Në këtë shkrim dua të pasqyroj një shqetësim qytetar me frymë europiane, ca më tepër tani kur po përshpejtojmë të realizojmë objektivin e anëtarësimit në BE në vitin 2030.
Me këtë rast rikujtojmë faktin e njohur që nëse ka diçka që mund t’i japim me shumicë dhe cilësi elitare BE-së dhe të konkurojmë me dinjitet atje, këto janë traditat tona të pasura dhe të larmishme në art, kulturë, muzikë dhe letërsi, me emra të mëdhenj dhe të paharruar të formatit ndërkombëtar.
Mirëpo pavarësisht nga disa përpjekje, sidomos nga media, rrjetet sociale dhe disa arritje, këtu çalojmë jo pak si shtet, qeveri dhe shoqëri. Sepse shoqëria, institucionet kulturore në nivel kombëtar dhe vendor dhe media televizive nuk po bëjnë sa duhet për të evokuar këto tradita dhe protagonistët e tyre, sidomos yjet e pashuar të muzikës, këngës, valles, të teatrit dhe të humorit ndër shekuj, dekada dhe vite.
Kush jeton jashtë vendit ose ndjek programet televizive atje ndjen dhe ndihet i keqardhur kur sheh dallimin e madh me vendet europiane dhe në këtë fushë.
Kështu, krahas dhe bashkë me bashkitë, komunat dhe institucionet kulturore dhe artistike, televizionet kombëtare, publike dhe private franceze, gjermane, italiane, britanike, etj japin rubrika të posaçme ku evokohen emrat e mëdhenj dhe tingëllues të artit dhe muzikës; dhe kjo nuk bëhet jo vetëm në rastet e përvjetorëve të lindjes, vdekjes apo dhe koncerteve të tyre të famshme, por vazhdimisht, madje në programe dhe rubrika të rregulla javore, të moderuara nga yjet e gazetarisë atje.
Këto rubrika dhe emisione janë nga më të ndjekurat, sidomos nga rinia dhe deri te fëmijtë; ato shquhen nga prania e gjerë e familjarëve, fëmijve, miqve dhe fansave të artistëve të mëdhenj të muzikës, teatrit dhe humorit që përkujtohen; me kujtime dhe episode tejet interesante, duke i thurur homazhe personaliteteve të shquara që kanë mbajtur gjallë dhe në humor publikun për dekada me radhë.
Me atë rast, krahas kujtimeve mbi jetën e tyre, pse jo dhe me dritëhijet e veta, dhe interpretimeve të tyre virtuoze emblematike, artistët më të rinj luajnë dhe përsëritin pjesët e tyre në formë homazhi.
Mesazhi madhor që jepet me këtë rast është se këta artistë të mëdhenj, ndonëse kanë dekada që nuk janë fizikisht mes nesh, janë të gjallë si pjesë përbërëse e historisë, kujtesës dhe trashëgimisë kulturore dhe artistike të njehsuar me pjesët e pavdekshme që kanë interpretuar në skenat botërore.
Për ta ka gjithashtu shkrime, libra, monografi të shumta, promovimi i të cilave kthehet në ngjarje dhe festa të vërteta për të gjithë.
E pra, pikërisht në këtë drejtim, pa mohuar disa veprimtari mbresëlënëse, sidomos nga ana e Akademisë së Shkencave tejet aktive në këtë fushë dhe disa bashkive, sërish jemi prapa në këtë drejtim. Një nga shkaqet që ky aspekt i rëndësishëm historik dhe kulturor lihet pas dore vjen nga pretendimi se nuk ka interes publik!
Në fakt, kjo pengesë, e cila e ka burimin te mangësitë e lartpërmendura mund të kapërcehet pa shumë vështirësi duke e vlerësuar më shumë dhe më seriozisht këtë aspekt me veprimtari dhe emisione cilësore televizive; duke i institucionalizuar këto lloj veprimtarish dhe ciklesh, me siguri dhe interesi publik i dëmtuar rëndë nga lloj lloj emisionesh televizive superkomerciale dhe anti-vlerë do të ringjallet, duke siguruar pse jo rekord klikimesh, siç ndodh kudo në Europë.
Dhe kjo jo thjesht dhe vetëm për nostalgji me të kaluarën, por që t’i shërbejë rritjes së ndërgjegjësimit dhe shtimit të dijeve për historikun dhe traditat e shkëlqyera të artit dhe kulturës sonë, pse jo dhe në vitet e diktaturës, kur artistët tanë të mrekullueshëm na lehtësonin hallet dhe dertet me interpretimet e tyre emblematike.
Magjia e tyre dërgonte pa pushim rreze diellore pranverore në zemrat tona. Kjo dhe si detyrim moral, si borxh i pashlyeshëm që ua kemi artistëve të mrekullueshëm që materialisht nuk fituan asgjë megjithë famën e tyre, por fituan admirimin dhe respektin e popullit dhe Atdheut.
Shpesh, deri përpara viteve 90, kur isha me kolegë jashtë vendit por dhe tani, në biseda apo dhe intervista me të huajt, pyetjes se si e kemi përballuar shtypjen dhe super stresin e diktaturës, i jam përgjigjur pikërisht me faktin se peshën e vuajtjeve dhe të mungesës së lirisë krahas të tjerash, na e lehtësonin shumë me perlat e tyre mjeshtrat, këngëtarët dhe aktorëve tanë, të cilët kanë kohë që kanë hyrë në legjendë.
Dhe kjo ndodhte kudo, në shtëpi, në shkollë, jashtë saj dhe në stërvitjet ushtarake apo aksionet e rinisë, kudo ku ndodheshim. Dhe të huajt që na dëgjonin na jepnin të drejtë.
Bindesh dhe më shumë për këtë dukuri kur dëgjon dhe shijon perlat e panumurta të këngëve tona, popullore dhe të muzikës së lehtë, vallet e mahnitshme, pjesët teatrale dhe të humorit, romanet dhe botimet, pikturat dhe skulpturat me jehonë kudo! Me mijra komente lexon për to dhe në videot e shumta që bëhen virale!
Dihet se gjatë periudhës së viteve 1945 – 1975 në shumicën dërmuese të familjeve tona nuk kishte televizor, por vetëm radio të vogla të varura në mur, ndërsa në plazh të famshmet radio portative “ Iliria “.
Ndaj, kur vinte emisioni i orës 18:10 me këngë popullore apo emisioni aq shumë i dashur “ Sipas kërkesave të Muzikës “ në orën 21:00 ne vraponim me veshët e mbërthyer tek radio, duke dëgjuar këngën e preferuar.
Po kështu ndodhte me emisionin “ Teatri në Mikrofon “ ditën e mërkurë, Teatrin e Estradës « Variete » dhe plot të tjera.
Lista këtu është aq e gjatë, aq sa po hyre rrezik nuk del dot më prej andej; ndaj për të ilustruar shqetësimin e lartpërmendur po ndalemi vetëm në disa nga artistët tanë më emblematikë që nuk i kemi më mes nesh.
E kush e dëgjoi dhe nuk u mahnit me artistë të tillë të paarritshëm si mbretëresha e muzikës populllore të Shqipërisë së Mesme, Fitnete Rexha. Me këngët e saj të trimërisë dhe lirike, me shpirtin me të cilin i këndonte, me zërin plot vibracione, entusiazmin e saj dhe interpretimin e lirshëm unikal në skenë me defin e saj emblematik!
I ndjeri Agim Krajka dikur e ilustronte forcën e saj magnetike kur tregonte kur ai fliste, gjyshja i thoshte « shëëët, po këndon Fitnete Rexha!»
Ajo më ka lënë nga afër mbresa të thella 38 vjet më parë në një takim në Zall – Bastar me rastin e muajit të letërsisë dhe arteve në tetor 1977. Fshatarët e varfër të atyre anëve « ishin shkulur » duke udhëtuar gjatë me këmbë megjithë motin e keq për të parë e dëgjuar « mbretëreshën » e tyre të këngës. Nuk donin t’ia dinin për asgjë, boll të dëgjonin zërin e saj legjendar.
I shihja se megjithë lodhjen dhe mundimet e jetës, sytë u shkëlqenin nga gëzimi dhe emocionet e tyre, brohorisnin, qeshnin dhe qanin, i luteshin të këndonte prapë, prapë, ajo nuk ua prishte por ata doin prapë…..
Fitnetja e paharuar që shoqëronte një shkrimtar e nuk kishte ardhur për koncert u premtoi me shumë mirësjellje dhe pendesë se do të vinte apostafat një ditë tjetër të këndonte për ta.
Gjatë kthimit në fshat, më tregonin se ishin më të lumturit në botë, se kishin dëgjuar nga afër Fitneten e tyre të zemrës !
Ndaj e besova të ndjerin Agim Doçi i cili tregonte se kur shkoi Ansambli ynë i Këngëve dhe Valleve Popullore në Gjakovë në vitin 1971, mikpritësit pyetën për Fitneten. Dikush u tha me shaka se ajo nuk kishte ardhur.
« Aha, atëhere kot keni ardhur » – u thanë Gjakovarët, pa Fitneten më mirë kthehuni nga keni ardhur» ! Por u gëzuan pa masë kur e panë Mbretërshën e tyre të këngës! Atë ditë gjatë koncertit, kur ajo këndonte « Bubullin te shkëmbi i Kavajës » stadiumi u ndez flakë.
Po ashtu kolegu i saj i ndjerë, bilbili i këngës shkodrane, Xhevdet Hafizi. Sa më shumë t’i dëgjosh këngët e tij me atë lirizëm dhe aromë karakteristike shkodrane, aq më shumë të shijojnë dhe të pushtojnë mendjen dhe shpirtin.
Për tekstet fisnike, që evokojnë respektin dhe dashurinë e vërtetë ndaj pranverës, gëzimit, femrës, finesën, embëlsinë, butësinë të cilët kulmojnë në duetin e tij të paharruar me mbretëreshën tjetër të këngës shkodrane, Luçie Miloti dhe Naile Hoxha, dueti më i bukur i të gjithë kohrave, i papërsëritshëm nga asnjë tjetër.
Pastaj, zëri i tij i veçantë, plot finese, timbri i embël, i brishtë, shqiptimi i bukur, mjaltëzimi i fjalëve të bukura, temperamenti, melodia, buzëqeshja dhe deri te veshja e tij e spikatur artistike.
U bënë 18 vjet që ai u shua, por na ka marrë shumë malli të shohim të paktën një emision televiziv kushtuar atij emrit dhe artisti të madh dhe fisnik. Ashtu si dhe për Bik Ndojën, Shyqyri Alushin, për Meliha Dodën me trion emblematike karakteristike vlonjate, Anita Take&Agim Prodanin dhe të tjerë që janë në panteonin e artit shqiptar.
Malli na ka marrë të shohim të tilla emisione homazh dhe veprimtari për artistët e mrekullueshëm të Asamblit tonë të Këngëve dhe Valleve Popullore me valltarët e tij solistët e paarritshëm, të ndjerët Besim Zekthi, Liliana Cingu dhe Rexhep Çeliku.
Sa shumë mund të flitet dhe shkruhet për ta, jetën e tyre dinjitoze, mjeshtërinë e tyre të rrallë dhe pastaj kjo të ilustrohet me vallet kreshnike ku ata derdhën dhe shkrinë gjithë talentin e tyre!
Por dhe për solistët e Teatrit të Operas dhe Baletit, të cilët e livruan dhe zbukuruan dhe më shumë këngën tonë popullore, të mëdhenjtë dhe të pavdekshmit Mentor Xhemali, Gaqo Çako, Ibrahim Tukiçi, Ramiz Kovaçi…
Duke shkuar në jug, si dhe shumë të tjerë, më ka frymëzuar qysh në rini, këtu e 50 vjet më parë, Lefter Çipa, legjendë e gjallë e fjalës dhe këngës labe, hartuesi i qindra këngëve, njera më e bukur se tjetra.
Njeriu që asnjëherë nuk e la Labërinë, por u ngul aty, me « rrënjë e me degë », i “ dehur “ pas madhështisë dhe bukurisë së saj epike.
Kështu mund të flitet shumë për poetët e tekstve të mrekullueshme të këngëve tona që na mungojnë shumë, të ndjerët Agim Doçi, Arben Duka, Hysni Miloshi, Jorgo Papingji dhe të tjerë.
Po sa shumë mund të flitet për skenën e muzikës së lehtë, ku vezulloi me gjithë talentin dhe shkëlqimin e saj vezullues “urragani” i muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela »
Sado është shkruar dhe folur për Zërin e Kombit prapë është shumë pak kur vjen fjala te talenti i saj i jashtëzakonshëm, zëri me atë rregjistër të pafund, dhe intepretimin me shpirt të çdo « hiti » muzikor, nga kënga e Gjyshes, Sot jam 20 vjeç, një vit më parë jam martuar, Djaloshi dhe shiu, Vajzat tona ilegale, Rrjedh në këngë e ligjërime, te Valsi i Lumturisë dhe plot të tjera.
Në nëntor 1972, në Durrës, gjatë Kongresit të Rinisë, në Hotel Adriatik u entusiazmuan kur pas një ndërprerje të aktivitetit muzikor për shkak të një problemi shëndetësor, Vaçja u shfaq papritur ashtu thjesht dhe pa bujë në sallonin e madh, mes admirimit të mbi 30 delegacioneve të huaja të rinisë.
Kur e dëgjuan që interpretoi siç dinte vetëm Vaçja këngë italiane dhe spanjolle, brohoritje pa pushim. Kështu mund të flitet për Qemal Kërtushën me zërin dhe butësinë e tij karakteristike, për Tonin Tërshanën që drithëroi skenën me « Të dua o Det » dhe « Erdh pranvera », të cilat janë moderne dhe habitem përse nuk transmetohen.
Deri te emblematiku Sherif Merdani që u burgos vetëm e vetëm, siç e thotë dhe kënga me të cilën ai fitoi në Festivalin e Këngës në vitin 1992 « Se kënduan let it be »
Po Francesk Radi, ”veshoja” i paharuar, ndër njerëzit, të rinjtë dhe këngëtarët më mondanë dhe fisnike, që këndoi ”Adresën”, ”Biçikleta” dhe me ” Alo, alo babi” që këndoi më 1992 me Mariza Ikonomin dhe plot të tjera; këngë që mishëronin dashurinë dhe lumturinë e vërtetë e jo komerciale por me ndjenja dhe gëzimin që të jepte qoftë dhe një shtrëngim duarsh me vajzën e bukur që ishte adresa e lumturisë! Dhe prapë shumë shumë pak dëgjojmë dhe shohim për të !
Shumë prej këtyre këngëve si dhe « Fqinja e bukur » u kompozuan nga ish-studenti i anglishtes, njeri prej kompozitorëve më të rinj e të talentuar të viteve 70, të paharruarit Kastriot Gjini.
Sa herë afronte Viti i Ri, të gjithë do t’i shihje të rinjtë dhe të rejat duke kënduar këngën e dashur në atë kohë “ Kartolina “ .
Vdekja e rrëmbeu Kastriotin shumë të ri e bashkë me të kushedi dhe sa e sa perla të tjera muzikore për rininë e asaj kohe! Ndaj dhe sot atë dhe këngë të tjera të asaj kohe, i këndojmë gjithë qejf, sepse janë bërë pjesë e jetës, shpirtit dhe kujtesës sonë.
Të njëjtat ndjenja nostalgjie, homazhi dhe mirënjohje shijojmë dhe kur futemi në portat e teatrit tonë dramatik dhe të humorit me artistët e tij të mëdhenj.
Duke filluar nga Aleksander Moisi, padyshim ndër më të mëdhenjtë e botës në vitet 20 – 30 të shekullit të kaluar; mirëpo 90 vjetori i vdekjes së tij të parakohshme në prill kaloi pa asnjë gjurmë, vetëm me një premtim gjithsesi të dobishëm të Kryetares së Kuvendit, Zonjës Spiropali në takimin në Kavajë me ish Presidentin Moisiu, i cili ka bërë aq shumë jo thejsht për një prej të parëve të tij të mëdhenj, por për vendin dhe trashëgiminë tonë kulturore.
Edhe Ambasadat tona në Berlin dhe në Vjenë, ku Moisiu ushtroi veprimtarinë e tij më të madhe mund të kishin bërë diçka. Sipas Rϋdiger Schaper, gazetar i spikatur i « Tagesspiegel », i cili në vitin 2002 botoi librin prestigjioz mbi jetën dhe veprimtarinë e shquar teatrale të Mosiut, i përkthyer dhe në shqip disa vite më pa thotë se në Burg Theatër ku Moisiu u njoh si aktor ka 14 thasë me dokumenta mbi jetën e tij të cilat mund të ishn objekt studimi.
Schaperi është mik i vendit tonë, në vitin 2002 – 2003 Ambasada jonë në Berlin ku isha diplomat, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës në Tiranë organizuan 2 – 3 vizita të tij në Shqipëri, ku e priti dhe Presidenti i atëhershëm, Alfred Moisiu, etj.
Në heshtje kaloi çuditërisht dhe 60- Vjetori i shuarjes së Fan Nolit, përkthyesi, famulltari, historiani, oratori, kompozitori dhe gjeniu i letrave shqipe, ish ministri i jashtëm dhe Kryeministër, themeluesi legjendar i Kishës autoqefale shqiptare!
E habitshme! Por sa shumë mund dhe duhet të flitet për pasardhësit e Moisiut, « gjeneralët » e teatrit tonë, të paharuarit Kadri Roshi , Naim Frashëri, Violeta Manushi, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Sandër Prosi, Prokop Mima, Lazër Filipi Margarita Xhepa, Sulejman Pitarka, Agim Qirjaqi, Bujar Lako, Roland Trebicka, Anastas Kristofori dhe të tjerë personalitete me përmasa të jashtëzakonshme të teatrit dhe filmit modern shqiptar, me shfaqjet e tyre të mrekullueshme!
Me pjesët që skalitën gjithë mjeshtëri dhe ndjenjë ata janë bërë pjesë e pandarë e historisë dhe e vetë qënies sone shpirtërore. Të njëjtën gjë mund të themi për kolegët e tyre të shquar të humorit, të Estradës së Tiranës me Skënder Sollakun, mikun e parë të fëmijve në vitet 60, Arben Shakën, atë të Fierit Fuat Boçin, Estrada e Shkodrës me të papërsëritshmit e humorit tonë, Tano Banushi, Zef Deda, Gjosho Vasia, Paulin Preka, Gëzim Krujën, ajo e Durrësit me Ramazan Ngjalën, Spiro Stratin dhe unikalin Fadil Hasën ;
Me aq shumë skeçe dhe humor të bollshëm dhe të shëndetshëm, që hynë natyrshëm në fjalorin e përditshëm dhe kanë mbetur të gjalla edhe sot.
Ja pse evokimi, transmetimi i krijimeve të tyre emblematike dhe bisedat homazh me familjarë, kolegë, miq dhe shokë të yjeve tona të pashuar të artit, kulturës, muzikës dhe letërsisë përbën një detyrim moral dhe kulturor si shqiptar ashtu dhe me vlera te mëdha europiane.
Le ta mbyllim këtë shkrim homazh me falenderime për artistët tanë më të rinj që në shumë raste dhe sidomos në « duetet e pamundura » i evokojnë aq bukur dhe i thurin homazh frymës, shpirtit, talentit, dhe mjeshtërisë së papërsëritshme të yjeve tona të pashuar të artit dhe kulturës! bw
Komentet