Kënga XIX e Milosaos
Më të rar’ të dimërit,
vajta bashkë me tim vëllezër
te stani i Marlules,
i pritur ka mot. Bariu
ngrohu qumësht e rrëmbyer,
syt’ me lotë: – Ha, trim i bardhë!
Yt gjysh, kur vinte, nuk donte
veç qumësht të ngrohtë;
pastaj, gjer të gdhihej,
ushtrinë e harronte.
Pa kreni dhe i trishtuar
rrija si në vend të huaj.
Fjetën tim vëllezër.
Delet që zhurmonin,
gjumin ma këputnin.
Kur u çova për së pari,
nga Mbuzati hënëza
sipër detit llamburinte.
Kur u çova për së dyti,
ylli s’ish duke vështruar
njerëzit e bishat që flinin,
por u takste deleve
net me fate të mëdha.
Kur u çova për së treti,
hëna kishe perënduar;
ndonjë ka, aty-këtu,
po kulloste kodrave
gjysmë të zbardhuara.
Kur të katërtën u zgjova,
delet tona ishin hapur
lumenjve të kaltër.
Mua më zu malli i katundit.
Dola poshtë shesheve,
që ishin lagur: kish dëborë
të pashkrirë, të përhapur
nën hijen e shkurreve,
e vashën kryegështenjë
njoha e udhë e katundit,
njoha shtatin plot hir,
spikun e kaltër të fustës;
e takova nëpër zhugat.
TRIMI: Se të vije somenatë
gjer këtu nuk e pandeha.
VAJZA: Pse, s’ka ardhur tjera herë?
S’patëm me kë t’u dërgojmë
bukën vllezërve. “Shko, mblidh
dhe dy skorje”, më tha mëma.
Sonte mos fjete më truall?
TRIMI: Afër zjarrit i mbuluar.
VAJZA: Bobo! s’mund të vije
mbrëmë në shtëpi?
TRIMI: Te shtëpia ime vajza kryegështenjë
tani më s’po duket.
VAJZA: Sa ka dielli që rron,
mos, kur ulet mbrëmanet,
vetëm s’rri?
TRIMI: Kur të kthej në dhe të huaj,
ngopmu ti, moj zemërgure,
si të huaj të më dish!
TRIMI: E përse?… Ne pran’ e pranë ecnim.
Ajo u përmbajt e pastaj sytë e
përlotur i ktheu nga plepat anësh.
Komentet