VOAL

VOAL

Telefonata e fundit e Ndriçim Xhepës me Gjergj Xhuvanin: Nuk ka qenë i shtruar në spital

August 16, 2019

Komentet

Si i kërcënoi Rama anëtarët e kryesisë për votimin e sotëm

 

Edi Rama ka pasur një makth të veçantë përpara seancës së sotme për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke dashur që të gjithë deputetët të ngrinin 83 kartonat e kuq për të rrëzuar kërkesën e SPAK. I vetëdijshëm që kjo gjë e kapërcente edhe kufirin moral të çdo socialisti leshko, i bindur se disa diplomatë të huaj kishin punuar edhe me deputetë brenda vathës së tij, kryeministri ka mbledhur brenda një jave dy herë kryesinë e PS-së.

Refreni i mbledhjes të së mërkurës ka qenë kërcënimi dhe shantazhi i hapur kundër ndonjërit që mund të imagjinonte të votonte për heqjen e imunitetit, apo ndonjë tjetri, që do guxonte të mos ishte prezent në sallë. Dhe Rama arriti të bëjë në seancën e kësaj të enjte një sukses me 83 vota, falë tre deputetëve të Tom Doshit, por sërisht atij nuk iu paraqitën në sallë, një ministër, që ka pasur fërkime në Dibër me Belinda Ballukun si Blendi Gonxhe (ndonëse formalisht ai ishte në një vizitë pune jashtë shtetit; babai i reformës në drejtësi, Fatmir Xhafa që e konsideroi të pakapërcyesëm personalisht idenë për të votuar kundër SPAK (vetë Fatmir Xhafaj i kontaktuar sot nga gazetarët ka thënë se prej disa ditësh ndodhet jashtë vendit për arsye shëndetësore) ; së fundi, Elisa Spiropali që konsideron se është shkarkuar për shkak të Ballukut, e cila i përshpëriste në vesh Ramës se ajo flet keq në ambasada për korrupsionin me tenderat e rrugëve dhe energjisë.

Aktin e Spiropalit e bën edhe më të çuditshëm fakti se Rama e ka kërcënuar atë personalisht gjatë mbledhjes së kryesisë të së mërkurës. Kur kjo e fundit ka marrë fjalën, Skënderbeu i saj i është drejtuar me një gjuhë sa brutale, po aq edhe vulgare: “Mbylle gojën se ty unë të kam bërë ministre! Se kë vë dhe heq e di vetëm unë dhe si jap kërkujt llogari”.

“Ka qenë një nga mbledhjet me haluçinante të kryesisë në të cilat kam asistuar ndonjëherë. Në gjendje të tillë Ramën se kisha parë që prej kohës kur Luli i vodhi ato dhjetë votat për bashkinë duke e detyruar të dilte nga zyra. Ishte i shqetësuar, bërtiste pa shkak dhe dukej hapur që nuk i kontrollonte dot emocionet”, tha për Lapsi.al një burim brenda mbledhjes që kërkoi të mbetej anonim.

Sipas të njëjtit burim, thëniet e të cilit i konfirmoi edhe një i dytë, Rama gjendej në një situatë absurde: nga njëra anë ai akuzonte anëtarët e kryesisë se gjërat që thuheshin në grupin e tyre të ngushtë i shiteshin portaleve dhe 700 tenxhereve mediatike dhe nga ana tjetër vijonte të përdorte atë gjuhë kërcënuese, duke e ditur se të gjitha këto rrezikonin sërish të bëheshin publike. “As ia vlen ta mbledh më kryesinë, askush nga ju nuk më hyn në punë, për më tepër që më nxirrni fjalët nëpër media”, mësohet ti ketë thënë Rama të pranishmëve, nga të cilët askush nuk pipëtinte.

Përpos Spiropalit në target u kthye edhe Blendi Klosi. Jo për besnikërinë, të cilën shefi s’ia vinte në dyshim, por për faktin se nuk po luante rrolin e sekretarit të përgjithshëm për ta bërë zap partinë: “Ti je kot, nuk je fare Sekretar i Përgjithshëm”, kanë qenë fjalët që i janë përplasur në fytyrë atij, reagimin e të cilit Rama e ka pritur më kot. “Aq i trullosur ishte sa kaloi edhe në gjëra personale- vijoi burimi – i cili tregoi se Rama ka përdorur edhe fatkeqësinë e një njeriu të tij shumë të afërm (një detaj personal që Lapsi.al nuk e pa të arsyeshme ta publikojë), për tu thënë të pranishmëve se pavarësisht asaj ai vinte e humbte kohë me anëtarët e kryesisë.

Taktika, instikti apo çoroditja e kanë bërë kreun e socialistëve që për të arritur qëllimin të përdorë teknikën e zhvlerësimit deri në përdhosje të njerëzve që kishte rreth tryezës. “Ju jeni askushi dhe këtu ku jeni jeni prej meje….”, “Unë ju mbaj në pushtet prej katër mandatesh”, “Po të iki unë, PS shkon për lesh”, kanë qenë frazat që kanë dëgjuar me sy dhe vesh të çmerritur anëtarët e kryesisë.

Por ajo që lidhej drejtpërdrejt me votimin që do të mbahej sot ishte fjalia vrasëse: “Kush më del kundër do e sakatoj”.

“Askush nuk po kuptonte gjë. Të gjithë ishin të bindur se për votimin në mbrojtje të Ballukut nuk kishte asnjë problem dhe ai do të realizohej me një shumicë dërrmuese. Po kur dolëm disa prej nesh i bënin pyetje vetes, pse ai i donte të gjithë në rresht?… Dukej sikur nuk kishte hallin e votimit, po ti tregonte dikujt jashtë rradhëve tona mesazhin se ai qe hegjemon mbi këtë parti”, tha burimi i Lapsi.al.

Natyrisht, ashtu sikurse pritej, vetëm me dy tre mungesa, kërcënimet e Ramës e arritën qëllimin. Ai edhe njëherë tregoi se e kontrollon me dorë të hekurt grupin e vet palramentar.

Por e bukura është se ai e arriti këtë duke shantazhuar dhe nëpërkëmbur dinjitetin e atyre që do votonin. Pikërisht atë dinjitet të deputetit, për të cilin një ditë më pas u tha ndërkombëtarëve se me të nuk duhet të bëheshin eksperimente socio-politike.

©Lapsi.al  

Ish partnerja e Donald Trump Jr. e emëruar Ambasadore e SHBA në Athinë, Kimberly Guilfoyle viziton Ramën

 

Dritare.net boton foto dhe jep lajmin se “Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë ka vizituar mbrëmjen e djeshme kryeministrin Edi Rama, në Kryeministri. Ajo është pritur në hyrje nga kryeministri Edi Rama.

 

Pamjet e xhiruara tregojnë momentin e takimit mes tyre. Ky takim nuk është njoftuar zyrtarisht nga Kryeministria dhe as nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë.”

Kimberly Guilfoyle ka qenë partnerja e Donald Trump Jr. prej vitit 2019 deri në 2024.

Bela “zhburrëron” dashnorin e drejtësisë, Rama refuzon arrestimin e Ballukut

Boldnews.al

Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër heqjes së imunitetit të deputetes së Partisë Socialiste Belinda Balluku, duke rrëzuar kërkesën e SPAK i cili kërkon ta arrestojë.

Kërkesa mori 47 vota pro, 0 abstenim dhe 82 vota kundër.

82 votave të maxhorancës iu bashkuan votat e PSD-së së Tom Doshit, ndërsa në sallë munguan deputetët socialistë Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali, Blendi Gonxhe, Eduard Shalsi e vetë Belinda Balluku.

Votimi në Kuvend

Ndërsa mazhoranca me shumicë kartonësh rrëzoi kërkesën e SPAK, opozita e cila voti pro arrestimit protestoi edhe brenda Kuvendit, përveç protestës që po mbahet jashtë.

Kryeparlamentari Niko Peleshi e kaloi seancën në rendet e ditës, por opozita vijoi të protestonte dhe më tej zuri foltoren të rrethuar edhe nga punonjësit e Gardës.

Një pjesë e deputetëve godisnin tavolinat, të tjerët, me në krye kreun e PD, Sali Berisha, dolën në podiumin e foltores duke protestuar dhe hedhur akuza ndaj qeverisë dhe socialistëve.

Mazhoranca në këto rrethana kaloi në procedurë dhe votim të përshpejtuar të çështjeve të rendit të ditës, edhe sipas kërkesës së kreut të grupit të PS, taulant Balla. Votimet u shoqëruan gjithashtu me tensione, thirrje dhe goditje tavolinash.

Ambasada britanike ‘shuplakë’ Ramës

Ambasada Britanike reagoi para nisjes së seancës duke i dhënë një goditje fytyrës Edi Ramës. Në reagim, Amabasada Britanike theksoi se imuniteti nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.

“Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut.

Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE.

Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, shkruan Amabasada Britanike.

Raporti i PS në Kuvend

Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish ministri i Drejtësisë Ulsi Manja prezantoi para Kuvendit raportin e maxhorancës kundër arrestimit të Belinda Ballukut, dhe rrëzimit të kërkesës së SPAK për t’i hequr asaj imunitetin e deputetes.

Sipas raportit të socialistëve, vepra penale e shkeljes së barazisë në tendera nuk përbën korrupsion dhe se nga dhënia e masës fillestare, asaj të ndalimit jashtë vendit e deri tani nuk kanë ndryshuar rrethanat ndaj deputetes, e për rrjedhojë, sipas tyre, nuk duhet dhënë autorizimi për zëvendësimin e masës me një më të rëndë si ajo e arrestit.

Si një avokat i zellshëm i Ballukut, i komanduar me patjetër nga Edi Rama, Manja pretendoi se tashmë që deputetja nuk mban më funksionet e zv kryeministres dhe ministres, nuk ka rrezik që ajo të prishë provat apo të intimidojë dëshmitarët, duke i cilësuar dyshimet e SPAK si hipotetike.

Deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Për rrjedhojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë efekt, dhe me këtë linjë arsyetimi, raporti ynë e qartëson edhe narrativën mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo kryerjes së një vepre penale, që mbeten thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhen me funksionet që ajo nuk i ushtron më.”, tha ai.

Sipas Manjës, Balluku e ka respektuar në mënyrë rigoroze masën e ndalimit jashtë vendit dhe se nuk është e nevojshme masa më e rëndë.

“Në një situatë kur kjo çështje, që në thelb duhet të mbetet e drejtësisë, është shndërruar sot në një debat të mbingarkuar politikisht në sy të qytetarëve. Në vend të një procesi të qetë, të drejtë e të rregullt ligjor, shpesh kemi parë përpjekje për të zhvendosur këtë çështje në një gjykim publik dhe tribunal mediatik. Për këtë arsye, është e domosdoshme sot që Kuvendi të flasë shumë qartë. Të ndajë politikën nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe nga procesi i rregullt ligjor. Për këto arsye, Kuvendi nuk është sot përballë një votimi të zakonshëm procedurial. Jemi përballë një vendimmarrjeje që prek lirinë personale të një deputeti, ushtrimin të një mandati përfaqësues dhe balancën mes pushteteve. Kërkesa e SPAK synon zëvendësimin e masës së sigurimit të ndaljes jashtë shtetit me një masë më të rëndë, atë të arrestit në burg. Po hetohet për veprën të shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera, dhe jo akuzë korrupsioni. Kuvendi nuk ka kompetencë të zëvendësojë gjykatën. Jemi ftuar sot për të bërë një filtër kushtetues të kësaj kërkese.

Nga shqyrtimi i materialeve, rezulton se akuza penale ndaj deputetes Balluku nuk ka ndryshuar dhe lidhet me veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. Nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka akuzë për pengim të drejtësisë, ndryshe nga sa parashtrohet në kërkesë dhe në raportin e PD. Orvat mbi të cilat mbështetet kërkesa janë të njëjtat që kanë qenë në dispozicion të GJKKO kur vendosi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Nuk ka asnjë ndryshim rrethane nga ai moment deri tani. Deputetja ka respektuar masën e vendosur nga gjykata.”, u shpreh Manja.

Raporti i PD në Kuvend

Oerd Bylykbashi, në emër të anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, tha se sipas SPAK, Belinda Balluku akuzohet për 11 fakte penale.

Ai u ka kërkuar deputetëve që të votojnë pro kërkesës së SPAK, duke i dhënë autorizimin Prokurorisë Speciale që të arrestojë Belinda Ballukun.

Ndërsa citoi Komisionin e Venecias, deputeti i PD-së tha se imuniteti nuk mund të mbrojë personalisht një deputet nga ndjekja penale.

“Paprekshmëria e deputetit ndodh vetëm kur akuzat janë të motivuara politikisht, ose kur akuzat kanë karakter partiako-politik”, tha Bylykbashi, duke lexuar raportin në emër të deputetëve të opozitës.

Bylykbashi paralajmëroi se ky moment është vendimtar për të përcaktuar nëse Shqipëria do të ecë drejt integritetit dhe sundimit të ligjit, apo do të mbetet peng i një sistemi kleptokratik që vjedh votat dhe paratë e qytetarëve.

“Deri në fund, i japin mundësinë kriminelëve të strehohen këtu, ose me pushtetin që kanë, të dëmtojnë provat, të ndikojnë gjykimin para një gjykate të vështirë apo të pamundur për shkak se arritën të dëmtojnë procesin penal dhe gjithë kjo me mburojën dhe bekimin e kryeministrit, i cili është i gatshëm të ushtrojë çdo lloj presioni vetëm e vetëm që sistemi i drejtësisë, me të gjitha problemet që ka, të vendosë përpara drejtësisë majat e sistemit ekzekutiv, nga ku buron gjithë korrupsioni.

Detyrimi juaj këtu është të votoni në mënyrë të hapur. Ky ndryshim, i bërë në vitin 2012, ka qenë krejt i qëllimshëm: që të gjithë shqiptarët ta dinë shumë mirë kush voton pro dhe kush voton kundër heqjes së imunitetit. Ta dinë shumë mirë kush është pro, që edhe deputeti, edhe ministri, edhe zëvendëskryeministri, edhe kryeministri janë të barabartë me ta.

Nëse ka një dyshim të arsyeshëm, të shkojë dhe të përgjigjet përpara drejtësisë, të pastrojë atje emrin dhe reputacionin publik dhe politik, dhe jo të mbrohet këtu.

Të gjithë duhet do t’ju shohin ju me radhë, të gjithë kur të ngrini dorën se si do të votoni. Ky është qëllimi pse votimi është publik: që askush mos të fshihet pas votimit sekret dhe të gjithë shqiptarët të kuptojnë se një moment kaq i rëndësishëm, i cili do të vendosë një precedent, nëse ne do të vazhdojmë në rrugën e duhur, jo vetëm të Kushtetutës, por edhe të asaj që kërkon e gjithë Evropa ku përpiqemi të shkojmë, do të shkojë atje me kokën lart, me integritet, ose me një sistem që mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar të cilët së bashku kanë prodhuar një sistem kleptokratik, i cili vjedh votën, vjedh paranë e shqiptarëve, masakron shpirtin e tyre dhe i largon nga Shqipëria çdo ditë.”- tha Bylykbashi.

“PS mbron Ballukun nga masa e arrestit”- BIRN: Mazhoranca socialiste rrëzoi me forcën e kartonëve kërkesën e SPAK, u dirigjua nga Rama! Si kryeministri ndryshoi kursin e qëndrimit ndaj drejtësisë

Ashtu siç e kishte paralajmëruar, mazhoranca socialiste rrëzoi me forcën e kartonëve kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e një mase arresti ndaj ish.zv.kryeministres Belinda Balluku, ndërkohë që opozita protestonte jashtë Kuvendit.

Një kordon metalik dhe dhjetra oficerë dhe autoblinda policie kishin rrethuar perimetrin e godinës së Kuvendit dhe rrugët përreth të enjten, ndërsa po zhvillohej seanca plenare për imunitetin e deputetes Belinda Balluku, ish zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur.

Ndërsa mbështetësit e opozitës po protestonin jashtë Kuvendit me thirrje kundër korrupsionit dhe qeverisë, mazhoranca socialiste në sallë, ashtu siç kishte paralajmëruar, doli në mbrojtje të Ballukut duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e saj.

Me 82 vota kundër, mes të cilave edhe ajo e kryeministrit Edi Rama që dirigjoi mbrojtjen politike të bashkëpunëtores së tij, kërkesa e SPAK u rrëzua të enjten nga Kuvendi pasi ishte zvarritur për gati tre muaj.

Vetë Balluku mungoi në seancë, duke hequr dorë nga e drejta e fjalës përpara deputetëve.

Deputeti Ulsi Manja nga Partia Socialiste lexoi raportin e shumicës, përmes së cilës hidhej poshtë argumenti i Prokurorisë së Posaçme për rrezikun e provave nga ana e Ballukut. Sipas Manjës, ky rrezik kishte ndryshuar me shkarkimin e Ballukut nga detyrat e saj ekzekutive.

Ndërsa Oerd Bylykbashi lexoi raportin e opozitës, ku kërkohej pranimi i kërkesës së SPAK si e bazuar në dispozita ligjore dhe nevojën për zhveshjen nga imuniteti parlamentar para drejtësisë.

Seanca e së enjtes ishte epilogu i një procesi të gjatë, ku mazhoranca për herë të parë që nga vënia në funksion e organeve të reja të drejtësisë, del kundër një kërkese të SPAK për heqjen e imunitetit të një deputeti.

Mbrojtja politike dhe ligjore ndaj Ballukut u inicua nga Kryeministri Edi Rama i cili ndryshoi kursin e qëndrimit të tij ndaj reformës në drejtësi, duke tentuar fillimisht të rrëzonte në Gjykatën Kushtetuese masën e sigurisë ‘pezullim nga detyra’ dhe më pas duke përdorur forcën e kartonave në Kuvend për të rrëzuar kërkesën e prokurorisë për arrestimin e saj.

Sjellja e Ramës ndaj drejtësisë ka shkaktuar shqetësim tek vendet e Bashkimit Europian, të cilat kanë mbështetur reformën në drejtësi prej vitit 2016 e deri tani.

Para se Kuvendi të votonte, Ambasada Britanike në Tiranë mbajti një qëndrim publik duke theksuar se “imuniteti parlamentar nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”. Po ashtu, Ambasada Britanike apeloi për “rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore”.

Ambasada Gjermane po ashtu reagoi pasi mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK, duke kërkuar që ndjekja penale ndaj korrupsionit në rastet e rangut të lartë të bëhet pa pengesa.

Duke e konsideruar një kusht të domosdoshëm për integrimin, Ambasada Gjermane deklaroi se: “Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste, ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”./BIRN

“Kusht për anëtarësimin në BE”- Berlini ‘shuplakë’ qeverisë: Shqipëria në prag kritik, ministrat të shkarkohen por edhe të hetohen

Nga Milan Nič & Nikola Xaviereff –  Internationale Politik Quarterly

Ndërkohë, Shqipëria do të vazhdojë të shihet nën një prag kritik derisa të marrë një Raport Vlerësimi të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) pozitiv nga Komisioni Evropian. Berlini po i trajton rastet e fundit të korrupsionit të profilit të lartë në Tiranë më rreptë se shumë shtete të tjera anëtare të BE-së. Ai dëshiron që ministrat e dyshuar jo vetëm të shkarkohen nga qeveria, por edhe të hetohen siç duhet nga prokurorët specialë. Por, sapo Shqipëria të kalojë këtë raport IBAR, i cili është kushti formal për të filluar mbylljen e kapitujve të negociatave, ajo mund t’i bashkohet Malit të Zi, së bashku me Islandën, si pjesë e një marrëveshjeje pakete zgjerimi e cila mund të përfshijë gjithashtu një status të veçantë ‘para-anëtarësimi’ për Ukrainën dhe Moldavinë.

Zgjerimi është rikthyer si një përparësi kryesore në axhendën e Bashkimit Evropian. “Anëtarësimi i shteteve të reja anëtare në vitet e ardhshme është një perspektivë realiste”, tha Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, para një audience kur vizitoi Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë më 4 mars, por paralajmëroi: “Edhe BE-ja duhet të përgatitet.”

Sigurisht që ka lëvizje në Bruksel. Mes përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, e cila parashikon anëtarësimin e Ukrainës në BE që vitin e ardhshëm, Komisioni Evropian zhvilloi disa opsione për reformën e pranimit.

Propozimi që përqendrohet në përshpejtimin e anëtarësimit të Ukrainës duke e sjellë zyrtarisht vendin në Bashkimin Evropian fillimisht dhe më pas duke e kushtëzuar aksesin e plotë me përmbushjen e kritereve më vonë, është përballur me kundërshtime nga shtetet anëtare të BE-së. Po atë ditë që Kos vizitoi Berlinin, ambasadorët e BE-së thuhet se e hodhën poshtë këtë opsion , i cili njihet si “zgjerim i kundërt” ose “integrim me faza”. Në vend të kësaj, ambasadorët i kërkuan komisionit të gjente një rrugë më realiste përpara – gjithashtu duke pasur parasysh ndjeshmëritë politike dhe nivelet e ndryshme të mbështetjes publike në të 27 shtetet anëtare.

Megjithatë, pavarësisht rezervave në lidhje me “integrimin me faza”, rishikimi i modelit të pranimit nuk është përjashtuar plotësisht. Por vendimet e ardhshme për vendet kandidate, si dhe afati kohor për reformën e pranimit, tani janë plotësisht në duart e shteteve anëtare të BE-së. Si gjithmonë, udhëheqësit e tyre duhet të balancojnë prioritetet dhe objektivat konkurruese, ndërsa qeveritë, parlamentet dhe shoqëritë e tyre mund të mos jenë plotësisht dakord me zgjerimin e BE-së.

Një pyetje kyçe është se ku qëndron qeveria gjermane në këtë debat.

Deri vonë, Berlini kishte qenë pasiv ndaj kësaj çështjeje, duke ndjekur një qasje tipike “prit dhe shiko”. Megjithatë, në javët e fundit, ajo është përshtatur në një fazë më proaktive. Fillimisht, strategjia midis aktorëve kryesorë institucionalë të Gjermanisë – ministrisë së jashtme, kancelarisë dhe parlamentit – ishte shumë e fragmentuar dhe e përqendruar në mbështetjen e Ukrainës. Por gradualisht ka çuar në pozicione më të qarta kombëtare dhe në formulimin e ideve se si të ringjallet anëtarësimi, të cilat në një masë të madhe u nxitën nga parashikimi i propozimeve të komisionit mbi reformën e anëtarësimit.

Dinamika e Brendshme

Brenda qeverisë aktuale të koalicionit të Gjermanisë, dosja e zgjerimit është fuqimisht në duart e Kristian Demokratëve të qendrës së djathtë (CDU/CSU). Për herë të parë në gjashtë dekada, si kancelari ashtu edhe ministri i jashtëm janë nga CDU. Ky konstelacion i jep partnerit të vogël të koalicionit, Social Demokratëve të qendrës së majtë (SPD), pak ndikim në zgjerimin e BE-së.

Bisedimet e brendshme të CDU-së ka të ngjarë të formësohen më gjerësisht nga partia e saj simotër, CSU bavareze, e cila kohët e fundit ka ndjekur një qasje shumë më skeptike ndaj zgjerimit. CSU ka shprehur një preferencë të qartë për t’i dhënë përparësi reformave të brendshme dhe vlerësimit të ndikimit në buxhetin e ardhshëm të BE-së përpara se të merret ndonjë vendim mbi një model të ri pranimi.

Veçanërisht, politika e brendshme e Gjermanisë do të ndikohet nga një seri zgjedhjesh rajonale, pasi votuesit në pesë nga 16 shtetet federale të Gjermanisë do të hedhin votat e tyre në vitin 2026 – e para, në Baden-Ëürttemberg, thjesht shkoi në favor të të Gjelbërve më 8 mars. Zgjedhjet shihen si një provë kyçe e humorit kombëtar, pasi Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë konkurron për vendin e parë në sondazhet kombëtare me CDU/CSU të Kancelarit Merz.

Duke parë logjikën

Pas dyerve të mbyllura, zyrtarë të nivelit të lartë dhe politikanë nga CDU/CSU pranojnë se zgjerimi i BE-së duhet të shihet përmes “logjikës gjeopolitike”. Në të njëjtën kohë, ata theksojnë gjithashtu nevojën për zbatimin e kritereve të Kopenhagenit dhe një qasje të bazuar në meritë ndaj vendeve kandidate, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Pyetja kryesore nga gjermanët është se si ta përshpejtojnë procesin e Ukrainës – e cila nuk do të jetë në gjendje të përmbushë të gjitha kërkesat e zakonshme të ndara në “kapituj” të negociuar dhe të renditur – duke ruajtur një qasje të bazuar në meritë.

Për momentin, atmosfera në Berlin është më e hapur ndaj elementëve inovativë në kuadrin e pranimit që mund ta bëjnë procesin më dinamik dhe të ofrojnë më shumë substancë për integrimin gradual të vendeve kandidate, duke e mbajtur ende anëtarësimin e plotë si qëllim përfundimtar.

Kancelari Friedrich Merz ende nuk ka treguar interes të mjaftueshëm për zgjerimin e BE-së. Deri më tani, vëmendja e tij ndaj këtyre çështjeve ka qenë shumë e kufizuar dhe sporadike, kryesisht e nxitur nga raste diplomatike dhe impulse të jashtme. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai iu përgjigj një pyetjeje të Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, me një bindje kaq personale, duke thënë se ndihej “gjithnjë e më i pakëndshëm” me qasjen aktuale ndaj zgjerimit. BE-ja duhej të ringjallte strategjinë e saj, shtoi kancelari, në lidhje me afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor “gjithnjë e më shumë” me BE-në “dhe, në fund të fundit, [t’i ketë ato] si anëtarë”.

Një pistë e veçantë për Ukrainën?

Kur bëhet fjalë për Ukrainën, Gjermania është donatori dhe ofruesi më i madh evropian i ndihmës ushtarake, financiare dhe humanitare. Objektivi i saj kryesor ka qenë gjithmonë të sigurojë mbijetesën e Ukrainës si një shtet sovran dhe i pavarur. Berlini ka qenë gjithashtu një mbështetës i vazhdueshëm – dhe vendimtar – i reformave të Kievit që lidhen me BE-në në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe decentralizimit.

Por fokusi i Gjermanisë ka qenë në nevojat afatshkurtra të Ukrainës në aspektin e mbrojtjes, ekonomisë dhe diplomacisë në krahasim me rolin në ndryshim të Shteteve të Bashkuara, në vend që të përqendrohet në të ardhmen e saj në BE. Kjo mund të jetë pjesërisht arsyeja pse shtytja e Komisionit Evropian për reformën e pranimit fillimisht ka ngjallur më shumë shqetësime në Berlin sesa entuziazëm. Pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti vitin 2027 si datën e synuar për pranimin në BE në janar, Merz e hodhi poshtë këtë menjëherë.

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Ëadephul thuhet se është kundër një qasjeje sui generis ndaj Ukrainës, e cila do t’i linte pas vendet më të mira të Ballkanit, duke preferuar një marrëveshje paketë. Për më tepër, Ministria e Jashtme e konsideron axhendën e reformave të brendshme të BE-së si thelbësore. Megjithatë, në këtë fazë, fokusi i Brukselit është pothuajse ekskluzivisht te zgjerimi. Ndjesia në Berlin është se Brukseli nuk ka reflektuar mjaftueshëm mbi dimensionin e reformave të brendshme dhe rishikimet e politikave para-anëtarësimit.

Mali i Zi, Shqipëria, Islanda

Në fakt, zgjerimi shkon përtej Ukrainës. Berlini e sheh Malin e Zi si një lider të fortë dhe një histori potencialisht suksesi që mund të bëhet katalizator për vrullin e mëtejshëm të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Për të rritur profilin politik të Malit të Zi në Evropë, diplomatët gjermanë bindën qeverinë në Podgoricë që të kryesonte të ashtuquajturin format të Procesit të Berlinit për bashkëpunim rajonal për këtë vit.

Ndërkohë, Shqipëria do të vazhdojë të shihet nën një prag kritik derisa të marrë një Raport Vlerësimi të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) pozitiv nga Komisioni Evropian. Berlini po i trajton rastet e fundit të korrupsionit të profilit të lartë në Tiranë më rreptë se shumë shtete të tjera anëtare të BE-së. Ai dëshiron që ministrat e dyshuar jo vetëm të shkarkohen nga qeveria, por edhe të hetohen siç duhet nga prokurorët specialë. Por, sapo Shqipëria të kalojë këtë raport IBAR, i cili është kushti formal për të filluar mbylljen e kapitujve të negociatave, ajo mund t’i bashkohet Malit të Zi, së bashku me Islandën, si pjesë e një marrëveshjeje pakete zgjerimi e cila mund të përfshijë gjithashtu një status të veçantë ‘para-anëtarësimi’ për Ukrainën dhe Moldavinë.

Qeveria Merz është përpjekur ta mbajë derën hapur për Serbinë. Politikanët gjermanë të qendrës së djathtë i shohin perspektivat për një integrim të suksesshëm në BE të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor si të lidhura ngushtë me pranimin e vendit të tij më të madh. Një faktor tjetër është politika partiake: Partia në pushtet e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç është e lidhur me të njëjtën familje politike evropiane si CDU/CSU e Gjermanisë, megjithëse aktualisht po përballet me një proces të brendshëm shqyrtimi për shkak të prapambetjes demokratike në vend. Sidoqoftë, dështimi i Beogradit për të përmbushur angazhimet e tij të mëparshme të BE-së për sundimin e ligjit, i kombinuar me trajtimin e ashpër të studentëve protestues dhe lidhjet e vazhdueshme me Rusinë, e kanë bërë çdo përmirësim të bisedimeve të pranimit të Serbisë politikisht të paqëndrueshëm, të paktën për momentin.

Një tjetër kandidat për anëtarësim i përmendur në mënyrë proaktive në Berlin këto ditë është Islanda. Nëse referendumi i vendit në gusht 2026 për rinovimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE ka sukses, kjo do të krijojë perspektivën për një proces të shpejtë pranimi. Meqenëse Islanda është tashmë e integruar në tregun e vetëm të BE-së dhe në Zonën Shengen, kjo mund të përforcojë instinktin gjerman për t’u përqendruar në frytet e varura lehtë – vende të vogla, raste të lehta – përpara se të kthehet në raste më komplekse dhe sfiduese si Ukraina, Moldavia dhe Maqedonia e Veriut.

Një perspektivë pozitive

Sondazhi i fundit i Eurobarometrit tregon se 49 përqind e gjermanëve e shohin zgjerimin pozitivisht, që është pak nën mesataren e BE-së. Ndoshta duke reflektuar këtë, parlamenti i Gjermanisë, Bundestagu, ka qenë një aktor relativisht i dobët në këtë temë deri më tani. Edhe pse çështjet dypalëshe dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor kanë qenë shpesh në axhendën e tij, diskutimet janë përqendruar më shpesh në zgjatjet rutinë të misioneve të paqes EUFOR dhe KFOR sesa në integrimin e rajonit në BE ose perspektivat e anëtarësimit të tij.

Megjithatë, si Bundestagu ashtu edhe Bundesrati, dhoma e lartë që përfaqëson 16 shtetet federale, do të luajnë një rol qendror në ratifikimin e çdo traktati të ri pranimi. Në të dyja dhomat, koalicioni i CDU/CSU dhe SPD që aktualisht qeveris Gjermaninë do të duhet të mbështetet në mbështetjen e një pjese të opozitës për të ratifikuar çdo traktat pranimi, nëse i duhen shumica prej dy të tretash. Si pasojë, një qeveri rajonale shtetërore e udhëhequr potencialisht nga AfD e ekstremit të djathtë ndoshta nuk do të jetë në gjendje të bllokojë ratifikimin, por mund të rrisë kostot politike për partitë e qendrës.

Shënim: Artikulli bazohet në një Përmbledhje të Politikave të DGAP-it “Zgjerimi i Ardhshëm i Evropës: Çfarë Mendojnë Vërtet Berlini, Parisi dhe Haga”, që do të publikohet më 17 mars 2026.

Milan Niča është një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Rend dhe Qeverisje në Rusi, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore të Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP).

Nikola Xavieff është menaxher projekti për Ballkanin Perëndimor në Qendrën për Rend dhe Qeverisje të DGAP-it në Rusi, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Panorama

Sot në Kuvend votohet për imunitetin e Ballukut- BIRN: Rrëzimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, ‘sinjal force’ për hetimin e zyrtarëve të tjerë të lartë

Juristët peshojnë efektet e vendimit të pritshëm të Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së SPAK jo vetëm në hetimin e mëtejshëm të dosjes “Balluku”, por edhe në raste të tjera të ngjashme në të ardhmen, ku subjekte do të jenë ministra dhe deputetë.

Pas një zvarritjeje gati 3 mujore, Kuvendi i Shqipërisë do të votojë të enjten mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur.

Votimi pritet gjithsesi të jetë një formalitet, pasi kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca socialiste shpallën qëndrimin e tyre kundër kërkesës së SPAK për autorizimin e një mase arresti, duke i ofruar Ballukut votat e tyre si mburojë politike. Votat e deputetëve socialistë janë të mjaftueshme për rrëzimin e kërkesës.

Rrëzimi i pritshëm i kërkesës së SPAK, rrezikon sipas juristëve, që të ketë efekte jo vetëm mbi hetimin e mëtejshëm të Ballukut, por edhe në çështje të tjera të ngjashme në të ardhmen, ku subjekte të Prokurorisë së Posaçme mund të jenë ministra të qeverisë apo deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Juristët e konsiderojnë qëndrimin e Partisë Socialiste si mbrojtje politike, që sipas tyre rrezikon të kthehet në një praktikë për të gjithë deputetët dhe ministrat. Edhe pse ligji garanton vazhdimin e hetimit të Ballukut, për ekspertët e drejtësisë ekziston rreziku i ndikimit të tërthortë në sigurimin e provave dhe dëshmive.

Lirime Çukaj, pedagoge e së drejtës penale në Universitetin e Tiranës parashikon se edhe në rastin e mosdhënies së autorizimit, çështja “Balluku” do të ndjekë rrugën e saj ligjore drejt një vendimi penal të formës së prerë, pavarësisht faktit nëse është dhënë apo jo autorizimi për arrest.

Megjithatë, Çukaj vlerëson se në këtë rast, hetimi në gjendje të lirë mund t’i shkatërrojë provat, nëse personi nën hetim do të kontaktonte dëshmitarët apo do të bënte të mundur ndryshimin e deklarimit të tyre.

“…Në rastin konkret, duhet parë vetëm ky element, nëse masa e sigurimit do të caktohej për vërtetësinë apo marrjen e provave, atëherë mund ta dëmtojë procedimin penal,” tha Çukaj.

Edhe avokati Eugen Beçi vlerëson se refuzimi nga parlamenti i kërkesës së SPAK për arrestimin e një deputeti nuk është thjesht një vendim politik, por mund të ketë ndikim real në ecurinë e hetimeve. Beçi shprehu gjithashtu shqetësimin se ky vendim mund të kthehet në precedent që shumica parlamentare të kthehet në një filtër politik për hetimet ndaj funksionarëve të lartë.

“Nëse refuzimi bëhet duke hyrë në analizë të akuzës, krijohet një ndërhyrje politike në një proces që në thelb duhet t’i takojë vetëm prokurorisë dhe gjykatës”, tha Beçi.

“Edhe pse deputetja nuk ushtron më funksion në ekzekutiv, statusi i saj politik dhe institucional mund të ndikojë tek dëshmitarë, persona të përfshirë në procedura administrative apo tek sigurimi i provave të tjera,” shtoi ai, duke shpjeguar se në hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, ndikimi shpesh nuk është i drejtpërdrejtë, por rrjedhojë e pozicionit publik.

Avokati Florian Bonjaku sjell në vëmendje se përcaktimet aktuale të Kushtetutës dhe ato ligjore, nuk frenojnë hetimet për arsye të mandatit të deputetit, ndryshe nga sa ka qenë vite me parë. Por ai thekson se në këtë rast, refuzimi i kërkesës së SPAK mund të sjellë si pasojë helmimin apo prishjen e provave – çka ndikon më pas edhe në hetimin penal.

Në një analizë më të gjerë, Bonjaku thotë se vendimarrja për Ballukun do të lerë gjurmën e vet në përballjet e ardhshme mes Prokurorisë së Posaçme dhe pushtetit politik.

“Në terma praktikë kjo mund të sjellë një tërheqje të Prokurorisë së Posaçme, ashtu si dhe mund të sjellë një kujdes më të madh të tyre, në kuptimin që të jenë më specifikë, më të saktë dhe me prova më të organizuara në momentin kur do shkojnë përpara parlamentit për të kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit,” tha Bonjaku.

Votimin për të rrëzuar heqjen e mandatit të deputetit, Bonjaku e cilëson “një sinjal force” që politika u jep deputetëve për t’u hequr frikën nga SPAK, tashmë përmes një mburoje politike.

Gjatë viteve të fundit, Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë hetime për korrupsion ndaj disa prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryeministrit Edi Rama në qeverisje, por procedimi penal ndaj numrit 2 të qeverisë shënoi një pikë kthese.

Ndryshe nga rastet e tjera, Rama udhëhoqi një betejë ligjore në Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar pezullimin nga detyra të Ballukut, ndërkohë që mazhoranca e tij në Kuvend mbajti peng për gati 3 muaj shqyrtimin e kërkesës për autorizimin e arrestit, për të shkuar më pas drejt rrëzimit të saj.

Ballkani përballet me pasiguri të re mes luftës SHBA-Iran

Doruntina Baliu

“Po vjen së shpejti” dhe “Ju kemi dhënë paralajmërimet tona” – këto janë disa nga mesazhet e publikuara në gjuhën angleze, më 9 dhe 10 mars, në një kanal të quajtur “HomeLand Justice”, në platformën Telegram.

Ky kanal përfaqëson grupin që ka marrë përgjegjësinë për disa sulme kibernetike ndaj institucioneve të Shqipërisë, që nga viti 2022.

Sulmi më i ri ndodhi të martën, dhe për shënjestër pati postën elektronike të Kuvendit të Shqipërisë.

Këtë e konfirmoi vetë organi ligjvënës shqiptar, i cili tha se sulmi “ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme”.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) bëri të ditur më pas se ka ngritur grupin e punës “për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë”.

Deri më tani, AKSK-ja nuk ka dalë me ndonjë njoftim që jep hollësi të tjera mbi sulmin apo shkallën e saktë të dëmit.

Kuvendi, ndërkaq, tha se ekipet e tij teknike po punojnë për “rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve”.

Paralajmërimi në “HomeLand Justice”.

Paralajmërimi në “HomeLand Justice”.

Çfarë dihet për “HomeLand Justice”?

“HomeLand Justice”, sipas një analize nga gjiganti amerikan i teknologjisë Microsoft, është i lidhur me Qeverinë iraniane.

Në postimet e veta në Telegram, grupi i hakerëve thotë se sulmet ndaj institucioneve të Shqipërisë po bëhen për të dënuar vendimin e tyre për strehimin e grupit opozitar iranian Mojahedin-e-Khalq (MEK), që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.

“Kur ju i mbështesni terroristët, duhet të dini se do ta paguani çmimin për këtë, në të gjitha aspektet”, thuhet në një nga postimet e këtij grupi, më 10 mars.

Në postime të tjera, grupi akuzon politikanët shqiptarë se po i dëgjojnë “urdhrat e amerikanëve”, si dhe paralajmërojnë se ky sulm është “vetëm maja e ajsbergut”.

Paralajmërimi në kanalin “HomeLand Justice”, më 10 mars.

Paralajmërimi në kanalin “HomeLand Justice”, më 10 mars.

Më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mbështeti operacionin amerikano-izraelit, duke thënë se shteti që ai udhëheq është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.

Ekspertë të sigurisë ishin të ndarë rreth asaj nëse prezenca e MEK-ut në Shqipëri rrit rrezikun, apo nuk ka ndikim në sulmet e mundshme nga Irani, pas fillimit të luftës me SHBA-në.

Kush është MEK-u?

MEK-u e konsideron veten lëvizje opozitare në mërgim kundër regjimit klerikal të Iranit. I themeluar si grup marksist kundër shahut, ai mbështeti Revolucionin e vitit 1979, por më pas u përplas me regjimin islamik, duke kryer atentate dhe sulme me bomba.

Për vite ishte në listën amerikane të organizatave terroriste, derisa u hoq në vitin 2013. Po atë vit, me ndërmjetësim të SHBA-së dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, anëtarët e tij u zhvendosën nga Iraku në Shqipëri, ku ndërtuan kampin “Ashraf-3”, pranë Durrësit.

Më shumë mund të lexoni këtu.

Por, kjo lëvizje nuk gëzon përkrahje popullore në Iran. Përfshirja e saj në një seri aktesh të dhunshme në vitet 1970 dhe 1980 në Iran, dhe vendimi i saj për të mbajtur anën e Irakut gjatë Luftës së përgjakshme Iran-Irak të viteve 1980-88, çoi në etiketimin e pjesëtarëve të grupit si tradhtarë në mesin e iranianëve.

Megjithatë, qëndrimi i MEK-ut në Shqipëri nuk ka kaluar pa probleme.

Më 20 qershor të vitit 2023, Policia e Shtetit shqiptar bastisi kampin e MEK-ut, nën dyshimet se disa pjesëtarë të tij kanë kryer veprat penale “provokim i luftës” dhe “sulme kibernetike”. Vetë MEK-u e cilësoi aksionin policor si “kriminal” dhe “shtypës”.

Pas fillimit të luftës në Iran, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrit rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste apo operacioneve të fshehta jashtë zonave tradicionale të konfliktit.

Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane The Atlantic, Irani ka përdorur historikisht rrjete dhe metoda të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve, veçanërisht kur përballet me presion të madh politik apo ushtarak, duke përfshirë sulme që burojnë jashtë territorit të Iranit.

Ndërkohë, raportime të gazetës New York Times theksojnë se agjencitë amerikane të inteligjencës po monitorojnë mundësinë që Teherani t’i aktivizojë grupet aleate në rajone të ndryshme për të goditur interesat amerikane ose aleatët e tyre.

Cili është rreziku real në Shqipëri e Kosovë?

Ndonëse Shqipëria ka histori të marrëdhënieve të tensionuara me Iranin, ekspertë të sigurisë mendojnë se pas fillimit të luftës SHBA-Iran ekziston rrezik i konsideruar edhe për vende të tjera.

Eksperti i sigurisë nga Qendra Kosova për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, thekson se situata aktuale kërkon përgatitje më të madhe institucionale, duke pasur parasysh mënyrën se si Irani ka operuar ndër vite jashtë territorit të tij.

“Dihet botërisht që Irani ka operuar për dekada duke nxitur celula influencuese jashtë vendit, të cilat kanë për qëllim dëmtimin e interesave të vendeve perëndimore”, thotë ai.

Sipas Vrajollit, rreziku potencial për Kosovën dhe Shqipërinë lidhet edhe me orientimin e tyre të qartë politik dhe strategjik drejt aleatëve perëndimorë.

Ai thekson se, për shkak të mbështetjes së hapur ndaj interesave amerikane dhe evropiane, të dy vendet mund të shihen si objektiva të mundshëm të veprimeve indirekte armiqësore.

Megjithatë, ai vlerëson se ndikimi i drejtpërdrejtë iranian në Kosovë dhe në Shqipëri nuk është shumë i theksuar.

“Në këto vende, ndikimi fetar ka ardhur kryesisht nga aktorë të tjerë”, shpjegon Vrajolli, duke shtuar se komunitetet fetare në rajon janë kryesisht të lidhura me traditën sunite, dhe me ndikime nga Turqia apo vende të tjera, e jo me rrymat shiite, që lidhen më shumë me Iranin.

Megjithatë, rreziku nuk mund të përjashtohet plotësisht. Vrajolli paralajmëron se edhe incidente të izoluara mund të shkaktojnë pasoja serioze.

“Një incident i vetëm mund të shkaktojë dhimbje të mëdha, prandaj vigjilenca duhet të jetë e lartë për të parandaluar çdo skenar të mundshëm”, thotë ai.

Vrajolli shton se sulmet kibernetike mbeten një nga rreziqet më reale, duke kujtuar se Irani ka kryer sulme të tilla edhe në periudha kur nuk ka pasur konflikt të hapur.

Duke pasur parasysh këtë, ai mendon se institucionet e Shqipërisë, por edhe ato të Kosovës, duhet të jenë të përgatitura dhe “të mbrojtura” për kërcënime në hapësirën digjitale.

Çfarë po bën Kosova?

Vetëm një ditë pasi nisi lufta në Iran, në Kosovë u zhvillua një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë, e thirrur nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Shefi i ekzekutivit kosovar “ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, u tha në një komunikatë.

Ndonëse kryeministri tha se Kosova po monitoron nga afër implikimet e mundshme për vendin dhe rajonin, Policia e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse po zbaton ndonjë plan të veçantë mbrojtjeje, pas kësaj situate, si dhe nëse ka pasur ndonjë incident të theksuar të ndërlidhur me të.

Më herët, as Qeveria, as Ministria e Punëve të Brendshme, e as Presidenca e Kosovës nuk iu përgjigjën REL-it mbi implikimet e mundshme apo masat konkrete që mund të merren.

Presioni amerikan/ Anulohet tenderi 400 mln euro për portin e ri në Porto Romano, kompania e vetme në garë nuk…

Anulohet procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare. Lajmi konfirmohet nga burime për News24 dhe BalkanWeb.

Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar, më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet. Skandalin e portit e ka denoncuar i pari emisioni investigativ “Vetting” në News24.

Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe instimit të vazhdueshëm të SHBA-ve. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me tenderin e Porto Romanos.

 

 

Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkon shtyrjen e garës pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkuruese në rajon. Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet lidhur me procedurën e tenderit, për të sqaruar çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.

Investigimi i Vetting

Fluturimet misterioze mes Tel Avivit dhe Beogradit ngrenë dyshime për transport armësh

Aeroporti “Nikolla Teslla” i Beogradit nuk jep detaje për atë që është transportuar nga aeroplanët e mallrave që fluturuan nga Beogradi në Tel Aviv dhe anasjelltas, në shkurt dhe në mars.

 

Nevena Bogdanoviq

Nga Tel Avivi në Beograd dhe më pas përsëri në Tel Aviv.

Ky ishte itinerari i një avioni izraelit të transportit më 5 mars, konstatoi Radio Evropa e Lirë përmes një analize të faqeve të specializuara për ndjekjen e fluturimeve.

Avioni ishte i destinuar për transportimin e ngarkesave të rënda dhe të rrezikshme, siç janë armët.

Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë ka transportuar, pasi institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime.

Kjo nuk është hera e vetme që një avion transporti i kompanisë private izraelite “Challenge Airlines IL” ka ateruar në Beograd gjatë muajit të fundit.

REL-i ka zbuluar se gjatë shkurtit dhe në fillim të marsit, dy avionë transporti të kësaj kompanie kanë kryer së paku nëntë fluturime mes Serbisë dhe Izraelit, në të dyja drejtimet.

Dy prej këtyre fluturimeve u regjistruan pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.

Radio Evropa e Lirë pyeti ministritë serbe të Mbrojtjes, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë për këto fluturime dhe për atë se çfarë është transportuar me to, por nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk ktheu as kompania izraelite që është pronare e avionëve transportues.

Serbia pezulloi eksportin e armëve në fund të qershorit të vitit të kaluar, pas një udhëzimi të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Kjo ndodhi në kulmin e konfliktit izraelito-iranian dhe mes akuzave nga Moska se Serbia, përmes ndërmjetësve, po eksportonte municion drejt Ukrainës.

Por, sipas informacioneve të konfirmuara për Radion Evropa e Lirë nga dy fabrika shtetërore të armëve, eksporti i armëve jashtë Serbisë ka rifilluar sërish në shkurt.

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të REL-it, institucionet shtetërore në Serbi nuk kanë zbuluar se çfarë eksportojnë, kujt dhe në çfarë kushtesh.

Sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë, në vitin 2025, Serbia eksportoi armë dhe municione me vlerë rreth 50 milionë dollarë.

Kjo është gjysma e shumës së regjistruar në vitin 2024, kur eksportet, sipas të dhënave të njëjta, tejkaluan 104 milionë dollarë.

Megjithatë, këto nuk janë shuma përfundimtare, pasi të dhënat e sakta nuk janë të disponueshme publikisht.

Serbia, prej vitesh tashmë, nuk publikon se çfarë armësh dhe pajisjesh ushtarake eksporton, kujt dhe në çfarë sasie.

Çfarë thonë në Aeroportin e Beogradit?

Aeroporti “Nikolla Teslla” i Beogradit nuk jep detaje për atë që është transportuar nga aeroplanët e mallrave që fluturuan nga Beogradi në Tel Aviv dhe anasjelltas, në shkurt dhe në mars.

Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se aeroporti u lejon linjave ajrore të përdorin infrastrukturën e tij “në përputhje me rregulloret ndërkombëtare dhe kombëtare që rregullojnë transportin e pasagjerëve dhe llojeve të ndryshme të ngarkesave në trafikun ajror”.

Nuk është e qartë se kush e ka angazhuar linjën ajrore private izraelite, pasi ministritë përkatëse nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

“Challenge Airlines” e Izraelit e përshkruan veten si linjë ajrore e specializuar në transportin e “ngarkesave jostandarde”.

Sipas të dhënave nga ueb-faqja e saj, ajo zotëron tre aeroplanë Boeing të destinuar për trafik mallrash.

Kompania thuhet se ofron shërbime të rregullta midis Tel Avivit dhe vendeve evropiane, si dhe në Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet Aeroportit të Liezhit në Belgjikë.

Ajo gjithashtu thotë se ka licenca të ndryshme sigurie për transportin ajror të mallrave, të lëshuara nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Kina dhe vende të tjera.

Thekson se është e trajnuar për të transportuar një sërë mallrash – nga ushqimet tek eksplozivët, barnat dhe makineritë e mëdha.

Që nga shpërthimi i konfliktit në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit, një pjesë e madhe e trafikut ndërkombëtar ajror në atë rajon është pezulluar dhe fluksi i mallrave është zvogëluar ndjeshëm.

Megjithatë, “Challenge Airlines” vazhdon të fluturojë për në Izrael dhe të ofrojë shërbime mallrash.

Më herët, në nëntor të vitit 2024, mediat belge raportuan se kjo linjë ajrore ka paraqitur ankesa kundër rregulloreve federale dhe rajonale në Belgjikë, që kufizojnë transportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Izrael.

Sipas tyre, “Challenge Airlines” ka mohuar atëkohë se po transportonte armë, duke pretenduar se po dërgonte ndihmë humanitare dhe ushqime në Izrael.

Çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme?

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ajrore kundër Iranit më 28 shkurt.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, dhe zyrtarë të tjerë të lartë u vranë, ndërsa u goditën shumë objektiva në këtë vend.

Teherani po hakmerret duke lëshuar dronë dhe raketa balistike drejt Izraelit dhe shteteve arabe të Gjirit Persik, ku SHBA-ja ka baza ushtarake.

Në shënjestër janë Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Katari dhe Bahrejni.

Aeroplani ateroi edhe në qershor të vitit 2025

Radio Evropa e Lirë monitoroi fluturimet e dy aeroplanëve mallrash të kompanisë “Challenge Airlines”, me shenja regjistrimi 4X-IAJ dhe 4X-ICK, të cilët mbërritën në Aeroportin e Beogradit.

Njëri prej tyre, aeroplani 4X-ICK, u ul në Beograd në qershor të vitit 2025, në kohën e futjes së embargos së eksportit të armëve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, refuzoi atëkohë t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me këtë aeroplan, duke deklaruar: “Nuk më shkon ndërmend të them se çfarë u ngrit dhe çfarë u ul”.

Faqja e internetit “Flight Radar” regjistroi historinë e fluturimeve të këtij aeroplani gjatë gjithë vitit të kaluar.

Përveç në Beograd, i njëjti aeroplan mallrash ka fluturuar edhe në qytete tjera evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara në muajt e fundit.

Shtetet e Bashkuara janë eksportuesi më i madh i armëve në Izrael – me dërgesa me vlerë prej miliarda dollarësh. Dy të tretat e importeve të armëve të Izraelit janë nga SHBA-ja.

Nga Serbia, sipas pohimeve të Vuçiqit, dërgesa e municioneve është rritur që nga tetori i vitit 2023.

Në atë kohë, Izraeli u sulmua nga Hamasi – organizatë palestineze që SHBA-ja dhe BE-ja e konsiderojnë terroriste.

Izraeli, më pas, nisi një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës, e cila çoi në vrasje masive të civilëve palestinezë, shkatërrim qytetesh dhe krizë humanitare.

Kombet e Bashkuara e kanë akuzuar Izraelin për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime lufte.

Edhe para se autoritetet e Beogradit të pranonin se dërgesat e armëve në Izrael janë përshpejtuar, ekipet ndërkombëtare të gazetarëve hulumtues kanë raportuar se eksportet e armëve nga Serbia në Izrael janë rritur për 30 herë që nga tetori i vitit 2023.

Vuçiq më pas u bë cak i kritikave nga një pjesë e opozitës dhe publikut në Serbi, sipas të cilëve, ai – në këtë mënyrë – është rreshtuar me autoritetet izraelite.

Megjithatë, pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit në qershor të vitit 2025, Vuçiq vlerësoi se të dyja vendet ishin “miqësore” me të, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se eksporti i armëve dhe pajisjeve ushtarake, sipas udhëzimeve të presidentit, është pezulluar.

“Një degë e tërë e industrisë është ndaluar, që nga qershori e këndej, pa bazë ligjore… sepse dikush dëshiron kështu”, thotë analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq.

Ai shton se, përveç njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe deklaratave të Vuçiqit, nuk është publikuar asnjë dokument zyrtar për këtë “embargo”.

Punëtorët në fabrikat e armëve thonë se eksportet kanë rifilluar

Shteti serb nuk konfirmon se “moratoriumi” mbi eksportet është hequr, por punonjës të dy fabrikave shtetërore armësh në Serbi e pohojnë një gjë të tillë.

Ata thonë se në shkurt të vitit 2026 kanë marrë një letër, ku thuhej se, pas një ndalimi tetëmujor, eksportet jashtë vendit do të rifillonin.

“Sindikata mori informacion nga udhëheqja se shteti ka miratuar një pjesë të eksportit të armëve ushtarake”, thotë për Radion Evropa e Lirë Aleksandar Tadiq, kryetar i sindikatës në fabrikën “Zastava Oruzhja” në Kragujevc.

“Ne nuk e dimë zyrtarisht se kush janë blerësit, nga cilat vende, por ky është hapi i parë dhe i mirë për fabrikën, sepse ishte në një situatë të vështirë, për shkak të ndalimit të eksportit”, thotë Tadiq.

Ai shton se dërgesat e armëve sportive të gjuetisë, të cilat prodhohen gjithashtu në këtë fabrikë në Serbinë qendrore, kanë filluar “shumë kohë më parë” drejt Shteteve të Bashkuara, të cilat janë ndër partnerët kryesorë për këto dërgesa.

Udhëheqja e fabrikës “Zastava oruzhja” nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me eksportet.

Në Uzhicë, në Serbinë perëndimore, ku ndodhet selia e fabrikës së armëve “Prvi Partizan”, punëtorët morën të njëjtin lajm.

“Ne morëm informacion rreth një muaj më parë se eksportet kanë filluar; nuk kemi ide se ku ose çfarë do të shkojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë një prej pjesëtarëve të sindikatës së kompanisë “Prvi Partizan”, duke folur në kushte anonimiteti.

Administrata e kësaj fabrike nuk e konfirmoi këtë informacion për Radion Evropa e Lirë.

Përgjigje nuk kthyen as selitë e kompanive të tjera shtetërore të prodhimit dhe tregtisë së armëve, të cilat janë anëtare të Industrisë Serbe të Mbrojtjes.

Ngjashëm, as Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk tregoi nëse eksportet e armëve jashtë vendit kanë rifilluar dhe në çfarë kushtesh.

A eksportoi Serbia armë gjatë “moratoriumit”?

“Që nga qershori i vitit të kaluar ka prova të forta se eksporti ka vazhduar, në disa situata të jashtëzakonshme, kur dikush ka vendosur ta bënte atë”, thotë analisti ushtarak, Aleksandar Radiq.

Këtë e vërteton edhe fakti se, derisa në Serbi ishte në fuqi ndalesa për eksportin e armëve, sipas udhëzimeve të presidentit, Azerbajxhani dhe Qiproja krenoheshin me armë artilerie nga fabrikat serbe.

Vitin e kaluar, Azerbajxhani shfaqi obusët vetëlëvizës “Nora”, ndërsa Qiproja shfaqi raketahedhësit “Tamnava”.

“Të dyja sistemet u shfaqën për herë të parë në gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe është shumë e mundur që ato të jenë eksportuar pas shpalljes së ‘moratoriumit’”, thotë për Radion Evropa e Lirë Katarina Gjokiq nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

Serbia është e detyruar të raportojë eksportin e armëve të rënda dhe të lehta, në përputhje me konventat ndërkombëtare. Këto raporte ndërkombëtare publikohen në mes të vitit, për vitin paraprak.

“Por, pjesa më e madhe e eksporteve nuk është e dukshme atje, sepse sasi të mëdha municionesh (të cilat nuk u nënshtrohen këtyre deklarimeve) po nxirren nga Serbia. Vlera dhe vëllimi i eksporteve të municioneve nuk mund të shihen nga këto deklarime”, thotë Radiq.

Sipas ligjit, lejet për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake lëshohen nga Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë.

Ato kërkojnë pëlqimin e ministrive të Punëve të Jashtme, të Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës.

Gjithashtu kërkohet edhe një certifikatë e Përdoruesit Fundor, e vërtetuar nga një organ zyrtar i vendit të këtij përdoruesi.

Gjatë lëshimit të një leje tregohet kujdes që eksporti të mos shkelë sanksionet ndërkombëtare, të mos kërcënojë respektimin e të drejtave të njeriut në vendin e destinacionit përfundimtar dhe të mos mundësojë shpërthimin ose vazhdimin e konflikteve të armatosura dhe të tjera në vendin e përdorimit përfundimtar.

Kontribuoi: Mirjana Jevtoviq; përktheu: Valona Tela

Abdikimi i antarëve edhe rrënimi i Partisë Socialiste! – Nga Irena Beqiraj

Më 23 mars 1933, brenda një dhome të ndriçuar dobët, ku ndihej  aroma e ndenjur të tymit të purove, Ludwig Kaas po  përpiqej  ta bindte veten se po merrte vendimin e duhur. Kaas një prift katolik dhe udhëheqës i Partisë së Qendrës  ndodhej në  udhëkryq. Për disa vite, partia e tij ishte përpjekur të bllokonte ngritjen e Adolf Hitlerit. Por në vitin 1932, Nacional-Socialistët e Hitlerit u bënë forca më e madhe në parlament dhe në janar 1933, Hitleri u bë kancelar. Ndërsa Hitleri përpiqej të konsolidonte pushtetin, Partia e Qendrës ishte pengesa e fundit që Hitleri të vendoste në kontroll të plotë Gjermaninë.

Hitleri kishte prezantuar Aktin e Mundësimit, akt i cili do t’i lejonte atij dhe kabinetit të tij mundësinë  për të sunduar nëpërmjet akteve normative , duke e çmontuar  demokracinë në thelbin e saj.  Vetëm nëse  Partia e Qendrës do të rezistonte, mund të bllokohej  miratimi i aktit. Kaas dhe kolegët e tij udhëheqës të Partisë së Qendrës debatuan  për orë të tëra, të ndarë midis mbrojtjes së parimit dhe vetëmbrojtjes. Disa kërkuan rezistencë, duke paralajmëruar se pushteti i Hitlerit duhej të kontrollohej. Por shumica kishin frikë nga pasojat e sfidës. Të tjerë ende mbaheshin pas shpresës se duke bashkëpunuar me Hitlerin, ata mund të ndikonin te Hitleri.

Në fund,  Kaas e bindi veten se opsioni i tij më i mirë ishte të bashkëpunonte , të punonte brenda realitetit të ri në vend që të shtypej prej tij. “Ne duhet ta ruajmë shpirtin tonë, por një refuzim i Aktit të Mundësimit do të rezultojë në pasoja të pakëndshme për partinë tonë”. u tha ai kolegëve të tij . Akti u miratua duke hapur rrugën diktaturës së Hitlerit .

Mbështetja  për aktin nuk kishte asgjë strategjike, nuk i moderoi qëndrimet e Hitlerit, përkundrazi i dha atij kontroll të plotë.

Ky episod ilustron logjikën e rrezikshme të abdikimit ose besimit se, përballë një kërcënimi në rritje për demokracinë, dorëzimi është strategji, edhe bashkëpunimi me një autokrat është mbijetesë.

Sa herë më jepet mundësia të flasë me socialistë të vjetër apo të rinj , antarë apo ish antarë të kryesisë së kesaj partie, ndihet po e njëjta logjikë abdikimi . Po anëtarët e partisë socialiste kanë abdikuar ,  edhe kjo nuk ka ndodhur sot, por që në vitin 2005 .

Demokracia brenda saj u gërrye ngadalë, në fillim nëpërmjet dorëzimit gradual të atyre që e kishin ndërtuar e  duhet  ta mbronin atë. Në çdo lëshim, që partia bënte karshi kryetarit autokrat ai u bë më të guximshëm,  dhe përmbysja sot të gjithëve  u duket më e vështirë. Përgjigjet që në fillim socialistëve ju dukën  pragmatike , duke pritur, duke heshtur, duke arritur një marrëveshje , vetëm sa e inkurajuan kryetarin autokrat duke çuar në fund në rënien e vetë partisë.

Rënia e partisë Socialiste nuk ishte e pashmangshme , pasi  udhëheqësit politikë kryesorë kishin shumë mundësi për t’u kundërpërgjigjur. Por disa në 2005  besonin se vetëm me Ramën mund ta mundnin Berishën , disa  se mund ta përdornin Ramën për të siguruar dominimin e tyre . Disa  besonin se mund ta kontrollonin Ramën edhe  pasi ta bëhej Kryeministër . Të gjithë gaboheshin.

Demokracia brenda partisë rrallë vdes në një moment të vetëm. Ajo shkatërrohet nëpërmjet abdikimit: racionalizimeve dhe kompromiseve.  Partia Socialiste  vdiq kur kur anëtarët me ndikim brenda saj   i thanë  vetes se po të lëshojnë vetëm pak terren por  do ishin më të sigurt ose se gjetja e një gjuhe të përbashkët me një përçarës është më praktike sesa të qëndrosh kundër tij.

Kryetari autoritar i cili  “urdhëron”  as me fjalë por më geste “mbyllni gojën” nuk  triumfoi kurrë vetë. Ai pati sukses sepse të tjerët e mundësuan  atë , për shkak të ambicies së tyre, për shkak të frikës së tyre ose sepse i gjykuanë gabim rreziqet e lëshimeve të vogla.

BIRN: Ndarja e Iranit në rajone më të vogla do të ishte katastrofike

Nxitja e lëvizjeve separatiste në Iran mund t’i shërbejë interesave të Izraelit, por jo domosdoshmërish atyre të Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të tyre në NATO. Fuqitë perëndimore nuk kanë pasur sukses me strategji të tilla dhe një Iran i fragmentuar vetëm sa do të krijonte kriza të njëpasnjëshme.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më në fund e nisi luftën e tij me Iranin, të vetmen fuqi rajonale të cilës Izraeli i frikësohet vërtet. Ndërsa Shtetet e Bashkuara janë nominalisht partneri kryesor në këtë luftë të paligjshme të zgjedhur, duket se është Netanyahu ai që po dikton taktikat dhe objektivat, duke filluar me vrasjet e synuara të lidershipit të lartë të Iranit dhe një fushatë bombardimesh që e trajton vrasjen e dhjetëra nxënëseve si thjesht “dëme kolaterale”.

Izraeli ka përdorur të njëjtën qasje kundër Hamasit, Hezbollahut dhe Huthitëve në vitet e fundit, duke vrarë gjithashtu fizikanë dhe inxhinierë iranianë në atë që në thelb përbënin sulme terroriste të orkestruara nga Mossad-i. Por meqenëse Irani është një vend shumë i madh (afërsisht sa Franca, Gjermania dhe Spanja së bashku) me rreth 93 milionë banorë, kërkohet diçka më shumë, sepse SHBA-ja – e aq më pak Izraeli i vogël – nuk mund ta pushtojnë dhe ta mbajnë atë nën okupim.

Pikërisht për këtë arsye, “skifterët” izraelitë prej kohësh kanë lobuar për ta copëtuar Iranin në shtete të vogla etno-fetare dhe për këtë arsye agjencitë e tyre të inteligjencës kanë kultivuar lëvizje separatiste. Duke mos arritur të hartojë një plan për ditën pas përfundimit të kësaj lufte, edhe SHBA-ja ka filluar të luajë me këtë “strategji”. Sipas një raporti të CNN, CIA po punon për të armatosur forcat kurde me qëllim nxitjen e një kryengritjeje popullore në Iran.

Nuk është e vështirë të kuptohet pse kjo strategji u pëlqen disa qarqeve në Izrael dhe në SHBA. Vetëm rreth 61% e iranianëve janë persë etnikë. Minoriteti më i madh (ndoshta rreth 24%) përbëhet nga turq azerbajxhanas – grupi të cilit i përkiste edhe udhëheqësi suprem i ndjerë, Ali Khamenei – të përqendruar kryesisht në Ardabil, në veriperëndim të Iranit.

Pas këtyre “azerëve” vijnë kurdët iranianë, të cilët numërojnë rreth 7–14 milionë dhe banojnë kryesisht në provincat veriperëndimore kufitare pranë Kurdistanit të Irakut autonom. Afërsia me Kurdistanin irakian ofron një pikë relativisht të lehtë hyrjeje dhe daljeje në Iran, gjë që i bën kurdët një fokus të përpjekjeve të Mossad-it dhe CIA-s për të nxitur separatizmin. Nëse ata do të arrinin të formonin një forcë të madhe të armatosur të aftë për të sulmuar forcat tashmë të lodhura të sigurisë së Iranit, ka të ngjarë të merrnin mbështetje shtesë edhe nga bashkëkombësit e tyre kurdë përtej kufirit.

Një tjetër grup është pakica baluç, që jeton kryesisht në lindje të Iranit, përgjatë kufirit prej rreth 565 miljesh me provincën e paqëndrueshme Balochistan në Pakistan, nga ku Jaish al‑Adl – një grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja – ka nisur prej kohësh sulme kundër Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe milicisë Basij.

Së fundi, janë rreth 5–7 milionë arabë ahvazë që jetojnë në provincën perëndimore të pasur me naftë të Khuzestanit, ku ata përballen me një jetë shumë të vështirë dhe të shtypur, që pasqyron në shumë mënyra gjendjen e shiitëve që dominojnë provincën lindore të pasur me naftë të Arabisë Saudite.

Të gjitha këto minoritete iraniane janë të detyruara të përdorin persishten në komunikimin zyrtar dhe të gjitha kanë qenë subjekt i represionit të dhunshëm nga forcat gjithmonë aktive të sigurisë së Republikës Islamike. Kurdët, për shembull, përbëjnë vetëm 8–17% të popullsisë, por ata përbëjnë një pjesë në mënyrë disproporcionale të madhe të atyre që ekzekutohen ose burgosen për arsye politike.

Problemi, natyrisht, është se Shtetet e Bashkuara kanë një histori shumë të dobët kur bëhet fjalë për nxitjen e trazirave separatiste, siç e zbuluan Arabët e Kënetave dhe Kurdët e Irakut pas Operacionit Desert Storm në vitin 1991. Herë pas here, “popuj të vegjël trima” janë nxitur dhe më pas janë braktisur – të lënë të vriten dhe helmohen me gaz pasi sponsorët e tyre perëndimorë e kthejnë vëmendjen diku tjetër. Në fakt, kjo është pikërisht ajo që Donald Trump u ka bërë kurdëve të Sirisë, të cilët ndihmuan SHBA-në të mposhtte Shtetin Islamik gjatë mandatit të tij të parë, por që tani ai i ka braktisur ndërkohë që është afruar me presidentin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, një ish-komandant i al-Kaedës.

Izraelit mund t’i shkojë për shtat ta ndajë në shtete të vogla të gjithë Lindjen e Mesme, duke mos lënë asnjë fuqi të aftë të sfidojë hegjemoninë e tij rajonale. Por a i shërben ky qëllim interesave të SHBA-së apo pjesës tjetër të rajonit?

Në rast se Trump e ka harruar, miku i tij tjetër “i fortë” në rajon, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka kaluar dekada duke luftuar separatizmin kurd. Pasi ka përdorur fuqinë e vet ushtarake për të zmbrapsur kurdët e Sirisë dhe për të shtypur Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit në vendin e tij, Turqia – një anëtare e NATO – nuk do të qëndrojë pasive nëse Partia Jetë e Lirë e Kurdistanit Iranian (PJAK), një degëzim i PKK-së, krijon një shtet të vogël në kufirin e saj. Dhe nëse Turqia do të vepronte kundër një entiteti të tillë, çfarë do të bënte Izraeli për këtë?

Edhe këtu, izraelitëve mund t’u shkojë për shtat të luftojnë një tjetër luftë agresioni kundër një fqinji armiqësor, por kjo sigurisht që nuk do t’i shkonte për shtat SHBA-së, Turqisë apo pjesës tjetër të NATO-s. Gjëja e fundit që ata duan – përveç një përçarjeje ndoshta fatale në NATO që do të shkaktonte çdo sulm ndaj Turqisë – është një valë tjetër refugjatësh që do të drejtohej drejt Evropës si rezultat i një konflikti krejtësisht të shmangshëm.

Këto janë vetëm problemet më të parashikueshme. Por do të kishte edhe “të panjohura të panjohura”. Një Iran i copëtuar do të ishte shumë i paqëndrueshëm, i ekspozuar jo vetëm ndaj shpërthimeve të pastrimit etnik, por edhe ndaj grabitjeve të fqinjëve lakmitarë ose nervozë. Trump nuk ka fuqinë të vendosë nëse Irani do të kthehet në një monarki “kushtetuese” apo një autokraci nën një “Shah” që jeton në SHBA që nga viti 1985, apo nëse do të mbetet një republikë e centralizuar apo një konfederatë, si Kanadaja apo Australia.

Duke pasur parasysh fiksimin e Trump për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, shumëkush kishte imagjinuar se ai do t’i kushtonte vëmendje atyre që ishin pjesë e koalicionit të tij politik që këshillonin përmbajtje. Por një pakicë neokonservatorësh të mbetur duket se kanë mbushur boshllëkun në njohuritë e tij për rajonin, të ndihmuar nga një kryeministër izraelit vizioni i të cilit për të ardhmen e vendit të tij duket se përfshin një luftë pas tjetrës, pavarësisht jetëve të humbura dhe dëmit ekonomik që u shkaktohet pjesës tjetër prej nesh./ BIRN

SHBA-ja dhe Izraeli të bashkuar në luftë, të ndarë për atë se çka vjen pas

Ray Furlong, Alex Raufoglu

Duke kaluar pranë rrokaqiejve në qendër të Tel Avivit, e gjithë vëmendja shkon te një billboard gjigant, që shfaq reklama të produkteve ushqimore dhe më pas një portret të madh të presidentit amerikan me mbishkrimin: “Faleminderit, Zot dhe Donald Trump!”

Kështu duket se dëshmohet mirënjohja izraelite për rolin e Shteteve të Bashkuara në sulmet ushtarake ndaj Iranit. Zyrtarët izraelitë kanë theksuar vazhdimisht se dy vendet janë plotësisht në një linjë.

“Bashkëpunimi është historik mes ushtrisë amerikane dhe IDF-së (Forcave të Mbrojtjes së Izraelit), si dhe mes forcave ajrore të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu më 6 mars, duke e paraqitur këtë si shembull të koordinimit të ngushtë mes dy vendeve.

Dhe është e vërtetë se ekziston një koordinim shumë i afërt ushtarak dhe politik mes dy vendeve. Megjithatë, ka edhe fusha ku prioritetet mund të ndryshojnë.

Deri ku shkon aleanca?

Prej vitesh, Netanyahu ka promovuar idenë e ndryshimit të regjimit në Iran dhe duket se ende është i përkushtuar ndaj këtij qëllimi.

“Aspirata jonë është t’i mundësojmë popullit iranian të heqë qafe zgjedhën e tiranisë”, tha ai më 9 mars.

Por shumica e analistëve besojnë se ndryshimi i regjimit nuk mund të arrihet shpejt.

Prandaj deklarata e Trumpit më vonë atë ditë, se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”, nxit pyetjen: Çfarë ndodh nëse afati i caktuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës është më i hershëm sesa ai i Izraelit?

“Shtetet e Bashkuara janë ato që udhëheqin kur bëhet fjalë për datën e përfundimit. Izraeli është i gatshëm t’i vazhdojë këto sulme kundër regjimit islamik. Ne jemi gjithashtu të angazhuar kundër Hezbollahut, një përfaqësues i regjimit iranian në Liban. Do të donim të vazhdonim këtë. Por do të ndalemi kur SHBA-ja të thotë se duhet të ndalemi”, tha më 10 mars Miri Eisin, ish-zëvendësshefe e Korpusit të Inteligjencës Luftarake të ushtrisë izraelite, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

“Kishte qëllime shumë të qarta për ndryshim regjimi, dhe nuk po i shihni ato. Por duhet të jemi realistë. Për ushtrinë, çdo ditë shtesë do të thotë më shumë objektiva. Politikanët marrin vendimet e tyre”, shtoi Eisin, tani studiuese në Institutin Ndërkombëtar Kundërterrorizmit (ICT) në Universitetin Reichman në Tel Aviv.

Objektivat e luftës

Në fakt, nuk është plotësisht e qartë nëse ndryshimi i regjimit është një nga objektivat e SHBA-së.

Kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth renditi qëllimet e luftës disa orë pasi Eisin foli për REL-in, ai as nuk e përmendi këtë aspekt.

“Së pari: t’i shkatërrojmë rezervat e raketave, lëshuesit e tyre dhe bazën industriale të mbrojtjes që prodhon raketa. Së dyti: ta shkatërrojmë marinën e tyre. Dhe së treti: t’i mohojmë përgjithmonë Iranit armët bërthamore”, tha Hegseth, duke përshkruar objektivat e konfliktit.

Trump ka folur për “dorëzim pa kushte” dhe ka thënë se ndryshimi i regjimit do të ishte “gjëja më e mirë që mund të ndodhë”.

Më 10 mars ai tha se ishte “i zhgënjyer” që regjimi iranian kishte zgjedhur Mojtaba Khamenein për të zëvendësuar babanë e tij të ndjerë si udhëheqës suprem, por nuk pranoi të thoshte se çfarë mund të bënin Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim.

Radio Evropa e Lirë ka folur me disa këshilltarë të Kongresit amerikan që merren me çështje të sigurisë kombëtare në Uashington, të cilët kanë shprehur shqetësime për një mospërputhje të mundshme në këtë dhe çështje të tjera.

“Njëra qeveri duket se po ndjek kolapsin e regjimit”, tha një këshilltar republikan në kushte anonimiteti. “Tjetra thotë se nuk është, përveç rasteve kur duket se është. Dhe këtu qëndron problemi. Për objektivat kryesore, nuk jemi plotësisht në sinkron.”

Në çdo luftë, afati kohor zakonisht varet nga qëllimet që ndiqen. Duke ndjekur tre objektivat e përmendura nga Hegseth, fitorja mund të shpallet edhe pa ndryshim regjimi.

Disa analistë argumentojnë se SHBA-ja mund të preferojë një përfundim më të shpejtë të operacioneve sesa Izraeli, nëse çmimet e naftës rriten shumë, pasi të dy vendet kanë nivele të ndryshme tolerance ndaj kësaj.

 

Nafta

Ka pasur gjithashtu shenja të mundshme divergjence edhe për objektivat ushtarake, pasi Uashingtoni raportohet se ishte i pakënaqur me një sulm izraelit ndaj një objekti nafte në Iran.

I pyetur për këtë më 10 mars, Hegseth tha se goditja e objekteve të naftës “nuk është domosdoshmërisht objektivi ynë”.

Ai hodhi poshtë idenë se Izraeli po e tërhiqte SHBA-në drejt operacioneve që bien ndesh me interesat e Uashingtonit.

“Ne nuk po tërhiqemi në asnjë drejtim. Ne po udhëheqim, presidenti po udhëheq.”

Në Kongresin amerikan një tjetër këshilltar, gjithashtu në kushte anonimiteti, paralajmëroi:

“Shkatërrimi i qendrave të naftës mund t’i destabilizojë tregjet energjetike. Izraeli e sheh si mënyrë për t’i dobësuar aftësinë e Iranit për të financuar luftën, por për SHBA-në ekziston rreziku që ekonomia globale të tërhiqet në konflikt. Është një fitore taktike me kosto strategjike.”

Më 9 mars, senatori republikan Lindsey Graham e shprehu këtë qartë në një postim në rrjetet sociale: “Ju lutem, tregohuni të kujdesshëm me objektivat që zgjidhni”, shkroi ai, duke shtuar se ekonomia e naftës do të jetë thelbësore për rindërtimin e Iranit.

Por Yoel Guzonsky, ish-anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, tha se sulmet e vendit të tij ndaj objekteve iraniane të naftës ishin në fakt një paralajmërim i kalkuluar.

“Si SHBA-ja ashtu edhe Izraeli po tregohen shumë të kujdesshëm që të mos godasin qendrat kryesore të naftës në Iran, sepse e dinë se hakmarrja iraniane mund të ndodhë në shtetet e Gjirit, dhe atëherë do të shohim një skenar krejt tjetër”, tha ai, duke iu referuar rrezikut të sulmeve të ardhshme iraniane ndaj industrisë së naftës në vendet e Gjirit.

“Irani as nuk i ka prekur fushat e naftës dhe të gazit në Gjirin Persik”, shtoi ai. “Ndoshta Irani po e ruan këtë si një hap tjetër për përshkallëzim drejt një lufte më të gjatë.

Hezbollahu

Çështja e Hezbollahut tregon gjithashtu se Izraeli dhe Shtëpia e Bardhë mund të kenë prioritete disi të ndryshme në këtë luftë. Për Uashingtonin, goditja e Iranit është në krye të agjendës. Për Izraelin, Hezbollahu është një kërcënim shumë më pranë kufijve të tij.

“Njerëzit nuk e mendojnë faktin se unë ngas makinën në veri dhe jetoj në veri, dhe mund të jesh 100 metra, për të mos thënë një ose dy kilometra, larg vendeve nga ku Hezbollahu po qëllon. Për ne, kjo është një rrezik shumë i afërt dhe i menjëhershëm”, tha Eisin për REL-in.

Ditët e fundit ka pasur shumë raportime në mediat izraelite dhe parashikime analistësh se mund të përgatitet një ofensivë shumë më e madhe tokësore kundër Hezbollahut në Liban.

Por Eisin shtoi se kjo nuk po e shpërqendron Izraelin nga lufta me Iranin. Sipas saj, Izraeli po përdor kryesisht lloje të ndryshme forcash në Liban dhe po godet gjithashtu objektiva iraniane atje.

“Izraeli sulmoi hapur disa ditë më parë, në zemër të Bejrutit, një njësi të forcës Kuds të regjimit islamik… Pra, shihni këtë kombinim këtu. Ne po sulmojmë regjimin islamik dhe kapacitetet e ndryshme të ushtrive terroriste, si në Liban ashtu edhe në Iran”, tha ajo.

Por për Uashingtonin, llogaritja është ndryshe. Sipas një këshilltari amerikan, Hezbollahu nuk përbën kërcënim ekzistencial të drejtpërdrejtë.


Send this to a friend