bëhuni pjesë e raportimit të shëndoshë dhe të “ëmbël” e të saktë për publikun dhe lexuesin tuaj.

 

 

Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT

A përbën kërcënim koronavirusi në distancë mbi dy metra?

Marrë nga Associated Press

UASHINGTON – A mund të përshkojë mbi dy metra në ajër koronavirusi i ri? Kërkimet tregojnë se është e mundur, por nuk është e qartë se sa prej pandemisë është shkaktuar nga raste të tilla.

Njerëzit përhapin stërkala të përmasave të ndryshme kur kolliten, tështijnë, flasin, këndojnë, bërtasin apo thjesht marrin frymë. Koronavirusi mund të rrugëtojë së bashku me këtë masë.

Këshilla për të qëndruar të paktën dy metra larg bazohet tek ideja se sekrecionet më të mëdha bien në tokë përpara se të arrijnë më tej.

Por disa shkencëtarë janë fokusuar tek masat më të vogla, të quajtura aerosolë. Ato mund të qëndrojnë në ajër për minuta të tëra dhe madje orë, mund të shpërndahen në një dhomë dhe mund të grumbullohen të përqëndruara nëse mjedisi nuk ka qarkullim të mirë ajri, duke krijuar kështu rrezikun e infektimit nëpërmjet thithjes në mushkëri.

Për aerosolët, “dy metra nuk është distanca magjike” dhe ruajtja e një distance edhe më të madhe është më mirë, thotë Linsey Marr, e cila studjon transmetimin në rrugët ajrore të sëmundjeve infektive në Universitetin Virginia Tech, në Blaksburg, Virxhinia.

Disa shkencëtarë thonë se ekzistojnë prova të majftueshme për aerosolët dhe virusin, që të ndërmerren masa mbrojtëse. Krahas këshillave të zakonshme, ata theksojnë nevojën për ventilim dhe sisteme pastrimi të ajrit në mjediset e brendshme. Madje është edhe më mirë, thonë ata, nëse ndërveprojmë me të tjerët në mjedise të jashtme. zëri i amerikës

Muajt kur duhet bërë vaksina e gripit sezonal

Me nisjen e stinës së vjeshtës një nga problemet e tjera shqetësuese në lidhje me shëndetin është gripi sezonal.

Këtë vit situata mund të jetë pak më e vështirë duke marrë parasysh se gjendemi ende në rrjedhën e pandemisë së COVID-19.

Gripi, edhe pse shumë e konsiderojnë diçka kalimtare, në të vërtetë është shumë infektues.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, çdo vit në Qendra Shëndetësore dhe Spitale ka me qindra të shtruar të prekur nga ky grip.

Vaksina e influencës ofrohet çdo vit për të mbrojtur qytetarët nga infektimi. Por cilat janë grupmoshat që rrezikojnë më shumë? Dhe sa e rëndësishme është tani kur COVID-19 është një faktor me risk të lartë?

AgroWeb.org ju drejtua Doktoreshës së Shëndetit Publik pranë Spitalit të Traumës në Tiranë, Znj. Dorela Vasha për disa këshilla të vlefshme.

Duke u dhënë hapësirë edhe ndjekësve tanë që të përfshiheshin në këtë bisedë, AgroWeb.org arriti të përqendrojë shqetësimet në pesë pika kyçe.

Një prej tyre ishte pyetja rreth përfitimeve që vaksina ka për ne si qytetarë, të cilës Znj. Vasha iu përgjigj duke thënë se ‘vaksina ndihmon në parandalimin e gripit, ul rrezikun e komplikimeve që kërkojnë trajtim mjekësor por edhe mbron komunitetin’.

Shumë nga lexuesit tanë mbrojnë mendimin se jo të gjithë kanë nevojë për të bërë vaksinën, gjë që sipas Doktoreshës së Shëndetit Publik zgjidhet fare thjeshtë duke ndjekur grupimin e mëposhtëm:

Grupmoshat që rekomandohen të kryejnë vaksinimin ndaj influencës:

–   Fëmijë mbi 9 vjeç dhe që kanë indikacion imunizimin ndaj gripit sezonal

–   Persona që vuajnë nga sëmundje kronike dhe me imuno-influencë si:

  • sëmundjet kardiovaskulare,
  • diabeti,
  • sëmundje obstruktive të aparatit respirator,
  • astma bronkiale,
  • sëmundje kronike të veshkave,
  • sëmundje tumoriale

–  Gratë shtatzëna

–  Persona mbi 60 vjeç

–  Persona që janë mbipeshë

“Gripi është një sëmundje që përhapet me shpejtësi dhe shkaktohet nga shtame të tipave të ndryshme të viruseve që mund të ndryshojë. Kjo është arsyeja pse ju ose fëmija juaj nevojitet të vaksinohet çdo vit. Rreziku më i madh për të marr gripin është gjatë muajve të ftohtë, midis Tetorit dhe Marsit. Nëse ju ose fëmija juaj nuk vaksinoheni në vjeshtë, është e mundur që të vaksinoheni deri në pranëverë duke qenë se ekziston risku që ju të merrni gripin deri në këtë periudhë. Doktori juaj do t’ju rekomandojë kohën mëtë përshtatshme për t’u vaksinuar”, u shpreh Znj. Vasha lidhur me pyetjen nëse kjo vaksinë duhet të bëhet çdo vit.

Pandemia e COVID-19 sigurisht që nuk e lehtëson situatën, për të patur pak qartësi në lidhje me efektin mbrojtës që mund të ketë vaksina ndaj këtij virusi Znj. Dorela Vasha sqaroi se ‘ vaksina e gripit krijon mbrojtje vetëm për gripin sezonal’, por në lidhje me rrezikun ndaj COVID-19 ajo shpjegoi se ‘vaksinimi ndaj gripit stinor ul mundësinë e mbivendosjes së infeksioneve tek një person’.

Sipas studimeve të deritanishme edhe të Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, pohohet se duke u shmangur kjo mbivendosje, qytetarët kanë një mundësi më të lartë për të përballuar më lehtë simptomat e virusit.

Për të gjithë qytetarët që nuk janë të sigurt se ku duhet të drejtohen për të kryer vaksinën e gripit, Znj. Vasha informoi duke paraqitur për AgroWeb.org një listë me institucionet zyrtare.

‘Për kryerjen e vaksinës së gripit qytetarët sipas grupmoshave të riskut mund t’i drejtohen Qendrave Shëndetësore të zonave ku ata banojnë, përgjithësisht në periudhën Tetor-Nëntor. Në këtë periudhë Instituti i Shëndetit Publik bën lajmërimin se kur vaksinat janë të disponueshme në Qendrat Shëndetësore për t’u aplikuar’, tha ajo.

AgroWeb.org gjithashtu iu drejtua Doktoreshës Së Shëndetit Publik për disa këshilla se çfarë mund të bëjnë qytetarët për t’u mbrojtur nga gripi stinor përveç kryerjs së vaksinës.

Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me facoletë.

Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni dezinfektues.

Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.

Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë

Ushqehuni shëndetshëm

Bëni aktivitet fizik

Bëni gjumë të mjaftueshëm

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni

Konsultohuni me mjekun për trajtim me barna kundër gripit. Këto barna kanë efekt mjekues, dhe jo parandalues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes. Bëni kujdes pasi antiviralët jepen vetëm me rekomandim të mjekut.

Nëse jeni sëmurë me grip atëherë duhet të ndiqni këto këshilla:

Qëndroni në shtëpi

Qëndroni veç nga të tjerët

Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë

Mbuloni gojën dhe hundën me facoletë kur kolliteni apo teshtini

Lani duart mirë me ujë dhe sapun pas çdo kollitje.

Kompania japoneze shpik llambën UV që vret koronavirusin

Tokio

Një kompani japoneze ka shpikur një llambë ultravjollcë (UV) që mund të dezinfektojë hapësirat e mbyllura dhe të vrasë koronavirusin pa dëmtuar shëndetin e njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një angazhim të përbashkët, prodhuesi i dritave Ushio Inc. dhe Universiteti Columbia zhvilluan llambën UV Care 222, pastruesi i parë i hapësirave të mbyllura në botë kundër COVID-19, njoftuan mediat lokale të martën.

Ky mjet mund të përdoret në hapësira ku njerëzit kanë rrezik të lartë të prekjes nga virusi, siç janë autobusët, trenat, ashensorët dhe zyrat.

Kompania tha se përkundër gjatësisë së valëve konvencionale 254-nanometër që është e dëmshme për shëndetin e njeriut, llamba e re lëshon rrezet UV me një gjatësi vale prej 222 nanometra dhe vret virusin pa dëmtuar shëndetin e njeriut.

Kompania pretendon se në këtë gjatësi të valëve specifike, rrezet UV nuk mund të shkaktojnë defekte gjenetike dhe dëmtime të tjera të tilla si kanceri i lëkurës dhe humbja e shikimit.

Care 222 dezinfekton 99 për qind të viruseve dhe baktereve në ajër brenda gjashtë deri në shtatë minuta.

Kapaciteti i saj në terren është deri në një sipërfaqe prej 3 metrash katrorë në sipërfaqen e objekteve.

Kompania tha se Universiteti Hiroshima konfirmoi se rrezet UV 222 nanometër janë efikase në dezinfektimin nga COVID-19.

Kompania tha se çmimi i llambës do të jetë 2.870 dollarë, duke shtuar se pranon vetëm porosi nga institucionet mjekësore tani për tani.


Send this to a friend