BRUKSEL- Bashkimi Evropian po përgatit “udhërrëfyes” të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë. Sipas dy zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, të cituar nga POLITICO, “udhërrëfyesi” do të përcaktojë më qartë reformat që katër vendet duhet të përmbushin, hapat që duhet të ndjekin dhe afatet e përafërta për avancimin drejt anëtarësimit në BE. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së diskutimeve.
“Planet do ta bëjnë më të qartë se çfarë pritet nga secili vend kandidat, si dhe do të krijojnë detyrime për anëtarët aktualë, të cilët duhet të japin miratimin e tyre që procesi të ecë përpara. Planet gjithashtu përcaktojnë data të përafërta se kur grupet e reformave, të njohura si “grupe” negociuese, do të përfundojnë zyrtarisht momente të rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit,” tha një nga zyrtarët për POLITICO.
Shqipëria dhe tre vendet e tjera konsiderohen ndër kandidatët që kanë bërë më shumë përparim në procesin e integrimit, por ende përballen me reforma të papërfunduara dhe paqartësi mbi kohën e anëtarësimit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka premtuar mbështetje për vendet kandidate që kanë bërë më shumë përparim.
Ndërkohë, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina nuk pritet të përfshihen në këtë fazë në “udhërrëfyes”. Edhe Serbia, Gjeorgjia dhe Turqia mbeten jashtë saj, në një kohë kur proceset e tyre janë ngadalësuar për arsye të ndryshme politike dhe institucionale.
Paralelisht me “udhërrëfyesit”, Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për të përshpejtuar integrimin gradual të vendeve kandidate në strukturat e BE-së, edhe përpara anëtarësimit të plotë. Në një draft të rishikimit të politikës së para-zgjerimit, të parë nga POLITICO, thuhet se zgjerimi mbetet një imperativ gjeopolitik, por se anëtarësimi kërkon një proces rigoroz dhe të bazuar në meritë.
“Zgjerimi… mbetet një imperativ gjeopolitik. Megjithatë, pranimi kërkon kohë. Vendet kandidate duhet të përfundojnë një proces rigoroz, të bazuar në meritë, dhe të zbatojnë reforma të gjera dhe të qëndrueshme. Kjo kohë duhet të përdoret plotësisht strategjikisht si për të përgatitur Bashkimin për anëtarësim më të gjerë, ashtu edhe për të thelluar integrimin gradual në fushat me interes të ndërsjellë,” thuhet në një version draft të tekstit të rishikimit para zgjerimit, të parë nga POLITICO.
Ideja është që vendet kandidate të mund të përfitojnë gradualisht nga integrimi ekonomik dhe nga pjesëmarrja në projekte të përbashkëta, ndërsa vijojnë zbatimin e reformave. Komisioni po shqyrton gjithashtu masa mbrojtëse për periudhën pas zgjerimit, përfshirë klauzola emergjence dhe periudha tranzicioni për disa të drejta të anëtarësimit.
Procesi i zgjerimit kërkon mbështetjen e shteteve anëtare të BE-së. Kryeqytetet evropiane pritet të diskutojnë ritmin dhe mënyrën e zgjerimit në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel, më 15 dhe 16 tetor. Në këtë kuadër, Komisioni Evropian pritet tu kërkojë liderëve politikë mbështetje për përshpejtimin e procesit.
Nga ana tjetër, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka shprehur shpresën se këto ndryshime do të sjellin një ‘vjeshtë të zgjerimit’, pas një periudhe me ritëm më të ngadaltë në procesin e anëtarësimit. Po ashtu Von der Leyen pritet të vizitojë këtë javë disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën./Dosja.al