VOAL

VOAL

Teksti i plotë: Marrëveshja e Ohrit – MARRËVESHJA KORNIZË

August 13, 2016

Komentet

Rastësia e shpëtoi bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë! Kur Stalini dënoi projektin e Federatës, Enveri i kërkoi Titos… Refuzimi që i bëri Nako Spiro

PROF. DR. ELMAS LECI/ Në misionin për të cilin ndodhej në Beograd Nako Spiro, në pranverën e vitit 1946, ishin dy marrëveshje të fshehta për t’u nënshkruar me Jugosllavinë, ajo për “Sigurinë dhe mbrojtjen e interesave jugosllave në Shqipëri” si dhe ajo për “Veprimet në rast rrezikimi të udhëheqjes Shqiptare si dhe mbrojtjen e saj me hedhjen e njësiteve jugosllave në Shqipëri”. Të dy këto marrëveshje, që, në fakt, ishin një e tërë, por me dy pjesë, që Nako Spiro “kërkoi” të mos i firmosë pa i parë Enver Hoxha, në fakt, zbulojnë plotësisht se cilat ishin synimet e vërteta të politikës jugosllave në raport me Shqipërinë. Ky refuzim i Nako Spirut, më pas nga Stalini u konsiderua edhe si “tentim i helmimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”. Në fakt, dy marrëveshjet e mësipërme u nënshkruan nga vetë Enver Hoxha gjatë vizitës së tij në Beograd, ku ai siç lexojnë dokumentet dha edhe pëlqimin e plotë mbi propozimin e mendimin e vjetër dhe të ri të Titos për Federatën Ballkanike, ide që nuk ishte e panjohur për shumë njerëz me ide komuniste, që kishin dalë nga shkolla e Kominternit.

 

Me vizitën e parë në Beograd Enver Hoxha u dakordësua me Titon për krijimin e Federatës Ballkanike, që do të përfshinte Jugosllavinë (brenda saj edhe Shqipërinë), Bullgarinë dhe Greqinë. Ishte kjo një prej objektivave kryesore të politikës së jashtme të Jugosllavisë në periudhën e pasluftës, ku përmes saj Tito synonte të ishte në krye të Ballkanit. Në anën tjetër, kjo ishte edhe një karshillëk i Titos ndaj Stalinit, që më pas vetë Stalini e siluroi dhe e asgjësoi.

Që gjatë Luftës shkruajnë dokumentet, megjithëse Stalini ishte dakord që marrëdhëniet midis Moskës e Tiranës të realizoheshin nëpërmjet Beogradit, në forma të ndryshme ai nga nuhatja filloi të shfaqte edhe një farë interesimi për Shqipërinë. U shfaq ky “interesim” që në janarin e vitit 1944 kur Hebrangu jugosllav u takua me të. Stalini, jo vetëm ishte interesuar për Shqipërinë, por kishte dhënë porosi që angazhimet e përgjegjësitë që Jugosllavia kishte marrë përsipër për Shqipërinë, duhej t’i plotësonte. Fakti që Hebrangu e as ndonjë personalitet i lartë jugosllav nuk i kishte thënë asgjë Stalinit se në planet e veta, udhëheqja jugosllave kishte dhe përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave. Jo thjeshtë informacionet që merrte Stalini për planin e përfshirjes së Shqipërisë me Jugosllavinë e kishin bërë atë dyshues, por mënyra si vepronte Tito, mungesa e sinqeritetit dhe fshehja prej tij dhe udhëheqjes sovjetike e këtyre planeve. Nëse nga vizita e parë e Titos në Moskë më 1945-n për marrëdhëniet e tij me Stalinin shkruante Llavrentiev vërehej se “ata sikur kishin pakënaqësi ndaj njëri-tjetrit, por që secili përmbahej…”, ndërsa në prag të vizitës tjetër në Moskë, më 22 prill 1946, Tito e ftoi paraprakisht në një takim ambasadorin sovjetik dhe sipas materialit sekret të këtij të fundit, Tito i trajtoi disa probleme tepër të rëndësishme, që kishin të bënin kryesisht me Shqipërinë ku dilte ashiqare se sipas tij, në fund të fundit, Shqipëria duhej të përfshihej në përbërjen e Jugosllavisë…”. Pikërisht në kujtimet e tij edhe këto fakte ose i ka shtrembëruar Enver Hoxha ose i ka mohuar, siç ka mohuar po ai, vetë Enver Hoxha, që i kishte shkruar Titos më 17 mars të vitit 1948, ku urgjent i kërkonte Bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë.

Sipas biografit të Titos, Dedejer nga një bisedë të Titos po me ambasadorin sovjetik “ lidhur me planet e ndërtimit të Federatës Ballkanike, Tito, i cili deri në atë kohë kishte vepruar disi në fshehtësi, në atë takim ngriti dhe kërkoi me gjithë forcën e tij që ta përfshinte paraprakisht Shqipërinë brenda Jugosllavisë. Me këmbëngulje ai i theksoi ambasadorit sovjetik se “Vlora (Valona) në asnjë mënyrë nuk duhet t’i jepet Greqisë. Me të ne mund të eksportojmë dhe të importojmë të gjitha mallrat.”.141) Nga ana e tij ambasadori sovjetik, ndonëse e dëgjoi me vëmendje Titon, kuptoi se ai as që e llogariste shtet Shqipërinë, por vetëm njësi të bashkuar me Jugosllavinë”. Jemi në një periudhë që Moska e bazonte veprimtarinë e saj në Ballkan nëpërmjet Beogradit, por gjithnjë pa e lëshuar rolin e saj të arbitrit, pavarësisht se e konsideronte të panevojshëm kontaktin e drejtpërdrejtë me Partinë Komuniste Shqiptare dhe kështu kishte sanksionuar rolin e patronatin e Partisë Komuniste Jugosllave mbi atë shqiptare. Në Partinë Komuniste të Jugosllavisë, synimi për gllabërimin e Shqipërisë shpjegohej me atë që në Shqipëri, kushtet e brendshme politike ishin pjekur plotësisht për realizimin e Bashkimit me Jugosllavinë e pastaj bashkimi i madh të bëhej në Federatën Ballkanike dhe kjo “ishte çështje e Jugosllavisë”. Planet për Federatën Ballkanike kishin nisur që gjatë Luftës së Dytë Botërore, që me idenë e Shtabit Ballkanik etj dhe u evidentuan në gjysmën e dytë të shtatorit të vitit 1944.

Mbas takimit me Titon në Moskë, më 27 shtator 1944, shkruante Dimitrovi në kujtimet e tij, ata janë marrë vesh për “krijimin e Aleancës midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë deri në Federatën e Sllavëve të Jugut” (që do të përbëhej nga serbët, bullgarët, maqedonasit, kroatët, boshnjakët, malazezët dhe sllovenët) shqiptarët as u zunë në gojë fare se e ardhmja e tyre konsiderohej çështje e Jugosllavisë. Në prag të Konferencës së Jaltës Andrija Hebrang, njëri nga drejtuesit kryesorë të P.K.J, i ngarkuar nga Tito me plotfuqishmëri speciale, shkoi në Moskë, ku u prit në një takim të posaçëm nga Stalini. Takimi me Hebrangun ishte i një rëndësie të veçantë, mbasi aty për herë të parë PK Jugosllave parashtroi para udhëheqjes sovjetike pretendimet territoriale që ajo kishte ndaj Greqisë, Rumanisë, Hungarisë, Austrisë, Italisë e pa folur për Shqipërinë që pretendonte ta përfshinte, siç ishte edhe mendimi i Stalinit brenda Federatës Jugosllave. Hebrangu kishte shkuar i përgatitur në Moskë dhe me të filluar bisedimet, nxori para Stalinit hartën e Jugosllavisë dhe të disa rajoneve e krahinave të vendeve fqinje, që sipas jugosllavëve duhej të përfshiheshin brenda Jugosllavisë. Në këtë rast jugosllavët kërkonin nga Bashkimi Sovjetik mbështetje e ndihmë për realizimin e ëndrrave të tyre, që tani ia kalonin edhe atyre të parashtruara në Naçertanien e Graçaninit.

Situatat e mësipërme tregojnë se përveç hedhjes “në sulm” nga Tito për krijimin e Federatës Ballkanike, vera e vitit 1947 ishte e ngarkuar për të, pasi Stalini direkt me urdhër e kishte ngarkuar atë edhe për organizimin e Informbyrosë (Byroja Informative Komuniste). Në fakt pas konstituimit të Informbyrosë, marrëdhëniet sovjeto – jugosllave po keqësoheshin. Shkak ishin planet për Federatën Ballkanike. Stalini e stopoi Federatën dhe këtu nis e tatëpjeta e Titos. “Hijen” e tij dhe krijimin e imazhit të madhështisë për Titon, nuk e honepste Stalini., ndaj e përjashtoi Titon nga Informbyroja.

Kur Stalini e thirri Enver Hoxhën në Moskë, ky i fundit me profanizimin apo djallëzinë e tij, shkruante se “Stalini nuk dinte asgjë lidhur me Shqipërinë dhe bashkimin e saj në të gjitha fushat me Jugosllavinë”. Ne fakt kjo që “nuk dinte asgjë”, ishte loja e Stalinit. Jemi në momentet e para që Tito e kish ngrënë “drunë” nga Stalini. Enver Hoxha as që e dinte këtë ndaj më 30 mars të vitit 1948 e informon Byronë Politike se lidhur me Federatën nga Titoja i kishte ardhur përgjigja se “nuk shihej e kohës, ndërsa për çështjen e Komandës Unike përsëri ishte përgjigja se është e parakohëshme”.150)

Të gjitha këto vinin ngaqë jugosllavët dhe personalisht Tito ishte vënë nga Stalini në gijotinë. Ishte koha kur kishte ndodhur çarja përfundimtare në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave dhe Shqipëria tashmë kishte mbetur plotësisht nën kontrollin e Moskës dhe e kishte shpëtuar nga Federata rastësia sepse karshillëku që Tito synoi ti bënte Stalinit e “varrosi” çështjen e Federatës dhe me të edhe atë të bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al

Kristo Dako dhe Lidhja e Prizrenit: Një përkujtim historik në 147-vjetorin e një epoke formësuese kombëtare Nga Rozi Dako

 

Më 10 qershor 1878, në qytetin simbolik të Prizrenit, u mblodhën përfaqësuesit më të shquar të krahinave shqiptare për të ngritur zërin kundër copëtimit të trojeve etnike nga traktatet që lindën pas luftës ruso-osmane. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e lindur si një përgjigje politike dhe atdhetare ndaj Traktatit të Shën Stefanit dhe vendimeve të mëvonshme të Kongresit të Berlinit, përfaqësonte ndërgjegjësimin e parë kolektiv të shqiptarëve për ruajtjen e tërësisë tokësore dhe identitetit kombëtar në një Evropë që po riformulohej sipas interesave të Fuqive të Mëdha. Kjo ngjarje, që tashmë ka mbushur 147 vjet nga fillimi i saj, përbën një nga kulmet e historisë politike të shqiptarëve në shekullin XIX dhe, në mënyrë të veçantë, ka frymëzuar figura të shquara të mendimit dhe veprimit kombëtar në dekadat që pasuan.

Një nga ata që, me përkushtim të rrallë dhe me ndjenjë të thellë mirënjohjeje ndaj brezit të Lidhjes, u përpoq ta mbajë gjallë kujtesën dhe mësimet e saj në kohërat moderne, ishte padyshim rilindasi ortodoks Kristo Dako. Në vitin 1922, në Budapest, ai botoi një vepër që, pse në dukje modeste për nga formati, përbënte një kontribut të çmuar për nga përmbajtja dhe qëllimi, të titulluar Liga e Prizrenit – e para lëvizje kombëtare, botuar më 1922 në Bucarest. Ky libër nuk është vetëm një përshkrim historik i ngjarjeve të vitit 1878, por një akt përkujtimor dhe edukativ, i ndërtuar mbi një dashuri të thellë për atdheun dhe një ndërgjegje të lartë për nevojën e ruajtjes së vijimësisë historike të idealit kombëtar.

Libri hapet me një dedikim që përmbledh gjithë etosin patriotik të autorit: “Prindërvet të rilindjes Shqipëtare, që frymëzuan popullin me idealin e shenjtë të patriotizmit; dhe Dëshmorëvet, që u bënë theror për të fituar dhe për të siguruar tërësinë toksorë dhe independencën e atdheut, me kujtime të paharuara dhe me nderime të çquara, kjo librëzë u dedikohet.” Ky formulim i thjeshtë e solemn është një akt devocioni intelektual dhe shpirtëror ndaj atyre që, me ndjesinë e një rreziku të përbashkët, hodhën themelet e solidaritetit kombëtar mes shqiptarëve myslimanë e të krishterë, nga Prizreni në Janinë, nga Gjakova në Prevezë. Atdhetari ortodoks, Kristo Dako mishëronte tipin e patriotit që nuk e konceptonte identitetin kombëtar si të kushtëzuar nga besimi fetar, por si një bashkësi gjaku, gjuhe dhe historie. Kjo pikëpamje përputhej plotësisht me frymën e Lidhjes së Prizrenit, e cila, ndonëse kishte një përbërje dominuese myslimane, ishte që në themel një përpjekje gjithëshqiptare për ruajtjen e tërësisë kombëtare, ku kontributi i të krishterëve ishte i pakontestueshëm dhe i çmuar.

Për Kristo Dakon, ky unitet shpirtëror unik mes shqiptarëve, përtej përkatësive të ndryshme fetare, ishte një imperativ historik. Që nga aktiviteti i tij në Rumani, Amerikë, bashkëpunimi me figura të shquara Rilindase , e deri tek përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, ai e dëshmoi me vepra këtë besim. Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja për t’iu rikthyer në vitin 1922 idealit të Lidhjes së Prizrenit nuk ishte nostalgji, por një përpjekje e vetëdijshme për të frymëzuar brezin e tij dhe atyre që do të vinin më pas një ndjenjë përgjegjësie kombëtare të ndërtuar mbi shembullin e bashkimit.

Në mënyrë të veçantë, mbyllja metaforike e kësaj pasqyre historike mund të ndriçohet nga vetë fjalia hapëse e librit të Dakos Ngjarjet që shkakëtuan Fillimin e Ligës Prizrenit, ku ai shkruan:

“Një nga karakteret më të çquara të shekullit 19-të është rolli i shënuar i lëvizjevet kombëtare dhe nga ky shkak quhet, shekulli i ndjenjavet kombëtare.”

Kjo fjali, e thjeshtë në formë, por thellësisht e ngarkuar me vizion, përmbledh thelbin e gjithë reflektimit të Dakos: se lëvizjet kombëtare nuk janë thjesht ngjarje të së kaluarës, por shfaqje të shpirtit të një populli që zgjohet, bashkohet dhe ndërton fatin e vet me ndjenjë të përbashkët dhe vizion të përbashkët. Për Dakon, shekulli i “ndjenjavet kombëtare” nuk mbyllet me shekullin XIX, por është një thirrje e përhershme që sfidon çdo brez për të mos harruar rrënjët, për të çmuar sakrificat dhe për të mbrojtur idealin.

Në këtë kuptim, kujtimi i Lidhjes së Prizrenit nuk është vetëm një përkujtim datash dhe figurash, por një akt aktualizimi shpirtëror për nevojën e unitetit, vetëdijes historike dhe përkushtimit ndaj së ardhmes së përbashkët të kombit. Kristo Dako, ortodoks shqiptar, rilindas modern, dhe dëshmitar i historisë, mbetet një nga zërat më të kthjellët të këtij mesazhi të përjetshëm.

“Të dhënat sekrete shtetëror, Zbulimit Sovjetik, ja jepte me agjenten Valentina Peza dhe këshilltarit të ambasadës sovjetike në Tiranë…”! / Akt-akuza që çoi në plumb, vëllanë e sekretarit të Enver Hoxhës

Nga Dashnor Kaloçi

Plot 48 vite më parë, më 31 maj të vitit 1977, diku në periferi të Tiranës, në një vend që dhe sot e kësaj dite ka mbetur i pazbuluar ende, një skuadër pushkatimi e ngritur me porosi të veçantë të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Kadri Hazbiut, ekzekutoi me plumb pas koke, Abdyl Këllezin Koço Theodhosin, dhe Xhavit Sallakun, të cilët ishin arrestuar që në vitin 1975, të akuzuar nga Enver Hoxha, si krerët kryesorë të “Grupit sabotator në Ekonomi”. Bashkë me Këllezin e Theodhosin, ishin dënuar me edhe dy ministrat e tjerë, Kiço Ngjela (ministri i Tregtisë) dhe Vasil Kati, (ministër i Tregtisë së Jashtme), përkatësisht me nga 20 dhe 15 vjet burg politik, e gjithashtu me dënime të rënda edhe disa kuadro të lartë nga dikasteri i Ekonomisë.

Këllëzi dhe Theodhosi, ish-anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, deputetë të Kuvendit Popullor dhe zv. kryeministra e ministra për më shumë se tri dekada me radhë, ishin ndër të pakët nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, që kishin studiuar e ishin diplomuar në Perëndim, që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe po kështu, edhe Ngjela me Vasil Katin, kishin studiuar jashtë dhe ishin kthyer në Shqipëri menjëherë pas pushtimit të vendit nga Italia fashite, për t’u rreshtuar në radhët partizane, madje me funksione drejtuese. Me goditjen e këtij të ashtuquajturit “Grupi armiqësor sabotator në Ekonomi”, Enver Hoxha po godiste “trurin e Ekonomisë”, pasi nga mbarimi i luftës e deri në atë kohë, Këllezi, Theodhosi, Ngjela dhe Kati, kishin mbajtur funksionet kyçe të ekonomisë shqiptare.

Ndërsa këto gjëra tashmë janë shumë të njohura, pasi prej më shumë se tre dekadash që nga shembja e regjimit komunist, është folur dhe shkruar shumë, Memorie.al, ka siguruar disa dokumenta që i përkasin fondit të ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullor Socialiste të Shqipërisë, i kryesuar nga Haxhi Lleshi, i cili në atë kohë mori në shqyrtim çështjen e “Grupit sabotator në Ekonomi”, në bazë të relacioneve dhe raport-informacioneve që i kishte dërguar Gjykata e Lartë e kryesuar nga Aranit Çela, e cila zhvilloi dhe procesin gjyqësor ndaj atij “Grupi”.

Përveç sa më sipër, në dokumentet në fjalë, ndodhen edhe kërkesat e Këllezit dhe Theodhosit, (me shkrimin e tyre), dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, për faljen e jetës, si proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me diskutimet e Enver Hoxhës, (që ka mbajtur edhe raportin në fillim të mbledhjes) Haxhi Lleshit, Spiro Kolekës, Shefqet Peçit (dy nënkryetar të Presidiumit Kuvendit Popullor), Telo Mezinit (sekretar i Presidiumit), Jovan Bardhit, Muharrem Sefës, Nuredin Hoxhës, Pilo Peristerit, Rrapo Dervishit, Spiro Moisiut, Zina Franjës dhe Maliq Sadushit, anëtarë të Presidiumit, të cilat do i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.

VENDIMI i KOLEGJIT PENAL TË GJYKATËS SË LARTË, PËR DËNIMIN ME VDEKJE ME PUSHKATIM, TË XHAVIT SALLAKUT, ISH-NËNKRYETAR I KOMITETIT EKZEKUTIV TË TIRANËS DHE KRYEINXHINIER I NDËRMARRJES SË NDËRTIMEVE INDUSTRIALE NË BALLSH

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

KOLEGJI PENAL

NR.125.1 Rregj. Themeltar

NR.121 1 Vendimit

VENDIM

“NË EMËR TË POPULLIT”

Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i formuar nën kryesinë e:

Eleni Selenica – Zv. Kryetare e Gjykatës Lartë

Myftar Hoxha – anëtar i “ “

Liri Gjoliku – anëtare e “ “

në seancën e hapët gjyqësore në datë 16. IV. 1977, mori në shqyrtim çështjen Nr,125 që i përket të gjykuarit:

XHAVIT SALLAKU, I biri i Ymerit dhe i Mejremes, i datëlindjes 1929, lindur dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore nëpunës i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, i përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i padënuar më parë, me profesion inxhinier, i dekoruar me urdhrin e klasit të tretë për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore, i arrestuar me datë 27.4.1976.

I AKUZUAR se: ka tradhtuar Atdheun në formën e spiunazhit, ka sabotuar ekonominë socialiste, duke i shkaktuar interesave shtetërore dëme të rëndësishme dhe për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, duke kryer kështu krimet e parashikuara nga nenet 64, 72 dhe 73/1 të K.P.

Me Vendimin Nr.67 datë 25.3.1977 Gjykata e Rrethit Fier, e ka deklaruar të gjykuarin fajtor dhe në bazë të nenit 64 të K.P., e ka dënuar me vdekje me ekzekutim me pushkatim, në konfiskimin e pasurisë, heqjen e dekoratave dhe të së drejtat elektorale për pesë (5) vjet kohë, në bazë të nenit 72 të K.P e ka dënuar me vdekje me ekzekutim me pushkatim, me konfiskimin e pasurisë, heqjen e së drejtës elektorale për pesë vjet kohë dhe heqjen e dekoratave.

Në bazë të paragrafit të I-rë të nenit 73 të K.P. e dënon me 9 (nëntë) vjet heqje të lirisë. Përfundimisht duke bërë bashkimin e krimeve në bazë të nenit 48 të K.P., e dënon me vdekje me ekzekutim në pushkatim, e konfiskimin e pasurisë, heqjen e dekoratave dhe të së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, Detyrimin e të gjykuarit Xhavit Sallaku, që t’i paguaj N.SH.N.I Ballsh, shumën 299.984 lek.

Kundër këtij vendimi, ka bërë ankim i gjykuari, i cili ka parashtruar këto shfaqe për prishjen e tijë.

“Unë, akuzat për të cilin jam dënuar, nuk i kam pranuar për një kohë të gjatë, por nga dhuna fizike dhe psikologjike që më ka bërë hetuesi, i kam pranuar, gjëra të tilla nuk i kam bërë asnjëherë. Korrespondenca që unë kam bërë me gruan time, është e dënueshme, por ajo vërteton për pafajësinë time. Nuk është e vërtetë që unë të kem plotësuar detyrat e spiunazhit rus, nëpërmjet Piro Gushos. Dëmet që i janë shkaktuar veprës së Ballshit, janë bërë pa qëllim armiqësor, por nga pakujdesia. Konkluzionet e ekspertëve nuk janë të sakta, se ato janë mbështetur edhe në shpjegimet e mija të gënjeshtra.

Kontrolli i saldimeve në aparaturë rreze XII ultra, është bërë qysh në vitin 1973, në rezervuarët 11.000 ton, në saldimin e kolonave koksit dhe në saldimin e reaktorit dhe të gjeneratorit në 1974. Nuk janë të sakta dëmtimet e lumit Gjanicë. Në akt-ekspertizë thuhet se janë dëmtuar materiale me vleftë 77.000 lekë, sepse nuk kanë qenë ndërtuar magazinat. Kjo nuk është e vërtetë, se aq magazina sa ishin parashikuar janë përfunduar qysh në vitin 1972 dhe ato kanë qenë të mjaftueshme. Radha e ndërtimit të impianteve, është caktuar dhe marrë nga investitori. Investitori ka marrë magazinën për furnizimin materialo-teknik të objekteve kronologjike, gjë që nuk i ka realizuar duke filluar që nga viti 1973. Mund të sjellë prova që akoma ato edhe në vitin 1975, nuk ishin plotësuar. Përfundimisht kërkoj prishjen e vendimit dhe të dënohem për pohimet e mija të gënjeshtra”:

KËSHILLI GJYQËSOR I KOLEGJIT PENAL TË GJYKATËS SË LARTË

Pasi dëgjoi relacionin e anëtares Liri Gjoliku, mendimin e prokurorit Skënder Breca, që u shprehën për lënien në fuqi të vendimit dhe pasi shqyrtoi çështjen në tërësi,

VËREN

Është vërtetuar se i gjykuari Xhavit Sallaku, ka kryer krimin e tradhtisë ndaj Atdheut në formën e spiunazhit, ka agjituar dhe propaganduar për minimin dhe dobësimin e shtetit të diktaturës së proletariatit dhe me anë të sabotimit, ka dëmtuar bazën ekonomike të rendit tonë shoqëror, në masën 299.984 lekë.

Në kundërshtim me sa ka pretenduar i gjykuari Xhavit Sallaku, në kërkesat e tij ankimore, fajësia e tijë është vërtetuar në thëniet e dëshmitarëve Dhionis Çonçe, Xhavit Muharremi, Zenel Baho, Fejzo Bino, Pandeli Stroni, Rodolf Konomi, Spiro Sofroni, Hasan Hasani, Marko Malaj etj., në dokumenta, në korrespondencën që ai ka bërë me bashkëshorten e tija, Ira Sollaku, gjatë kohës që ka qenë në dhomat e izolimit, nga përmbajtja e të cilave del veprimtaria e tija armiqësore, në konkluzionet e ekspertëve teknik, ai edhe në pohimet e tija të plota, të bëra si gjatë hetimit, po kështu dhe gjatë gjykimit të çështjes.

Nga materialet që ndodhen në dosje dhe që i ka administruar gjykata, ka rezultuar e provuar, në vjetin 1949, ka shkuar për studime në Bashkimin Sovjetikm në qytetin e Leningradit dhe atje në vitin 1952 dhe atje është vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, nëpërmjet profesorit kujdestar Pavël Mihailloviç. Fillimisht ky i gjykuar, i ka dhënë Zbulimit Sovjetik të dhëna nga qëndrimi dhe mendimin që kanë patur studentët e huaj që studionin, bashkë me të, midis tyre ai ka denoncuar një student Korean, i cili ka thënë se Bashkimi Sovjetik, nuk i ka dhënë Koresë ndihmë të madhe, ashtu sikundër i kanë dhënë SHBA-ja, Koresë së Jugut.

Ai ka denoncuar një student mongol, i cili ka thënë se në Mongoli nuk ka mish, mbasi atë e merr Bashkimi Sovjetik etj. Në vitin 1955, i gjykuari është martuar me sovjetiken Ira Sallaku dhe në vitin 1954, është kthyer në Shqipëri ku ka punuar fillimisht inxhinier ndërtimi, pastaj drejtor kantieri /kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës, deri në vitin 1965, që atij i janë dënuar dy vëllezër, për tradhti ndaj Atdheut në formën e tentativës për t’u arratisur jashtë shtetit. Në vite, i gjykuari Xhavit, është transferuar si inxhinier ndërtimi në Kombinatin “Mao Ce Dun”, kurse në vitin 1968, K/ inxhinier i Ndërmarrjes së Ndërtimit Berat.

Nga viti 1954, që i gjykuari ka ardhur në Shqipëri e, deri në vitin 1960, të dhënat me karakter të theksuar sekret shtetërore, Zbulimit Sovjetik, ja ka dhënë ndërmjet agjentes Valentina Peza dhe këshilltarit të ambasadës sovjetike në Triranë, Novikov. Është vërtetuar se me mbarimin e studimeve dhe para se të kthehej në Shqipëri, i gjykuari Xhavit Sollaku, është takuar ne profesorin kujdestar dhe ai i ka vënë si detyrë që të dhënat që i duheshin Zbulimit Sovjetik në Shqipëri, do t’ja dorëzonte nëpërmjet Valentina Pezës dhe i gjykuari duke plotësuar me zell të madh kërkesat e spiunazhit sovjetik, në vitin 1957 dhe në vitin 1959, i ka dërguar profesorit kujdestar, si mbas porosisë që i kishte dhënë ky në Leningrad, të dhëna mbi punën që bënte ai dhe studentët e tjerë shqiptarë, që kishin studiuar atje.

Në vitin 1959, i gjykuari ka ardhur dhe vetë me një delegacion në Bashkimin Sovjetik dhe mbas mbarimit të delegacionit, ka qëndruar, për të kaluar lejen bashkë me gruan e tija. Po në këtë vit, i gjykuari është njohur në Tiranë, me këshilltarin e ambasadës sovjetike Novikovin, i demaskuar nga partia e jonë për veprimtarinë e tij subversive kundër vendit tonë, i lartpërmenduri i ka kërkuar të gjykuarit që të vazhdonte veprimtarinë e tija të spiunazhit në favor të Zbulimit Sovjetik. Me largimin e tija nga Shqipëria, Novikovi i ka dhënë porosi të gjykuarit, se lidhjet e mëvonshme me Zbulimin Sovjetik, do t’i mbante nëpërmjet një personi që do të paraqitej me pseudonimin “Selim Muço”.

Këtë të fundit i gjykuari do të njihej duke i dhënë parullën; “Ylli me pesë cepa, të përshëndet”, kurse i gjykuari do t’i përgjigjej: “Ezzeni të përshëndet”, dhe kështu është vepruar, në janar – shkurt 1962, të gjykuarin e ka marrë në telefon Piro Gushoja dhe i ka thënë se, duhej të takohej me të për një çështje strehimi, dhe kur i ka ardhur në zyrë, i ka thënë se ai është “Selim Muçoja”, i ka dhënë parullën dhe i gjykuari, kundërparullën dhe janë marrë vesh se të gjitha të dhënat që i interesonin Zbulimit Rus, këtej e tutje do t’ja dorëzonte këtij, i gjykuari kështu ka vepruar deri në vitin 1965, kohë në të cilën atij ju dënuan dy vëllezër, për krime kundër shtetit, me qëllim që të mos komprometohej armiku Piro Gusho!

Mbasi u shkarkua nga zv. kryetar i Komitetit Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit Tiranë dhe pasi është përjashtuar edhe nga Plenumi i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, i gjykuari është transferuar në Berat. Gjatë periudhës 1965-1968, i gjykuari është porositur nga Piro Gushoja, që të sillej mirë, të punonte e të kamuflohej sa më shumë, me qëllim që të fitonte besimin e të tjerëve, dhe të mos linte asnjë pikë dyshimi mbi veprimtarinë e tija.

Me armikun Piro Gusho, që në atë kohë ka qenë në Berat sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, i gjykuari është bërë edhe kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Ndërtimit Berat e, më vonë është transferuar në Tiranë në Ministrinë e Ndërtimit dhe me kërkesën e Piro Gushos, ka shkuar drejtor N.N.I. Ballsh. Gjatë viteve 1972-1975, i gjykuari Xhavit Sallaku, i ka dhënë armikut Piro Gusho, në mënyrë të vazhdueshme, të dhëna të rëndësishme mbi Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, si edhe mbi fazat, vëllimin e veprës që do të ndërtohej në Ballash, mbi numrin e punëtorëve, mbi kapacitetet e veprës, mbi pajisjet e kontratat e ndryshme që ishin nënshkruar me Republikën Popullore të Kinës, etj.

Armiku Piro Gusho, përveç të dhënave që i ka kërkuar të gjykuarit Xhavit, i ka dhënë porosi që gjatë veprimtarisë së tija si drejtor, duhej të bënte çmos që të sabotonte ndërtimin e veprës dhe të diskreditonte sa të mundte ndihmën vëllazërore që jepte R.P. e Kinës. I gjykuari Xhavit Sallaku, për t’ja arritur qëllimit të tija kundra-revolucionare, gjatë gjithë veprimtarisë së tija, ka përhapur frymën e liberalizmit me vartësit e tija. Ai ka stimuluar shthurjen dhe thyerjen e disiplinës gjatë punës dhe pronës socialiste. Nuk i ka zbatuar kërkesat e projekteve, por në kundërshtim me detyrat e caktuara i ka shkelur ato, ka përhapur metodat e vet-administrimit, duke përdorur materialet pa kritere dhe duke jua dhënë një pjesë kooperativës bujqësore. Me urdhrat e tija të kundra-ligjshme, janë shpenzuar pa kritere nga shpërdorime të fondeve të veprës, në masën 186.834 lekë, duke i përdorur këto për rikonstruksion ndërtesash, për ndërtime të banesave private etj.

Në vitin 1972, janë shpenzuar 66.229 lekë për tubacione të gazit për kaldajën e cila nuk ka përfunduar akoma dhe që nuk do t’i shërbej fare veprës. Ka zvarritur ndërtimet për një kohë të gjatë. Kështu, pasi u zvarrit për dy vjet kohë furra e gëlqeres në Aranitas, arritën shpenzimet që përfaqësojnë vetëm diferencë transporti të gëlqeres në masën 47.000 lekë, mbasi gëlqerja u muar nga Ura-Vajgurore. Nuk u bë si mbas projektit rruga Ballsh-Poçem, për tërheqjen e zhavorrit nga Mollasi, duke e marrë zhavorrin nga Çerveni dhe Qesarati, që ka qenë shumë larg dhe ka rritur koston në 332.500 lekë, ka shtruar pa aprovim të investitorit, rrugën Levan-Kallm-Kashisht, duke shpenzuar për këtë, shumën 232.365 lekë, etj.

Ka rritur koston e veprës, nga 251 milion që ishte parashikuar, në 325 milion lekë. Nga qëndrimi liberal ndaj punës, ai qëllimisht ka bërë që të humbasin 1.200 ditë pune, për thyerje të disiplinës dhe 2.720 dite pune për dhënie leje në rrugë të kundra-ligjshme. Kurse për mos respektin të kushteve teknike, ka ardhur një dëm prej 33.732 lekë nga punimi i ndërtimit, 12.902 lekë në punimet montimit dhe 136.922 lekë, vlefta e dëmtimeve që janë bërë gjatë punimeve në shtratin e Gjanicës.

Ai ka shpërdoruar pasurinë socialiste, duke ju dhënë tepër xhenerikëve 25.230 lekë, 12.146 lekë mekanizatorëve dhe 387 lekë, punëtorëve të asfalto-betonit. Ai me qëllim armiqësor, nuk ka ndërtuar magazinat për ruajtjen e pasurisë socialiste dhe si pasojë e kësaj veprimtarie, ka dëmtuar pasurinë socialiste në vleftën 77.425 lekë. Kanë lejuar të shiten materiale në rrugë të shtrembër dhe të mos dokumentohen hyrjet dhe daljet e mallrave, gjë që ka lejuar të vidhet dhe të shpërdorohet pasuria socialiste. Kështu i gjykuari, duke plotësuar detyrat e vëna nga Zbulimi Sovjetik, nën drejtimin e armikut Piro Gusho, ka. sabotuar në të gjitha drejtimet punimet e ndërtimit të veprës së Ballshit, ai me anë të shthurjes së disiplinës, të mos realizimit të planit, të dëmtimit të pasurisë socialiste, të mos zbatimit të kërkesave të kontratave, të shitjes në rrugë të shtrembër dhe në kundërshtim me ligjet e shtetit, të materialeve etj.

Përveç frymës të liberalizmit që ka përhapur i gjykuari dhe që ka ndihmuar atë për të realizuar qëllimet e tija armiqësore, ai ka përhapur dhe stimuluar shfaqje teknokratike. Si mbas pohimeve që ka bërë vetë i gjykuari dhe nga thëniet e disa dëshmitarëve, veçanërisht nga vërejtjet e punëtorëve, del se i gjykuari gjithmonë është udhëhequr nga teknokratizmi. Ai çdo veprime e ka parë me syrin e teknokratit, për këtë ai është mbështetur vetëm në njerëz intelektualë dhe me përbërje të keqe politike, bile edhe në të burgosurit politik që kanë punuar në vepër. Ai ka injoruar mendimet e masave dhe ashtu sikundër ka pohuar ai vetë, klasën punëtore e përçmonte.

Me anë të këtyre veprimeve, i gjykuari ka mundur të sabotojë dhe ta dëmtojë bazën ekonomike të rendit tonë shoqëror, në masën 299.984 lekë. Përveç krimit të tradhtisë dhe të sabotimit, i gjykuari ka kryer dhe krimin e agjitacionit dhe të propagandës kundër pushtetit popullor. Kështu ai me persona të ndryshëm, ka mburrur kursin politik që ndjekin revizionistë sovjetik, etj. Ka quajtur fajtorë Partinë tonë, për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera, ish-socialiste. Nga ana tjetër, i gjykuari Xhavit, duke vëne në zbatim detyrat e agjenturës sovjetike, ka punuar për ta përbuzur miqësinë midis popullit tonë dhe popullit të Kinës.

Siç shihet, i gjykuari Xhavit Sallaku, ka kryer tre vepra që paraqesin rrezikshmëri tepër të theksuar shoqërore. Rrezikshmëri të tillë paraqet dhe vetë personi i tija. Ky i gjykuar është vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, qysh nga viti 1951 e, deri në datën e arrestimit. Për një periudhë të gjatë ai ka mbledhur dhe i ka dhënë agjenturës si huaj të dhëna që paraqesin sekret, veçanërisht të madh shtetëror, që me veprimet e tija armiqësore, i ka sjellë dëme tepër të rëndësishme, si bazës politike, kështu dhe asaj ekonomike të rendit tonë shoqëror. Botëkuptimi i tija, ka qenë plotësisht botëkuptim borgjezo- revizionist. Ka të dënuar për krime kundër shtetit, dy vëllezër.

PËR KËTO ARSYE

Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në mbështetje të pikës së parë të nenit 315 të K.P.P.

VENDOSI

Lënien në fuqi të vendimit Nr.57, datë 25.3.1977, të Gjykatës Popullore të rrethit të Fierit

Ky vendin nuk mund të ekzekutohet, pa marrë i dënuari përgjigje për faljen e jetës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Tiranë, më 16.IV.1977. Memorie.al

ANËTARË ANËTARË KRYESUESJA

L. Gjoliku M. Hoxha E. Selenica

Historia e rrallë e një “vajze haremi” në shtëpinë e Kamber Backës, ish-kryetarit të Degës së Shkodrës që u dënua dhe s’doli kurrë nga pragu i derës deri ditën që vdiq!

Ka qenë qershor i vitit 1975, kur, si telekronist i Televizionit Shqiptar, më binte çdo vit të ngjitesha në Qafën e Martës, në festën tradicionale të zonës, ku shumë ngjarje historike, që nga koha e Lace Backës, Sali Butkës e deri në formimin e batalionit partizan “Riza Cerova” gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishin lënë në një ditë të vetme, më 22 qershor. Darkën, si gjithnjë, e kalova te miku im i paharruar, Jake Backa. Por atë ditë mua s’më duhej Jakja, atë e kisha “në dorë”, më duhej një njeri tjetër, për të cilin kisha dëgjuar histori interesante dhe mua, çuditërisht, më ishte shkrepur për ta takuar, patjetër.

Ishte vëllai i Jakes, i dënuar që në kohën e Koçi Xoxes. Kishte qenë një nga kuadrot kryesorë në Ministrinë e Brendshme në vitet e para pas çlirimit dhe me pas kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës.

Pas burgut e sollën në fshat, në Backë, ku gjeti një mënyrë të vetën kundërshtimi e karshillëku ndaj regjimit, u vetë-ngujua si një eremit dhe s’e kaloi kurrë portën e oborrit të shtëpisë, deri sa vdiq. Ishte kjo një sfidë ndaj asaj pune sfilitëse dhe pa rendiment, që bënin burra dhe gra në shpatet me bokërima të Backës e të Staraveckës, ku, po të mos kishte gjetur atë mënyrë të jetuari, do t’i kishte rënë bretku.

Gjysmë fshehurazi, shkova te Kamberi. Gjëja e parë që më bëri përshtypje në atë dhomë të thjeshtë fshati, ishte portreti me përmasa të mëdha (mundet 50×60) i një vajze të bukur, varur në murin përballë, në krah të portretit të Skënderbeut, vizatuar në xham me linja naive, që e gjeje rëndom në atë kohë, në shtëpitë e fshatarëve.

Kamberi, si e pa që s’po ia ndaja sytë portretit të vajzës, më tregoi historinë e mëposhtme, që mua mu duk si një përrallë orientale:

“Ka një histori të çuditshme nga prapa ky portret, ndaj e mbaj aty si një nga gjërat më të rralla e, më të veçanta që kam. E ka sjellë babai nga Turqia. Na thoshte se e kishte blerë shtrenjtë, dy muaj e ca punë, por qejfi, ndonjë herë, s’paguhet. Sipas llogarisë që bëj unë tani, ky portret duhet të jetë nga fundi i shekullit të XIX-të, kur kish dalë edhe fotografia.

Në një fushatë në Thesali, krahina ende nënë sundimin turk edhe pas Revolucionit Grek, në një fushatë pushtuese, një Vezir i shquar, komandant i ushtrisë perandorake, u kthye në Stamboll me fitore. I gëzuar dhe i fryrë nga krenaria, ai i paraqiti Sulltanit xhephanen (plaçkën e luftës), armë, florinj, gurë të çmuar dhe, pasi mbaroi, i tha sulltanit:

‘Padishah i madh dhe i përndritshëm! Këto që ke këtu përpara, janë hiç para një gjëje tjetër që do ta paraqes tani. Është një vajzë, besoj se më të bukur se ajo, perandoria jonë s’do të ketë tjetër. Do të ndriçojë e gëzojë haremin. E paç hallall’!

Pasi e prunë vajzën të shoqëruar nga një togë ushtarësh, e lanë disa minuta para Sulltanit, pastaj e nxorën para se ai të merrte vendimin. Të gjithë prisnin me padurim vendimin e të madhit. Më i paduruari, por edhe i sigurt në vetvete, se Sulltani s’do ta linte këtë xhevahir të rrallë jashtë haremit, ishte Veziri. Shenja e miratimit ishte që Sulltani, siç rrinte këmbëkryq nën tendë, do të shtrinte këmbën e djathtë, gjë, që për çudinë e të gjithëve, nuk e bëri. Pra vajza nuk u pranua në harem.

‘Të dija të mençur, o Vezir, por qenke budalla!- i thotë Sulltani Vezirit. Që ta marrësh vesh ti, po të fusja atë në harem, do të prishja haremin dhe mendjen bashkë, por mua më duhet edhe haremi edhe mendja. Ajo vërtet ia vlen dhe duhet të bëjmë diçka me të. Nxirreni në syrret dhe shpërndajeni miletit në Pazar, ta shijojë e të kënaqet me bukurinë e saj dhe ta kenë këtë kujtim nga unë’, – porositi Sulltani.

Që nga ajo ditë portreti i vajzës shitej në rrugët dhe dyqanet e Stambollit. Nuk jam i sigurt, por siç na thoshte plaku, thoshin se sulltani nuk e shpërdoroi figurën e kësaj vajze, të cilën e ktheu në fenë islame dhe emri iu shënua në sheriat si shenjtore”, – përfundoi tregimin Kamberi.

Iu luta Kamberit ta fotografoja portretin. Nuk më kundërshtoi, përkundrazi më ndihmoi ta hiqnim nga muri e ta nxirrnim jashtë në avlli, ku kishte më shumë dritë. U ndava për të mos u takuar më me këtë burrë fisnik e të zgjuar, me këtë thesar të gjallë e të heshtur, që s’munda t’i marr asgjë tjetër nga ajo “pasuri”, veç portretit dhe historisë, që ai ma tregoi mjeshtërisht. Memorie.al  Nga Zylyftar Hoxha

Radioja e Mikel Koliqit- Nga Kastriot Dervishi

Kardinali Mikel Koliqi ishte vëllai i Ernestit. Për hakmarrje ndaj vëllait që ishte një personalitet i emigracionit politik shqiptar, regjimi komunist e burgosi të përmendurin për 13 vjet (tri dënime më 1945, 1946-1950 dhe 1977-1986) si dhe e internoi për 23 vjet në vitet 1954 – 1977.
Në vitin 1977 Mikel Koliqi ishte 75 vjeç. Jetonte në një barakë në Gjazë. Kishte pasuri vetëm një radio dore dhe disa libra. Punëtori operativ i Sigurimit, shoku Kristaq (sot i amerikanizuar në Cris, në shërbim të “zbulimit amerikan” 😂) Pleqi që e kishte vazhdimisht në vëmendje, shihte rrezik të madh për regjimin te ky i moshuar. Ai organizoi më 6.4.1977 kontrollin në “banesë” (vendfjetje). Sapo pa radion e dorës, markë japoneze, për të gjetur se ku ishte vendosur dëgjimi, e ndezi dhe zbuloi “stacionin e Italisë”, me të cilin do ta akuzonte për agjitacion e propagandë”. Nuk kishte fund ligësia.

Die Transvaler (1979) Pas një qëndrimi të përkohshëm në Rodezi (Zimbabwe), familja mbretërore shqiptare mund të ekzilohet në Afrikë të Jugut

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  29 Maj 2025

Die Transvaler” ka botuar, të hënën e 5 shkurtit 1979, në faqen n°2, një shkrim rreth ekzilit të mundshëm asokohe të familjes mbretërore shqiptare në Afrikë të Jugut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbreti në ekzil ndoshta në Afrikën e Jugut

Salisbury — Mbreti në ekzil i Shqipërisë Leka kaloi fundjavën këtu në një suitë në një hotel pas udhëtimit të tij të gjatë nga Spanja.

Gruaja e tij dhe një grup prej rreth 12 personash, përfshirë një princ kinez — Princi Wong — e shoqëruan atë në Rodezi.

Drejtuesi i hotelit z. George Lehman tha dje se në këtë fazë nuk do të ketë asnjë deklaratë nga mbreti 39-vjeçar, babai i të cilit, Mbreti Zog, u rrëzua nga froni në vitin 1939.

Shqipëria tani drejtohet nga komunistët dhe mbreti Leka u ka treguar atyre për betejën kundër një ushtrie çlirimtare që lëviz nëpër këtë vend të vogël ballkanik.

Mbreti Leka, miku i Ministrit të Punëve të Jashtme të Rodezisë, z. P. K. van der Byl, mbërriti këtu nga Spanja të enjten mbrëma, pasi u dëbua sepse posedonte armë.

Gjuetia

Z. Lehman tha se Mbreti Leka madje ka qëndruar në suitën e tij për të ngrënë. “Aranzhimet e sigurisë janë përgjegjësi e ekipit menaxhues të hotelit dhe njerëzit nuk lejohen të afrohen pranë tij”, tha z. Lehman.

Mbreti ka vizituar Rodezinë disa herë në të kaluarën dhe tashmë është takuar disa herë me z. Van der Byl ku kanë vajtur për të gjuajtur gjahun e madh.

Zëdhënësit thanë dje se mbreti nuk kishte ndërmend të qëndronte në Rodezi pafundësisht dhe se kishte spekulime se ai mund të udhëtonte në Afrikën e Jugut.

Mbreti Leka — 2.06 m i gjatë — udhëton me një pasaportë të qeverisë shqiptare në mërgim të lëshuar nga vetë ai. Ai e shpalli veten mbret kur babai i tij, Mbreti Zog, vdiq në mërgim në vitin 1961, 22 vjet pas largimit nga Shqipëria, pak para se italianët të merrnin pushtetin. — Sapa-R.

 

“Ndeshja me Jugosllavinë u humb, edhe për situatën e krijuar, pasi ai takim u trajtua më shumë në aspektin politik, se sa sportiv…”/ Dëshmia e rrallë e ish-futbollistit të kombëtares, për takimin e ’68-ës

Nga Uvil Zajmi

Në vijim të udhëtimit tonë me ekipin kombëtar të futbollit për Eliminatoret “Euro ’68”, dhe drejt sfidës historike të 17 dhjetorit ’67 ndaj Gjermanisë Federale në Tiranë, ndalesa e radhës është përballja Shqipëri-Jugosllavi, më 14 maj të atij viti, një sfidë krejt ndryshe me atë të Dortmundit, luajtur një muaj më parë: Tejet delikate, impenjative, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe shumë në atë politik, një ndeshje që nuk duhej humbur dhe ky kusht kërkohej medoemos. Për këtë ishin angazhuar të gjithë, nga stafet teknike, futbollistë, deri te drejtuesit e lartë të shtetit, madje edhe publiku i pranishëm në stadium.

Por, si u zhvillua ajo, cila ishte prag-sfida, si e kujtojnë atë protagonistët që zbritën në “Qemal Stafa” të dielën e asaj dite maji, të një gjysmë shekulli më parë? Si e rikthen Niko Xhaçka atë 90-minutësh, nisja nga Durrësi direkt për në ndeshje dhe orientimi, për të mos i dhënë dorën kundërshtarit? Apo dueli Frashëri-Xhaiç, i paharruar për kohën, dhe këngët revolucionare që u kënduan në stadium?

HISTORIA E SHKURTËR E PËRBALLJES

Ky ishte takimi i parë midis dy përfaqësueseve në një eveniment kaq madhor europian, pas ndeshjes së zhvilluar në Tiranë për Ballkaniadën e 1946-ës, Shqipëri-Jugosllavi 2-3, asaj pas një viti, po në Tiranë, Shqipëri-Jugosllavi 2-4 dhe Shqipëri-Jugosllavi, 0-0, në Beograd më 27.6.1948, për Kampionati e Europës Qendrore. Pas njëzet vitesh, një përballje e tillë e sërish në “Qemal Stafa” dhe nga ’46-ta, ishte prezent vetëm Loro Boriçi, kapiten i kombëtares, kampione të Ballkanit, tashmë trajner i përfaqësueses, si dhe Ratko Mitiç, futbollist i njohur, titullar në dy takimet e tjera ndaj Shqipërisë, edhe ky trajner i kombëtares jugosllave, në këtë ndeshje.

Madje, midis tyre kishte edhe miqësi. Ajo, që e kishte paraprirë këtë përballje, mbetej vetëm Ballkaniada në basketboll, zhvilluar në Tiranë në dhjetorin e ’65-ës, në veçanti sfida përcaktuese për trofeun, Shqipëri-Jugosllavi, (Në Pallatin e Sportit “Partizani), që u zhvillua me një rivalitet, e fituar me katër pikë nga jugosllavët, në sekondat e fundit.

PRAG-SFIDA, SITUATË E TENSIONUAR

Prag-sfida ka si start festën e 1 Majit. Manifestimin e Madh Fiskulturalo-Sportiv të Rinisë së kryeqytetit që zhvillohet në stadiumin “Dinamo” më datën 9 maj, ku ishte i pranishëm edhe udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha. Pastaj përgatitjet për Kongresin e Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Natyrisht, situata politikisht është e nderë, ndonëse marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, të ndërprera në ’48-tën, janë rivendosur në ’55-ën, por në vite situata nuk ka ndryshuar, madje momente tensioni, tentojnë të shfaqen edhe në atë takim futbolli.

Ishte koha kur në Shqipëri kishte filluar një “revolucion” i ngjashëm me atë kinez, i shoqëruar me ashpërsimin e luftës se klasave, vendimin për ndalimin e besimeve fetare, luftën kundër burokracisë, qarkullin e kuadrit etj. Stadiumi është i mbushur disa orë para takimit dhe Tirana e, gjithë Shqipëria sportive, e prisnin me kuriozitet e padurim të madh këtë takim, me shpresën për një rezultat pozitiv. Kjo vinte edhe nga motivimi i lojtarëve, fusha dhe spektatori, si element mbështetës, por edhe nga barazimi 1-1 me Irlandën e Xhorxh Bestit, në nëntorin e ’65-ës në “Qemal Stafa”. Në aspektin statistikor, kjo ishte ndeshja e dhjetë që zhvillonte skuadra kombëtare, në një kompeticion zyrtar europian.

PAS GJERMANISË FEDERALE, NDRYSHON FORMACIONI

Pas ndeshjes dhe humbjes në Dortmund, me rikthimin e skuadrës në Shqipëri, vijohet me ndeshjet e Kupës së 500-vjetorit të “Skënderbeut”. Në takimin me Jugosllavinë, trajnerët Loro Boriçi e Lym Alla, ruajnë bazën, me “Partizan” – “17 Nëntorin”, me të cilët janë edhe Koço Dinella i “Dinamos”, Zan Rragami i “Vllaznisë”, Todo Vaso i “Skënderbeut”, e, Jorgaqi i “Labinotit”. Skuadra është grumbulluar në Durrës, në Konvaleshencën, në plazh, ku përgatitet për ndeshjen. Por formacion anti-jugosllav, ka disa ndryshime: nuk aktivizohen Skënder Hyka e Bahri Ishka të “17 Nëntorit” e, Sabah Bizi i “Vllaznisë”, në gjendje shëndetësore jo të mirë.

Në skuadër rikthehen kapiteni Lin Shllaku e, Medin Zhega, ndërsa surprizë është riaktivizimi i Lorenc Vorfit, sulmuesi i djathtë i “Dinamos”, protagonist në takimet e Kupës Ballkanike, një lojtar “robust”, i fortë. Bashkë me të edhe Niko Xhaçka, rikthehet në formacion, një sulmues krahu edhe ky i “17 Nëntorit”, që shquhet për formë të mirë, me detyrë të ndalojë daljet në sulm të Fazllagiçit. Atë javë nuk luhet Kupa e 500-Vjetorit dhe në faqet sportive, nuk ka publicitet të veçantë për këtë takim. Në prag të takimit, gjendja në grupin e 4-t, i vetmi me tri skuadra, (nga tetë grupet e tjera) është: Republika Federale Gjermane dhe Jugosllavia me 2 pikë, Shqipëria, 0 pikë.

JUGOSLLAVIA, SKUADËR E FORTË

Skuadra jugosllave erdhi në Shqipëri, pasi kishte triumfuar 1-0 një javë më parë ndaj Republikës Federale Gjermane, një ndeshje e zhvilluar në Beograd, ku me një gol të Josif Skoblar, kishte mundur 1-0 Gjermaninë. Me këtë formacion: Panteliç, Fazlagiç, Jusufi, Brnçiç, Rasoviç, Holcer, Meliç, Becejak, Hasanagiç, Skoblar, Xhaiç. Ndërsa për takimin ndaj Shqipërisë, trajneri Rajko Mitiç, kishte marrë të tjerë lojtarë, duke ndryshuar thuajse gjysmën e skuadrës: Nuk vijnë portieri Pantelic i “Vojvodinës”, Fahrudin Jusufi i “Eintraht”, Mustafa Hasanagiç i “Partizanit” dhe Josip Eskobar i “Olimpik” Marsejës. Për ndeshjen e Tiranës, ai merr portierin e “Radnickit”, Knezeviç, që vetëm në atë takim luan me kombëtaren, Becejak, Petar Nodovezën e “Hajdukut”, Stefan Lamza të “Dinamos” së Zagrebit dhe Zlaven Zambata, sulmuesin e “Dinamos”, fitues i Kupës së Panaireve, me këtë klub.

Skuadra jugosllave ishte nënkampione e Europës, në edicionin e parë, atë të vitit 1960: Pasi kishte eliminuar Francën në gjysmëfinale 5-4 (konsiderohet ndeshja më e bukur e historisë së futbollit jugosllav), humbi 2-1 finalen me Bashkimin Sovjetik. Në edicionin e Botërorit 1962, shkon deri në gjysmëfinale, ndërsa në eliminatoret e “Euro 1964” nuk arriti të kualifikohet. Skuadra ka në përbërje sulmuesin e majtë, Dragan Xhaiç të “Cervena Zvezdës”, që në fazën finaleve “Itali ’68”, do të ishte shënuesi më i mirë, duke qenë i treti i “Topit të Artë” në atë sezon, pas Xhorxh Best e Bobi Çarlton.

NDESHJA, NJË I NXEHTË TROPIKAL

Takimi u zhvillua në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, të tejmbushur, në mesditën e nxehtë të së dielës së 14 majit 1967. Në stadium ishte vendosur një baner i madh ku shkruhej: “Të gjitha votat për kandidatët e frontit”, që do të zhvilloheshin në ditët e para të qershorit. Para fillimit, gjatë kohës që skuadrat janë duke bërë nxehjen, në tribunën anësore nga kodrat e liqenit, në një podium të improvizuar, këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare, këndojnë këngë revolucionare, për të elektrizuar atmosferën. Altoparlanti buçet me tingujt e këngës; “Në njërën dorë kazmën/ atdheun ndërtojmë,/ në dorën tjetër pushkën,/ fitoret i mbrojmë”, por që kjo formë u kritikua nga tribuna qendrore.

Në ora 16:00, skuadrat dolën në fushë me këto formacione:

SHQIPËRIA: Mikel Janku (“Partizani”), Fatmir Frashëri (“17 Nëntori”), Teodor Vaso (“Skënderbeu”), Justin Kazanxhi (“17 Nëntori”), Ali Mema (“17 Nëntori”), Ramazan Rragami (“Vllaznia”), Lin Shllaku (“Partizani”), Lorenc Vorfi (“Dinamo”), Panajot Pano (“Partizani”), Mehdin Zhega (“Dinamo”), Niko Xhaçka (“17 Nëntori”). Trajner: Loro Borici.

JUGOSLLAVIA: M. Knezeviç (“Radnicki”), M. Fazlagiç (“FC Sarajevo”), M. Brnçiç (“Dinamo” Zagrebit), V. Becejaç (“Partizani” Beograd), B. Rasoviç (“Partizani” Beograd), D. Holcer (“Hajduk” i Splitit), V. Meliç (“Sosho”), P. Nadoveza), Z. Zambata (“Dinamo” Zagreb), S. Lamza (“Dinamo” Zagreb), D. Xhaiç (“Cervena Zvedza” Beograd). Trajner: Rajko Mitiç.

Gjyqtarë: C. Xanthoulis (Qipro), S. Mavrojenis, A. Kuniaides.

GOLAT: Zambata 22′, 54′

Kronikë: Ndonëse pritej që Xhaiç, ndër lojtarët më në formë, në vitet e shpërthimit, të ishte protagonist, ndëshkimi erdhi nga një lojtar i panjohur, si Zlaven Zambata, sulmues i “Dinamos” së Zagrebit, i aktivizuar në këtë ndeshje nga trajneri Mitiç, i cili realizoi dy herë me kokë nga afër, pas dy harkimeve nga krahët, në minutat 22 e 54.

Ndërkohë, gazeta “Sporti Popullor” e të martës vijuese (jo si ndaj Gjermanisë, kur kujtohet të shkruajë pas dy javësh!), pa autor, por me “Korrespodent vullnetar”, publikon artikullin me titull; “Lojë e dobët e ekipit tonë përfaqësues”, i cili është shumë kritik ndaj lojës, paraqitjes së lojtarëve të kombëtares, që kanë zhgënjyer interesimin e publikut. Vetëm në një rast në fund-lojë, minuta 86, Zhega ka depërtuar në zonë, topi është ndaluar me dorë nga mbrojtësi Brnçiç, por arbitri ka dhënë goditje dënimi jashtë zone!

Ndërkohë, ndeshja u transmetua si zakonisht nga Radio-Tirana dhe u komentua nga Anton Mazreku e Ismet Bellova, ndërsa është dhënë edhe nga Qendra Eksperimentore e Radio-Televizionit, nën komentin e Alfons Gurashit, pasi Skifter Këlliçi në atë periudhë, ishte transferuar me punë në Berat. Pas dy ndeshjeve, renditja ishte: Jugosllavia 4 pikë; RF Gjermane 2 pikë dhe Shqipëria 0 pikë. Takimet e radhës ishin: 7 tetor, RF Gjermane-Jugosllavi; 12 nëntor, Jugosllavi-Shqipëri dhe 17 dhjetor, Shqipëri-RF Gjermane. Në Shqipëri, aktiviteti futbollistik rifillonte me fazën e dytë të kampionatit, që kishte si epilog përjashtimin e “17 Nëntorit” e “Partizanit”, me “Dinamon” kampione në tavolinë. Por, edhe me Kinën e madhe të Mao Ce Dunit, që ka lëshuar në hapësirë bombën me hidrogjen, një sukses i madh ky edhe për Shqipërinë mike!

Niko Xhaçka: Byroja na tha të mos jepnim as dorën

Lojtar tipik i shpejtë krahu, driblues, titullar e protagonist me numrin 7 te “17 Nëntori”, Niko Xhaçka i rikthehet sfidës me Jugosllavinë, në të cilën ka luajtur me numrin 11. Në një intervistë ekskluzive për ne, ish-futbollisti i shquar, tregon disa nga detajet pikante të asaj ndeshjeje, të një tensioni të madh.

Zoti Xhaçka, pse do ta fillosh nga Roma?

Sepse ka një detaj historik: Nga Gjermania, mbërritëm në Romë dhe skuadra u sistemua në hotel “Siracusa”, afër stacionit Termini. Të nesërmen në mëngjes, trajneri Alla dhe përgjegjësi i ekipit, Besim Fagu, kërkuan të takohen me Naim Kryeziun, ish-futbollisti i kombëtares shqiptare i periudhës së para vitit 1944, që kishte luajtur me ekipet italiane. Pas pak ata u takuan në hollin e hotelit, ku isha i pranishëm edhe unë, pasi Lymi më mori si lojtar krahu, ashtu siç luante edhe Kryeziu, te Roma. Qëndruan aty, pastaj u larguan së bashku, ndërsa ne futbollistët, kujtoj se dikush pa derbin “Lacio” – “Roma”, të tjerë shkuan në kinema. Kur u kthyem në Tiranë, takimi me Kryeziun u bë problem, pasi drejtuesve të shtetit, nuk u kishte pëlqyer ky takim, që siç flitej kishte të bënte edhe me mosardhjen e Kryeziut e Lushtës, në Ballkaniadën e ‘46- ës.

Ishte Boriçi që të riktheu në skuadër?

Pas humbjes me Zvicrën, u dha një orientim për të marrë në skuadër lojtarë të fortë fizikisht, më me eksperiencë, ndaj e pësuam ne, që konsideroheshim të rinj, kjo vetëm për dy takimet në Zvicër dhe Irlandë. Më larguan mua, Vorfin dhe Kasmin, por me marrjen e kombëtares, Boriçi na riktheu në formacion, duke më aktivizuar në dy sfidat e radhës në Dortmund e Tiranë. Nuk e di edhe sot, se si Boriçi më afroi mua, sepse dihej mentaliteti i Boriçit, për futbollistët shtatshkurtër…! Kryesisht preferonte lojtarët me fizik të gjatë, e të fortë.

Pas Gjermanisë, tjetër humbje…?!

Po të shohësh takimin në Dortmund, nga ana cilësore, kemi luajtur mirë dhe nuk ishte një lojë mbrojtëse. Kam mendimin se aty u gabua në disa vendosje taktike. Edhe për një fakt: Gjatë qëndrimit në Dortmund, na vinin telegrame të panumërta, të cilat na i lexonin, ku të gjithë shprehin dëshirën dhe shpresën për një rezultat pozitiv duke krijuar një situatë psikologjike jo normale. Ndërsa ndeshja me Jugosllavinë, u humb për mungesë eksperience, pa shumë takime ndërkombëtare, edhe për situatën, një takim i cili u trajtua pak më shumë në aspektin politik, se sportiv.

Çfarë u fol për taktikën?

Jugosllavia ishte skuadër shumë e fortë dhe kishte diferencë me ne, që ishim të ngurtësuar, madje nuk erdhëm një ditë më parë te “Donika”, siç ishte tradita, pasi skuadra u mbajt larg kryeqytetit. Edhe gjatë analizës, pas Boriçit foli Zyber Konçi, për mënyrën si luante kundërshtari, pasi si punonjës i FSHF-së, kishte ndjekur takimin Jugosllavi-Gjermani, 1-0. Për në stadium jemi nisur direkt nga Durrësi. Unë kam luajtur kundër kapitenit Fazllagiç, lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, aktiv sidomos me daljet në sulm. Nga ajo ndeshje kujtoj përballjen Frashëri-Xhaiç, e paharruar, sidomos loja e këtij të fundit, një futbollist, fama e të cilit sapo kishte shpërthyer dhe e kërkonin klubet prestigjioze në Europë.

Cila ishte atmosfera në prag të asaj ndeshjeje?

Kujtoj se në Konvaleshencën e Ushtrisë në Durrës, kanë ardhur për të na takuar sistematikisht drejtues të lartë të shtetit, deri anëtarët e Byrosë Politike, si Ramiz Alia. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm edhe për vetë marrëdhëniet politike që ishin në ato vite. Nuk harroj kur na këshilluan: Nuk duhet të keni asnjë kontakt me ta, mos pranoni dhënien e dorës në fund të ndeshjes. Por kur ajo mbaroi, Fazllagiç erdhi drejt meje dhe më zgjati dorën. Hezitova për një çast, hodha vështrimin nga tribuna dhe kur pashë që njerëzit po largoheshin, u përshëndeta duke i dhënë dorën, por me frikë. Në atë takim, në tribunën qendrore ishin thuajse të gjithë drejtuesit e shtetit, me përjashtim të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut.

Zoti Xhaçka, kjo ishte e fundit për ju?

Po, pasi në shtator më mobilizuan në zborin 6-mujor pasuniversitar në qytetin e Burrelit. Vetëm një muaj kam luajtur në Kategorinë e Dytë. Kjo më dëmtoi në karrierën time, si me “17 Nëntorin” edhe me kombëtaren, pasi isha në formë dhe qëndrimi pa luajtur, por duke shërbyer si efektiv i Repartit të Këmbësorisë Burrel, ndryshoi të ardhmen time si futbollist. M’u desh një kohë e gjatë të rifitoja atë që kisha humbur gjatë një gjysmëviti, pa aktivitet. Memorie.al

 

Lufta e vitit 1920- Si hoqi dorë Roma nga sovraniteti i Vlorës – Çfarë parashikonte protokolli shqiptaro-italian më 2 gusht

AGIM JAZAJ/ Në kujtesën e kombit, me kujtesë, dhe në faqet e historisë, mbeten të gdhendur edhe 400 luftëtar që ranë për çlirimin e Vlorës, të vitin 1920, mbetur të përjetshëm, për aktin atdhetar, ëndërrimin e tyre; shenjtërimin dhe jo shëmtimin e atdheut; atdheun e shenjtë dhe të shtrenjtë. *atdhetari, mëndje ndrituri, dhe pendëarti; Mid’had Frashëri: shënon fort në historinë e Shqipërisë dje, dhe për të nesërmen: “Vlorë, një emër paskëtaj, me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme.

 

Dy data: 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri më të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë”. 105 vite më parë, më 5 qershor të vitit 1920, nisi lufta e Vlorës e vitit 1920, përballë ushtrisë së organizuar italiane, e cila kishte të vendosur në Shqipëri dy divizione. Përballë asaj ushtrie, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare, duke përmendur edhe numrin e tyre, me rreth 4 mijë luftëtar. Dhe aksioni i nisur për çlirimin e Vlorës. Më 5-6 qershor u sulmuan njëherazi, të gjitha garnizonet italiane, të përqendruara, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Dhe në vijim të operacioneve, sulmeve më; 11 qershor të vitit 1920, nisi sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe të rrethinave.

KUVENDI I BARÇALLASË

Në këto rrethana përfaqësuesit më të mirë, trimat dhe atdhetarët e popullit të Vlorës, Tepelenës e Mallakastrës, duke pasur edhe përkrahjen e gjithë popullit shqiptar, u mblodhën në Barçalla- Dukat, më 3 qershor të vitit 1920, nga ku u morën vendime të rëndësishme, përballë gjeneralëve me spaleta, u ngritën gjeneralët, atdhetarë nga e gjithë treva e Labërisë, Vlorës dhe jo vetëm, me “diplomën” e atdhedashurisë dhe të së vërtetës, për të mbrojtur nderin, dinjitetin, truallin amtar. Në atë kuvend burrash, atdhetarësh, u zgjodh një këshill prej 35 anëtar, nga i cili u zgjodh dhe komandant i Luftës: Ahmet Lepenica, i cili pas 6 ditësh dha dorëheqjen dhe vendin e tij e zuri Qazim Koculi. Shtabi, gjithashtu, zgjodhi edhe komandantët e luftës, i përbërë prej 12 anëtarësh:

1-Osman Haxhiu, Vlorë
2-Qazim Kokoshi, Vlorë
3-Azbi Cano, Mavrovë
4-Alem Mehmeti, Tragjas
5-Hamit Selmani, Dukat
6-Beqir Agalliu, Vlorë
7-Duro Shaska , Kocul
8-Murat Miftari, Tërbaç
9-Ali Beqiri, Velçë
10-Hysni Shehu, Sevaster
11-Myqerem Hamzaraj, Kaninë
12-Sali Bedini, Armen

Vendimi për nisjen e Luftës së Vlorës, u mor në; “Kuvendin e Barçallasë”- Dukat, i mbajtur më 29 maj 1920. Kuvend, i cili zgjodhi për drejtimin dhe vazhdimin e luftës; “Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare”, me kryetarin e tij; Osman Haxhiu.

KUVENDI I BEUNIT

*Lufta e Vlorës, e vitit 1920 kulmon në historinë e popullit shqiptar, e organizuar dhe të bashkuar nga patriotët më në zë të kohës, njerëzit e dijes, të pushkës dhe të haberit, të cilët u mblodhën dhe vendosën pas Barçallasë në; Beun të Vajzës në; “Kuvendin e Beunit”:

“Në Beun kur u mlodh,
Dymbëdhjetë komision…

Dhe “Kuvendi i Beunit” i mbledhur nën kreshtat e malit “Tartar” mbi kurorën e fshatit Vajzë, më 2 qershor të vitit 1920, nga paria e Labërisë, Vlorës dhe me gjerë, nën kryesimin e patriotit të shquar Osman Haxhiu, vendosën njëzëri për t’u ngritur në luftë i gjithë populli, për të hedhur në det okupatorin, për të çliruar Vlorën.

Në të dy këto Kuvende, u përcaktuan detyrat për ç’do fshat e krahinë. Aty u zgjodhën dhe drejtuesit kryesor, komandantët që do të organizonin e drejtonin veprimet luftarake, në ç’do zonë, në luftën çlirimtare, të pabarabartë.

Në këto kushte, më 20 maj të vitit 1920, u krijua “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”. Dhe më 3 qershor 1920, ky komitet lajmëroi dhe zhvilloi mbledhjen e “Beunit”, e shënuar në histori si; “Kuvendi i Beunit”. Kuvendi vendosi të merrnin pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës nga një person për çdo familje. Aty ku dhe u morën vendime të rëndësishme për të çliruar vatanin, nga pushtuesit fashist. Komiteti Kombëtar nën drejtimin e patriotit të shquar, Kryetarit të këtij Kuvendi; Osmën Haxhiu, dhe nën komandën e komandantit të Luftës; Ahmet Cane Lepenica, dhe Komiteti Kombëtar i përbërë nga trimat, luftëtarët dhe dijetarët, nga gjithë treva e Labërisë, Vlorës dhe jo vetëm, por dhe nga Tepelena, po vendosnin fatet e vendit. kudo, bijtë e shquar që nga; Rrapo Çelo, e Kanan Maze, Sado Koshena e Hysni Shehu, Sali Murati e Zigur Lelo, Selam Musai etj, vendosën dhe u hodhën në Luftën e Vlorës, në vitin 1920. Dhe në vijim; “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”, i dërgoi ultimatumin komandantit të forcave pushtuese italiane: Setemio Piaçentinit:

“Ultimatum te Piaçentini,
E çoi Mehmet Selimi”…
Mehmet Selimi- ish bir i Mallkeqit

Në ultimatumin formulohej: “Sot populli shqiptar, i bashkuar më shumë se kurrë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti, nëpër pazaret e Evropës, si shpërblim i ItaloGrekëve-Serbëve”. Dhe vendosi të marë armët. Ultimatumi kërkonte përgjigjen, brenda datës 4 qershor të vitit 1920. Në mbarim të kohës së Ultimatumit, më 3 qershor 1920, trupat vullnetare u ndan sipas planit të “Komisionit të Luftës”. Duke u gdhirë e diel, 5 qershor i vitit 1920, nisi lufta e popullit, e vegjëlisë, lufta e shënjtë patriotike, kundër qendrave ushtarake të vendosura në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Llogora, Jonufër.

RANË KOMITA NË KOTË…

Në krye të krahinës së Kudhësit, si udhëheqës e komandant, u caktua Rrapo Çelua. Thirrjes patriotike të Rrapo Çelos, për t’u ngritur në luftë kundër pushtuesit iu përgjigjën, i pari: Kanan Maze me burrat e djemtë e fshatit Shkozë, Mehmet Fegë Xheliliaj me ata të Dushkarakut, Rexhep Sulejmëni, me ata të Vajzës, si dhe gjithë çetat e fshatrave: Sevaster, Mazhar, Golimbas e me radhë, nga gjithë krahina e Kudhës Grehotit. Më 2 qershor të vitit 1920, batalioni i Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, u nis për në Beun. Në këtë mbledhje historike, ku foli kryetari i Mbrojtjes, Osmën Haxhiu, i cili iu drejtua vlonjave dhe jo vetëm me thirrjen: “Duke filluar nga ky moment, ne i shpallim Luftë pushtuesit italian, që na ka zaptuar me forcë Vlorën, Sazanin, trojet tjera nga: Tepelena, Kota, e Himara”. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë kuvend u betuan: “Të vdesim për dhenë e shtrenjtë, të vdesim për Mëmëdhen”! Si rezultat i këtyre betejave, repartet xheniere dhe postat e karabinierisë, u spastruan, ku ishin të instaluara në fshatrat; Sevaster, Dushkarak, Vajzë, etj.

Beteja për shparatallimin e garnizonit të Kotës nga dhe nisi, e skalitur në vargje:

Ranë komita në Kotë,
Komita në Kotë ra,
Si në Kotë edhe më poshtë,
Majë vreshtave të mëdha,
Çeta Kudhës po luftonte,
Me drejtim për në Kala,
Vallë kush i komandonte,
Rrapo Çelua nëpër ta…
Përpara portës me bojë,
Vritet Zigur Leloja
Bravo djemtë e smokthinjote,
U vranë u bënë lakëra,
Bolenës hallall i qoftë,
Pë ata trima që dha!

Vargjet na çojnë larg dhe na sjellin të afërt figurat e patriotëve, të atyre burrave që e donin vatanin, shitën pasurinë për të bërë Shqipërinë, antitezë e këtyre që: Grabitën Shqipërinë, për të vënë pasurinë…

“Vlorë copëza stërralli,
Të ndrin shtati, të qesh balli”…

Vargjet e poetit Ali Asllani, më thotë miku im i pendës Kristo Mërtiri, u tromaksin gjumin mëkatarëve sot, i ndjekin pas, edhe në botën tjetër, do mbeten pa varr…

Koha dridhet e përdridhet,
Prej gradimit katër shkallë,
Nuk do mbetet gjë në dorë,
Vëçse vulë’ e zezë në ballë…

Një ndër Patriotët, udhëheqësit dhe luftëtarët e kësaj lufte: Rrapo Çelo- Kudhësioti, me çetën e tij të krahinës së Kudhësit, në këtë epope, la pas për brezat, epopenë e tij….

Jeta e tij, nëpërmjet veprës, i kapërceu kufijtë e fshatit, krahinës duke u bërë një figurë e madhe e kazasë, krahinës së “Kudhës Grehotit”, të Labërisë, Vlorës, dhe të vendit, duke i rezistuar dhe apeluar kohës…

Në moshën 24 vjeçare, në momentet më të vështira të atdheut, kur plaku i mençur, diplomati i Vlorës, Ismail Qemali, luftonte nëpër Europë, për të ngritur shtetin shqiptar, për të njohur kufijtë e Shqipërisë, Rrapo Çelua ndiqte me shumë vëmendje, gjithë evenimentet historike, reagimin e shteteve të mëdhenj dhe përkrahjen që i jepnin prijësit e Pavarësisë Kombëtare. Rrapo Çelua sqaronte: “Së shpejti do të vijë dita të njihen kufijtë e vendit tonë. Edhe ne do të kemi shtetin tonë, Flamurin Kombëtar, që mbajti Skënderbeu lart për 25 vjet luftë”.

Në ditët e para të nëntorit të vitit 1912, me 300 djem e burra të krahinës së Kudhësit, të organizuar në repartin luftarak, nën komandën e tij, mbërrijnë në Vlorë, për t’i dalë përpara ç’do të pa priture, në mbrojtje të Qeverisë të sa po krijuar të Ismail Qemalit.

Bashkë me popullin e Vlorës, dhe të krahinave të tjera të vendit, pritën me gëzim e krenari ardhjen e Ismail Qemalit, nga Durrësi.

Me shpalljen e pavarësisë, ngritjen e flamurit në Vlorë dhe krijimin e qeverisë provizore, Rrapo Çelo dhe trimat e tij, kudhësiot u vunë në mbrojtje të kësaj qeverie të brishtë, qëndronin në gatishmëri për të bërë ç’do sakrificë. Rrapo Çelua dhe shumë burra të tjerë të krahinës, u ngritën më këmbë, rrëmbyen dyfekët, kur forcat greke zaptuan pabesisht Korçën dhe Gjirokastrën dhe mbërritën në Tepelenë e Kurveleshin e Poshtëm. Komiteti i Mbrojtjes në Beun, të Vajzës dha objektivat dhe objektet e sulmit për ç’do çetë, fshat e krahinë.

SHPARTALLIMI I PARË, I GARNIZONIT TË KOTËS

Për Çetën e Kudhësit u caktuan si objekt (nisja e betejës) shpartallimi i Garnizonit të Kotës, si një rajon i rëndësishëm që lidhte, Vlorën me Tepelenën dhe grykën e Mesaplikut, i cili mbrohej me një regjiment fanterie, nga 150-200 trupa. Komanda e garnizonit armik të Kotës, pas ultimatumit, dorëzuar nga Mehmet Selimi, e përfshirë në panik, i përgjigjet dhe kënga e gdhendur:

“Telatë po ven e vinë,
Punon Kota me Kaninë,
Gjenerali me Zabinë,
Se shqiptarët errinë…

Më 4 qershor të vitit 1920, pas organizimit të forcave të krahinës së Kudhësit, ku u përfshinë djemtë trima të; Sevasterit, Shkozës, Golimbasit, Dushkarakut, Mazharit, Ploçës e Amonicës, u grumbulluan në qafën e Ploçës dhe nisën marshimin nëpërmjet Dorbërit, Harvalasë, Brusnje e BelikHysoverdhit, në bashkëveprim me çetat e Smokthinës, Mavrovës, për të sulmuar e shpartalluar garnizonin e Kotës. Në orën 03 të natës, luftëtarët trima të Kudhësit, nën drejtimin e Rrapo Çelos dhe heroit Kanan Maze, u hodhën në sulëm. Në këtë përleshje, për mungesë të armëve dhe municioneve, u përdorën edhe sëpata, hanxharë, kosa, madje edhe sfurqet… Për të përmendur është rasti i luftëtarit; Zyber Bejto Kudhësiotit, nga Dushkaraku, i cili me një sfurk në dorë, me zvarritje, i shkoi ushtarit italian në llogore, i vuri sfurkun në fyt…

Dhe kënga legjendë i thuret legjendarit:
Luftoi Zyber Bejtua,
Me shkopin në dorë,
I shtriu të vdekur,
Pushtuesit, një taborr…

Më 5 qershor, të vitit 1920, forcat e krahinës së Kudhësit, Mesaplikut dhe të fshatrave për rreth, shpartalluan plotësisht garnizonin e Kotës. Në këtë betejë, u plagos edhe Kanan Maze, nga Shkoza, Hero i Popullit. Pas marrjes së garnizonit të Kotës, forcat e Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, në bashkëpunim me forcat e Mesaplikut, të komanduara nga Sali Murati dhe ato të Selam Musait, ndoqën këmba-këmbës, deri në qafën e Sherishtës, në Kalanë e Kaninës, në qafën e Koçiut, deri sa hodhën në det zaptuesit italian. Aksionet për marrjen e qendrave të fortifikuara dhe beteja për çlirimin e Vlorës, u realizua me një përleshje të përgjakshme. Jehona e kësaj lufte, u dëgjua dhe u përhap si rrufe, jo vetëm brenda Shqipërisë, fqinjëve, por edhe në kancelaritë europiane. Populli i vogël shqiptar, pa përkrahjen e askujt, u ndesh me një armik të pabarabartë, si në numër, ashtu dhe në armatim.

Kemi derdhur gjak më okë, ndaj “lulëzon” kjo tokë…

Në këtë luftë frontale, që zgjati gati tre muaj, u derdh gjak me okë, për të lulëzuar kjo tokë… Vlora u çlirua, zaptuesit u hodhën në det. Këtë betejë e gjejmë të gdhendur në vargjet e rapsodit, në këngë e përjetësuar, skalitur në mendjen dhe shpirtin e popullit: Lufta e Vlorës zgjati për 3 muaj luftime të ashpra, dhe shënohet në gjerdanin e artë të historisë si: Ndër epopetë më të lavdishme, pjesëza të asaj lufte i këndohet dhe sot pas 105 viteve: Kanë kaluar 105 vite dhe vargjet e këngës, kanë skalitur fortë: ngjarje dhe data, akte dhe heronj kumbojnë në vite, vijnë me klithmat e ditës, edhe në ditët e sotme, duke na kujtuar Luftën e Vlorës, të 1920-s, dhe kënga më vargjet këndohet edhe sot: Vargjet e këngës me krisma lufte- gjëmonin në shpirtin e patriotëve, luftëtarëve: Këngët derdhen nëpër vite, këndohen në brezat, ruhen në sepetet e moçme, hapen në përvjetorët dhe shpërndahen dhe në gjithë krahinat e Vlorës- Legjendare, në gjithë vendin, dhe për gjithë kombin.

Lufta e Vlorës e Vitit 1920!
“Qaf’e Koçiut moj grykë,
Ç’hata bëre atë ditë,
Me topa me alitrik,
Katërqindë e ca shehit…
Katërqindë e ca të vrarë,
Vallë qysh e dhanë xhanë?
Pa bukë e pa njeri pranë…

Dhe… 400 luftëtarët që ranë për çlirimin e Vlorës, në Luftën e 1920-s, mbeten të shënuar në memorjen e kombit, me kujtesë, në altarin e përjetësisë…/Gazeta Panorama 

Ahmed Bushati: Enveri për orë e orë të tëra qëndronte në një bar të Parisit, në pritje të ndonjë në pritje të ndonjë klienteje plakë e të pasur, që përkundrejt pagesës…

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.


Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

  Në Gjurmët e një ditari

Për jo ma shumë se tre muej kohë, në kampin e mrekullueshëm të Beratit

Tue mos u zgjatë me ngjarjet e zakonshme të nji kampi pune, nga nandori i 1952-it, lamë Çengelajt dhe u drejtuem për në kampin e Urës Vajgurore, “Lapërdha” e Beratit, ku prej kohësh të burgosun të tjerë po punojshin për ndërtimin e nji aerodromi ushtarak. Në këtë kamp “madhështor” u bashkuem dy kampe e do të qëndrojshim bashkë derisa t’u pregatiste ai i Vlashukut, që ishte destinacioni i jonë. Kampi i Urës Vajgurore, do t’u mbante mend si kampi ma i madh që kishte qenë ndonjiherë, ndonëse për nji periudhë të shkurtë, me ma shumë se katër mijë të burgosun, si dhe kampi ku nji shumicë të burgosurish politikë, do të njiheshin mes tyne e prej ku nji ditë do t’u largojshin, tue pasë lanë e marrë mbresa të pashlyeshme për të gjithë jetën.

Ndërmjet tjerëve, atje do të takojshim edhe shokët tonë të Shkodrës, që kishin pasë dalë në kamp mbas nesh, si Sami Repishtin, Xhevat Metën, Ernest Përdodën, Tomë Sheldinë, Et’hem Bakallin, Zef Nikën, Nush Tukën, si dhe Feti Qukun e Mark Lleshin, që po bijshin për herë të dytë në burg, etj. Do të gjejshim gjithashtu në atë kamp edhe shokë nga të burgjeve të tjerë me të cilët ishim njohë e lidhë qysh dy e tre vjet ma parë ndër kampe të tjerë. Takimet e të burgosurve politikë, mbas disa kohësh që t’mos ishin takue me njeni-tjetrin, do të ishin si takime bashkëluftëtarësh. Takime të tilla do të krijojshin vazhdimisht atmosferë të gëzueshme e inkurajuese, për vetë vuejtjet e kauzën e përbashkët që ata kishin.

Në këtë kamp, për herë të parë, do të takojshim Patër Mëshkallën, te i cili, si ndoshta te asnji tjetër, ishin shkri në nji gja, thjeshtësia e sinqeriteti, inteligjenca e kultura, si edhe nji ngrohtësi deri në afinitet edhe me ne, çka do të bante që atij, pavarësisht moshës që kishte e petkut që mbante, t’iu manifestojshin qysh në takimin e tịj të parë me ne. Te Patër Meshkalla do të më bante përshtypje pamja e tij, që edhe pse disi si e zeshkët e gjithë rrudha, do të na bahej tërheqës dhe e dashtun edhe prej afrimit të menjëhershëm e, besimit të pa asnji rezerve që ai po shfaqte për ne.

Vuejtja nga njena anë, si dhe kontakti me njerëz të zgjedhun për nga karakteri, që të keshë pasë me të e disa herë edhe për nga kultura, shtue këtyne librat e sidomos synimet, patën ba që nji kategori të burgosurish me moshë të re, të kishin fitue atë shkallë formimi të parakohshëm, sa do të kishin qenë vërtetë nji dobi reale për vendin, nëse komunizmi do të ishte përmbysë, qysh atëherë.

Edhe atje në Berat, si në kampe të tjerë, do të njifshim shumë njerëz të mirë, mes të cilëve edhe fshatarë të thjeshtë, emnat e të cilëve, për kohën e gjatë që ka kalue, më janë fshi nga kujtesa, por jo gjithherë edhe fytyrat e nji fisnikni e tyne. Sa kohë që u ndodhshim në atë kamp, mezi ç’do të pritshim që të mbaronte dita e punës, për të takue në mbramje individë e grupe shokësh, që me qëndrimin e tyne të papërkulun ndër burgje e kampe, kishin ba emën.

Nga të burgut të Vlonës, Meçan Hoxha do të ishte nji prej atyne nacionalistëve të kulluet e njeri i mirë, të cilit ndoshta ma shumë se çdo gja tjetër, do t’i a tregojshin shprehja e qetë e dashamirëse e fytyrës së tij të qetë që kishte, toni i ulët e i shtruem i fjalëve të matuna e konfidenciale që përdorte, si të nji njeriu me të cilin të ishim njohë prej kohësh, çka ne, si të rinj që ishim, do të na bante me besue se të gjitha sa ma sipër, t’i burojshin prej nji nacionalizmi të tij të pastër e të thellë, si rrallë kush tjetër.

Njeri shumë i mirë nga të burgut të Vlonës, do të ishte edhe Fatos Kokoshi, që ishte në gjendje të të tregonte nji numër të pambarim filmash, që kishte pasë ndjekë dikur në Francë. Po ashtu Abdurraman Kreshpani, nji tjetër nacionalist i devotshëm, që vite ma parë kishte ndërpre studimet në Itali e, kthye në Shqipni për të luftue me armë në dorë pushtuesin italian, i inkuadruem brenda radhëve të Ballit Kombëtar. Inxhinieri Besim Grezhica, nji tjetër njeri i mirë e i papërkulur. Po kështu vlonjatët, disi ma të rij, si Ventigjar Hamzaraj, që disa vite të shkollës së mesme, i kishte krye në Paris, si bir i nji nëpunësi të ambasadës shqiptare që kishte qenë. E kështu edhe të rinjt, Numan Numani, Teufik Gabrani, Lavdosh Begja, djelm të mirë e të vendosun, që mbetshin si edhe ma parë, besnikë të Ballit Kombëtar.

Në atë kamp qeshë ba mik me nji Bexhet Shehu, pavarësisht diferencës në moshës që kishte me mue. Kishte studjue në Austri dhe prej natyre ishte model i njeriut të sjellshëm e të dashun. Nji herë Bexheti do të më thonte: “S’mund të them se u besonj falleve, por ama është e vërtetë, se kunata ime e pau në filxhan arrestimin tim, qysh dy ditë para. Ajo shikoi filxhanin e kafesë, që sapo e kisha pirë, dhe menjëherë u tret në fytyrë e sytë iu mbushën me lotë. “Çfarë pe në filxhan”? e pyeta unë, dhe ajo njëherë përnjëherë, nuk m’u përgjigj, por pasi unë këmbëngula, ajo duke u dridhur, më tha: Bexhet, të shikonj në burg. Dhe vërtetë unë në ato dy ditë u arrestova”.

Si mik që tashma e kisha Bexhetin, nji ditë do t’i bajsha pyetjen: “Bexhet, ndër të burgosun, kush po sakrifikon ma shumë, ju që në shtëpi keni lanë gra e fëmijë, apo ne që këtu po shkrijmë vite të papërsëritshme rinie”? “I dashur Ahmet”, – do të fillonte me më folë me buzëqeshje Bexheti, – “kësaj pyetje, që vërtetë është interesante, vështirë t’i japësh nji përgjigje të saktë. Duhet gjetë nji njeri tjetër”!

Shyqyri Borshi do t’ishte po aq simpatik, për të burgosurit e atij kampi, sa ç’kishte qenë dikur për vajzat e pjacës së Shkodrës. Temperamenti i gëzueshëm i tij e, humori i përhershëm, kishin ba që atë ta njifshin e ta dojshin të gjithë. Disa herë Shyqi, i hypun mbi nji vagon të mbushun me dhé, tue kalue para të burgosurve që ishin në punë e sipër, do t’u thirrte me sa za të kishte: “Ej, ej, po kalon para jush artisti i burgjeve e, kampeve të Shqipnisë”.

Familjen e Shyqit, me origjinë të largët prej Borshit të jugut, dhjetë vjet ma parë, lufta e kishte sjellë nga Podgorica në Shkodër. E kishin arrestue m’kot, kur kishte qenë ushtar diku andej kah jugu. As që donte të dinte për politikë dhe ndonjiherë do të më kishte thanë: “Kur pata shkue mbas luftet në Zagreb, për të vazhdue studimet universitare, Shkodrën e pata lanë tue u marrë me politikë. Ndër shtëpia e në rrugë, ndigjojsha njerëzit se thojshin: po dalin sot e po dalin nesër këta hora, e tash po vijnë anglezët e amerikanët, etj., etj., ndërsa kur unë studjojsha në Zagreb, kisha përshtypjen se atje, askujt s’i shkonte ndër mend me u marrë me politikë, e se ne studentët u merrshim vetëm me mësime e dashni. U ktheva në Shqipni, e Shkodrën e gjeta përsëri tue u marrë me politikë, ashtu si e kisha lanë dikur”!

Nji tjetër djalë simpatik në atë kamp, do t’ishte Qamil Kacmoli prej Shijakut, nji tip me karakter leal, të gëzueshëm, ekspansiv e të dashun, e me trup të hedhun. Tregojshin se gjatë luftës, ishte numrue ndër ma trimat që kishte pasë ajo zonë e Shijakut. E kishin burgosë për zhgënjimin që ai kishte pasë pësue. Mark Prela e Sami Repishti, që me të ishin ba shokë qysh ma parë, na e patën njohë e lidhë edhe ne me të. Nuk mund të harroj me këtë rast, dy fshatarë të thjeshtë që ato ditë punojshin ngjitë me ne. Më duket se ishin nga Vloçishti i Korçës e, se njeni prej tyne, e kishte emnin Izet, të cilin na e quejshim; “xha Izet”, si plak që ishte. Gjeneral Nexhip Vinçanin e ramë nga pozita qysh atëherë, ai e kishte të vetin.

Xha Izeti e ai shoku i tij, qyshë me mbarimin e Luftës së Parë Botnore, kishin pasë emigrue në Amerikë e, tregimet e tyne për Amerikën, sado të thjeshta që ishin, prapëseprapë tërhiqshin e kënaqshin kureshtjen tonë. Pranë u ndodhte vazhdimisht edhe nji tjetër fshatar prej anës së tyne, me emnin Koço, që si dy të mësipërmit, edhe ai kishte punue për disa vite në Amerikë e, që mes tjerash, do të na tregonte: “Në ditën e 4 korrikut, Festës së Pavarësisë së Amerikës, parakalojshin me flamuj grupe nga të gjithë vendet e botës. Shqipëria, sipas alfabetit, vinte e para pas Amerikës dhe për këtë gjë, grekërit desh pëlcisnin nga inati e për çdo përvjetor ata protestonin, duke thënë se shqiptarët, nuk duhet të kalonin para tyre”!

Nga fundi i qëndrimit tonë në këtë kamp, komanda do të zbulonte hapjen e nji tuneli, në faqen ballore të nji grope të madhe septike prej dheu. E ishte për të ardhë shumë keq. Kishte kohë që nji grup të burgosurish, në mshehtësi e rrezik të madh, kishin punue gjatë shumë netëve për hapjen e atij tuneli e, si edhe ndonjiherë tjetër, vetëm kur ai t’mos donte veç edhe pak punë për të dalë jashta rrethimit prej telash me gjemba, ata do t’u zbulojshin e, t’u dënojshin me shumë vite të tjerë burgu. Edhe nji episod i parëndësishëm do të më ndodhte në nji ndër ato ditë të fundit të qëndrimit tonë në atë kamp: ndërsa isha largue pak nga vendi i punës, shikoj se brenda nji ferre, diçka po lëvrinte.

Mora me të shpejtë nji lopatë e, nisa të hap rrugën në drejtim të saj, dhe shpejt vërejta se aty kishte nji çerdhe gjarpnijsh të rinj, të cilëve fillova t’u biej me lopatë, ndërkohë që drejt meje po vijshin tue më thirr për emën, Met Rrapushi, – furrtari i njohun në Shkodër – dhe ish-studenti, Merxhan Smajli, që të tronditun siç ishin, po m’u lutshin që ta ndërpritsha atë punë. Mënyra me të cilën ata po ma kërkojshin atë gja, – si t’ia kërkojshin nji njeriu të huej, e jo mue, shokut të tyne – si dhe xixëllimat e lotëve në sytë e tyne të skuqun, shtue edhe fjalët “Aman Ahmet, se ti nuk e din, se ç’ka ka përbrenda vetes nji gjarpën”, banë që unë, jo vetëm që t’u tërhiqsha menjiherë prej atij veprimi të porsa filluem, por prej dhimbjes që po provojsha për ta, s’po dijsha as si me u kërkue ndjesë, për ç’kisha ba.

Kampi i Vlashukut

Vazhdonte me qenë dimën kur nji ditë, ne të kampit nr. 2, të hypun ndër makina, lamë kampin e Urës Vajgurore e, shumë shokë tonë të vjetër e të rinj e, tue dredhue gjatë disa dhjetëra kilometrash nëpër rrugë të pashtrueme, për anë do kodrash të ulta, mbërritëm te nji vend ku s’u dukte fshat e asgja e, që u quente Vlashuk. Do të ishte nji kamp – viti 1953 – të cilit fronti i punës, nuk do t’iu largonte anjiherë, me që punimet do të ishin të përqendruem në hapjen e nji kanali me gjatësi të shkurtë, por me përmasa të mëdha, si gjanësi e thellësi.

Do të vinte nji kohë, që për të nxjerrë dheun e gërmuem prej fundit të atij kanali të thellë 25 metra, do t’u dojshin trembëdhjetë skela të alternueme, në të dy faqet e tij, përmes të cilave, lopatë mbas lopate, ai dhé të dilte përjashta. Në thellësi të kanalit, drita depërtonte pak e se dheu atje kishte ngjyrë mes blusë e të blertës, se ishte shumë i ngjeshun e që kundërmonte edhe nji erë të randë, që ndoshta i ngjiste asaj të piritit a vojit të gurit, e që shpeshherë donte me të zanë edhe hundët.

Punimet në fundin e kanalit, veç vështirësisë së gërmimit të nji dheu të fortë e të ngjeshun si tutkall, si dhe rreziqeve eventuale që paraqiste, gjatë stinës së verës kishte dy të mira: freskinë dhe ujin e mbledhun ndër pellgje të vegjël anës kanalit, ujë me të cilin na do të shuejshim etjen tonë e të shumë shokëve të tjerë, sipër ndër skela, pa pyetë për shijen e tij të pakandshme, që kishte marrë prej kundërmimit të dheut, prej kah ai buronte.

Që të mos u shembshin faqet e thella të kanalit të hapun, ishte konsumue nji sasi e pallogaritshme materiali drusor për veshjen e tyne, por që megjithatë, prej presionit të madh të masave të dheut anash, e sidomos mbas ndonji shiu që mund të kishte ra, të ngopuna me lagështinë siç do t’ishin, disa herë ato do të humbshin pikat e tyne të mbështetjes e do të bajshin që dy faqet e kanalit, t’u puqin mes tyne, tue çue dam punën tonë të disa ditëve. Për fatin tonë, shembjet do të ndodhshin vazhdimisht mbas mesnate, aq sa ne të burgosnit, tue qeshë, do të thoshim: “Duket se njitash, ka fillue Zoti me na dashtë”. Kur të vinte prandvera me ditët e saj të zgjatuna, puna do t’u organizonte në katër turne gjashtë orëshe, që u ndërrojshin në krye të çdo jave. Fati do ta sillte që pesë nga gjashtë vetë që kishte sofra e jonë, t’ishin në nji turn, ndërsa unë i vetëm, në turnin tjetër.

Gjatë asaj jave që unë do ta kisha turnin e punës në mbas dreke, rolin e kuzhinierit për drekën do ta kryejsha unë. Ishte ajo kohë kur unë vazhdojsha me studjue gjuhën angleze, me anë të nji metode italiane “Lisly”, dhe me qëllim që ta pratikojsha atë, çdo porosi që kisha për shokët, kur ata t’u kthejshin prej turnit të parë, si lidhun me gjellën a tjetër gja, unë do t’ua lejsha të shkrueme në anglisht, mbi nji copë letër të ashpër thasësh çimentoje.

Brenda nji kampi prej rreth dy mijë e gjashtëqind të burgosurish, – ma të shumtët politikë – anjëherë nuk do të të hiqshin vërejtjen fytyrat e të burgosurve dhe i shikojshe për herë të parë. I burgosuni politik zakonisht mban lidhë brenda nji rrethi mjaft të gjanë shokësh e miqsh, sikurse ruan e respekton edhe disa njohje që atij t’i ishin afrue rastësisht, të cilat zakonisht mbyllin pak a shumë botën e njerëzve të tij të burgut, jashtë të cilit ai përgjithësisht nuk del. Kështu nji ditë unë, mbasi pata mbarue punë para kohe, nga thellësia e kanalit ku punojsha, u ngjita sipër që të pritsha përfundimin e punës për të gjithë. Rasti e solli që aty të hyjsha në bisedë me nji të burgosun nga Berati me emnin Qemal, i cili aty punonte me nji elektro-vinç të madh.

Qysh në fillim te ai njeri do të më bante përshtypje fytyra e tij e pastër e shumë bardhoshe, si dhe toni i qetë i zanit të tij, që sa herë që fliste, do ta përcillte me buzëqeshjen e nji njeriu të mirë e me edukatë. Mbas nji bisede prej rreth nji orë, u ndamë sikur të kishim qenë njohë prej kohësh. Mbasi të kishte mbarue punë edhe turni i dytë, pra në mbramje, kur po hajshim darkë, unë do t’u flitsha për të shokëve të sofrës. Po ç’ndodhi ndërkaq? Për nji koinçidencë të pabesueshme e fatale, këta shokë të mij, do të më tregojshin se pikërisht atë vinçier, me emnin Qemal, e kishte pase zanë nën vete vinçi at mbas dreke, tue ia pasë qitë zorrë e tru përjashta!

Vdekja e nji të burgosuni në nji kamp pune, disa herë kalon me indiferencën e atyne që atë nuk e kanë njohë ma parë dhe me pikëllimin ma të thellë nga ana e shokëve të tij. Kështu nji shok i Qemalit, që më duket se emnin e pat Nuri, nga pikllimi për vdekjen e Qemalit, qysh atë natë, luejti mendsh. E izoluen brenda nji barake të vogël, që vinte pak mbrapa kapanonit tonë dhe për nji javë resht ai djalë, ditë as natë, nuk do të pushonte se thirruni me za të naltë: “Qemal, o Qemal, Qemal ore”!- tue mbushë me dhimbje e lanë edhe pa gjumë, shumë të burgosun aty rrotull. Ruzhdi Baja, kushri i imi e, që në atë periudhë flinte brij meje, i shqetësuem që s’po e zinte gjumi prej të thirrunave të atij Nuris, do të turfullonte: “Boll na u dhimbt ai djal që diq, veç edhe kështu mos me të lanë me mbyllë sy, të lodhun si jena, s’po di ça me thanë”! Kund nja nji javë mbrapa, Nuriun nuk e ndigjuem ma të thërriste: dikush na tha se e kishin nisë për spital.

Në këtë kamp të Vlashukut, kujtoj me respekt e tashma vetëm për figurë disa njerëz të mirë prej Beratit e rretheve të tij, ndër ta sidomos nji burrë të shkurtë, me emnin Syrja. Si Syrjanë, po nga Berati kujtoj me këtë rast edhe nji ish-student, pak brun e simpatik, që njenin prind e kishte me origjinë italiane. Nga Berati ishte edhe studenti Ilia Thereska, që gjimnazin e kishte ndjekë në atë të Gjinokastrës. Po ashtu, kamp mbas kampi, do t’u njifshim e do t’u afrojshim shumë me nji grup kolonjarësh shumë të mirë, që në krye të tyne kishin nji plak me emnin Muço, Muço Shkëmbin, nji zotni gjithë prestigj, që e meritonte nderin që iu bante nga të gjithë.

Ma i riu ndër ta, do të ishte Kamberi, që na e thirrshim Kambo. Qysh në kamp të Beratit, ishim njohë e krijue lidhje shoqnore me intelektualë, si Isuf Vrionin, që si bir ambasadori që kishte qenë në Francë, të gjitha ciklet shkollore, përfshi edhe ndonji vit të fillores, i kishte pasë krye në Paris, ku kishte qenë laurue dy herë e, nji herë të tretë në Milano të Italisë. Po kështu do t’u afrojshim edhe me dy shokët e tij, Milto Liton e Foto Balën, që bashkë me Isufin, do të formojshin nji treshe të pandame.

Foto Bala ishte rritë me Enver Hoxhën. Bashkë kishin krye gjysë-gjimnazin e Gjinokastrës, bashkë në lice të Korçës e, bashkë edhe në Montpellier të Francës. Foto Bala, jo vetëm që ishte intelektual i plotësuem, por kishte edhe nji mënyrë të të treguemit shumë të kandëshme e elokuente. Ndër të tjera, ai do të na tregonte për Enver Hoxhën, për sjelljet e tij në përgjithësi, për mungesën e plotë të karakterit të tij, për “manierat” femnore që ai përdorte deri në neveri, sa herë që kishte të baj me femna, si dhe për shumë aventura të tij, shumë e shumë herë të fëlliqta.

“Do të ishte Enver Hoxha, i vetmi shqiptar që për orë e orë të tëra, do të pozonte pa turp, në nji bar të Parisit, në pritje të ndonji klienteje plakë e të pasur, që përkundrejt nji pagese, do ta merrte me vete atë bukurosh”, do të na thonte Foto Bala. E vazhdonte: “Si i shthurur që ishte, kushedi sa herë me ishte futur në shtrat, disa orë pas mesnate, duke më thënë: “Foto, Foto, bëj një çikëz vend, sa të futem edhe unë”. Dhe kur Enveri do të vinte në krye të Shqipnisë, dëshmitarin e sa maskarallëqeve të tij, Foto Balën, ai do ta mbante dhjetë vjet në burg, kurse të atin, që e kishte pasë farmacist në Durrës, do t’ia pushkatonte, për çka Fotoja do të thonte: “Po ai pizeveng, mirë me mua, po me babain ç’pat”?

Më shumë njerëz të mirë, do t’u njifshim e do t’u lidhshim si shokë në këtë kamp, por unë s’pakut do të kujtoj edhe dy, njeni Niko Koka e, tjetri Lem Daçi, të dy prej Shkodret, të arrestuem në Durrës, ku kohët e fundit kishin qenë me punë e banim, si dhe njifarë Eshref Zagorçani prej Pogradecit, që pak vite ma parë, kishte pasë ndërpre studimet e nalta në Austri. Mes tjerëve, do të kishim atje edhe studentin Ali Cali, nga Tirana.

Tue vazhdue me qenë në këte kamp, ndodhi që nji të shtunë në darkë, njenit prej shokëve të sofrës, familja i solli ushqime. Daja, – ekonomati e kuzhinieri i jonë – po u merrte me sistemimin e tyne. Thabit Rusi, tue mos shikue mirë prej dritës së pakët të kapanonit, përmbysi gabimisht nji shishe voji e, mbrapa nisi të turfllonte; “Ku paska qenë që s’e pashë?! E marrtë dreqi”, etj. Ndërkaq Maliq Bushati, tue mos pasë qenë koha për gjumë, ishte shtri në dyshek e mbulue edhe me batanije. Ndërkohë që Thabiti vazhdonte të shprente idhnimin për humbjen e nji shisheje voji aq të çmueshme për ne, unë do të vërejsha se si Maliq Bushati, u tundte e shkundte nën batanije dhe mbasi e zbulova e pyeta: “Ç’ka ke që tundesh”?! e ai pa muejtë me frenue gazin e, tue vazhdue me u dridhë edhe ma shumë, do të m’u përgjigjte:

“Shyqyr që duel edhe nji tjetër me derdhë, se ju mbetët tue thanë për gjithçka; Maliqi, Maliqi”. Dhe me të vërtetë, nëse do t’u derdhte a t’u thyente nji gja, t’u griste a t’u ndyente nji plaçkë, për autor do të kishin pasë përgjithësisht dorën, brylin, kambën, gjunin a kryet e Maliqit. Po ashtu, edhe nji morr po t’u vërente se ishte futë brenda vendeve tona, do t’ishim të sigurt, se atë e kishte sjellë Maliqi, edhe në qoftë se ai në atë ditë të kishte veshë rroba të lame. E ngjiste kështu, sepse Maliq Bushati, sa askush tjetër, do t’u fuste ndër skutat e ma të vorfënve e, të të harruemve të kampit.

Daja, çdo mëngjes, do të mbushte kutitë e duhanit për të gjithë e, në veçanti atë të Maliqit, do ta raste edhe me duer, dhe tue ia dorëzue, do t’i thonte: “Maliq, kjo për gjithë ditën ee”? Dhe Maliqi, megjithëse aty për aty, do t’iu përgjigjte me “Po, mor po”, kur t’u kthente prej punës, si asnji tjetër prej nesh, punën ma të parë që do të kërkonte me ba, do t’ishte zgjatja e kutisë së duhanit bosh, drejt Dajës, sepse ai si gjithnji, do të kishte takue Prekën, Hajdarin, Nduen, Muhon, po edhe Koçon a ndonji tjetër, me të cilët ai vazhdimisht, do të ndante duhanin.

Sa herë që Maliq Bushatit, t’i vinte ndonjë gja e re prej shtëpijet, si këmishë, brekë etj., ai do të mendonte se nuk i takojshin atij e, përgjithësisht m’i hidhte ato mue, si ma i riu i sofrës që isha, gja që natyrisht unë s’do t’ia pranojsha asnjiherë, sikurse nuk do t’ia pranojsha as nji kafshatë mishi, që mund t’i kishte ra nga kazani, e që ai, tue ia hjekë vetes, sa pa nisë me ngranë, do të kërkonte që të m’a hidhte në gavetë time! Memorie.al

“ONE MAN’S JOURNEY TO FREEDOM” (UDHETIMI E NJI NJERIUT PER NE LIRI) GENE X. KORTSHA

Marrë nga libri i

të Madhit Dijetar

Gene X. Kortsha

“ONE MAN’S JOURNEY TO FREEDOM”

(UDHETIMI E NJI NJERIUT PER NE LIRI)

GENE X. KORTSHA

1924 – 2016

   Tridhetë e tri vjet ma parë me 1998 , Don Preng Ndrevashaj i tregon Genc Korçes, çka ai ka ndigjue prej Peter Freeman (Sinishtaj) komandant i skuadres pushkatare, që ka ekzekutue këta tre të burgosun. Peter Freeman ka kenë emni i marrun me mend kur ai ka fillue nji jetë të re në Kanada.

     ”Freeman, i ka thanë Don Prengës, kur i pushkatuen  tre të bugosunit, dy prej tyne kanë ra përdhe, ndersa At Antoni asht zhdukë nga pamja i rrethuem prej nji rêjet. Oficeri në komand ka shkue afer trupave të shtrimë perdhe.

Trupat e Lef Nosit dhe Maliq Bushatit shihen të perplasun perdhe, ndersa trupi i At Anton Harapit

qendron i padukshem, i rrethuem prej nji rêje. U deshten disa minuta që të zhduket Rêja. Atëherë dhe vetem atëherë, ushtarët pane trupin e dobët të San Françeskut në Mbretninë e vdekjes.

     Ne vjetin 2004, në nji bisedë në mes Genc Korçes dhe  Viktor Dostit , kur Genci i tregon atij ngjarjen e P. Anton Harapit, Ai shtoj nji hollësi interesante . Ai tregoi që para shumë vjetësh në Shqipni, nji ushtar që ka kenë antar i skuadres pushkatare i ka tregue atij të njajten hollësi per rêne që ka errësue trupin e P. Antonit per nji kohë mbas pushkatimit.”

                                                                     Gene Kortsha.

Shenim nga Fritz RADOVANI:

Botohet pandryshue asgja nga shkrimi i të Ndjemit G. KORTSHA.

Asht marrë nga Dijetari i Madh Gene X. KORTSHA në vitin 2014.

            Melbourne, 3 Qershor 2025,

 

“Pasi ia dënuan djalin në burg politik, Nikolinin e përzunë nga teatri dhe kolegët ia kthyen shpinën, edhe kur ai u sëmur…”! / Historia e trishtë e artistit të famshëm

 

Çdokush ka një histori, e shënjon atë. Një histori të vërtetë. Dhe e vërteta është edhe më e bukur, sado e trishtuar që është e thuhet. E vërteta është e thjeshta. Dhe ky artist gjenial, ishte i tillë: i thjeshtë, i vërtetë, i bukur…me një histori tragjike jete. Historia vetë është një mit, ose thënë më me elegancë, miti riprodhon brenda materies së vet, histori nga më të përveçmet e, nga më të habitshmet. Një nga këto histori që fqinjëron me mitin për nga habia, e veçanta, e rralla dhe tragjikja, është edhe ajo e prindërve të Nikolin Xhojës, që do të zinte fill në qytetin italian të Brindisit, në vitin 1920. Aty do të shkelte këmba e një vajze shqiptare me origjinë vllahe dhe me emrin Parashqevi Bushi, së bashku me disa emigrantë të tjerë nga Durrësi.

Rastësia, po ndofta edhe bukuria e saj fizike, do ta sillte që këtu ajo të njihej edhe me pronarin e disa kinemave të këtij qyteti, me Teodor Gioia, i cili do të bëhej edhe burri i saj, pa kurorë, e do të lindte fëmijën e parë, si nëpër histori filmash. Fëmija do të quhej Ugo e, do të kishte edhe ai historinë e vet të trishtuar, të rritjes në një institucion Bamirësie, për vet rrethanat e krijuara të asaj kohe. Dy vjet më pas, më 12 maj 1926, do të lindte edhe djali i dytë, Nikolini, një fëmijë e mbarë, i bukur dhe i shëndetshëm.

E frikësuar se mos e humbiste edhe këtë djalë, Parashqevia e braktis të shoqin, ikën fshehtazi, me traget nga Brindizi, bashkë me foshnjën e dytë, për të nisur edhe një herë, kalvarin e një jete të dhimbshme, ca më të vështirë nga ajo e të parëve të saj, që e mbartnin jetën mbi samarin e mushkave, nga njëri vend në tjetrin, mbi tokë e nën qiellin e hapur…!

Krejt e vetme vendoset në një kthinë mbi kodrinën e Sefer Efendiut në Durrës dhe nis të punojë si rrobalarëse, për të nxjerrë bukën e gojës, për vete e fëmijën e saj, që po rritej përmes këtij fukarallëku të tejskajshëm. E gjithmonë, si nëpër skenarë filmash, do të shfaqet një bamirës fisnik, sikundër qe punonjësi i legatës angleze, Profiri Gllatkin, i cili do të zbuste këtë jetë të vrazhdë, së gruas së re e të vetmuar.

Po nata zë ditën e dita zë natën dhe gjërat përsëriten. Varfëria e ashpër e pasiguria e jetës, i detyron ata që ta sistemojnë Nikolinin në “Strehën Vorfnore” të Tiranës, ku djaloshi do të hidhte shtat si ai filizi i pemës, i rimbjellë pranë gurishteve të një lumi…! Gjersa u bë për në shkollë e kthehet pranë së ëmës në Durrës. Me mësime shkolle, me shoqërinë e rrugës e me ndonjë punë që bënte si korrier në Bankën e Qytetit, nën statujën madhore e të hijshme të Mbretëreshës Teuta.

Mirëpo do të vinte nga Mati një njeri tjetër, që do të shpallej “Mbret i Shqiptarëve”, i cili u hapi “dyert” edhe Italianëve. Pas pak aty mbërritën edhe ushtarët e tyre, me vapore, tanka e avionë. Një dualitet i dhimbshëm zhvillohej tani në shpirtin e Nikolinit: I ati i të cilit kishte kombësi italiane dhe nuk qe bërë më i gjallë! Megjithatë, Banka herë mbyllej e herë hapej.

Kishin ardhur kohë të vështira…!

Diku, aty afër u dëgjuan krismat e mitralozit të Mujo Ulqinakut, si edhe u ndje në gjithë vendin një rezistencë spontane. Ndërkohë që Mbreti Zog, me suitën e tij, po ikte në drejtim të Jugut. Ç’po ndodhte kështu?! Nikolini qe ende i hutuar atë ditë, kur korrierin e nisën të shpërndante letrat me njoftimet e reja dhe në derën e Bankës trokiti një djalosh tjetër, i veshur me uniformën e ushtrisë italiane, që kishte po atë fytyrë, po me ato flokë të zeza e, me onde valësh. Dhe që tha se kërkonte Nikolin Xhojën! Nëpunësve iu duk një shaka e rrezikshme, ngaqë Nikolini, po kërkonte Nikolinin!

Befasimin e njerëzve të mbetur gojëhapur, do ta sqaronte vetë ushtari italian, se nuk ishte Nikolini, po i vëllai i tij, Ugo Xhoja! Ai përmendi edhe nënën e tyre, se donte t’i takonte patjetër që të dy, po që koha nuk e priste asnjë sekondë, për të mos i “fluturuar koka”, nëse nuk do t’i bashkohej kolonës ushtarake, që marshonte në drejtim të Gramshit. Dy orë më pas, nënë e bir, do të niseshin edhe ata në drejtim të Gramshit, me makina të rastit, përmes rrëmujës, krismave e frikës. Italia i kishte shpallur luftë Greqisë dhe territori shqiptar, qe bërë “shesh lufte”.

Fatet e luftës përziheshin me fatet e njerëzve! Dhe nëna do ta gjente të birin, Ugo, të vrarë. Dhe vëllai nuk do ta përqafonte dot më, vëllain e madh të shpuar nga plumbat…! Të kujt? Kush e vrau Ugon?! Qe ditë e premte. Dhe nënën e tyre, e quanin Premte, – (Parashqevi, në gjuhën greke), nga ku kishin zbritur vllahët në shtegtimet e tyre, për të ardhur gjer këtu, gjysma të gjallë e gjysma të vdekur!…

I gjithë vendi u kthye në “shesh lufte” e djaloshi 19 vjeçar, duhej të zgjidhte “udhën e vet” të jetës. Dhe e zgjodhi, duke hedhur pushkën krahut e, të dilte malit, tok me iluzionin se këto “kohë të turbullta”, do t’i davariste komunizmi, i cili fillimisht kishte disa ide e mesazhe të krishtere, për vëllazërim e dashuri njerëzore! Është fjala për “zjarrin” e brendshëm të një të riu, kur e rrëmbeu “furtuna” e luftës partizane.

Askush nga partizanët nuk e besonte, se në radhët e tyre do të kishin edhe një djalosh me origjinë italiane, që ishte aq i gatshëm të luftonte kundër bashkëkombësve të vet, që zbarkuan në Durrës. Po ai do t’u thoshte atyre, se e ndjente veten “shqiptar të vërtetë” dhe se qe kundra kësaj lufte, që i “mori” vëllain, si “mish për top”, në luftën Italo-Greke.

Mirëpo, partizanët nuk mund të mos çuditeshin me këtë njeri që, bashkë me pushkën, kishte marrë me vete edhe kitarën e tij. Qe pasioni i tij i hershëm kënga, që fëmijë, po edhe geni (do të thoshnja), nga i ati që projektonte në kinematë e tij në Brindizi, të gjithë filmat e botës së kulturuar. Shoqëruar me ndjesinë e aktrimit, tek lozi në mal skeçin e Besim Levonjës, për prefektin e Tiranës, – një rol që do ta interpretonte të plotë edhe pas çlirimit të vendit, (pas suksesit të bujshëm që pati me këtë rol edhe Mihal Popi e, disa vite më vonë Robert Ndrenika), për t’u bashkuar me ta në Durrësin e çliruar, në një shfaqje të përbashkët, kur atë e “rrëmbeu” teatri i këtij qyteti, me emrin e Aleksandër Moisiut.

Talenti i këtij aktori (të pashkollë), do të shpalosej katërcipërisht në këtë teatër profesionist e, do të ishte aktori më në zë, me një shtrirje të gjerë, në komedi, estradë, dramë e në operetë, po edhe në film. Unë do të mrekullohesha me rolin e Podgolisinit nga komedia ‘Martesa’ e Gogolit e kjo do të ishte nga shkrimet e mia të para si Kritik i Teatrit, që do të vijoja me interpretimin humoristik e fort të besueshëm, që i bënte tashmë Qazim Mulletit të Levonjës.

Paskëtaj ai do të lozte në disa pjesë teatri nga dramaturgjia ruse e asaj kohe e, do të ishte shumë origjinal në 25 vepra të repertorit nacional, për të ndritur në dramatizimin e një romani të Dritëro Agollit, me rolin e Komandantit Rrapo, me po atë shkëlqim që pati edhe në komedinë “Karnavalet e Korçës”, me një personazh proverbial, si Nikollaq Jorganxhiu, ndonëse kryevepra e interpretimeve të tij, do të mbetej Gorodniçi i Gogolit.

Po nuk do të binin më poshtë as rolet mjeshtërore nga komedia klasike, me Shekspirin, Molierin, Goldonin etj., ku humori i tij ishte më se i këndshëm e i natyrshëm. Suksesi i tij do të ishte i menjëhershëm në skenën e Estradës, ku e kthenin me duartrokitje disa herë edhe nëpër skeçet, si edhe në operetat që u realizuan në Durrës, me vepra të Dunajevskit, Dungut e Marës, tek të cilat qe brilant edhe si këngëtar e instrumentist. Pa lënë mënjanë edhe filmat e tij gazmorë, sidomos me personazhin simpatik të Xha Beqos, aq të natyrshëm, me organicitetin e një shkalle superiore.

Nikolin Xhpoja, ishte e mbeti një personalitet i pazëvendësueshëm artistik. Ai sillte diçka të vetën në skenë, edhe nga trashëgimia e artit italian të “Comedia dell’Arte”, si edhe nga “neo realizmi” italian i interpretimit të rrugës, ashtu vetiu, me plot improvizime e befasira të natyrshme, si askush tjetër. Me një larmi e gjerësi interpretuese. Kurdoherë i papërtuar e vital. Me një lirshmëri skenike e sens improvizimi të jashtëzakonshëm, pa i fiksuar rolet asnjëherë e, duke e ndjerë procesin e krijimit gjithmonë si në premierë.

Aktor me një shpirt të madh njerëzor, i dashur e i domosdoshëm, shëmbëlltyrë klasike, e veçantë, për Teatrin Shqiptar e sidomos për brezin e ri të aktorëve që e nisin “udhën e aktrimit” e shkollimin e tyre profesional, me shumë dëshirë e pastaj përfundojnë si figurantë teatri a si kamerierë, pjatalarës a shitës benzene, jashtë vendit të tyre…!

Njëherësh, “Artisti i Popullit” Nikolin Xhoja, qe një komik i mrekullueshëm në skenë e në ekran, si edhe tragjik në jetë. “Nikolin Xhojën e kishte krijuar ZOTI për teatrin, me një pamje simpatike,- më thoshte shoqja ime e klasës e partnere e tij në po këtë teatër, – Qe i bukur në jetë, i bukur në skenë dhe i këndshëm në shoqëri. Por, kur shkelte në pragun e teatrit, bëhej serioz, i përmbajtur dhe i vëmendshëm”.

Partia e Qeveria e asaj kohe, i afronte këta njerëz të talentuar, u jepte teserën e Partisë së tyre, si edhe tituj të lartë, po nëse të “rrëshqiste këmba” e të delje nga “vija e kuqe e oborrit të tyre”, të bënin edhe “gropën”, – sikundër do t’i ndodhte edhe Nikolinit komunist. Atë e degraduan menjëherë për djalin e tij Ugo, me të cilin ringjalli emrin e të vëllait të vrarë në luftë, që e akuzuan për “një fjalë goje”, për “Agjitacion e Propagandë” dhe e rrasën brenda hekurave të burgut.

Nikolini dhe e shoqja e tij Meropi, – aktore edhe ajo, kaluan ditët më të zeza të jetës së tyre. Po ç’kishte bërë vallë i biri i tyre? Qe habitur, se si qe vendosur në krye të Partisë në Durrës, një karrocier i pashkollë e injorant! Dhe pas këtij “akti” e përjashtojnë nga partia dhe e ndalojnë që të hipte në skenë. Aktori i madh sëmuret dhe shtrohet në spital, me diagnozën; “cerrosi epatica”, me mëlçinë e shkatërruar nga alkooli i tepërt që pinte, për të ngushëlluar veten në atë vetmi tragjike, kur të gjithë i kthyen kurrizin e, nuk e pranuan në teatër, as të vdekur në arkivol, për t’i bërë homazhet e rastit këtij artisti gjigant, që nuk i vjen më Shqipërisë!

Duke e përfunduar këtë histori tragjike të trishtuar edhe me marrjen e shtëpisë pas vdekjes, duke i nxjerr në rrugë familjen që la pas, fëmijët, mobiliet e varfra dhe tekstet e roleve të tij të pavdekshme, që i merrte era e detit të trazuar…! Unë eci këto ditë nëpër kalldrëmet e rrugës të fshatit tim, ku miku im Xhoja, ka xhiruar rolin famoz të Xha Beqos, në filmin “Kapedani”, me partner Albert Verrinë, shokun tim të klasës së aktrimit dhe më rrëmbejnë kujtimet e trishta për artin, thjeshtësinë e humorin e përveçëm të këtij njeriu, që bujti edhe në shtëpinë time, me gjithë ekipin e xhirimit.

E,- të më besoni, – e ndjej veten të bekuar që shkrova për të një libër monografik, pa më ndihmuar askush, as për atë vit pune (me ec e jake të panumërta Athinë-Durrës!) e as me dy promovimet në Durrës e Athinë, rrethuar nga indiferenca e zyrtarëve, e vetë Teatrit, bile edhe e të afërmve të tij, që e kishin lënë ta mbulonin ferrat, varr-oshin e artistit të madh, që duhej të qe një vend pelegrinazhi i nderuar për të gjithë. Kur, edhe në këtë promovim që u zhvillua brenda Teatrit, në “Odeonin” me emrin e artistit, nuk u pa e arsyeshme që të merrte pjesë edhe trupa e teatrit, si të vazhdonte “mëria” me këtë personalitet të Artit Shqiptar (!?).

Po ashtu sikundër më kishte ndodhur, për fatin e keq timin, për të gjashtë librat që pata shkruar e botuar, për Kollosët e Aktrimit Shqiptar: Mihal Popin, Naim Frashërin, Margarita Xhepën, si edhe portretet krijuese për Kadri Roshin, Sandër Prosin, Kujtim Spahivoglin, Besim Levonjën, Mihal Stefën, Tano Banushin, Bexhet Nelkun, Robert Ndrenikën, Yllka Mujon e për 15 artistë të tjerë që lanë gjurmë në skenë e në kinematografinë tonë, për të ikur i qetë, edhe unë, në “banesën e përjetshme” e, për t’u takuar aty me shumicën e tyre.

Mandej është e trishtë të mendosh se institucionet e interesuara, teatrot e as të afërmit e këtyre personaliteteve, nuk i kërkojnë për t’i promovuar e blerë këto libra, për t’i patur ndër arshivat e bibliotekat e tyre tyre. Edhe në promovimin e bërë në Akademinë e Arteve, me interesimin e profesor Milto Kutalit e Rektorit Kastriot Çaushi, shumica e studentëve të aktrimit, preferuan më mirë ta kalonin kohën në Kafenenë e Shkollës…!

Medet! Preferohet vetëm që t’ua dhurosh ato, librat studimore për aktrimin, për t’i patur nëpër rafte e çanta, se sa të dëgjonin se çfarë thonin profesorët e tyre rreth këtyre botimeve, pa menduar se gjer këtu arrihet me një punë të madhe krijuese, sakrificash e mundimesh të pallogaritshme në kohë e, asnjëherë të paguara. Parimi i djeshëm i “vullnetarizmit” kudo e ngado, ka mbetur si ato “pullat postare” me figurën e Udhëheqësit të dikurshëm. Ndërkohë që vlerësohen e përjetësohen figurat me të rëndësishme të Kombit, kultura e ndërgjegjja e tij.

Të paharruarit e përjetshëm…! Sikundër qe për ne të gjithë, edhe shqiptaro-italiani NIKOLIN XHOJA. I mëvetshëm edhe ky…! Se mund të harrohen ministra, deputetë, kryeministra e presidentë, po jo këta, që i shkruan emrat në “ALTARIN E KOHËS”…! Memorie.al

 

“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! – Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali

 

“Kanë qenë dy javë bashkë në nji dhomë spitali në Rrëshen. Të njajtin ushqim që pregaditnim për nanën (vjehrrën) me i çue t’u spitali, të njajtin pregaditnim edhe për Musinenë. Qe një grue e artë, e mrekullueshme” – më rrëfeu para ca ditësh nana, për Musine Kokalarin. E pashë plot kureshtje e surprizë time nanën, drejt e në sy, dy sekonda, me një dyshim të vobektë, mos edhe kjo është një ndër 50 mijë mirditorët, që sot rrëfejnë e “rrahin gjoksin” në kor, se si arritën t’ia lehtësonin dhimbjet shpirtërore znj. Kokalari, kur ajo gjendej në internim në Rrëshen (ani-pse kur pat vdek, vetëm dy-tre vetë, bashkë me puntorin e Komunales, e shoqëronin kamionin e caktue për funeral).

Mirëpo këto pohime për brezin e nanës time, kanë një vlerë, vërtetësi e seriozitet të pacënu, sa vetë Bibla. E s’kanë lidhje me “korin rrahagjokës”, të rrjeteve sociale. Padyshim nana me gruen e axhës, duart e të cilave kishin gatu për të njohur e të panjohun në jetën e tyne, kanë pas të njajtin përkushtim e njet edhe për “gruan e ardhun nga Jugu i largët”, njëlloj si për një teze!

Kishin gatu për të njohun e panjohun sepse, ishin pjesë integruese e një familje, ku hala kishte mbijetu kodi i mikpritjes së mirditorit. E në kullat e së cilës shpesh herë, madje shumë shpesh herë, trokitnin dhe gjenin strehë, edhe të panjohun të largët, hallexhinj që i kishte zanë nata jashtë, apo rrugëtarë, nevojtarë bujtinash.

Gjyshja e Musineja, një kureshtje e pa masë më shtyu: ç’mund të kenë bisedue me njena-tjetrën, në ato katërmbëdhjetë ditë apo, më mirë në ato katërmbëdhjetë netë, të një dhomë spitali?!

Them biseda nate, duke pas parasysh se veshët përgjues të spiunave, me pseudonime nga më absurd, të tipit: “Malësori”, “Piktori”, “Trimi”, “Çiftelia”, “Fizarmonika”, “Muzikanti”, mësuesi etj., duhet të kishin pushu së përgjuari, natën nëpër dhomat e spitalit. Të bindur tashmë se dy gra të thyera në moshë, do i pezullonin planet e tyre, për përmbysjen e pushtetit popullor.

“A drue s’kishin halle, me i qa njana-tjetrës”! – u shpreh nana përgjatë atij rrëfimi, së cilit s’desha t’i anashkalonte asnjë presje të vetme.

Gjyshja e Musineja, bashkëmoshatare e me një të kaluar, eksperience e drama jete, afërsisht të ngjashme. Musineja intelektuale e shkrimtare nga familjet me të ndritura e fisnike të Gjinokastrës, jetue në Tiranën e viteve ’30-të.

Në të njëjtën periudhë me t’ime gjyshe, gruen më të mprehtë dhe me personalitet që mund të njihej, e cila mangësinë e arsimimit, e zëvendësonte me veti të tjera të jashtëzakonshme, shtesë.

Bashkëshorte e një ushtaraku të ri karriere, pinjoll i një familje bajraktari, djalë plot virtyte i cilësuar për karizëm po aq sa për pashi, duke formu së bashku një çift me emër, në kohën e tyre…!

Ç’mund do kishin bisedu njena me tjetrën! Ajo sigurisht do i ketë rrëfye, për dy vëllezërit që i vrau diktatura, për gjygje, për luftë, për internimin, për vuajtjet, për vetmi.

Ndërsa gjyshja sigurisht do i ketë rrëfye, për vëllain antikomunist të vramë, për burrin po ashtu të vramë nga e njejta diktaturë, e për agresivitetin konstant që po kjo farë e keqe, tregonte me bijtë e saj. E për të njëjta vuejtje e halle.

Ose ndoshta kanë bisedue për rininë e tyne, ëndrrat e tyne të djeguna e përcëllume në kohën më të mirë! Ose ndoshta kanë bisedu për Tiranën e viteve ’30-të. Një qytet e shoqëni me mangësi të mëdha patjetër, por me shpresa e pritshmëni shumë, për rininë e asaj kohe!

Ose ndoshta kanë rrëfye Italinë. Njena Romën e, tjetra Barin. Jam kurioz me e dijtë, sa halle kanë qa së bashku ime gjyshe e Musineja, në ato 14 ditë e net spitali, në Rrëshenin e fillim viteve ’80-të! Kurozitet që s’do shuhet kurrë.

Ne…mirë se tek gjyshërit për arsye “anagrafike”, nuk arritëm të gërmonim e mësonim, por edhe brezi i prindërve tanë, po na e lenë lamtumirën pa ua shfletu mirë librin e shkollën e tyne të jetës!

E do vijë një moment, që për historinë tonë, do u nënshtrohemi vetëm historianëve – prototip të improvizuar në fb. Dhe jo vetëm! Memorie.al


Send this to a friend